— Një ese informale mbi gjendjen e gruas në politikën shqiptare.
Nuk dua ta zgjoj gjarprin që fle, por ta tërheq pak macen nga bishti!
Shumë filozofë, sociologë, politikanë dhe antropologë ndër shekuj, në teoritë e tyre flasin në emër të shumësit gjinor: njerëz, individë, qytetarë, duke lënë të kuptohet se e kanë fjalën për meshkuj e femra, për mbarë shoqërinë dhe evolucionin, por kjo mosndarje është njëherësh mospërfillje, anashkalim, duke krijuar boshllëk në informimin dhe gjykimin e lexuesit. Nëse nuk merret parasysh që gjinitë nuk përjetojnë të njëjtat thyerje historike, politike dhe sociale, ose që ato nuk kanë të njëjtin kontribut, këndvështrim dhe pritshmëri mbi shoqërinë, teoritë do të hasin përherë vështirësi në shkoqitjen e problematikave, duke mbajtur qëndrim të tepruar intelektual.
Gjinitë janë të ndara, duam – s’duam, po aq sa janë të kundërta që prej lindjes, dhe më tej ndahen në edukim e veprimtari. Ndahen arketipet dhe stereotipet e tyre, ashtu si kafshët dhe bimët, mendja dhe trupi. Gjinitë janë trajtuar si të kundërta që bashkëveprojnë dhe të ngjashme që ndryshojnë, por ndarjet bëhen radikale dhe aq më patetike bëhen përpjekjet intelektuale për t’i rregulluar rolet në jetën shoqërore me një të rënë të penës, apo me miratimin e ligjeve të sforcuara dhe vendimmarrjeve arbitrare nga struktura menaxhuese të lirisë. Aq e gjerë është kjo fushë dhe të pafundme janë studimet, sa është e lodhshme dhe paksa e kotë të ndiqet çdo tendencë për ta ulur apo ngritur pozitën e njërës a tjetrës gjini në lëmin e jetës publike.
Në vija komike, si më poshtë:
Mund të mendohet se burrat dominojnë historinë intelektuale në mënyrë absolute, por shkrimet e para me autor të dokumentuar vijnë nga Mesopotamia, saktësisht nga Enheduana, një poete dhe priftëreshë që jetoi në shekullin e 23-të p.e.s, në Irakun e sotëm. Temistoklea e Delfit, mësuesja e Pitagorës, e shihte gruan si intelektualisht të barabartë me burrin, duke i përcjellë bazat morale dhe etike në shërbim të punës së tij. Por një ndër të parët që mendonte në mënyrë kritike se femrat mund të jenë të afta njësoj me meshkujt, si pasojë e mësimeve të Sokratit mbi barazinë përpara shtetit dhe ligjit, ishte Platoni, i cili interpretoi rolin e femrave në shoqëri si të nënvlerësuar dhe të nënshkolluar. Ndryshe nga Aristoteli, që gruaja i ngjante thellësisht një krijesë shpirtërore dhe shtëpiake. Gjatë mesjetës qëndrimet ishin kryesisht religjioze, me pikëpamje inferioriteti ndaj gruas, si krijesë sekondare. Gjithashtu, qëndrimi i Kantit mbart konsideratë të ulët dhe këndvështrim të ngarkuar moral dhe religjioz kundrejt vlerave të gruas, duke e përshkruar si sipërfaqësore. Pak më vonë, pothuajse bashkëkohësja e tij, Mary Wollstonecraft, vendosi gruan si kryefjalë të veprës së saj me qëndrime politike dhe shoqërore të strukturuara për të drejtat, duke vendosur një nga tullat e para të feminizmit. Schopenhauer-i e shikonte gruan si inferiore dhe pa nivel intelektual, me probleme morale të dukshme, ndërsa Nietzsche pasqyronte herë adhurim e herë zhgënjim, me qëndrime po aq kritike dhe referenca antikiteti, në luftë me konceptet tradicionale të moralit dhe pushtetit, por edhe duke mbajtur pikëpamje sublimuese njëkohësisht. Në shekullin e XIX, Marksi hapi dyert për barazi në sferën e punës, familjes dhe roleve sociale për gratë. Në rastin e Deleuze-it dhe Guattari-t, pikëpamjet janë tërthorazi gjeneraliste, me përjashtim të idesë së deterritorizimit të roleve, që mban lidhur gratë me të kaluarën e tyre. Nga ana tjetër, Foucault ishte i shqetësuar me natyrën administrative dhe institucionale të pushtetit, se sa me ndërthurjet individuale të roleve në shoqëri. Ndërsa Chomsky mbante lart moralin social me thirrje për angazhim dhe përfaqësim, karshi një shoqërie gjithëpërfshirëse, por me nota naive. Pak a shumë edhe analizat e Hannah Arendt, rendin pas kaosit shoqëror të gruas, si viktimë e regjimeve dhe mospërfaqësimit të saj në politikë, shkaktuar nga nënvlera e saj ekonomike. Ndryshe nga Simone de Beauvoir që mendonte se të jesh grua vendoset nga parametrat e burrave, dhe nuk është një çështje trashëgimie sociale, duke mos patur një përcaktim definitiv, sqaruar në veprën e saj me titull: “Seksi i dytë”.
Pavarësisht përpjekjeve filozofike, duhet patur parasysh se këto dy grupe të mëdha gjinore nuk jetojnë ngjarje njëherazi dhe as njëtrajtazi, për shkak të ndasive të thelluara kulturore, dhe si pasojë japin rezultate të ndryshme në shoqëri. Gratë janë karakterizuar nga sipërmarrje shtëpiake, si ushqimi dhe edukimi i fëmijëve, mbarëvajtjen e familjes dhe bashkëshortëve, shpesh përjashtuar nga veprimtaritë financiare dhe institucionet e politikës, shkencës, religjionit, luftës, sipas kuadrit moral në të cilin bashkëjetonin dhe bashkëpunonin me burrat në sisteme dhe periudha të ndryshme. Përveç kësaj, përgjatë historisë ato janë shtypur, persekutuar, alienizuar, poshtëruar dhe vrarë, aq sa mund të konsiderohet si gjenocidi më i gjatë në historinë e njerëzimit.
Historia e gjatë shqiptare, shpesh e ka mirëpritur rolin e gruas, duke e gjetur atë protagoniste në balada, gojëdhëna, ngjarje, luftë për liri, etj. Disa lëvizje të grave intelektuale në Shqipëri, u organizuan në fillim të shekullit XX, me motrat Qirjazi, duke vendosur themelet e integrimit të nivelit europian, që nuk ishin shfaqur në atë masë më herët në vendin tonë. Gjithashtu, gjatë viteve të mbretërisë, pati një riorganizim në jetën publike të grave, duke tkurrur ligjet kanunore dhe duke thurur të drejta të barabarta mbi pronësinë, arsimin, martesën, apo si rekrutimi në ushtri, administratë, sporte, etj. Që prej vitit 1998, numërohen vetëm pesë gra në krye të partive dhe tre gra në krye të parlamentit, duke shfaqur anomali sidomos përgjatë pluralizmit, ku pritej të lulëzonin bollshëm dhe të sfidonin zakonet në Shqipëri.
Sot, përqindja e grave në politikën shqiptare konsiderohet e lartë, krahasuar madje edhe me shtetet më të zhvilluara europiane. Shqipëria renditet në 40 vendet e para të globit. Aktualisht, komisioni europian ka tre gra kryeministre dhe udhëhiqet nga një grua, presidentja Ursula von der Leyen, por shumica e anëtarëve janë burra (16 me 12). Ndryshe nga Europa, por jo larg praktikisht, kreu i shtetit shqiptar e bëri të qartë qëndrimin e tij përmes ngjyrosjes feministe të fushatës së fundit për zgjedhjet parlamentare 2025, dhe dukshëm shpalosi konsideratën e ulët që ka për burrat që e rrethojnë. Ngjitjen në piedestal të grave që i shërbejnë, me perspektivë si e ardhmja e politikës, Kryeministri e ktheu në aktin kryesor teatral të propagandës, duke vendosur ngjyrime personale. Ky besim, në dukje i justifikuar përmes punës së tyre të palodhur, në vend të seriozitetit dhe angazhimit të grave të politikës me dinjitet dhe transparencë për hallet e popullit, u implementua me një axhendë qejfi dhe hareje, ku kërcehej e këndohej mes kamerave, teksa në vendin tonë mbizotëron ende papunësia, varfëria, emigracioni, arsimi i dobët, mjekësia e lodhur, media e kapur, ekonomia informale, turizmi kriminal, pushteti autokrat, etj. Sakaq, lajmet nga jashtë vendit shfaqnin pamje të Gazës, ku prej 17,954 fëmijëve të vrarë, 1150 janë pa mbushur 1 vjeç. Jehona e luftërave pa rregulla në horizontin botëror, në kontrast absurd me harenë tonë provinciale, tregoi edhe njëherë distancimin psiko-emocional të shoqërisë dhe politikës sonë. Mes marifeteve estetike të yjeve butaforik dhe shkarravinave me ngjyra, që u përdoren si metafora ndaj të ardhmes europiane, ranë në sy sidomos gratë shqiptare të politikës, që shalojnë pushtetin pa ndjeshmëri apo reflektim, vendosur si rekuizitë në mes të fëmijëve që vizatojnë një Europë utopike.
Lidershipi shqiptar ndër dekada, si gjithmonë me simptoma sociopatike, majtas dhe djathtas, ka kopsitur një reverse-etatism që gjeneron vetëm vëmendje publike dhe korrupsion, pa kurrfarë qëllimi për të ndihmuar apo shëruar shoqërinë. Në thelb, ky qëndrim mbart propagandë dhe manipulim të vazhdueshëm të ndërgjegjes qytetare, ku mes tyre ka edhe bashkëpunues e bashkëthemelues të njësive sulmuese partiake, me synim asgjësimin e mendimit dhe lirinë e individit. Njëkohësisht lejohet një liri pa kontroll, që krijon një iluzion midis angazhimit vullnetar dhe detyrimit militantesk, promovuar si arritje personale e liderëve dhe jo si lëvizje kolektive e grupeve politike, apo shoqërisë civile, duke bërë pis çdo proces demokratik. Kjo situatë e stisur nuk tregon sukses, transparencë, dhe as pastërtinë e anëtarëve në radhët e partisë-shtet apo opozitës së tredhur, por më shumë flet për shkëlqimin e udhëheqësit dhe kompromisin e burrave dhe grave të tij, për të përfituar një kockë në grumbullin e mbeturinave politike.
Kam bindjen se në politikën shqiptare mes epsheve, luksit dhe babëzisë, burrat dhe gratë janë të barabartë, sillen njësoj, qelben njësoj, sundojnë njësoj. Shteti kleptokratik është shtylla e regjimi, i cili vendos rregullat edhe për kundërshtarët politik që i ndjekin me fanatizëm dhe përfitojnë njëherazi. E stisur kokë e këmbë, politika shqiptare nuk merr parasysh se komuniteti lokal i çdo zone, duke filluar nga qendra e Tiranës e deri te kabinat e Thethit, apo resortit të Butrintit, shfrytëzohet vetëm si elektorat për grykësinë rozë, blu, mavi, apo shalqi, duke u bërë herë pas here subjekt dhune dhe terrori publik. Ndërsa pushteti i një grupi politik të fuqishëm, i cili ka tiparet e një shoqërie sekrete dhe sillet publikisht si totalitare, ngre vetiu pikëpyetje mbi transparencën dhe vendimmarrjen e individëve në brendësi të saj.
Meqë gjerësisht flitet për burrat në politikë, lind natyrshëm kureshtje për gratë e politikës. Në akte dhe fakte, ata/ato sillen njësoj, mjafton që lideri i cilësdo parti të orientojë dinjitetin e tyre. Shembulli i liderit që flet broçkulla dhe bën sikur merr vesh nga plurinacionalizmi, gjeoekonomia, sociolinguistika, vlen për të treguar se edhe më skeptikun në radhët e tyre mund ta hipnotizojë me forcën e oratorisë dhe arrogancës që e shet si politikëbërje – kjo është e vjetër sa vetë Agora. Andaj teoria e liderëve se “faji është personal”, bie poshtë në grupime kaq solidare dhe të komanduara, sa fjala bëhet ligj.
Gratë e politikës kanë më shumë integritet, apo më pak akses?
Statistikat e punës, pavarësia ekonomike, roli i gruas në vendimmarrje, raportet ndërkombëtare, tregojnë një realitet të rremë në shoqërinë shqiptare, krahasuar me harlisjen që shfaqin gratë e politikës aktuale. Paanshmëria dhe integriteti i tyre për çështje të ndjeshme, si formati më dinjitoz që mund të zgjidhnin si individë të lirë, nuk ndodhet gjëkundi në mjedisin politik, përkundrazi suksesi individual përdoret si element manipulimi për publikun e njëanshëm. Demek ato na qenkan gra të lira, gra të forta, të pavarura dhe të suksesshme, sakaq dhuna rritet në familje dhe në punë. Ky model suksesi ndjek një rrugë jo-etike që shpie në dekadencë morale. Edhe ligji “30% gra”, i drejtë në qasje, por pa konkurrencë, tashmë ngjan si detyrim dhe rekrutim gjinor në administratën shtetërore për arsye të dobëta, si një refresh partiak, në dukje larg korrupsionit të burrave. Këto qëndrime selektive, janë gjithashtu një akt i ulët elektoral, si ndikim në votën personale dhe familjare që sjell tema e gruas, duke prekur telat e publikut. Gjithsesi, statistikat e fundit janë mjaft pozitive, me mbi 40% gra në parlament dhe administratën shtetërore, që duhet të kishte rezultate fantastike në thyerjen e pushtetit të burrave dhe në zbutjen e shoqërisë. Sakaq, mbi 30% e grave në sektorin privat punojnë pa kontratë, të shfrytëzuara dhe pa mbrojtje.
Përse nuk reflektohen përmirësime nga pjesëmarrja e lartë e gruas në politikë?
Hakçe, nuk ka përbërje cilësore, dhe as pjesëmarrje aktive në pushtetin e grave të politikës, nga të gjitha palët. Burrat ende mbajnë pozicione kyçe dhe shpesh janë iniciatorë të veprimtarive negative edhe në kurriz të grave, duke i shtyrë, joshur, ose përfshirë ato drejt abuzimit, korrupsionit dhe degjenerimit, pa harruar bashkëpunimin me dëshirë. Mjafton t’i hidhni një vështrim hierarkisë aktuale të partive dhe do të vini re se gëlon nga emrat pa eksperiencë dhe pa asnjë veprimtari individuale me angazhim social. As empati, as përulje nuk shfaqin kundrejt qytetarëve, por vetëm sublimim të liderëve përkatës. Tashmë është ndërtuar një teatër marionetash dhe i gjithë aparati politik luhet nga interesat personale të ndara sipas partive.
Përveç pengmarrjes së individëve dhe institucioneve, vlen të përmendet edhe servilizmi, si një faktor mjaft shqetësues mes grave dhe burrave partiakë, por jo vetëm. Një pjesë e mirë ndërtojnë marrëdhënie të mbyllura, në formën e adhurimit, duke përgatitur duarartë shabllonin për pasardhësit e tyre, të cilët do të përdoren, ngrihen dhe rrëzohen sipas interesit. Por ndryshe nga guximi idiotesk i burrave që hidhen nga shkëmbi (kokën në thes), gratë kanë tendencë të punojnë brenda rregullave, edhe pse mjaftueshëm në buzë të greminës. Sipas disa qëndrimeve politike të Ayn Rand, gratë e politikës mund të binden plotësisht ndaj pushtetit, shtetit, liderit, figurës së babait, dhe e kanë më të vështirë të shkelin autoritetin me të dyja këmbët, duke mos shfaqur as guximin për të kundërshtuar, përkundrazi, e shfrytëzojnë forcën e burrave.
Kësisoj edhe gratë e politikës sonë gjejnë rrugë më inteligjente për të kryer aktet e tyre korruptive, me plot raste nga mali deri në bregdet, që trajtohen si investitorë strategjikë nga organet shtetërore të përkëdhelur prej Princit Limon dhe administratës së limonucëve. Në aktualitetin tonë sfilitës, ka mjaftueshëm shembuj të grave të politikës që janë të gatshme për pozita të larta, përmes ambicies dhe stilit të jetesës, me ide fikse mbi materializmin dhe luksin, jetën e mirë dhe pushimet e shtrenjta, si një formë e instinktit të mbijetesës dhe përshtatjes në pushtetin e mbingopur të burrave, për të dominuar ato pas tyre.
Po gratë e tjera, ato të arsimit, të mjekësisë, të bujqësisë, të shërbimit, të turizmit, të fasonerive, të transportit, të rafinerive, të porteve dhe aeroporteve, të ushtrisë, rendit, drejtësisë, ato që emigrojnë në mënyrë legale, ato që kërkojnë punësim të sigurt, ato që duan mbështetje sociale, pa privilegje, pa manipulim, dhe që ndryshe nga burrat planifikojnë më gjatë jetën e tyre ekonomike me aq hapësirë sa mund të gjejnë në tregun e egër të punësimit, duke u munduar të rrisin fëmijët edhe në mungesë të baballarëve, përfshi përplasjet e tyre me padrejtësinë, të fortin, abuzimin dhe korrupsionin – a kanë ato mbështetjen e grave të politikës?
Vështirë të thuash se gratë me nivel të lartë jetese mund të jenë solidare ndaj atyre me nivel të ulët jetese. Ende nuk kemi prodhuar statistika të konsiderueshme për mbështetjen grua-grua. Por kemi parë se si gratë e shtresës së ulët poshtërohen publikisht përmes akteve banale dhe boshe të shtresës superiore të grave në politikë, në media dhe show-biz, me festa të sponsorizuara, përvjetorë politikë, evente në kundërshti morale, ku derdhet shampanja dhe harrohen qametet e këtij vendi. Gratë e politikës shqiptare mblidhen për kauza të vanitoze dhe bëjnë parada-me-Prada, nuk mbajnë fjalime motivuese, as prekëse, por flasin për arritje të befasishme, sukses personal, teknologjinë avangardë, shkëlqimin e partisë apo shefit. Ato shqetësohen për të ardhmen e Shqipërisë në raport me Evropën, përqafimin e inteligjencës artificiale nga gjyshërit, ngjizjen e një shoqërie të hapur, ngritjen e vlerës së metropolit dhe bimësisë vertikale, shit-blerjen e standardizuar të pasurive, njeriun që është vizionar edhe kur e përzënë nga shtëpia, kur e lënë pa ujë, pa punë, pa drejtësi, atë që çon përpara partinë, dhe nuk i kemi parë të dënojnë publikisht aktet e dhunës policore, ku gratë degjenerohen, dhunohen, tërhiqen zvarrë në sy të fëmijëve. E teksa këto gra partie bëjnë party, gratë e thjeshta me duar të nxira, skllavërohen nga sistemi i korruptuar që ato çojnë përpara. Kjo orgji injorantësh, merr vlerë në sy të fëmijëve tanë, që nuk po ushqehen me vlera, por me rastet e korrupsionit, grykësisë, dhunës dhe krimit të organizuar shtetëror.
Në këtë pozicionim të flashkët të gruas së politikës shqiptare, vlen për t’u përmendur edhe plakja e popullatës, lindjet e pakta dhe emigrimi i tepruar, që çuditërisht shkojnë pothuajse paralel me fuqizimin e saj despotik. Shto këtu edhe dështimin e arsimimit më të mirë se ai i meshkujve në politikë, që në fakt duhej të kishte dhënë rezultate të larta në përfaqësimin e tyre. Por ndryshe nga çfarë pritet, gratë mbajnë shumë herë më pak ligjërata në parlament, shtrojnë më pak çështje të ndjeshme, duke mos lënë gjurmë në veprimtarinë e tyre politike. Dashur pa dashur, privilegjet e sarajeve nuk i kanë bërë gratë e politikës të jenë më të drejta, të luftojnë për gratë e tjera, të krijojnë shembuj, të çelin dyer, por as nuk i kanë penguar të zihen në grackë, të shtien në dorë prej eprorëve e ta shfrytëzojnë pengmarrjen. Edhe pse ato kanë patur gjithnjë pak pushtet nën rrogoz, sërish nuk shfaqin shenja rebelimi ndaj autoritetit mashkullor, aq sa edhe përballë dhunës fizike e psikologjike, nuk ndihen fare, sikur t’u ketë pëlqyer abuzimi.
“Punë ka, por s’ka profesionistë – Parlament ka, por s’ka parlamentarë.”
Në këtë kohë të thyer politike, fasada jonë shoqërore vishet me emancipim dhe progres, por diskriminimi gjinor po piloton anijen, sidomos në rrjetin e tretjes së dinjitetit dhe promovimit fatkeq të gruas, online. Ngjan sikur s’ka mbetur dinjitet politik që prej groteskut të regjimit komunist, që e transformoi gruan në një vegël propagande. Përfshi ndikimin negativ që ka patur pluralizmi qesharak, duke mos pjellë dot asnjë parti me shumicë grash në 35 vite, asnjë sindikatë serioze, asnjë organizatë të pastër grash, as ndërgjegje fetare, dhe as pikën e filantropizmit, apo solidaritetit. Sundon një poshtërim i vazhdueshëm, një tallje publike, dhe fusha e politikës u dominua nga burrat shovinistë që vodhën përfaqësimin e grave dhe dëmtuan ndërgjegjen femërore, duke krijuar një botë të nëndheshme bashkëpunimi dhe shfrytëzimi reciprok, me detyrim rekrutimi në parti qesharake, që nuk kanë asnjë kontribut përveç censurimit të votës. Ngjan sikur jeta politike e gruas shqiptare ka qenë një zinxhir abuzimesh përmes shekujve përpjekjesh dhe disfatash të organizuara, por edhe një flashkje tradicionale, me nisma të paqena.
Përmes pakteve të heshtura, pa firma apo dokumente, ashtu si burrat edhe gratë, mund t’i bëjnë bisht detyrave, të zvarrisin burokracinë, të krijojnë klane afatgjata në administratat publike dhe private, të tradhtojnë dhe të sundojnë me këmbëngulje, në shërbim të korrupsionit dhe favorizimit për përfitime personale. Shumë prej funksionarëve, me role të larta politike, nuk kanë kaluar përmes filtrave të meritokracisë, edukimit apo eksperiencës, por janë katapultuar, duke shfaqur bindje dhe frikë kundrejt liderit, me besnikëri ndaj autoritetit të tij. Miti i udhëheqësit të pamposhtur është arsye e fortë për të ndezur një adhurim histerik te kushdo që ndodhet mjaftueshëm pranë dhe ndihet i bekuar, burrë a grua qoftë. Ky raport i pushtuesit dhe të pushtuarit, mbart e përcjell dominim dhe nënshtrim, perversitet, njësoj si sindroma e Stokholmit.
Një tjetër element thelbësisht influencues, është urdhri që vjen prej gojës së prijësit. I pakontestueshëm, fjala e tij ndez një rend natyral të bindjes dhe shpesh shpërblehet me buzëqeshje, përkëdhelje të ambicies, veçim nga grupi. Këto sjellje kombinohen me keqtrajtimin, sepse nënshtrimi zë vend mirë në marrëdhënie epërsie. Kjo aftësi i takon alfës së një sekti, ku burrat zgjidhen për ushtarë dhe hamej, ndërsa gratë zgjidhen për shërbim, riprodhim, apo ndonjë motiv që i përket metafizikës. Keqazi, kjo hierarki shtypëse interpretohet si mbarëvajtje punësh nga dominuesit e grave dhe burrave, ndaj dokrrat e tyre zënë vend si ideologji, vizion, progres dhe iluminim për sektarët.
Konkretisht, promovimi i shprehjeve si: “Shqipëria është grua – Europa është grua”, ose “gratë janë më të mira se burrat”, “gratë kanë më shumë tru se burrat”, “gratë janë më të afta se burrat”, “gratë janë më të drejta se burrat”, mbartin ngarkesë emocionale dhe përdoren si lavazh truri, pjesë e një fushate shfrytëzimi të udhëhequr prej hipnozës partiake dhe dëmtimit psikologjik, mjaftueshëm larg prej realitetit të shëndetshëm shoqëror që kërkon vendi ynë në krizë politike.
Gratë me pushtet dhe gratë e pushtetit, janë dy sjellje të ndryshme. Ato ndahen nga qëllimet dhe veprimet, si nata me ditën. Edhe pse revolucionet përgjatë historisë janë kryer më së shumti prej burrave, si shkak i ambicies për pushtet, sot revolucioni në politikë i përket gruas. Por, për arsye të një hendeku ekonomik dhe kulturor, këto dy gjini mund të konsiderohen klasa të ndara shoqërore, dhe si rezultat, kjo ndarje e pasqyron gruan të nënkategorizuar në çdo aspekt të shoqërisë. Graria duhet të gjejë rrugën e kundërshtisë së organizuar, si i vetmi antipod ndaj burrave që abuzojnë me pushtetin, në shtëpi apo në politikë qoftë, në kontekstin feminist ose jo. Tubimet e grave njihen në historinë moderne, madje mund t’i konsiderojmë si shpikëset e protestës ekonomike, që prej marshimit drejt Versajës, ku u vulos edhe fati i revolucionit francez. Sidoqoftë, gratë kanë luajtur role të rëndësishme në veprimtari shtetërore dhe ushtarake, sidomos në kohë lufte, ku kanë mbajtur poste administrative, si në rastin e Francës kolonialiste, Anglisë ekspansioniste, apo më vonë në Gjermaninë naziste, Italinë fashiste, Amerikën ultra-imperialiste, Serbinë dhe Rusinë delirante. Gratë janë përfshirë edhe në gjenocide, por pa pasoja të rënda nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës, dhe me fare pak reagim në arenën ndërkombëtare të politikës, sikur ato të ishin të përjashtuara nga pasojat e veprimeve të tyre.
Edhe pse gratë janë viktima të brutalitetit përgjatë historisë, në kundërshti me epërsinë agresive të meshkujve në politikë, mund t’i konsiderojmë zonja të diplomacisë, që urtë e butë janë infiltruar në qarqe të larta dhe kanë ushtruar pushtet, edhe pse me më pak ndëshkime se burrat në rastet e abuzimit. Gjithsesi, gratë bashkohen me përplasjet e dhunshme, herë liberale, herë konservatore, mjedisore, ekonomike apo legjislative, duke përmbushur rolin e tyre si qytetarë dhe pastaj si gra, apo politikane. Kjo veprimtari nuk ka gjasa të jetë e pastër në vendin tonë, sado të përpiqet njëra apo tjetra palë, për shkak se është vrarë me kohë shpirti i garës, i llogaridhënies, i demokracisë dhe lirisë. Kjo vlen për mbarë politikën shqiptare, por te gratë mban njëkohësisht vulën e shtypjes dhe bashkëpunimit. Nga ana tjetër, gratë e politikës, nuk kanë bërë përpjekje reale në thyerjen e traditës së shfrytëzimit nga burrat, andaj u duhet ta justifikojnë përfshirjen e tyre me shumë mundim, nëse duan të pasohen nga breza më të ndërgjegjshëm. Për momentin, nuk duket se ka shanse të ndodhë një mrekulli në vendin tonë.
Pak antikitet:
Agamemnoni flijoi vajzën e tij, Ifigjeninë, për të gjunjëzuar Trojën. Më pas rrëmbeu Kasandrën profetike, e cila e parashikoi fundin e tij. Pavarësisht paralajmërimit, ai u vra nga e shoqja, Klitemnestra, që ishte njëkohësisht e motra e Helenës, e cila vrau edhe vetë Kasandrën, si pasojë e xhelozisë dhe hakmarrjes për sakrifikimin e së bijës.
Ky fat i paralajmëruar, i Agamemnonit që vdes nga dora e një gruaje, të cilat i ka skllavëruar, përdhunuar dhe vrarë, sillet si një lloj karma (pasojë), por prishet nga dashnori i Klitemnestrës që e vendos Eskili me dorë, ku sërish një burrë është hija e aktit të dhunës së një gruaje. Kjo ngjarje sjell hakmarrjen dhe xhelozinë në qendrën e tragjedisë, por edhe kundëraktin ndaj mizorisë së sovranit, duke vendosur një pushtet të ri kundër diktatit të tij. Pra, nëse ndaj një tirani nuk ka kryengritje, nuk do ketë shpagim dhe do të sundojë përjetësisht dhuna, duke e lënë gruan një pasojë të luftës së tij mizore për pushtet.
Sipas disa autoreve të feminizmit radikal, si Valerie Solanas, (pa qenë nevoja të përmend Simone Weil, e cila nuk radikalizon gjinitë por dënon historinë), femrat duhet të synojnë udhëheqjen e botës, për ta çuar drejt paqes dhe stabilitetit, duke sunduar dhunshëm mbi meshkujt. Ky qëndrim është paradoksal (plumbi me plumb), por njëkohësisht është një thirrje që shkund themelet e gruas shtëpiake, e cila shkon e vjen në histori përmes uljesh e ngritjesh, adhurimesh e shfrytëzimesh, manipulim e dhunim, dhe ende nuk e gjen veten sovrane në politikë, as në jetën e saj publike dhe private. Duke mos patur shembullin e duhur, edhe gruaja shqiptare vuajti nga mungesa e identitetit gjatë regjimit Stalinist-Maoist të vendosur kobshëm në vendin tonë, ku numëroheshin pak gra në parlament pas vitit 1944. Gjithsesi, edhe pse u gjend në pozita shumë më të forta, ajo u përul përballë një burri të motivuar patriarkal. Ky pozicionim i sforcuar nuk e ndihmoi më tej gruan e mijëvjeçarit të ri, e cila e gjeti veten të pamundur për të qenë kryefjalë, por u kthye njëqind vjet prapa, atje ku nisi jetën e saj politike.
çfarë ndodhi?
Pa iu futur antikitetit shqiptar, me gra perandoresha dhe luftëtare, ku veçohet roli i saj i fortë dhe i vendosur krah burrit, gruaja para diktaturës e ndërpreu rrugëtimin e saj për gjysmë shekulli, dhe që prej asaj kohe, nuk gjendet më një akt organik në politikë ku të përfshihen personalitete të botës së grave. Edhe pse shumë njerëz mund të mos ndajnë këtë këndvështrim, ndoshta në nivel organizativ dhe ekzekutiv, gruaja e komunizmit reflektonte më shumë pjesëmarrje se sot, paralel me rolet e shumëfishta. Por, njësoj si dje, edhe sot, ajo po shtypet, shfrytëzohet publikisht, gjunjëzohet e bindet ndaj eprorëve meshkuj, pa reaguar, pa u shfaqur, qofshin edhe familjarët e saj. Madje bëhet vegël e kokës së institucionit, partisë dhe qeverisë, sipas rrethanave. Fatkeqësisht, në historinë e gjatë të shfrytëzimit dhe abuzimit në çdo qytetërim, gratë përshkruhen e paraqiten herë si shtriga e kuçedra, dhe herë si shenjtore e martire në sytë e popullit, për të injektuar mesazhin e përçarjes, që fatkeqësisht ka zënë vend në pavetëdijen femërore. Ashtu si kudo, por me mangësi më të mëdha, edhe gruaja shqiptare reflekton dështimin e qytetërimeve ndër shekuj. Këtu kanë edhe një shans të madh për të korrigjuar fatkeqësinë historike të vendit tonë, nëse punohet me dinjitet për figurën e saj politike të papërfunduar.
A ndihmon në integrimin e gruas gjykimi publik?
Nëse ka vullnet të lirë dhe nuk është subjekt i dhunës, ajo e krijon vetëdijshëm mjedisin në të cilin do të përfaqësohet, por ndikon më shumë duke mos reaguar, pa vullnet, pa kurrfarë iniciative apo guximi. Andaj gruaja shqiptare është e padukshme në politikëbërje, dhe ka gjurmë vetëm në politikëzbatim. Shpesh më inteligjente në thurjen e një rrjete merimange, përmes së cilës ruan njëfarë territori, ajo mbijeton nëndheshëm, nënzëshëm. Aq e padukshme, sa edhe përfaqësimi i saj në ekranin e madh e të vogël, shtrembërohet, tutelohet nga burra të korruptuar, militantë, injorantë, analfabetë, dhe përdoret turpshëm në emisione e debate pa etikë, ku kthehet në objekt domatesh ose subjekt telenovelash. Ndërsa në parlament, qeveri, parti, mbetet e prangosur, duke kaluar përmes aktesh shtypjeje dhe krimi shtetëror, e papeshë përballë mazhorancës mashkullore që dominon korrupsionin dhe terrorin publik me vendime absolute, pa debat, pa dëshirë, pa përfillje, me delir madhështie dhe kode kriminale. Dhe sado që e drejta e votës iu dha gruas shqiptare në vitin 1920, kjo e drejtë nuk reflekton drejtësi as sot, në 2025. Këtu lind edhe një dyshim kundrejt pafajsisë së supozuar të këtyre grave, si narrativë folklorike në politikën dhe shoqërinë tonë, duke i bërë të pandehura në heshtjen e tyre.
Gratë e politikës, shërbejnë. Gratë në politikë, udhëheqin.
Meshkujt dhe femrat, kur i vëzhgojmë të ndarë nga rolet kulturore-historike, rezultojnë të jenë karikatura të stereotipeve që përqafon shoqëria, gjë që i bën të pamundur për aktivitet racional të ndarë nga paragjykimi i njëri-tjetrit. Sipas shablloneve primitive, këto qenie kanë vetëm funksione. Riprodhohen dhe lulëzojnë në një simbiozë rudimentare, një nevojë për vazhdimësi hermetike, mes përpjekjeve ekzistenciale. Në këtë këndvështrim dysh, ose mëdysh, biem ndesh me një ndarje që ngjason me lojën shtypëse të mazhorancës kundër minorancës, publikisht armiq të betuar për shkatërrimin e kundërshtarit, por njëkohësisht bashkautorë në vendosjen e një plani shfrytëzimi reciprok. Mos të harrojmë se me pushtetin në dorë, sjelljet e tyre nisin të ngjajnë. Ndërkohë shteti mashkullor fundos çdo ditë familjen femërore, duke e bërë të pamundur ndikimin politik dhe të ardhmen e tyre. Kësisoj, mbetet vetëm spektakolarja, si kapital i grumbulluar deri më tani në politikën tonë monoteiste, aq sa bëhet përfaqësues i pushtetit, për ta injektuar në kokat e votuesve, e për të dominuar sërish skenën, pavarësisht nga sukseset apo disfatat. Këtu zë vend shpëlarja e identitetit dhe evidentohet një instinkt amnor i munguar. Graria politike në Shqipëri, nuk ka instinkte amnore, ato nuk i mbrojnë votuesit nga diktati, dhe as i mësojnë individët mos të bien pre e shfrytëzimit. Përkundrazi, shesin e blejnë, hanë e pijnë, fryhen e llastohen, japin e marrin vende pune, favorizojnë, korruptohen, përlyhen e baltosen, njësoj si burrat.
A duhet ta shohim gruan e politikës si të pastër?
Duhet patur kujdes me përgjithësimet, që gratë janë të gjitha të mira, janë të gjitha të ndershme, apo se ato janë të drejta, të buta e të urta, plot dashuri dhe mirësjellje, nëna dhe motra, edukatore dhe mësuese, sepse ky është këndvështrim patriarkal, romantik, tepër i dëmshëm për figurën e saj. Ky qëndrim vjen që nga koha kur gratë mbanin gojën mbyllur dhe burrat flisnin në vend të tyre, ashtu siç bëjnë edhe sot liderët në emër të grave që sundojnë, duke i përdorur si zëdhënëse. Tani po përballemi edhe me një fenomen të përmbysur, ku gratë flasin me fjalët e burrave, diçka që ngjall predispozita ekstremizmi. Transformuar tashmë në vegla, këto gra të politikës nuk përfaqësojnë më as qytetarin, as veten, por vetëm hijen e liderit.
Nëse nuk zgjedhin cilësitë e duhura në përfaqësimin e gruas shqiptare në politikë, si racionaliteti, dashuria, intelekti, kritika, baraspesha, toleranca, krijimtaria, meritokracia, drejtësia, ndëshkimi, liria, kjo grua do jetë një qenie e gjymtuar, e paplotë. Përfshij diskriminimi gjinor, ku gruaja gëzon statusin e viktimës, që automatikisht sjell nevojën për mbrojtje dhe përfaqësim institucional masiv, nga vetë gratë.
Po nga kush do përfaqësohet ajo, nëse jo nga gra të tjera?
Nëse nuk do zgjedhin lirinë e mendimit, si flamur të zhvillimit shoqëror, atëherë mundimi dhe sakrifica për fëmijët dhe elektoratin e tyre, do jetë një vrimë në ujë. Liria është veprimtaria me të cilën identifikohet demokracia. Përmes saj zhvillohesh, integrohesh dhe përfaqësohesh, por mund të implementohet vetëm me drejtësi. Këto gra duhet të jenë vetë të drejta dhe të pastra, që të udhëheqin me etikë dhe dinjitet. Por liria e fjalës është mjaft e brishtë në situatën politike që gjendet vendi ynë, ndaj po i çon këto gra drejt zhdukjes së identitetit dhe pavarësisë. Liria nuk është heqja e vizave me Europën, as pasaporta europiane, as mediatizimi i gruas që gjuan shashka seksiste në ajër. Liria është sipërmarrja e saj, të qenit faktor i ndryshimeve dhe përmirësimeve shoqërore. Nëse barazia është qëllimi kryesor, atëherë mund të them me plot gojën se ky qëllim është lënë pas dore nga gratë e politikës. Për fat të keq, kemi hasur mjaft gra që ndjekin parime jo të shëndosha dhe moral të ulët, duke ngatërruar diskursin politik, me ligjërimin frenetik, dhe leckat e skllavërimit, me fanellën e partisë.
Pra, të dashura politikane! Nuk mund të jeni të barabarta, as të përmbushni ekzistencën tuaj politike, pa qenë fillimisht gra të lira dhe të vendosura, për t’u diferencuar nga burrat. Në këtë pikë nuk ka më rëndësi gjinia, por sjellja, dhe meqenëse prej burrave jemi zhgënjyer së tepërmi, duhet të shohim detyrimisht në drejtim tuaj.
Pse po vonon një grua në krye të vendit?
Skllevërit në këtë pikë nuk kanë gjini, as përfaqësim. Pasuria dhe pushteti nuk i ka bërë këto gra e burra më të ndjeshëm, as më të zgjuar, dhe s’do t’ua japë lirinë, s’do t’i bëjë dot të lumtur. Pasurimi material është kalimtar dhe nëse është i pamerituar mund të jetë edhe fatal për shoqërinë në kurriz të së cilës po grumbullohet, sepse prish ekuilibrin intelektual, social dhe ekonomik. Gruaja e politikës nuk dëshiron të jetë një shembull, një model, ajo nuk dëshiron të kapë majën e etikës, të mbajë lart moralin shoqëror, të zgjedhë vlerat, drejtësinë dhe pavarësinë. Ndërsa gruaja intelektuale është në rekursion social, duke krijuar një ngërç egoist, aq sa nuk arrin të plotësojë nevojat e shoqërisë ku jeton, as të mbushë gropat që krijon sistemi ynë mizogjinik.
Shprehja pesimiste popullore: “s’ka burra”, duhet të riformulohet në: “s’ka burra, as gra”.
Me keqardhje them se kjo grua politike do ketë një jetë të zbrazët, shpirtërisht të varfër dhe të pakuptimtë, nga një akt i turpshëm – në tjetrin. Këtu po vdes një matriarkat i munguar që pret të shpërthejë me lejen e burrave. Larg nga çdo akt demokratik, të gjithë jemi dëshmitarë të një lideri me vlera mërkoshi (burrë që dergjet në shtrat dhe shtiret si lehonë kur lind gruaja e tij, për të pritur vizitorët dhe dhuratat e tyre), përvetësues i gruas politike, që nuk do të lindë kurrë në rrugë natyrale, por vetëm me cesarianin brutal të bisturisë së tij. Edhe sikur nesër të zgjohemi me një grua Kryeministre, për fat të keq, atë do ta ketë vendosur një burr©.
“Këtë atavizëm politik, mungesën e gruas si faktor rregullues social, shpirtëror dhe shoqëror, jo si temë gjeneraliste, ajo do ta vuaj në gjithë historinë njerëzore mbi këtë tokë, si gjini inferiore, ose seksi i dytë”
– Simone de Beauvoir
© 2025 Rael Hoxha. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.