Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art

NJË GRUA SI ISABELLA

Është shkruar shumë për Isabella Stewart Gardner-in dhe për muzeun e artit që ajo krijoi. Është shkruar për jetën e saj, për koleksionin e pasur që ajo mblodhi nëpër botë, për pasionet dhe për sjelljet e saj të pazakonta. Por ky nuk është një shkrim mbi çfarë është shkruar për Isabellën.

Është për mënyrën se si unë e pashë atë muze.

Muzeu i quajtur me emrin Isabella Stewart Gardner Museum ndodhet në Boston, Massachusetts të SHBA-së, në lagjen Fenway, shumë afër Muzeut të Arteve të Bukura të Bostonit.

Ky nuk është një muze në kuptimin tradicional të fjalës. I konceptuar në formën e një pallati venecian të shekullit XV, me oborre, kolona, dritare, kopshte dhe dhoma të mbushura me dritë, Isabella Stewart Gardner e mendoi dhe e ndërtoi atë si një shtëpi për të ekspozuar koleksionin e saj të artit.

Pas mënyrës së pazakontë se si është vendosur çdo pikturë, mobilie apo artifakt në atë muze, vizitori vëren praninë e zonjës së shtëpisë. Kështu, shtëpia të shtyn të kërkosh njeriun pas atij koleksioni.

Por, për ta bërë këtë, më duhet të kthehem pas në kohë. Në një Boston tjetër, në atë që quhej, ende quhet, Anglia e Re, në atë Amerikë që po ndryshonte me shpejtësi, ku rregullat e shoqërisë ishin të përcaktuara e ku një grua si Isabella gjeti mënyrën e saj për të frymuar përtej tyre. 

Në një fragment të shkëputur nga gazeta Boston Post i vitit 1897, të titulluar: “Luani i fundit i zonjës Jack”, ku shkruhet: “Zonja e shoqërisë së lartë zgjedh, këtë herë jo një burrë, por mbretin e vërtetë të kafshëve”, një skicë paraqet një grua që shëtit me një luan për dore në ambientet e kopshtit zoologjik të Bostonit. Luani quhet Rex. Nuk ka dhëmbë.

Gruaja është në fund të të pesëdhjetave, sharmante dhe, sipas standardeve të bukurisë femërore të kohës, jo domosdoshmërisht e bukur. Është Isabella Stewart Gardner.

Të tilla sjellje publike nuk ishin të zakonshme atëherë dhe, besoj, nuk janë as sot. Në Anglinë e Re që po lulëzonte përtej oqeanit në atë fund shekulli XIX, jeta shoqërore kishte rregullat e saj dhe një grua pritej t’i dinte mirë sjelljet e ngritura në normë nga ajo shoqëri.

Një grua që dilte në rrugë me një luan për dore dhe që shkonte në koncert me një bandanë në flokë, ku ishte shkruar emri i ekipit të saj të preferuar të bejzbollit, duhej të kishte diçka të pazakontë në sjelljen e saj, një personalitet të çuditshëm, guxim dhe, mbi të gjitha, një ndjenjë të fortë lirie.

Kjo grua i kishte padyshim të gjitha këto cilësi.

Isabella Stewart Gardner lindi në New York, më 14 prill 1840, në një familje të pasur. Në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare u nis për në Paris, për t’u shkolluar. Por ishte udhëtimi në Itali ai që do të linte gjurmë tek ajo.

Në Milano, gjatë një vizite në Muzeun Poldi Pezzoli, Isabella pa për herë të parë nga afër vepra të mjeshtërve të Rilindjes italiane. Vizita i la mbresë.

Shumë vite më vonë, muzeu që ajo do të ndërtonte në Boston do t’i ngjante një përpjekjeje për ta sjellë atë copëz Italie në Amerikë, duke krijuar kështu, në zemër të Bostonit, një botë që ajo e kishte njohur dhe dashur gjatë udhëtimeve të saj nëpër Evropë.

Në të njëzetat, Isabella u martua me John L. Gardner, një tregtar nga një prej familjeve më të pasura të Bostonit. Jemi në fillimin e të ashtuquajturës “Epokë të Artë” të Amerikës, kur ekonomia dhe industrializimi po zhvilloheshin me shpejtësi, e po ashtu edhe pabarazia shoqërore.

Ajo që në fillim u duk të ishte një martesë e bekuar nga fati, shumë shpejt u errësua nga fatkeqësia. Fëmija i parë i Isabellës ndërroi jetë pa mbushur dy vjeç. Mjekët i thanë se nuk mund të bëhej më nënë.

Pas kësaj humbjeje, ajo dhe i shoqi nisën udhëtimet. Për vite me radhë ata udhëtuan nëpër Evropë, Lindjen e Mesme dhe Azi. Vizituan muze, galeri, kisha, pallate dhe ankande.

Në këto udhëtime Isabella u afrua gjithnjë e më shumë me artin. Veprat e mjeshtërve si Rembrandt, Titian, Botticelli, Raphael, do të bëheshin më vonë pjesë e koleksionit të saj, midis edhe emrave të piktorëve tjerë.

Muzeu që Isabella ndërtoi reflekton në një farë mënyre natyrën e saj. Pikturat, mobiliet, skulpturat dhe objektet dekorative janë vendosur nëpër sallat e muzeut dhe në kopshtin e tij sipas dëshirës së saj dhe jo sipas një rendi kronologjik apo një sistemi që i shpjegon vizitorit se çfarë është duke parë.  

Kartelat informative pranë çdo pikture apo artifakti këtu mungojnë.

Mendoj që Isabella nuk dëshironte ta shpjegonte artin, duke ndarë kështu vetëm përvojën dhe shijen artistike të saj. Ndoshta ka menduar që çdo vizitor i cili ndalonte para një vepre duhej ta shihte e të krijonte një marrëdhënie me të, i pandikuar nga emri i autorit apo koha në të cilën vepra qe krijuar.

Është e guximshme, mendoj, t’ia besosh veprën vizitorit pa i ndikuar ata me emra autorësh dhe duke i lënë hapësirë atyre të vëzhgojnë, të ndjejnë, të dyshojnë, ta pëlqejnë ose jo.

Në muzeun e Isabellës, duhet ta gjesh vetë atë që të pëlqen.

Ndërtimi i muzeut filloi në vitin 1899, përfundoi në vitin 1901 dhe u hap për publikun në vitin 1903. Isabella ndërtoi një shtëpi për artin dhe më pas e hapi atë për njerëzit. Jo vetëm për klasën e aristokracisë nga e cila ajo vetë vinte por edhe për njerëzit e thjeshtë. Në testamentin e saj kërkoi që muzeu të mbetej “në shërbim të përhershëm të kënaqësisë dhe edukimit të njerëzve”, por edhe la një kërkesë po aq të pazakontë sa vetë natyra e saj: që pas vdekjes së saj, asgjë nuk duhej ndryshuar në mënyrën se si ishte vendosur koleksioni. Asnjë vepër nuk duhej zhvendosur nga ku ajo e kishte vendosur.

Shumë vite pas vdekjes së saj, historia e këtij muzeu do të merrte një kthesë të trishtueshme.

Në orët e para të 18 marsit 1990, dy burra të maskuar si policë hynë në muze, duke pretenduar se po hetonin një incident. Pasi neutralizuan rojet, ata vodhën 13 vepra arti.

Mes tyre ishin kryevepra të Rembrandtit, Vermeerit dhe Degas. Veprat nuk u gjetën kurrë dhe as autorët nuk janë identifikuar.

Në këtë muze edhe mungesa u bë pjesë e tij. Në Dutch Room, ku ndodheshin disa nga veprat e vjedhura, është një tabelë ku shkruhet “Po, na kanë vjedhur” duke u kujtuar vizitorëve atë ndodhi.

Por a mund të zëvendësohet humbja e një fëmije me art?

Nuk e di nëse arti e shëroi dhimbjen e Isabellës. Ndoshta arti nuk mund të shërojë asgjë. Por mund të të japë një hapësirë ku dhimbja mund të bashkëjetojë me të bukurën, me kuriozitetin, me dëshirën për t’u pajisur me kulturë, për të parë dhe për të krijuar. Ndoshta nëpërmjet mbledhjes së veprave të artit ajo rikrijoi një botë që nuk mundi ta krijonte në mënyrë biologjike. Krijoi trashëgiminë e saj.

Isabella nuk ka lënë pas asnjë ditar për jetën e saj personale, ndaj kjo përsiatje e imja për ta lidhur punën që ajo la pas me humbjen e fëmijës mbetet një interpretim. Por, ndërsa ecën nëpër muze, është e vështirë të mos mendosh për atë boshllëk që ajo pati në jetë. Nuk di të them nëse veprat e artit që Isabella mblodhi nëpër botë ishin fëmija i munguar i jetës së saj. Ndoshta ky do të ishte një shpjegim tepër i thjeshtë për një grua kaq komplekse.

Ndoshta krijimi i muzeut ishte në natyrën e saj artistike. Ndoshta ishte pasioni i saj për të bukurën. Ndoshta ishte natyra e saj e pazakontë. Ndoshta dhimbja. Ose të gjitha bashkë.

Isabella ndoshta nuk mund të kthente kohën pas por mundi të krijonte botën e saj. Nuk mundi ta ndryshonte atë që i kishte ndodhur, por vendosi se çfarë do të bënte me jetën që i kishte mbetur.

Dhe zgjodhi artin, duke shpenzuar pasurinë për të krijuar Venecian e saj dhe, në fund, ia la atë Bostonit, duke i imponuar rregullat e veta një qyteti të tërë.

(c) 2026 Marelba Fushekati. Të gjitha të drejtat janë të autores.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading