Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

TURIZMI – KATALIZATOR I PROGRESIT

nga Gjeto Bashari

Libri tashmë best-steller planetar Udhëtoj pra jam Turizmi si improvizim i progresit (Botime Uqbar, Prizren 2024), i studiueses kontroversiale belge Mireille Parrain, profesore e turizmit të krahasuar në Universitetin Europian të Anversës, më në fund i vjen lexuesit shqip në përkthimin mjeshtëror nga magister Fidel Mustarafllari i Akademisë së mikpritjes dhe hotelerisë ballkanike në Strugë; dhe pikërisht në momentin kur turizmi jo vetëm si veprimtari e predispozitë shpirtërore, por edhe si përmasë filozofike e qenies, po përjeton një triumf të dytë, si vlerë e shtuar e shqiptarisë në vete dhe për vete.

E kritikuar ashpër që në krye, teza subversive e Parrain-it për turizmin si motor spontan, në mos lokomotivë të mirëfilltë të historisë planetare, me kohë u pranua jo vetëm nga specialistët e turistikës dhe të udhëtarisë, por edhe nga historiografët alternativë, që tashmë nuk e pranojnë dot më antagonizmin, konfliktin dhe lojërat me shumën zero ose negative, si faktorin bazë të makro-ndryshimit social.

Sipas Parrain-it, ekspansioni hapësinor demografik, që në epokën parahistorike, është motivuar dhe ushqyer nga pasioni elementar i homo erectus për të zbuluar dhe vizituar vise të reja; siç ishte, për shembull, dëshira e çiltër për të kapërcyer horizontin, që i bëri indo-europianët të linin atdheun e tyre të hershëm në Kaukaz, për t’u zhvendosur kuturu nëpër Eurazi, në kërkim të përjetimeve dhe eksperiencave të panjohura.

Me interes të rrallë për lexuesin shqip është kapitulli i dytë i kësaj vepre, ku Parrain-i përshkruan turizmin detar të grekëve të lashtë drejt brigjeve të vendeve të Mesdheut; për t’u ndalur në lokalitetet e njohura turistike të Apollonisë, Dyrracchium-it dhe Butrintit, ku vendësit ilirë dhe epirotë mikpritën të ardhurit dhe sistematikisht u krijuan atyre kushte optimale për të pushuar. Më pas, bregdeti i lulëzuar shqiptar i Adriatikut do të tërhiqte edhe turistë të shumtë nga Roma dhe gadishulli italik, nga Qesari te Pompeu, pa folur për boom-in turistik që shoqëroi përhapjen e Krishterimit në trojet e Perandorisë. Edhe pse fakte të tilla njihen prej kohësh, interpretimet e Parrain-it lejojnë që këtyre t’u bjerë tani një dritë tjetër, aq sa t’i duken të freskëta edhe më eruditit mes lexuesve. Së bashku me trupat e njerëzve, i kapërcenin horizontet edhe kulturat e qytetërimet përkatëse, ndonëse vizitorët dhe mikpritësit shpesh nxirrnin nga këto zhvillime përfitime të ndryshme (por kurrë të kundërta); siç u pa edhe gjatë shekujve të Mesjetës së Hershme, kur Europën e vizituan masa të mëdha turistësh më parë gotë dhe më pas sllavë, pa llogaritur itineraret shpesh të paparashikuara të ekskursionistëve dhe backpacker-ve avarë, mongolë, hunë dhe fino-ugrikë.

Në kapitujt VI-XIX, Parrain-i përshkruan veçanësitë e turizmit në epokën e Kryqëzatave (duke vërejtur se në ndonjë gjuhë, si italishtja, crociata dhe crociera janë fjalë me temë leksikore të përbashkët) dhe turet e organizuara me grupe, nga Europa Perëndimore, drejt Jerusalemit dhe pikave të tjera me interes në Lindjen e Mesme, ku rol vendimtar luajtën agjencitë e mëdha turistike të Kishës Katolike; pa harruar ndalesat aq të reklamuara të këtyre grupeve në Konstandinopojë dhe qytete të tjera të Mesdheut, që përfituan me bollëk nga diversiteti i përftuar rishtas, në thelb i imponuar. Paralelisht, shkruan Parrain-i, turizmi njohu zhvillim të pashembullt edhe në gadishullin iberik, gjatë kohës së shkëmbimeve të frytshme kulinare dhe veçanërisht religjioze, mes qytetërimit arab dhe atij hispanik, të ndërmjetësuara nga virtyti komunikativ i logocentrizmit judaik. Ishte kjo kulturë e ndërveprimit quasi erotik me Tjetrin, shkruan Parrain, që do të përgatiste rrethanat për crocierat e mëdha të agjencisë trans-atlantike të udhëtimeve, të themeluar nga Kristofor Kolombi, drejt resorteve gjigante, deri atëherë të nën-shfrytëzuara por tashmë të kompletuara, të kontinentit amerikan; të menaxhuara përkatësisht nga familjet autoktone Inka dhe Aztek, me agjencinë e tyre shumëkombëshe Tours & Travel, If You Come, You Will Feel You Have to Stay.

Në kapitullin XXXII të librit, Parrain-i ndalet shkurtimisht në turizmin arbëror të shekujve XII-XVI më parë drejt Peloponezit dhe ishujve të Egjeut; dhe pastaj, sërish me crociera, drejt Italisë së Jugut, që përkoi me boom-in turistik të turizmit masiv otoman në Ballkan. Pikërisht në vitet kur Kruja, Lezha, Shkodra dhe Durrësi mezi po e përballonin fluksin ende të parregulluar të vizitorëve nga Lindja e Afërme dhe Anadolli, shumë arbërorë të pajisur me viza të thjeshta turistike nga konsullata e Mbretërisë së Napolit në Kepin e Rodonit zgjodhën që të vendosen në Kalabri, në Puglia, në Sicili dhe në Molise; teksa Arbëria vetë, pas vdekjes së sundimtarit Gjergj Kastrioti Skënderbeut, vendosi t’i heqë vizat për udhëtarët e mizërishëm nga Perandoria Osmane. Nga këto lëvizje politike, diplomatike dhe ekonomike përfituan të gjithë, shkruan Parrain.

Turizmit arbëror drejt Italisë Parrain-i do t’i kthehet edhe në kapitujt LXI-LXII të librit të saj, dhe pikërisht kur ajo u avitet ditëve tona për t’u marrë me fundin e Luftës së Ftohtë dhe reflektimin e kësaj kthese historike epokale në tipologjinë e turizmit; edhe një herë tjetër, shkruan ajo, ishin udhëtimet e improvizuara të llojit crocierë që morën përsipër të zhvendosin masat e mëdha të turistëve, sidomos ato që u nisën nga portet e Shqipërisë drejt brigjeve italiane. Si edhe herë të tjera, Italia u zgjodh si destinacion turistik për shqiptarët e apasionuar pas udhëtimit, eksplorimit të viseve të reja dhe shkëmbimit kulturor me popullsitë pritëse.

Siç e nxjerr në pah edhe ministrja kosovare e Turizmit dhe i Mikpritjes, Haxhire Muhaxhiri, në parathënien e thukët që ia ka bërë librit, studimi i Mireille Parrain merr vlerë të re sot, kur numri i turistëve nga Afrika drejt Europës dhe nga Amerika Latine drejt Amerikës së Veriut po përjeton rritje eksponenciale; pavarësisht se, ndryshe nga ç’ndodhte në të kaluarën, udhëtarët e sotëm preferojnë hikes dhe hitch-hikes spontane me rrugë tokësore, pa refuzuar as mjete bio relativisht ekzotike si deveja; dhe, sipas rastit, me jahte dhe lundrimore të tjera private. Vendet e Bashkimit Europian, vëren Muhaxhiri në parathënie, ende nuk duken ta kenë kuptuar mirë potencialin ekonomik të kësaj zhvendosjeje, madje ka ende nga ata politikanë që gjykojnë se ky lloj turizmi – që vështirë se mund ta quash elitar në kuptimin tradicional të termit – mund të përftojë një “mbinxehje” të industrisë turistike dhe ngadalësim të inovacionit në lëmin e teknologjive të hotelerisë dhe të plazhistikës (një përjashtim të lumtur po duket se ofron zgjidhja e përbashkët italo-shqiptare, në resortin e Shëngjinit).

Libri i Parrain-it pritet që të revolucionojë jo vetëm turistikën dhe udhëtimtarinë, si fusha studimore dhe lëndë të specializuara universitare, por edhe vetë industrinë turistike, duke nxitur qasje të reja, tërësisht kreative, në politikat e qeverive përkatëse dhe në investimet publike dhe private. Krah për krah me studimin po aq kontroversial, nga profesori Cesare La Rocca, të Universitetit Europian të Aversës (të mos ngatërrohet ky qytet kampan me Anversën), me titull Ma che cavolo dice?, që e shpjegon diversitetin e gjuhëve në botë si efekt të pashmangshëm të instinktit të përkthimit, ai lajmëron edhe një fazë të re kulturore ku editoria konceptuale, përkthimtaria si transitologji tekstuale dhe turistika si formë e erotikës ambientaliste nuk janë veçse pjesë të një triniteti konceptual të kopsitur rreth antropocenit.

Udhëtoj pra jam Turizmi si improvizim i progresit është tani në shitje në libraritë kryesore të Ballkanit Perëndimor dhe në format elektronik (MOBI) drejtpërdrejt nga sajti i Botimeve Uqbar.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading