Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arkitekturë / Media / Urbanistikë

GAZETARI DHE HISTORI ARKITEKTURE

Shënime mbi punën intelektuale dhe metoda të punës së historianit

nga Marson Korbi

Lënda e historisë së arkitekturës po zbehet gjithnjë e më tepër nga interesi akademik dhe ai profesional dhe ky është një fenomen sa vendor po aq sa dhe ndërkombëtar. Arsyet janë të shumëllojshme në nivel ndërkombëtar, ku mes specialistëve, interesa dhe ideologji të reja hyjnë në përplasje me metoda dhe tematika të vjetra. Krijimi i sektorëve disiplinorë dhe i departamenteve të specializuara brenda shkollave të arkitekturës ka luajtur një rol të veçantë, nga njëra anë, në ndarjen e detyrave të historianit nga ato të projektuesit urban dhe nga projektuesi i interierëve apo eksterierëve, deri në pikën sa “specialistët” e këtyre fushave mendojnë se flasin gjuhë të ndryshme. Si rrjedhojë, këto bastione e kanë përforcuar edhe më shumë sensin e veçimit të tyre dhe të arkitektit nga sektorët e tjerë të punës intelektuale, sidomos nga degët e shkencave sociale, përfshirë këtu gazetarinë, pavarësisht njëtrajtshmërisë së kushteve të punës.

Nga ana tjetër, ideologjitë e reja (si p.sh. postkolonializmi apo ndryshimi klimatik)—që si çdo ideologji nuk janë gjë tjetër veçse co-optation (kapje) të problematikave sociale nga pushteti, të kthyera nga kritikë në klishe—, kanë larguar interesin e arkitektëve nga tradita e historisë të së kaluarës në përpjekje për t’iu përshtatur modës: tipik, për shembull, është rikthimi i interesit ndaj antropologjisë së shoqërive prehistorike në arkitekturë, për të çnjollosur mëkatet kolonialiste të kërkimeve tradicionale të historianëve perëndimorë të shekullit të fundit: Tafuri, Benevolo, Zevi, Pevsner, Wittkower, Frampton, të vendosur përballë një revizionizmi amatoresk nga ata diletantë të cilët kanë si udhëzues metodologjik të vetëm librin The Dawn of Everything të antropologëve David Graeber dhe David Wengrow, libër pa dyshim i përkryer, por që po shkakton dëme.

Shqipëria ngelet e paprekur nga këto rrethanat e dyta, gjë e cila shpjegon autonominë kërkimore dhe përsosmërinë e një libri si Kishat Pasbizantine në Shqipëri i Pirro Thomos, të ribotuar së fundmi me po të njëjtin rigorozitet dhe cilësi hulumtimi, tipike të një historiani të formuar në vitet kur lëndës së historisë së arkitekturës dhe metodës historike në përgjithësi iu kushtua një rëndësi themelore në arsim në boshtet e shteteve socialiste në Evropë, nga Gjermania Lindore deri në Tiranë. Me përfundimin e kësaj tradite, historia, dhe historia e arkitekturës në veçanti si disiplinë, u fut në vitet 1990 brenda kufirit administrativ të “Trashëgimisë” nën Ministrinë e Turizmit dhe të Kulturës, duke iu shkëputur agjendës kërkimore e shkencore, për t’u bërë pjesë e projektit të promovimit të turizmit: me naivitet mund të thuhet se historia, nga formë studimi e njohjeje, është kthyer sot në mall, në merchandising. Një reformë gati tridhjetëvjeçare, e shoqëruar nga kthimi selektiv në muze i banesave historike, ideologjikisht të quajtura monumente dhe që arriti majën e vet me privatizimin e menaxhimit të Butrintit. Një reformë që sot prek arkitekturën, duke çorientuar kërkimin disiplinor dhe edukativ të universiteteve private dhe atyre shtetërore (po dhe këto me mentalitet prej privati) dhe duke e futur misionit e tyre pedagogjik brenda ekonomisë së eventeve: Open House ishte piku i kësaj ujdie ideologjike të arkitektëve dhe akademikëve të fushës me administratën dhe privatët.

Sidoqoftë, në Shqipëri, historisë së arkitekturës i hapet sot përpara syve një bosht paralel, i cili për mendimin tim mbart një shumëllojshmëri metodash dhe kriteresh metodologjike hulumtimi, të cilat mund t’i japin kësaj dege një tjetër jetë, sidomos nëse shihet si pjesë e të njëjtit sektor prodhues të shoqërisë shqiptare dhe industrisë së saj të informacionit: e kam fjalën për fushën e gazetarisë. Shumëfishimi i medieve private, vënia e shkollave të gazetarisë përballë presionit të tregut të punës, si pasojë e numrit në rritje të medieve vizive apo letrare, dhe online, rritja e tematikave të interesit të publikut, shkalla vendore, gati urbane, e informacionit (traditë kjo e kohës së Socializmit, por dhe e shteteve me Welfare të qëndrueshëm), rritja e numrit të gazetarëve dhe të operatorëve të fushës, interesi i disa donatorëve për ta kthyer këtë orientim në formë prodhimi të zgjeruar: janë këto elementet kyç të një sektori i cili besoj se sot dominon industrinë e punës intelektuale në terma të madhësisë së fuqisë punëtore.

Dy janë aspektet kryesore dhe rrjedhimisht pasojat që i përkasin këtij fenomeni: nga njëra anë, është aspekti tejet politik i çështjes. Gazetarët dhe operatorët e medieve (operatorë video e audio, teknikë, shoferë, staf etj.) sot janë në një pjesë të mirë, si pasojë dhe e industrializimit të profesionit, gati të barasvlershëm me klasën punëtore të dikurshme, apo me punëtorët e fabrikave. Pagat janë të ulëta, vendi i punës i pasigurt (ajo që në kulturën anglosaksone të sindikatave njihet si precarious labor), oraret janë jo fikse dhe tejkalohen, kushtet e punës në kufijtë e shfrytëzimit, seksizmi dhe nuancat patriarkale të raportit pronar-punëtor janë gjithashtu më se problematike. Kushte të njëjta janë edhe ato të arkitektëve të cilat apo të cilët punojnë nëpër zyrat projektuese sot, duke i afruar gazetaret e gazetarët dhe arkitektet e arkitektët me njëri-tjetrin nga pikëpamja e kushteve dhe formës së prodhimit në sektorin e profesioneve intelektuale, të cilat kanë pësuar po të njëjtin deklasim që kur filloi të liberalizohej ekonomia e dijes me reformën e privatizimit të biznesit të universiteteve në fillim të viteve 2000. Pavarësisht se shkollat private promovojnë në teori ideologjinë e sipërmarrjes dhe të suksesit vetjak, arkitekti tipik në praktikë është një operator gati pa emër, i cili qëndron përpara një kompjuteri dhe realizon vetëm një sektor, një segment (vizatim apo punim), të imët të të gjithë procesit të projektimit: gjërat ndryshojnë disi në gazetari.

Aspekti i dytë ka të bëjë më tepër me pamjen cilësore sesa me atë sasiore në profesionin e gazetarisë, sidomos në degën e gazetarisë investigative. Shumë nga metodat dhe rezultatet të cilat prodhohen sot nga gazetarë investigativë, mund t’i hyjnë në punë edhe historianit të ri të arkitekturës. Gazetarët sot në Shqipëri kanë zhvilluar një kapacitet të lartë të menaxhimit të dialektikës dhe ballafaqimit të fakteve me njëri-tjetrin. Për shembull, fakti që në Tiranë 51 mijë apartamente nuk kanë kontratë me Ndërmarrjen Elektrike, që tregon—siç doli në pah nga kërkimi i gazetares Ola Xama—se janë bosh, mund të lidhet me interesin e historianit të arkitekturës, kur këtij ose kësaj të fundit do t’i duhet të ballafaqojë planet e miratuara nga Bashkia me atë çfarë është realizuar efektivisht në një zonë të qytetit dhe me tipologjitë e ndërtimeve që janë prodhuar si rrjedhojë. Po të njëjtat fakte, për disa vite, rreth 15 apo 30 vite më tutje, do t’i mund të hyjnë në punë historianit të artit për të verifikuar, për shembull në një lagje të Tiranës, Shkodrës apo Korçës, se sa rol mund të ketë luajtur vendosja e galerive private të artit, të lokaleve hipster dhe artistëve, të laboratorëve të artizanatit, co-work-eve, apo të qendrave krijuese, në gentrifikimin e një lagjeje. Historiani i ekonomisë urbane mund të merret me sasinë dhe tipologjinë e këtyre 51 mijë apartamenteve të kthyer në Airbnb, duke e krahasuar këtë datum me impaktin që ky ka në zgjedhjet dhe planet projektuese të zyrave të arkitekturës. Historiani i urbanistikës do t’i vërë më pas këto të dhëna në ballafaqim me rritjet e çmimeve të truallit dhe me hartat kadastrale, për të kuptuar se cili ka qenë roli i pronës private dhe shitblerjes së saj në zhvillimin negativ apo pozitiv të qytetit: një formë pune dhe hulumtimi që nuk e largon dhe aq pamjen e tavolinës së një historiani apo historianeje të arkitekturës nga ajo e një gazetari apo gazetareje. Të dy do të shkruajnë duke përdorur rreshta të prerë me gërshërë nga faqet e gazetave apo duke shfletuar artikuj nëpër portale apo revista online—nga një anë, faktet, nga ana tjetër, formën e dukshme të ndërtesave dhe të hapësirave. Në këtë mënyrë, historiani që do të merret me këtë punë pas 30-50 vjetësh do të punojë falë një kolazhi të përberë nga hulumtimet e gazetarëve të kësaj periudhe dhe do t’i fusë kësaj pjese, nga ana personale, ndjeshmërinë prej arkitekti ndaj formës, planimetrisë, estetikës dhe stilit: duke verifikuar se si një seri faktesh apo vendimmarrjesh politike kanë ndikuar në vetë perceptimin tonë të një estetike apo të një ideje formale në një kohë të caktuar apo përbrenda një grupi të caktuar interesi: sot për dikë e kuqe, nesër për dikë tjetër e zezë, do të thoshte Stendhal.

Shkëputje nga filmi i Francesco Rosi, “Le mani sulla città”, 1963.

Vetë orientimi masiv i gazetarisë së sotme drejt këtyre temave do të duhet marrë parasysh si një formë mentaliteti më vete pjellë e kësaj periudhe historike dhe grupimi njerëzish, dhe si i tillë, si mentalitet dhe ideologji, historiani do të duhet të pyesë dhe të kuptojë përsenë e këtij interesi të gazetarisë ndaj temave urbane. Mos vallë është historia e planifikimit dhe e ekonomisë politike të kohës që jetojmë ajo e cila i shtyn aktorët e saj (gazetarë, arkitektë, qytetarë) të merren të gjithë me tema urbane? Mos vallë vetë investigimi dhe gazetaria denoncuese është mënyra me të cilën kapitali financiar, dhe shoqëria e spektaklit e lidhur me të, vendos për të prodhuar interes ndaj vetes dhe për të riprodhuar funksionimin ekonomik të qytetit? Pyetje kontradiktore, por thelbësore për matjen e mentalitetit të një periudhe të caktuar të historisë, dhe gjithashtu tregues më se i vlefshëm për të vizatuar trajektoren dhe rrymat mendësore që fillimisht i japin një interes virtual një zone në qytet dhe, më pas, pasi investitorët nuhasin vëmendjen e medias dhe masës, zgjedhin të futen në lojë dhe të bëjnë që aty të ndërtohen objekte: rrugë, parqe apo pallate, siç dhe ndodh në Tiranë prej dekadash.

Një punë e tillë hulumtimi mund t’u japë kuptim dhe shpjegim gërmimeve dhe abuzimeve të resurseve natyrore, të guroreve apo të gërmimeve për inerte, si për shembull në vargmalin Skënderbej, pranë Fushë-Krujës, gjatë viteve 2010, dhe cilësisë së përdorimit të një lloji të caktuar betoni për pallatet e një zone të caktuar në Tiranë: kush e prodhoi betonin, cilët ishin ndërtuesit, cilat ishin interesat dhe raportet e pronësisë që lidhën me doemos urbanizimin e një zone të caktuar në qytet me ndërtuesit, kompanitë, klientët dhe administratën e qytetit. Nga cilat rrethe vinin punëtorët e ndërtimit, a tuteloheshin, cilat ishin zotësitë e tyre, ku banonin etj. Jo rrallëherë në historinë e arkitekturës—që nga Mesjeta e deri në kohë moderne—ndodh që punëtorët e kantierit të kenë edhe lidhje farefisnore me investitorin e pallatit, dhe kjo sjell një shpërngulje në masë nga një rreth a fshat në qytet të punëtorisë së ndërtimit. Gazetari i së tashmes do të duhet të jetë i vëmendshëm ndaj këtyre fakteve. Edhe më shumë se kaq, denoncimet e gazetarëve të pavarur ndaj ndërtimit të një projekti të madh, si ai i aeroportit të Vlorës në Lagunën e Nartës, do t’i shërbejnë historianit të arkitekturës dhe urbanistikës për të shpjeguar lidhjen strategjike të këtij projekti me arkitekturën harmonike plot pemë e gjelbërim të Lungomares së Vlorës dhe me tunelin e Llogarasë, për të dalë mbase në përfundimin e pritshëm se projektet territoriale ne Jug ishin thjesht një program spekulimi imobiliar, në favor të interesave të pak aktorëve, ose një lëvizje shahu politike naive, por jo dhe aq.

Qasje si ajo e gazetareve Sarah Gainsforth, në librin e saj Airbnb città merce. Storie di resistenza alla gentrificazione digitale, apo Lucia Tozzi, me librin L’invenzione di Milano. Culto della comunicazione e politiche urbane janë sinjalet e para të një kulture profesionale, ku studimet e arkitekturës mund të ballafaqohen me interesat e gazetarisë ndaj temave urbane: të mirëpritura janë edhe qasjet historike të degëve të tjera, ku vetë profesionisti është njëkohësisht aktor, bashkëvuajtës dhe studiues i objektit të tij kërkimor.

Ato të cilat janë sot thjesht aktualitet, duhet të futen në dialektikë nga historiani i së ardhmes, ashtu siç edhe historiani i sotëm duhet të punojë me materialet e së kaluarës, duke i ballafaquar me faktet politike dhe shoqërore, si me materiale letrare, ashtu edhe me gojëdhëna, duke u drejtuar të njëjtat pyetje thumbuese si më lart: jo duke prodhuar guida dhe kartolina që i hyjnë sot në punë vetëm spekulimit neoliberal të turizmit. Fundja, arkitektura është vetëm pjesa më e dukshme e një zinxhiri rrethanash dhe marrëdhëniesh të cilat qëndrojnë të fshehura thellë pas saj, brenda betonit, armesë dhe kantierit, pas librave, gazetave dhe arkivave. Është pikërisht kjo ajo që Carlo Ginzburg tentoi të bënte me ciklin e mikrohistorive: t’u jepte fjalën të fshehtave dhe atyre që historia me “H” të madhe i ka mbajtur gjithnjë mënjanë, në rastin tonë, nëpunësit e privatëve dhe të shtetit.

 

© 2024 Marson Korbi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin