Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

SHKRETANIA NË AMERIKË

[Kampe dhe ko(m)be – 2]

nga Alain Brossat

(Shënim i përkthyesit Orgest Hazizi : teksti më poshtë është para-fjalë, një lloj portiku, apo çelës i solit, që jep tonalitetin pasues të veprës për librin e autorit, Nën sprovën e katastrofës. Kampet në shekullin xx (Paris, 1995), Hyrjen e të cilit e botuam po këtu te Peizazhet më 27 janar të këtij viti, si pjesë të prurjes së parë të një serie (ndoshta) montazhesh : Kampe dhe ko(m)be. Hoqa dorë nga elementet që duhet ta shoqëronin, për të plotësuar mozaikun e menduar fillimisht, për arsye kohe dhe vendi kryesisht, por edhe sepse disa m’u dukën të vetëkuptueshme, e pra, të panevojshme. Për më tepër, në këtë rast, koha e botimit flet vetë – dhe duke shkruar këto radhë, nga fjalët që thotë koha në Amerikë, njëra është më e bukura, më e goditura, përgjigjja e gjithë sa më poshtë, dhe që më kumbon në vesh pareshtur : habibi !)

Në fund të pjesës së dytë të librit Mbi demokracinë në Amerikë, pasi ka paraqitur kushtet e instaurimit të sovranitetit të popullit dhe shqyrtuar parimet e kësaj « qeverisjeje », Tocqueville-i beftas e përmbys perspektivën. Në një kapitull me titullin « Disa konsiderata mbi gjendjen aktuale dhe ardhmërinë e mundshme të tri racave që banojnë në territorin e Shteteve të Bashkuara », ai e rimerr nga e para tregimin e kushtetimit të Shteteve të Bashkuara si laborator i vërtetë i këtij parimi të ri – demokracisë – por nisur nga një këndvështrim i kundërt me atë të përdorur deri në atë çast : jo më nga pikëpamja e atyre që përfshihen në të, por nga ajo e atyre që dëbohen dhe stigmatizohen prej saj. Në një kapitull të gjatë, « e njëjta histori » na tregohet sërish, por tashmë e përmbysur, jo si farsë, e as si tragjedi, por, radikalisht, si historia e një shkretimi. Përmes një ritregimi të tillë, nisur nga premisa të kundërta, të procesit të vendosjes së demokracisë, Tocqueville i bën lexuesit të vet një paralajmërim të qartë : dasia (différend) është e gdhendur që në zanafillën e institucionit demokratik, që në formën e parë të kristalizimit të tij në Amerikën e Veriut. Për autorin, Mbi demokracinë në Amerikë, nuk ka vlerën e kurrfarë teodiceje politike (profane) ; dhe provë për këtë është pikërisht aftësia e « së njëjtës histori » për t’u paraqitur ose si lajm i mirë, ose si tregim llahtare.

Lajmi i mirë, që shtrihet në dy pjesët e para të esesë, është i njohur tashmë : një parim i ri, një formë e re politike është shfaqur në Amerikë, në mënyrë të pakthyeshme – demokracia. Gjithçka në Botën e Re organizohet rreth këtij parimi :

« Në Amerikë, të gjitha ligjet dalin në njëfarë mënyre nga i njëjti mendim. E tërë shoqëria, si të thuash, bazohet te një fakt i vetëm ; gjithçka buron nga një parim i vetëm. Amerika fare mirë mund të krahasohet me një pyll të madh, ku një shumësi shtigjesh të drejta të shpien drejt një pike të vetme. Mjaft ta gjesh pikëtakimin, dhe gjithçka shpaloset njëherësh në një shikim të vetëm. »

Amerika është kështu vatra veçanërisht e favorshme (le të kujtojmë analizat e Hannah Arendtit lidhur me mungesën e barrës së « çështjes sociale » në Revolucionin amerikan, në dallim nga ai francez) e eksperimentimit të atij parimi demokratik që do të rrënjoset më pas në tërë shoqëritë moderne. Amerika është në pararojën e një procesi të destinuar të shtrihet në tërë botën e qytetëruar, edhe pse « vetëm në përvojën amerikane ai shfaqet me tërë kthjelltësinë e tij fillestare. »

Demokracia nuk është dhe aq njëra nga format e mundshme të qeverisjes, sesa vënia në veprim e parimit të barazisë në të gjitha sferat e ekzistencës. Ideali dhe institucionet demokratike pra, vlejnë për sa që rrënjosen thellë në nivelin shoqëror. Demokracia nuk është dhe aq ngrehinë institucionesh, sesa një sistem dokesh e zakonesh shoqërore, një ndjeshmëri e përbashkët. Ajo nuk i rrafshon dallimet mes individëve nga pikëpamja e pasurisë apo prestigjit, por paraqitet si rend barazitar duke zhbërë hierarkitë e Regjimit të Vjetër dhe duke e bërë barazinë një parim të përbashkët jetese.

Lëvizja që përshkruan Tocqueville-i lidhur me shpërhapjen e paradigmës demokratike paraqitet në formën e një dinamike përfshirëse, që zhvillohet në drejtime nga më të ndryshmet : formim i kombit amerikan përmes njëtrajtësimit të heterogjeniteteve të shumta që e përbëjnë, ndërtim i një qytetërimi demokratik përmes shtrirjes së modelit amerikan në pjesën tjetër të botës, etj. « Parimi i vetëm » i qytetërimit demokratik paraqitet kështu si një operator i fuqishëm përfshirjeje dhe homogjenizimi. Rrënjosja e demokracisë në Amerikë vlen si një lloj origjine, që u tregon modernëve ardhjen e epokës së demokracisë, fillesat e një lëvizjeje gjithëpërfshirëse, e ngjashme, nga kjo pikëpamje, me shtrirjen e feve të mëdha monoteiste. Përfshirje, homogjenizim, universalizim, përbashkim, të tillë janë termat që përshkruajnë rrugën e përhapjes ngadhnjyese të qytetërimit demokratik, nisur nga poli fillestar amerikan…

Mirëpo : udhëtar i vëmendshëm, sociolog skrupuloz, Tocqueville nuk harron se, gjatë hulumtimeve të tij, ka ndeshur e rindeshur në mënyrë të përsëritur dy thepe, dy mole qëndrese, dy « trupa të huaj » ku ngec shtrirja e madhe demokratike – indianët dhe zezakët –, dy prani-mungesa të pashmangshme dhe, nisur nga të cilat, detyrohet ta rimarrë edhe një herë historinë e vet, por duke ia ndryshuar kryekëput këndvështrimin. Dhe për të treguar natyrën e përjashtimit radikal të këtyre grupeve në raport me kodin e ri në bazë të së cilit organizohet jeta e përbashkët në Amerikën e Veriut, Tocqueville shprehet pa lënë vend për mëdyshje : situata e tyre, thotë ai, « është diçka krejt ndryshe nga demokracia e gjerë dhe pa kufi ». Përjashtimi në fjalë përkufizohet me terma politikë, më shumë se etnikë apo racialë : për të, indianët dhe zezakët nuk janë dhe aq « raca të dallueshme, sesa grupe shoqërore të organizuara sipas disa parimesh që janë në mospërputhje me demokracinë që sundon në pjesën tjetër të Unionit ». Dhe çështja po ashtu nuk është të dimë se ç’bëjnë këta lëkurkuq, apo të zinjtë, në gjirin e europianëve të bardhë (apo se ç’duhet bërë me ta…), por të kuptojmë se « cila është pozita që zënë këto dy raca në gjirin e popullit demokratik » ? Në perspektivën e Tocqueville-it, ajo që i përkufizon më shumë amerikano-veriorët e bardhë është qenia e tyre si « popull », apo entitet demokratik, dhe jo aq tiparet racore. Problemi i tjetërsisë apo i heterogjenitetit radikal formulohet pra këtu me terma qartësisht politikë : si mundet të bashkekzistojnë ose jo grupe, « popuj » të organizuar në bazë parimesh (kodesh) heterogjene ?

Formulimi që Tocqueville i bën problemit me të cilin ndeshet, si pasojë e ekzistencës së përjashtuar të indianëve dhe zezakëve, është mëse i mprehtë : nga njëra anë, duke ndjekur rregullën e vrojtimit të plotë e të paanshëm, metodën e analizës së ftohtë e objektive, e gjen veten të detyruar të marrë në konsideratë edhe faktin e pashmangshëm të ekzistencës së grupeve të tilla në brendësi të territorit ku lind e zhvillohet demokracia amerikane. Ndodhi e pashlyeshme, prani e përsëritur, siç dëshmohet edhe nga shënimet e shumta në fletoret e udhëtimit të Tocqueville-it. Por, nga ana tjetër, parë nga pikëpamja e objektit të studimit të tij (kushtetimi politik i Botës së Re, mënyra e funksionimit të sovranitetit popullor në Amerikë, prirja e qytetarëve amerikanë drejt demokracisë), ata paraqesin figurën e një mungese radikale. Asgjë nga sa më lart, thotë Tocqueville-i, nuk vlen për zezakët dhe indianët ; nga kjo pikëpamje, në hapësirën e një teksti të titulluar Mbi demokracinë në Amerikë, ata janë domosdoshmërisht jashtë kuadrit.

Nis të përvijohet këtu ajo figurë « esktreme » dhe paradoksale e tjetërisë (e heterogjenes më saktë), që do të na shërbejë si fill udhërrëfyes : « racat » e mësipërme vërtet janë aty, « në mes » të europianëve të zhvendosur në tokën amerikane, « në gjirin » e demokracisë amerikane, por amà, politikisht, kulturalisht, ato janë të padukshme, kryekëput munguese, dhe jashtë proceseve që zhvillohen aty. Thyerje që Tocqueville e shpreh troç, në përshkrime ku apologjisti i Demokracisë detyrohet të heshtë, për t’ia lënë fjalën analistit pozitiv : 

« Këto objekte [indianët dhe zezakët] e takojnë subjektin tim, por nuk bëjnë pjesë në të ; janë amerikanë, por pa qenë demokratikë, dhe synimi im i parë është të jap portretin e demokracisë. Kështu që, si fillim, m’u desh t’i shmang ; por tani në fund, më duhet t’u kthehem. » 

Ndarja që konstaton këtu Tocqueville-i, me tonet e një neutraliteti absolut, është sa përfundimtare aq dhe e pakthyeshme ; gjë që tregohet mjaftueshëm nga vetë fjalori i përdorur : nga njëra anë europianët (meshkuj…) dhe subjekti demokratik, në anën tjetër këto « objekte » të rëna jashtë kuadrit – të cilave duhet t’u rikthehet për të plotësuar tablonë. 

Ajo që shenjohet në këtë pikë, nga pikëpamja e përpunimit të një arkeologjie të Ekstremes, është mëse e qartë : është raporti i nderë mes konstatimit të ftohtë të ndarjes përjashtuese e pa apel dhe zhvillimit të pandalshëm të dinamikës gjithëpërfshirëse të heterogjeniteteve amerikane, të cilin ai e quan shtrirje e parimit demokratik. 

Duket në fakt sikur lëvizja përfshirëse përgjatë së cilës kushtetohet qytetërimi demokratik përvijon njëkohësisht një lloj kufiri, një skaj të jashtëm nisur nga i cili dinamika përfshirëse përmbyset në krejt të kundërtën e vet. Thua se, në vetë gjirin e lëvizjes, vepron me forcë një rregull e pashkruar, dhe që thotë pak a shumë : përtej këtij kufiri s’ka më përfshirje, por përjashtim, s’ka më homogjenizim, por ndarje dhe veçim (përndjekje) ; ose akoma, për të perifrazuar Foucault-në, nuk ka më mbrojtje të jetës, por prodhim të vdekjes. Nga njëra anë, i famshmi « melting pot » i integrimit, kurse në anën tjetër, më i rrepti, më vrastari i diskriminimeve. Dhe si për ironi të historisë, Tocqueville tregohet së paku po aq « vizionar » në këtë pikë sa dhe në rolin e shumëduartokitur si orakull i shtrirjes së pandalshme të paradigmës demokratike : një shekull e gjysmë më vonë, të njëjtat përjashtime mbeten po aq aktuale, veçse tani të pambështetura në « parime », por të lëna në duart e padukshme të varfërisë, analfabetizmit, Sidës, drogës dhe burgut, dënimit me vdekje…

Paradoksi që shpalos këtu Tocqueville përbën një sfidë të pakapërcyeshme për intelektin e dalë nga farka e Iluminizmit : si është e mundur që një lëvizje gjithëpërfshirëse, universalizuese, të arrijë në të njëjtën kohë të territorializohet, të ngulitet në një topos të caktuar duke përvijuar kështu kufij ndarës, duke dëbuar në skajet e jashtme të fushëzbatimit të vet grupe të tëra, zakone, doke, etj. – si është e mundur të prodhojë jo aq zona tjetërie sesa zona të një për-jashtësie kundërshtare, të parrokshme për mendimin ?

Kjo lëvizje e dhunshme eksternalizimi, bashkudhëtare e procesit të përfshirjes, homogjenizimit dhe universalizimit, dëshmohet tashmë në mënyrë të mprehtë nga vetë Deklarata amerikane e Pavarësisë, kur bëhet fjalë për indianët. Duket sikur një ekuilibër i vërtetë është vendosur qysh në fillim mes lëvizjeve përfshirëse dhe lëvizjeve ndarëse : sa më e gjerë dhe e fuqishme është dinamika e përfshirjes, sa më i shpejtë homogjenizimi, sa më madhështore e solemne ngrihet « muzika » e universalizimit, aq dhe më esktreme, të pakthyeshme e të pashlyeshme bëhen gjestet shoqëruese të ndarjes. Sipas Deklaratës së Pavarësisë pra, akuza më e madhe që i bëhet mbretit të Anglisë është si vijon : 

« Ai nxiti në gjirin tonë kryengritjen e brendshme, dhe u përpoq të drejtonte mbi banorët e kufijve tanë sulmet e indianëve, këtyre egërsirave të pamëshirshme, që, siç dihet nga të gjithë, luftojnë për të masakruar gjithçka, pa dallim moshe, seksi apo shtrese. »

Dallimi vendimtar këtu është ai mes anglezit, të trajtuar si armik dhe indianit, të trajtuar si egërsirë. Marrëdhënia me armikun organizohet në bazë të luftës, si përballje mes dy fuqish ; lufta nënkupton kështu negociatat, dhe pastaj edhe pajtimin. Kurse në rastin e raportit, nëse mund të quhet i tillë, me « egërsirën », bëhet fjalë për diçka krejt tjetër : për shfarosje dhe asgjësim. 

Te Deklarata e Pavarësisë, « premtimi » i shfarosjes gjendet i formuluar me saktësi të jashtëzakonshme, por sipas kodit të dhunës mimetike që i mvesh « tjetrit » pulsionet dhe synimet e fshehta të vetes : bëhet tamam fjalë për të masakruar gjithçka, « pa dallim moshe, seksi apo shtrese », gjë që është dhe përkufizimi më i prerë e sintetik i gjenocidit. Nuk jemi larg Zgjidhjes Përfundimtare të konceptuar nga Hitleri, si përgjigje fantazmatike kundrejt një « lufte totale » të pandehur që çifutët i paskëshin shpallur gjermanëve (nazistëve).

Simetria e formulës shfarosëse « pa dallim moshe, seksi, apo shtrese », si dhe të tjera formula të rrënjosura në gjirin e lajmit demokratik, duhen parë pa dyshim si pjesa e errët e themeleve të saj : « Duke qenë se të gjithë qytetarët janë të barabartë [para Ligjit], të gjithë janë njësoj të pranueshëm për të gjitha ofiqet, postet dhe punët publike, sipas afësive përkatëse dhe pa tjetër dallim [nënvizim i imi – A.B.] përpos virtyteve dhe talentit të secilit. » Vërtetohet kështu karakteri thelbësisht i dykahshëm i formulave përfshirëse të gdhendura në ballinat e revolucioneve moderne : premtimi i shfarosjes (së gjithë sa bie në anën e jashtme të kufirit të ri të qytetërimit) thuhet me të njëjtat fjalë që shpallin formimin e trupit politik të ngritur mbi barazi.

Duke nënvizuar kështu mënyrën se si universaliteti i sapolindur demokratik i vë caqe fushëzbatimit të vet dhe i jep nocionit të kufirit një shkëlqim të papritur e paradoksal, Tocqueville afrohet me Foucault-në e Historisë së marrëzisë, dhe veçanërisht me një analizë të shkurtër të tij lidhur me statusin e cogito-s karteziane – një lexim me « goditje çekiçi », e cila pat provokuar aso kohe një polemikë të ashpër nga Jacques Derrida. Pa dashur të hyjmë në imtësitë e këtij debati, ajo çka duam të nënvizojmë është se Foucault përqëndrohet në shqyrtimin e një paradoksi që, nga ana formale, është çuditërisht i ngjashëm me atë që analizon Tocqueville. Për të prodhuar një nga gjestet përfshirëse dhe universalizuese më të vendosura që ka njohur kahera filozofia perëndimore – instaurimin e cogito-s përnjëmend si çështje e të gjithëve dhe e kujtdo – Dekartit i duhet të operojë, në mënyrë të prerë, një ndarje paraprake tepër brutale. I duhet që të marrët dhe marrëzinë t’i dekretojë « jashtë kuadrit », t’i përjashtojë nga demarshi i vet, ashtu sikurse demokracia amerikane e dekreton indianin dhe zezakun përtej fushëzbatimit të saj. Shprehja lapidare e Dekartit është e famshme tashmë : « po ata janë të marrë, dhe unë s’do t’isha më pak i lojtur mendsh sikur të ndiqja shembullin e tyre ». Me kaq vendoset një herë e mirë fati i atyre të çmendurve, që janë të bindur se « e kanë trupin prej qelqi ». « Mërgimi » i marrëzisë që operon Dekarti te Meditimet metafizike, përjashtimi i saj nga çdo fushë diskutimi, në njëfarë mënyre i bën jehonë « mërgimit » të indianit « të barbarizuar » dhe të hedhur brutalisht në këndin e verbër të optikës demokratike. Komentet e Foucault-së mbi gjestin kartezian, që e vendos marrëzinë « jashtë fushës së përkatësisë ku subjekti gëzon të drejtat e tij për vërtetësi » hyjnë kështu në rezonancë me paraqitjen tokëviliane të shqendërzimit radikal të « mishit të huaj » indian e zezak nga fusha e demokracisë.

Duket pra sikur, qoftë Tocqueville ashtu dhe Foucault, njëri në terrenin e politikës dhe tjetri në fushën e filozofisë, të kenë rënë në të njëjtën « kockë » metafizike : aty ku shpallet një rregull e përgjithshme, një parim i ri për të gjithë (mendimi i sigurt për themelet e veta, barazia e kushteve politike), ravijëzohet njëkohësisht edhe një territor i caktuar, pra edhe kufijtë e tij, një brenda dhe një jashtë, një « ne » dhe një « ata », etj. E ndeshim këtë apori të territorializimit të universales te përkufizimi i topos-it të arsyes karteziane si vend i jo-marrëzisë ; por e ndeshim po ashtu edhe te kapërcimi nga neni I i Deklaratës së të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit të 26 gushtit 1789, i cili shpall se « të gjithë njerëzit lindin të lirë e të barabartë në të drejtat e tyre… » – model i parimit universal – te neni III i saj, ku theksohet se « parimi i çdo sovraniteti qëndron veçanërisht te Kombi [nënvizimi im – A.B.] – një topos, që përcaktohet nga dallimi i tij me gjithë të tjerët… 

Raporti që lidhet këtu mes lëvizjes së universalizim-përfshirjes dhe territorializimit (si veçim dhe ndarje) ka një rëndësi të veçantë për çdo reflektim mbi Ekstremen. Dhe në fakt, gjithçka që, gjatë aktit të ndarjes, bie në anën e jashtme, përtej kufirit, do të « përjashtësohet », « heterogjenizohet », « barbarizohet » – radikalisht e deklasuar pra, si mbetje dhe llum – aq më tepër që konsiderohet pikë së pari si diçka që i shpëton rregullës universale dhe lidhjes së përbashkët : i marri bëhet kafshë, indiani « bëhet egërsirë ». Qysh në fillim, rregulla e ndarjes mishëron Ekstremen : ajo nuk ndan vetëm « ne këtu » nga « të tjerët atje », por ne njerëzit, në kushtetimin tonë racional dhe të qytetëruar, nga « ata », të instaluarit në zonat e errëta të mospërkatësisë, ku duket se mbizotërojnë para së gjithash afritë shtazore apo urrejtja ndaj njerëzimit të qytetëruar… Sendërtohet kështu ajo problematikë ekstreme e rikthimit të përjetshëm të tjetërisë, ku, duke kaluar nga Tocqueville dhe Foucault, rigjejmë konstatimet e bëra nga Tzvetan Todorovi, si semiolog dhe moralist njëherësh, lidhur me pushtimin e Amerikës në epokën e Cortésit.

Për Tocqueville-in, çështja e kushtetimit të pashmangshëm territorial të parimit demokratik në Shtetet e Bashkuara është e lidhur ngushtë me këtë prani të pakapërcyeshme të thepeve të tjetërisë në gjirin e kësaj topografie. Në shikimin e tij universalizimi ngadhnjyes i parimit demokratik nuk mund të ndahet nga fakti i shtrirjes së tij gjithëkontinentale, nga një oqean në tjetrin, nga tokat e akullta në zonat e nxehta :

« Territori që zë, ose reklamon sot Unioni amerikan shtrihet që nga oqeani Atlantik deri në brigjet e Detit të Jugut. Si në lindje dhe në perënëdim pra, kufijtë e tij janë po ato të vetë kontinentit ; në jug zbret deri në buzë të Tropikut, ndërsa ngjitet deri mes akullnajave në veri. »

Por, nga ana tjetër, ky përbashkim, ky « totalizim » i territorit nga i njëjti parim dhe nën të njëjtin flamur përplaset me dasinë dhe dallimin më të hekurt : 

« Njerëzit që jetojnë të shpërndarë në hapësirën e pamatë të këtij vendi nuk janë aspak, sikurse europianët, pasardhës të dalë nga e njëjta familje. Qysh me shikimin e parë shquhen menjëherë tri raca të dallueshme, e madje, do të thoja, armike. Edukimi, ligjet, prejardhja, e deri edhe pamja e jashtme patën ngritur mes tyre pengesa të pakapërcyeshme ; fati i bashkoi në të njëjtin truall, por vetëm i puqi pa i përzier, dhe secila ndjek veçmas rrugën e vet. »

Dhe, në mbyllje, Tocqueville vijon duke konstatuar modalitetin prerazi hierarkik të këtij dallimi :

« Mes njerëzish kaq të ndryshëm, i pari që tërheq shikimin, i pari në shkëlqim, fuqi dhe lumturi është njeriu i bardhë, europiani, njeriu par excellence ; nën të, vijnë pastaj zezaku dhe indiani. »

Këtë ndarje hierarkike mes tri racave, Tocqueville nuk e përshkruan si të dhënë natyrore, por si të përfshirë dhe të kushtëzuar nga raporti që vendos sundimi i njeriut të bardhë :

« Asgjë s’kanë të përbashkët këto dy raca fatkeqe : as lindjen, as pamjen, as gjuhën, as zakonet ; vetëm fatin e kanë njësoj të keq. Të dyja zënë një pozitë po aq të ulët në vendin ku banojnë ; të dyja vuajnë pasojat e tiranisë ; dhe nëse secila vuan mjerimin e vet, të dyja mund të akuzojnë të njëjtin fajtor. »

Duket qartë, këtu, veçantia që e dallon thellësisht Tocqueville-in në raport me ideologët e Liberal-Demokratizmit : ndryshe nga ata, Tocqueville e ekspozon hapur, dhe në tërë radikalitetin e vet, dasinë kushtetuese të paradigmës demokratike. Llogaria e universalizimit nuk është kurrë e « rrumbullakosur », e ka gjithmonë një « mbetje », dhe kjo tepricë shënohet këtu te dallimi i dy racave të homogjenizuara nën të njëjtin inferiorizim, të rëna nën të njëjtën « fatkeqësi », e cila, nga ana e vet, emërtohet sundimi i bardhë – anagramë e vërtetë e sintagmës « demokracia në Amerikë ». Më keq akoma : fatkeqësia në fjalë, paraqet tërë tiparet e Ekstremes :

« Kur shikon se ç’ndodh në botë, a s’mund vërtet të themi se Europiani është për njerëzit e racave të tjera njëlloj si vetë njeriu është për kafshët [nënvizimi im – A.B.] ? I përdor ato në shërbim të tij, dhe kur nuk ia del t’i nënshtrojë, i shkatërron. »

Edhe këtu, si pothuaj përherë, « animalizimi » i tjetrit është njëherazi përçuesi dhe objektivi i raportit ekstrem : vula e Ekstremes, vraga e saj në gjuhë. Animalizim, shkatërrim : dy boshtet që ravijëzojnë topografinë e figurës Ekstreme evokohen këtu në mënyrën më sintetike të mundshme përmes raportit mes europianëve, si njëkohësisht pushtues dhe shpikës të qytetërimit demokratik, dhe racave të tjera. 

Ajo çka vë në pah këtu Tocqueville është bashkërendimi thelbësor, përkatësia e ndërsjellë mes demokratizimit të botës nga njëra anë, dhe gjenocideve e etnocideve të para moderne, nga ana tjetër. Një pasazh i njohur i shënimeve të udhëtimit e përshkruan qartë natyrën e pakthyeshme të kësaj lëvizjeje, ku optimizmi i qytetërimit gërshetohet pandashëm me dinamikën e asgjësimit :

« Racat indiane shkrihen në prani të qytetërimit europian sikurse bora nën rrezet e diellit, dhe çdo përpjekje që ato bëjnë për të luftuar kundër fatit vetëm sa e përshpejton ritmin shkatërrues të kohës. Çdo dhjetë vjet pak a shumë, fiset e shpërngulura shkretëtirave të Perëndimit e kuptojnë se tërheqja e tyre ka qenë e kotë dhe se përparimi i të bardhëve është bërë akoma më i shpejtë. Të acaruar nga ndjesia e pafuqisë, ose të ndezur nga ndonjë ngacmim i ri, herë pas here mblidhen dhe vërshojnë vrullshëm drejt trojeve që banonin dikur, dhe ku tash ngrihen banesat e europianëve, barrakat e drunjta të pionierëve, e pak më tej, fshatrat e para. I bien kështu vendit pash, djegin ca shtëpi, vrasin kope, rrjepin ndonjë kokë. Qytetërimi atëhëherë sprapset, por për një çast, si vala e detit të fryrë […] Teksa ecën, pararojë, në krye të familjes së madhe europiane, pionieri zapton kështu pyjet pak më parë të banuara nga njeriu i egër. Qëndron ca kohë, ngre atë barrakën e thjeshtë dhe pret luftën më të parë, që do t’i hapë rrugën drejt shkretëtirash të reja. »

Parimi i ri qytetërues që niset të pushtojë botën ka nevojë për një territor të homogjenizuar nën formën e tabula rasa-s. Rregullat drakoniane të pushtimit gërshetohen kështu me ato të shpalosjes së një origjine : që Lajmi i mirë demokratik dhe risia e padëgjuar e tij të mund të shpallen botërisht, duhet që toka e vjetër të lërohet fillimisht deri në shkëmb. Universaliteti i modernes, « ungjilli » i shpikjes demokratike dhe i humanizimit të kushtit njerëzor, fshehin një parim tiranik : spastrimin e pashmangshëm të gjithë sa u bindet të tjera kodeve dhe i qëndron rrylit të përfshirjes. Dinamika e shpërnguljes së indianëve gjithnjë e më tutje dhe shtrirja shkatërrimtare e « kufirit të ri » janë të pandara nga dinamika e mohimit gjithnjë në rritje të karakteristikave të tyre njerëzore. Dialektika e këtij procesi « çnjerëzimi » vihet qartazi në dukje nga Tocqueville : vazhdimisht të dëbuar jashtë qytetërimit, indianët janë të detyruar të vetëprodhohen si « çnjerëzorë », përmes masakrash e skalpimesh – t’i jepen diagonales së tërbimit – gjë që e përligj për së dyti shfarosjen e tyre…

Dhe Tocqueville nuk bie aspak prè e gjykimit të kolonizatorëve lidhur me « egërsinë » në fjalë. Si lexues i vjetër i filozofëve të shekullit të kaluar, ai e bën mirë dallimin mes dy kuptimeve të fjalës « egërsi ». « Para ardhjes së njeriut të bardhë, vëren ai, [indinanët] jetonin të qetë ndër pyje » dhe, si të tillë, ishin në gjendje « të egër ». Por është e qartë se, kjo lloj egërsie, është krejt tjetër nga ajo që stigmatizon Deklarata e pavarësisë : ajo përkon me gjendjen natyrore dhe, si e tillë, nga pikëpamja e vrojtuesit objektiv ku e vendos veten autori, është diçka neutrale në thelb. « Teksa jetonin në kushtet e zakonshme të jetës së egër, indianët paraqisnin veset dhe virtytet që karakterizojnë rëndom popujt e paqytetëruar. »

As të mirë e të ligj pra, por thjesht në gjendje të egër, në kuptimin objektiv të jetesës para qytetërimit. Me fjalë të tjera, që indiani të metamorfozohet në atë figurën tjetër të « egërsisë » që përmend Deklarata e pavarësisë, në figurën e « egërsirës » shfarosëse – dhe për t’u shfarosur –, duhet që fillimisht të takojë njeriun e bardhë : ajo që e kushteton egërsinë e tij në horizontin e Ektremes është raporti me pushtuesin europian, që e shenjon atë me damkën e heterogjenitetit skandaloz që duhet fshirë me rrënjë. 

Tocqueville e përshkruan me saktësinë më të mprehtë ecurinë e këtij procesi, ku njeriu i egër shndërrohet në « egërsirë », domthethënë mënyrën se si qytetërimi i bardhë funksionon si fabrikë e prodhimit të egërsisë, duke u shndërruar kështu në makinë shfarosëse : 

« Kombet e egra drejtohen nga opinioni dhe doket. Mirëpo, duke ua zbehur indianëve të Amerikës Veriore ndjenjën e përkatësisë me atdheun, duke u shpërngulur e copëzuar familjet, duke ua prishur traditat, duke u ndërprerë fillin e trashëgimnisë dhe kujtimeve, duke ua ndryshuar e bjerrur të gjitha zakonet, duke ua rritur tej mase nevojat, tirania europiane i bëri ata më të çrregullt e më pak të qytetëruar nga ç’ishin në fillim. Kushtet morale dhe gjendja fizike e tyre janë në përkeqësim të pandalur, dhe sa më të mjeruar janë, aq më barbarë bëhen. »

Barbaria e indianëve paraqitet qartazi këtu si produkt i pushtimit europian, që çel horizontin e eliminimit të tyre, gjithë duke krijuar kushtet e përligjjes së gjenocidit ; përderisa përfshirja e këtyre t’egërve të « egërsuar » është e pamundur, e vetmja perspektivë mbetet shfarosja :

« Europianët kurrë nuk mundën t’ua ndryshonin plotësisht karakterin indianëve, dhe ndërsa kishin fuqinë t’i shkatërronin, nuk patën kurrë zotësinë t’i zbusnin e t’i nënshtronin. »

Është me rëndësi të theksojmë këtu dallimin mes kësaj mënyre të problematizimit të raportit me tjetrin, dhe mënyrës tradicionale, që e shenjon « barbarin » si tjetrin që flet një gjuhë të pakuptueshme dhe i takon kështu një topografie të ndryshme nga ajo « e jona », nga qytetërimi. Këtej grekët, andej persët – një ndarje e tillë e botës përkon me rendin e lindur dhe të natyrshëm të gjërave, ku lufta sanksionon shkeljet eventuale të botës barbare mbi atë të qytetëruar (ose e kundërta…), riparon çrregullimet e ndodhura brenda këtij rendi të paradhënë. Në të kundërt me këtë, topografia e përvijuar nga Tocqueville-i, është ajo ku barbari, qoftë indian, qoftë zezak, nuk është i dhënë por i bërë i tillë, është përherë efekt i barbarizimit fatal të të paqytetëruarit, si pasojë e raportit tiranik të vendosur mes europianëve dhe racave të tjera. Analiza e Tocqueville-it e jep të qartë alternativën : ose përfshirje, ose « shkatërrim » ; « totalizim » ose shfarosje.

Trajtimi që i bën ai « çështjes zezake » shkon në të njëjtin kah, edhe pse procesi i përshkruar i përafrohet më shumë asaj që sot quhet etnocid sesa gjenocidit në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Por vula e Ekstremes është po e njëjta, gjithnjë në themel të raportit mes europianëve dhe zezakëve të Amerikës :

« Shtypja i ka privuar […] pasardhësit e afrikanëve nga pothuajse të gjitha privilegjet e njerëzimit [nënvizimi im – A.B.] ! Zezaku amerikan s’ka më as më të voglin kujtim nga vendi i tij ; kurrë nuk i dëgjon veshi gjuhën e të parëve ; fenë e tyre e ka mohuar dhe zakonet i ka harruar. I ndarë përfundimisht nga Afrika, nuk gëzon asnjë të drejtë në Europë ndërkohë dhe asnjë nga të mirat e saj […] Ka mbetur kështu i izoluar mes dy popujve ; i shitur nga njëri, i shkelur nga tjetri […] Zezaku s’ka familje ; gruaja s’mund të jetë për të veçse shoqe e kënaqësive kalimtare, dhe fëmijët që i lindin nuk i përkasin atij, sikurse dhe ai nuk i përket vetes. »

Kështu pra, për nga vetë kushtet e shkulturimit që pësojnë, zezakët janë të dënuar të riprodhojnë vazhdimisht poshtërimin dhe gjendjen e tyre jonjerëzore. Ata, edhe pse aspirojnë të bëhen pjesë e shoqërisë së bardhë, ndryshe nga indianët, dhe ndjekin e imitojnë sjelljet e europianëve, prapëseprapë e kanë të pamundur të dalin nga gjendja e varur e miturisë për t’u ngritur në kushtet e subjektit madhor të qytetërimit :

« Edhe kur [zezaku] fiton lirinë, pavarësia e re i duket shpesh një barrë më e rëndë se vargonjtë e skllavërisë ; zaten, tërë jetën e kanë mësuar t’i bindet gjithçkaje, por vetëm arsyes jo […] Gjendja e tij paraqitet kështu si kulmi i mjerimit : robëria e përçudnon, kurse në liri vdes. »

Horizonti ekstrem i barbarizimit të indianit në takimin e tij me njeriun e bardhë është ai i shfarosjes. Horizonti ekstrem i barabarizimit të zezakut është ai i zhbërjes së pafundme të qenies së tij si njeri : damka e robërisë lë vragë në të, qoftë apo jo skllav. Në të dyja rastet, ajo që luhet te ndarja nuk është dallimi, të qenit i ndryshëm, por vetë cilësia « njerëzore » : fjala nuk është t’i caktohet sekujt vendi që i takon, por te prodhimi dhe problematizimi i papajtueshmërisë radikale mes « nesh » dhe « atyre », ose, me fjalë të tjera, te prodhimi i tjetrit si skandal i patolerueshëm. Vetëdija e Tocqueville-it se situatat dhe kushtet me të cilat ballfaqohej ishin të skajshme, se kishte të bënte me raporte ekstreme, dëshmohet edhe nga vetë fjalori që përdor : zezaku, thotë ai, është i shtypur deri « në shkallën e fundit » të robërisë ; indiani është i shtyrë deri në « skajet ekstreme » të lirisë. Dhe, shton ai i zymtë, « pasojat e robërisë tek i pari nuk janë më të rënda se ato të lirisë tek i dyti ». Fakti që etja « diferencialiste » e indianit është po aq e fortë sa ajo mimetike e zezakut, nuk ndryshon asgjë në thelb : të dy të rënë pa kthim në anën jashtme (të pasme) të qytetërimit demokratik, të dy janë njësoj prè e procesit të papërballueshëm çnjerëzues…

Çdo gjenocid ngre edhe çështjen obseduese të kujtesës së tij. Teksa përmend « gjithë ato fise indiane që banonin dikur territorin e sotëm të Anglisë së Re », Tocqueville vizaton një hartë të katastrofës që, dashur padashur, të kujton atë të Polonisë së Pasluftës të zbrazur nga çifutët :

«  […] narrangsetët, mohikanët, pekotët kanë mbetur vetëm si kujtime në mendjen e njerëzve ; lenapët, që mirëpritën Penn-in këtu e njëqind e pesëdhjetë vjet më parë në brigjet e lumit Delavar, sot nuk janë më. Takova irokezët e fundit, tek lypnin lëmoshë. Të gjithë kombet që përmenda shtriheshin dikur deri në bregdet ; sot duhet ecur mbi njëqind lega në thellësi të kontinentit, pa të gjesh ndonjë indian. Jo vetëm se t’egrit janë tërhequr, por janë vrarë. »

Kujtesa e gjenocidit që përcaktohet këtu, nuk është ajo e momentit të shembjes së qytetërimit, ajo e një atentati kundrejt themeleve e parimeve të tij, por përkundrazi, kujtesa e momentit themeltar. Fjalia e prerë : « [indianët] kanë mbetur vetëm si kujtime në mendjen e njerëzve », është e pandashme nga vërejtja që e pason në vazhdën e së njëjtës analizë :

« Sa më shumë tërhiqen e vdesin indigjenët, një popull i pamatë vjen e rritet në vend të tyre. Kurrë nuk ishte parë ndër kombe zhvillim kaq i vrullshëm, as shkatërrim kaq i shpejtë. »

Nga kjo pikëpamje, krahasimi mes tablosë së Amerikës pa indianë dhe asaj të Polonisë pa çifutë vlen vetëm në nivelin përshkrues. Gjenocidi indian ka si veçori karakterin procesual ; është i zgjatur në kohë dhe përbën elementin ekstrem të kolonizimit gradual të hapësirës amerikano-veriore nga qytetërimi i bardhë. Në kontrast me të, judeocidi karakterizohet nga beftësia, nga karakteri paroksistik, që shkon pothuaj deri në mohim të kohës historike. Gjenocidi indian rrënjoset në thellësitë e kujtesës si një « mynxyrë » e pambarimtë që mbyllet me zhdukjen e fiseve dhe të qytetërimit parakolombian në Amerikën e Veriut. Gjenocidi i kryer nga nazistët mishëron deri në kulm atë karakteristikë dalluese të katastrofës moderne, që duket se kondensohet në një shpërthim të rrufeshëm dhune përhiçësuese, ku rrjedha e kohës duket radikalisht e ndërprerë – karakteristikë që e gjejmë akoma dhe më të theksuar tek apokalipsi bërthamor (Hiroshima dhe Nagazaki). 

Përshpejtimi dhe kondensimi i kohës së katastrofës në një « çast » përhiçësues është prirja gjithnjë e më e theksuar e formave të përsëritura të saj, qysh prej shkatërrimit të indianëve. Tocqueville-it, që habitej me « një shkatërrim kaq të shpejtë », s’i kishin parë gjë sytë akoma.

Por, mbi të gjitha, vërejtjet e Tocqueville-it na tërheqin vëmendjen drejt një dallimi themelor mes një figure të katastrofës që ndodh në zanafillat e qytetërimit demokratik, dhe atyre të shekullit xx që shpërthejnë në qendër të tij : dhe para së gjithash Aushvicit. Tocqueville nxjerr qartë në dukje lidhjen dialektike të pandashme që përbashkon shkatërrimin e popullsive indiane me « zhvillimin » e njëkohshëm të qytetërimit të bardhë, ku katastrofa indiane « ushqen » në njëfarë mënyre shtrirjen dhe zgjerimin e qytetërimit europian në Amerikë. Pa qenë gjithsesi apologji e pushtimit të bardhë, pa qenë tregim i udhëzuar nga ndonjë teleologji e mbështetur në paragjykime raciale apo me alibinë e demokracisë, parashtrimi i katastrofës indiane nga Tocqueville nxjerr në dukje aspektin thellësisht dialektik të saj : vdekja e indianit – sikurse ndodh shpesh edhe në filmat western – tregohet domosdoshmërisht si « negativi » i shpalosjes së parimit të një qytetërimi të ri dhe madhështor. 

Aushvici, si katastrofë brenda-qytetërimore, qëndron i gdhendur në zemër, në vatrën qendrore të historisë dhe të qenies sonë. Kurse gjenocidi indian, ashtu siç e përshkruan Tocqueville-i, zë një pozicion shumë më ambig. Për sa që përkon me « zanafillat » e qytetërimit demokratik, pozita e tij është njëkohësisht jashtë dhe brenda : i pandashëm nga fillesat e tij, por më i hershëm se realizimi i mirëfilltë. Shkatërrimi i indianëve paraqitet në njëfarë mënyre si të ishte një vrasje rituale, si ai flijimi i fundëm dhe i domosdoshëm (i pandashëm nga momenti themelues), nisur nga i cili qytetërimi demokratik mundet të shpallë premtimin e një rendi të ri politik ku, pikërisht, vrasja rituale është tanimë e ndaluar. 

Në këtë pikë del akoma dhe më i mprehtë dallimi mes katastrofës indiane dhe gjenocideve të shekullit xx : veçoria e parë e tyre është se, pikërisht, ata kurrë nuk janë origjinë apo mjet i asgjëje, nuk janë prag i shpalosjes së asnjë kulture, nuk lajmërojnë asnjë ndryshim a epokë – janë veç shembje, ndërprerje e përhiçtë e rendit të gjërave, shtrirje e barbarisë që vetëm kapërcen pa mbarim kufijtë e vet. Te përshkrimi i Tocqueville-it, gjaku i derdhur indian ruan sidoqoftë atë vlerën ambige të plehërimit të qytetërimit europian në shtrirjen e vet ngadhnjyese. Por gjenocidet e shekullit xx, jo vetëm e përjashtojnë çdo mundësi të transfigurimit të masakrave në përmbushje e realizim të pritjeve dialektike, por për më tepër i bëjnë qëndresë çdo lloji mëtimi për t’i paraqitur ato qoftë edhe vetëm si « pjesë përbërëse » të një procesi zhvillimi, të shpalosjes së një lëvizjeje përfshirëse, të një parimi universalizimi, etj. Madje nuk arrijnë më të figurojnë as si pjesë e skenarit tradicional të ekspansionit të fuqisë. Hannah Arendti e ka treguar në mënyrë bindëse sesi ato, edhe në rrafshin e vetë praktikave totalitare, paraqiten si pengesa fantazmatike në procesin e ekspansionit – si për shembull kur potenciali intelektual sovjetik metamorfozohet në « nenin 58 », apo kur persekutori nazist, në pikun e luftës, i djeg skllevërit në furrë në vend që t’i përdorë për punë të detyrueshme.

Tocqueville i rikthehet me ngulm veçantisë katastrofike të takimit të qytetërimit europian me banorët amerindianë. « Zakonisht, thotë ai, në rrjedhën e Historisë, ajo që jemi mësuar të shohim » janë ose raste « popujsh barbarë që ngrihen gradualisht, me forcat e tyre, deri në stadet e larta të qytetërimit », ose raste pushtuesish barbarë që « herët a vonë u hapnin njerëzve të qytetëruar dyert e sarajeve », ndërkohë që « këta të fundit, në këmbim, u hapnin dyert e shkollave »… Me pak fjalë, në një formë a në një tjetër, rregulla e shkëmbimeve mes barbarëve dhe të qytetëruarve ka qenë përherë nën shenjën e barazisë. Ndërsa, me mësymjen e qytetërimit europian në Amerikë, duket sikur rregulla tradicionale e mësipërme jo vetëm zhbëhet, por funksionon me kah të kundërt : takimi mes dy poleve nuk përkthehet më në shkëmbim barazues, por në shkatërrim pa mbetje :

« Fatkeqësia e indianëve ishte se ranë në kontakt me popullin më të qytetëruar, dhe do të shtoja : më grykës, të globit, ndërkohë që vetë ishin ende gjysma-barbarë. »

Në fillesat e qytetërimit të ri, Tocqueville konstaton kështu gjurmët e një thyerjeje të përgjithshme që prek nyjen e raportit mes « barbarisë » (si qytetërim i pakryer, belbëzues) dhe qytetërimit, si dritë dhe si fuqi përparuese. Qytetërimi nuk e tërheq më « barbarinë » në gjurmët e veta, por e shkul atë, e zhduk, i fshin gjurmët dhe i zapton vendet. Ç’premton një thyerje e tillë zanafillore për sa i takon shpërthimit të mëpasëm të dhunës ekstreme, mënyrës se si do të përbrendësohet ajo në shekullin xx, për t’u sendërtuar si katastrofë totalitare ? 

© Alain Brossat. Përktheu nga frëngjishtja Orgest Azizi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading