Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji / Teknologji

EPOKA LOGARITMIKE

Mes lajmeve e zhurmës së përditshme mbi papunësinë në perëndim, rrezikun e një krize te dytë financiare në Europë, ngjarjet e fundit nga revolucionet arabe pakkush pati rastin të kapte një nga zhvillimet që për mendimin tim mund të futet tek ato nga më interesantet e vitit të kaluar. Bëhet fjalë për Gjermaninë. Ky vend ka qenë për shumë arësye në qendër të zhvillimeve globale të dhunshme apo të paqta të shekullit të kaluar. Rendi që u vendos pas luftës së filluar nga Gjermania, viktimë anësore e së cilës qe edhe Shqipëria, zgjati me pak ndryshime deri pas rënies së murit të Berlinit (serish Gjermania).

Berlini Laborator

Për mua zhvillimi në fjalë e rivendos Gjermaninë në qendër të radarit politik. Nuk po flas për rolin e këtij shteti në ruajtjen apo zbërthimin eminent të Eurozonës. As për puthjet e tejzgjatura midis Merkel dhe Sarkozi. Në të vërtetë marr shkas nga një ngjarje prej politikës, përndryshe tejet të merzitshme, rajonale Gjermane. Në parlamentin e Berlinit Partia Pirate fiton para disa muajsh gati 9% të votave dhe futet për herë të parë në një institucion ligjvënës në rang rajoni në Gjermani. Jo vetëm kaq, por menjëherë mbas këtij triumfi të parë të kësaj partie deri më atëhere të papërfillshme sondazhet politike e katapultojnë atë në rang nacional në 8%. Berlini, i njëjti qytet identiteti i dyzuar i të cilit ishte simboli më i dukshëm i një rregulli botëror tashmë të perënduar është sot qyteti „i varfër por seksi“ i një kryetari bashkie homoseksual e i zgjedhur për herë të katërt në detyrë, qyteti i të gjelbërve me mbi 20%, qyteti i një prej skenave më dinamike të startupeve teknologjike në botë dhe së fundmi qyteti i pirateve.

Pikërisht kapërcimi i piratëve në sondazhet nacionale në 8% brenda natës duket se do të na thotë diçka të rëndësishme për shoqëritë post-materialiste në Europë. Duket sikur një pjesë e elektoratit gjerman vetëm priste daljen e një force të re e të qëndrueshme, e aftë të përballet me temat e medha të së ardhmes së afërt për ti dhënë mbështetjen. Mesazhi besoj është që njerezit i shohin rrjetet e infomacionit, internetin dhe politikat mbi teknologjine dixhitale si shumë të rëndësishme. Bile për 8% te popullsisë se një vendi 80 milionësh si më të rëndësishme sesa tema politike klasike si punësimi dhe edukimi për të cilat programi i piratëve përmbante praktikish zero para zgjedhjeve rajonale. Futja e piratëve në një parlament qoftë ky dhe rajonal mund të shihet për mendimin tim si simboli i fillimit të një epoke të re. Shumëkush ka kohë qe ka filluar ta quajë epoka e informacionit, dhe disa kanë filluar ta quajnë epoka algoritmike. Unë anoj tek emërtimi i dytë, si epokë algoritmike e cila duhet dalluar nga koncepti i vetë shoqërisë së informacionit. Një shoqëri informacioni mund të kalojë nëpër një epokë algoritmike për një kohë të caktuar nëse algoritmet dhe evolucioni i tyre jane elementi kyç në zinxhirin ushqimor të informacioneve. Në një epokë algoritmike kush kontrollon algoritmet kontrollon ekosistemin e informacioneve.

Epoka Algoritmike apo Epoka e të Dhënave
Algoritmet përdoren që nga programet e thjeshta në makinat llogaritëse (mbledhja, shumëzimi, pjesëtimi) tek programet që kontrollojnë rrjetin telefonik, bankat, e deri programet shkencore si dhe simulimet klimaterike globale apo përplasjet e grimcave bazë në fizikë. Ato janë bile dhe zemreku i globalizimit, i transferimit të menjëhershëm të kapitaleve dhe i zinxhirëve globalë të shkëmbimit të resurseve. Këto role algoritmet nuk i kanë që dje por kanë me dhjetera vite që i luajnë në prapaskenë. Ajo çfarë është e re është shpërthimi i të dhënave personale në Internet dhe përpjekjet për të lexuar tek to relacione të ndryshme qofshin personale apo të komuniteteve ku jetojmë me anë të algoritmeve. Duam apo nuk duam vitet e fundit algoritmet kanë hyrë me forcë në sferën private e sociale dhe vendime të rëndësishme merren në bazë të tyre.

Një metaforë nga biologjia mund të na ndihmojë të kuptojmë rolin e algoritmeve. Programet brenda një ekosistemi kompjuterik janë si gjallesat brenda një ekosistemi biologjik dhe algoritmet janë organet e brendshme të këtyre gjallesave. Interneti përmban një gamë të gjerë programesh, rrjete sociale, makina kërkimi, blogje, lojra, fjalorë, harta, etj. të cilat zënë xhepa të caktuar në të gjithë ekosistemin e bashkëveprojnë ose konkurojnë në shumë aspekte. Sjellja e një gjallese brenda një ekosistemi biologjik përcaktohet së brendshmi nga organet e kësaj gjallese, nga ritmi i zemrës nga truri nga melcia etj. Njëlloj, sjellja e një programi kompjuterik përcaktohet nga algoritmet brenda tij. Njëri algoritem mund të përcaktoje filtrimin e informacioneve të dëmshme apo të panevojshme (melçia), një tjetër përcakton orën e brendshme të programit dhe një tjetër akoma përcakton sigurinë dhe masat që merren kur ka sëmundje/viruse (sistemi imunitar). Të gjitha këto algoritme bashkëpunojnë për të përcaktuar sjelljen e programit. Duke vazhduar me metaforën e gjallesës programet brenda një rrjeti kompjuterik ushqehen me informacion dhe prodhojne informacion të tjetër tipi që mund të jetë ushqimi i një programi të dytë e kështu me radhë prandaj dhe në tërësi programet e Internetit mund ti shohim si pjesë të një ekosistemi.

Për nga rëndësia konkurenti më serioz ndaj algoritmeve në shoqërinë e informacionit janë të dhënat (informacionet). Programet dhe algoritmet mund të punojnë vetëm nëse kanë lëndë të parë e ushqim të mjaftueshëm për të funksionuar. Paradoksalisht, megjithë piedestalin ku qëndrojnë algoritmet në zinxhirin ushqimor dixhital, në teknologjinë e softwareve vlen maksima që të dhënat janë më të vyera se algoritmet. Një algoritëm kompleks dhe i avancuar mund të jetë shumë më pak efikas sesa një algoritëm më i thjeshtë nëse ushqehet me më pak të dhëna apo me të dhëna jokualitative. Të dhënat janë bile dhe baza për trajnimin e disa lloje të rëndësishme algoritmesh të afta për të mësuar automatikisht. Cilësia e të dhënave përcakton pra në shumë raste vetë cilësinë e algoritmeve.

Por ky raport midis algoritmeve dhe të dhënave ka pak kohë që është përmbysur dhe kjo jo pse ka patur ndonjë ndryshim relevant paradigme në teknologji, thjesht sepse vetë ne si përdorues kemi hequr dorë nga kontrolli i të dhënave që krijojmë apo që krijohen për ne. Ndryshimi radikal që ka ndodhur vitet e fundit është tek ekonomia e të dhënave. Të dhënat, përfshirë këtu edhe ato personalet, jane bërë tashmë pa kosto sidomos me hyrjen e rrjeteve sociale në skenë, të makinave të kërkimit, të gjithfarë shërbimesh informacioni masive dhe të roboteve virtualë që gërmojnë palodhshem në Internet. Poashtu, deri pak kohë më parë firmat e Internetit, të vogla apo të mëdha, kishin vështirësi teknike për ti mbledhur e ruajtur të dhënat e përdoruesve të tyre, problem ky tashmë i zgjidhur duke i lënë ato ta fokusojnë vëmendjen dhe peshën e tyre financiare tek analiza automatike e këtyre të dhënave.

Shpërthimi i të dhënave personale në Internet është një nga burimet kryesore të rritjes së deritanishme të sasisë totale të informacioneve të ruajtura në Internet. Rritje kjo që pritet të vazhdoje bile të përshpejtohet ne mënyrë dramatike e jo më nga hedhja e të dhënave në Internet nga njerëzit si tani. Burimi kryesor i rritjes do të jenë sensorët, gjithnjë e më të vegjël e kompakt, që mund të ushqejnë të dhëna automatikisht për mjedisin, ekonominë, klimën ashtu edhe të dhëna shëndetësore apo mbi aktivitetet personale në kohë reale. Nëse në vitin 2003 sasia e të dhënave online ishte rreth 5 exabytes (1 exabyte = 10^9 GB) sot presupozohet të jetë mbi shifrën 600 exabytes. Edhe pse një pjesë e mirë e kesaj rritjeje vjen nga sasia qe njerëzit vetë ushqejnë në Internet sensorët do ta mijëfishojnë këtë shifër. Është e qartë që me rritje të tilla në sasinë e të dhënave algoritmet do të zënë një vend qëndror. Janë ato që bëjnë analizën e këtyre pirgjeve gjigande të dhënash. Janë ato që analizojnë rrjetin social virtual, informacione mbi çfarë lexojmë e çfarë komunikojmë e ndonjë ditë jo të largët mbase deri edhe vetë DNA-në personale. Sot vendime se cili person duhet punësuar ose jo varet edhe nga analiza algoritmike e cv-ve dhe e reputacionit apo e prezencës online. Prandaj nuk ka dyshim se sapo kemi hyrë në një epoke ku algoritmet do të dominojnë qartë për sa kohë ekonomia e të dhënave nuk ndryshon, për sa kohë të dhënat nuk kanë çmim.

(An)alfabetizmi Algoritmik
Përdorimi i kompjuterit (me të cilin në pjesën dërrmuese të rasteve kuptohet perdorimi i PC-ve) në një shoqëri informacioni krahasohet shpesh me shkrimin/këndimin në shoqëritë industriale. Një krahasim i gabuar sidomos në kontekstin e epokes algoritmike. Programet që përdorim ku si më të spikaturat mund te rrjeshtohen email-i, rrjetet sociale virtuale, programet për të parë video si dhe ato për të dëgjuar muzikë kanë kaluar me kohë jashtë PC-ve dhe janë zhvendosur në Internet apo më saktë tek servera jashtë kontrollit tonë. Pra PC-ja si e tillë është bërë pothuaj jorelevante dhe janë algoritmet që ekzekutohen në servera ato që po përcaktojnë gjithnjë e më shumë dimensionin virtual. Në një epoke algoritmike aftësia për të përdorur PC-në është më tepër e ngjashme me aftësinë për të shkarravitur në një copë letër nëse mbetemi tek krahasimi me shkrimin. Ekuivalenti i shkrimit në një epokë algoritmike është aftësia për të shkruar dhe manipuluar algoritme personale të afta të analizojnë dhe filtrojnë të dhëna, qofshin këto tonat apo nga të tjera burime.

Efektet e shkollimit/alfabetizimit në masë në ngritjen e shtresave te mesme, evoluimin e sistemeve demokratike dhe fitimin e lirive personale në Europën perendimore gjatë shekullit të 19-të janë të mirënjohura. Për mendimin tim, në një epoke algoritmike jo me pak se fati i vetë shtresave të mesme dhe lirive personale janë të lidhura ngushtë me alfabetizmin algoritmik. Efektet e të kundërtës, analfabetizmit algoritmik, sapo kemi filluar ti shohim qartë tani me krizën e tejzgjatur të punësimit në perëndim ku automatizimi dhe algoritmet nuk janë krejt pa faj. Shoqëria e informacionit sic është në stadin e sotëm ka Vatikanin e saj (Silicon Valley), tempuj e kisha vezulluese (Google, Facebook …) si dhe priftërinjtë/murgjit e vet të lartë (inxhinieret e softuerit). Këta të fundit janë sot -si murgjit me tekstet në mesjetën e hershme- të vetmit që mund të riprodhojnë e manipulojnë algoritme.

A janë lëvizje si ajo e piratëve në Gjermani vendi më i mirë ku duhen hedhur sytë për të rrahur problemet, shpresat dhe zgjidhjet e lidhura me ardhjen e shpejtë të epokës algoritmike unë nuk mund ta them me siguri absolute. Por di të them që piratët ngjajnë shumë me fillimet kaotike të të gjelbërve para 40 vitesh dhe kanë të njëjtin potencial të zhvillohen në një lëvizje shumë të rëndësishme. Një lëvizje që mund të na orientojë në një kohë ku realja dhe dixhitalja po shkrihen dhe ku do te kemi medoemos nevojë për më tepër kontroll dhe balancë mbi algoritmet dhe të dhënat.

Pa Komente

  1. Artikullshkruesi nuk merr nje qendrim mbi kete ceshtje, keshtu qe po e bej vete.

    Ne siperfaqe Partia e Pirateve duket sikur merret me ceshtje post-materialiste, ne kundervenie (sic edhe shprehet ne tekst) me interesat materialiste te punes, gjendjes ekonomike etj. Por une mendoj se kjo parti prek nje prej damareve kryesore te ushqimit dhe monopolit te nje shteti te arrire: te drejten e prones dhe te autoresise, qe perligj qenien e shtetit kapitalist dhe miremban sistemin ekonomik kapitalist. Prandaj eshte e veshtire te pretendosh se sa post-materialist jane keta, sidomos ne nje bote qe behet gjithmone e me shume post-industrialiste apo bazuar ne dije (knowledge based society), e dija merr vleren e prones.

    Piratet e hershem sfidonin rendin skllavapronar apo feudal pikerisht se nuk njihnin te drejten e prones. E kote te them se ne Shqiperi kjo tradite piraterie shekullore vazhdon ende ne bregdet e rrethinat e Tiranes dhe ka shkaktuar mungesen e nje morali qytetar dhe te nje shteti qe respekton te drejten e prones se individit. Por ne nje sistem ekonomik te bazuar mbi dije, Partia Pirate merr flamurin e pirateve te hershem, jo te sfidoj rendin qe synon te kontrolloje dijen (PIPA dhe SOPA), por t’i jape te drejten gjithsekujt te marre pjese ne kete dije.

    Para nje muaji u mbyll nje nga serverat (www.gigapedia.org) me te mire per te gjetur libra shkencor dhe artistik. Per ata si puna ime, te cilet nuk kane para te mjaftueshem per te blere libra akademik apo artistik te huaj, do te thote se tanime bejme pjese ne ate grup njerezish qe perjashtohemi vetvetiu nga te rejat me te fundit ne fushat e interesit (shih edhe nje trajtim interesant http://www.aljazeera.com/indepth/opinion/2012/02/2012227143813304790.html ). Nese dikur prona perbente privilegj (nje libertarian do te pretendonte se prona nuk mund te jete e drejte e lindur, por e fituar gjate jetes), sot dija perben privilegj, pasi eshte e kufizuar vetem ne librarite e vendeve te pasura perendimore.

    Neper Tirane ka filluar nje fushate e Zyres se Mbrotjes se te Drejtave te Autorit. Ne Shqiperi ndoshta eshte nje ceshtje qe duhet trajtuar, sikur edhe deshmon diskutimi i meparshem i Pishak Zhgabes. Por nuk duhet hequr nga vemendja kostoja e madhe sociale qe sjell kufizimi i perdorimit dhe menjanimi i nje grupi te caktuar njerezish nga pjesemarrja ne dijen kolektive.

  2. Qasja e kapedanit qe e lidh kete teme me pronen eshte interesante. Levizja pirate, ajo ne Gjermani apo gjetke, eshte akoma e paqarte ne lidhje me pronen. Ne pak vitet qe kur ato kane lindur sidomos piratet gjermane jane fokusuar me teper ne kundershtimin e ruajtjeve te te dhenave personale nga shteti. Vete levizja ideologjikisht i ka rrenjet tek klubet e kompjuterave te Berlinit nga njera ane si Chaos Compjuter Club dhe levizjet e fuqishme ne Gjermanine e viteve 80 per mbrojtjen e te dhenave personale (Datenshutz) nga ana tjeter. Ne Gjermani kontrolli shteteror nxeh shume gjakra per arsye historike. Rritja elektorale e pirateve i atribuohet shume pikerisht kesaj strategjie. Besoj do te jete e lehte per piratet te bejne kapercimin nga kontrolli shteteror tek kontrolli i te dhenave tona nga korporatat qe jane dhe gogoli i vertete ne kete mes. Sot ato kontrollojne qofte te dhenat qofte algoritmet.

    Ceshtja me e gjere e prones eshte me e mpleksur ama dhe perqasjet e reja ketu kerkojne kohe e mbi te gjitha eksperimente dhe shembuj. Jo gjithshka duhet te jete e hapur per te gjithe dhe une ndryshe nga pak vite me pare po bindem se te dhenat duhet te kene pronesi dhe cmim. Ndryshe algoritmet do te dominojne te pakontestuara. Sot kemi edhe problemin tjeter qe vetem nje pjese shume e vogel individesh dine te perdorin apo krijojne algoritme pra te automatizojne ne dobi te tyre. Por edhe sikur kjo te ndryshoje sic aludohet dhe ne artikull fjala vjen nga shkollimi dhe alfabetizimi algoritmik nese te dhenat nuk kane cmim algoritmet e shteteve, organizatave dhe korporatave do te jene gjithmone me komplekse e me te fuqishme se ato individualet. Pra pronesia dhe cmimi i te dhenave jane mbi te gjitha ceshtje lirie e jo vetem ceshtje ekonomie. Kyci ketu eshte cfare te dhenash duhet te kene pronesi e cfare jo? Si dhe kush kontrollon algoritmet qe perpunojne te dhenat?

    Nje epoke te dhenash te lira pra nje epoke algoritmesh, automatizimi dhe kontrolli nga pak klika do te jete e pashmangshme.

  3. …”Jo gjithshka duhet te jete e hapur per te gjithe dhe une ndryshe nga pak vite me pare po bindem se te dhenat duhet te kene pronesi dhe cmim…”

    Nje nga temat qe kam pare te diskutohet ne nje blog to FT kishte te bente me vleren, dhe njesine matese te saj.
    Simbas autorit te temes, kerkues ekonomist ne nje nga institucionet e lidhura me Oxbridge, te gjitha njesite matese qe perdoren, si vlera a krahut te punes, vlera e metaleve te cmuara, vlera a monedhes ( fiat), jane te manipulueshme, dhe mund te vihen ne sherbim te ideologjive te caktuara.
    I vetmi koeficient i pamanipulueshem dot eshte ai i energjise. Dhe kjo mund te jete ne dy forma: energji – e matur ne gigajul – e prodhuar ose e kursyer.

    Nje nga premisat baze per kete lloj ndryshimi ne sistem eshte se me hyrjen ne epoken e kompiuterizimi, mardheniet me menyren dhe mjetet e prodhimit po ndryshohen dhe do te ndryshohen ne menyre radikale.

    We will see.
    Jetofsh ne kohe interesante, te uron ( apo mallkon merre si ta marresh) kinezi.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin