Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Diaspora / Letërsi

TRASHËGIMIA E AUTORIT

Më 12 korrik 2025, në zemër të Berlinit, u mbajt një mbrëmje e veçantë e titulluar “Nga Gjirokastra në mbarë botën, trashëgimia e pavdekshme e Kadaresë” kushtuar veprës dhe trashëgimisë letrare të Ismail Kadaresë.

Ideja për këtë ngjarje lindi në një event të vitit të kaluar, ku pata rastin të dëgjoja albanologë gjermanë të diskutonin në gjuhën shqipe, vepra të letërsisë shqiptare. M’u duk jashtëzakonisht interesant fakti që këta studiues e kishin mësuar gjuhën shqipe për arsye profesionale, dhe e zotëronin atë me aq saktësi dhe pasion. Jo vetëm gjuhën, por edhe letërsinë tonë kombëtare, të cilën e trajtonin me seriozitetin dhe respektin që ajo meriton. Doja gjithashtu të ndalesha te ajo çka mbetet pas ndarjes nga jeta[1] e autorit. Cila është trashëgimia e tij letrare dhe ndikimi që vijon të ushqejë lexuesit.

Njëri prej tyre, Dr. Florian Kienzle, nga Universiteti Ludwig-Maximilians në Mynih, është i specializuar në letërsinë shqipe dhe ka punuar mbi veprën e Kadaresë në kontekst ndërkombëtar. Ndërsa Prof. Dieter Nehring, nga Universiteti Humboldt i Berlinit, ka përkthyer një sërë veprash nga shqipja në gjermanisht, duke kontribuar në mënyrë thelbësore në njohjen e autorëve shqiptarë në hapësirën gjermanofone. Për më tepër, pata dëgjuar dikur Profesor Nehring teksa rrëfente për një takim të tij me vetë Ismail Kadarenë. Ishte një përvojë që e përshkruante me emocione të veçanta si dhe me shumë humor. Të dy studiuesit kanë jetuar për një periudhë në Shqipëri dhe kjo më bindi edhe më shumë t’i ftoja në këtë mbrëmje, për të folur, secili sipas dëshirës, mbi trashëgiminë letrare të Kadaresë si në përmasën shqiptare por edhe ndërkombëtare.

Besoj se kur dëgjon dikë që flet shqip me një theks të huaj, por me saktësi, qartësi dhe respekt për gjuhën, është një mënyrë e fuqishme për të thyer stereotipe. Stereotipe të tipit: “kush nuk ka theks të pastër nuk mund ta zotërojë mirë një gjuhë”. Përkundrazi, ndodh shpesh ata që mësojnë një gjuhë si të huaj, arrijnë të nxjerrin në pah bukurinë dhe saktësinë e saj. Rrëzohet edhe stereotipi se kushdo që fillon të mësojë një gjuhë në moshë të madhe nuk mund ta zotërojë plotësisht por gjithashtu rrezohet edhe miti që thotë se shqipja si “gjuhë e vështirë” nuk mësohet dot.

Këto mendime i ndava edhe në hapjen e mbrëmjes, duke theksuar se personalisht, për mua, Ismail Kadare ka qenë gjithmonë asi im nën mëngë. Kam filluar të mburrem me të, që kur isha adoleshent dhe emigrant në Greqi[2], ku çdo gjë që kishte lidhje me Shqipërinë shpesh përballej me mospërfillje, paragjykim apo përçmim.

Mbrëmjen e nisëm me një qerasje sipas zakonit shqiptar; dhe, duke qenë se Kadareja i është rikthyer shpesh këtij rituali në veprat e tij, ne e shoqëruam me një “karamelë” simbolike: thënie të zgjedhura prej librave të tij.

Pas fjalës sime hyrëse, ia dhashë fjalën Profesor Dieter Nehring, i cili e nisi ndërhyrjen e tij duke luajtur me fjalët në dy gjuhë, shqip dhe gjermanisht. Fillimisht ai na tregoi për takimin e tij me Kadarenë në hotel “Dajti”, kur kamarierja i theksonte çdo ditë, që përballë tij ishte ulur Ismail Kadare. Si gjuhëtar, ai u ndal në mënyrë të veçantë te analiza e gjuhës në veprën e Kadaresë, veçanërisht tek romani Prilli i thyer, ku theksoi që kishte “zbuluar thesare të vërteta gjuhësore”. Përveç aspektit letrar e gjuhësor, Profesor Nehring solli në vëmendje edhe qëndrimet publike të Kadaresë ndaj zhvillimeve politike në Ballkan, veçanërisht ndaj çështjes së marrëdhënieve shqiptaro-serbe në kontekstin e Kosovës, por edhe ndaj historisë komplekse midis shqiptarëve dhe grekëve, një temë që Kadare e kishte trajtuar në mënyrë të thellë dhe delikate në disa prej veprave dhe intervistave të tij. Ai theksoi se Kadare në veprat e tij kishte guximin të prektë tema shumë të vështira.

Më pas Dr. Florian Kienzle mori fjalën dhe mbajti këtë fjalim:

Kontakti im i parë me Shqipërinë në vitet 1998–2000, ka qenë gjithashtu, dhe kontakti i parë me Ismail Kadarenë, atëherë në gjuhën gjermane. Në një kohë me pak qëndrueshmëri, vepra e Kadaresë përfaqësonte diçka të qëndrueshme, që ende po i reziston kohës. Nga ana tjetër, romanet në lidhje me historinë shqiptare, të shkruara në kohën e diktaturës, ishin disi larg realitetit të turbullt të këtyre viteve. Prandaj, shfaqja e autorëve të rinj si Fatos Kongoli ose Mimoza Ahmeti erdhi si një çlirim. Megjithatë, prodhimtaria e Kadaresë nuk krahasohet me asnjë zë tjetër. Gjatë kohës si student e rizbulova autorin, këtë herë në gjuhën shqipe. Më vonë, kur fillova të merresha vetë me shkrime shkencore mbi letërsinë, nuk mund ta anashkaloja Kadarenë. Sidomos, kur binte fjala për tematika dhe motive si paraqitja e Kanunit, trajtimi i marrëdhënieve midis gjinive, hulumtimi i hapësirave ose kohës në letërsinë shqipe – në secilin rast është me vend, bile e domosdoshme të përmenden tekste nga pena e tij. Vjen një çast kur je i ngopur me një autor, por Kadaresë do t’i rikthehesh pas një farë kohe dhe do të vësh re nuanca të panjohura. Kritikat që mund t’i jenë bërë autorit për qëndrimet e tij jashtëletrare janë të dorës së dytë. Letërsia shqipe nuk është vetëm Kadareja, por ai ka qenë dhe do të mbetet pa dyshim një gjigand.

Dr. Kienzle lexoi dhe diçka në gjermanisht nga libri Der Raub des königlichen Schlafs [3], një përmbledhje me novela. Ai lexoi një pjesë nga novela Die Geschichte des albanischen Schriftstellerverbands im Spiegel einer Frau (Përballë pasqyrës së një gruaje) nga viti 2000.

Fatime Tola, një gjirokastrite, konsulente IT, antare e një klubi libri në Berlin dhe libradashëse që në vogëli, u përqendrua në dy pika kryesore:

Së pari, Kadare ishte një vëzhgues i mprehtë i realitetit shqiptar dhe përmes gjuhës së tij goditi pa mëshirë shumë prej plagëve të shoqërisë sonë”. Si shembull, ajo përmendi romanin Kukulla, një rrëfim mbi figurën e nënës së tij: Të gjithë e dimë që në kulturën tonë, dhe jo vetëm, figura e nënës është e shenjtë dhe hyjnore. Kadare shkruan një libër për nënën por ndryshe nga shumë poetë të tjerë nuk i thur lavde por shkon e thotë: ‘nëna ime është një kukull, një grua me mendjen e një shtatëmbëdhjetë vjeçareje’.

Sado shpotitëse dhe e ashpër, të jetë kjo mënyrë të shkruajturi, theksoi Tola, pena e Kadaresë nuk “kursen” as nënën e vet për të goditur një nga plagët më të thella të shoqërisë shqiptare të atyre viteve, që ndoshta vazhdon edhe sot. Së dyti, pavarësisht gjithë sulmeve, polemikave dhe fjalëve lart e poshtë ndër vite, Kadare vazhdoi të bëjë me përkushtim atë që dinte të bënte më mirë: të shkruante, sipas bindjeve dhe zërit të tij të brendshëm”.

Surprizë për të pranishmit ishte një ese e veçantë nga Nexhi Koçiu, e ndërtuar mjeshtërisht nga tituj dhe shprehje ikonike të Kadaresë. Një nderim sa origjinal, aq edhe i sinqertë dhe i menduar me finesë. Një ndër mesazhet krysore të këtij shkrimi ishte dhe ky më poshtë:

Shoqëria është bërë më e shpejtë, më siperfaqësore dhe i nënshtrohet rregullave të teknologjisë, që si një Përbindësh na imponohet në përditshmëri dhe lë pak vend për reflektim dhe eksplorim të natyrës apo të vetvetes. Mund të themi që letërsia e mirë është futur në një Dimër të madh mediokriteti dhe paqartësie, ku njerëzit janë kthyer ne Kukulla që ndjekin rregulla morale të paravendosura, por që nuk u japin zgjidhje konflikteve ekzistenciale, përkundrazi, i shtojnë ato.

Ashtu si Agamemnoni flijoi vajzën e tij, ashtu dhe ne ndoshta duhet të flijojmë pak nga rehatia jonë, e të reduktojmë disi kohën e kotësisë, të Instagramit, Tiktokut apo Netfliksit, për t’u zhytur në botën e thellë te Kadaresë, Kafkës, Dostojevskit, Balzakut apo Cvajgut”.

Hava Bekteshi riktheu tingujt e traditës shqiptare përmes muzikës dhe çiftelisë së saj, duke krijuar një atmosferë të mbushur me emocion, ndjeshmëri dhe kujtesë kolektive. Përmes saj, çiftelia bëhet tashmë pjesë edhe e skenave prestigjioze ndërkombëtare, si Elbphilharmonie e Hamburgut [4].

Ndërkohë, Klevis Ibrahimi prezantoi një portret të Kadaresë të krijuar posaçërisht për këtë natë; një homazh artistik për mjeshtrin e fjalës, që preku me finesë figurën e tij letrare dhe njerëzore.

Një nga momentet më mbresëlënëse ishte edhe interpretimi live i poezisë “Mall” nga Petjon Mata në piano, mbi kompozimin e Redon Makashit, që i solli vargjet e Kadaresë në një dritë të re dhe prekëse.

Të gjithë këto elemente, u ndërthurën në një mbrëmje të paharrueshme, ku letërsia, muzika dhe arti vizual u bënë një, në nderim të trashëgimisë së përjetshme të Ismail Kadaresë. Jashtë binte shi mbi Berlinin e korrikut, por brenda mbretëronte një ngrohtësi e rrallë shpirtërore, e lindur nga fjala, tingulli dhe kujtimi.

Në një mbrëmje shumëgjuhëshe, në kulmin e verës, kjo përkujtimore për trashëgiminë e Kadaresë tregoi se ende ka interes për veprat e tij. Publiku (jo vetëm shqiptar) dëshmoi se ekziston ende një ndjeshmëri dhe kureshtje për letërsinë shqiptare, por edhe për letërsinë në përgjithësi. Një mesazh i bukur dhe inkurajues, që dëshmon fuqinë e fjalës dhe artit, edhe në kohët tona.

(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Fotot u realizuan nga Erion Kovaçi.

PS: Falënderime të veçanta shkojnë për libradashësit që ndihmuan në realizimin e kësaj përkujtimore:

Genc Hoxha, Julia Dungu, Silva Palushi, Olta Zanaliu dhe Dimitris Tsamantanis.

 


Referencat:

[1]https://peizazhe.com/2024/07/01/vdekja-e-autorit/

[2]https://peizazhe.com/2024/07/04/kadare-%ce%ba%ce%b1%ce%bd%cf%84%ce%b1%cf%81%ce%ad/

[3] “Der Raub des königlichen Schlafs. Kleine Romane und Erzählungen”, Ismail Kadare, FISCHER Taschenbuch, 2010.

[4] https://www.youtube.com/watch?v=ebidQyh3LzE

 


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin