Influencerët shpesh portretizohen si burimi i problemit, por janë subjektet më të pambrojtura ligjërisht të hapësirës digjitale. Pa udhëzim juridik mbi pasojat ligjore të përmbajtjes (content) që postojnë, influencerët ekspozohen ndaj përgjegjësive civile dhe penale pa e kuptuar në kohën e duhur.
Rasti i mjekut Edi Tushe, që u distancua publikisht nga përdorimi i paautorizuar i emrit të tij në materialet (content) të publikuara nga influencerja Eliona Pitarka rreth dietave për fëmijë, nxjerr në pah një problem thelbësor të realitetit digjital shqiptar: mungesën e ndërgjegjësimit ligjor mbi kufijtë mes opinionit personal dhe influencës publike.
Ky rast nuk është përjashtim, por model që po përsëritet gjithnjë e më shpesh në përmbajtjet digjitale që lidhen me shëndetin dhe fëmijët. Atribuimi i këshillave një profesionisti të njohur, pa autorizim të drejtpërdrejtë, përdoret shpesh si mekanizëm për të rritur besueshmërinë e përmbajtjes dhe për të krijuar një ndjenjë sigurie te publiku. Pikërisht ky mekanizëm është ai që e zhvendos përmbajtjen nga sfera e opinionit personal në territorin e përgjegjësisë ligjore.
Në deklaratën e tij publike, mjeku u shpreh se nuk ka autorizuar përdorimin e emrit të tij për promovimin e dietave pediatrike, duke theksuar se çdo ndërhyrje e tillë kërkon vizitë mjekësore të fëmijës. Megjithatë, përdorimi i emrit të tij nga influencerja si burim autoriteti ka krijuar te publiku përshtypjen e miratimit profesional që mjeku e mohon shprehimisht. Rasti do të analizohet në gjykatë, nëse klinika ku punon mjeku do të padisë për shpifje, fyerje dhe dëmtim imazhi. Çështja shtron në mënyrë të qartë problemet që shfaq kjo formë komunikimi, të cilat nuk janë thjesht etike, por edhe juridike.
Në të drejtën e medias, kjo situatë njihet si atribuim, vendosje e fjalëve në gojën e dikujt, ta paraqesësh sikur ka thënë ose mbështetur diçka që nuk e ka bërë kurrë, duke dëmtuar reputacionin e tij. Kjo është një formë e shpifjes moderne, jo përmes akuzave të drejtpërdrejta, por duke krijuar një përshtypje të rreme për publikun.
Jurisprudenca britanike ofron një kornizë të qartë për këto raste. Në çështjen Irvine v Talksport Ltd[1], Gjykata e Lartë trajtoi përdorimin e paautorizuar të imazhit dhe reputacionit profesional të ish-pilotit të Formula 1, Eddie Irvine, nga një media radiofonike. Talksport publikoi një reklamë që, edhe pse nuk deklaronte shprehimisht miratim nga Irvine, krijonte te publiku përshtypjen e rreme se ai ishte i lidhur ose mbështeste shërbimin e tyre. Gjykata konstatoi se mjafton krijimi i një përshtypjeje të rreme të miratimit profesional për të përbërë shkelje ligjore (passing off), pa qenë e nevojshme një deklaratë e drejtpërdrejtë e pavërtetë.
Shpifja dhe keqinformimi online nuk shfaqen më vetëm në formën klasike të deklaratave të pavërteta. Ato manifestohen përmes kontekstit, nënkuptimeve dhe mënyrës së prezantimit të informacionit. Kur një influencere sugjeron se këshillat e saj mund të mbështeten nga një mjek i caktuar, pa autorizim, ajo krijon një realitet të rremë për publikun. Ky realitet, edhe në mungesë të një deklarate të shprehur, përbën element të mjaftueshëm për përgjegjësi ligjore.
Në mënyrë të ngjashme, në çështjen Fenty v Arcadia[2], Gjykata britanike e Apelit analizoi përdorimin e imazhit të këngëtares Rihanna (Robyn Fenty) në produkte tregtare pa autorizim. Topshop shiti bluza me fotografinë e saj, duke krijuar te blerësit përshtypjen se ekzistonte një bashkëpunim ose miratim zyrtar nga artistja. Gjykata vendosi se edhe pse imazhi ishte i vërtetë dhe nuk përmbante deklarata shprehimisht të rreme, konteksti i përdorimit ishte keqinformues, pasi përfitonte nga reputacioni dhe identiteti profesional i Rihanna-s. Ky rast konsolidoi parimin se keqinformimi mund të lindë nga mënyra si paraqitet e vërteta, dhe publiku duhet të mbrohet nga sugjerime të rreme të miratimit apo bashkëpunimit profesional.
Gjykata e bën të qartë se përgjegjësia ligjore nuk varet nga qëllimi i postimit, por nga efekti objektiv që krijon te publiku. Në të dy rastet, përdorimi i paautorizuar i reputacionit profesional u konsiderua si shkelje, pavarësisht mungesës së deklaratave të drejtpërdrejta të pavërteta. Ky standard është veçanërisht i rëndësishëm për influencerët, të cilët shpesh nuk janë të ndërgjegjshëm se edhe një sugjerim i tërthortë mund të prodhojë pasoja ligjore, se këto shkelje nuk lindin nga keqdashja, por nga mungesa e informacionit juridik mbi kufijtë e komunikimit.
Rreziku juridik bëhet më akut kur futet në lojë natyra e materialeve a përmbajtjes (content). Këshillat mbi shëndetin e fëmijëve përbëjnë një fushë të rregulluar, ku përdorimi i paautorizuar i emrit të një mjeku cenon të drejtat e personalitetit dhe reputacionin profesional, ndërsa përhapja e informacionit të pasaktë apo të pambështetur shkencërisht përbën keqinformim me pasoja potencialisht të rënda për shëndetin publik.
Nëse Britania e Madhe mund të na duket e largët dhe me sistem tjetër nga i yni, të marrim shembull influenceren më të madhe italiane, Chiara Ferragni, që u hetua nga Autoriteti Italian i Konkurrencës dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (AGCM) për muaj me radhë dhe u fokusua jo te zbulimi nëse ishte informacion i rremë, por te mënyra se si u perceptua nga publiku informacioni që dha influencerja Ferragni. Sipas legjislacionit italian për praktikat tregtare të padrejta, i cili zbaton direktivat e BE-së për mbrojtjen e konsumatorit, një komunikim konsiderohet i paligjshëm edhe kur informacioni është formalisht i vërtetë, por paraqitet në mënyrë të paqartë, të paplotë ose krijon pritshmëri të rreme te konsumatori mesatar. Përgjegjësia e influencerëve nuk lidhet vetëm me përmbajtjen e fjalëve të përdorura, por me kontekstin dhe efektin real të mesazhit në publik.
Keqinformimi, në rastin shqiptar, nuk qëndron vetëm në përmbajtjen e këshillave, por në mënyrën se si ato legjitimohen. Kur një influencere ia atribuon këshillat një mjeku, ajo i zhvendos ato nga sfera e opinionit personal në atë të autoritetit profesional, duke i dhënë publikut një ndjenjë të rreme sigurie. Në të drejtën e medias, ky element i rrezikut është trajtuar nga gjykatat e huaja që theksojnë se liria e shprehjes duhet të balancohet me dëmin real që informacioni mund të shkaktojë, parim që mund të aplikohet edhe në realitetin shqiptar. Ky rast duhet të lexohet si një sinjal i qartë se këshillimi juridik parandalues për influencerët nuk është luks apo reagim pas konfliktit, por një domosdoshmëri paraprake profesionale për të shmangur ekspozimin ndaj procedurave ligjore që mund të zgjasin me muaj apo vite dhe të dëmtojnë seriozisht reputacionin dhe aktivitetin e tyre.
Influencerët shqiptarë mendojnë se regjistrimi me NIPT apo formalizimi fiskal i aktivitetit do të mjaftojë për të qenë të mbrojtur ligjërisht. Në të vërtetë, ky është vetëm detyrim administrativ dhe tatimor, jo një mekanizëm mbrojtës ndaj përgjegjësive civile apo penale që lindin nga përmbajtja (content). Mbrojtja ligjore nuk vjen nga statusi formal, por nga informimi juridik dhe menaxhimi i rrezikut ligjor në çdo postim. Influencerët sot veprojnë si aktorë mediatikë, ndikojnë në sjelljen e konsumatorëve dhe marrin përsipër fushata që kanë ndikim të drejtpërdrejtë social, e për rrjedhojë, kanë një detyrim të shtuar informimi dhe kujdesi ndaj publikut.
Detyrimi i regjistrimit me NIPT nënkupton që çdo përmbajtje, bashkëpunim apo fushatë duhet të analizohet jo vetëm nga këndvështrimi financiar, por edhe nga ai ligjor. Në juridiksione të konsoliduara është tashmë standard që content creators të këshillohen nga juristë, veçanërisht kur trajtojnë tema të ndjeshme si shëndeti, ushqimi, fëmijët apo financat. Çdo publikim është një akt juridik me pasoja të mundshme civile dhe penale, jo thjesht një postim në rrjete sociale.
Rasti në fjalë duhet të shërbejë si një sinjal i qartë për tregun shqiptar të influencës digjitale. Mbrojtja ligjore nuk vjen automatikisht nga popullariteti apo formalizimi fiskal, por nga ndërgjegjësimi juridik, respektimi i kufijve ligjorë dhe këshillimi i vazhdueshëm profesional. Influencerët janë kthyer në aktorë realë të komunikimit publik, prandaj ligji nuk duhet parë si kufizim i krijimtarisë, por si instrument mbrojtës i saj. Influenca e qëndrueshme nuk ndërtohet mbi improvizim, por mbi ndërgjegjësim juridik, respektim të kufijve ligjorë dhe këshillim profesional të vazhdueshëm. Rasti konkret nuk është një konflikt individual, por thirrje për një standard të ri online, ku influenca dhe ligji nuk përplasen, por bashkëjetojnë.
(c) 2026 Fiona Kopali. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi ilustrues është realizuar me Midjourney.
[1]Eddie Irvine v Talksport Ltd [2002] EWHC (Gjykata e Lartë e Anglisë dhe Uellsit) 367 (Ch).
[2] Fenty v Arcadia Group Brands Ltd (t/a Topshop) [2013] EWCA Civ (Gjykata e Apelit Civile e Anglisë dhe Uellsit) 3, [2015] FSR 34.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.