Në këtë intervistë të hershme, përkthyesja Mirela Kumbaro e pranon se procesi i përkthimit është një akt i vazhdueshëm tradhtie ndaj origjinalit. Ajo e konsideron demokracinë shqiptare të viteve 2012, kohë kur nuk e kishte prekur ende politikën aktive, një “foshnje të pavaksinuar”. Ndërsa komunizmi i Enver Hoxhës për të ishte një “maskë e marrë borxh” nga diktatori. Për Mirela Kumbaron besa shqiptare është një mit, që sikurse ndodh me mitet, qëndron në sënduqe për t’u nxjerrë sa herë që duhet përdorur.
1-Patriote, nacionaliste apo kozmopolite?
Nuk më pëlqejnë klasifikimet të zbrazura nga përmbajtjet. Përpiqem të jem qytetare e ndërgjegjshme e të marr përsipër përgjegjësitë ndaj vetes, familjes dhe komunitetit; edhe kur s’më preken interesat e mia, të reagoj fort ndaj padrejtësive shoqërore dhe politikave të padrejta; të ushtroj ndershmërisht profesionin tim. Nëse arrij t’i kryej mirë këto, besoj se ia kam shprehur dashurinë atdheut tim dhe ia kam hapur kanatet e zemrës gjithë globit.
2- Majtas apo djathtas?
Koncepte që në tokën shqiptare kanë humbur thelbin e tyre universal, kanë shpërdoruar funksionin referencial në edukimin shoqëror, dhe janë kthyer në semaforë me emra të përveçëm. Unë jam për një shoqëri të vlerave humaniste, ku të pasurit të marrin pjesë në rishpërndarjen e të ardhurave, ku çdokush paguan taksat në përpjestim me pasurinë, ku të varfrit të mos shtyhen drejt krimit për shkak se shoqëria i braktis, ku shteti të luajë fort rolin e rregullatorit midis drejtësisë sociale dhe tregut kapitalist. Ku themelet që mbajnë në këmbë një shoqëri demokratike e cila i jep vendin e parë të drejtave të njeriut, garantohen nga shteti, dhe këtu kam parasysh politikat arsimore, sistemin e drejtësisë dhe sistemin shëndetësor.
3- Kur ju duhet një mendim i mençur si veproni?
Lexoj e dëgjoj ata që i besoj se janë të mençur. Përpiqem që këtë ta bëj çdo ditë të jetës time dhe kur të më duhet një mendim i tillë, pres që ky mendim të më vijë vetë.
4- Cili libër ju ka bërë të reflektoni më së tepërmi, kur e keni lexuar ?
Asnjë libër i vetëm nuk ta ushqen mendjen aq shumë sa të jetë i mjaftueshëm. Ka shumë libra që të udhëheqin drejt leximeve të tjera dhe kështu futesh edhe në procesin e reflektimit individual. Pikërisht kur ke zbuluar këtë të fillon ajo frika e madhe e shëndetshme e cila të ndërgjegjëson se ke lexuar shumë pak dhe se je shumë i varfër në krahasim me botën e madhe të librit. Besoj se ky është reflektimi më i mirë.
5- Çfarë ka ndryshuar pas 100 viteve shtet?
Mund të përgjigjesha me ndonjë shprehje të Faik Konicës. Por ato i gjen me shumicë në rrjetet sociale. Po, kjo, për shembull, ka ndryshuar: Faik Konica lexohet tashmë në internet.
6- A ka një krizë në shoqërinë shqiptare?
S’ka dyshim që ka! Krizë e madhe mosbesimi te institucionet dhe te vetë shqiptarët. A do bëhet Shqipëria… Ja, prapë te Faik Konica dolëm. Krizë e madhe edhe kjo!
7- Jepni 3 këshilla, si mund të bëhet ky vend?
Unë këshilla u jap vetëm fëmijëve të mi sepse jam prind dhe vetëm studentëve të mi sepse e kam për profesion. Atyre u them: Ka vetëm 3 rrugë se si ju mund të bëheni Njerëz (dhe po u bëtë ju Njerëz, ky vend do bëhet Vend): 1. Shkollim dhe edukim; 2 – Shkollim dhe edukim; 3 – Shkollim dhe edukim.
8- A ka një personazh historik shqiptar që ju frymëzon ?
Në përgjithësi nuk frymëzohem nga personazhe, shqiptarë ose jo, por nga mësimi i Historisë.
9- Sa monark ishte Zogu, sa komunist ishte Enver Hoxha dhe sa demokratik janë liderët e sotshëm politik?
Zogu ishte, as më shumë e as më pak, kreu tipik që prodhonte Shqipëria e bajraqeve, me të mirat e të këqijat e veta. Se sa përkonte pushteti i Zogut me konceptin klasik të monarkisë, këtë më mirë e ka thënë Noli kur e quan “shakaxhi të përparimit”.
Enveri ishte diktator i pastër dhe fatkeqësia më e madhe e këtij vendi ndërsa komunizmi i tij ishte maska e marrë borxh.
Demokracia e sotme shqiptare është një foshnje e pavaksinuar që e zënë të gjitha epidemitë që kalojnë këtyre anëve. Do kohë të forcohet, aq kohë sa duhet që të ndërtohen të paktën dy breza të shkolluar e të edukuar me një mendje të shëndoshë e të kthjellët e të sjellin njerëz që e meritojnë emrin liderë demokratikë. Për momentin do bëjmë si do bëjmë…
10- Pas 20 viteve tranzicion jemi në demokraci apo post-komunizëm?
U përgjigja pak më parë.
11- Shqiptarët orientalë apo oksidentalë?
Orientalizmi është pjesë shumë e rëndësishme dhe pandryshueshme e historisë sonë e cila kushtëzon shumë qasjet e sotme kur po vdesim nga dëshira për të kaluar në Perëndim.
12- Nga ndryshon një qytetar shqiptar, nga një qytetar evropian ?
Duke qenë se nuk i përgjigjem dot shkurt kësaj pyetjeje po ju rrëfej një histori të vogël: Duke organizuar një takim pune me një “evropian” që na njeh mirë, në çastin kur të caktohej koha e takimit “pas gjysmë ore”, ai me pyeti edhe një herë: “Gjysmë ore evropiane apo shqiptare? ”
Kultura e punës, besoj se është dallimi kryesor.
13- “Besa e shqiptarit si purteka e arit”. Besa, një vlerë e tejkaluar?
Është më shumë një mit. Mitet nuk tejkalohen, rrinë nëpër sënduqe, dhe nxirren prej andej sa herë duhen përdorur, për mirë a për keq.
14- Tirana, metropol apo fshat urban?
Metropol i një fshati të madh.
15- Çfarë është kombi për ju?
Një bashkim elementësh kulturorë, historikë, dhe për kombin shqiptar sidomos gjuhësorë, që po humbet terren në favor të humanizmit dhe globalizmit. Për mua është një pjesë e identitetit tim.
16- Çfarë është familja për ju?
Arritja më e madhe, dashuria dhe ekuilibri im.
17- Më rrëfeni një vend që ju ka bërë përshtypje?
Çdo vend ku shkoj lë gjurmë te unë, që nga fshati më i vogël deri te kryeqytetet e mëdha, por do të përmend një vend që më ka shënjuar veçanërisht: Iranin.
18- A do të veçonit një moment kulmor në karrierën tuaj?
Është e përditshmja intensive pa të cilën profesioni im nuk mund të jetojë. Por brenda saj ka disa ngjarje që kulmojnë siç ishte Viti 97, Lufta e Kosovës dhe Procesi i Milosheviçit, në të cilat kam asistuar si përkthyese por edhe si dëshmitare e padukshme.
19- Nëse do t’ju jepej mundësia, çfarë do të ndryshonit nga jeta juaj?
Asgjë! Do e bëja gjithçka njësoj, me përjashtimin e vetëm që ndoshta do të kisha qenë më e vëmendshme ndaj gjërave të thjeshta por shumë të bukura.
20- Si do ta interpretonit shprehjen “Traduttore, traditore”, dhe sa “tradhtar” është përkthyesi shqiptar ?
Nuk e interpretoj fare. Kjo është një batutë e tejkaluar që përdoret nga jo-përkthyes. Nëse, duke bërë akrobacira gjuhësore e kulturore për të dhënë mendimin, idenë dhe shpirtin e autorit origjinal, për ta sjellë atë nga aq larg deri te lexuesi i përkthimit, në mënyrë që edhe ky të mund ta shijojë njësoj si dhe lexuesi i origjinalit, përkthyesi akuzohet për tradhti, atëherë po, le të quhet “tradhti”, dhe unë pohoj se “tradhtoj” sa herë përkthej.
Intervistoi Eno Shkëmbi, gazeta “Start”, 2012-2013. Imazhi në kopertinë është krijuar me Ideogram.
(Ky varg intervistash me autor gazetarin Eno Shkëmbi dhe bashkëpunëtor gazetarin Artan Dokuzi është publikuar më parë në gazetën “Start”, një media jo më e pranishme në hapësirën online. Intervistat e kanë pikënisjen në fund të 2012-ës dhe kanë vijuar përgjatë vitit 2013. Qëllimi ishte të sillej një kolanë idesh e refleksionesh nga njerëz kryesisht të botës kulturore e publicistike, në një kohë kur televizionet transmetonin përditë me një cekësi të padurueshme ngjarjet në kuadër të jubileut të 100-të pavarësisë. U synua të zgjohej sadopak te lexuesi mendimi kritik, duke zmbrapsur kësisoj pirgun e lajmeve të ditës, të cilat s’të japin kurrfarë kuptimi për të shkuarën dhe asnjë ravijëzim të së ardhmes. Nisur nga kompleksiteti i pyetjeve, intervistat u realizuan përmes komunikimeve me email. Të intervistuarit janë orientuar drejt përgjigjeve sintetike, por nuk janë kufizuar aspak kur kanë dashur t’i shtjellojnë temat në mënyrën e tyre, ndonjëherë edhe pak akademike. Arsyeja pse po i risjell këto intervista te “Peizazhet e Fjalës”, më shumë se sa për qëllime arkivore, është fakti që kjo kolanë mund të rilexohet gjithmonë si aktuale, meqë pyetësori mund të shihet edhe si një libërth a manual idesh, në tema mes të cilave janë vërtitur shpesh mospajtues njerëzit e mendimit dhe opinion-bërjes në Shqipëri. Le të shërbejë ky ripublikim për të krijuar një agorë të vogël mes lexuesve të “Peizazheve” përmes pyetjeve për të cilat askush nuk ka thjesht dhe vetëm një përgjigje. Eno Shkëmbi.)