Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

KADAREJA PËRBALLË NOBELIT LETRAR (I)

nga Refat Hoxha

Nominimi i tij prej vitesh e kish bindur se marrëdhëniet e shkrimtarit me Nobelin kishin qenë kurdoherë komplekse. Në historinë e dhënies së këtij çmimi prestigjioz kish pasur përherë nga ata që qenë pajtuar me Akademinë Suedeze, siç kish patur edhe të shumtë që e kishin akuzuar atë për përzgjedhje të gabuara, madje me raste edhe të çuditshme.

Në historinë e Nobelit gjendeshin emra të mëdhenj të letërsisë botërore, që nuk qenë shpërblyer me këtë çmim edhe pse me një krijimtari të jashtëzakonshme. Akademia e Nobelit shkrimtarin rus Leon Tolstoi e klasifikoi “pesimist”, Oruelli, padyshim do ta kishte fituar këtë çmim, nëse nuk do të kishte ndërruar jetë një vit pas botimit të një prej veprave të tij më të mira: “1984”, Borgesi, edhe pse jetoi shumë më gjatë, nuk e fitoi asnjëherë për shkak të mbështetjes që i jepte Pinoçetit dhe J. R. Videlës

Të njëjtin fat kishin pasur Çehovi e Ibseni. Kështu edhe Nabokovi, që mposhtej përherë nga autorë më pak të njohur.

Në vitin 1926, shkrimtari George Bernard Shou refuzoi paratë e çmimit Nobel që kishte fituar: “Unë mund ta fal Alfred Nobelin për shpikjen e dinamitit, – kish thënë ai, – por vetëm një djalli në formë njeriu mund t’i kishte shkuar në mendje për të shpikur çmimin Nobel”.

Në mjediset shkencore zyrtarisht pranohej që Nobeli u jepej shkrimtarëve që rinovojnë teknikat letrare. Ai ishte prej vitesh në listën e më të mirëve për të fituar çmimin Nobel. Ishte i vetmi shkrimtar shqiptar që i ishte afruar Nobelit aq pranë dhe, mbase, i vetmi në letërsinë botërore që i ishte afruar aq herë.

Ishte më i njohuri në mjedisin frankofon dhe prej 10-15 vjetësh edhe në mjedisin anglo-amerikan. Mbase, kjo e kish përligjur kaq gjatë qendrimin e tij në garë.

“Nobeli” i vitit 2016 për letërsi shkoi tek këngëtari amerikan Robert Allen Zimmerman, i njohur me emrin Bob Dilan, me motivacionin:”Ka krijuar shprehje të reja poetike brenda traditës muzikore”.

Dhënia e Nobelit një kantautori, sado të suksesshme, sado të fuqishme edhe në mesazhet që ajo përcillte nuk u prit mirë. Kjo ishte njëlloj si të thoje: Me qenë se tani shumë njerëz lexojnë pak e më pak libra, ne po heqim dorë nga dhënia e çmimit atyre që bëjnë letërsi dhe po ia japim një forme arti që ka më shumë pasues. Nëse do të ishte kështu, ajo nuk e shpjegonte faktin që numri i shkrimtarëve mesatarë, që kishin marrë Nobelin ishte më i madh nga ai i shkrimarëve të shquar që nuk e kishin marrë.

Është e vërtetë që në mbarë botën po bie ndjeshëm leximi i librave. Në këtë kontekst çmimet e letërsisë janë më të rëndësishme se kurrë. Duke ia dhënë çmimin Nobel një romancieri ose një poeti, Stokholmi jepte mesazhin inkurajues se poezia dhe romani ende vlejnë, se ato janë përpjekje të rëndësishme të njeriut, që meritojnë njohje ndërkombëtare.

Në këtë kahje, Stokholmi, mbase, nuk e shihte në këtë sens krijimtarinë e Kadaresë, ndonëse letërsia e tij ka magjepsur, ka mrekulluar, ka manipuluar, ka shastisur, ka rrëmuar në skutat e errëta me trillerin e vet dhe vazhdon ta bëjë këtë me artin e shkrimtarisë së tij, me të pavdekshmet “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Kronikë në gur”, “Kështjella”, “Viti i mbrapshtë”, “Muzgu i Perëndive të Stepës”, “Krushqit janë ngrirë”, “Kështjella”,”Kush e solli Doruntinën”. “Ura me tre harqe”, “Dimri i Madh”, “Pallati i Endrrave” e plot të tjera të krijuara në diktaturë.

Kadareja prej vitesh ishte favorit dhe kandidat potencial për Nobelin, mirëpo Stokholmi në përzgjedhjen e tij për vitin 2016 kish bërë “të pabesueshmen”, duke ia dhënë çmimin një kantautori,

2.

Hezitimet suedeze për vlerësimin e Kadaresë kanë qenë nga më të ndryshmet dhe asnjëherë të kuptueshme nga shqiptarët. Mos vallë anëtarët e Komisionit Nobel nuk e lexonin me vëmendje veprën e një pretendenti çerekshekullor, apo nuk i merrnin në konsideratë kulturat e gjuhëve të vogla, si gjuha shqipe? Mos vallë ishte krijuar një rrjetë paragjykimesh, të ushqyera edhe nga letrat e liga denoncuese të qarqeve të ulëta shqiptare e antishqiptare, me alibinë se një pjesë e veprës së Kadaresë ka qenë konformizëm me realizmin socialist, se i ka shërbyer diktaturës?

Ndonëse shkrimtari shqiptar i mirëkuptonte pakënaqësitë e kolegëve dhe lexuesve të tij të shumtë, në shumë intervista kish theksuar me zë të lartë se vepra e tij nuk kishte nevojë të quhej as disidente, as komuniste, as antikomuniste, as subversive etj., etj. Ajo ishte në radhë të parë letërsi dhe ky ishte nderi më i madh për një vepër të krijuar në diktaturën komuniste.

Kori i kundërshtarëve për të treguar se ata nuk kishin asgjë me Ismailin, e hodhi gurin edhe përtej Kadaresë: Ҫ’do të bëhej me letërsinë që u krijua në kohën e diktaturës, njëherësh dhe me vetë shkrimtarët? Do të jetonin, apo do të kishin fatin e regjimit të përmbysur?

Në Shqipëri ziliqarët, mediokrit duke menduar se u erdhi çasti i shumëpritur vunë në shënjestër Kadarenë dhe veprën e tij. Sipas tyre në atë regjim gjakatar shkrimtarët nuk duhej të kishin zënë laps me dorë.

A do të ishte më mirë që shqiptarët të jetonin gjysmë shekulli pa letërsi dhe art, për të vërtetuar se komunizmi ishte i keq? A do të guxonte kush t’ua propozonte këtë francezëve, gjermanëve e popujve të tjerë, që jetuan në kushte të ngjashme nën komunizëm?

Letërsia gjykohet sipas ligjeve të saj, jo sipas ligjeve komuniste, jokomuniste apo fashiste, por, si kudo dhe kurdo, ajo ndahet në letërsi të mirë dhe letërsi të keqe.

3.

Shumica e shqiptarëve dhe e lexuesve te tij në botë kanë dashur që Kadareja ta merrte Nobelin, sepse ishte dhe do të mbetej shkrimtar i shkëlqyer dhe, padyshim, e meritonte. Ai ishte dhe do të mbetej një nga autoritetet më të mëdha të letërsisë sonë edhe në raportet ndërkombëtare. Ai shkroi në një nga diktaturat më të egra, ku ishte e pamundur të shkruaje dhe për këtë arsye ai ia arriti të strukturonte një vepër sa të magjishme aq dhe interesante. Te vepra e tij përmblidhet e gjithë historia njerëzore, jo vetëm e vendit të tij.

Mendimtar i rrallë, me korpus letrar të papërfunduar, krijimtaria e tij ishte dhe do të mbetej monumentale me vepra të përkthyera e vlerësuara në botë. Vepra e Kadaresë ishte dhe do të mbetet një dritë e ndezur e historisë së kombit tonë, një vizion në shtresëzimin dhe thellësinë e qenies sonë, me një gjuhë “të llojit të errët”, me enigma të shqetësimit të njeriut, me përshkëndijime profetike. Një vepër në një periudhë të vështirë, duke i dhënë vendit një rilindje të dytë dhe për brezin e tij shërbeu për ndërtimin e urave me botën.

E shkruar për 70 vjet ajo është dhe mbetet enciklopedia shqiptare. Vepra e Ismail Kadaresë mund të cilësohet një projekt letrar, që u nis si frymëzim dhe u krye e u përkrye si një mjeshtri. Ajo është një vepër, ku çdo njësi ka vendin e vet në të tërën, pavarësisht se është shkruar në kohë politike e poetike krejt të ndryshme: në kushte të kufizimit e të lirisë, në kushtet e frymëzimit dhe të refuzimit, në kushtet e kontrollit e të censurës, apo në kushtet e lirisë së plotë krijuese. Historia jonë është një histori llogoresh e më i madhi luftëtar në mbrojtje të kulturës, identitetit dhe integrimit europian të shqiptarëve, ishte dhe mbetet Ismail Kadareja.

Nëse hapet zemra e Kadaresë, aty do të gjendet Shqipëria”— ka shkruar Alen Boske.

Gjuha shqipe rilindi në penën e tij dhe tashmë atë mund ta quash një gjuhë të një niveli të panjohur më parë.

4.

Letërsia e Kadaresë nuk u bë pjesë e diktaturës, as u mposht prej saj, por u bë një vlerë ndryshe, një mbivlerë për të gjithë shqiptarët, një ushqim i vërtetë shpirtëror që arriti të çajë izolimin, duke u bërë dhe pjesë e kulturës botërore, Është e pabesueshme që një vend kaq i vogël si yni, të prodhonte letërsi si ajo e Kadaresë, e krahasueshme pa kurrfarë inferioriteti me çdo letërsi të madhe botërore. Ne shqiptarët kemi bërë të kundërtën: e kemi sharë lart e poshtë, kemi shpifur, kemi sajuar të paqena, i kemi vënë lloj-lloj epiteti, duke mos kuptuar se më shumë se Kadareja, jemi ne shqiptarët e tjerë që kemi nevojë për këtë çmim.

Kadareja qe bërë emblema e letërsisë shqiptare. Tek ai fjala shqipe gjeti një mjeshtër të madh të përpunimit të saj artistik. E parë në tërësi, vepra e Kadaresë shfaqet si një univers që trondit me galerinë e pafund të personazheve, me groteskun dhe tragjizmin njerëzor, me lirizmin dhe gjëmimet epike, me tiranitë dhe rilindjen e popujve. Ajo është një vepër komplekse, shumëplanëshe, polifonike, një vepër që ka vazhdimësi, koherencë në planin estetik e stilistik, e shkruar nga bashkëkombasi ynë, një njeri real si të gjithë ne, me të mirat dhe të metat e veta, i cili, si çdo qytetar kishte jetën e tij publike e private, që asesi e kurrësesi nuk mund të gjykohet a vlerësohet me veprën e tij.

5.

Thuhet, se Luigji XIV i Francës për të penguar përsëritjen e rebelimeve të fisnikëve të Fronde-s pas vitit 1658, sapo mori fronin e mbretërisë, thirri ministrat e tij dhe i urdhëroi ata të përgjonin pandërprerë individë e grupe shoqërore, që mund të bëheshin rrezik për Mbretërinë.

Kur mbreti i ri i urdhëroi ata të dilnin, sekretari i vet, iu afrua dhe i pëshpëriti:

…Madhëria Juaj, harruat shkrimtarët…

Mbreti buzëqeshi:

…Jo, jo, nuk i harrova, – tha ai,- por mos u merrni me ta. S’është nevoja, ata i hanë kokën njeri-tjetrit.

Ismaili nuk mbante mend ku dhe kur e kish dëgjuar këtë, por nuk e kish besuar, madje,

ajo i qe dukur thjesht një anekdotë apokrife, e sajuar enkas për të poshtëruar rolin, reputacionin dhe misionin e shkrimtarit. Mirëpo, ky fillimshekull, çuditërisht, e risolli atë në kujtesën e tij.

Shumë nga shkrimet shpifëse kundër tij qenë bërë nga shkrimtarë mediokër apo njerëz ambiciozë e të dështuar që i binin gjoksit si ekspertë të letërsisë dhe lukunia e turmës, që i ndiqte nga pas.

Shpifjet dhe sajesat e tyre vërtiteshin rreth pyetjeve:

…Kush janë shkrimtarët? Përse merren me këtë punë? A janë të sinqertë? A janë vegla të pushtetit? Përse vetëm disa janë të tillë? Po unë përse nuk jam? Përse shkruajnë? Si shkruajnë? Ҫfarë e nxit ngjizjen e një krijese? Si e shohin shkrimtarët sajesën e tyre në raport me krijesën e Krijuesit të Madh? A besojnë në Zot? Ҫ’mendojnë për dashurinë, urrejtjen, jetën, vdekjen, misterin. Si i shohin ata gjërat konkrete dhe të prekshme të jetës? Ç’është për shkrimtarët politika, politikani, pushteti? A janë të majta apo të djathta bindjet e tyre? Ç’mendojnë për njeri-tjetrin për çmimet që kanë marrë e nuk kanë marrë? A janë besimtarë, ateistsë, xhelozë, modestë, mosbesues, të vetëdijshëm, rivalë?

6.

Gazetari amerikan me origjinë shqiptare Peter Lucas ka shkruar: “Një pjesë e shqiptarëve duket se kanë një defekt në kompozimin e tyre gjenetik, që i bën ata të urrejnë, të përbuzin dhe t’i kenë zili bashkëkombasit e tyre”….

Në këtë kahje, mbase, është e drejtë thënia që shqiptari çdo gjë ta fal, vetëm suksesin jo. Më së shumti kjo ndodh në mjediset mediokre, por kur kjo kur ndodh në qarqet letrare e intelektuale është mjaft e rëndë. Është ende e freskët e mjaft zhgënjyese replika e ashpër, e hidhët dhe e pakuptimtë mes dy titanëve të kulturës shqiptare Qosja-Kadare.

…”I vetmi shkrimtar komunist, që i shërben regjimit, i propozuar për çmimin Nobel,- qe shprehur në inat e sipër akademiku Qosja,- çudi, vërtet, çudi teorike dhe etike se si dy gazetarë francezë,- shkruante ai,- nuk thonë… se Ismail Kadare është zëdhënës teorik, ideologjik dhe politik i realizmit socialist në Shqipëri.”

Inati është këshilltari më i keq. Ai të nxit për gjëra të pamenduar. Akademiku i njohur shqiptar Rexhep Qosja, më shumë se kushdo tjetër, e dinte se kështu nuk dëmtohej vetëm Kadareja, por kultura shqiptare në përgjithësi. Akademiku Qosja, me siguri kishte dëgjuar për qendrimin e popullit gjerman, kur shkrimtari i tyre Gynter Grass qe propozuar për Nobelin. Të gjithë e dinin që Gynter Grass dikur kishte qenë në rininë naziste, por askush nuk hapi gojën ta dëmtonte shkrimtarin e vet, vetëm e vetëm për imazhin e kombit të tyre.

Qendrimi gjerman flet jo vetëm për vetëdije të lartë qytetare, kombëtare, por edhe përgjegjësinë individuale për tërësinë. Një denoncues të tillë gjermanët do ta kishin parë me përbuzje.

7.

Gazeta “El Mundo”, menjëherë pas shpalljes së nobelistit të ri për letërsi kantautorit amerikan Dilan, botoi një shkrim me titullin “Nobeli i Kadaresë” ku e kritikonte hapur Stokholmin:

“Nëse dashamirët e letërsisë duan të lexojnë letërsi të mirëfilltë, – shkruante ajo, – atëherë, ata duhet të lexojnë Kadarenë, librat e tij: “Daullet e shiut”, “Viti i mbrapshtë”, “Muzgu i Perëndive të Stepës”, “Krushqit janë ngrirë”, “Koncert në fund të Dimrit”, etj. Kjo është letërsi. Pjesa tjetër, si pothuajse gjithçka sot, është thjesht spektakël”,

përfundonte gazeta e Madridit, duke shprehur hapur pakënaqësinë që fituesi i Nobelit i vitit 2016 nuk quhej Kadare.

Një nga pasuritë e mëdha që Zoti na ka dhënë ne shqiptarëve ishte gjeniu Kadare për t`i treguar botës, se jemi një popull që ende frymon që nga lashtësitë mijëravjeçare. Kadareja ishte fati historik i një mburrjeje kombëtare. Të ngresh zërin pro kandidatit Kadare për çmimin Nobel, do të thotë të ngresh zërin pro një populli të tërë, pro popullit shqiptar, pro kombit shqiptar.

Çmimi Nobel është fare pak për këtë gjigand. A ka nevojë për Nobel vepra e Homerit? Zhan Pol Sartri e refuzoi duke i deklaruar tërë botës se e mbante veten më lart nga akademikët nursëzë suedezë.

Konkurrimi çdo vit i Kadaresë ka treguar qartë se vepra e tij ka më shumë vlerë se Nobeli, ajo është përmasa shqiptaro-shqiptarizuese e Kadaresë. Futja e tij nëpër ca terrene si kombi, kombëtarizimi etj,etj, asnjëherë nuk kanë qenë të pëlqyeshme për “pleqtë” e Stokholmit. Një “Nobel” do t’i bënte mirë Shqipërise, vendit që përgojohet botërisht, me keqdashje, si i paaftë të prodhojë produkt intelektual global….

Kadareja ishte dhe mbetet shkrimtari kombëtar i fundit i Evropës, që prej dekadash është shqiptari më i famshëm, pas Nënë Terezës, shumë herë i nominuar kandidat për çmimin Nobel, ai e meriton të përfshihet pa mëdyshje në literaturën botërore, Specialistët e letërsisë shprehen që rrënjët e mënyrës së tij të të rrëfyerit arrijnë deri tek Homeri., si një trashëgimtar i denjë i rapsodit të lashtë, ku takohen grotesku me absurdin, që karakterizojnë autorin modern…

8.

Hamendësimet për hezitimet e Stokholmit ngjanin me një “kuic” perëndimor: herë kështu e herë ashtu.

…”Ka letërsi me tepri dhe shpesh është i fuqishëm, por është deri diku tepër letrar, andaj dhe fijet e alegorisë janë tepër të dukshme, me një dallueshmëri të dhimbshme”-, shkruante Xhejms Vud, kritiku i gazetës “The New Yorker” për romanin më të fundit të Kadaresë “Aksidenti”.

Eseja e Vud-­it mëton se subjekti i romanit paraqet një alegori të ngasjeve dhe vargonjve të tiranisë së re post­komuniste ndaj lirisë, se krijimtaria e Kadaresë ka guxuar të sulmojë shenjtërinë e të gjithë ideologjisë imperiale perëndimore: ­lirinë, ngaqë Ismaili pati kurajon të pohonte se liria, që pasoi komunizmin nuk ishte një fund i lumtur, siç e ka paraqitur shtypi perëndimor, madje, ka gjasë të jetë fund edhe më i keq se vetë komunizmi.

Shtypi perëndimor, asokohe, ndjehej në vështirësi për të lavdëruar vlerat e prozës së Kadaresë, ndërkohë që ky minonte në heshtje armikun e tyre ideologjik. ­Jo rrallë ata e kritikonin Kadarenë, se ishte më i heshtur sa duhej dhe tepër i sofistikuar në sulmet e tij­. Pas shembjes së sistemit totalitar ishin po këta, që mendonin se alegoritë e tij janë tepër të dukshme dhe jo shumë të sofistikuara, të cilat kanë të bëjnë më shumë me përplasjen ideologjike dhe jo me meritën letrare. Pra, herë kështu e herë ashtu. Cila mendje njerezore e merr vesh këtë “kuic” nordik?

Vërejtja e fundit, që gjeti jehonë në “New York Sun” në vitin 2005, ishte ideja se vepra e tij ka tepër hije-dritë dhe po aq e vështirë për t’u përkthyer. Vendi i tij ishte larg e i vogël, me nam jo të mirë për audiencën perëndimore për ta kuptuar e vlerësuar, një shkrimtar që Xhejms English e përshkruante “një mélange shumë­kulturore me aromë lokale”.

Standarti artistik i krijimtarisë letrare të Kadaresë me aq klas, mendim, formë, ngjarje, shpirt etj, fatkeqësisht, nuk ishte karakteristikë e letërsisë shqiptare dhe kjo nuk mund të kalonte shkarazi nga Komiteti i Nobelit, i cili duke vlerësuar Kadarenë, vlerësonte njëherësh edhe letërsinë tonë, që linte shumë për të dëshiruar, mangësi kjo që e tkurrte Stokholmin për t’i dhënë Nobelin Kadaresë. Fakti që Kadareja pëlqehet më shumë jashtë Shqipërisë se në Shqipëri, tërthorazi, provonte, se Kadare ishte një meteor i ndritshëm në kalim në qiellin letrar shqiptar.

Besohet, se Ismaili do ta kishte më të lehtë, nëse do të shkruante kritika të errëta për një kohë komuniste të perënduar. Nuk e bëri. Ai parapëlqeu të ngrejë më shumë pyetje se të gjente përgjigje për to.

Kadareja në kohë të ndryshme ishte edhe disident, edhe bashkëpunëtor. Deri në tetor të vitit 1990 ai nuk ka pasur bindje politike kundërsocialiste, por shumë pakënaqësi të pjesshme, për rrjedhojë nuk kishte edhe bindje disidente ndaj regjimit komunist.

Ai është keqkuptuar edhe nga grupe e segmente të partive opozitare, që para dhe pas ardhjes në pushtet do ta mbanin “ndezur” luftën kundër Kadaresë me shpifje, denigrime, të pavërteta, sajesa e fëlliqësi, që jo rrallë kalonin edhe kufijtë shtetërorë.

Kundërshtime mes shkrimtarëve gjithmonë ka patur, por vetëm kur ata janë thuajse në një nivel fame e jo të niveleve shumë të ndryshme. Dëshira instiktive për të përbaltur të vetmin autor që ka krijuar një vepër të mrekullueshme e të papërsëritshme është një mister i rrallë shqiptar, që ekziston realisht mbase vetëm tek ne dhe që nuk mund të shpjegohet.

Në Shqipëri gjithnjë ka patur një mungesë dëshire kolektive për të vlerësuar sa e si duhet Kadarenë. Gjithandej nëpër botë i mirëvlerësuar, por jo edhe në vendin e tij. Madhështia e Kadaresë e kish tejkaluar me kohë edhe vetë madhështinë e titullit “Nobel”, refuzuar atij vit pas viti, por Ismailit më shumë se një çmim “Nobel” i ka munguar ngrohtësia shqiptare, mirënjohja e plotë dhe e sinqertë e vendit të tij, të cilit ai i kushtoi veprën dhe jetën.

Mbase, kjo ka qenë edhe një nga arësyet kryesore që ai shfaqej rrallë e më rrallë. Ismaili të jepte përshtypjen e një njeriu të lodhur me debate “ndershmërie” në vendin e vet, ku ndershmëria dhe drejtësia ishin fort të vështira. Edhe kur bëhej i gjallë ai bënte më shumë kujdes ndaj mllefeve e akuzave, se sa qendrimeve filozofike a këshillave racionale për të cilët ka patur gjithnjë nevojë përditshmëria e shkalafitur shqiptare.

Kur afrohej tetori, bashkë me zhurmnajën rutinë për Nobelin, në Shqipëri niste edhe °fushata antiKadare°. Ishte mjaft dëshpëruese kur shihje letrarë të paaftë, krijues të rëndomtë, mendjemëdhenj e kokëbosh, që e mbanin veten për “yje letrarë”, ndonëse një apo dy librat e tyre nuk i lexonte askush. Ata nuk e fshihnin dot ngazëllimin për një përsëritje të “disfatës historike” të Kadaresë, pasi këtë gjë e konsideronin si fitore të tyre. Të papërmbajtshëm në misionin qesharak kundër të vetmit shkrimtar shqiptar fare pranë titullit të shumëpritur, mjerisht, ata nuk arrinin të kuptonin, që Nobeli, më shumë se për Kadarenë, ishte për Shqipërinë.

Prej kohësh Kadareja e pati fituar rëndësinë dhe madhështinë e një simboli. Ka qenë i trishtueshëm qëndrimi pasiv i disa krijuesve seriozë shqiptarë ndaj “lukunisë antiKadare”, sidomos ndaj disa mediokërve të pushtuar nga dalldia delirante se krijimtaria e tyre nuk ishte përfillur.

Një farë Piro Prifti, mjek anestezist, me bluzën e bardhë të mjekut, por me “dëshirën e madhe” gjoja për të patur një shkrimtar shqiptar me çmimin Nobel”, pasi shprehet kinse i mërzitur se “edhe këtë vit paraqitja e Kadaresë si përfaqësues i letërsisë shqipe dhe i shkrimtarëve e poetëve shqiptarë, nuk pati sukses”, bëhet zëdhënës i të gjithë kundërshtarëve të shkrimtarit.

…Kësaj rradhe, shkruan Prifti, është koha që t’i bëjmë vetes disa pyetje:
“A duhet të përfaqësojë Kadare letërsinë shqiptare? A mund të ketë përfaqësues të tjerë, përveç Kadaresë, që mund të marrin këtë çmim, përfshi dhe shkrimtare e poete femra”?

Sipas tij, Shqipëria ka me bollëk shkrimtarë si Kadareja, por individë dhe qarqe të caktuara nuk duan t’i shohin. Ismail Kadareja, ngulmon Prifti pa raso, e përdori talentin e tij në favor të regjimit diktatorial duke i thurur lavde e tamtame, pra, mesazhi i fshehtë ka qenë lavdërimi i shtypësve, dhunuesve, i jetës së tyre të ndërlikuar, duke krijuar përshtypjen se këta drejtues autokratë nuk janë aq të këqij sa duken, porse edhe ata vuajnë e punojnë…

Talenti Kadare, “analizon” Prifti, thjesht, ka vlerat e një bejteje, vlerë oborri, që deri para viteve `90-të ishte përdorur për t’i zgjatur jetën regjimit në fuqi me veprat e dij të dyzuara që të jepnin idenë se vetë shkrimtari e përkrahte diktatorin sipas proverbit popullor: “uji nga burimi del i pastër por ndotet poshtë”…Pas viteve `90-të, gënjen Prifti pa veladon, ai përdori aftësitë e tij për të fshirë ato që kish shkruar deri atëherë për të dhënë idenë që kishte vuajtur si të tjerët nga diktatori. Ҫmimi Nobel nuk i është dhënë Kadaresë, sepse Kadare nuk ka patur ndonjë mesazh t’i japë botës dhe popullit të tij….
“Atëhere, a ia vlen të përfaqësohemi me Kadarenë?,- këmbëngul mjeku anestezist. Dhe nëse jo, a ka shkrimtarë të tjerë shqiptarë që mund të paraqiten për të marrë çmimin Nobel?

Unë mendoj se ka…Në vendin tonë ose në trevat shqiptare duhet të ketë një Komision Profesionist për letërsinë për të vlerësuar shkrimtarët dhe poetët e vjetër dhe të rinj, nga të cilët mund të ketë shkrimtarë të talentuar, që me veprën e tyre të përfaqësojnë letërsinë tonë : të jenë edhe talente, edhe mesazherë të mirë. Prandaj duhet një Lidhje Shkrimtarësh ndryshe, pa përfaqësues letrarë të shtresës që ka përfituar nga diktatura dhe as përfaqësues që kanë bashkëpunuar me pushtuesit dhe as kritizerë të sëmurë. I gjori Prift, kushedi çfarë ëndrrash sheh, sepse, siç është shprehur ai vetë në një intervistë, aspiron për t’u vlerësuar si “Ҫehovi shqiptar”.

© 2024, Rifat Hoxha. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Shënim i autorit: Kjo ese është një përmbledhje fort e shkurtuar e studimit “Kadareja, Nobeli dhe letërsia e braktisur”, 227 faqe, publikuar nga Shtëpia Botuese “Jozef”, Durrës, 2016.

6 Komente

  1. Autori analizon drejtë por e prish me përfshirjen e rasos në figurezimin e një autori me koment të mahershem. Me kujtoi z. Llosh që në analizë të veprës së Rektorit Kavaliot të Akademisë së Re përfshin dhe të qenurit prift. Iridentizem I pastër i gjuhetarit, kur flitet për shek. 18-te.

  2. Morali i këtij shkrimi :
    Dhelpra dhe rrushtë e Ezopit.
    Nuk e merr dot Nobel Kadareja?
    Nobeli nuk është ndonjë farë çmimi me vlerë!
    Fjalët e tjera janë fukarallëk…..
    Për ne që mësuam “shqipen” në kohën e Komunizmit,Kadare e ka marrë me kohë çmimin Nobel,sepse nuk ka qenë vetëm një shkrimtar,por një Guru për lexuesin shqiptar.
    Më vjen keq që këtë konsideratë nuk ja thamë sa rronte, sidoqoftë kjo është e vërteta.
    Gruaja më e bukur është ajo që kam në shtëpi thotë anglezi….
    Sa çmime ka edhe do ketë,sa tituj do dalin e zhduken aq të mira qofshin.Kadare për ata që kuptojnë atë që lexojnë nuk bën me mëma.
    Na bënte dhe na bën krenarë,çfarë pune prish një titull më pak a më shumë?

  3. 99.99% te shkrimeve mbi vepren e Kadarese si dhe te aspekteve jashte letrare te tij jane spekullime ne nivelin e turbo albanologeve qe nxjerrin shqipen si memen e gjithe gjuheve te botes.
    Ai ishte padyshim shkrimtari me i mire qe kishim dhe eksporti i vetem kukturor i Shqiperise.Ne rang boteror ai ishte nje prej shume shkrimtareve te talentuar dhe kuptohet qe cmimi i Nobel eshte vetem nje e sado objektive te jete juria dhjetra shkrimtare te mire do mbeten pa e marre ndonjehere .
    Per mua do mbetet gjithmone nje mister te cilin i ndjeri ndoshta e ka marre me vete pergjithmone se pse pas vitit 1990 kur ishte ne kulmin e pjekurise intelektuale i lire nga censura dhe ne nje periudhe interesante te historise ai nuk shkroi pothuajse asgje me vlere ?!

  4. Pa Nobel Kadareja eshte ai qe ishte dhe do te mbetet ai qe eshte. Pa Kadarene Nobeli eshte nje çmim qe e japine njerezit per njerezit, pra larg se qeni i persosur, nje medalje e aq.

  5. Gjatë leximit të dy fragmenteve, ku citohen Rexhep Qosja dhe Alain Bosquet, më dukej sikur po lexoja sprovën time:

    „Qosja locuta, causa finita“.

    Në blogun tim është lexuar mbi 5.000 herë dhe është publikuar edhe te „Shekulli“, „Gazeta Sot“, „Bota Sot“, „Zëri“ dhe disa revista online.

    Jo vetëm që riprodhohet mendimi im me fjalë të tjera, por dy fjalë janë ripërsëritur. Njërën e pata përkthyer nga gjermanishtja „Allgemeinheit“ si tërësi (përgjithshmëri), pasi që te ne nuk përdoret në atë kuptim.

    Sidoqoftë, nëse autori nuk mund të citojë librin nga e ka marrë mendimin e Alain Bosquet-s dhe të Qosjes mbi Kadarenë, atëherë i konsideroj si fragmente plagjiature, sepse sprova ime mbi Kadarenë, Qosjen dhe Rugovën është publikuar më 14.05.2015.
    Autori paska publikuar librin e vet në vitin 2017.

    Po pres një sqarim nga autori (ndoshta në libër i ka referencat) para se t’i nxjerr mendimet që mendoj se vërtetojnë atë që thashë më lart.

    https://letersi-perkthime-artikuj.blogspot.com/2015/08/rexhep-qosja-nga-nje-iluminist-shqiptar.html

  6. Një studim interesant i cili mëton ta vështrojë e ta ndriçojë Ismail Kadarenë dhe veprën e tij nga disa këndvështrime.
    Nëse do më lejohej të bëja ndonjë vërejtje, do ishin këto:

    E para:
    Autori merret më shumë seç duhet dhe (sipas mendimit tim) e tejkalon masën duke u marrë me kundërshtarët mediokër shqiptarë të cilët të shtyrë nga shpirtligësia dhe cmira e kanë nxirë vazhdimisht dhe pa u lodhur figurën e Kadaresë.

    E dyta:
    Në dy apo tre raste autori e quan Kadarenë “Ismaili” gjë që stonon me studimin me këtë lloj intimiteti, a thua është shok lagjeje me të, duke e ulur ndjeshëm Kadarenë nga lartësia olimpike ku ai qëndron.

    E treta:
    Pasazhin ku autori flet për debatin Kadare – Qose dhe pasazhin ku flitet për nobelistin Günter Grass dhe të kaluarën e tij në Hitlerjugend (Rinia hitleriane) i kam lexuar tek një ese e shkrimtarit kosovar Lis Bukuroca.

    Nuk jam në gjendje të them, nëse është thjesht një përkim i rastësishëm apo përtej saj.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin