Worlds like violence break the silence
Come crashing in into my little world
Painful to me, pierce right through me
Can’t you understand?
shkruan Drenush Drenushi
I dashur iPhone notes 🙂
Ne jemi një gjeneratë të rinjsh shqiptarë me pak shpresë. Kjo duhet mbajtur parasysh që në krye të herës: për të thjeshtin fakt se në mungesë të një infrastrukture sociale normale, ne jemi rritur dhe jetojmë vetëm në kategori morale. Dhe shpresa është kallëzuesi i fundit moral që na ka mbetur.
Nëse do të ishim rrëfenjë, këtë rrëfenjë do ta nisja prej klasës së katërt, atëherë kur tekstet e lëndës së historisë ia nisin të na tregojnë më thellë për shtetin dhe përkatësinë. Rrëfenja jonë është kjo histori e shtrembëruar e përkatësisë sonë brenda shtetit. Brenda librave të historisë së klasës së katërt mbretërojnë (nuk e di për tani) rrëfenjëza të drunjta për perandori dhe federata që e kanë bërë botën të rrotullohen. Mbasandaj, pas çdo viti këtyre rrëfenjave u shtohen hyrje të reja, trupi i bymehet prej planesh e të prerash zigzage të dëshmive historike dhe fundi është habitshëm, por për habinë e askujt, i njëjtë.
Gjenerata ime në klasë të katërt i ka patur punët shumë keq me lëndën e historisë. Kur vështroj prapa në kohë tani, them se turfullimi i përgjithshëm kur vinte ora për ta mësuar lidhej me paaftësinë e mësuesve në klasë dhe të prindërve në shtëpi për të na zbuluar njeriun brenda historisë.
Mbreti diell, Rusvelti, Theçeri, ai-që-nuk-duhet-përmendur, etj: të gjitha figura të mëdha, të ngrira, të futura në kajmak të athët brenda qivuresh druri e xhami, relike të një të shkuare me probleme të së tashmes. Gjithçka që donim, gjithçka që na nevojitej ishte të kuptonim thjesht se ka një lugë dhe diçka poshtë kajmakut.
Pastaj u rritëm dhe ia nisëm të mësonim historinë e vendit tonë. Në fillim atë të vendlindjes. Klasa e pestë. Përpjekje e lezetshme për të akademizuar për kalamajtë e klasës së pestë gjithë indin sukulent të realitetit të së folmes, asaj që na ka mbetur ta vështrojmë brenda gjuhës së shtëpisë, brenda asaj bote imëtake që shfaqet në kujtimet etnografike të librave të vendlindjes që janë kujtimet e gjyshërve të vdekur.
Kur zuri të zhvillohej historia e Shqipërisë, ajo e standardizuara e 9-vjeçares dhe gjimnazit, e mjelë prej veprave të Kristo Frashërit, apo të tjerëve bashkë-ndoshta-kohës, aty rrëfenja merr të tjera përmasa. Si galeri pasqyrash, çdo epokë na paraqitej si rrjedhojë e thjeshtë e të tjerave, ose si fat mjeran i përcaktuar prej fuqive gjithmonë më të mëdha se ne. Historia na është treguar si një epos i ngurtë gjakflijimi dhe dhelpërie. Thuajse fare mund nuk u shti për të na përshkruar jetën e përditshme të njerëzve. Është e mundur se po t’i thuash një fëmije në klasë të tetë ose të nëntë se fashizmi, ose nazizmi, që s’dolën ndonjëherë prej modës, janë sisteme të këqija se e gënjejnë njeriun të mendojë se vuajtja e tjetrit është e mirë, dhe kësaj t’i kushtosh një faqe, jo vetëm pesë rreshta – do ta kuptojë më mirë, se sa t’i shpjegosh për strategji lufte, apo t’i hedhësh në hava emra betejash, si imperativë që shenjojnë dështimin, a suksesin. Historia na është brendësuar si dështim apo sukses. Suksesi i njërës palë do të thotë dështim i tjetrës. Në përpjekje për ta pikturuar historinë si murale, atë na e varën mbi kokë vetëm si kupolë.
Pastaj, historinë e së tashmes nisën ta gjallonin fëmijë të rinj, te veshur me teshat e klisheve, të pajisur me mendimet politike të prindërve të tyre rrogëtarë. Gjatë rrugës iu vërvitën data konferencash, epoka të errëta komuniste, me njerëz të këqij dhe histori uniforme divanesh me biblioteka brenda. Na u tha herë me lezet e herë pa lezet se hajrin s’kishim për ta parë prej shkollës, se kategoria shoqërore që mbirregullohet është ajo e njerëzve të mençur që lezetin jetës ia provojnë tek shkathtësia. Shkathtësia, kjo normë monarke e imagjinatës sociale të shqiptarëve të vegjël të tranzicionit post-2000.
Bota e fëmijëve të vegjël – mbi idealin e acartë të arsimit dhe librit, iu mbingrit një perde nënvetëdijesh sistemike “perlash” kategorish sociale, humanitetesh kontradiktore bashkëjetuese, ku pederastët e filologjive janë kamarierë të çunave të fortë – nisi të banohej prej këtij qytetari të njomë: fëmijë me identitet partiak të familjes, me referenca kulturore të xhaxhi Piktorit dhe me identikite morale pragmatiste. Kompromis, të dashur fëmijë. Kompromis.
Ngadalë, në një peizazh urban që lexohet çdo ditë e më shumë si një videokasetë kujtimesh me pikselë të grurëzuar, dëshmi e asaj që humbim, nisëm të përballeshim me qytete rekuizita, sisteme rekuizita, fjalë rekuzita. Betimet thuhen për t’u thyer. Ndjesitë janë të vrullshme, fjalët janë triviale. Kënaqësia mbetet, po ashtu dhimbja. Fjalët janë të pakuptimta dhe të asgjëshme. Në këtë kulturë raportimi shoqëror dhe urban, jemi krijuar dhe jemi ekspozuar: në përballje të pandërprerë me mendimin e ndërprerë dhe me fasada njëngjyrëshe. Ambienti ynë social i trashëguar është dikotomia e vlerave të mësuara dhe e atyre [xixa] të implementuara [xixa], që mund ta quajmë edhe një laborator i mbarështimit të njerëzve që mendojnë mbi dy binarë: teoria dhe praktika. Fëmijë shqiptarë të tranzicionit të vonë me tatuazhe moniste (?).
Tekembramja. Mendimi i ndërprerë mund të ekzistojë vetëm mbi këta binarë.
Rrëfenja vazhdon me leksik të tkurrur. Përgjithësisht, fëmijët kanë përthithur ato struktura mendimi dhe fjalosjeje që u janë paraqitur në p-r-o-g-r-a-m-e-t dhe e-m-i-s-i-o-n-e-t televizive: një thes me 21 fjalë. Tabor komunikimi. Kjo ta bën bashkëbisedimin, hmm, disi të vështirë. Përgjithësisht bashkëbisedohet mbi dy premisa: 1. Kur ke interes dhe 2. Kur je në pozita të barabarta.
Zemër.* Ne nuk kemi qenë ndonjëherë në pozita të barabarta. Por, hej!, gjithçka e kemi aq të copëzuar brenda vetes sa nuk mund ta elokuojmë pabarazinë e rrethanave tona, ndoshta e artikulojmë. E sigurt është që e jetojmë përmes mungesës së interesit. Nuk po gjejmë dot as gjuhë zyrtare që të mund ta shpërfaqë këtë modus operandi të të punuarit sa për një kothere bukë.
Kam dalë për të protestuar këto ditë. Do të vazhdoj ta bëj. Më shqetëson dhe dhemb që me dhjetëra të rritur më të rritur se unë, na quajnë huliganë mua dhe bashkëmoshatarët e mi. Ne nuk jemi huliganë! Ne jemi brezi produkt i një rritjeje nën trysni sociale dhe politike me aktorë politikë të pazëvendësueshëm, që në thelb përfaqësojnë gabimin më të madh të brezit të prindërve tanë. Ca na akuzojnë se jemi “injorantët e dobishëm” të kauzave të të tjerëve. Pse është kaq e vështirë të kuptohet që ne jemi në thelb, një brez i pakënaqur me shenjuesit shoqërorë, i ngulfatur prej propagandës partiake dhe i papërmbushur në nevojat tona për dije dhe arsim. Unë nuk bëj dhunë. Nuk e bëj dot. Andaj protestoj me prani, me zë dhe me bidona me ujë fiziologjik për këdo që mes gazit lotsjellës heq keq. Por, të jem i qartë. E kuptoj në rrënjë pse kemi vajtur tek dhuna.
Jemi kopsitur prej vogëlisë me ide skematike, por çdo ditë na shkopsit përvoja nga afër me punonjës, titullarë dhe shtetarë që u dallohet në artikulim varfëria e mendimit kritik, mungesa e theksuar e njohurive profesionale dhe sjellja e butë që në më të shumtën e herëve, ballafaqimi sadopak me dijen ta shenjon.
Jetojmë në një qytet që s’është yni, që as nuk e vizitojmë dot si turistë, që për t’i rënë shkurt: është shumë i shtrenjtë në çdo kuptim për të na pranuar. Djegia e sulmimi i institucioneve publike është rimarrja e kësaj të drejte mbi të përbashkëtën, që në përditshmëri as nuk e perceptojmë. Dhunimi i institucioneve publike do të thotë: nëse ne si rini, nuk mund ta gëzojmë qytetin duke jetuar me nder, mos e gëzoftë askush. Në daç ju pëlqeftë, në daç jo, ky është përkthimi. Sipas mendjes time Gen-z.
Në mënyra të ndryshme, ky vend të gjithëve na ka lënë në baltë. Dhuna është përgjigja ndaj vetmisë dhe dëshpërimit që ndiejmë ballë shurdhësisë de facto ku zhyten perspektivat tona. Idetë tona. Kërkesat tona. Pretendimet tona. Jemi boll të zgjuar sa për t’i patur.
Unë vështrohem si idiot sa herë diskutoj në parim, sa herë konstatoj një gabim në strukturën e funksionimit të gjërave në mjedisin ku dhe mes njerëzve me të cilët jetoj. “Pse s’e di ti, si bëhen gjërat këtu?” E di, por nuk e pranoj. S’kam ndërmend ta pranoj. Dhe e di se njëjtë si unë ka dhe studentë të tjerë. Është veçanërisht e trishtë ta kesh të qartë se të qenit “drejt e drejt” është të jesh fije e dobësuar në një thurimë nyjesh të ngatërruara. Por nuk më bën dot njeri fije të dobët. Në asnjë kohë. Këtë e them me përgjegjësi: në masë, brezi im është i ndërlikuar, i trishtuar, i indoktrinuar, por kemi po në masë një kuptim tjetër për lirinë dhe dinjitetin. Tjetër prej këtij që jetojmë.
Gjithë ç’desha. Gjithë ç’pata ndonjëherë nevojë është këtu në krahët e mi. Fjalët janë shumë të padobishme. Ato veçse bëjnë dëm.
(c) 2026 autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.