Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

PËR REFORMËN E PUSHTETIT VENDOR

KUSHTETUTA SI PENGESË E NJË KOMBI (II)[1]

Hyrje

Këto ditë ka nisur puna në Parlament për reformën territoriale dhe të pushtetit vendor. Ka kaluar rreth një çerek shekulli me lodra dhe eksperimente me pushtetin vendor qysh nga heqja përfundimisht e Rretheve nga harta e vendit. Heqja e strukturës së Rrethit ka sjellë pasoja të rënda për fibrën shoqërore të vendit, për zhvillimin ekonomik, shoqëror, për demokracinë në nivel kapilar, si dhe për cilësinë e jetës të shtetasve jashtë Tiranës dhe qyteteve kryesore. Kriza demografike në fshatin shqiptar po ve në pikëpyetje serioze ripërtëritjen e brezave. Situata sot është aq kritike sa që Tirana gradualisht po kthehet në  “qytet-shtetin e një vendi që po shuhet në mënyrë natyrale.”[2]

Dy forcat kryesore politike kanë sot në dorë shansin historik për të korrigjuar gabimet e rënda të së kaluarës lidhur me pushtetin vendor. Mirëpo duket se ato kanë të gatshme projektet e tyre për reformën administrative dhe pushtetin vendor që mund të sjellë përsëritjen e atyre gabimeve.[3]

Rivendosja e Rretheve si strukturë e qenësishme dhe thelbësore e pushtetit vendor është sot domosdoshmëri historike. Reduktimi i pushtetit të bashkive vetëm brenda “vijës së verdhë”, rigjallërimi i komunave, forcimi i prefekturave dhe nënprefekturave, dekoncentrimi i pushtetit vendor dhe i shërbimeve ndaj shtetasve do të ishin hapa plotësuese të domosdoshme.

Rrethi si struktura më jetëgjatë e më funksionale

Një hartë e madhe murale e ndarjes administrative të Shqipërisë brenda mjediseve të një ambasade të huaj në Tiranë më tërhoqi vëmendjen në shkurt të vitit 2024. Bukuria ishte se harta, me ngjyrat dhe konturet e veta, e ndante Shqipërinë në 26 Rrethet e dikurshme. Kurse ironia ishte se qysh në 1998 Rrethet ishin hequr nga Kushtetuta e Shqipërisë.

Edhe pse de jure të zhdukur, Rrethet e Shqipërisë, pra, mbijetonin në hartën murale të Ambasadës së Ruritanisë në Tiranë. Ato sikur thoshin me zë të lartë: “jemi ende këtu, nuk zhdukemi, sadoqë përpiqeni të na fshini!”

Studiuesi dhe gazetari Gjergj Erebrara hartoi në 2015 një studim për historikun e pushtetit vendor në Shqipëri.[4] Në fund ai konkludonte saktë se: 

“Përgjatë të gjithë historisë së shtetit shqiptar, Rrethi duket se ka qenë struktura më jetëgjatë dhe më funksionale. Megjithëse në vitin 2000 Rrethi u hoq si njësi administrative e pushtetit vendor, ajo mbeti njësi referencë për shumicën dërrmuese të shërbimeve të tjera publike të qeverisë qendrore. Arsimi, shëndetësia, Gjendja Civile dhe shumë funksione të tjera publike vijojnë të jenë të organizuara në bazë rrethi.” Dhe më tej:

“Për këtë arsye, ekspertët dhe politikanët, kur nisën reformën aktuale të ndarjes territoriale, vunë Rrethin si pikënisje për grupin e punës.”

Rrethi u ngulit fort në rendin kushtetues të Shqipërisë së sapo dalë nga regjimi komunist. Ligji Kushtetues i v. 1991 përmbante një model pragmatik e racional për pushtetin vendor, të mbështetur në traditën vendase të vetëqeverisjes vendore. Njësitë, të ndara në dy nivele, ishin:

  • Bashkitë e Komunat, dhe
  • Rrethet.

Rrethet përfaqësonin traditën e vetëqeverisjes së shqiptarëve. Ato bashkonin bashki e komuna me karakteristika dhe interesa të përbashkëta gjeografike, historike, kulturore, ekonomike, tregtare, etj. Rrethi i Kolonjës, për shembull, haset qysh në Mesjetën e hershme si thema ose Provintia Colonie or Kolone, njësi administrative gjatë Perandorisë Bizantine.[5] Po ashtu edhe Mirdita, Mati e Dibra, etj.[6]

Rrethi si struktura ngjizëse midis fshatit dhe qytetit

Kjo traditë e lashtë vetëqeverisjeje u ngulit më tej me kalimin e kohës. Me konsolidimin e shtetit shqiptar qytetet u shndërruan në qendrën e Rrethit. Aty u përqendruan natyrshëm shërbimet publike, si në fushën gjyqësore, policore, administrative, mjekësore etj. Aty gjeje edhe Gjykatën e Rrethit, Prokurorinë e Rrethit, Spitalin e Rrethit, organet e rendit, zyrat e administratës vendore, etj. 

Përfundimisht, struktura e Rrethit përbënte simbiozën e natyrshme të fshatit me qytetin, duke e afruar qeverisjen vendore me popullin. Modeli i pushtetit vendor i mbështetur tek struktura Rreth – Bashki/Komunë ishte model mirëfilli demokratik, i drejtpërdrejtë, i zhdërvjellët dhe efikas.

Kjo stukturë e pushtetit vendor ishte mjaft e konsoliduar në Shqipërinë e fundit të Mijëvjeçarit II. E megjithatë, në një nga aktet më të papërgjegjshme të hartuesve të Kushtetutës së v. 1998, Rrethet u hoqën si njësi kushtetuese e pushtetit vendor. 

Puçi kushtetues në projektkushtetutën e v. 1998

Ishte Kushtetuta e v. 1998 që zhduku Rrethet dhe imponoi modelin e bazuar në qarqe a rajone, duke sjellë kësisoj një ndryshim tektonik në vetëqeverisjen vendore, me pasojat shumë të rënda që po përjetohen sot e gjithë ditën.

Ideja për zhdukjen e Rretheve si element kushtetues i pushtetit vendor qarkulloi fillimisht në ditët e para të Komisionit Godo – Imami.[7] Mirêpo përfaqësuesi i PS-së në atë Komision, ish-Kryeministri Pandeli Majko, e kundërshtoi me vendosmëri atë. “Të ndryshosh strukturën e pushtetit lokal …për mua do të thotë t’i heqësh fitilin detonatorit” – u shpreh me guxim z. Majko.[8]

Për më tepër,  në një mbledhje të mëvonshme të grupit të ekspertëve të Komisionit të Posaçëm (Komisioni Ad Hoc)  për Qeverisjen Vendore u vendos ,“me konsensus” , që Rrethet të mbeteshin në Kushtetutën e re.[9]

Partia Demokratike nuk mori pjesë në procesin kushtetues. Mirëpo gjatë fushatës së referendumit kushtetues ajo e kundërshtoi heqjen e Rretheve. Qëndrimi i prerë i Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fushatës së referendumit në muajin nëntor 1998 ishte kundër rajonalizimit të imponuar me projektin e ri. 

Mund të thuhet se në rrafsh politik ishte arritur një consensus i heshtur midis PS-së dhe PD-së për ruajtjen dhe konsolidimin e Rretheve (po të kemi parasysh qëndrimet e z. Majko të PS-së dhe të z. Berisha të PD-së). Po ashtu, edhe në rrafsh të ekspertëve konsensusi ishte që të ruhej i pacenuar modeli ekzistues i pushtetit vendor me strukturën e Rrethit në nivelin e dytë.

Mirëpo për habinë e të gjithëve, në mbledhjen e 1 korrikut 1998 para Komisonit për Hartimin e Kushtetutës u paraqit nga Zz. A. Imami (bashkëkryetar) dhe K. Loloçi (anëtar i stafit teknik) një draft “përfundimtar” që literalisht me një të rënë të lapsit shpërfilli konsensusin, fshiu Rrethet dhe imponoi qarqet si struktura e nivelit të dytë të qeverisjes vendore në Shqipëri.[10]

Ky veprim i pashembullt ishte shkelje e hapur procedurale. Detyra e “stafit teknik prej 5 vetave” ishte të hartonte projektin “në përputhje me vendimet [politike] të Komisionit…”[11]  Propozimi i sekondës së fundit duhet të ishte rrëzuar pa ngurrim nga Komisioni për Hartimin e Kushtetutës, edhe pse u paraqit nga njëri bashkëkryetar dhe nga një anëtar i stafit teknik, që të dy të respektuar.

Shihet qartë se, në këtë rast, bashkëkryetari dhe stafi teknik tejkaluan mandatin dhe kompetencat e tyre, duke paraqitur rekomandime në kundërshtim me vendimin e Komisonit Ad Hoc dhe në shkelje të vullnetit politik të Komisionit. Ky imponim substancial dhe procedural ishte akt i pashembult në historinë e kushtetutëbërjes në Shqipëri.

Mishmashi i modeleve të huaj 

Justifikimi – atëhere sikurse edhe sot –  ishte sikur kinse “po ndjekim trendin europian”, ose që kjo zgjidhje do të lehtësonte “politikat rajonale”, etj. etj.[12]

Në fakt, pseudo modeli i ri ishte shartim i trashë nga vende të tjera europiane me popullsi dhe sipërfaqe më të mëdha, dhe me traditë kushtetuese e trashëgimi historike krejt të ndryshme nga Shqipëria. 

Në vend që ta linte të patrazuar traditën e konsoliduar të qeverisjes vendore në Shqipëri, stafi teknik i Komisionit Kushtetues “konsultoi Kushtetutat e të gjitha vendeve të Evropës Lindore dhe huazoi elementet më të rëndësishme të qeverisjes vendore atje …”[13]

Madje në debatet e Komisionit Kushtetues u hodhën idera eklektike që sistemi i ri ishte sipas (a) modelit italian (regioni), apo që (b) “ishte më afër modelit francez”, ose edhe (c) sipas modelit shqiptar të viteve 1939. “Rruga jonë – deklaroi z. Imami – është e afërme me modelin francez, rruga e shtetit unitar”.[14]

Në fakt nuk ishte ashtu. Modeli francez i v.1999 nuk imponoi rajonet në Francë. Ai përbëhej vetëm nga “komuna” [“communes”} dhe “departamente” [“départements,”]. Që të dyja këto administroheshin nga “këshilla të zgjedhura” [“conseils élus”]. [15]

Ndryshe nga modeli me bazë rajonale i  imponuar nga stafi teknik, modeli francez ishte shumë më afër sistemit ekzistues të bazuar në Rrethe në Shqipëri, pasi përbëhej nga njësi territoriale të krahasueshme në madhësi e popullsi, dhe të administruara nga këshilla të zgjedhura drejtpërdrejt nga populli. 

Bashkizimi i vendit

Për ta shpëlarë me rakí marmallatën e fikut që kishin gatuar, dhe për të zbutur pasojat negative të zhdukjes së Rretheve u ndërmorr “reforma” e v. 2014. Hartuesit dhe pseudoekspertët e huaj propozuan një zgjidhje krejt absurde: zmadhimin dhe shpërfytyrimin e bashkive. Rajonalizimi i detyruar, i imponuar me Kushtetutën e v. 1998, u pasua më 2014 me “bashkizimin” e vendit, një deformim i pastër i traditës shqiptare të pushtetit vendor.

Historikisht bashkia në Shqipëri ishte struktura administrative e qytetit.[16] Bashkitë ndaheshin në lagje,[17] kurse “vija e verdhë” përbënte kufirin midis qytetit dhe fshatit, midis bashkisë dhe komunës. 

Reforma e v. 2014 krijoi super-bashkitë, struktura të çuditshme dhe kabá të pushtetit vendor, ku futej në një thes qyteti me fshatrat, brenda dhe jashtë Rrethit historik. Kryetari i super bashkisë merrte rol dhe fuqi tejet të gjera. Tashmë ai nuk përgjigjej më vetëm për atë çka ndodhte brenda “vijës së verdhë”, por duhet të zgjidhte edhe hallet e komunave të fshatit dhe të malësisë. Për shembull, bashkia e qytetit të vogël simpatik të Himarës tani do t’i kapërcente kufinjë e “vijës së verdhë”, dhe do të mbulonte fshatrat e Bregut deri në Nivicë-Bubar, madje edhe komunat e fshatrave të Lumit të Vlorës, në zemrën e Labërisë. 

Super-bashkitë e thelluan më tej hendekun fshat – qytet dhe dëmtuan seriozisht indin shoqëror dhe ekonomik të vendit. Ndërkohë që Rrethet përbënin element ngjizës në demokracinë vendore me lidhjen simbiotike midis fshatit (komunës) dhe qytetit (bashkisë), zhdukja e tyre vendosi realisht një mur kinez ndarës midis qytetit dhe fshatit. 

Ndër pasojat gati katastrofike sociale dhe ekonomike të situatës së re në pushtetin vendor përfshihen:

  • hiper-urbanizimi;
  • shpopullimi dhe braktisja e fshatit dhe e malësisë; 
  • tej-koncentrimi i jetës ekonomike, sociale e administrative në Tiranë dhe në pak qytete kryesore;
  • nxitja e emigrimit;
  • mangësi të theksuara në shërbimet bazike të shëndetit publik, të arsimit publik dhe të shërbimeve të tjera sociale;
  • rënia ekonomike e sociale e fshatit.[18]

Zhdukja e rretheve historike dhe e komunave

Reforma “tektonike” kushtetuese e v. 1998, dhe reforma e pushtetit vendor e v. 2014 solli fshirjen nga harta administrative të Rretheve historike si Kolonja, Mati apo Mirdita. Sot ato rrethe janë përzier mishmash nën çatinë e bashkive të stërmëdha apo qarqeve, ndërkohë që në vetvete janë ndarë në njësi të tjera më të vogla, me lidhje veçanërisht të dobta midis tyre.

Një tjetër pasojë e pakëndshme e ardhur nga zhdukja e Rretheve përnes Kushtetutës së v. 1998 është dalja në krye pas vitit 2000 e shfaqjeve ultranacionaliste në ndonjë superbashki të sajuar artificialisht, ndërkohë që struktura ekzistuese e Rrethit rregullonte më së miri përfaqësimin dhe shqetësimet e ndryshme që mund të kishin elementë të veçantë të shoqërisë.

Zhdukja e Rretheve nga Kushtetuta dhe nga harta administrative ka sjellë edhe një pasojë tjetër,  zhdukjen e komunave. Edhe pse komunat mbeten në letër si elemente kushtetuese të nivelit të parë, zgjedhjet e fundit për komuna në Shqipëri janë kryer më  2011.[19]

Ekspertë të huaj të angazhuar për reformën e pushtetit vendor të v. 2014 imponuan edhe një kalk të çuditshëm nga anglishtja: “administrative units”. Kjo solli zhdukjen e termit të lashtë shqip të “lagjeve”, si nënndarje të qeverisjes vendore të bashkive në qytete, si edhe të “komunave” në fshat. Rrjedhimisht, sot has rëndom shprehjen e shëmtuar “njësi administrative”, në vend të lagjes apo të komunës.

Shakaja me Këshillin e Qarkut

Një tjetër mangësi thelbësore e formulës kushtetuese të imponuar më 1998 është përfaqësimi. Sipas Ligjit Kushtetues të v. 1991 përfaqësimi i popullit në Rrethe kryhej përmes Këshillit të Rrethit, ku këshilltarët zgjidheshin drejtpërdrejtë nga populli çdo katër vjet në zgjedhjet vendore. Këshilli i Rrethit funksiononte si njëfarë kuvendi i Rrethit, dhe siguronte përfaqësim të drejtë dhe të përshtatshëm për. bashkitë dhe komunat.  

Ndryshon puna sot me Këshillat e Qarqeve. Këto nuk zgjidhen drejtpërdrejt nga populli, por “delegohen” nga Këshillat Bashkiakë dhe Komunalë. Mirëpo zgjidhja e imponuar me Kushtetutën e v. 1998 është jo vetëm antidemokratike sipas së drejtës së brendshme, por edhe në konflikt të hapur me Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Vendore (shih nenin 3.2. që kërkon “këshilla ose kuvende të përbërë nga pjestarë të zgjedhur lirisht me votime të fshehta mbi bazën e zgjedhjeve të drejtpërdrejta, të barabarta, universale…”.[20]

Në vend të mbylljes

Përfundimisht, në vend që të afronte qeverisjen vendore me popullin, zhdukja e Rrethit dhe imponimi i modelit të qarkut (rajonit) dhe të super-bashkisë e rriti distancën midis popullit dhe qeverisjes vendore, e bëri ato më pak të qasshme, më të kushtueshme, më pak efikase dhe më pak demokratike. 

Koha sot kërkon me urgjencë rikthimin tek 26 Rrethet historike, si struktura të qenësishme, demokratike dhe të konsoliduara të pushtetit vendor në Shqipëri. 21]. Dy partitë kryesore – por edhe shoqëria civile – kanë përgjegjësinë historike të korrigjojnë gabimin fatal të 1 korrikut 1998, që hoqi Rrethet nga Kushtetuta dhe më vonë, edhe nga harta e vendit. Rivendosja e Rrethit – që mund të realizohet me ligj deri sa të mund të ndryshohet Kushtetuta, është madje domosdoshmëri historike, dhe ndofta shansi i fundit për të parandaluar atë që është quajtur si rreziku i “fshirjes së qytetërimit” në 20 vitet e ardhshme në Europë.[22]

(c) 2026 Agron Alibali. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1] Shkrimi është përshtatje nga konkluzionet e një raporti hulumtues për Kushtetutën e Shqipërisë dhe Rolin e Ndërkombëtarëve, të ndërmarrë në v. 2007 dhe të financuar nga Titulli VIII, program i Departamentit të Shtetit, i administruar nga IREX. 

Në pjesën e parë të këtij punimi trajtuam problemet dhe mangësitë procedurale të Kushtetutës së v. 1998 krahasuar me Dispozitat Kryesore Kushtetuese, ose Ligjin Kushtetues të v. 1991. Kurse këtu po ndalemi në ndërhyrjen e pashembullt në strukturën kushtetuese të pushtetit vendor të kryer në korrik 1998, që solli fshirjen e Rretheve nga Kushtetuta dhe nga harta e vendit.

[2] Revista Monitor, 13 shkurt 2025, tek www.monitor.al

[3] Dëgjojmë edhe sot të hidhen në tregun mediatik deklarime të ngashme me ato të viteve 1998 – 2000 për “modele evropiane”, “thithje fondesh” etj. Në fakt, praktika dhe pasojat sot tregojnë se “objektivat” dhe deklarata e dikurshme, sikurse edhe sot, ishin dhe janë vetëm fasadë.

[4] Metamorfoza e hartës territoriale-administrative në 100 vitet e shtetit shqiptar, www.reporter.al, 16.02.2015, sponsorizuar nga një program i Ambasadës Amerikane në Tiranë. Ndryshimet e vazhdueshme në strukturën dhe funksionet e pushtetit vendor përgjatë viteve të tranzicionit jepen në https://portal.cor.europa.eu/divisionpowers/Pages/Albania.aspx

[5] Shih, për shembull. Alain Ducellier, La Façade Maritime de l’Albanie au Moyen Age, Institute for Balkan Studies, 1981, tek 94, 98, 100; Pëllumb Xhufi, Dilemat e Arbërit, 179, 189].

[6] Mirdita, qui , depuis quelques années , s’étaient soumis aux Tures , mais en gardant leurs armes , leurs lois , leur culte , en ne payant aucun tribut , et sous la condition qu’aucun musulman ne s’établirait sur leur territoire . La Revue indépendante – Anne 1843, Volumes 10-11 – Page 476.  Mati përfshinte luginën e lumit dhe malësinë brenda vijës ujëndarëse, me qendër Burrelin.  Dibra përbëhej nga “nandë malet e Dibrës” me qendër qytetin.

[7] Komisoni i Posaçëm për Hartimin e Kushtetutës mori nganjëherë emrin e dy bashkëkryetarëve.

[8] Mbledhja e Komisonit Kushtetues, 8 maj 1998, Debati Kushtetues, V. I. OSCE, Tirana 2006, f. 288.

[9] Mbledhja e Komisonit të Posaçëm për Qeverisjen Vendore,  9 qershor 1998, Debati Kushtetues, V. I. ff. 555, 556].

[10] Deklaratë nga Arben Imami dhe Krenar Loloçi, Debati Kushtetues, V. II. At 116 – 120]. Nuk vemë në dyshim qëllimin e mirë të Zz. Imami dhe Loloçi. Megjithatë, ndërhyrja e tyre rezulton, më së paku, e papjekur, kurse pasojat dramatike të saj ndihen sot e gjithë ditën në mbarë vendin.

[11] Vendim i Kuvendit, Nr. 339, datë 3 mas 1997 Për Ngritjen e Komisionit për Hartimin e Projekt Kushtetutës”, Debati Kushtetues, V. II. Shtojcë, at 539. 

[12] Debati Kushtetues, V.II, at 117.

[13] Debati Kushtetues. V. II. At 116. 

[14] Debati Kushtetues, V. II. At 117, 118.

[15] La Constitution, Introduite et commentée par Guy Carcassonne, Éditions deu Seuil, III Édition, 1999, f. 309-310. 

[16] Fjalori i Gjuhës Shqipe i v. 1984 i përkufizonte kështu bashkitë: “Organ i vetadministrimit të qyteteve në Shqipëri para Çlirimit, që merrej me rregullimin, pastrimin, ndriçimin etj. të qytetit; organ i vetadministrimit lokal në disa vende të tjera; ndërtesa me zyrat e këtij organi.”

[17] “Pjesa e një qyteti ose e një fshati që merret edhe si ndarje administrative brenda qytetit a fshatit; njerëzit që banojnë në këtë pjesë”. Fjalori i Gjuhës Shqipe i v. 1984.

[18] Një shembull ilustrues është dobësimi, deri në zhdukje, i lidhjeve historike tregtare midis fshatit dhe qytetit, siç del nga pengesat që hasin bujqit dhe blegtorët e fshatit dhe të malësisë të shesin produktet e tyre drejtpërdrejt në “pazaret” e qyteteve, traditë që ka qenë e ngulitur për shekuj me rradhë.  

[19] Shih për shembull https://cec.org.al/Portals/0/Documents/CEC%202013/zgjedhje-vendore/2011/qv/QV_zgjedhes_etj_html.htm

[20] Article 3 – Concept of local self-government 2. This right shall be exercised by councils or assemblies composed of members freely elected by secret ballot on the basis of direct, equal, universal suffrage, and which may possess executive organs responsible to them. This provision shall in no way affect recourse to assemblies of citizens, referendums or any other form of direct citizen participation where it is permitted by statutehttps://rm.coe.int/european-charter-of-local-self-government-/1680b0fbec

[21] Rritja artificiale e numrit të Rretheve më 1992 nga 26 në 36 nuk ishte vendim i pjekur dhe solli fragmentarizim të panevojshëm të strukturës së konsoliduar të Rrethit, që paradoksalisht e dëmtoi atë. Prirjet veçuese të njësive si Devolli, Kurbini, Kuçova, Hasi, Malsia e Madhe, Bulqiza, Peqini, Kavaja, Mallakastra, Delvina, etj, mund të rregulloheshin me ripërcaktimin e tyre si Nënprefektura, bazuar në përvojën shumë të çmuar të periudhës së Mbretit Zog. Kujtojmë këtu edhe Nënprefekturën e Çamërisë, me qendër në Konispol.

[22] “But this economic decline is eclipsed by the real and more stark prospect of civilizational erasure. The larger issues facing Europe include activities of the European Union and other transnational bodies that undermine political liberty and sovereignty, migration policies that are transforming the continent and creating strife, censorship of free speech and suppression of political opposition, cratering birthrates, and loss of national identities and self-confidence. Should present trends continue, the continent will be unrecognizable in 20 years or less.”  National Security of the United States, November 2025, The White House.  Tek: https://www.whitehouse.gov/wp-content/uploads/2025/12/2025-National-Security-Strategy.pdf


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin