Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Kulturë

MANIKEIZMI I SHKRONJAVE

nga Doan Dani

Ndjeshmëria e lartë e aglomerateve shoqërore ballkanike ndaj kufijve identifikues, që në krahasim me ambientin aktual evropianoperëndimor mund të ngjasojë me një mutacion social ose me fosilet e shekullit të nacionalizmave, pa dyshim është rezultat i përpunimeve ideologjike të shtresëzuara si nga institucionet kulturore, fetare dhe politike, ashtu edhe nga rrethana të veçanta të cilat kanë ndikuar në kultivimin e izolimeve, ndjesive të përkatësisë dhe diferencimeve akoma më të dukshme.

Do të ishte i pambarueshëm një shtjellim i kufijndërtuesve tashmë tradicionalë, si etnia, gjuha, feja dhe kultura në kuptimin e përgjithshëm, po ashtu edhe elementet anësore të lidhura me ato, aq imtësisht të interpretuar nga vëmendja e Nicole Janigro në L’esplosione delle nazioni, për sa i përket realiteteve të ish-Jugosllavisë, ku, sa për ngjërim, vlen të kujtojmë se si një gjellë e thjeshtë i ndante kroatët nga serbët – jo të gjithë – duke e konsideruar tradhti përdorimin e recetës serbe dhe anasjelltas.

Etnicizmi i kuzhinës nuk është dukuri ekskluzivisht ballkanike, por këtu pikturohet me ngjyra tragjike, të afta për të prodhuar tablotë e epilogut të shekullit të kaluar: mund ta shtrijmë vëzhgimin tek muzika, më saktësisht tek refuzimi i arit me pretekstin e tradhtisë, sepse ky është prodhuar nga popuj armiq. Ky artikull fokusohet tek imtësi akoma më të atomizuara, siç janë germat e një emri, kombinimi i tyre, përdorimi i një sinonimi përkundër një tjetri, përcaktimi statik i një gjendjeje dhe përzgjedhja e terminologjisë.

Një shkronjë shqetësuese

Për publikun e sotëm serb dhe pothuajse për të gjithë atë ndërkombëtar heroi legjendar Miloš Obilič, idhull folkloristik i epikës serbe, njihet ose adhurohet me këtë antroponim, si pjesëmarrës-simbol i betejës romantikisht të famshme të Fushë Kosovës (1389). Beteja në fjalë, e zhvarrosur nga dy malazez në fillimet e shekulli të XIX dhe e ringjallur nga malazez të tjerë në vitet ’80 të shekullit të XX, për shumësinë e idhujve që ka transmetuar përbën një rezervuar të vërtetë ideologjik për popullin serb. E nuk është e vërtetë që Beteja është produkt popullor, pasi heroi i atyre viteve, i rrënjosur thellë dhe gjerësisht në folklorin serb, është Kralevič Marko, luftëtar përkrah forcave të sulltanit ku dha edhe jetën: e çuditshme, por populli zgjodhi promovimin e “vasalit”, ndërsa ideologët gjurmuan figura që nuk pranuan kompromisin. Aq i thellë dhe programatik ishte rindërtimi i të kaluarës, sa që njëri nga personazhet ju nënshtrua transformimit edhe të emrit. Miloši u bë Obilič pas katër shekujve të dokumentuar si Kobilič.

Në pamje të parë duket diçka fëmijërore, por metamorfoza fsheh një shqetësim nacionalist, konkretisht sigurimin e origjinës etnike të personazhit-simbol. I ndalur në mënyrë specifike tek antroponimi i heroit në fjalë, Noel Malcolm në historinë e tij të Kosovës, pasi vëren një origjinë të mundshme vllaho-shqiptare dhe pasi zhvlerëson origjinën serbe të Milošit, mbron prejardhjen hungareze. Thelbi i nyjës gordiane qëndron tek mbiemri, që për katër shekuj dokumentohet si Cobilich, Kobyla, Kobilovič, Komneni, Koplaki, Cobilith, Kobyliczh, Khobilovitz – pra me shkronjën fillestare K –, i cili në formën Kobilič ngjason në mënyrë jo të habitshme me rrënjën vllaho-shqiptare kopil, duke rrezikuar kështu që idhulli serb të prezantohet me emër jo sllav. Për të kapërcyer “lumin etnik” zhduket germa K në favor të formës Obilič, që, sipas rilindësit Vuk Karadzič (1818), rrjedh nga fjala serbe obilje (bollëk). Ky makijazh e prezanton idhullin plotësisht, përfundimisht dhe padyshim si serb.

«Për një ‘m’ që ti s’e vë,

fjala mik bëhet ik. Ç’bën kështu more Besnik, a i thuhet mikut ik?» Po sikur Abetarja, në vend të Besnik, të na mësonte me më të rrallin (H)Enrik ose me më të shpeshtin Refik? Preferenca, individuale, klasore ose kolektive, ka arsyet e veta praktike, egocentrike e nganjëherë manipuluese dhe imponuese. Një emër zvarriti polemika të vrullshme në ambientet intelektuale shqiptare, në media e faqe interneti. Është fjala për antroponimin Ivan ose Jovan, që Oliver Schmitt preferoi në Skënderbeun e tij. Reagimet, nganjëherë të dendura dhe profesionale, u përpoqën t’i tregonin historianit zviceran se trajta e një antroponimi është pashmangshmërisht përcaktuese e etnisë, e për rrjedhojë e identiteteve që mund të bazohen në këto detaje, prandaj, trajta Ivan, kur pranohet që Kastriotët ishin shqiptarë, duhet mënjanuar në mënyrë kategorike, sepse në të kundërt babai i Heroit tonë kombëtar merr nuanca sllave. Duke u nisur nga përdorimi i emrit Ivan në vend të sugjerimit Gjon, pothuajse të gjitha reagimet ishin akuza të drejtpërdrejta ndaj qëllimshmërisë dashakeqe e komplotiste të Schmittit, megjithëse autori nuk e pranon origjinën serbe të Gjon Kastriotit dhe diçka të tillë e pohoi në intervistën e botuar në Gazeta Shqiptare (2008). Mjaft ironik ishte fakti se shpesh herë akuzat ndaj autorit merrnin hov nga intervistat e përkthyesit Ardian Klosi. Sidoqoftë, përgjithësisht në reagimet më profesionale polemika valëvitej rreth ekzistencës së emrit ‘Gjon’ në shekullin e XV dhe etnocentrizmit në përzgjedhje. Ç’është e vërteta historianët tanë nuk shkuan përtej renditjes së dokumenteve që familjarizojnë emrin G(j)ion në fundin e Mesjetës, pra nuk u gjet një Gjon Kastrioti i dokumentuar.

Aurel Plasari në Skënderbeu: një histori politike sjell disa të dhëna mjaft interesante rreth emrit të Kastriotit, ku bie në sy larmia dokumentare – Jan, Joan, Janus, Iouan, Yuan, Johannes, Iohannes, Juvan, Ivan – dhe mungesa e emrit Gjon, që, sipas Plasarit, normalizohet me veprën e Fan Nolit, por kishte hyrë në qarkullim me poemën Historia e Skënderbeut (1898) e rilindësit Naim Frashëri dhe me “prodhimin” austro-hungarez T’nnollunat e Scćypniis prei gni Gheghet ći don vênin e vet (1898). Plasari këmbëngul se Frang Bardhi, i cili e njihte përputhjen e Ioannes dhe Gion, emërtonte të atin e Skënderbeut me emrin latin Ioannes, njëkohësisht me dëshminë e ekzistencës të një ‘Gjon Kastrati’ dhe sqarimit të domethënies së tij në latinishten e Bardhit, pra Joan; se Jorga dhe Zef Jubani kanë përdorur emrin Ivan, me plotë bindje që Kastrioti nuk ishte sllav. Nuk besoj se janë të gjithë “puçistë”.

Diferenca është se Schmitti ka preferuar njërin nga emrat dokumentar, ndërsa historiografia shqiptare e shekullit të XX ka preferuar trajtën shqiptare jashtë dokumenteve në lidhje me Kastriotin. Etnocentrizëm apo prakticizëm? Që të mos humbasim në hipoteza, diçka është e sigurt: historianët shqiptar nuk mund ta akuzojnë Schmittin për metodologji të gabuar ose armiqësore, që konsiston në kanale etnike preferenciale, duke u mbrojtur pastaj me të njëjtën metodë etnocentrike.

Çështje sinonimie apo imazhi?

Me 29 maj 1453 Kostandinopoja bie në duart e Mehmetit të II, e nga ai çast do të njihet si ‘Fatih’, i përkthyer si ‘Pushtuesi’, në vëllimin I të Historia e Shqipërisë (1959) – me hartues Selim Islamin dhe Kristo Frashërin. Ky përkthim përdoret gjerësisht nga historiografia jonë në përcaktimin e Mehmetit II, e natyrisht edhe në studime ose artikuj të thjeshtë të botuara jo nga historian. Jo se Franz Babinger ishte përdoruesi i parë, por nofka ‘Pushtuesi’ të kujton biografinë e tij tashmë klasike me titull Mehmed der Eroberer und seine Zeit të botuar në 1953. ‘Eroberer’ është përkthyer në anglisht, frëngjisht dhe italisht në ‘Conqueror’, ‘Conquérant’ dhe ‘Conquistatore’, që nuk transportohen në fjalën ‘Pushtues’. Vetë fjala origjinale osmane fatih nuk mund të përkthehet pushtues për dy arsye të thjeshta. Së pari, fatih vjen nga fjala arabe feth, që lidhet me fatah dhe fatih, dhe përkthimi i saj është fitore në kuptimin e hapjes së diçkaje që është  e mbyllur, nga ku mund të interpretohet me kuptimet ‘lavdi’ dhe ‘triumf’. Një shembull praktik vjen nga Kurani (pra, shek. VII): kaptina a parë titullohet ‘Al-Fâtiha’, ‘Hapësja’ (“Hyrja”), ndërsa kaptina e dyzetetetë është ‘Al-Fath’, ‘Fitorja’, në atë kuptimin që shpjegova më lart; jo rastësisht Jasser Arafati (pra, edhe pas katërmbëdhjetë shekujsh), siç vërejnë John dhe Janet Wallach në Arafat in the eyes of the beholder, përzgjodhi emrin ‘Fatah’ për organizatën e tij sepse i përshtatej kuptimit të lavdisë – por edhe fitores e çlirimit – së një personi, një grupi, një populli dhe një kombi. Pikërisht me këto vlera semantike dhe ngarkesë pozitive osmanët e huazojnë fjalën fatih.

Së dyti, nuk është e logjikshme që osmanet të përcaktojnë sundimtarin, mbase më të shquarin e Perandorisë, në momentin më të famshëm të veprimtarisë së tij, me nofkën e përshtatur në shqip si ‘Pushtuesi’, për vetë ngarkesën negative që ky term bart: tek Fjalori Sinonimik i Gjuhës Shqipe, i autorëve Ali Dhrimo, Edmond Tupja dhe Eshref Ymeri, tek zëri pushtues sinonimet janë zaptues, shkelës, ndërhyrës, gllabërues, skllavërues, armik. Këtë kuptim donin t’i jepnin osmanët Mehmetit II me nofkën ‘Fatih’?

Mund të pranojmë faktorin imponues të diktaturës, i cili mbase ka detyruar K. Frashërin e atëhershëm (vitet ’50) të adoptojë përkthimin pushtuesi dhe, në të kundërt, mungesa e detyrimeve ta çlirojë sot historianin për të reaguar kundër keqpërdorimeve antroponimike të Schmittit – të pretenduara si të qëllimshme –, por nuk është e kuptueshme, ose të paktën e pranueshme, dëshira që A. Plasari përjeton për të titulluar dy kapituj të Skënderbeut të tij me ‘Mehmet Pushtuesin’, kur është vetë autori që pranon pushtues dhe ngadhënjimtar si përkthime të fjalës fatih. Në një linjë me Plasarin, në këtë pikë, vendoset edhe Piro Misha, të paktën sipas sintezës prezantuese që i bën librit ‘Kronikat’ e Tursun Beut: madje autori nënvizon se debatet rreth sundimit osman «në të vërtetë s’kanë asnjë lidhje me interesa të mirëfillta akademike», ndërsa vetëm në këtë prezantim të shkurtër ai është larguar nga objektivizmi, po e quajmë akademik, duke e lexuar veprën e Tursun Beut nga një këndvështrim romantik.

Ngadhënjimtar i përshtatet më së miri fjalës fatih, idesë së Babingerit, përkthimeve në gjuhët e sipërcituara dhe ngarkesës pozitive për të cilën është përdorur termi, e pasqyruar edhe nga sinonimet e gjuhës shqipe në fjalorin e cituar, mes të cilave, për hire të vërtetës, renditet edhe fjala pushtues, por është e vetme përballë sinonimeve triumfues, fitimtar, i shënuar, i pathyeshëm, i pandalshëm dhe krenar. Po atëherë, perse nuk vendoset drejtësia gjuhësore-historike edhe në precedentin e Mehmetit II? Sepse ishte i Keq dhe i përket Atyre, ndërsa Gjoni ishte i Mirë dhe na përket Ne? Kjo nuk është metodë shkencore, e megjithatë birësohet akoma në shekullin e XXI. Kur emrat lexohen sipas emocioneve, imagjinojmë përshkrimet ose kritikat për “mungesë akademizmi”.

Urrejtje romantike

Mënyra si trajtohet, nganjëherë edhe kokëfortësia naive, e rrethojnë përcaktimin e periudhës osmane me pavdekshmërinë gati hyjnore të termit pushtim. Paradoksalisht duket sikur termi në fjalë është përforcuar akoma më tepër në vitet e fundit, veçanërisht në hapësira mediatike që, për të mbushur faqet, i hapin dyert informacioneve në mënyrë të pakontrolluar, në hapësira digjitale pastaj problemi amplifikohet tej mase. Gjatë viteve të enverizmit gjejmë larminë valëzuese të tre termave: pushtim, zgjedhë dhe sundim. Në librin e sipërcituar të historisë së Shqipërisë, sipas Akademisë së Shkencave, eksperienca e gjatë osmane përcaktohet si sundim. E njëjta Akademi, në një botim në anglisht të viteve ’80, preferon termin zgjedhë në kapitullin Albania beneath the Ottoman yoke. Fjala zgjedhë shkëputet nga ekonomia bujqësore, konkretisht nga nënshtrimi i kafshëve të punës. Termi e magnetizoi vëmendjen e historianit Georges Castellan, që në Historie des Balkans: XIVe-XXe siécle i kushtoi, në mënyrë specifike shprehjes ‹‹le joug ottoman›› (zgjedha osmane), një kapitull të shkurtër në formë konkluzionesh: sipas Castellan, historianët ballkanas e morën shprehjen nga romani Pod igoto (1890) i rilindësit bullgar Ivan Azov. Mirëpo, ndërsa edhe brenda versionit anglisht të Akademisë është e pranishme fjala sundim (domination), mjaftoi një ngacmim i politikës së muajve të fundit mbi “rishkrimin e historisë” për të filtruar korin e zërave të ndryshëm që nuk pajtohem as me zgjedhën, pjesë e terminologjisë nacional-romantike, por këmbëngulin tek pushtimi, duke e vetëprojektuar dhe izoluar vizionin në shekullin e XV.

Një situatë në dukje komplekse, në fakt është shumë e thjeshtë: për dallueshmërinë mes pushtimit dhe sundimit mjafton referenca e fjalorit të gjuhës shqipe dhe ajo e “fjalorit historiografik”. Karakteristika e parë dalluese lidhet me kohëzgjatjen, që e konsideron pushtimin si fazë e përkohshme dhe natyrisht më e shkurtër se kohëzgjatja e sundimit. Faktorit kohë i duhet shtuar edhe analiza historiografike e sintetizuar, për shembull, nga Castellan, si domosdoshmëri për t’u shmangur nga termi i papërshtatshëm i ‘pushtimit’, i përdorur nga nacionalizmat e dy shekujve të fundit: sundimi osman, për Castellan, është ‹‹një prani që zgjat pesë shekuj, [që] vendos një rend të ri politik, administrativ dhe social, dhe nuk mund të reduktohet tek një situatë e përkohshme ushtarake, që vendos ballë për ballë dy popullsi të huaja››, siç bën pushtimi, faza fillestare e periudhës osmane, pra maksimumi shekulli i XV. Prandaj duhet përdorur qasja e ‹‹sundimit›› – përfundon historiani –, që përbën një sfidë të vërtetë për mentalitetin e tejngopur me imazhe dhe me doktrinën e  paragjykimeve.

