Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

ÇNE KOZMOPOLITIZËM

E kam kujtuar shpesh një skenë të filmit Casablanca (1942) gjatë viteve që merresha me një studim rreth filozofisë dhe praktikave kozmopolite në letërsinë e shekullit të XVIII. Në skenën në fjalë, dikush e pyet Rick-un, protagonistin e filmit: “Çfarë kombësie keni?” dhe Rick-u, pa e begenisur kureshtjen hetuese të tjetrit, gjegjet: “Jam pijanec”. Me një frymë, një personazh tjetër hidhet të korrigjojë shpërfilljen e protagonistit duke deklaruar: “Ja, kjo e bën Rick-un një qytetar të botës (a citizen of the world)”? Kush s’e kish harruar skenën, kur merrte vesh se hulumtoja kozmopolitizmin, më pyeste: “Pijaneci qenka qytetar i botës? Në ç’kuptim?” Kush s’e kishte fiksuar këtë moment të filmit, shprehte habi haptas: “Çne kozmopolitizëm!”, e disi më butë, “ç’do të thotë kozmopolitizëm?” Si vetvetiu, bisedë pas bisede, me kalimin e kohës, gatita një katalog të pashkruar për raste të tilla. Në vend që të rrëfeja se ç’ndryshime thelbësore mentaliteti kozmopolit kishte mundësuar gjatë shekullit të XVIII, shekullit të revolucioneve për popuj të cilët e mbanin Europën si qendrën e universit, përmendja disa qëndrime me tendencë kozmopolite në kontekste të përditshme.

Fjalëkyçet e katalogut ishin pak a shumë këto: mendje e hapur ndaj risive, të papriturave, të huajve e të panjohurës, interesim për mirëqenien e njerëzve me tjetër kombësi a shtrat kulturor, kureshtje për gjuhët e huaja, për letërsinë dhe artet botërore, për dialogun ndërfetar, të drejtat e njeriut dhe kolektivit, për kultura udhëtimi, të cilat i kundërvihen frymës konsumatore kapitaliste etj., etj. Këto qëndrime kishin të përbashkët prirjen për të perceptuar vetveten, ngjarjet, gëzimet e hallet personale si pjesëza të një aktualiteti shumë më të gjerë sesa ai vetjak apo kombëtar. Si kundërpeshë ndaj mendjengushtësisë, e përshkruaja mentalitetin kozmopolit si mentalitet planetar (jo shpikja ime). Lëvizja ambientaliste, sidomos popullariteti i sloganit “Make the planet great again”, më vinte deri diku në ndihmë.

Por nuk kishte akrobaci konceptuale t’i bindte disa skeptikë, që paralajmëronin se duhej të zgjidhja një fjalë më të njohur, më të rrahur, ndoshta transnacionale, multikulturore ose universale. Përse duhej kozmopolitizmi?! Madje, dikush shtoi se po tregoja interes për një nocion të rrezikshëm. Me sa kujtoj, rreziku vinte prej orientimit eurocentrik, ngaqë, sipas këtij gjykimi, eurocentrizmi flinte në vetë origjinën greke të togfjalëshit. Shprehja “qytetar i botës” (kosmopolitēs) lindi në Athinë mes mendimtarëve cinikë dhe më pas stoikë. Në disa burime na vjen prej gojës së Sokratit e në të tjera prej Diogjenit të Sinopit. Prej Athinës, filozofia e qytetarit të botës kaloi Adriatikun, arriti brigjet romake e fitoi përhapje. E gjejmë pasurinë e filozofisë, pedagogjisë, mentalitetit dhe fizikës së kozmopolitizmit në veprën e Senekës, Epiktetit dhe Mark Aurelit.

Në botëkuptimin e botëpërjetimin që përcjell, kozmopolitizmi destabilizon diktatin e hegjemonisë, qoftë kjo hegjemonia e një kulture të lartë si ajo greke, romake, si edhe trashëgimia greko-romake. Kritikë dhe dishepuj të kësaj filozofie ende ia diskutojnë gjenezën e ndikimin. Fraza kozmopolit, në zanafillë, synonte t’i kundërvihej ksenofobisë athinase, kategorizimit të qytetarëve në grekë e barbarë. Sot, më energjik se kurrë, vazhdon dialogu mes kozmopolitizmit dhe rrymave të mendimit (post)modern. Në rastin e studimit tim, dialogu me mendimin iluminist, feminist dhe postkolonial. Pas një dekade mëdyshjesh e disa bindjesh, uroj jo të ngurta, mendoj se kozmopolitizmi përmban vlera etike premtuese.

Bisedat që hera-herës ngrinin pyetjen “Pse kozmopolitizëm?” sillnin me vete edhe epifani. Njëra prej tyre fatmirësisht u shfaq në fillim të përçapjeve të mia, kur kuptova se, tek i qasesha kësaj teme si studiuese e shekullit të XXI, duhej të reflektoja për tri momente hapësinore-kohore të filozofisë kozmopolite: për të tashmen time, për shekullin e XVIII dhe civilizimet e lashta greke e romake, ku bulëzoi mendimi dhe praktika kozmopolite. Jo vetëm që çdonjëri prej tri momenteve ka kompleksitetin e vet, por me çdo diskutim të parimeve e aspiratave të kozmopolitizmit shtohen përkufizimet dhe gama e zbatueshmërisë. Hulumtimet i zgjasin jo vetëm jetën, por edhe ia shumëfishojnë aq sa të mund të flasësh për jetët e një filozofie që zuri rrënjë këtu e 2400 vjet më parë.

Në fushën e historisë konceptuale, shekulli i gjatë XVIII, siç quhet ndër specialistë, zë vend kryesor me përmendjet e para të fjalës “kozmopolitizëm”. Më 1770, shkrimi i shkurtër i Joseph-Honoré Rémy-t, Le Cosmopolitisme, i dha kësaj tradite tiparet e një filozofie politike ndryshe nga të tjerat. Dhe ndërsa i referohej këtij riformulimi, Samuel Taylor Coleridge në vitin 1809 i kushtoi vëmendje të veçantë marrëdhënies së kozmopolitizmit me atdhetarizmin, domethënë patriotizmin. Njëzet vjet më vonë, kur Thomas Carlyle botoi një ese në The Edinburgh Review, ai solli në qarkullim versionin që mbizotëroi në anglisht: “cosmopolitanism” në vend të “cosmopolitism”.

Shtimi i prapashtesës “-izëm” shënoi lindjen e një koncepti, çka duhet theksuar, sepse koncepti kryen atë që emri apo mbiemri kozmopolit a kozmopolitan nuk mund ta kryejë. Si modifikues, kjo prapashtesë – dhe jo vetëm në rastin e kozmopolitizmit – grupon dhe strukturon kuptimet e një fjale, duke përcjellë nocionin e një trajektoreje nga e kaluara, përmes së tashmes, drejt së ardhmes. Për shembull, kush studion konceptin e shqiptarizmit përballet me qëmtimin e proceseve historike e gjuhësore që tubohen rreth idesë së të qenit shqiptar, të menduarit e të jetuarit, politikave, historive e gjeografive, të cilat janë pjesë të diskursit se si shqiptarizmi perceptohej në të shkuarën, perceptohet sot dhe ç’forma mund të marrë në të ardhmen. Kthimi në koncept e lejon një fjalë të strehojë në çadrën e saj ide të ngjashme, si edhe ambiguitet dhe polisemi, duke zgjeruar kapacitetin e përkufizimeve. Qarkullimi i koncepteve në kontekste hapësinore-kohore të shumëllojshme përfton varietete. Varietetet nxjerrin kokë në supozime jo vetëm të kulturës popullore.

Një supozim sa i përhapur edhe sipërfaqësor është se kush udhëton shpesh, viziton vende përtej kufijve kombëtarë e flet më shumë se një gjuhë, është kozmopolit, duke arsyetuar se udhëtimet sinjalojnë dëshirën për të njohur të huajën, për të zgjeruar horizontin e për t’u ndeshur me realitete ndryshe nga e përditshmja kombëtare, etnike, fetare etj. Mirëpo, nuk është 100% e vërtetë se gjithkush që kapërcen kufijtë kombëtarë e bën këtë me dëshirë dhe jo nga halli. Përpos, në ekonomi konsumatore si jona, ekziston gjithnjë e më shumë mundësia që dëshira të lidhet me kërshëri fluturake e grishje për të ndryshuar vend dhe kullotur sytë në një tjetër peizazh, për një Tapetenwechsel, siç thonë gjermanofolësit. Studiues të zhanrit të udhëtimshkrimit ngulin këmbë se jo çdokush që udhëton shpesh është kozmopolit dhe jo çdo kozmopolit është shumë i udhëtuar.

Në fakt, letërsia evropiane e shekullit të XVIII e ngre goxha stekën e udhëtarëve kozmopolitë, qoftë kur udhëtojnë me vullnet të lirë a të detyruar prej rrethanave. Oliver Goldsmith shkruan në Qytetari i Botës (1763), një pseudoudhërrëfim i një urtaku kinez: “Ai që lë shtëpinë për t’u përmirësuar vetë dhe për të përmirësuar të tjerët është filozof; por ai që shëtit nga vendi në vend, i udhëhequr nga impulsi i verbër i kureshtjes, është veçse një endacak. Që nga Zarathustra e gjer te filozofi i Tianës, i nderoj të gjithë ata emra të mëdhenj që u përpoqën të bashkonin botën me udhëtimet e tyre; njerëz të tillë u bënë më të mençur dhe më të mirë sa më shumë largoheshin prej vendit të tyre. Ata u ngjajnë lumenjve, rrjedhat e të cilëve jo vetëm që shtohen, por edhe pasurohen ndërsa lënë pas burimet”.

Jo më kot, Epikteti i këshillon nxënësit e tij të mos i marrin vajtje-ardhjet lart e poshtë për kultivim e të mos enden nga një vend në tjetrin, nga një shfaqje e Athinës në tjetrën, por në përditshmërinë e tyre të jetojnë si qytetarë të kozmosit. Jeta prej kozmopoliti, siç e kam kuptuar veçanërisht te Epikteti, motivohet së pari prej faktit që të qenit njeri është lidhje më e fortë afektive e morale sesa të qenit athinas, grek apo i ashtuquajtur “barbar”; dhe së dyti, prej mirënjohjes për faktin që jemi pjesë e kësaj bashkësie ndërtokësore. Kozmosi për Epiktetin është krijuar për të mundësuar jetën në këtë planet që e thërrasim Tokë. Në greqishten klasike, fjala kozmos i referohet rendit para se të përfshijë edhe botën fizike, dhe ngaqë rendi nënkupton të bukurën, kozmosi përfaqëson njëkohësisht bukuri morale dhe estetike. Në rrafshin estetik, kozmos mund të shqipërohet si rend i përshtatshëm, i duhur, ndërsa në atë moral, ai nënkupton një rregull të mirë e sjellje të denjë, siç e përdor Eskili në tragjedinë Agamemnon. Në këtë frymë, Homeri, kur shpreh idenë e një rregulli të keq a sjelljeje të ulët, përdor termin e kundërt kata kosmos. Ndaj kozmopolitizmi, në një prej përkufizimeve të mundshme, duke bashkuar botën (cosmos) me qytetin (polis), aspiron përshtatshmëri estetike dhe morale të njeriut dhe hapësirave që ai ndërton.

Të jetosh me mirënjohjen që ushqen Epikteti tek dëgjuesit e tij nuk do të thotë të jetosh në ekstazë, por sipas rendit të natyrës së prekshme e së paprekshme. Sipas një rendi ku ka lulëzim e venitje, rrëzëllim e zbehje, ku yjet formohen e vdesin, e ku vlen këshilla e Mark Aurelit: ta përshkojmë këtë hapësirë të vogël kohe në përputhje me rendin natyror, e ta kryejmë udhëtimin tonë në vetvete të kënaqur, si ulliri i pjekur që bie nga dega, duke bekuar natyrën që i dha jetë e duke falënderuar pemën që e rriti.

(c) 2026 Enit Steiner. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin