Në bashkëbisedim Elsa Demo dhe Alem Bedhija
Me Elsën kishim lënë një takim për të folur mbi “Ditarin intim” të Bedi Pipës, që ajo e ka përshtatur për skenë me titullin “Kânga eme.” Në bashkëpunim me grupin aktivist “Ata” dramatizimi u shfaq në Kamzë, Tiranë dhe Shkodër në maj 2025.
Autorja Bedi Pipa u lind në Shkodër në vitin 1923 dhe ndërroi jetë në sanatoriumin e Tiranës në 1948-ën. Motër e Myzafer dhe Arshi Pipës, ajo mësoi në Shkollën Normale dhe punoi mësuese. Jetoi në Shkodër e në Tiranë, mbas lufte edhe në Durrës, kohë kur familja Pipa ra viktimë e terrorit komunist. “Ditar intim” erdhi si botim integral në vitin 2007[1], përgatitur dhe shoqëruar me një parathënie nga profesor Pipa.
Për mua ishte e rëndësishme që në këtë takim të flisnim edhe pak për Elsën. Ajo është autore e librit “Te Teatri”[2], e dramave “E gjelbër hiri në të zezë”[3] dhe “Era e njeh trupin tim”. U takuam më 7 nëntor, në një kafene të futur në rrugën “Him Kolli”. Ky është transkriptimi i intervistës-bisedë.
A: Elsa, si je njohur me “Ditar intim” të Bedi Pipës?
E: Me tekstin e Bedit jam njohur rreth 1998-ës, kur mora në dorë antologjinë “Quo Vadis Shqipëri?” (1993) përgatitur nga Ardian Klosi, që ishte si një vazhdim i “Refleksioneve” (1991) dhe i antologjisë “Shqipëria, zgjim i dhimbshëm” (1991), të cilat, ndër të tjera, shfaqnin përpjekjen për të kompensuar dialogun me tekste të pabotuara dhe me qëndrimet ndaj autorëve të anatemuar e të harruar. Te “Quo Vadis” ishin botuar tekste të panjohura nga Faik Konica, Mitrush Kuteli, Donat Kurti e të tjerë. Ardian Klosi ishte takuar ndërkaq me Arshi Pipën, kishin një mik të përbashkët, Martin Camajn. Botimet e para të Camajt në Shqipëri pas ’90-ës janë përgatitur nga Ardiani.
Në lidhje me “Ditarin”, më është dukur guxim që një vajzë të shkruante në vitet ’40 për intimitete vetjake, që i takojnë një bote të pashprehshme në publik. Tetë vjet më vonë, kur Agron Tufa e botoi të plotë ditarin, u ndala më gjatë. E prezantuam në faqet e “Shekullit”, në vazhdim edhe me motrat e Bedit, fillimisht me Fehime Pipën, që ishte arratisur me Arshiun, zonjë fisnike dhe e kulturuar, e cila u kujdes për dorëshkrimet pas vdekjes së vëllait e ku bënte pjesë “Ditari” i Bedit. Kurse Nedreti, motra e vogël, ka punuar për përkthimin dhe radhitjen e disa veprave të profesor Pipës. Kështu, familja Pipa, pa e ditur, është kujdesur që kjo ditë për Bedin të vinte.
Rileximi i ditarit më zgjoi interes jo për zhanrin, po kur ndeshja në autorë që më pëlqenin dhe aty ku dalloja ndjeshmëri të pashpallur, të nëndheshme, kërkoja nëse kishin ditar, për shembull në rastet e Katherine Mansfield-it apo Elsa Morante-s. Nuk e kam fjalën për letërsinë në formën e ditarit, po për tekste që janë shkruar nisur nga kërkesa të brendshme jetike dhe që nuk mendohen për botim. Këto kanë qenë fazat e njohjes me Bedin. Ishte grupi “ATA”, veçanërisht Diana Malaj, që prej një episodi[4] të programit tim “Arkapia” në Ora News dikur…
A: Një emision kushtuar feminizmit të motrave Pipa, apo jo?
E: Jo tamam për feminizmin. Nëpërmjet të ftuarës Nedret Kalakulla tregohej vetëdija që këto gra kishin për shkollimin, rolin në familje, nuk do thosha në shoqëri, sepse shoqëria e mbyti familjen Pipa. Ato prapë arritën të kishin ndikim tek njerëzit rrotull dhe nëpërmjet shembullit të jetës t’i edukonin në kuptimin human të fjalës, siç bëri Nedreti me të birin, Platorin. Kështu që nuk ka arsye dhe nuk dua ta ngatërroj me feminizmin. Ato gra nuk kanë ndikuar në prirje ideologjike, përkundrazi, nuk i janë nënshtruar asnjë ideologjie. Për aq sa rroi, Bedi, siç del nga ditari, nuk krijoi kurrëfarë lidhjeje me ideologjitë fashiste apo komuniste. Ajo ka qenë njeri i lirë.
A: Në një dalje[5] tënden, ke thënë se të pëlqejnë kontradiktat, se herë-herë e gjen kontraditën si qendër të asaj çka e bën të përditshmen interesante. Të paktën kështu e kam kuptuar unë. Puna e përshtatjes për skenën sikur ngrihet mbi premisën e një kontradikte. Vetë Bedi shprehet se mendimet në ditar janë të rrënjosura aq thellë në shpirtin e saj, sa nuk mund t’i komunikohen askujt. E ke ndjerë drojen, që një ditar kaq personal do të shndërrohej në diçka që të gjithë mund ta shihnin?
E: Fakti që i vëllai, Arshi Pipa, studiues i letërsisë dhe i kulturave, e ka konsideruar të rëndësishme që ky tekst t’i jepej botës, t’i jepej lexuesit, tregon se ai mur është kapërcyer me kohë. Botimi nuk e cenon, përkundrazi, e pasuron privatësinë me perceptimin tonë sot, largon frikën nga keqkuptimet që shoqëron daljen në publik të një variacioni bote të brendshme, sepse njerëzit provojnë kontradikta të llojit çfarë është “e lejueshme” të thuhet, çfarë më lejohet mua si individ të zbuloj nga vetja. Bedi ka qenë aq inteligjente, sa të pranonte se, për sa kohë këto gjëra ekzistonin në kokën e saj, ishin një realitet i pamohueshëm. Kur arrihet në këtë pikë, pranohet kontradikta e parë, bashkëjetohet me të dhe individi arrin të kuptojë.
Kontradiktat janë me interes, dhe ndryshe nga marrëveshjet, konfirmimet dhe premtimet për harmoninë e botës, e vënë në sfidë njeriun, e shtyjnë për të kuptuar që frika shpesh është paragjykim që krijon zona të ndaluara, karantina emocionale. Pa i përjetuar dhe rrahur me intuitë dhe logjikë, nuk mund të kuptohet fuqia e kontradiktës dhe e frikës. Kontradiktat mund edhe të të sëmurin, njeriu mund të kalojë në patologji, të zhvillojë obsesione e mani. Kontradikta është e egër, përjashtuese, por kur fillon ta njohësh origjinën dhe mekanizmin e saj të lojës, zhvillohet tek ti butësia, diçka që nuk mund të shpjegohet, që të shtyn ta ripërshkosh jetën, kësaj here me distancë. Ky është njeriu: i egër në rrugën për të qenë i butë.
A: E kam parë Bedin si një vajzë që jetonte mbi pikën e barazpeshës me kontradiktën. E kishte gjithmonë me veten, një marrëdhënie intensive me mendimet dhe emocionet e veta. Sa ndihmë ka qenë për ty kjo lloj natyre, gjatë procesit për vënien në skenë të veprës?
E: Ndihma e Bedit ishte dëshira që më kishte ushqyer teksti i saj për t’i dhënë një formë tjetër jete, që njerëzit ta dinë se ekziston kjo trashëgimi e rrallë e saja. Më vonë do më kujtohej se një lexues i vërtetë si Sait Saiti, më pati thënë një herë, nëse mund të bëja diçka për skenë me ditarin. Në mënyrë të pavarur kishim menduar për të njëjtën gjë. Skena kërkon veprim, dialog, përkthimin e jetës në trup personazhesh, jo pikërisht personazhe, por hije të botës së Bedit. Ndaj personazhet nuk kanë emra, nuk është nevoja, nuk janë të lidhur në koherencë ngjarjesh, por në zinxhir përjetimesh. Sa për krijimin e një kuadri, ka përshkrime në ditar që ta japin në dorë shpirtin e kohës, shpirt që në skenë duhej shprehur përmes muzikës, ndriçimit, rekuizitës minimale, veshjeve, krehjes etj. Duhej t’u bindeshim kërkesave të teatrit, ndonëse ky do ishte prodhim teatror amator. Edhe tek grupi “Ata”, me të cilin u vu në skenë tri herë, në Kamëz, në Teatrin Metropol në Tiranë dhe në Hollin e Radio Shkodrës, ky tekst ka jetuar gjatë. Këtu kam parasysh Diana Malajn në mënyrë të veçantë, Pavjon, Fidin, Aurorën, Ronin. U takuam në dëshira të ndërsjellta. Fara e botës së Bedit është tek ata.
A: Unë kam hequr paralele mes teje e Bedit. Ti vetë i sheh, i ke ndjerë të tilla paralele? Nëse po, si?
E: Ndoshta të jetuarit pranë një personi që mbeti incompiuta në moshën e Bedit? Bedi ishte një incompiuta për shkak të kombinimit të disa rrethanave, për të cilat nuk mund të bësh interpretime në bazë hipotezash apo përgjegjësish. Incompiuta për mua është ajo krijesë e cila, më shumë sesa një cikël të paplotë jete, përfaqëson një botë autentike, jo të përsosur, të jetuar në mënyrë intensive së brendshmi, prandaj dhe të ndërprerë, ndonjëherë nga vetë personi dhe brutalisht, si për të ushtruar vullnetin dhe kontrollin ndaj destinit, një vullnet që me shprehjen e fatalitetit ka fuqi të ndryshojë botë, vetëdije, më shumë se një apo dy jetë njerëzore.
A: Ju kam parë të dyjave si gra të vetëmjaftueshme, pasi besoj se ai që merret me veprën e dikujt, e për më tepër me një ditar si i Bedit, në mënyra të çuditshme gjen ngjashmëri, ndoshta krijon një ndjeshmëri tjetër, që nxjerr në sipërfaqe atë që një pjesë e mirë nuk e sheh.
E: Nuk është puna vetëm tek ndjeshmëria, shijet dhe kërkesat që kam për një tekst letrar apo joletrar, por – është e rëndësishme ta them këtë – dhe tek faktorët e historisë së kulturës, e zhvillimit të kësaj historisë sonë që sa më zyrtare bëhet, domethënë sa më e varur nga lloj-lloj interesash të ditës, aq më tepër sillet si sharrë që kontrollon dorën e atij që e përdor dhe pret degët më të brishta. Ditari i Bedit është realitet autentik shkrimor dhe kulturor që nuk ka arritur të bëhet pjesë e peizazhit kulturor. Letërsi e mirë është ajo që njeh njeriun dhe Bedi duke patur veten në fokus – jo duke ndërtuar e bërë fiksion – ka zgjedhur këtë kryepersonazh, temë e përhershme në art në forma shprehjeje që, kur e marrin seriozisht jetën dhe gjejnë gjuhën për t’iu afruar kuptimit të saj, lexuesin e rritin, emancipojnë, zhvillojnë, skandalizojnë, befasojnë. Bedi tregon që vetja është subjekt i parrokshëm dhe ajo gjeti ditarin për të qenë sa më e ndershme me veten. Ka kapituj që sillen rreth vetvetes, në fakt janë ndarje që i ka bërë Arshi Pipa dhe shumë mirë ka bërë, duke luajtur rolin e redaktorit të rreptë. Ai do t’ia kishte bërë të njëjtat propozime autores, po të ishte gjallë dhe ajo s’kishte si të mos binte dakord. Ndaj nuk kemi pse ta marrim sikur e ka vulosur ai tekstin.
Për t’iu kthyer pyetjes, përveç shijeve personale, tek teksti i Bedit më çon përgjegjësia si gazetare. Duke krahasuar tekstet e autoreve në letërsinë shqipe, por edhe të autorëve që kanë shkruar për botën e gruas, fjala bie, Haki Stërmilli, që thuajse në të njëjtën periudhë shkruan “Sikur të isha djalë”, kam ndjesinë se Migjenit dhe Koliqit do t’u vinte mirë ta kishin përkrah Bedin në familjen letrare të asaj epoke dhe jo vetëm letrare. Por kultura jonë me prodhim dhe qarkullim të kufizuar, nuk e ka treguar veten aq sa ç’do mundej një vend e një kulturë në rrethana të tjera. Autorët e pabotuar në komunizëm, nuk e ndryshuan sistemin letrar pas viteve ’90, nuk u bënë pjesë integrale e tij dhe më shumë sesa problem i autorëve, ky është problem i sistemit. Kjo nuk do të thotë të japësh merita me zor. Dua të them, ky i yni është vend ku edhe miqtë, ngaqë të duan të mirën, ta thonë në sy: “Ndaje mendjen, do rrish brenda apo jashtë sistemit?” Shikoni temat e doktoraturave, kapni frymën e katedrave dhe akademive, ku saldohen monumentet e tre-katërve. Profesorët, juritë dhe specialistët e librit e kapin tekstin me pincat e referencave bashkëkohore në teori pa qenë në gjendje ama – që paguhen për këtë punë, derisa vjen mosha e pensionit – të krijojnë dhe komunikojnë një klimë kulture leximi dhe interpretimi. Është gjithë një aparat i dhomave të ndenjura që djeg breza kulturorë. Dhe flitet për sfidat e leximit në epokën e librit dixhital. Sa pa kuptim!
Rëndësi për mua ka pasur që Ditarin e Bedit ta shoh në raport me kompleksitetin e rrethanave për të ndihmuar sado pak që të njihet. Pa njohur autorët minorë dhe fenomenet e nëndheshme, kultura e vendit ku kemi lindur dhe jetojmë do mbetet një lagje e paajrosur, me monumente zombish dhe parafabrikate të identitetit kombëtar, e segreguar nga bota.
A: Tregomë pak për procesin e prurjes në skenë, krijimin e mjedisit ku duhej të gjallonin këto hije pa emër, për të reflektuar përmasat pa sinore të shpirtërores së Bedit? Ti ke përcaktuar në tekst si do lëvizin figurat, si do hyjnë në marrëdhënie, si duhet të jetë ndriçimi dhe vendet e veprimit, jo detyrimisht të identifikuara me vende specifike…
E: Siç e thashë, ky ishte një prodhim për një teatër amator, i realizuar në kuadrin e Javës Europiane të Kulturës organizuar nga House of Europe në Tiranë. Meqënëse vepra duhej të qarkullonte në skena dhe hapësira të ndryshme, duhej të ishim praktikë. Nuk mund krijonim, për shembull, një studio me sixhade e bibliotekë si kjo këtu (i referohet dekorit retro të barit ku po bisedojmë). Kjo formë u la jashtë, që kur u konceptua dhe u shkrua. Ato pak objekte i kemi kërkuar në ambiente që kanë sende vintage, brenda kohës së kufizuar në dispozicion. Tjetra, ndriçimi ishte i rëndësishëm, sepse po flasim për një botë me dritë që lëviz në errësirë, në errësirë shoqërore, në errësirën e vetmisë së dhomës. Pak orientime jep Bedi: prania e radios, abazhurit, qirinjve, e muzikës që u përdor ndoshta me pak tepri them sot, herë nëpërmjet këngëve, herë nëpërmjet tingullit (sound-it), muzikës elektronike avanguard. Është bërë një kërkim se çfarë këngësh lejoheshin nga autoritetet fashistë asokohe, jo vetëm këtu, edhe në Itali. Duhet marrë parasysh se Bedi ishte e orientuar nga kultura italiane e franceze.
Ka raste që një episod skenik është ndërtuar bazuar vetëm në një fjali të ditarit, siç është kthimi i vëllait të madh nga burgu, Myzafer Pipa. Myzaferi, avokat dhe publicist, kthehej nga burgu i Ventotenes, apo nga kampi i përqendrimit të Prishtinës. I provoi të dy. Bedi nuk e thotë dhe nuk ka rëndësi. Ata që e njohin historinë e familjes Pipa, e dinë që Myzaferi u vra nën torturë dhe vrasja e tij në 1946-ën, e kryer me aprovimin e Enver Hoxhës, u fsheh. Episodi i vëllait është krijuar në skenë si abstragim i ngjarjeve reale. Duke mbajtur në vëmendje që ishte periudhë lufte, e trajtuam si kthim i ushtarit në shtëpi, që është një figurë e përbotshme. I veshur me kapotë, një aktor hyn në skenë dhe krijohet kjo ikonë, që e gjejmë tek baladat: takimi i motrës me vëllanë. Ai është as i gjallë, as i vdekur.
A: Ka dy momente kur Bedi i kthen përgjigje pyetjes “Ku rrin lumnija?”. Njëri është himni që i thur Shkodrës së fëminisë: “Te ti njofta shgënjimin! Te ti nji ditë i thashë lamtumirë fëminisë seme të pakuptim!”. Duket se aludon që lumturia rri tek e kaluara, tek kujtimet. Momenti tjetër është kur dëgjon Schopen-in, pra si një përgjigje se lumturia rri tek e bukura, tek dashuria. Pse kishte rëndësi që të dyja këto momente të ruheshin në dramatizim?
E: Ka disa pika kyçe në ditar që duheshin zbërthyer në dialogë ku diskutohet, kundërshtohet, hidhen mendime, që ndonjëherë duket se e mbyllin komunikimin, ngaqë gjuha bëhet e vagullt, ambige. Lumturia është një nga këto tema. Do doja ta citonim.
“Vajza – Sa të shkurtë çasat e qetsisë! E atbotë kânga eme s’âsht ma e bukur! Tundimi më trazon. Çerdhja e tij në zemrën t’eme asht fort e thellë.
Nji rreze lumnije! Sa larg e shof unë at! Ylber i mekun qi retë e zymta memzi lanë me e dalluem. Vuej e në mes të vuejtjes pyes veten: Ku rrin lumnija? Fantazma eme, ti që njef ma mirë se gjithkush vuejtjen t’eme. Më thuej!
Ndërhyn Vajza 1 që asht afrue ndërkaq pas shpinës së Vajzës:
Vajza 1 – Lumnija gjindet ndër lotë, ndër lotët e dlirtë qi burojnë pa shkak.
Vajza – Shof të gjallë fantazmën e s’ardhmes s’eme, por nuk flas me tê se e mnijë! Me kê flas atëherë? Me nji copë letër të bardhë si kte që kam para vetes… E orvatem me pasqyruem në te hijet e shpirtit tim. E prap pendohem.
Vajza ndjen sensualitetin e muzikës së Shopenit dhe të nji rreze drite n’errsinën e zymtë të odës së saj! Ndjen dashtuni.”
A: Më vonë Bedi thotë se edhe në përplasjet e mëdha të brendshme, sidomos kur vuan fort, aty e gjen paqen.
E: Për disa është e rëndësishme të pyesin “ç’është lumturia?” dhe çfarë rruge çon tek ajo. Në rastin e Bedit, të jetosh në të shkuarën, kthimi pas është një formë lumturie, e kjo mund të vlejë për shumë të tjerë. Ky rikthim mund të krijojë një iluzion, si formë e rrezikshme e lumturisë: jeton dhe zbukuron të kaluarën, duke injoruar momentin ku je. Por, mund të jetë burim frymëzimi e kaluara, si periudhë ku e njeh më mirë veten dhe krijon kontakt mes asaj që ka qenë dhe asaj që është. Lumturia për Bedin ishte burim vetënjohjeje. Kur ajo thotë se lumturia qëndron ndër lotë, unë e marr si kontradiktë zbuluese, prandaj dhe të bukur, me të cilën bie plotësisht dakord, pa e ngatërruar me sentimentalizmin e romantizmin. Lidhet me atë që zakonisht njerëzit e shtyjnë, pasi iu duket e padurueshme, si gjendje që nuk iu bën mirë, sepse i vë poshtë dëshpërimi dhe dëshpërimi nuk i duhet as dreqit. Bedi i ka rrahur këto pyetje me shkrimtarë e filozofë, të cilët i lexonte në gjuhë të huaj. Ajo është më afër qëndrimeve të Shopenhauerit për ekzistencën, për raportet me veten, të tjerët, botën dhe fatin.
A: Më duket po aq afër asaj që thotë Huxley: “Qëndrueshmëria është në kundërshtim me natyrën, në kundërshtim me jetën. Të vetmit njerëz plotësisht të qëndrueshëm janë të vdekurit.”
E: Sipas kësaj, kontradikta është shpirti i botës, e shprehur në mënyrën si zgjedh të luftosh për të qenë në botë, për ta ndryshuar atë që ndjen se nuk të përshtatet.
A: Bedi duket e ndikuar nga autorë të mëdhenj: Nietzsche, Rilke, Dostojevksi. Këtë të fundit e përpin.
E: Dostojevski provon nëpërmjet letërsisë evoluimin njerëzor nga krimi tek takimi me Zotin. Njeriut në jetë i jepen disa shanse në momente kritike për të gjetur paqen, të vërtetën, atë për të cilën është i projektuar për të qenë, pasi njeriu nuk mund të vetëshkatërrohet pambarimisht. Bedi duhet ta këtë dashur për këtë arsye, më shumë sesa për stilin. Rilken mund ta ketë dashur si për ndjeshmërinë, edhe për stilin, për një formë të përjetuarit të botës si poezi. Po nuk ka rëndësi. Këta autorë e kanë ndihmuar të kuptojë gjendjen e saj “të mjerueshme”, them “të mjerueshme” pasi perceptimi shoqëror për lumturinë dhe gëzimin është i paracaktuar, i varfër dhe pa fantazi. Specifikisht Shopenhaueri e ka ndihmuar të konfirmojë ndjesitë në nuancat më të imta. Si grua e re me shumë intuitë, ajo është në gjendje të lexojë përmes shtresave të botës e të marrëdhënieve, e jo t’i marrë të gatshme kuptimet. Kishte studiuar në Shkollën Normale – do njihej më vonë si Instituti “Nana Mbretneshë” – që ishte shkolla më e mirë femërore në vend. E shpjegon mirë Arshi Pipa në parathënie se cilat ishin kanalet e saj të informimit dhe formimit, proces që e vazhdoi edhe pas shkollës. Arshiu ishte po ashtu burim i rëndësishëm për lexim dhe ndarje mendimesh. Prandaj, nga pikëpamja skenike, kam menduar se dialogu me veten më të thellë duhet të vinte nëpërmjet figurës së fantazmës. Është pavetëdija në sinkron me vetëdijen, në intimitetin e dhomës, me këmishën e natës, ku njeriu është vetëm me lëkurën e vet.
A: Flasim dhe pak rreth kësaj? Tjetër përvojë është ajo e të lexuarit, tjetër ajo e të ndjerit në skenë, e cila ka mundësinë dhe mjetet të provokojë ndryshe.
E: Meqë po flisnim për fantazmën, koha kur ajo shfaqet, si bëhet prezente, si ndërvepron dhe si ndriçohet, duhet të ishte e besueshme, pa ekzagjerim, e tillë që, për nga realizmi, një fije e hollë ta ndante hijen nga trupi i vajzës. Edhe të nuhaturit e ngacmuam nëpërmjet flakës dhe tymit që krijohet nga djegia e letrave në fund. Është diçka që e gjen në teatër, por e kemi justifikuar si zgjedhje: a mbërritën letrat e Bedit në destinacion? Ishte kohë lufte.
A: Këtu më vjen në mendje një tregim nga antologjia që ke përgatitur me Ardian Klosin, “Shqipëria tregon”[6]. Të njëjtën atmosferë ma ka kujtuar tregimi “Koha gjithandej” e Albri Brahushës. Ai thotë: “Gjithçka kalon sepse koha djeg, koha nuk ecën aspak, koha është gjithandej, ne lëvizim nëpër të, na përshkon dhe na djeg si një krande shkrepëseje.”
E: Më vjen mirë që ke kapur këtë ndjeshmëri të Albrit nga “Aj rum cici rum”. Albri është gjenuin dhe lënda e prozave të tij të shkurtra rezonon me lëndën e botës së Bedit. I përket të njëjtës etnokulturë, botë qyteti, frymë familjare, të njëjtave lagje me shtëpi të ulëta me shermashekë dhe me rrugicat në zheg. Tek të dy vjen një aromë Shkodre dhe fëmijërie.
Edhe diçka: ndjej njëfarë ngjashmërie mes Ditarit të Bedit dhe “Jeta ime universitare” e Musine Kokalarit, gjëja më e bukur që Musineja ka shkruar. Është koha e studimeve, ajo është në vrullin e kërkimit dhe kontakteve me botën. Kujtoj një pasazh të vizitës së saj në varrezat e Romës, i jashtëzakonshëm.
A: Do doje ta përshtasje për teatër?
E: Ide e bukur! Nëse gjej diçka që vërtet të më ngacmojë, pse jo? Por, nuk do ta bëja për hir të historisë apo se është Musine Kokalari, një legjendë për shoqërinë. Nëse gjej një perspektivë bashkëkohore, po. Do ta mendoj.
A: Vura re se edhe didaskalia e dramës ishte në gegnisht.
E: Është një sprovë. Kisha dëshirë që edhe elementi gjuhësor deskriptiv jashtë dialogut të ishte gegnisht.
A: Më bën përshtypje skena V, “Fanatikë dhe zotnij” ku zotëria me borsalinë dhe komunisti i ri flasin për figurën e intelektualit dhe idealin.
E: Kjo pjesë u vu në pah për të zhvilluar të kundërtat e qëndrimeve, sepse është në natyrën e teatrit për t’u mbajtur dhe zhvilluar përmes diskursit të mospërputhjeve, paradoksit, mistikes. Është nxjerrë nga një a dy fjali të ditarit edhe kjo skenë. Harroje për një çast që është ditar dhe përfytyroje tekstin si një synopsis. Prej këtej ka ardhur zbërthimi në figura, episode, nuk ka shpikje. Është si një gdhendje, si një basoreliev që ngrihet mbi lëndën gjuhësore dhe shpirtërore të Bedit. “Fanatikë dhe zotnij”, këto emërtime janë të dramatizimit, përplas komunistin e orëve të para me zotërinë që pas lufte do ta gjejë veten tek klasat e përmbysura. Nuk i kemi paraprirë ngjarjeve nisur nga konteksti i sotëm, por është Bedi ajo që i ka kapur këto diferenca midis grupeve shoqërore. Skena zhvillohet nën sfondin e aksionit të vajzave të organizatës. Duhej të vihej në dukje edhe kjo, për të kuptuar perceptimin që bashkëmoshataret kanë për sjelljen e Bedit. Në fakt, vajzat që studionin në shkollën femërore gjatë pushtimit fashist, ishin në kontakt me grupet komuniste, ishin aktive dhe hynë në lëvizjet ilegale. Në shfaqjen tonë ato paraqiten si organizatë shantazhuese që mosangazhimin e Bedit e marrin për indiferencë, për mungesë patriotizmi. Përgjigja e saj është se mënyra e komunistëve nuk i duket as fort e gabuar, as fort e drejtë.
A: Është kjo një qasje që shoqëria e ka edhe sot?
E: Në raportet shoqëri-individ, turmë-individ? Po. Në një vend ku aktivizmi është duke u zbuluar, që shoqëria civile është duke u zbuluar, pasi nuk i ka patur në repertorin e traditave që duhet t’i ketë një qytetërim, nuk di nëse njerëzit janë syhapur për të parë se ky zbulim vjen bashkë me deformimet, në varësi të çfarë interesash e lidh me aktivizmin. Janë forma të organizimit shoqëror që nuk i shoh të pastra. Ndaj mendimi i Bedit më duket i mprehtë, kritik. Rryma që ushtron presion me thirrjen “Eja me ne”, kërkon të orientojë atdheun tënd mendor e shpirtëror. Bedi Pipa është pararendëse e një modeli qëndrese në shkallë të vogël, që është pika e nisjes për çdo lloj qëndrese me aksion të gjerë.
A: “Je nji e veçueme” i thotë kushëriri Bedit, pasi i ka lexuar një copë nga ditari:
“Vajza – Nuk jam mizantrope.
Kushrini – I tregon botës vetëm faqet e jashtme të kompleksit tand, jo thelbin tand.
Vajza – Sepse nuk duroj të jem pasqyra e kureshtjes së vështrimevet të hueja. Due t’jem pasqyra e vetvetes.”
E: Në diskutimin me kushëririn përballë u reziston ideve për të qenë individ aty ku turma përvetëson identitetin, autenticitetin. Tjetri duhet trajtuar si krijesë unike dhe të gjithë bashkë pastaj bëjmë një shoqëri. Jo e kundërta.
A: “Jam e zoja me dashtun edhe të tjerët veç meje”, thotë ajo, “e jam e zoja me i dashtun edhe ma fort se veten t’eme. Nuk jam nji prodhim ambienti. Gjithkush më njef në mënyrën e vet, simbas ndërtimit të vet, e n’atë masë qi unë due. Unë jam nji troglodit.” Në fakt, ky koncept, trogloditi, shkon me shpellën e vetvetes, me dhomën e saj ku shkruan dhe vuan në izolim.
E: Nga koha e Bedit në ditët e sotme ka ndryshuar rekuizita, më së shumti. Ndërrimi i rekuizitës krijon idenë se qytetërimi ka evoluar, sepse ka garantuar mirëqenie dhe të drejta që 80 vjet më parë nuk ishin imagjinuar, por grackat janë sofistikuar. Mjedisi ynë është larg emancipimit që ajo pretendonte. Uroj që edhe të rinjtë e kësaj shfaqjeje, Klodi, Xhensila, Klaudia, Kejsi, Selma, Kevini, Igli, Violanda, Adelina, ta kenë parë fuqinë e saj, për të arritur tek përgjigjet cilësore që meritojnë pyetjet që ngrejmë për veten dhe shoqërinë.
© 2025 Alem Bedhija. Të gjitha të drejtat janë të autorit. E drejta e autorësisë së fotove i takon Ronald Qema dhe Grupit “ATA”.
[1] Botimet Fjala, 2007
[2] Botimet Berk, 2023
[3] Botimet Logbook, 2024
[4] Arkapia nga Elsa Demo – Rezistenca femërore e motrave Pipa, e ftuar Nedret Kalakulla< https://www.youtube.com/watch?v=qiM_uFsBsdg>
[5] Adi Krasta në “A Show” – Elsa Demo <https://www.youtube.com/watch?v=pJBufRsHKZE>; Elsa Demo – Adi Krasta në ‘A Show’ (26.09.2023) <https://www.youtube.com/watch?v=whIDRnWbfQs>
[6] Botimet k&b, 2010
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.