Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Kujtime

FURRA

Kur erdhi nuse nga Tirana me fustan të bardhë mëndafshi dhe kaçurrelat e krehura sipas modës së viteve ’40, ime gjyshe, nuk mund ta dinte se në atë godinë dy-dhomëshe në fund të kopshtit, një dhomë e së cilës shërbente për të pritur e përcjellë njerëzit, ndërsa tjetra për të mbajtur drutë dhe për furrën e madhe të pjekjes, në atë zjarr të avashtë që piqte tavat, do të digjeshin dalëngadalë edhe vitet e jetës së saj.

Dikur kishte ëndërruar të behej mësuese. Por pak vite pasi u martua, kur të kunatin e plasën në burg për politikë dhe të shoqin, pasi e pushuan nga puna në Normale, në fillim e çuan punëtor në bonifikim, e me pas në një fshat në majë të malit, nuses së re iu desh t’i hidhte në kosh ëndrrat bashkë me të kuqin e buzëve, dhe t’i vinte shpatullat punës për të mbajtur familjen.

Ajo nuk u ankua. E mori jetën siç i erdhi.

Banorëve të lagjes që e shihnin në turravrapin e përditshëm nga shtëpia te furra dhe anasjelltas, do t’u mbetej në mendje bukuria e saj ditën kur erdhi nuse, ndërsa do t’u hapte portën buzëqeshja saj që zbuste edhe gurin.

E ndodhur në mes të rrugës nga xhamia deri te unaza e jashtme e qytetit, në fund të rreshtit të dyqaneve që qenë ndërtuar në ish-kopshtin e shtetëzuar të shtëpisë, furra nuk ishte thjesht një furrë. Ajo ishte një tempull ku, në vend të erës së temjanit, vinte erë tavash të pjekura, dhe ndryshimet social-politike të vendit pasqyroheshin në metamorfozën e një larmi gastronomike të hatashme.

Në fillim, aktiviteti i furrës ishte gjysmë privat. Lagjja banohej kryesisht nga banorë myslimane që festonin me përpikmëri e sipas adetit të gjitha ditët e shënuara.

Pas kohës së vështirë të triskave të luftës, kishte ardhur një kohë bollëku. Mishi mund të gjendej në treg pa racion dhe njerëzia mund të blinin e të thernin ndonjë qengj a ndonjë kec, qumështi e gjalpi gjendeshin pa problem, pulat dhe gjelat e detit bridhnin të lira nëpër oborre, vezët qenë të freskëta, ritet fetare ishin të lejuara , dhe furra në ditë festash rrinte plot.

Por me kohë, kur feja u ndalua dhe xhamia u kthye në një grumbull rrënojash që u dergjën për një kohë të gjatë, deri kur u zëvendësuan nga një pallat, tavat e mëdha me bakllava e tavat me mish qengji për ditë bajrami u zhdukën dalëngadalë dhe, më vonë edhe byrekët me 12 barëra për natë novruzi, ndonëse, duhet thënë se këto të fundit, ashtu gjysmë fshehur, vazhduan të piqen për një kohë të gjatë. Amvisave u duhej të kapeshin diku, dhe një byrek në dukje i pafajshëm, nën të cilin, në darkë, në tavolinë do të fshihej një monedhë, ngjallte shpresën se të paktën njërit nga anëtarët e familjes atë vit, do t’i printe fati.

Ndërkaq, furra ishte shtetëzuar. Në shkëmbim të pagesës, gruaja e furrës duhej t’i jepte tavësjellësit një biletë, dhe këto t’i dorëzonte më pas në zyrat e shtetit.

Dikur, njëri nga fqinjët i la një monedhë mbi syprinën e zezë të furrës dhe nuk e mori biletën. E zënë me punë, ajo nuk i kushtoi vëmendje, po i shoqi që rastisi aty e pa, vrapoi pas fqinjit, i zgjati biletën dhe, ashtu serioz e i rreptë, e parimor siç ishte, iu kthye së shoqes:

–            Kij mendjen. Nuk duam lëmoshë.”

Bollëku me tavat, vazhdoi edhe për disa vjet. Bakllavaja e ditës së bajramit u zëvendësua me bakllavanë e vitit të ri, dhe mishi i qengjit me gjelat e pjekur. Tavat me kos e me pestil dhe në pranverë ndonjë tavë me kumbulla të tharta, vinin të gatuara, siç duhet me mish qengji. Te dielave, pothuaj rregullisht vinin bukëzaret.

Megjithatë, një sy i mprehtë mund të vinte re, se radhët në dyqanet ngjitur me furrën kishin filluar të zgjateshin, dhe nuk ishte fort lehtë të gjeje mish, qumësht e djathë.

Në fshatra kishte filluar tufëzimi.

…………………………………………….

 –           Ndal!
–            Pse?
–            Ku shkon?
–            Në furrë!
–            Në emër të popullit …..

Gruaja ngrin një hop. Ndodhet në sallonin katror të shtëpisë, në vrap e sipër për në furrë. Zëri vazhdon të flasë për diçka që ka lidhje me një arrestim. Gruaja përmendet. Rrotullohet mbi thembra dhe kthehet mbrapsht. Mendon se dikush po i bën një lojë. Thërret emrat e fëmijëve. Askush nuk përgjigjet. Pastaj kthen kokën në cepin e dhomës, dhe vë re se dikush ka harruar radion ndezur. Është ora e teatrit. Po luhet një teatër me partizanë që arrestojnë armiqtë e popullit. Gruaja merr frymë thellë shan nën zë fëmijët e saj, fik radion dhe vrapon për në furrë.

Historia do të tregohej për një kohë të gjatë me humor në mbledhjet familjare. Po gruaja e furrës e dinte fare mirë se muret kishin veshë, se fjalët mund të përdridheshin e ktheheshin kundër saj, se jo të gjithë nga ata fqinjët e buzëqeshur që vinin në furrë u donin të mirën, dhe atëbotë, njolla në biografi nuk pyeste për miq e shokë. Ajo mbeti e buzëqeshur por fjalëpak, e sajdishme por e heshtur.

Tani hekurudha kishte mbaruar se ndërtuari dhe pak më tutje, në skajin e fundit të rrugës, aty ku ajo pritej me unazën e madhe ishte hapur stacioni i trenit. Nganjëherë, kur nuk kishte shumë punë, gruaja vështronte nga dera e hapur turmën laramane të udhëtarëve që treni i zbrazte dy herë në ditë, dhe mendonte për Tiranën e saj.

Ndërkohë, familja ishte rritur e shtuar dhe gruaja e furrës me përparësen gjithnjë në brez, dhe kaçurrelat kapur gjithnjë me dy karfica anash, por tashmë të thinjura, ishte bërë gjyshe.

Në këtë botë kisha ardhur unë, e para mbesë e gjyshërve të mi.

Pak dija nga jeta, ato vite kur, e mbështetur në raftin e lyer me ngjyrë të gjelbër që mbështetej në krahun e majtë të hapësirës pranë derës së drunjtë, shihja e mahnitur gojën e madhe të furrës nga e cila gjyshja, me një lopatë të gjatë, fuste e nxirrte tavat që piqeshin .

I shihte me vërejtje nëse ishin pjekur mirë, i spërkaste, nëse duhej me pak ujë, byrekët i kthente të piqeshin nga të dy anët dhe me atë zërin e saj të butë, këndonte nëpër dhëmbë një këngë italiane që i kishte mbetur që nga koha e vajzërisë.

“O campagnola bella
Tu sei la reginella
Negli occhi tuoi c’è il sole
C’è il colore delle viole
Delle valli tutte in fior'”

Pastaj kthehej nga unë dhe ma këndonte në shqip:

“O e bukura katundare
Ti je mbretëreshë dashurie
Në sytë e tu krenare

Vezullon një dritë mirësie
Për ty vjollca çel gjithkund.”

Ndërkaq radhët e njerëzve tek dyqanet bëheshin gjithnjë e më të gjata, ndërsa raftet e tyre boshatiseshin gjithnjë e më shumë. Edhe në furrë tavat ishin më të pakta. Edhe larmia e tyre. Kishin mbetur tavat me mish, ndonëse racionet e mishit në këto të fundit vinin duke u rrëgjuar, tavat me perime të mbushura, ku orizi dhe mishi i grirë zvogëloheshin njëlloj, byrekët dhe patatet.

Furra bashkonte pjesën veriore dhe jugore të lagjes, të cilat ishin, le të themi të populluara nga grupe të ndryshme qytetarësh. Ndryshimet fillonin me ngjyrën e lëkurës e vijonin pastaj me gjendjen ekonomike, punët që bënin, mënyrën e jetesës, madhësinë dhe mobilimin e shtëpive si edhe me praninë, mungesën dhe madhësinë e llokmave të mishit në tavat që sillnin për t’i pjekur në furrë .

Në kohën kur amvisat e pjesës veriore të rrugës u pajisën me frigoriferë, gjë që u pasqyrua në ndarjen e barabartë të llokmave të mishit, që, ndonëse të vogla, siguronin vijimësi të tavave në furrë përgjatë gjithë muajit, ndryshimi mes dy zonave të lagjes u bë akoma më i dukshëm. Kjo sepse, banorët e zonës jugore nuk ia kishin takatin blerjes së frigoriferëve. Kësisoj ata vazhduan për një kohë të gjatë ta hanin mishin ditën që e merrnin, që do të thotë, në ditën e rrogës. Prandaj, pas daljes në skenë të frigoriferëve, llokmat e mishit në tavat e tyre nuk pësuan ndonjë lloj metamorfoze.

Lindi ama njëlloj zilie e dyanshme: nga banorët në jug të furrës për ata në veri të saj, që hanin mish, ndonëse me racion gjithë kohën, dhe anasjelltas, nga banorët në veri të furrës për ata në jug të saj, që zotëronin virtytin e veçantë të mos kokëçarjes dhe të shijimit të jetës, qoftë kjo, edhe për një ose dy ditë.

Ato që i qëndruan kohës dhe vazhduan të vinin njëlloj pavarësisht mungesës së gjalpit e vezëve në treg, mbetën ballakumet e Ditës së Verës. E fundit vdes shpresa, dhe e fundit traditë që u ruajt ishte ajo e shpresës. Qytetit i duhej të mbahej fort pas rrënjëve të tij dhe të ringjallej qoftë edhe për një herë në vit. Shprehja “Të gjatën e motit me zemër të gëzuar !” vazhdoi të shkëmbehej gëzueshëm mes gjyshes dhe fqinjëve te pragu i furrës në ҫdo 14 mars. Nganjëherë, e shoqëruar edhe me ndonjë këshillë si “ hidhi edhe pak miell që të mos të shtrihen shumë, dhe silli prapë” që gjyshja, e cila e kishte fituar tashmë qytetarinë e Elbasanit i jepte tavësjellëses.

Atë dhjetëvjeҫar tavat vazhduan me të njëjtin ritëm. Vetëm se, në vend të druve, për efekt kursimi, përdorej tashmë tallash druri, që vinte nga kombinati i drurit. Tallashi ndizej kollaj, po digjej shpejt, bënte shumë pluhur dhe furra donte mundim për t’u mbushur.

–            Më shkoi jeta mes pluhurit të tallashit. Kur të vdes, mos më sillni lule te vorri. Më sillni një dorë tallash.

Mes pluhurit të tallashit dhe ecejakeve të saj nga shtëpia në furrë dhe anasjelltas, kishte ardhur sakaq koha e ndryshimeve të mëdha të vitit 1990.

Kishte ardhur bashkë me të edhe koha që furra të mbyllej. Atëbotë tregu u hap dhe filluan të vinin furrat e para elektrike.

Gjyshja doli ne pension. Im gjysh kishte ndërruar jetë dhe pas ikjes së tij, koha do të sillte humbje të tjera të dhimbshme për gjyshen time.

Tashmë, ajo do ta kalonte kohën mes punëve të shtëpisë, luleve, e vizitorëve të shumtë të cilët, sapo shkelnin në pragun e shtëpisë i priste gjithnjë pyetja:

– “A të boj nji kafe?”.

……………………………….

Dikur, vite më vonë, kur shkova si zakonisht ta vizitoja, e gjeta gjyshen time duke gatuar.

–            Për kë po gatuan – e pyeta- për kë e ke vënë gjithë këtë tenxhere të madhe?

–            Kam njerëz – më tha duke përzier diçka me lugën e drurit.

–            Cilët njerëz? – e pyeta e habitur.

–            Ja ku janë, nuk i shef? – më tha, duke më treguar kolltukët bosh.

Kujtesën e saj e kishte filluar ta mbulonte mjegulla. Nuk e di cilët nga të dashurit tanë, të gjallë apo të vdekur, shihte rrotull, dhe nëse kjo ia bënte humbjet më të lehta, po atë ditë, pasi e pushtova fort nga shpatullat e rrëgjuara, u ula në kolltuk mes hijeve të saj që nuk i shihja, dhe, ndërsa ajo vërtiste me gëzim lugën e drurit në tenxheren e madhe, vazhdova bisedën sikur të mos kisha vënë re asgjë.

Gjyshja ime iku nga kjo botë dy vite më vonë, një ditë tetori të vitit të fundit të shekullit. I mbeti në buzë një varg i këngës së saj të preferuar.

………………….

Nganjëherë, kur gatuaj në shtëpi, kur hap furrën time elektrike dhe që andej më vjen aroma e tavës së pjekur, e shoh. Përkulet mbi tavë, e sheh me kujdes nëse është pjekur siҫ duhet, pastaj kthen kokën nga unë. Në cep të buzës, i shfaqet një buzëqeshje që më ngjitet në buzë edhe mua.

Është ajo buzëqeshja e saj që zbuste edhe gurin.

(c) 2026 Ajkuna Dakli. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading