Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Intervista

KIM MEHMETI: JETOJMË NË HAJNOKRACI

Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti në këtë intervistë të vitit 2013 thotë se qytetarët po jetojnë në “hajnokracinë” e partive politike. Shkrimtari shprehet se gjatë periudhës së rinisë është frymëzuar nga Faik Konica, të cilin e vlerëson si shembullin e intelektualit të mirëfilltë shqiptar. Për të një njeri kozmopolit është një njeri pa kartë identiteti. Sakaq ai vë në dukje se shoqëria shqiptare po përjeton krizën e identifikimit të vlerave. Mehmeti i krahason udhëheqësit politikë shqiptarë të kohës me Ahmet Zogun, për faktin se duan pushtetin më shumë se sa popullin dhe shtetin.

Kim Mehmeti: Jetojmë në hajnokracinë e partive politike

  1. Patriot, nacionalist apo kozmopolit?

Mbi të gjitha mundohem ta meritoj titullin – Njeri, të kem portretin tim individual dhe t’ia dal ta arsyetojë lindjen. Si krijues, si njeri publik që jam, nuk mbaj përgjegjësi për mëkatet kolektive, njësoj siç nuk mund të mbulohem as me vlerat kolektivë. Si i tillë, i dua të afërmit e mi, pastaj rrathët e dashurisë sime zgjerohen dhe e përfshijnë popullin të cilit i takoj. Nëse është nacionalizëm ta duash popullin tënd, e të mos kesh urrejtje ndaj askujt që nuk ka shenjën tënde etnike, mburrem që jam i tillë. Nëse patriotizmi ka të bëjë me gatishmërinë të mbrosh ndershëm vendin dhe popullin të cilit i takon, jam munduar këtë ta bëjë. Sa i përket kozmopolitizëm, kurrë nuk e kam kuptuar çdo të thotë të jesh njeri pa kartë identiteti!

  1. Majtas apo djathtas?

Kur vozis, shpesh më ndodh të jap shenjë majtas, e ndërkohë më shumë të më pëlqejë rruga që shkon djathtas. Jam anarkist dhe e dua lirinë e plot, që ta kufizon vetëm respekti dhe kujdesi  ndaj lirisë së tjetrit. Pra qoftë kur më pëlqen të “vozis” djathtas, qoftë kur shkoj majtas, dua të kem retrovizorin në rregull e të shoh çka ndodh pas meje, njëso siç dua ta kem të pastër edhe xhamin e përparmë. E majta, e djathta dhe të gjitha qendrat politike, më tërheqin vetëm aq sa janë në vetvete të njerëzishme.

  1. Kur ju duhet një mendim i mençur si veproni?

Të mençur janë vetëm ata që e kanë kuptuar se njeriu ndahet nga kjo botë ngjashëm si notuesi në oqeanet e paskajshëm, i cili del në breg duke marrë me vete vetëm ato pak pika ujë që i janë ngjitur në trup gjatë notimit.  Duke e ditur këtë, kurrë nuk gjurmojë pas mendimeve të mençura, por e them atë që e mendoj.

  1. Cili libër ju ka bërë të reflektoni më së tepërmi, kur e keni lexuar ?

Kam lexuar një maune me libra. Dhe ende lexoj shumë, andaj kam përshtypjen se jam në kërkim të librit që do doja ta lexoj. Por, megjithatë, kam bindjen se kam lexuar libra të rëndësishëm, të cilët pa dyshim se kanë lënë gjurmë në librin e vetëm të botëkuptimeve të mia.

  1. Çfarë ka ndryshuar pas 100 viteve shtet?

Ka ndryshuar shumëçka, sa i përket formës, por në bërthamë ka diçka që i bënë të ngjashëm sunduesit tanë që nga mbreti Zog e këndej: më shumë e duan pushtetin se sa popullin dhe shtetin që drejtojnë.

  1. A ka një krizë në shoqërinë shqiptare?

Shoqëria shqiptare përjeton krizën e identifikimit të vlerave. Pastaj ajo jeton mbi gërmadhat e standardeve të rrënuara vlerësuese dhe krizën e zhbërjes së moralit elementarë pa të cilin nuk mund të flitet për shoqëri të shëndoshë. Shoqëria shqiptare jeton edhe krizën e zhbërjes së institucionit më të fortë që e mbajti shqiptarinë në këmbë: familjen!

  1.  Jepni 3 këshilla, si mund të bëhet ky vend?

U takoj atyre që shumë pak i këshillojnë të tjerët, e çdo çast e këshillojnë vetveten. Vetvetes gjithmonë i them: mendo dhe sillu njerëzishëm dhe “shqip”. Të mendosh e të sillesh njerëzishëm e “shqip”, do të thotë të veprosh aty ku je, por duke pasur gjithmonë parasysh kontributin tënd në tërësinë e quajtur shqiptari!

  1. A ka një personazh historik shqiptar që ju frymëzon ?

Gjatë rinisë më ka frymëzuar Faik Konica. E kam pasur shembull se si duhet të jetë një intelektual i mirëfilltë, i cili ndershëm bart mbi shpatulla fatin e vet individual dhe atë kolektiv.

  1. Sa monark ishte Zogu, sa komunist ishte Enver Hoxha dhe sa demokratik janë liderët e sotshëm politik?

Të gjithë këta janë shumë të ngjashëm mes veti dhe i dallon vetëm emërtimi i sistemit kur kanë drejtuar Shqipërinë. Janë pra të padallueshëm kur bëhet fjalë për atë që e thash më lartë: më shumë e kanë dashur dhe e duan pushtetin, se sa shtetin e popullin. Si të tillë, ata kurrë nuk e kuptuan dhe nuk e kuptojnë se sa më gjatë sundon me të tjerët, aq më shumë e humb pushtetin mbi vetveten, se sa më shumë gllabëron të huajën, aq më shumë të zgjerohet plënci, kështu që kur mbetesh pa pushtet mbi vetveten, përjetë të përcjell uria ndaj të huajës.

  1. Pas 20 viteve tranzicion jemi në demokraci apo post-komunizëm?

Jemi në një “hajnokraci” në të cilën “kisha” e dikurshme ideologjike u zëvendësua me atë të “lekut” që i ka dehur të gjithë. Në këtë “hajnokraci”, njësoj si dikur, të gjithë jemi bërë pronë e partive që e menaxhojnë “hajninë”. Kështu që thuajse çdo gjë është e njëjtë; ne ndërtojmë parti të forta, e jo institucione shtetërore. Andaj sa më të pasura janë partitë aq më i varfër është populli e shteti.

  1. Shqiptarët, orientalë apo oksidentalë?

Bota nuk ka vetëm lindjen e perëndimin, por edhe dy anët tjera të saja. Çdonjëri që e ndan botën në perëndim e lindje, i ngjanë kalit të cilit i është pamundësuar të shikojë bukuritë joshëse pranë të cilave kalon.

  1. Nga ndryshon një qytetar shqiptar, nga një qytetar evropian ?

Dallojmë për nga mungesa e besimit në vetvete. Përderisa qytetarët e pjesës tjetër të Evropës bëjnë çmos që t’i kthehen vetvetes, ne bëjmë çmos që sa më shumë t’u ngjajmë të tjerëve, që të mos na njohin të tjerët se cilët jemi. Duke harruar se tjetri të pranon si të barabartë me vetveten pasi të identifikohesh se cili je, pasi e sheh se nuk shtiresh, se nuk orvatesh të dukesh ndryshe nga ai që je.

13. “Besa e shqiptarit si purteka e arit”. Besa, një vlerë e tejkaluar?

“Besa shqiptare” dikur ka qenë vlerë mbi gjitha vlerat. Ajo ka mbajtur gjallë marrëdhëniet mes individëve në kohë kur nuk ka ekzistuar as ligji as drejtësia. E sot, theksimi i pasjes së “besës” shërben si mbulesë për “pabesinë” që na ka përfshi thuajse të gjithëve.

  1. Tirana, metropol apo fshat urban?

Tirana ishte qyteti i ëndërruar për ne shqiptarëve që jetonim jashtë kufijve të shtetit amë. Ajo sot është nga pak edhe kryeqendra e dëshpërimeve tona, është qendër e veshur me petkun urban, por me mendësi “katundareske”.

  1. Çfarë është kombi për ju?

Kombi për mua është ai shumëmilionëshi i imagjinuar, ajo shumësi njerëzish të cilët i takojnë kulturës sime, flasin gjuhën time dhe jetojnë me vetëdijen se janë shqiptarë.

  1. Çfarë është familja për ju?

Familja ime është ajo ujdhesë ku unë ruaj pasurinë e vetme që kam. Familja është ujdhesa ime ku unë prehem, ku më ringjallet vullnetin për të shkuar më tej nëpër jetë  edhe në çastet kur çdo gjë më duket e pakuptimtë dhe gënjeshtare.

  1. Më rrëfeni një vend që ju ka bërë përshtypje?

Si i ri kam bredhur shumë nëpër botë. Ende i rikujtoj fjetjet magjike në mes të shkretëtirës, ku të mbulon vetëm qielli përplot me yje dhe ku e ndjenë vogëlsinë e njeriut përball natyrës që e rrethon.

  1. A do të veçonit një moment kulmor në karrierën tuaj?

Jeta e individit i ngjan vargmalit me shumë rrafshnalta e maja. Më shumë se pushtimi i majave, mua më ka joshur udhëtimi drejt tyre. Dhe të gjitha më janë njësoj të rëndësishme. Pa cilëndo prej tyre nuk do ishte i plotë vargmali i jetës sime.

  1. Nëse do t’ju jepej mundësia, çfarë do të ndryshonit nga jeta juaj?

Asgjë, ngaqë qysh si i ri e kuptova se jeta nuk plotëson dëshira, por të ofron të mundshmen. Andaj kam jetuar sipas parimit: duhet të mësohesh të jesh i kënaqur me atë që je dhe me aq sa ke!

  1. Ç’ju shtyn të besoni tek ideja se ky do të jetë shekulli i shqiptarëve?

Ngaqë ne për herë të parë mund të jetojmë të sotmen duke komunikuar normalisht mes veti, me çka na jepet mundësia ta projektojmë bashkërisht të ardhmen. Pra, në mos tjetër, ne mund ta kemi të pacopëzuar “mendimin shqiptarë”. Apo thënë ndryshe:  ne edhe mund të jetojmë të ndarë në katër-pesë shtete,  mirëpo ka një çështje që quhet shqiptari dhe që duhet të funksionojë, apo të lëvizë përpara, mbarëshqiptare e jo e copëtuar.

Intervistoi Eno Shkëmbi, gazeta “Start”, 2012-2013. Imazhi në kopertinë është krijuar me Ideogram.

(Ky varg intervistash me autor gazetarin Eno Shkëmbi dhe bashkëpunëtor gazetarin Artan Dokuzi është publikuar më parë në gazetën “Start”, një media jo më e pranishme në hapësirën online. Intervistat e kanë pikënisjen në fund të 2012-ës dhe kanë vijuar përgjatë vitit 2013. Qëllimi ishte të sillej një kolanë idesh e refleksionesh nga njerëz kryesisht të botës kulturore e publicistike, në një kohë kur televizionet transmetonin përditë me një cekësi të padurueshme ngjarjet në kuadër të jubileut të 100-të pavarësisë. U synua të zgjohej sadopak te lexuesi mendimi kritik, duke zmbrapsur kësisoj pirgun e lajmeve të ditës, të cilat s’të japin kurrfarë kuptimi për të shkuarën dhe asnjë ravijëzim të së ardhmes. Nisur nga kompleksiteti i pyetjeve, intervistat u realizuan përmes komunikimeve me email. Të intervistuarit janë orientuar drejt përgjigjeve sintetike, por nuk janë kufizuar aspak kur kanë dashur t’i shtjellojnë temat në mënyrën e tyre, ndonjëherë edhe pak akademike. Arsyeja pse po i risjell këto intervista te “Peizazhet e Fjalës”, më shumë se sa për qëllime arkivore, është fakti që kjo kolanë mund të rilexohet gjithmonë si aktuale, meqë pyetësori mund të shihet edhe si një libërth a manual idesh, në tema mes të cilave janë vërtitur shpesh mospajtues njerëzit e mendimit dhe opinion-bërjes në Shqipëri. Le të shërbejë ky ripublikim për të krijuar një agorë të vogël mes lexuesve të “Peizazheve” përmes pyetjeve për të cilat askush nuk ka thjesht dhe vetëm një përgjigje. Eno Shkëmbi.)

Shkruani një Koment

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin