Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim

RREGULLAT NDRYSHOJNË, ËNDRRAT KUSHTOJNË

Pasojat e Kriterit 7.5 për Mësuesinë Parashkollore

Kam zgjedhur me vetëdije të mos pozicionohem publikisht përpara dhe gjatë periudhës së regjistrimeve universitare. Nuk dëshiroja që një problem thelbësisht arsimor dhe shoqëror të instrumentalizohej politikisht në një periudhë të ndjeshme për maturantët, familjet, universitetet dhe shoqërinë shqiptare. Tani që regjistrimet kanë përfunduar, e konsideroj të nevojshme të ndaj disa reflektime mbi një vendimmarrje që prek jo vetëm një institucion të veçantë, por gjithë institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri që ofrojnë programe të Mësuesisë për Arsimin Parashkollor, si edhe një pjesë të ndjeshme të shoqërisë: mësuesit e së ardhmes. Përvoja e Kolegjit Universitar LOGOS përmendet këtu si ilustrim i pasojave konkrete, jo si një problem që i përket vetëm atij.

Në parim, mbështes vendosjen e standardeve të larta akademike për pranimin në mësuesi. Përgatitja e profesionistëve të cilëve u besohet edukimi i fëmijëve kërkon kandidatë me rezultate të mira dhe potencial të lartë. Edhe pse nuk jam i bindur që këto dëshmohen thjesht me notën mesatare të maturës shtetërore, standardet e larta të pranimit duhet të shoqërohen me paga të mjaftueshme, kushte pune, status shoqëror dhe perspektiva karriere që mund ta bëjnë mësuesinë konkurruese me profesione të tjera. Përndryshe, rritja e pragut të mesatares së pranimit mund të kufizojë numrin e të interesuarve, pa garantuar vetvetiu një përmirësim të cilësisë së përzgjedhjes.

VKM Nr. 436, datë 03.06.2020, në pikën 1, shkronja «c», e kishte lidhur pragun 7.5 me programet Bachelor që jepnin akses në Master në fushën e mësuesisë. Megjithatë, VKM Nr. 363, datë 26.5.2022, shtoi pikën 3/1, duke lejuar pranimin me mesatare të paktën 6.5 edhe në këto programe, por me numër të veçantë matrikullimi që nuk lejonte vazhdimin në Master në fushën e mësuesisë [1-2]. Kjo dallonte pranimin në ciklin e parë nga mundësia e vijimit të rrugës së mëtejshme të kualifikimit si mësues. Për mësuesinë parashkollore, ku rruga e kualifikimit profesional nuk kushtëzohet në të njëjtën mënyrë nga një Master në mësuesinë për arsimin fillor ose të mesëm, dispozita krijonte në praktikë mundësi pranimi edhe me 6.5. Vendimi i Këshillit të Ministrave i 30 qershorit 2026 e veçoi shprehimisht programin Bachelor që përgatit mësues për arsimin parashkollor dhe përcaktoi për të pragun 7.5, duke ndryshuar kështu trajtimin e kandidatëve me mesatare 6.5-7.49 [3]. Sipas përvojës institucionale që disponoj, njoftimi për ndryshimin mbërriti te universitetet rreth mesit të tetorit; kjo kronologji dhe mos-shtrirja e konsultimit paraprak po trajtohen më poshtë si problematika politiko-shoqërore.

Gjatë panaireve Work and Study, nismë tashmë disavjeçare e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë që “synon të krijojë ura të reja bashkëpunimi midis të rinjve [leg. maturantëve], bizneseve dhe institucioneve arsimore, duke ofruar mundësi konkrete punësimi dhe informacion të detajuar mbi programet e studimit, për të sjellë … ofertat më të mira në treg” [6], me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e Ministrisë së Ekonomisë dhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), përfaqësuesit e LOGOS dhe të IAL-ve të tjerë që ofrojnë programe në mësuesinë parashkollore informuan maturantët e interesuar mbi kriterin 6.5 të mesatares minimale të pranimit, sipas informacionit që institucionet kishin në dispozicion në atë kohë. Pas ndryshimit, disa kandidatë shprehën zhgënjim dhe zemërim, duke menduar se ishin vetë IAL-të që kishin ndryshuar rregullat e pranimit. Rasti i një maturanti te LOGOS me mesatare 7.48 është domethënës: vetëm 0.02 pikë e ndanin nga pragu i ri. Teksa çdo kriter numerik vendos një kufi, këtu çështja kryesore është koha kur ai u bë i zbatueshëm për persona që i kishin përfunduar tashmë vitet e shkollimit.

Për lexuesit që nuk janë të familjarizuar me pranimin nëpër IAL-të, mesatarja përllogaritet duke kombinuar në mënyrë të barabartë mesataren aritmetike të notave përfundimtare vjetore të shkollës së mesme dhe mesataren e provimeve të Maturës Shtetërore, sipas pikës 5 të VKM-së nr. 436/2020 [2]. Pra: Mesatarja e pranimit = (Mesatarja e notave vjetore + Mesatarja e provimeve të Maturës Shtetërore) / 2. Për shembull, nëse këto dy mesatare janë përkatësisht 7,20 dhe 8,00, mesatarja e pranimit është 7,60. Një maturant që e mëson kriterin e ri pas përfundimit të gjimnazit nuk mund të kthehet në vitet e mëparshme për të përmirësuar notat e mbyllura.

Kjo krijon pasoja prapavepruese në praktikë: kriteri i ri zbatohet mbi rezultate të formuara gjatë viteve të mëparshme, pa mundësi reale korrigjimi nga kandidatët. Sigurisht, ky konstatim nuk është i barasvlershëm me përfundimin se vendimi është juridikisht prapaveprues apo i paligjshëm. Ai ngre, megjithatë, një shqetësim të arsyeshëm për sigurinë juridike, parashikueshmërinë dhe pritshmëritë legjitime. Një periudhë kalimtare prej rreth tre vjetësh për nxënësit e gjimnazit do t’u jepte nxënësve mundësinë të njihnin që në fillim të shkollës së mesme standardet që do të zbatoheshin në pranimin universitar. Gjithashtu, neni 15, pika 1, i Rregullores së Maturës Shtetërore, miratuar me urdhrin e përbashkët nr. 661, datë 1.12.2023, të ndryshuar, nuk lejon ridhënien për përmirësim të provimeve të detyruara apo me zgjedhje kur kandidati ka marrë më parë notë jo më të ulët se 4.50 [5]. Kjo e bën edhe më të kufizuar mundësinë e përshtatjes ndaj një pragu të ndryshuar vonë.

Një çështje tjetër lidhet me mënyrën e vlerësimit të aftësive për mësuesi. Nota mesatare është tregues i rëndësishëm i arritjeve shkollore, por nuk pasqyron domosdoshmërisht të gjitha prirjet që kërkon edukimi i fëmijëve: aftësitë e komunikimit, ndjeshmërinë, krijimtarinë dhe përkushtimin. Neni 74, pika 2, i ligjit nr. 80/2015 parashikon mundësinë e kritereve shtesë të pranimit nga institucionet e arsimit të lartë [3]. Mund të përfshihet këtu përdorimi i intervistave të strukturuara ose i vlerësimeve të posaçme të prirjeve pedagogjike, me kritere transparente. Megjithatë, këto nuk mund ta zëvendësojnë vetvetiu pragun minimal të detyrueshëm 7.5; një ndryshim i tillë do të kërkonte rishikim të kuadrit normativ.

Një problematikë tjetër lidhet me ripërtëritjen e brezave të mësuesve. Për disa vite, një pjesë e madhe e kërkesës për këtë program në LOGOS ka ardhur nga persona që tashmë punojnë në çerdhe dhe kopshte pa kualifikimin përkatës. Studimet u japin atyre një mundësi të rëndësishme kualifikimi, por, kur kualifikimi merret më vonë në jetë, periudha e mbetur e ushtrimit të profesionit është më e shkurtër. Ndërkohë, maturantët e sapodiplomuar që janë regjistruar në program kanë qenë të paktë, sidomos pas aplikimit të pragut minimal 7.5. Këto të dhëna institucionale nuk mund të përgjithësohen automatikisht në shkallë kombëtare, por tregojnë nevojën për të shqyrtuar se si mund të tërhiqen më shumë të rinj në mësuesi.

Zbatimi i kriterit të mesatares për kandidatët që kanë përfunduar më parë një apo më shumë programe universitare ngre një problem tjetër proporcionaliteti. Një person që ka fituar diploma, ka punuar për njëzet vjet dhe kërkon të kualifikohet në Mësuesi për Arsimin Parashkollor mund të pengohet nga notat e shkollës së mesme të arritura dekada më parë. Për më tepër, sipas nenit 15, pika 1, të Rregullores së Maturës Shtetërore, provimet e kaluara me notë të paktën 4.50 nuk mund të rijepen as në lëndët e detyruara, as në ato me zgjedhje, vetëm për të përmirësuar rezultatin [5], ndërsa kandidatëve që nuk kaluan provimet me notë 4.40 u jepet mundësia e riprovimit. Udhëzimi i përbashkët Nr. 27, datë 30.12.2025, parashikon trajtimin e kandidatëve të viteve të mëparshme dhe disa raste të posaçme të dhënies së provimeve të pakaluara ose të padhëna, por nuk krijon një rrugë të përgjithshme për përmirësimin e notave të kaluara [4]. Kështu, kualifikimet universitare dhe përvoja profesionale e mëvonshme nuk e kompensojnë dot domosdoshmërisht një rezultat të vjetër të Maturës. Kjo ngre pyetje për proporcionalitetin dhe përputhjen me misionin e të mësuarit gjatë gjithë jetës, të parashikuar në ligjin nr. 80/2015.

Më shqetëson edhe dimensioni i qeverisjes. Vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e qytetarëve duhet të shoqërohen me konsultim kuptimplotë, komunikim të hershëm dhe vlerësim të pasojave. Kur këto mungojnë ose nuk bëhen të dukshme për publikun, krijohet perceptimi i një vendimmarrjeje të njëanshme, ndaj së cilës qytetarët dhe institucionet ndihen të pafuqishëm. Në vlerësimin tim, një qasje e tillë është e papajtueshme me frymën e një qeverisjeje që duhet t’u shërbejë qytetarëve dhe të dëgjojë ata që preken nga vendimet e saj.

Prandaj, rregullat ndryshojnë, por ëndrrat kushtojnë. Ka një kosto personale për të rinjtë që detyrohen të ndryshojnë planet; një kosto familjare për investimet dhe pritshmëritë e krijuara; një kosto të besimit ndaj institucioneve arsimore, kur informacioni i dhënë në mirëbesim bëhet i pavlefshëm; një kosto shoqërore, nëse pakësohen mundësitë për të përgatitur mësues të rinj; dhe një kosto demokratike, kur dobësohet besimi i qytetarëve dhe institucioneve te mënyra si ushtrohet pushteti publik.

Zgjidhja nuk është heqja dorë nga standardet e larta, por vendosja e tyre në mënyrë të parashikueshme dhe të drejtë. Ndryshimet e rëndësishme duhet të paraprihen nga konsultimi me universitetet dhe palët e interesuara, analiza e ndikimit, komunikimi në kohë dhe periudha kalimtare të arsyeshme. Paralelisht, duhen politika që e bëjnë profesionin e mësuesit realisht tërheqës për brezat e rinj. Cilësia e arsimit nuk matet vetëm nga pragjet e pranimit, por edhe nga cilësia e vendimmarrjes dhe respekti për njerëzit, jeta e të cilëve ndikohet prej saj. Kjo përfshin një periudhë kalimtare trevjeçare për gjimnazin, si dhe një diskutim të veçantë për vlerësimin e kandidatëve që zotërojnë diploma universitare dhe përvojë profesionale.

(c) 2026 Kosta Giakoumis. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Referenca ligjore dhe dokumentare

[1] VKM nr. 436, datë 3.6.2020, pika 1, shkronja «c», dhe pika 5 (teksti i përditësuar deri në vitin 2022): https://albanianuniversity.edu.al/wp-content/uploads/2022/07/Nr.-4-vendim-2020-06-03-436_perditesuar.pdf.

[2] VKM nr. 363, datë 26.5.2022, pika 1 (shtimi i pikës 3/1 në VKM nr. 436/2020): https://arsimi.gov.al/wp-content/uploads/2023/12/vendim-363-date-26.5.2022.pdf.

[3] Këshilli i Ministrave, vendimi i 30.6.2026 për ndryshimin e VKM nr. 436/2020, pika 1, shkronjat «b» dhe «c»: https://www.kryeministria.al/newsroom/vendime-te-miratuara-ne-mbledhjen-e-keshillit-te-ministrave-date-30-qershor-2026/.

[4] Udhëzimi i përbashkët nr. 27, datë 30.12.2025, kreu I, pikat 5–7, dhe kreu II, pika 10: https://qsha.gov.al/wp-content/uploads/2026/01/UDHEZIM-NR.27-DT.30.12.2025-MA-MEI.pdf.

[5] Urdhri i përbashkët nr. 661, datë 1.12.2023, Rregullorja e Maturës Shtetërore, e ndryshuar me nr. 587/2024 dhe nr. 602/2025, nenet 11 dhe 15: https://arsimi.gov.al/wp-content/uploads/2026/06/urdher-2023-12-01-661-i-perditesuar-2.pdf.

[6] Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, njoftimi për panairin Work & Study 2026: https://www.cci.al/ne-shkurt-celet-sipari-i-panarit-work-study-2026-do-te-shtrihet-ne-te-gjithe-shqiperine-ja-kalendari-i-plote/.

[7] Ligji nr. 80/2015, datë 22.7.2015, neni 1 dhe neni 74; ligji nr. 69/2012, neni 24, pika 2.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading