Një kronikë shqiptare për pasurinë, dukjen dhe krizën e klasën –
Nuk ka më dyshim që Shqipëria e pas viteve ’90 ka prodhuar një brez të ri “aristokratësh”. Jo nga ata që vijnë prej brezash me histori, edukatë, apo kontribut në jetën kulturore e shoqërore të vendit.
Jo.
Po flasim për një aristokraci të improvizuar, të lindur në gjirin e kapitalizmit të egër dhe të ushqyer me lekë të shpejtë, kontrata me nënshkrim të fshehtë dhe “sukses” që as vetë nuk dinë ta përkufizojnë.
Këta janë katundarët që u bënë pasanikë dhe po përpiqen, me çdo kusht, të duken aristokratë.
Fjala katundar nuk ka të bëjë me origjinën gjeografike, dhe ky nuk është një shkrim për fshatin.
Ky është një shkrim për mentalitetin që vjen nga mungesa e kulturës, edukatës dhe klasit, një boshllëk që, në Shqipëri, po mbulohet me ar të rremë, Range Rover të zinj dhe restorante me emra italianë, ku menyja ka më shumë gabime se një detyrë diktimi në klasë të katërt.
Nga kazani te kantina e verës, me një selfie në mes
Katundari i pasur i sotëm shqiptar është një fenomen në rritje. Ai nuk ecën më në rrugë, ai “parkohet”. Nuk flet më, ai “merr pjesë në panele”.
Në vend që të ulet e të dëgjojë, ai “inspiron”. Po mbi të gjitha, ai s’ka më shokë, ka “followers”.
Ky transformim, nga anonim në Instagram-influencer, nga “çun lagjeje” në “sipërmarrës i suksesshëm”, ndodh rrallëherë përmes edukimit dhe punës së ndershme. Më shpesh ndodh me një tender, një trokë në derën e duhur, ose një lidhje që vjen nga ndonjë krah i errët i politikës. Por kjo nuk është më problem.
Në Shqipëri, rezultati mjafton për të justifikuar rrugën. Mjafton të kesh “vila me pishinë” dhe askush nuk të pyet se si i ndërtove muret , për aq kohë sa poston story nga ballkoni.
“Zhurmë, por pa finesë”
Dikur kishim Fjalën e Nderit, sot kemi llogarinë bankare. Dhe kjo aristokraci e re shqiptare është aq e pangopur me vetveten, sa nuk e vëren më groteskun ku noton.
Një darkë “elitarësh” ku diskutohen kriptomonedhat, ndërkohë që asnjëri nuk e ka lexuar një artikull të vetëm për ekonominë reale.
Një studio televizive ku flitet për etikën në biznes nga dikush që ka mbi tre denoncime për mashtrim.
Një event “kulture” ku flitet për librin nga njerëz që nuk thonë dot as tre fjali pa u ngatërruar me gramatikën, edhe pse ua kanë bërë gati të tjerë tekstin.
Por thelbi është ky: është më e rëndësishme të dukesh, se sa të jesh. Ky është modeli që po eksporton Shqipëria e re.
Nuk është çudi që të rinjtë shohin më shumë drejt TikTok-ut sesa drejt universiteteve.
Nuk është çudi që një valixhe e mbushur me euro bën më shumë zhurmë sesa një doktoraturë. Në fund të fundit, po jetojmë në një realitet ku diploma nuk është më pasaportë për t’u dëgjuar, por numri i ndjekësve është.
“I pasur, por me mentalitet varfërie”
Pasaniku katundar nuk është i keq sepse është i pasur. Është i rrezikshëm sepse nuk ka reflektim për pasurinë e vet.
Ai nuk mendon për të mirën e përbashkët, por vetëm për “brand-in” personal.
Ai nuk kontribuon për komunitetin, ai kontribuon për imazhin.
Jep donacione jo për të ndihmuar, por për t’u përmendur në media. Mban fjalime për “suksesin” në shkolla ku s’ka hyrë kurrë vetë. Dhe flet për “ëndrrën shqiptare”, kur gjithçka që ka arritur, është bazuar në rrjet klientelist, jo në meritokraci.
Ka para. Ka makina. Ka orë që shkëlqejnë në dorë. Por kur hap gojën, të kthen në vendin nga ka ardhur, jo gjeografikisht, por mendërisht.
“Aristokracia e vërtetë nuk ka nevojë për reklama”
Nëse aristokracia dikur shquhej për kontribut, klas dhe edukatë, sot kemi një karikaturë të saj. Një variant i amplifikuar i mentalitetit të vogël, i fryrë me kredi dhe pishina të pa mbaruara.
Janë “elitë” që nuk lexojnë, që nuk pyesin, që nuk u intereson historia, arti, zhvillimi, por vetëm sa euro të tjera mund të shfaqin në rrjet.
Janë figura që bëjnë gjithçka për të mos u dukur siç ishin, pa e kuptuar që në përpjekje për t’u larguar nga vetja, janë bërë grotesk i vetvetes.
Në një vend ku pasuria e shpejtë ngjitet në majat e respektit publik pa kaluar fare nga stacioni i etikës, nuk është çudi që katundaria e pasuruar të frymëzojë më shumë se çdo mësues, shkrimtar apo studiues i vërtetë.
Kështu është kur katundari bëhet pasanik aristokrat.
Nuk është vetëm një histori personale. Është një pasqyrë kombëtare.
Dhe për fat të keq, nuk është më as komedi. Është dramë. Dhe të gjithë jemi pjesë e kastit.
(c) 2026 Flora Skëndo. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi i kopertinës është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.