Pa Komente

  1. Shkrim shumë i mirë, madje brilant; një shqyrtim kritik i marrëdhënieve të historiografisë me mitografinë, kombëtarizmin, semantikën dhe përkthimin, i cili prek më shumë se një nerv të zbuluar në debatet kulturore aktuale mbarëshqiptare.

    Si i tillë, shkrimi nuk mund të mos nxitë refleksionin dhe reaksione kritike, madje edhe ndër ata si unë që e lexuan me kënaqësi.

    Për shembull, unë nuk jam i sigurt nëse mund të heqim dorë përnjimend nga përmasa ose perspektiva etike në histori; pa çka se ndonjëherë na vjen naive, ose në trajtën “Gjergji i mirë, sulltani i keq.” Në fakt, unë pyes nëse mund t’u mësohet historia shqiptarëve, pa një investim moral të kësaj natyre; dhe, në përgjithësi, nëse ka ndonjë kuptim dhe vlerë t’i mësohet historia publikut, pa u përthyer ose më mirë përkthyer kjo histori në trajtat e një rrëfimi dramatik.

    Kujdes – nuk po flas për qasjen e historianit ndaj lëndës së vet, e cila u bindet ligjësive të tjera; por për historinë që i jepet publikut, në kuadrin e pajisjes së këtij publiku me një identitet që do ta quaja qytetar; meqë nuk ka pse të jetë doemos kombëtar (edhe pse është, në rastin tonë).

    Tek e fundit, është normale që të shohësh te Skënderbeu gjestin heroik të dikujt që refuzoi t’i nënshtrohej fatit dhe t’u hapte rrugën osmanëve, madje edhe duke përfituar vetë drejtpërdrejt. Nga kjo pikëpamje, historia e Skënderbeut na shërben edhe si një lloj edukate morale, përveçse na njeh me çfarë ka ndodhur këtu e pesë shekuj më parë, mes arbërve dhe osmanëve.

    Kam frikë se përtej kësaj përmase morale, historia ka po aq interes për publikun, sa edhe kimia e polimerëve, ose ligjet e Keplerit; me fjalë të tjera, praktikisht zero.

    Çështja në këtë rast është nëse jemi gati ne, si shqiptarë sot, ta pranojmë këtë përmasë morale si të tillë, ose në mënyrë që të na japë një identitet të përbashkët, jo të na përçajë. Për shembull, meqë flasim për Skënderbeun, qëndresa e tij ndaj osmanëve (me gjithë simpatinë që ndjejmë vetvetiu për të voglin që i bën ballë të madhit, të dobëtin që i bën ballë të fortit, etj.) manifakturon identitet nëpërmjet katarsisit që provojmë të gjithë prej dramës së tij; por një Skënderbe katolik, që i merr urdhrat nga Papa i Romës dhe lufton për kryqin ose për të mbrojtur Italinë nuk vepron njëlloj; sepse identiteti që ai manifakturon nuk mund t’i tërheqë, as t’i frymëzojë, bie fjala, myslimanët ose laikët në Shqipërinë e sotme.

    Dilema e historiografit modern ka të bëjë me faktin që, nëse e çliron ai narrativën e vet nga ngarkesa morale dhe dramatizimi, atëherë ajo do t’u hapet ngarkesave morale dhe dramatizimeve spontane, prej grupeve minoritare ose interesave private. Nëse ti e dobëson ngarkesën kombëtariste, do të vijë ai tjetri dhe do ta mbushë boshllëkun me kryqe ose gjysmëhëna (bie fjala). Praktika tregon që historiografëve, të vetëdijshëm për këtë rrezik, nuk u mbetet veçse t’i shndërrojnë tekstet e tyre në gardhe ndaj këtyre interpretimeve dhe keqpërdorimeve nga ideologët.

    Në këtë prizëm duhet të interpretojmë, besoj unë, edhe reagimin ndaj ndërrimit të emrit të Gjonit në Ivan; jo sepse ka ndonjë problem me emrin Ivan në vetvete, as sepse nuk ka pasur Ivanë shqiptarë; por më tepër ngaqë njerëzit deshën të dinë jo aq të vërtetën historike (si e ka pasur tamam emrin i jati i Gjergjit) por të vërtetën e motivimit të këtij ndërrimi: pse po ia korrigjojmë këtë emër tani? Duam s’duam, historia e bërë publike kështu do të gjykohet.

    Ne vërtet nuk njohim asnjë dokument ku Gjoni të dalë si Gjon; por kjo ndodh kryesisht ngaqë ne nuk njohim asnjë dokument të shqipes së asaj kohe. Kushdo që e quajti i pari Gjon të jatin e Skënderbeut veproi, si të thuash, me zemër. Gjon nuk është ndonjë emër i panjohur ndër arbërit; e ndesh në veri dhe në jug. Lebërit sot e kësaj dite e bartin në mbiemrat (Gjonomadhi, Gjondedaj, Gjoleka). Me këtë nuk dua të them që i jati i Gjergjit ka qenë quajtur doemos Gjon në arbërishte; meqë këtë s’e dimë; por vetëm që, tani që ky emër ka zënë rrënjë në vetëdijen kolektive të shqiptarit, duhet një arsye e fortë për ta ndërruar, dhe aq më tepër me Ivan, që shqiptarit i tingëllon si emër sllav.

    Nga pikëpamja historiografike, emri i të jatit të Gjergjit ekziston në disa trajta njëkohësisht; mes të cilave do llogaritur edhe Gjon. Normalizimi i këtyre trajtave, duke privilegjiuar njërën prej tyre, Ivanin, ndaj të tjerave mund të interpretohet edhe si kundërpeshë ndaj normalizimit që u bë dje, kur u privilegjiua Gjon, ndaj të tjerave. Por nëse ai i djeshmi e kishte një qëllim edhe edukativ, ky i sotmi çfarë qëllimi do të kishte? Ç’të mirë ka, që Gjoni të bëhet papritur Ivan dhe Guri i Bardhë Bela Kamin?

    1. “sepse identiteti që ai manifakturon nuk mund t’i tërheqë, as t’i frymëzojë, bie fjala, myslimanët ose laikët në Shqipërinë e sotme.”
      As Allahu nuk është turk dhe as Zoti nuk është italian… nëse myslymanët dhe katolikët, pa apo me vetdije, bëjnë një njehësim të tillë, ky është problem i tyre… i injorancës në rastin e parë dhe i keqdashjes në rastin e dytë.
      Ky problem, derisa është brënda sferës së tyre shpirtërore, as më ngroh dhe as më ftoh… për mua mund të pëllcasin apo të mos egzistojnë që nesër debilë të tillë që njehsojnë Allahun me Turqinë apo Zotin me Romën, por kur në emër të të qënit politicallycorrect duhet jo vetëm të moderojmë terminologjinë, por edhe të gëlltisim ndonjë kafshatë të hidhur edhe ne të tjerët që nuk e njohim Allahun apo Zotin, por edhe ata që Allahun dhe Zotin e njohin si Qënie ekstraterritoriale, kjo më duket e tepërt.

      Po të jetë për fjalët e bukura, edhe mua më pëlqen KY Dani për se si shkruan, por hollë-hollë, megjithë terminologjinë e bukur, ka diçka acaruese (për nervat e mija, të kuptohemi) në mënyrën se si kërkon të na edukojë me lënien e asaj që tashmë konsiderohet gjithnjë e më tepër si një gangrenë e 200viteve të fundit… nacionalizmit.
      Ky zotëria sjell shembuj të bukur, por nuk merr mundimin që të shtyhej pak me tej dhe të thoshte se si e konsiderojnë grekët, serbët apo bullgarët Fatih Mehmetin… mos vallë vetëm ne e kemi quajtur pushtues dhe të tjerët e kanë quajtur ngadhnjimtar apo të lavdishëm?
      Seriozisht, nëse serbët dhe grekët e konsiderojnë si ngadhnjimtar e/ose të lavdishëm, i jap fjalën këtij Danit se do ta paguaj unë një përmendore për Fatih Mehmetin

      1. Nuk di nëse duhet të bëhesh gati për përmendore edrus, por të informoj se Mehmeti II në Greqi (dhe në historiografinë greke në tërësi) njihet si Πορθητής (porthitis) që është përkthim i përpiktë i fjalës fatih, pra ngadhnjimtar.

  2. Shkrim që ka natyrën e një programi të tërë për domosdoshmërinë e vështrimit jo folklorik që i duhet bërë historisë. Megjithatë kjo nuk më pengon të them se që në paraqitjen që iu bë në krye të herës librit të pritshëm të zviceranit tonë kombëtar nga Doani, pati një dozë provokimi, e cila funksionoi mrekullisht. Të mendosh se Doani nuk e dinte se Ivani është Gjon, siç pashë të ulërinte duke nxjerrë flakë nga goja një grua, që nuk më kujtohet emri, është pak naive.
    Ranë në këtë grackë dhe rezultati ishte përrallor : Kurrë ndonjëherë në historinë e këtij (atij) vendi nuk u ndez një debat aq pasionant për trashëgiminë tonë historike, mitet dhe vlerat e heronjve në mesin tonë.
    Nuk kishte gjë më të thjeshtë që krahas Ivanit të vihej në kllapa edhe emri Gjon, por duke parë nivelin e shkrimit të sotëm unë forcoj bindjen se asgjë nuk i është lënë rastësisë. Urime Doan.

    Më intrigon pak ai dokumenti i milanezëve. Kam mendimin tim për arsyet që e shtynë Skënderbeun të kthehet, por dua të rimarr pyetjen: A bëhet gjakmarrje ndaj Sulltanit? Vështirë të besohet kjo për një jeniçer!
    Sulltani ishte zoti mbi tokë dhe jeniçerët qenë të përkëdhelurit e tij (deri atëhere kur ata nuk ishin përfshirë me shumicë në sektin e Haxhi Bektashit dhe ai u detyrua ti shfarosë të gjithë)
    Problemi I jeniçerëve, të gjithë të ardhur nga territoret e pushtuara, ishte që të zgjidhnin në mendjen e tyre se cili ishte më i madh: Allahu apo Sulltani? Familja e vendlindja kishin më pak rëndësi në sytë e tyre se sa pluhuri i këpucës i pantoflës së Sulltanit. Ëndrra e tyre më e madhe ishte të jepnin gjakun për lavdinë e padishahut, që ishte babai i të gjithë baballarëve.
    Për ti rënë shkurt idesë së pamundësisë së hakmarrjes ndaj Sulltanit të personave nën influencë, po them se jo vetëm atëhere, por katërqind vjet më vonë, edhe Luan Omarit jo vetëm që nuk i shkoi kurrë në mendje të hakmerret ndaj atij që i vrau të atin, por punoi gjithë jetën për lavdinë e vrasësit. Më vjen keq që e përmen këtë histori, por trushplarja ka aftësi të riprogramojë njeriun.
    Rrini o milanezë, ç’na thoni,tha!

    1. Skenderbeu me duket se nuk ka qene ndonjehere jenicer dhe po ashtu trupa e jenicereve nuk eshte asgjesuar per motive fetare; po qe per bektashinj, legjendat qe ka sponsorizuar Pallati, flasin se Haxhi Bektashi vete na e paska bekuar trupen qe ne themelim, bile menga e pajtorit paska qene origjina e kapeles se posacme ceremoniale te jenicereve, asaj qe varet si vela ne direk, pas qafes.

  3. Edrus, me duket qe ne paragrafin e dyte, aq sa me lejon hapesira e nje artikulli, kam porpozuar manipulimin qe makineria e ideologjise serbe ka shnderruar ne histori: eshte nje shembull i vetem, ambasador i mekanizmit te ketij mashtrimi. Fakti qe kam vendosur edhe historiografine serbe ne kete trajtim dhe qe kam cituar pergjithesimin e Castellan ndaj akademive ballkanike, mendoj se e shteron ceshtjen e ngritur nga ju ne fjaline e fundit.

    Kam zgjedhur keto terma, por mund te shtjelloja edhe mjaft te tjere, pasi stigmat nuk mungojne ne historiografine tone.
    Po me vjen ne mendje nje kalim emocional i Aurel Plasarit ne Skenderbeun e tij, per ta lidhur me pas me diskutimin e Lyss. Eshte epilogu i jetes se heroit tone, kur ai e humbet Krujen dhe vdes ne Lezhe, pra jo ne qytetin e legjendarizuar nga historia nacional-romantike. Plasari shkruan se Krujen ja ‘moren’. Zgjedh pikerisht kete folje. Ne pamje te pare duket pa rendesi, por duke lexuar librin ne teresi do te verejme se autori nuk fajson per asnje cast Skenderbeun. Nuk ka forcen dhe as deshiren e kritikes te pohoje se e HUMBI qytetin simbol. Ky njeri nuk gaboi kurre? Ishte hyjnor? Ne ato pak momente (kater) qe Skenderbeu i Plasarit vret ose plackit, e ben per te ndeshkuar Brankoivicin ose osmanet, sepse keto metoda i ka mesuar ne oborrin sulltanor (si ish-kapikullari jeniçer), ose, justifikimi me hollivudian, e ben per t’i derguar sulltanit nje mesazh politik (ne momentin e hyrjes ne Kruje), sikur ky i fundit nuk e kishte kuptuar qendrimin e Skenderbeut. Ne e kemi te qarte qe Skenderbeu nuk shkonte ne lufte per te shperndare çokollata, e gjithashtu as sulltani. Nuk eshte kuptueshme, per sa i perket metodes historike, qe njeri vret sepse eshte i etur per gjak, sepse eshte barbar, cub, aziatik, gjakatar, shkaterrues, etj, ndersa tjetri vret sepse e kane mesuar osmanet, per ndonje filozofi politike, e me radhe. Per te gjitha humbjet Plasari mundohet t’i gjeje justifikime, qofte edhe duke i paraqituar ato si ‘marrje’ nga armiku ose aleatet pragmatiste (Venediku).

    Schmitti eshte “i vecante” ngase kritikon dhe mundohet te zbuloje arsyet e qendrimeve te Skenderbeut. Nuk e ka problem t’i pranoje humbjen, deshtimin, gabimet, etj, pra ta shnderroje ne nje njeri me emocione, me pragmatizem, me qendrime te gabuara. Pjeserisht ja arrin te ndertoje nje tablo historiko-analitike te qendrueshme. Megjithate tre jane mangesite kryesore te Schmittit. Se pari, stili i tij narrativ historik. Kjo eshte ceshtje personale. Se dyti, perkthimi. I kam lexuar edhe perkthimin e Arberise Venedike dhe dobesia e nje fjalori historiografik, me gjithe aftesine e padiskutueshme te Klosit, e nxjerr librin nga binaret e nje qasjeje studimore historike. Pastaj, e kam lexuar Schmittin edhe ne italisht dhe diferenca e shijes historiografike dallohet, ta pakten per mua nuk eshte e veshtire. Se treti, Schmitti ka disa kalime te pasqaruara, qe nuk e kjellojne lexuesin profesionist. Ketu hyn edhe ajo cka nenvizoi Lyss me lart, ceshtja e gjakmarrjes si shtyse e rebelimit te Skenderbeut ndaj sulltanit. Ashtu sic e propozon Schmitti me duket mjaft thjeshtesuese, per te mos thene e paqendrueshme, ashtu sic me duket thjeshtesues motivacioni klasik i historiografise tone lidhur me kete cast themeltar te epopese skenderbejane. Historiani zviceran, qe e lexon Skenderbeun duke u nisur nga individualizmi i tij (pra, nga interesat per pushtet), duhej te ishte me i thelle ne keet moment.

    Per sa i takon emrit Ivan, sic e kam pohuar tek artikulli, ai eshte dokumentar, ndryshe nga Gjon. Ne ballkanasve na shqeteson emocionalisht sepse i kemi intepretuar toponimet dhe antroponimet nga nje kendveshtrim etnocentrik, por kjo nuk do te thote se Schmitti duhet te veproje keshtu, e aq me teper se ai eshte “armik”. E megjithate, personalisht pajtohem me perdorimin e emrit Gjon per arsyen e thjeshte sepse perben nje komoditet ne kumunikim, dhe jo me bindjen se Gjoni, Adami dhe Eva jane bashkekohes, sic mund te mendoje nje mase e indoktrinuar nga elita. Mases edhe i falet, por jo, per shembull, Kristo Frasherit qe eshte salduar pas te ashtuquajturit “primordializem”, njerit nga tre rrymat shkencore shpjeguese te idese se kombit dhe lindjes se nacionalizmit, e cila, nder te tjera, bazohet te stoicimi kulturore i nje populli pergjate shekujve, pra tek pandryshueshmeria e tij.

    Kush kerkon shembuj mbi dikotomine pushtim/sundim, le te shikoje videon e emisionit Opinion http://www.tvklan.al/emisioni.php?id=3838. Do te vereje se profesor Xhufi eshte thjeshtesues, botuesi Misha e ka merak mbijetesen e disa stereotipave (jo me kot ka botuar Tursun Beun), ndersa Preç Zogaj ben sikur di te beje dallimin, por duket qarte – nga lapsuset – se eshte nje sforcim momental dhe ai eshte edukuar me perdorimin e termit ‘pushtim’ se bashku me stigmatizimet dhe justifikimet qe bart.

    1. Doan,
      megjithe respektin per perpjekjen tende ketu,ajo qe thote Scmitt-i per motivin e hakmarrjes se Skenderbeut eshte nje sharlatanizem perfekt dhe si e tille e ve ne dyshim gjithe librin e tij.

  4. Ivan apo Gjon?
    Une mendoj se ka qene Gjon, dhe se Jovan eshte thjeshte nje konveninece administrative, buroktratike apo diplomatike.
    Pse?
    Sepse Skenderbeu djalit te vet, dhe e dime se sa rendesi ka primogenitura ne kete rast, e quajiti Gjon dhe jo Ivan. Gjon ishte emri i gjyshit qe duhej trasheguar nga i nipi.

    Nese ideja e pushtimit hidhet poshte ne favor te sundimit, nje gje e tille mund te pranohet vetem materialisht por jo shpirterisht. Materialisht sepse tashme e gjithe zona e Greqise, dhe mbas 1389, edhe e Arberise, ishte ne nje konfuzion total. Nu.k kishte nje autoritet qendror e as nje territor qe administrohesh nga ky autoritet, as ushtri qe te mbronte kete territor.

    Nje pjestar i oborrit perandorak te Konstantinopojes qe para 1400 shkruante:

    …”this dark cloud which is closing in over the land of the Romans. . . this plague which does not let us catch a breath but is drawing us to death . . . little by little, like a consumption, weakening the body of our community . .”

    Se sa e pashprese ishte gjendja, mjafton te kujtohet se kur perandori i fundit bizantin Konstantini,perpara betejes se Konstantinopojes, kerkoi qe te behesh rregjistrimi i te gjithe forcave te mundeshme per lufte permbrojtejen e qytetit, lista kishte vetem 4733 emra grekesh, dhe 200 emra vencianesh dhe gjenovezesh. 5 mije veta per te mbrojtur nje mur prej 22 km.
    Perballe kishte 200 mije forca turke, me 400 anije.

    Gjate gjithe kesaj periudhe, 1400 -1500, ne gjithe rrumujen e asaj kohe, nje konstante del e vazhdueshme- arberit luftojne. Vazhdimish, e kunder te gjithve. Me shume se te gjithe. Por kryesisht kunder turqve.
    Eshte e mire dokumentuar se ata ishin nje popullsi me nje “koke” speciale. I permendin si grabites, qe s’i binden asnje ligji jashte familjes dhe fisit, qe e shohin lufte si nje menyre te te siguruarit te jeteses. Por se, ku vinte puna te inatet, inatin me te madh e kishin me turqit.

    Qe ne fillim te shk 15 ne Greqi jane shqiptaret qe iu kundervune te paret turqve.

    …”In 1423, the troops of Turahan Bey had come all the way to the walls of Mistra before returning home, and it was the Albanians alone — “those laborers who had taken over Peloponnesos” — who made any effort to stop them. Those would be the same Albanians whom Manuel had praised for their work in building the wall…”

    Ne vjeshten e 1454, Mehmeti II iu dergoi nje leter 13 arkondeve te Mores, ku ai pranonte besnikerine e tyre te shprehur nda tij. Letra shkrun:

    …”Kyr Manuel Rallis with all his people, and Kyr Sophianos with all his people, and Kyr Demetrios Laskaris with all his people, and the Diplovatatsoi, the Kavakioi, the Pagomenoi, the Frangopouloi, the Sgouromalaioi, and Mavropapas, the Philanthropenoi, and Petro Bua and his people, and those others who want to come.”

    Mehmeti u premtoi atyre:
    …””of your possesions,and your children, and your heads, and anything of your possessions that remain to you, I will touch nothing, but I will leave you in peace so that you are better than before.”

    Por me te rene Konstantinopoja, pati nje crregullim ne cdo nivel te shoqerise. Dhe per ne More, kornikat flasin per nje kryengritje te pergjithshme te ……. shqiptareve.

    Mehmeti shkon ne More ne 1460, dhe ndryshe nga c’kish premtuar, gjithe arkonded ngelen pa prona, pa pushtet e pa asgje tjeter. Pjeter Bua ishte nga te pare qe fillon lufte kunder sulltanit. Nje lufte e pa kompromise, sa qe kur ai vdiq, senati i Republikes se Vendikut mbajti fjalime te tera per nder te tij.

    Menyra se si e shoh une eshte se arberit ishin te pakomandueshem dhe te pakontrollueshem. Te pakomandueshem per Bizantin, per serbet, per greket, dhe per nje periudhe jo te shkurter menyra e tyre e te ekzistuarit ishte pranuar, sistemuar dhe zene vend ne shkalle te gjerave nga te gjitha pushtetet e radhes. Ti shih punen tende e une timen. Turqit e permbysen tere kete ekuiliber tashme te gjate, dhe nuk pranonin asnje kompromis ne tokat e nenshtruara. Perndryshe s’ka si spjegohet ky qendrim kaq armiqesor i tyre (arberve) ndaj realitetit te ri. Ata luftojen ne Arberi, ne atdhen e tyre. Ata luftojne ne More, ku ishin ardhacake te njohur. Mbas 1500, kur ne Ballkan tashme kishte rene qetesia, areberit, simbas kronikave italiane, ngrene krye jo me pak se 11 here ne 100 vjet. Pse? Sepse ishin te pushtuar . E asnjehere te sunduar. Ne kete drite do pare edhe fakti qe nga arberit dalin 26 kryeministra te perandorise turke. U duhej mbushur mendja patjeter se ishin dicka me shume se te pushtuar, dhe c’ka ishte me e re ndesishme, se nuk ishin te nenshtruar. Por (mundesisht) te barabarte. Burra te burrte. Si turqit.
    Give Caesar what is Caesar’s, and give thiefs what is of thiefs.

  5. Shume zhurme per asgje.
    Ne historiografi perdoret edhe pushtimi romak, keshtu qe s’ka ndonje lidhje te veçante me turkun. Po njesoj pushtuesi italian, austrohungarez, gjerman etj çdo pushtues quhet pushtues dhe mbaroi ai film.
    Keto gerr-verret e vazhdueshme per periudhen turke jane pa kuptim .

    Biles rendom perdoret ‘periudha turke’ ose Shqiperia/Iliria gjate periudhes romake.

    Edhe aq pa kuptim nuk jane, po e kane ‘te nendheshem si urithi’ , meqe te gjitha synojne te godasin Skenderbeun, qofte nga islamiket si Doani e qofte nga sorosianet (Misha, Klosi,Lubonja etj), prandaj perqendrohen tek turku dhe nuk ankohen per romakun, bizantinin, serbin etj.

    Meqe historianet shqiptare nuk jane budallenj, s’ka gjasa te bien ne kurthin e kurdisur kaq trashe nga jo-historiane, prandaj asnje germe nuk ka per te levizur ne librat e historise. Nuk eshte e veshtire te dallohet si islamike dhe sorosiane mbeshtesin njeri-tjetrin kur vjen puna per goditjen e Skenderbeut.

    Edhe puna e emrit te Gjonit, terhiq e mos e keput eshte bere. Sikunder e thote Ipare me lart, si e kane thirre ne jeten private shihet tek emri qe Skenderbeu i vuri te birit, ne kohen e te cilit besimi ishte katolik dhe nuk ishte perzier me ortodoksine sllavo-bizantine te Gjonit, ku per efekte administrative emri mund te vihej ne forma sllave.
    Pastaj emri Gjon ka qene kaq i perhapur ne mesjete dhe Ivan krejt inekzistent ne trojet shqiptare, saqe eshte vertete sakrifice e stermadhe te mbrosh pozicionin e Shmitit,dmth qe te thuash se ishte arber po e kishte emrin Ivan.
    Kjo s’ka bythe ku te rrije.
    O ishte arber dhe e kishte Gjon o ishte sllav dhe e kishte Ivan, nuk ka edhe mish edhe peshk.

    Mbrohet ky pozicion i pambrojtshem, thjesht e vetem per te hedhur dyshim mbi kombesine e Skenderbeut, jo po une nuk e ve ne dyshim qe ishte arber, megjithate ngelet fakti qe i ati quhej Ivan, asokohe i pagjendshem nder arber. Po po lesh me tresh, muhabet ushtrie.

    Nga ana tjeter, ca ngaqe jane naive, ca ngaqe jane dredharake, ankohen se historia eshte e lidhur ideologjikisht me nacionalizmin, ndersa ata duan qe te jete vetem e verteta historike.

    Qe nga koha e Herodotit (me pare mitet vepronin po njesoj) historia eshte e lidhur me ideologjine sunduese te epokes, ate qe ofron bazat e shtetit, pra ne çdo rast do te kete nje nivel nderhyrje te ideologjise sunduese dhe nuk ka si te jete ndryshe, dmth eshte naivitet te pretendosh se mund te jete ndryshe, gjithnje ne rast se nuk eshte dredhe.

    Tit Livi e thoshte hapur qe historia politike eshte e vetmja lende qe statistet duhet te zoterojne mire. Aty ata lidhen fort me bazat e shtetit dhe ideologjine sunduese, duke u perpjekur te riprodhojne rrethanat qe i kane dhene jete pushtetit te vete statistit.

    Sot sulmet, vijne nga dy krahe dhe dy ideologji ( nuk e ha njeri se s’ka prapavije ideologjike) nga islamizmi dhe kozmopolitizmi (sorosian).

    Sado bukur te thuren shkrimet e te argumentohet vete pozicioni ideologjik i shumezon me zero, sepse asnje argumentim nuk eshte mirefilli shkencor, po ne çdo argumentim gjen ankesen se nacionalizmi keshtu e nacionalizmi ashtu.

    Nese njeriu ka diçka te vertete neper duar, nuk ka asnje arsye pse te ankohet per nje ideologji a nje tjeter, kjo ankese eshte ne fakt prova se shtysa e studimit eshte ideologjike dhe jo mirefilli kerkim i se vertetes.

    1. Më fal se po ta them, Hyllin, por je duke folur me delikatesën e një druvari. Teknika jote e argumentimit, nëpërmjet etiketimit të autorëve si -istë kështu dhe -istë ashtu, i përket stadit adoleshent të mendimit. Do të kesh kaluar shumë kohë në bare sporti, këto ditë.

  6. Me vjen keq, po edhe autori kundra -isteve e ka, veçse ne ndryshim nga autori nuk kam nge per delikatese, sidomos kur i bihet fyellit ne nje vrime, e sidoqofte nuk i kam kaluar kufijte e polemikes.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin