Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

KA MREKULLI E MREKULLI

Pronarja e butikës My Lady, që gjëndet në shëtitoren Epidamnus të qytetit të Durrësit, më tregoi sesi me 31 të gushtit të kaluar, kishte përjetuar një mrekulli të pashoqe. Në të perënduar të ditës, pasi kishte nxjerrë jashtë, mbi trotuarin e shëtitores, tri karrige, ishte rehatuar me të ëmën, që sapo kishte ardhur për ta vizituar, dhe me hallën, që kishte sjellë me vete edhe qenushin e saj bojë hiri. Halla, që është një zonjë shumë lezatare dhe e veçantë, ia ka ënda të kallëzojë e të dëgjojë ngjarje të lumtura dashurie. Dikur u takuam një pasdite, e para se të ndaheshim, befas më pyeti:” Gentiana, a je e lumtur?”

Bashkë me të shoqin, janë fansa të thekur të këngëtarit italian Gianni Morandi, këngët e të cilit i dëgjojnë gati përditë.

Rudina, pronarja e butikës, më tregoi sesi të treja ishin vënë ballë qelqeve të dyqanit e ishin nisur të fjaloseshin për çikërrima shtëpiake, duke kqyrur, pa u rënë në sy, qytetarët që çapiteshin në trotuar në drejtim të Vollgës, si ata që ndaleshin para kështjellës, po ashtu edhe ata që ktheheshin prej bregdetit shpesh me një akullore në dorë. Kishin shtyrë kështu nja dy orë, derisa për së largu kishin pikasur një zotëri të qeshur, krah për krah me një grua të hijshme, që i ngjante tëpkë Gianni Morandit. Sa më shumë që çifti bënte drejt tyre, aq më e hatashme bëhej ngjashmëria e zotërisë me Gianni Morandin, deri kur Rudina, ishte çuar vrikthi nga karrigia duke thërritur:

– Ua, Gianni!!! Gianni Morandi!

Edhe halla, kishte bërë pak a shumë të njëjtën gjë. Kishte hovur nga karrigia e kishte gërthitur:

– Gianni! Gianni Morandi!

Dhe ishte Gianni Morandi.

Kjo pamje duhet të ketë qenë sa mbresëlënëse po aq dhe komike. Sepse Rudina ishte përpjekur më kot të kontrollonte emocionet, sepse Gianni iu ishte avitur buzagaz duke i përqafuar, e se halla, e shastisur prej lumturisë e duke shpërfillur krejtësisht qenushin e çoroditur që i ngatërrohej nëpër këmbë, kishte vijuar duke bërtitur:

– Io ti amo Gianni! Gianni, sento le tue canzoni ogni giorno! Sempre! Sempre! Sempre!

Gianni ishte shkrirë nga kënaqësia, kishte bërë edhe selfie me të dyja, e meqë ashiqare kjo situatë po e argëtonte pa masë, i vinte hallës pas qejfi duke përsëritur me të:

– Sempre! Sempre! Sempre!

Kjo ishte një nga mrekullitë e pashoqe të Rudinës dhe e hallës së saj, e pasionuar pas këngëve të Gianni Morandit, e pas librave e filmave me ngjarje të lumtura dashurie.

Edhe unë e përjetova një mrekullinë time në gusht. Po në Durrës, po në shëtitoren Epidamnus. Pasionet e mia në këto kohë, janë më pak ngazëlluese. Kanë të bëjnë me vdekje, me kobe të gjata. Janë pasione të pezmatuara, të parehatshme, të zhveshura nga shpresat, e rëndom të vetmuara.
Se kanë të bëjnë me Gazën.

*

E pasionet për Gazën janë punë të pista të parehatshme. Jo të pista si ato që, sipas kryeministrit gjerman Merz, qeveria izraeliane është e detyruar të kryejë për europianët. Por të pista se janë të rrezikshme e heroike, e të bukura se janë të drejta e njerëzore.

Një nga ata që bëjnë punë të tilla, të pista të bukura, është edhe Nathan Thralli, studiuesi e autori hebreo-amerikan, fituesi i çmimit Pulitzer në 2024-ën, me romanin “Një ditë në jetën e Abed Salama: Anatomia e një tragjedie në Jerusalem“. Thralli ka jetuar në Jerusalem nga viti 2010 deri në vitin 2020. Në librin e tij “Një ditë në jetën e Abed Salama: Anatomia e një tragjedie në Jerusalem” Thralli përshkruan një ditë normale në jetën e një babai palestinez, Abed Salamës, në kërkimin e dëshpëruar të djalit të tij pesëvjeçar, Miladit, që ishte nisur që herët në mëngjes për në ekskursionin e tij të parë shkollor në një park të qytetit të Jerusalemit. Bëhet fjalë për një nga dhjetëra tragjedi të paralajmëruara në “Rrugën Jaba“, e njohur ndryshe me emrin “Rruga e vdekjes”, e vetmja rrugë e mbingarkuar, që zhvendos dyqind mijë palestinezë drejt lindjes, për të evituar kalimin e tyre përmes qytetit të Jerusalemit.

Pikërisht, në atë rrugë, Miladi i vogël humbi jetën, i djegur për së gjalli, së bashku me gjashtë shokë të klasës dhe mësuesen e tij kujdestare. Kur libri “Një ditë nga jeta e Abed Salamas: Anatomia e një tragjedie në Jerusalem” doli në shtyp më 3 tetor të 2023-shit, pak ditë para tragjedisë së 7 tetorit, Nathan Thralli sapo kishte filluar turneun e tij promovues së bashku me mikun e tij palestinez, babain e Miladit, Abed Salamën. Asokohe, ai dhe botuesi i tij, kishin shpresa reale se kjo histori do të mundte të linte gjurmë të rëndësishme në opinionin liberal hebre, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara. Sipas Thrallit, ​​​​ata, në një farë mënyre, ishin më të gatshëm për ta konsideruar konfliktin izraelo-palestinez si një rast të pastër aparteidi.

Por 7 tetori, për fat të keq, ua kishte prerë shpresat. “Ky libër,” shpjegon Thralli ​”synon t’ia gërvishtë lustrën së ashtuquajturës paqe të para 7 tetorit. Gjithçka mund të ishte kjo për palestinezët, përveçse paqe. Kjo paqe është në të vërtetë një sistem dominimi tmerrësisht burokratik e i përpunuar, një sistem dominimi që funksionon prej më shumë se gjysëm shekulli.”

*
Mohammad Mustafa, ka punuar në Gaza në ato pak spitale që kishin mbetur atje nga 2023 deri më 2024. Njihet si një nga të ftuarit më të sukseshëm të programit televiziv “Uncensored” të gazetarit anglez Piers Morgan. Mjek australian me origjine palestineze ka qënë dy herë kampion në Jiu Jitsu. Janë të shumtë ata që e kanë pagëzuar me nofkën “Beast from Middle East”. Është shtatlartë, i bëshëm, kokëmadh, me flokët e errët e muskuj të fuqishëm si të një boksieri. Në Gaza, muskujt e tij të fuqishëm iu deshën më shumë sesa njohuritë mjekësore. Për të ngritur peshë thasë të mëdhenj me trupa të shpërbërë, për të shpuar gjokse pa anestezi, për të prerë kofshë e krahë. “Një ditë – tregon – m’u shfaq ky baba i dëshpëruar që tërhiqte pas vete një gomar. Mbi të kishte ngarkuar dy djemtë e tij të mbështjellë me batanije. I ulëm në tokë. Çmpleksëm batanijen. O Zot! Njëri ishte pa kokë! Tjetri me një krah të prerë që përpëlitej në gjakun e vet! “

Projekti i tij është të dërgojë në Gaza spitale lëvizëse, të sensibilizojë me sa të mundet qeverinë australiane e ato të Europës, për të bërë të mundur futjen e dhjetërave të tilla, realizuar falë solidaritetit të mijëra njerëzve nga e gjithë bota.

*

Gabor Mate është psikolog e shkrimtar hebreo-kanadez me origjinë hungareze. Pas viteve 2000, u mor me gjendjen e grave palestineze në burgjet izraeliane.

“I mbijetova holokaustit, – rrëfen, i ftuar në një program televiziv amerikan – kur isha pak muajsh. Gjyshërit e mi nga nëna i humba në Auschwitz, pjesën më të madhe të familjes ma vranë. U rrita në Hungari me turpin se isha hebre. Në shkollë më vinin në lojë se isha hebre. Në Kanada u bëra sionist. Ëndrra e një populli hebre që ringjallet në tokën e tij historike me një shtet hebre të vërtetë, ishte mallëngjyese. Më vonë e kuptova se gjërat ishin pak më ndryshe. Se për të realizuar këtë ëndërr të bukur na duhej t’u nxinim jetën një popullsie autoktone që jetonte në atë tokë prej qindra e më shumë vitesh. Se parulla: ” Një tokë pa njerëz për një popull pa tokë” ishte një trillim. Vetë Ben Gurion ka pyetur dikur: Kush ishin palestinezët?   Dhe vërtet, shumë izraelianë nuk u larguan nga Palestina gjatë pushtimit roman. Shumë prej tyre u kthyen në myslimanë. Mendojeni pak se kush mund të jenë palestinezët e sotëm… Po sikur të jenë pasardhësit e hebrenjve antikë? Po sikur të jenë kushërinjtë tanë?”

*

Pak ditë para se të kthehesha në Itali, u gjenda në shëtitoren Epidamnus, në një pikë këmbimi valutor të një shoqeje fëmijërie, kur ia behën një grup turistësh, burra e gra gazmorë e poterexhinj. Burrat kishin lëkurë të zeshkët e të vrarë. Gratë ishin elegante e të mbuluara. Duhet të jenë marokenë, mendova. Kam shumë miq marokenë si ata. Flasin me zell, duket se kacafyten, por janë thjesht duke rrëfyer me këmbë e me duar.
” Janë pa diskutim marokenë!” i pëshpërita shoqes sime, kur befas ia behu, telef nga vapa e nga vrapi, guida e tyre turistike. Ishte një djalë shqiptar me flokë të verdha, i shkurtër e pak topolak. ” Marokenë? ” – e pyeta.
“Palestinezë”, ma ktheu duke bërë fresk me dorë, “Palestinezë nga Izraeli”.
Mbeta pa frymë e ndjeva ngërçin në grykë. Pak hapa më tej vura re një grua të ulur me dy të tjera. Ishte e mbuluar me një vel të kaltër, e duhet t’i kishte kaluar të pesëdhjetat. Bëra drejt saj duke çarë grupin e meshkujve që vazhdonin poteren e tyre gazmore.
Palestinezë? – e pyeta.
Ajo më pa e habitur e pohoi me kokë.
Dua t’ju them – i thashë e ngashëryer me anglishten time të çalë – se nuk ka ditë që mos të vuajmë për Palestinën! Nuk ka ditë!
Oh! – ofshau, e iu rrëmbushën sytë – Oh! Thank you! Thank you!

Ka mrekulli e mrekulli. Kjo ishte mrekullia ime e papritur, vetëm për mua. Mrekullia ime thuajse fillikate, sa për të fashitur përkohësisht luhatjen time të shpirtit. Një qiri i vogël vetëm për terrin tim.

Atë natë, sikur u ndjeva më e lehtë. Sikur u kota më kollaj.

 

(c) 2025 Gentiana Minga. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin