Kultura dhe (pu)shteti
Si e studiojmë sot letërsinë? A kemi mbetur peng i së shkuarës? Për më keq, i doktrinës së realizmit socialist? Nëse po, çfarë roli luan (pu)shteti në problematikat që dalin?
Dhe, në fund të fundit: a jemi vërtet “open minded”?
Le ta nisim nga pyetja e fundit: a jemi “open minded”?
Për ta shtjelluar këtë, po kujtoj një episod personal. Kohët e fundit kam pasur një komunikim virtual me një intelektual dhe ekspert të shkëlqyer në fushën e tij, lidhur me disa qasje terminologjike në letërsi dhe art. Meqë puna ime si mësimdhënës kërkon të punoj gjatë gjithë vitit me të njëjtin term dhe ideja që studenti ta citojë gabim në fund të studimeve më tmerron, e pranova bisedën.
Bashkëbiseduesi e sillte realizmin si drejtim artistik edhe në shekullin XX dhe, njëkohësisht, e barazonte atë me realizmin kritik. I shkrova: Realizmi e ka apogjeun rreth vitit 1850. Rreth vitit 1890 shfaqen fillesat e modernizmit dhe realizmi kalon në “muze”. Mendimi se ai zgjatet deri në shekullin XX vjen kryesisht nga literatura sovjetike. Sot, te ne ekziston literaturë që e ka bërë këtë korrigjim: shih Ferdinand Leka (Fjalori i termave të letërsisë, 2013) dhe Tefik Çaushi (Fjalor i estetikës, 1998), të cilët përcaktojnë qartë kohën dhe dallimin nga realizmi kritik.
Ideja ime ishte kjo: Shpesh harrojmë se trashëgojmë një gjuhë teorike të korruptuar, të ngarkuar me izma, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga sistemi totalitar që e mbërtheu jetën tonë për rreth 50 vjet. Nuk kanë mjaftuar 35 vjet për t’u shëruar, dhe nuk do të mjaftojnë as 35 të tjerë, nëse kjo trashëgimi trajtohet me indiferencë dhe, më keq akoma, riprodhohet institucionalisht.
Bashkëbiseduesi, një person me integritet profesional, nuk u mjaftua me literaturën tonë: brenda një kohe të shkurtër më dërgoi referenca nga literatura e huaj. Pra, u tregua realisht “open minded”. Sepse “open minded” nuk është gatishmëri për dialog, por gatishmëri për korrigjim.
Pra, në një fjalor italisht, realismo përkufizohet si: tendenza a rappresentare la realtà in modo oggettivo… il realismo di Balzac, di Tolstoj; il realismo del secondo Ottocento. Wikipedia e përkufizon realizmin si një lëvizje post-1848, sipas Jules-François Champfleury-t, që synon riprodhimin e “realitetit objektiv”, pa idealizim romantik. Në frëngjisht: Le réalisme en littérature est un mouvement du XIXe siècle…
Bashkëbiseduesi e mbylli diskutimin me një fjali që është bërë alibia jonë e përhershme: “Diku e kisha parë, por nuk e di se ku.”
Të gjithë strehohemi herë pas here pas kësaj formule. Por kjo fjali nuk është pafajësi individuale; ajo është simptomë e një kulture pa përgjegjësi referenciale, e prodhuar dhe e riprodhuar nga sistemi ynë arsimor, të cilin e kemi pranuat verbazi. Ajo shndërrohet në problem serioz kur kalon nga biseda private në tekst shkollor, nga gabimi personal në normë institucionale.
Unë e di se ku e kam parë një tekst shkollor që mbron idenë se modernizmi i takon shekullit XIX dhe kam bërë pyetjen: çfarë nxënësi del nga ky tekst i keqkuptuar, pasi shpërndarja e tij mbulon pjesën më të madhe të gjimnazeve të Shqipërisë? Nuk kam reaguar publikisht. Pse? Di se nuk kam vepruar mirë. Deri kur? Sa do të zgjasë ideja se dikush mund të thotë që kemi halle më të mëdha sesa ky?
Në rastin e kurrikulave, puna ndryshoi: reagimi im u shfaq publikisht (në gazetën Ex Libris), sepse e pashë që forma e gabuar po merrte legjitimitet institucional: në kurrikulat shkollore. Këtu problemi nuk është më pedagogjik, por politik në kuptimin kulturor të fjalës.
A është lexuar ai shkrim? Nuk kam asnjë tregues. Prandaj ndjej nevojën ta sjell sërish në vëmendje.
Në shkrimin Kurrikulat e letërsisë: a duhen rishikuar? theksoja se kurrikulat pritet të jenë mjeti kryesor për krijimin e shijes së leximit. Si qëndronte çështja konkretisht? Në kurrikulën e klasës XII thuhet se letërsia shihet e lidhur me zhvillimin historik, shoqëror dhe filozofik, por jo si ilustrim i thjeshtë i historisë; letërsia shqipe studiohet paralelisht me atë botërore. Deri këtu, modeli është perëndimor. Po realizimi?
Rruga përmes së cilës synohet arritja e këtyre objektivave është kontradiktore. Lexojmë:
• Analizon risitë që sollën shkrimtarët e realizmit të shekullit XX.
Si mund të flasim për “risi” brenda një drejtimi tashmë të zëvendësuar? A nuk është kjo një kërkesë e trashëguar nga modeli sovjetik, ku realizmi duhej të ishte jo vetëm dominues, por edhe kritik, sepse modernizmi konsiderohej devijim borgjez? Kjo mënyrë e të menduarit nuk është thjesht e vjetruar; ajo është ideologjikisht e ngurtësuar.
Ose:
• Përcakton gjinitë dhe llojet letrare që lëvruan shkrimtarët realistë (Drajzer, Remark, Cvajg, Heminguej).
Nëse Balzaku dhe Floberi nuk mjaftojnë për ta kuptuar realizmin, nuk do ta kuptojmë kurrë me shkrimtarët e shek. XX. Mandej, nëse, në dekadën e Modernizmit të Lartë, Ernest Koliqi shkruan letërsi të ndërgjegjes (term i David Lodge), me monolog të brendshëm dhe përroin e ndërgjegjes (pothuajse në të njëjtën kohë që Kafka shkruan Metamorfozën e Joyce-i Uliksin) dhe përdor zhvendosjet psikanalitike moderniste, pse na duhen shkrimtarë krejt jashtë këtij sistemi?
Pse i duhen atij që po formohet?
Nëse ata që studiojnë letërsi, do ta hasin këtë në universitet – edhe kjo me dyshim, sepse universitarë janë edhe ata që e kanë formuluar – po ata që studiojnë në shkenca të tjera, si do të përballen me rrethanat e jetës, këtu në Shqipëri apo jashtë saj? Ata që studiojnë në shkenca të tjera, a e meritojnë të marrin formimin e duhur?
Nëse në lëndët e shkencave ekzakte marrim tekstet e Oksfordit dhe të Kembrixhit, domethënë se i kemi vlerësuar arritjet e tyre, çfarë na pengon ta bëjmë këtë me disiplinat shoqërore e humanitare?
Përvoja e mësimdhënies tregon se një konfuzion i tillë ua vret nxënësve leximin.
Le ta ilustrojmë këtë me Migjenin, i “blinduar” nga realizmi socialist, që e interpretoi vargun “e ndjej nga delli alegorik valën” si referencë ndaj Bashkimit Sovjetik. Jam dëshmitar se sot Migjeni u përcillet nxënësve përmes një narrative të varfër: “Migjeni ishte i madh sepse shkroi për mjerimin.”
Por drejtimi letrar nuk lind vetëm nga realiteti shoqëror; ai lind nga kriza e gjuhës dhe e formës. Migjeni realizohet përmes ekspresionizmit, gjuhës antiretorike dhe çlirimit nga patosi romantik. Sot format janë thyer ndryshe: kriza postmoderne është fragmentare, ironike, dekonstruktive. Kjo nuk prodhon Migjen, por forma të tjera rebelimi. Sepse rebelimi nuk mungon.
Migjeni është shkrimtar social; realist vetëm pjesërisht. Është fjala për prozat e mirëfillta, të cilat duhet t’i ndajmë nga prozat poetike. Madje, edhe aty nuk është konsekuent stilistikisht, siç shihet qartë në Studenti në shtëpi, ku bën ndërkallje autoriale, duke ikur nga përshkrimi objektiv, të llojit: E pse një grue, tue fjetë me burrin e vet plak dhe idiot, vuen dhe mendon për një tjetër, s’ka gja. Pranë burrit të pamashkulli, merr fshehtas një tjetër që ta përkëdheli, prap s’ka gja.
Një roman i vlerësuar realist shqiptar është shkruar më 1965 (Lumi i vdekur i Jakov Xoxes). Kjo ngatërron kronologjinë historike, por jo kodet estetike. Poetika e realizmit është formësuar në shekullin XIX; gjithçka pas kësaj vjen në dialog ose në kapërcim të saj. Një roman realist mund të shkruhet edhe sot, por kjo nuk ka pengon të themi se cila është epoka reale e realizmit në letërsi dhe arte. Disiplina e narrativës na e ka dhënë poetikën e këtij drejtimi letrar si të krijuar në shek. XIX dhe shkrimtarët e lartpërmendur nga kurrikula nuk i shtojnë asgjë, madje janë jashtë kohe nga kjo pikëpamje, sepse ndërkohë është shfaqur modernizmi. Ne duhet të ndërgjegjësohemi për vonesat tona historike dhe të dalim nga vetizolimi (pra, provincializmi), për të cilin nuk na e kanë fajin të tjerët.
A e ka bërë kush pyetjen: pse nxënësi i sotëm nuk e pëlqen atë që i jepet në shkollë dhe kërkon ngushëllim te rrjeti? Dhe a gjen vërtet shpëtim atje? Duam s’duam ne, atyre bota u vjen si fshat global. Ata janë në korrent të arritjeve më të fundit. Të pa molepsur me të shkuarën tonë ideologjike, fare mirë mund të dalin në përfundimin: Problemi nuk është vetëm çfarë lexojmë, por me çfarë modeli e kuptojmë botën.
Përfundime të tilla kërkojnë edhe prej nesh. Për shembull, asgjë nuk na pengon t’u themi qartas, me ndihmën e poetikave të një bote ku aspirojmë të jemi pjesë:
Realizmi i është përgjigjur pyetjes: Si është bota?
Modernizmi: Si përjetohet bota?
Postmodernizmi: Si ndërtohet dhe copëtohet bota përmes tekstit?
Letërsia postmoderne nuk është luks teorik. Ajo është stërvitje për lundrim në një botë fragmentare. Nxënësit që studiojnë postmodernizmin dhe literaturën bashkëkohore mund të mësojnë:
• të identifikojnë bias-et (një prirje e diskursit postmodern për ta paraqitur dhe interpretuar informacionin në mënyrën që favorizon një qëndrim të caktuar, shpesh pa efekt dhe e padrejtë), ironinë dhe strukturat e fragmentuara.
• të kuptojnë që kuptimi mund të jetë plural dhe kontekstual.
• të përballen me propozime kontradiktore dhe zhvillojnë mendim kritik.
• të jenë lexues më të vetëdijshëm për influencat mediatike, kulturën pop dhe rrjetet sociale.
Nxënësit që nuk e studiojnë, e përjetojnë realitetin si humbje dhe konfuzion; ata që e studiojnë, si labirint ku mund të orientohesh përmes ironisë, pluralizmit dhe mendimit kritik.
Çfarë duhet të bëjmë? A po kërkojmë modë subjektive teorike? A po kërkojmë import mekanik të Perëndimit? Po kërkojmë: dallim të qartë poetikash dhe instrumente interpretimi për botën ku jetojmë. Pa një rishikim konceptual të kurrikulave, arsimi nuk prodhon qytetarë kritikë, por përdorues pasivë të diskurseve që nuk i kuptojnë, por jo për fajin e tyre.
Çështja mbetet: si ta kërkojmë përgjegjësinë institucionale, përtej asaj pedagogjike, për këtë gjendje?
Dhe, më në fund: a do të kemi vërtet “open mind” nga këto institucione?
Ose, le të bëjmë një hap mbrapsht: a mund të bëhet transparente se mbi çfarë referencash teorike janë hartuar kurrikulat aktuale, çfarë literature është përdorur dhe çfarë mekanizmi rishikimi ekziston?
Apo thjesht të shikojmë përpara? Si mund të funksionojë një “rishikim konceptual i kornizës teorike”? A mund të jenë fjalë-kyçe që “hapin derë”: një harmonizim me praktikat europiane, një koherencë terminologjike, një përditësim epistemologjik, një ndarje e qartë e poetikave dhe një përputhje me objektivat e mendimit kritik? A e detyron kjo shtetin të reagojë si garant standardi, jo si palë ideologjike?
Përndryshe, meqë çështja e ngritur nuk ka të bëjë me preferenca teorike, por me standardin e formimit qytetar në arsimin parauniversitar, gjë që e nxjerr problemin nga letërsia dhe e fut në politikë publike. heshtja bëhet fakt politik.
(c) 2026 Gazmend Krasniqi. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.