Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Revoltë

ZGAVRA GJENERACIONALE

shkruan Drenush Drenushi

Na tregoni si ta dëshmojmë nxjerrjen e një syri ditën për diell në mes të bulevardit. Në imagjinatën time kokërdhoku i djalit që u godit brutalisht u rrotullua mbi bulevard dhe u mbështoll njëlloj me hi me topthat e plumbave të gomës dhe saçmeve që u gjuajtën syve të njerëzve. Me siguri që duhet të jetë mbledhur hajdutçe prej policisë, gjatë mbrëmjes, kur e verdha e tuhaftë e dritave anësore të bulevardit, vjell gjithë pikëlimet mbi zhavorrin monument kulture mbijetese të trotuareve monument trashëgimie kulturore.

Askush nga ne nuk mund ta dijë se ku ka përfunduar kokërdhoku i tij, dikur i lidhur me fije gjaku pas zgavrës; i rrotullueshëm, i tyltë, para se të shkallmohej përbrenda prej një sendi gjithaq sferik. Ajo kokërr syri nuk e përthyen do dritën tani, për të parë terrorin e njollës së mbetur të gjakut që fshiu rrëkaja e ujëhedhëses. Ajo ndoshta ka rrëshqitur poshtë dorezave të zeza që veshin duart e një punonjësi policie, i është ngjitur mishit të pëllëmbës dhe do të kaplojë trupin e armës së tij që do të shtjerë mbi një sy tjetër sot, nesër, ose pasnesër, dhe do të shohë me kushedi çfarë perceptimi që nuk do të mund ta mësojmë kurrë, se për atë vertikalitet policor, heshturazi përmes urdhrit të dëgjueshëm, ka ende sy që duhen nxjerrë dhe gropa që duhen hapur. Asaj i ka mbetur veç kujtesa e zgavrës.

Tek “Krishti ndaloi në Eboli”, Karlo Levi përshkruan sytë e disa personazheve, që tani i mbaj mend si fëmijë, në thelb një metaforë e jashtëzakonshme për sytë gjeneracionalë që kanë dëshmuar kohët e një populli. Zgavra e vetmuar, e larë në gjak dhe e dënuar të ruajë në muret e veta prej mishi valët e britmave të dhimbjes së të zotit, është zgavra gjeneracionale e shqiptarëve që po gjymtohen në shesh.

Zgavra e tij u kap me shufra të padukshme metali dhe u bë zgavra e pasqyrës së kamerës që po e filmonte teksa gjysmëhidhej në dhimbje, gjysmë i ulur, i kapur prej krahëve nga duart e njerëzve që u mpinë prej dridhjes së tij, që po përpiqeshin ta qetësonin, ta përkëdhelnin atë dhe zemrën që po u dridhej me fjalët të llojllojshme: të gjitha të përligjura, të gjitha të vlefshme – duke u kthyer në zgavrën gjeneracionale të çdo njeriu që e dëshmoi, në zgavrën e të gjithë shqiptarëve, një portret për një epokë: fytyrë simetrike e revoltës së dhunuar në thjerrën e syrit të djathtë dhe një drite syri të ganduar deri në gjak në gropën e syrit të majtë – mishërimi i parmë dhe i fundmë i natyrës së vetme të çdo sistemi shtypës që e konfirmon vetveten duke të lënë të jetosh me vdekjen në trup.

Mbi Tiranë, hëna e gropët nis të hedhë dritë mbi gjasme sheshin “Skënderbej”. Lukuni policësh vërtiten pa strategji, veç me qëllimin për të bërë keq, për të lënduar, dhe derdhen mbi studentë, burra, gra dhe fëmijë – të armatosur me mastapë gome dhe shishe me spray djegës, që nuk e kursejnë, as për gazetarët dhe operatorët mbi fushat përqark stadiumit Dinamo, kufomës së dashur atletike të kryeqytetit, po ashtu një gropë, ku me gjasë do të çonte policia protestuesit për të pritur shoqërimet e tyre në komisariat në ndonjë roman distopik. Kamera vazhdon të regjistrojë. Ekrani i saj është i mveshur, dritat që shfaq janë të ujshme, gati si lotë me ngjyra të bardha, të verdha e të kuqe. Gazetaria dëgjohet ndërsa pyet operatorin është apo jo mirë. I ofron mirë. Kokërdhoku i Erjonit e dëgjon nga diku prej ndërgjegjeve të nëndheshme të duarve të policëve që e kanë futur në një kuti me plumbat e tjerë. Ndoshta arrin t’i shikojë ato fjalë që mërmëriten brenda banorëve të së tashmes, se protestat duhet të kishin nisur më herët.

Ndërkohë, zonat më periferike të qytetit, rroshponja të vetmisë dhe skamjes urbane, bëhen atdheu epicentrik i trupit të një burri pa flokë që dergjet a thua se bosh në këmbët e policëve që kanë humbur arsyen dhe që e godasin teksa pa ndjenja lëshon zë që me zor dëgjohet: ai është një njëri i zgavërt, i kequshqyer, që nuk provon dashuri sociale, që keqadministrohet prej kallëzave të emblemës policore, qepur në krahët e uniformës së forcës. Dhuna mbi të shfrenohet dhe nxjerr zbuluar shterpësinë e ligjit. Një tjetër gazetar e filmon policin që vazhdon ta rrahë me shkop gome. Mishi i nxirë i burrit pa flokë është konventa e fundit muskulore që mban bashkë dinjitetin që nuk mund ta humbë, që nuk ia vjedh dot askush, asnjëherë, dhe mbi të nis të shkruhet një gjuhë e re, por e njëjtë frikë, dridhme sociale.

Realitet individuale të banorëve të Tiranës janë përmbysur. Koha është kthyer në gufallën e historisë së kësaj ditë. Kokërdhoku i djalit në shesh, që një emër e ka, kërkon një rrugë për në spital. Ambulancat janë të thyera. Lëshojnë gaz. 

Kokërdhoku udhëton mbi hartën e kurrizit të djegur, përmes ekraneve të telefonave tanë, tëndit, që je duke lexuar.

Atëherë zgavra gjeneracionale nis të zgjerohet, të erret, dhe të zbulohet. Ajo vazhdon të gërryeje e të gërryejë, shpërfaq.

Në syrin e dikurshëm të Erjonit shquhet jeta e dhunshme e shqiptarit të këtyre tridhjetë viteve, e atij që iku, që mbeti, që nuk u largua dot edhe pse donte.

Tani zgavra është përkthyer. Shqiptari alternativ nis të dyshojë. Mos ndoshta kompromisi i tij ka qenë për hiçmosgjë. Mos ndoshta ka zgjedhur kot t’i shërbejë kaq ngushtësisht frikës. 

Nuk ka asnjë art që arrin ta shkrijë universalitetin e shëmtisë së jetës shqiptare që qëndron si ujë i qelbur brenda gropës së syrit të Erjonit. Kjo është dhoma e vetme e hapur e Galerisë Kombëtare të Arteve, ky është pavijoni më i vërtetë i Shqipërisë: Një qelë nën zgavër. 

Një bienale e madhe e shpërdorimit të kontratës sociale: një rishesh i salduar me pikësin që shkrin saçmat e shpërndara në shesh: një gjuhë e re që përcakton përfundimisht këtë kohë, një springj që e lidh kohën me një siguri të re se katarakti është bërë i pamundur.


(c) 2026 autori. Të drejtat janë të rezervuara. Imazhi është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading