Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

SHTIGJE TE ALFABETIT SHQIP

Pavarësisht ndeshtrashave historike që shtrënguan rrjedhën e përdorimit publik të shqipes letrare qyshse ajo doli nga prehistoria duke u shfaqë si gjuhë e shkruar, mund të thuhet plot gojë se deri në fillim të gjysmës së dytë të shek. XX, korpi i kësaj gjuhe kish mundur të naltohej vetëm si rezultat i kompromiseve të mëdha të elitave që e lavronin atë. Në themel të këtyre ujdive me rëndësi jetike për gjithë shqiptarët, afërmendsh qëndronte çështja kombëtare. Parsat e lëvizjeve të mëdha kulturore në trevat arbënore jo rrallë lëshuan pjesë nga bindjet e pëlqimet e veta, për ta lënë kulturën shqiptare të rritej pa humbur kohë në ato momente tepër delikate për ardhmëninë e trevave tona, ndër më delikat e historisë së re. Një nga shembujt më domethanës të këtyre kompromiseve kombëtare qe pikërisht Kongresi i Manastirit, për të cilin nuk e teproj po të them se nuk do t’ish përmbushë pa tolerancën historike të Gjergj Fishtës.

Do ndaloj këtu në dy aspekte te cilat kanë pasur ndikim të rëndësishëm në ecurinë e mëtejshme të gjuhës, më pak deri para luftës së dytë, e më tepër pas saj. E para çështje ka të bëjë pikërisht me një lëshim nga ana e përfaqësuesve të koinesë gege, i cili nuk u bë në mënyrë akritike, por për efekt të një kompromisi linguistik e që sidoqoftë nuk duhej të kish pasoja mbi gjuhën e shkrueme a të folme, por do të ish ekskluzivisht i natyrës grafike. Kështu një pjesë e tingujve të toskënishtes si gj e nj, të cilat nuk mund të paraqiteshin me germa teke të alfabetit latin të Manastirit u vendos të paraqiteshim me germa dyshe, të huazuara nga tradita e mëparshme (kryesisht arbëreshe). Kjo përbante një problem të vërtetë për të folunat e lavruara të gegnishtes, pasi për ta grupi gj apo nj përbëhej në realitet nga dy unitete të mëvetësishme në rrjedhë akustike: psh fjala gjuha shqiptohej g’juha (për të shmangur keqshqiptimin, Gazulli p.sh. më pas vendos një ë mbështetëse pazane, e cila nuk shqiptohet, por shërben për të ruajtur ortoepinë gege) apo fjala njeri që në gegnisht shqiptohet gjerësisht n’jeri . Ky ishte një kompromis i madh. Them kompromis, pasi nuk u ndoq e njëjta logjikë për fonemat gege mb, nd, ng. Këto variante tingullore nuk u përfaqësuan me germa dyshe në alfabet dhe Kongresi i Manastirit e la të pazgjidhun këtë problem, duke e pranuar si të tillë, pra si problem. Nëse do të ishin pranuar këto variante me germa dyshe sikundër u veprua me gj dhe nj, atëhere do të kishim mbërritur në një alfabet prej 39-40 germash. Nuk është vendi këtu të analizojmë se çfarë morën në këmbim të këtij kompromisi përfaqësuesit e koinesë gege, por në klimën e një obsesioni të kuptueshëm për unifikim të domosdoshëm të shkrimeve shqipe, u vendos që alfabeti të kishte 36 shkronja që për hir të së vërtetës duhet thënë se ato u përgjigjeshin drejtpërdrejt vetëm 36 tingujve të shqipes. Këtu në të vërtetë u krye edhe një ngatërresë e dytë, pasi u unifikuan germat me grafemat transkriptuese. Për të qenë më të qartë grafema dh përbëhet nga germat d dhe h, por nuk ekziston një germë dh ashtu si në anglisht nuk ekziston germa ph tek phenomen. Kësisoj dh-ja ekziston si grafemë vetëm për ta transkriptuar këtë tingull. Do të konsiderohej germë nëse do të ishtë një germë e ndryshme nga cilado prej germave të alfabetit latin. Në fakt ky rregull nuk u ndoq për tingujt e gegnishtes mb, nd, ng, të cilat u konsideruan nga kongresi si variante të pjesshme të shqipes (koine veriore) të cilave u përgjigjeshin grafemat përkatëse nn ose nd, mm ose mb etj., por nuk morën për shenjues germa apostafat, ashtu sikurse pati dh-ja dhe nj-ja. Nëse do të ishte ndjekur kjo logjikë jo përfaqësuese edhe për variantet tingullore të toskërishtes, do të ish krijuar mundësia që secila prej dy koineve t’i artikulonte këto dy germa gjithë sipas ortoepisë së vet – më konkretisht: toskët gjuri dhe gegët g’juni.

Menjëherë pas Kongresit të Manastirit Anton Xanoni punon Gramatikën Shqyp të cilën e boton një vit më vonë, në 1909 në Shkodër, dhe në njoftimin „Abeçeja e ree vûemun me t’vjetrën” shënon se në shkrim grupi mb zëvendëson atë mm, grupi nd atë nn etj. Kjo do të risanksionohej vazhdimisht edhe në tubimet e mavonëshme. Aq e vërtetë është kjo sa dhjetë vjet më vonë, në janar të 1918, krahas rregullarizimeve të tjera të natyrës drejtshkrimore e gramatikore, Komisija Letrare Shqipe, në bleun Parime e rregulla – mbi Orthografinë e gjuhës shqipe të shkrueme, në nyjen 4 vendosi se „ tufat e bashkëzânorevet mb e nd do të shkruhen në formën e vjetër të ruajtun në djalektin toskënisht“. Por kjo sikurse u tha edhe më lart nuk kishtë të bënte me shqiptimin, i cili vijonte të ruante veçanësitë e dy koineve. Nëse do të ishte ndjekur ky rregull edhe për fonemat gj e nj, alfabeti do duhet të kish pasur e shumta 34 grafema. Fatkeqësisht, megjithë arritjen e madhe dhe shumë të lëvdueshme që Kongresi i Manastirit pati në unifikimin dhe krijimin e një alfabeti të parë të përbashkët për gjuhën shqipe, pranuar me kohë nga të gjithë, megjithkëtë pra, asnji nga tubimet, konferencat apo kongreset e mëpastajme nuk e ballafaqoi dallimin mes germës dhe grafemës. Ky ishte njëri ndër kompromiset e mëdha të Fishtës.  

“Për hatër të kombit, nuk mund të bâhej ndryshe”  iu pat gjegjë me këtë rast Fishta qortimeve të Abatit të Mirditës, i cili ia kish besu atij përfaqësimin e Shoqnisë Bashkimi. “E gjithqysh,” shtoi Fishta mandej, jo pa shend “me këtê alfabet giuha shqype vojt kah Prendimi!”

Sot, plot njiqind vjet pas kësaj fraze të Fishtës, po e shndroj në pyetje këtë pohim ngazëllyes të tij: A u vazhdua kjo rrugë kompromisesh për zhvillimin e gjuhës shqipe, e cila po ndronte motin, duke hyrë në erën moderne të saj, s’bashku me shqiptarët?

Nëse kompromisi në favor të shqiptimit të toskërishtes do të ishtë ndjekur siç u ndoq deri më Dyzetekatrën nga një tjetër kompromis i elitave kulturore, pra nga zgjedhja e elbasanishtes si variant i përbashkët i shqipes, ndoshta sot pasojat shtrënguese të grafisë mbi shqiptimin do të kishin qenë më të lehta. Porse Revolucioni Kulturor në Shqipëri, zëvendësoi po me revolucion edhe bazën historike të shqipes së përbashkët, duke asgjësuar kësioj vlerën e të gjitha kompromiseve demokratike të elitave tona kulturore në rrjedhë të kohëve. Në këto kushte, anshmëria e alfabetit tonë, e marrë si element jashtëkontekstual, pikërisht se doli jashtë konteksteve të tolerancës ku qe realizuar, shërbeu si element për të mistifikuar dhe keqservirur mjaft nga zgjedhjet e mëpasshme. Në kuadër të këtyre mistifikimeve u pohua pra, se zgjedhja e toskërishtes si bazë e shqipes ish përcaktuar qysh me vendosjen e këtij alfabeti. Dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën e alfabetizimit (shkollimit) masiv të shoqërisë shqiptare. Ç’dua të them me këtë? Në procese alfabetizimesh masive, shkrimi, siç na ka dëftuar Saussure, fiton një prestigj të epërm e në fakt të pamerituar ndaj gjuhës së folur. Kësisoj edukimi gjuhësor i bashkësisë rrezikon të shndërrohet i gjithë në edukim antidemokratik, nëse shkrimi, gjuha e shkruar është konceptuar si përjashtuese e entiteteve të qenësishme të gjuhës së folur e jo si unifikuese tyre. Në kushte të tilla, një ortografi përjashtuese sikundër është jona, mbështetur mandej në një alfabet, i cili, duke u zhveshur nga zinxhiri i kompromiseve, ka mbetur edhe ai i pjesërisht i anshëm (pikërisht se fort i rënduar), shndërrohen në mjete “armiqësore” ndaj shqiptimeve tradicionale të shqipes, duke i denatyruar apo paralizuar ato. Për efekte të tilla të dëmshme flet edhe Saussure kur shprehet se “tirania e shkrimit vërtet s’njeh kufi: duke iu imponuar shumicës, ajo ndikon mbi gjuhën dhe e ndryshon atë. Të kuptohemi, ndryshimi ndodh vetëm te gjuhët tepër të letrarizuara, ku dokumenti i shkruar luan rol të madh. Kështu, figurat pamore arrijnë deri aty sa të prodhojnë shqiptime krejt të shtrembëra; kemi të bëjmë në thelb me një fakt patologjik. Shtrembërimet fonike që përmendëm, ndonëse kanë të bëjnë me gjuhën, nuk janë të krijuara natyrshëm prej saj, por janë pjellë e një faktori të huaj për të. Gjuhësia duhet t’i shqyrtojë ato si një kapitull më vete: janë të gjitha raste teratologjike“.

Prishjen e këtyre kompromiseve dhe pasojat e një përzjerje filozofike sui generis në përcaktimin e zhvillimeve korrente të gjuhës, përzjerje e cila mori nga kompromiset historike vetëm ato çka i volisnin për të përligjur vendimet e saj mirëfilli ideologjike, të gjitha këto pasoja pra, i parandjenë disa nga mendjet e lira të gjuhësisë sonë asokohe. Për ta mbrojtur gjuhën deridiku nga teratologji të tilla, të cilat do të përjashtonin qoftë nga përfaqësimi e qoftë nga kontributi i vijuar në shqipen e përbashkët plot tre të pestat e bashkësisë shqipfolëse brenda dhe jashtë kufijve tanë të sotëm shtetërorë, këto mendje sugjeruan që drejtshkrimi i shqipes të përcaktohej jo dhe aq si drejtshkrim fonetik, por ma fort si drejtshkrim fonematik (thënë ndryshe fonologjik). Në këtë sugjerim ata kishin pasur parasysh se fonologjia i kthen sytë nga gjuha e folur dhe nga rrjedhat e saj, të cilat përveçse më konservatore, janë edhe më të natyrshme. Po të ish pranuar një sugjerim i tillë, ndoshta mund të ish shtruar qysh atëherë për zgjidhje çështja e grafemave të alfabetit, në kushtet e një baze të re dialektore e cila përforcohej nga anshmëria grafike. Natyrisht që sugjerimi për drejtshkrim fonematik nuk u pranua, e madje edhe kërkesa për drejtshkrim fonetik u kompromentua fort nga ndërhyrje subjektive me përligjie etimologjike apo morfologjike. Të gjitha këto sollën frenimin e pasurimit të shqipes dhe pamundësinë e një mase të madhe shqipfolësish për të kontribuar në zgjerimin e vijuar të këtij mjeti të përbashkët komunikues.

Alfabeti ynë, i cili zgjodhi Europën njëqind vjet më parë, duhet të vijojë të europianizohet, duke ruajtur kësisoj lidhjet e natyrshme historike të gjuhës shqipe me simotrat e saj, lidhje që janë krijuar gjatë bashkëjetesës së saj në familjen e gjuhëve indoeuropiane. Ky përditësim alfabetik në fakt duhet të kishte ndodhë sinkron me të tjerët, pas luftës së dytë botërore, atëherë kur shtetet rrotull nesh nisëm punën për modernizimin e kulturave të tyre dhe përhapjen e tyre në popull po me mjete moderne, që domethënë edhe demokratike. Ndërsa te ne ky zhvillim u step, madje në do fusha që përkonin me çështje të mendimit e të trashëgimisë, ndër të cilat ajo e gjuhës është e tillë par exellence, në këto fusha pra u shënuan hapa prapa. Ky alfabet duhet të lehtësohet, duke ndjekur rrjedhat e kohës, pa hequr dorë natyrisht nga thelbi i tij. Për t’i çelur rrugë historisë të vërshojë sërish në gji të shqipes së përbashkët e ta shndërrojë atë me kohë nga gjuhë e drunjtë siç është sot në përftesë të natyrshme e të vetvetishme të evolucionit, them se njëra nga ndërhyrjet në punë të gjuhës duhet të jetë edhe thjeshtimi i alfabetit, pa i hequr asnjë germë të qenësishme atij. Sikurse kanë bërë me grafitë e veta edhe popujt e tjerë rrotull nesh, madje edhe tash së fundi (Gjermania, Greqia, Franca, etj).

Gjuhët neolatine apo gjermanike i kanë mëse të thukëta alfabetet e tyre; për pasojë variantet e ndryshme tingullore realizohen lirshëm në rrjedhën e të folurit përmes ligjësive fonologjike të bashkëveprimeve në zinxhirin akustik. Nuk ka një germë më vete për të treguar sh-në, apo xh-në në italisht, apo sh e ç në gjermanisht. Kombinimi në zinxhirin shkrimor i vetëm 21 germave jep spektrin e variacioneve fonematike të gjuhës italiane. E po ashtu realizojnë më së miri këtë spektër artikulimesh edhe 26 germat e thjeshta të frengjishtes, 26 të anglishtes etj. Dhe po ta mendosh pak më hollë këtë çështje, kupton edhe më tepër; kupton se në gjuhë s’ka thjesht tinguj, por shtrirje tingujsh në rrjedhën e folur. Nuk janë tingujt ata që i hasim pikësëpari; rrokja shfaqet më drejtpërdrejt se tingujt që e përbëjnë. Nërkohë që grafia e sotme pengon një realizim të tillë fonik, në të folmet vulgare ato vijojnë të ndodhin, porse pikërisht prej lidhjeve të ngurta e pjesërisht të anshme që ka ngulitur në alfabet prania e disa grafemave transkriptive bri germave të thjeshta, këto kombinime të lira të rrjedhës së folur sot nuk mund të përfaqësohen dot përtej cakut të vulgares. Kjo na kujton atë që thotë Saussure: Ta zëmë se një kordë e pianos është çakorduar: sa herë që ta prekim duke ekzekutuar një melodi, do të na dalë një notë e gabuar, po ku? Në vetë melodinë? Sigurisht që jo; nuk është prekur melodia; është dëmtuar vetëm pianoja. Po kështu ndodh edhe në fonetikë…

Gjuhët e mëdha rrotull nesh i kanë thjeshtuar kohë pas kohe alfabetet e veta, gjithë sipas logjikës që kombinimet fonike të përcaktohen nga tingujt, jo nga fotografia e tyre, pra nga shkronjat. E kanë bërë këtë edhe gjuhë të mëdha si anglishtja e gjermanishtja. Madje për këtë të fundit kujtoj këtu se reforma e mbrame në alfabet u krye vetëm pak vjet më parë.

Thjeshtimi i alfabetit tonë pa humbur asnjë nga vlerat e tij mbetet nje çështje që duhet riparë, pasi prej mëse një shekulli nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje modernizuese në këtë alfabet, i cili gjithsesi edhe atëherë u vendos në kushtet e një trysnie të madhe të çështjes së pajtimit kombëtar. Thjeshtimi i alfabetit tonë, duke lënë në të vetëm germat e thjeshta teke, jo vetëm ruan ortoepinë e gjuhës standarde, por nuk trys artificialisht të folmet gege, të cilat bashkimet e germave dhe shndrimet e tyre në tinguj e rrokje mund t’i kryejnë më pas sipas ligjësive të veta, siç ndodh gjithkund në botë. Kështu format nuk denatyrohen, kështu shkrimi dhe shqiptimi marrin secili peshën që u takon. Pse e kërkoj rivendosjen e ekuilibrit mes pozitës së shkrimit dhe pozitës së shqiptimit? E kërkoj në dobi të evolucionit të natyrshëm diakronik të gjuhës sonë, ngase, sikundër thotë Saussure “gjithë ç’është diakronike në gjuhë, është e tillë vetëm përmes të folurit“.

Ledi Shamku-Shkreli

Shënim: titulli është i redaktorit të blogut. Titulli origjinal i shkrimit: ALFABETI I SHQIPES ENDE NË RRUGËTIMIN E TIJ EUROPIAN, u ndryshua për arsye vendi.

15 Komente

  1. Mua me duket shume e dyshimte kjo ceshtja e gj-se dhe nj-se.

    Nuk me duket se Gjonit geget i therrasin apo thirrnin G’jon por Gjon, po ashtu skam degjuar ndonjehere qe gjarpen te shqiptohet g’jarpen po ashtu nuk kam degjuar ndonjehere qe ‘gja’ ti thone g’ja. Kam degjuar qe gjate ne kosove te thuhet ‘gat’ por jo g’jate.
    Se gjunit ka qe i thone g’juni ky nuk me duket ndonje shembull qe tregon se gj-ja nuk eshte e gegerishtes perkundrazi tregon se per ndonje arsye te pakuptueshme (per mua) gh-uni nuk ka dhene gjuni po g’juni.

    Gj eshte nje element i forte i shqipes e i qiellorzimit te saj, kalimit te gh ne gj ashtu sikunder q nuk eshte toske sikunder thote ndokush kur i flet goja para mendjes, duke qene se q deshmohet gjeresisht ne te foluren gege jo as sa ne toskerisht por ama eshte e sigurte qe nuk eshte element tosk i futur ne gegerisht.

    Persa i perket nj-se nuk e kuptoj serisht se perse nje n’jeri u dashka marre si shembull se nj qenka i toskerishtes.
    Nuk di une qe nja, njom,shenj’ etj te jene me n’j ne gegerisht e jo me nj.

    Ndersa qe mb zevendeson mm eshte nje gabim i pafalshem.
    m eshte mbeshtetese e b dhe jo tingulli baze.
    Kush eshte ai qe etimologjine e ‘mbi’ nuk do e lidhte me ‘bi’ apo me sakte me (h)ip, apo mbij po serisht me (h)ip ?
    Pse gegerishtja e asgjeson shpesh b ne mb nuk do te thote se -mb- na qenkersh ne fakt nje -mm-. Gegerishtja perkundrazi eshte kthyer ne rruge te drejte ,pra ne shqipen e drejte duke perdorur -mb-

    Po ashtu -nd- nuk eshte kurrfare -nn- por qartesisht nd ku d eshte baza dhe n mbeshtetesja ne formimin e nje fjale te re.
    Ndaj vjen nga da apo ta, nder (rrobat) nga ter rrobat qe do te thote thaj rrobat.

    Sigurisht me perjashtimet e veta sidomos ne rastet e huazimeve.

    Po ashtu ng vjen nga nje k ose g te ciles i eshte shtuar n gjate fjaleformimit., nga vjen prej n-kah(drejtim), ngop prej n-gop pra mbush vrimen deri ne gryke.

    Fakti qe dh , th ,sh etj shkruhen keshtu dhe jane vene si tinguj eshte e pranueshme,nese nisesh nga modeli tingull-germe alfabeti.
    Por po te duam mund ta komplikojme situaten duke i hequr prej alfabetit dhe ta bejme shqipen akoma me te veshtire se c’eshte.
    Fakti qe gjuhet e tjera nuk i kane ne alfabet vjen prej historise se shkrimit te tyre e keto germa si ne anglisht sh e th jane krijuar pasi tradita e shkrimit ishte mjaft e forte. Ne Anglo-saksonisht, pra para pushtimit norman te Anglise, keto germa nuk ekzistonin.

    Xh per mua eshte praktikisht germe e tingull i huaj qe perdoret per huazimet e mundesisht duhet asgjesuar krejtesisht ,pasi shqipja nuk ka pse tu nenshtrohet huazimeve, por huazimet duhet tu nenshtrohen shqipes.

    E vetmja pike ku autori sipas meje nuk eshte ne gabim , eshte kur thote se gjuha e shkruar nuk duhet te shperfytyroje te foluren e duhet pak elasticitet ne gramatiken e shqipes. Per mua eshte kaq e koklavitur ne vetvete me gjithe ato menyra e kohe foljesh, rasa e shquara e te pashquara, kundrinora e rrethanora pafund etj saqe kur shoh italishten e anglishten, them , po keta tanet o i jepnin kuptim specifik cdo veprimi e mendimi o pelciscin ne vend. cik elasticitet ka lezet anglishtja nga veta e pare njejes tek e fundit shume nuk ndryshon thuajse fare, i work they work.

  2. Kam nje sugjerim, ndoshta do duket qesharak, por po e them.
    Pse te mos shkruajme:
    «Ch’është» apo «ch’kemi» në vend të ç’është – ç’kemi ett., dhe jo vetem neper forume interneti e blogje, por edhe ne libra, gazeta, etj.
    Vete Konitza fjalët e mesiperme i shkruante: «Ch’eshte» apo «ch’kémi» dhe mua me duket se kjo eshte edhe me praktike, edhe me bukur per syrin… pasi na griu kjo Alt+135 apo Alt+137.
    Sa per g’j-në, a nuk shkruante Mjedja: nji cucë gïake, në vend të nji cucë gjake?
    Edhe anglezet kane pasur problemet e tyre me drejtshkrimin. Psh neper hane njehere e nje kohe shkruhej Ye olde inne, per The Old Inn, dhe katundaret angleze nuk e dinin si lexohej: «ji old in» apo «dhë old in». Po te doni shihni edhe filmat e Benny Hillit, e do ta gjeni atje, Hanin e vjeter.

  3. Tani une nuk kuptoj zonja Shkreli donte te shkruante ne toskerisht apo ne gegerisht, se disa forma jane te gegerishtes, disa jane te toskerishtes. pra nuk merret vesh. Nese kane te tilla probleme edhe gjuhetaret tane, ç’duhet te presim nga intelektualet e frustruar te provincave gege?

  4. ….apo duhet te shkruante ne standart si shkrimtare dhe studiuese e gjuhes….???

  5. Jam shume dakord te shkruante ne gegerisht, nuk kam asgje kunder, por ky tekst nuk merret vesh, duket se nuk i permbahet asnje lloj varianti, here me paskajore toske e here me paskajore gege, here me mbiemra gege e here toske nuk merret vesh. Nuk e kuptoj cili eshte qellimi i kesaj zgjedhjeje nese eshte bere nje e tille.

  6. Për të qenë më të qartë grafema dh përbëhet nga germat d dhe h, por nuk ekziston një germë dh ashtu si në anglisht nuk ekziston germa ph tek phenomen. Kësisoj dh-ja ekziston si grafemë vetëm për ta transkriptuar këtë tingull. Do të konsiderohej germë nëse do të ishtë një germë e ndryshme nga cilado prej germave të alfabetit latin.

    Më saktë do ishte të përdornim termin e autorëve latinë. Siç theksojnë Quintiliani (Institutio Oratoriae, 1,5,19), Prisciani (tek Grammatici Latini, 2,7), Isidori Hispaliensis (Etimologiae, 1,4,11) si dhe Catulli (Carmen, 84), H-ja nuk është letër (littera) por aspirat (aspiratio). Një përcaktues që hyri në alfabetin latin për të ndihmuar në shqiptimin e disa fjalëve greke që përmbanin tingujt φ, χ, θ, ρ. (Kjo ndodhi rreth viteve 80 p.K, në të njëjtën epokë që hyjnë në alfabetin latin edhe shkronjat XYZ). Pra H-ja hyn në fjalën e shkruar për të treguar si duhet të lexohet gërma pararendëse.

  7. Xh per mua eshte praktikisht germe e tingull i huaj qe perdoret per huazimet e mundesisht duhet asgjesuar krejtesisht ,pasi shqipja nuk ka pse tu nenshtrohet huazimeve, por huazimet duhet tu nenshtrohen shqipes.

    Te hiqet Xh-ja tha! Xh-ja ne hefsel!

    Ah, c’ka bere Interneti, tha! Te ishim ashtu rrotull fernetit, nuk do kishim ku ti degjonim keto habira, se edhe atij qe do ti shkonin nder mend, do matej para se ta hidhte kopacen, duke marre me mend reagimin e njerezise, matane tavolines!
    Po Interneti eshte si Cunami, i nxjerr siper c’mbajne honet e mendjes, dhe asnjeri, as nuk skuqet, e as nuk zverdhet! Se nuk ka kush te te qeshe, matane tavolines!

    Kush e ka thene ate shprehjen: Sa me i lehte te jete komunikimi, aq me e veshtire eshte te merresh vesh?
    Xhejms Xhois? (Hihihi, XHejms, XHois!!)

  8. Si ore t’u hiqka xh-ja? Po ç’do bëhet me Xha Xhanë pastaj?

  9. Pse ca ka xh-ja , mos eshte ‘goce’ e bukur. Asnje fjale qe permban xh nuk eshte me origjine shqip, por jane huazime.

    Praktikisht kemi marre xh per te shqiptuar huazimet, si xham, xhep,xhaxha,xhakajdur etj
    Jo vetem kaq po kjo xh po na terbon ene modernet se mu ne mes te Tirones, ke emra femijesh, xhejms, xhon, xhulio etj

    Xha xhai do e vere Ungji qe e kemi edhe indoeuropianisht si i thone (ang unc-le) apo plaku,varet kuptimi qe do per xha xha.

    p.s Tabakhone mos ke gje dhimbje barku ?

  10. Nese e kuptova drejt shkrimin, xha xhai do te mbetet aty ku eshte, vecse shkronja “xh” e alfabetit shqip do te na lere. Ne spjegim te ketij fakti, do te mesojme shkollave se kur shkronja “x” pasohet nga shkronja “j” ajo lexohet “xh” (sikunder deri me sot).

  11. xha xhain nuk e luan as topi, po e mira do ishte qe meqe Giovani(Xhovani) ne shqip ka ardhur si Gjon apo xh te tjera si zh(uljeta) apo J(ulian/a) atehere Xhon,Xhuljeta e Xhulian te mos ekzistonin me xh ne shqipen e shekullit 21, dmth mos ti dalim kunder shqipes natyrore per hir te ‘progresit’. Po ashtu emri Gimi eshte shume i bukur me G, pse duhet bere Xhimi. Pse tetovaret duhet te thone ‘xhi ban’ ne vend te ca(shka) ban, apo djathit xhathi e djalit xhali.

    Si i tha Isa Boletini i Portokallise asaj qe e kishte emrin Keti po shkruhej Ceti:

    – A ti qenke Keti me C (Ceti) , po mire, po Carit te Rusise si i thone nga anet e tua ?

    Po kalojme ne karagjozlliqe me brire, na rrofshin progresistet qe kakarisin mengjes,dreke,darke per mbrojtjen e gjuhes.

    Xh-ja kaput! xhamit-qelq e xhaxhait- ungj, xhepit-kahshal’ si arbereshet e inxhinierit – ingjinier.

    Keshtu ska me as xhi ben as xhathi e as xhali; as xhon e as xhimi e do Zoti ben mire qe te mos kete as Noel, Brad, Antonio (Andon eshte demode sot), sara, megi etj

    Ne mezi shpetuam nga emrat e tipit Pehlivan e Dylber qe jam cuditur kur i kam pare si emra para ca vitesh, tani me shpejtesi po i redegjenerojme serisht.
    Imagjino ( ketu shihet pse inxhinjer duhet bere ingjinier) nje person qe quhej Dylber Suma, meqe mbiemri Suma ekziston edhe sot si tek ai kengetari Valon Suma ( cfare prindi idiot, kombinon emrin Valon me mbiemrin Suma ), se cfare krize duhet ti sjelle nje femije.
    Dylber Suma – i therret mesuesja e biologjise – ngrihu ne derrase e na fol per organet e trejtjes dhe jashteqitjes.

  12. Ne fakt Suma nuk bie fare ere te dyshimte nder shqiptare te Maqedonise ku rritet Valon Suma. Ata te bekuar atje i therrasin asaj gjese se nevojshme me ca emra te tjere, me pak joshes per ne te gjuhes letrare.
    Pa fantazuar me tej, duhet ta shfajesojme ca babane atdhetar te kengetarit Suma, se me emrin Valon ai implikon ne Nje, hem valevitjen, hem Vlonen ku u valevit, jo ndonje subtitrim te videove te Shakira-s. Nuk jane idiote shqiptaret e shkrete pse jetojne ne kontekste te ndryshme eksitimi, dhe duhet te kolaudojne korrektesen gjuhesore me zhargonet e cdo katundi shqipfoles. Karriera efemere qe la pas Suma si kengetar i keqkuptuar, duhet te na beje thjeshte te reflektojme per efektet anesore te globalizimit gjitheshqiptar, formes televizive qe ne kemi per te zevendesuar bashkimin kombetar. Suma i reduktuar ne heshtje eshte thjeshte nje deshmor ne menyren e vet i ketij globalizimi-pseudobashkimi.
    Sa per emrin Dylber, kuptojme se ne shqip nuk do te thote asgje. Ne kete emer mund ta mbushim me kuptim vetem ne nje pjese tonen dhe vetem ne nje pjese te kohes.. Ky emri ne gjuhen perse do me thene “zemer-rrembyes” (dil-zemer) Ne kulturen tone ky emer eshte perdorur edhe per grate (Dylbere), me shume se per burrat, por jo per ndonje paragjykim. Fakti qe dikush i vendoste djalit (po edhe vajzes) emrin “dylber”, nuk tregon ndonje impuls fondamentalist per Gay Pride, por tregon sesi problematizimi i ketij emri ka perfunduar vone, e ne sektore sociale te ndryshem nga ai ku vendosej ky emer. Reduktimi i Dylberit ne nje pike fort te ngushte receptive sot, ka te beje thjeshte me dominimin e nje lloj “zemer-rrembimi” mbi tjetrin ne narrativa. Mbas 70 vjetesh, mbase emri Dashamir apo Afrim, mund te funksionalizohen si cilesues per homoseksualet, po nuk do kete faj per kete pune asnje Afrim qe do teproje gjalle deri atehere, bile as i ati.Dhe kaq.

    Keshtu jemi ne shqiptaret: horizontalisht ne gjeografi me Sumen, dhe vertikalisht ne kohe me Dylberin, e me sa e sa cudira te tjera, qe dikush do t’i shohe si cibane per t’i shfarosur, e dikush do te rende me kindat e pardesyse hapur per t’i ruajtur. Miresevijme ne nje realitet shume me te pakontrollueshem sesa ngercet e homogjenizimeve te pamundura, qe nuk vdesin as me diktaturat.

  13. “Pavarësisht ndeshtrashave historike që shtrënguan rrjedhën e përdorimit publik të shqipes letrare qyshse ajo doli nga prehistoria ”

    Nga prehistoria ? Dua shume ta besoj; dhe jam gjithnje i zhgenjyer kur analizat fillojne nga nga shekulli i njezete pa dhene provat , pa qene bindes ,qe ne fjalet e perdorura ne hyrie te diskutimit.

    Po shikoja nje dite ne faqet et “ancient greek” te wikipedias, te gjithe diftongjet qe i kane hmbur greqishtes kryesisht pas epokes arkaike. Dhe gjej qe pikerisht ato qe i kane humbur greqishtes, shqipja i ka ruajtur?

    marr , atehere, me mend se keto diftongje kan lindur para epokes arkaiké

    E pse te mos mendoj qe shqipja eshte shkrojtur qe ne ate epoke ,me alfabetin fenicien ?

  14. Kombinimi në zinxhirin shkrimor i vetëm 21 germave jep spektrin e variacioneve fonematike të gjuhës italiane…. L.Sh-Sh.

    Çudi, nuk mendojnë kështu ata që shkruajnë në dialektet e Venetos (ose më mirë në gjuhën e Venetos). P.sh.
    Averténse: ła łéngua vèneta no ła ga gnancóra na grafía e na łengua onefegà…
    Avvertenza: la lingua veneta non ha ancora una grafia e una lingua unificata… etc.
    Do ishte mirë që të ktheheshim sipas logjikës së Shamku-Shkrelit (së cilës i takon merita e zbulimit të Formulës tashmë të zbuluar të Pagëzimit… dhe Bashtinës) në përdorime akoma edhe më të hershme të përdorimeve më «”parake”»: موس ايوافته پونا مباره (lexo: mos i vaftë puna mbarë) nga Nezim Frakulla.
    E çfarë ndryshimi ka nieri nga n’jeri apo giuha nga g’juha, nëse duam të shkruajmë në të folmen e lagjes sonë? Ky është i gjithë problemi i shqipes? Do Zoti që kur socialistët të vinë në pushtet, të mos e venë në krye të ndonjë drejtorie a ministrie zonjën Shkreli, se na mori lumi të gjithëve.
    Unë kam vite që merrem me gjuhësi dhe është hera e parë që has fjalën “parsa” – mos është prijësa? Ndoshta kjo i mvishet injorancës sime… po korpi? Ata që janë nga jugu i thellë, çfarë duhet të përdorin sipas kësaj logjike? fjalën ‘kufari’? Ndoshta që sot e tutje duhet të shkruajmë Gierq Fëjshta se kështu tingëllon më bukur.

  15. Shqipja me ndertimin e saj tregon qe eshte shkruajt shume here me heret sesa mendohet.Mendoj se Fonetika eshte sekreti zberthyes.Italishtja ka humbur shume nga tingellimet ku po vecoj ate te “ë”.E vecova per arsyen e thjeshte qe ajo sherben ne gjuhe te vjetra si kjo e jona,e cila ka emrin ne shekujt moderne gjuha Shqipe,por edhe ne nji gjuhe interesante si Anglishtja,si vaj fonetik per levizjen e pjeseve te motorit fonetik qe quhet gjuhe.”ë” eshte nje prishje fonetike e “a”.Thjesht pozicioni i tyre qe shkaktohet nga pikat qe takohenn ne goje kur shqiptohen.Ndersa persa i perket leterzimit te tyre jo vetem neve por dhe gjuheve te tjera u eshte dashur nje rruge e gjate ndryshimore,ku disa zgjodhen eleminimin artificial te disa tingujve te folur,ndersa disa te tjere ruajtjen e qellimishme ose te natyrshme,te padashjezëme.Bile mendoj qe kjo e fundit,ne mase jo te vogel,solli ndryshimin e qellimshem te gjuheve.
    Persa i perket artikullit, eshte shume i ceket ne kenveshtrimin fonetik.Shqipja duhet te kete qene me 40 tingelluese.”gj”,”nj”,”zh”,”dh” jane tinguj unike.Nuk mund te ndahen ne “d” e “h”,sipas mendimit tim.Ato shprehin koncept iden tingellore dhe logogramative sipas kahut njejes dhe aspak shumes mbledhes.
    Dihet qe ne greqishte tokes i thone “gji” dhe ne shqip i thone “gjoksit te gruas kur jep qumesht”.I njeti ndertim fonetik por i ideuar dhe leterzuar ne menyra te ndryshme.Ideja e tyre mund eshe te bashkohet per te dhene kuptimin e nje gjeje qe ushqen gjithcka,ndersa Leterzimi eshte nje metode subjektive e jona,me ane te ciles kodifikojme tingujt e folur dhe ketu ndoshta edhe mund te gabojme perkohesisht duke i ndare vec e vec.Do te ishte shume gabim ti ndanim sepsa ato kane veten nje pozicion te tyre te vetem ne goje, te ndryshme nga tingujt e tjera.Kur shqiptohen(tingellohen) ne aparatin bilogjike qe quhet goje,”gj” nuk rri ne vendin e “g” dhe as ne vendin e “j”,po keshtu dhe per “dh” ete jerat.Duhet te kodifikojme faktin tingull dhe jo tja fusim katundit kot me se koti.
    Me shqipen lind ky problem per arsyen teper te thjeshte sepse ka maksimumin e mundshem,ka 100 % te tingujve te mudshme te folur.Dhe per kete arsye lind dhe kontradikta ne raport me gjuhet e njohura te vjetershkruajtura te kombeve te medhenj e me shume te civilizuar,te cilat fatkeqesisht ne kohet moderne nuk kane kaq shume(perjashto anglishten e pothuaj dhe gjermanishten).
    Para 100,apo 200 vjetesh,e cila ska shume rendesi,tanet e atehershem,zgjodhen nje menyre te caktuar,ne te cilen nuk ka fare rendesi ne eshte e kopjuar apo e gabuar,por ka rendesi qe ata dhane nje zhvillim te caktuar.Ky zhvillim duhet avancuar por kjo nuk nenkupton qe duhet keqesuar duke kopjuar dhe u nguashtuar ne alfabete e tjera qe kane me pak germa.Ata kane me pak per arsyen e thjesht sepse kane me pak tinguj te folur.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin