MEDIA E NGORDHUR URIE

Pakçka do ta përgënjeshtronte më mirë ligjin e shndërrimit të sasisë në cilësi, sesa numri i madh i të përditshmeve që botohen në Tiranë dhe pastaj edhe në uebin shqip: me dhjetëra.

Në krahasim me tundrën e acartë të shtypit shqip gjatë periudhës totalitare – ku blerësve u duhej të zgjidhnin thjesht midis Zërit të popullit dhe Bashkimit – pamja e sotme alarmon, sepse është simptomë mbipopullimi; dhe mbipopullimi dihet që sjell varfëri, sëmundje, dhunë, kanibalizëm dhe anomi.

Po a nuk janë këto njëqind lule dhe flutura, në kopshtin e tanishëm të mediave shqip, shenjë e pluralizmit të kthyer; ose arritje, madje triumf i fjalës së lirë? Jo detyrimisht, do të thoja – veç në qoftë se marrim për bazë një përkufizim numerik të pluralizmit.

Arsyet e këtij shumëzimi të paarsyeshëm të gazetave në Tiranë janë komplekse: politike, ekonomike dhe natyrore. Çfarë habit është, përkundrazi, si arrijnë të mbijetojnë këto gazeta, në rrethanat kur shumë prej tyre duhej të kishin falimentuar me kohë, sipas çdo logjike financiare; ose, më mirë, pse nuk ka ndodhur konsolidim, krahas shumëzimit.

Përndryshe, mund të sillen dëshmi të shumta, për të provuar se pasuria në gazeta nuk përthyhet gjë në pasuri informacioni, këndvështrimesh dhe opsionesh identifikimi për lexuesin.

Para së gjithash, burimet e materialeve – të cilat në më të shumtën e rasteve as që zihen gjëkundi në gojë. Shumë prej lajmeve kryesore të brendshme vijnë drejtpërdrejt nga zyrat e shtypit të partive ose të qeverisë; kur nuk merren të gatshme prej televizionit një natë më parë. Kjo bën që i njëjti lajm, me të njëjtin formulim teksti, të shfaqet gëzueshëm në disa gazeta njëkohësisht: i konfeksionuar, si të kish ardhur drejt e nga the Ministry of Truth.

Më keq akoma, materialet origjinale, zakonisht analiza ose opinione që gjykohen si me interes për publikun, shtegtojnë lirisht nga një gazetë në tjetrën – zakonisht pa njohje të së drejtave të autorit dhe të përparësisë së botimit. Kjo dukuri, për të cilën kemi folur më se një herë (sidomos këtu dhe këtu), i homologon mediat, duke provuar, në të njëjtën kohë, se pluraliteti i tyre është fiktiv; madje edhe kur të drejtat e autorit formalisht respektohen. Përmes këtij homologimi, krijohen fronte gazetash, zakonisht të koaguluara sipas vijave politike dhe të tilla që duket sikur kanë për synim t’i japin të njëjtat materiale një numri maksimal lexuesish: por ky nuk është më informim pastaj, pse është degraduar sakaq në propagandë.

Shumë rrallë sheh që një gazetë të përfshihet seriozisht në gazetari investigative – kjo kushton, dhe prandaj i është besuar televizionit, i të cilit media e shkruar në Tiranë po funksion si echo chamber. Edhe në ato raste fatlume kur një gazetë arrin vërtet të hetojë diçka me forcat e veta, përpjekjet i anulohen sakaq, sepse lajmin ia marrin menjëherë gazetat e tjera dhe ia përhapin poshtë e lart, duke ia zhvlerësuar primatin investigativ. Kështu, vjen puna që të gjithë e dinë se çfarë ka zbuluar Fiks fare, por askush nuk di se çfarë ka zbuluar Shekulli ose Dita.

Nga mënyra si e trajtojnë lajmin, të krijohet përshtypja se gazetat mbeten në qarkullim dhe vazhdojnë (të përpiqen) të shiten jo sepse sjellin diçka të re në krahasim me televizionin dhe Internetin, por më tepër për t’i shërbyer një lexuesi tradicional, i cili ende e kërkon gazetën thuajse mekanikisht, çdo mëngjes, bashkë me kafenë; çka do të shpjegonte edhe tirazhet jashtëzakonisht të ulëta të gazetave sot, të cilat ndonjëherë janë edhe më pak në numër se, bie fjala, klikimet e përditshme në një blog si ky yni.

E megjithatë, një gazetë që del çdo ditë, ka nevojë për materiale që të mbushë faqet, çdo ditë. Nuk ka nevojë të bësh studim krahasimtar shterrues, për t’u bindur se këto materiale, të çdo lloji, rimerren nga një gazetë në tjetrën – duke filluar nga lajmet, komunikatat për shtyp, kronika e zezë e më tej, te analizat e ndryshme; dhe duke vazhduar me botimin lumë të pjesëve nga dosjet dhe kujtimet për periudhën totalitare e më në fund me lajmet rozë, ose faqet thjesht pornografike – të cilat zënë vend gjithnjë e më të madh në programet, meqë klikohen shumë.

Një pjesë e madhe e materialeve përkthehen – jo vetëm lajmet “e jashtme” dhe analizat nga media prestigjioze (Financial Times, Foreign Affairs, Der Spiegel, The Economist), por edhe trash-i i faqeve të dëfrimit, thashethemet për celebrities, artikujt e lehtë për kuzhinën, modën, shëndetin, humbjen në peshë, zarzavatet; sikurse “huazohen” fotografitë dhe videot nga YouTube. Kësisoj, ndonjë gazetë e vogël vjen dhe katandiset në faqen personale të pronarit të vet: një analizë therëse, ca opinione të qëmtuara andej-këndej nga faqet e gazetave simotra në Internet, një lajm për një këngëtare gjysmë të zhveshur që është divorcuar ose rimartuar me siguri i vjelë edhe ai nga ndonjë kopsht anës rrugës, një foto e Cristiano Ronaldos me të dashurën mundësisht në plazh, një artikull i Umberto Eco-s i përkthyer si mos më keq (në mos me Google Translate) dhe voilà. S’është për t’u habitur që kjo lloj zhvendosjeje drejt modelit container, t’i bëjë gazetat gjithnjë e më të vëmendshme ndaj faqeve të politikanëve në Facebook.

Dhe kjo na çon sërish te burimet e materialeve, meqë tekstet rrapa-shtrapa të marra nga Facebook-u nuk mund të zëvendësojnë – të paktën idealisht – agjencitë e lajmeve, ose burimet e gazetës vetë; pa çka se këtë e shohim të ndodhë përditë. Por kur vjen puna te burimet, problemi më serioz mbetet verifikimi i fakteve (fact checking). Shembull sa flagrant, aq edhe i freskët: të gjitha gazetat, pa dallim pronari dhe ngjyrimi politik, përcollën para dy ditësh një falënderim që e bija e politikanes ukrainase Julia Timoshenko i paskësh dërguar Berishës sonë, në lidhje me një gjest teatral të këtij të fundit në përkrahje të Timoshenkos mëmë të sapoliruar nga burgu; gazeta “Dita” zbuloi, ndërkaq, që teksti i falënderimit qënkesh i dy vjetëve më parë, edhe pse burimi mbetej i njëjtë: një agjenci lajmesh e quajtur “Presheva jonë.” Kështu, gazetat të gjitha kishin kaluar, dora-dorës, një rrenë të rëndomtë, të cilën e përgënjeshtruan vetëm ato media të cilat përfituan nga rasti për t’u tallur me Berishën. (Presheva jonë?)

Në situata mbipopullimi dhe shterrimi të rezervave ushqimore, njerëzit fillojnë të hanë ç’të munden: insekte, plehra, qen rrugësh, lëkura shalqini, mace, tagji, breshka, lëpjeta, minj, lëvore pemësh, gomerë. Që të gjitha mediat e Tiranës vrapuan kush e kush të botonte lajmin e dhënë nga “Presheva jonë”, kjo më provon jo vetëm degradimin e gazetarisë shqip në nivele prej buletini kampi pionierësh; dhe jo vetëm indiferencën imorale ndaj verifikimit të faktit; por edhe e sidomos që mbipopullimi ka marrë përmasa të papërballueshme; dhe media nuk po e kryen dot rolin e vet elementar, që të informojë publikun.

Mediat e shkruara, pra, janë në fazën e kanibalizmit – sepse nuk kanë me çfarë të ushqehen më. Idealisht, në Tiranë nuk duhej të kish më shumë se katër të përditshme: një me orientim të majtë, një me orientim të djathtë, një të qendrës dhe një me orientim trash (si Daily Mail, ose The New York Post, të themi). Ulja e numrit të mediave, ose konsolidimi, do të sillte vetvetiu një rritje të cilësisë: të përfytyrojmë, bie fjala, një gazetë ku të shkruajnë edhe Mustafa Nano, edhe Mero Baze, edhe Fatos Baxhaku, edhe Andrea Stefani, edhe Mentor Nazarko, edhe Ad Thano, edhe Koloreto Cukali, edhe Ben Andoni…; ose një gazetë ku të shkruajnë edhe Fatos Lubonja, edhe Artan Hoxha, edhe Alfred Lela, edhe Pëllumb Kulla, edhe Andi Bushati, edhe Armand Shkullaku, edhe Artur Zheji, edhe Arjan Vasjari… sa për të përmendur disa emra nga më të njohurit, dhe njëkohësisht më “të holluarit” dhe “të konsumuarit” për shkak të kalimit nga një faqe në tjetrën.

Paradoksi i gazetarisë së shkruar në Tiranë ka të bëjë pikërisht me faktin që gazetarë shumë të mirë dhe të përgatitur nuk arrijnë dot të ngrenë nivelin e mediave ku përftohen si gazetarë; çka do të thotë se konsolidimi i medias tashmë është nevojë urgjente, jo dëshirë: përndryshe, nuk ka fare kuptim që Tirana të ketë më shumë gazeta si pikë referimi se, të themi, Roma, Parisi ose New York-u. Nëse do ta refuzojmë që në krye parimin absurd një gazetar një gazetë, atëherë i bie që publiku, nëpërmjet institucioneve që e përfaqësojnë, të ndikojë aktivisht në uljen e numrit të gazetave, dhe sidomos së përditshmeve në qarkullim; qoftë edhe duke e ndihmuar këtë me mjete financiare dhe lehtësi të natyrës fiskale.

Shënim i dt. 27 shkurt: ky shkrim i është dhënë me leje botimi vetëm gazetës MAPO.

Nuk ka komente

  1. Sinqerisht mendoj se ka ardhur koha qe te kete vetem nje gazete: Gazeta e Tiranes. E kam shume seriozisht. Dhe aty le te shkruajne me te miret. Sinqerisht.
    Doja te thosha vete se nga puna ne gazete nje gje e meson me siguri: meson si te lexosh gazeten dhe gazetaret. Une, modestisht shume, perulesisht, them se deri me sot nuk kam takuar asnje njeri te vetem, qe te me kete shpjeguar, apo te dije se perse gazeta qe mendon ai se eshte me e mira, eshte e tille. Ndaj paradoksi i shtypit eshte edhe paradoksi i lexuesit. Per te mos folur qe per pjesen kur krahasohet televizioni me shtypin, apo per investigimet, nuk jam fare dakord. Por kjo nuk ka rendesi natyrisht.

    1. Po mendimi yt ka shumë rëndësi në këtë muhabet. Madje shumë më tepër se imi (për arsye që ti dhe unë i dimë). Për shembull, a je dakord edhe ti që një pjesë e madhe e lajmeve në gazetat po vijnë, në fakt, nga televizioni? Dhe më tej akoma, a je dakord që një investigim televiziv e ruan të fortë brand-in, në kuptimin që nuk mund të kalojë kështu si pa u vënë re nga Top Channel te Vision Plus-i; ndërsa në gazeta kjo ndodh përditë?

  2. Shkrim me vend. Kam vetëm një saktësim për fjalinë e parë. Ju lini të kuptohet që ndryshimet sasiore çojnë vetëm në ndryshime cilësore pozitive. Jo gjithmonë ndryshimi sasior sjell cilësi pozitive; ai thjesht sjell një cilësi të re jo domosdoshmërisht e kahut të mirë. Nuk thuhet kot “shumë e për lumë” 🙂

  3. edhe dikush tjeter gjate nje hulumtimi i kish rene ne sy se per aksidentin e olldashit kishte vetem nje burim informacioni, gazeta shqiptarja.com, dhe te gjitha gazetat e tjera, qe nga shekulli, dita etj. kishin publikuar te njejtin lajm me fjale te ndryshme. Shqiptarja.com i referohej shoferit, pa emer, por me nje nofke, dhe ky person, del publikisht me “nofke” (blendi) e asnjeri nuk di gje per kete, kur ne gazetat tona eshte publikuar edhe emri i komshiut, gjyshes se tij dhe i kunatit kur ka ndodhur ndonje vrasje apo perdhunim. Panoram boton nje lajm por i referohet deputeti Igli Cara, dhe ky i referohet shoferit ne te njejtin lajm. Pra i gjithe lajmi i referohet nje fantazme, dhe republika nuk e di se kush ka qene shoferi i ministrit te brendshem dhe i transporteve me vone. (peshkupauje.com)

    nje mungese profesionalizmi, dhe te mendosh qe ka programe studimi gazetarie apo komunikimi ne Universitetin e Tiranes, te Durresit, ne Universitetin e New York, Universiteti Evropian, Albanian University, Universiteti i Shkodres etj. private si Vitrina… cfare nxjerrin keto programe studimi? qelbesira prodhojne, qe me pas as nuk paguhen, se keto faqe interneti dhe gazeta nuk i paguajne gazetaret.. njerezit shtrojne tavolinat e mbeshtjelin buken apo kepucet me gazetat e perditshme ne tirane.

  4. Ja një shembull pikant, se si çalojnë mediat e shkruara të Tiranës sot.

    U zbulua para disa ditësh një statujë e çuditshme e Skënderbeut, diku afër Kasharit.

    Mediat e dhanë lajmin të shoqëruar me një foto të nxjerrë nga Artan Shkreli, që nuk punon për gazetat.

    Pastaj u tha se statujën e kish sekuestruar policia. OK deri këtu; edhe pse pikërisht këtu duhej të kish filluar puna.

    Një gazetë profesionale ngarkon një gazetar me detyrën që të shkojë në polici dhe të intervistojë detektivët, policët e ku di unë kë tjetër, për këtë gjetje. Të pyesë kush, kur, ku, pse, si. Pastaj të shkruajë një artikull dhe t’i rrëfejë publikut kureshtar se çfarë mësoi.

    Përkundrazi, mediat tona nxorën foton e Shkrelit të marrë nga Facebook-u (si gjysma e lajmeve të tjera, për turpin e tyre dhe tonin që i lexojmë), pastaj u hapën kryet e vendit opinionistëve dhe ekspertëve (interpeluan me radhë Moikom Zeqoja, Ilir Yzeiri, Mark Tirtja dhe kushedi kush tjetër), të cilët – ngaqë nuk kishin asnjë material në dorë – folën pa letër.

    Por kjo s’ish punë për opinionistët madje akoma jo as për ekspertët. Nga një foto e vetme e shkrepur në muzg as Sherlock Holmes-i nuk do të kish nxjerrë dot më shumë. Dhe para se të hynte në lojë artileria e rëndë, duhej sqaruar më parë se ç’ish kjo skulpturë, nga vinte, ç’përfaqësonte, kush e kish gdhendur, për llogari të kujt, pse ishte hedhur, etj. Se të bësh një statujë groteske të Skënderbeut nuk është (akoma) krim, apo jo?

    Mirëpo asgjë nga këto nuk ndodhi. Në vend që të informohej publiku, u shfrytëzua rasti që t’u bihej kokës – sipas rastit tradhtarëve, të pafeve, antikombëtarëve, serbëve, grekëve, filoserbëve, myslimanëve (pa çka se këtyre ua ndalon feja të gdhendin figura njerëzore), atyre që nuk na duan, atyre që tallen me simbolet kombëtare, you name it. Një statujë të rëndomtë, të pasqaruar, e kooptuan sakaq për të konsakruar llogoret qesharake, ku ka ngecur debati ynë publik.

  5. Eshte akoma shpejt qe ne shqiperi te kete gazeta me identitet te forte. Duke mare parasysh migrimet e gazetareve nga nje gazete ne tjeter duke mare parasysh oferten monetare me te mire, gje qe ndodh vertiklasht edhe me pronaret e gazetave qe kerkojne me ngulm te jene pjese e ndonje klani partiak. Plus qe ne shqiperi ne cdo rotacion politik ndodh dhe rotacion i paradigmave te cdo lloj fushe shkencore, duke filluar nga historia e filologjia e deri ne aspektin me pakdomethenes.(kompleksi diktatorial i trasheguar )

  6. Nqs do t’a shihnim nga pikveshtrimi thjesht ekonomik, ndoshta do te ishte me e sakte media e mbingopur deri ne plasje…….
    Me perjashtim ndoshta te 2-3 tv kombetare qe ndoshta jane edhe rentabel , gjithe mediat ne shq jane investime te natyres ushtarake te bizneseve te medha. Ato jane arme per te mbrojtur interesa dhe per te goditur armiqte e interesave. Kurse ne ceshtje jashte interesave te boseve, jane pak a shume njesoj.

    Perderisa askush nuk pret te fitoje pare prej tyre, nuk ka asnje shans permiresimi te cilesise.

  7. Kam frikë se asnjë gazetë shqiptare nuk përbën nismë të pastër botuese, në kuptimin që të jetë biznes i drejtpërdrejtë me informacionin. Gazetat në Shqipëri nuk janë rentabël, sepse nuk arrijnë ta paguajnë letrën ose bashkëpunëtorët nëpërmjet shitjes në treg të produktit informativ, ose botimit të reklamave. Janë pra ndërmarrje me humbje. Përse atëherë mbijetojnë e shumohen vazhdimisht? Përse përdoren si “luna park” i gazetarëve jo profesionistë? Përse konceptohen si kuti bosh për t’u mbushur?

    Qëllimet duhen kërkuar në rolin mbështetës që ato kanë në lëmin e politikës, ose në atë të biznesit. Por në qoftë se në rastin e parë lexuesi e nuhat pozicionin e organit informativ, në rastin e dytë është tejet e vështirë të gjenden lidhjet ekonomike. Nuk është për t’u përjashtuar se gazetat përdoren si “mjet presioni” ndaj pushtetit të radhës dhe mbahen me serum derisa të vijë momenti i duhur. Pra organet e informacionit në rolin e katjushkave. Prandaj edhe cilësia lë për të dëshiruar, sepse qëllimi nuk është informimi i publikut, por përdorimi i informacionit.

    Por do të bënim gabim sikur këto mangësi t’i shikonim jashtë çështjes etike: të profesionit të gazetarit e të publikut në përgjithësi.

    1. ne fakt nuk eshte aspak e veshtire te gjenden lidhjet ekonomike ndermjet medias dhe bizneseve qe i mbeshtesin ato.. mjafton nje studim ne Qendren Kombetare te Regjistrimit, dhe te del se eshte kryesisht industria e ndertimit, universitetet private dhe disa politikane qe i ushqejne me fonde keto gazeta. P.sh. gazeta standard eshte e nje ndertuesi, Klan dhe ABC News mbaheshin nga qeveria nepermjet miliona parave per reklama pa kuptim apo njoftime qeveritare, MAPO nga UET, Top Channel nga biznesi i Kafese dhe Digitalb etj.

      1. gjithmone per tu ngacmuar p.sh. dihet qe Focus Group qe ka Balkanweb dhe gazeten Panorama eshte i Irfan Hysebelliut – Birra Korca
        Ekstrakti i QKR-se lexon se ortak ne Panorama Group kane qene Alban Xhaferri (ndertues, pallatet mbrapa Klanit tek Stadiumi Qemal Stafa), Lefter Sota (eksport-importi mbetjesh ne shqiperi dhe itali) etj.

  8. Tre janë elementet e rëndësishme të vinjetës që Krypa na ofroi më lart. Çorapet e nderura, kapëset në pritje dhe gazeta “Obobo News”. Janë këto detaje që e shpjegojnë më së miri situatën mjerane të mediave shqiptare. Pa llogaritur qenin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin