“Liria është aktiviteti më i brishtë i njeriut”
(e vjetra dhe e reja në një vallëzim vrastar)
nga Rael Hoxha
“Koyaanisqatsi”, një dokumentar i vitit 1982, me muzikën e pabesueshme të Filip Glas, më solli edhe njëherë, siç ka bërë herë të tjera, njeriun e thyeshëm, të transformueshëm, dhe atë virtual. Ky i fundit më intereson së tepërmi, për shkak të epokës në të cilën jetoj. “Virtual”, është një fjalë latine që për rrënjë ka: “virtus”, fuqinë e diçkaje, e cila ekziston vetëm në një rrafsh mendor, ende të papërcaktuar materialisht. Mes qytetesh dhe qytetërimesh, mes udhësh dhe udhëtimesh, imagjinata shkon gjithmonë tek fundi, vdekja, humbja, terri dhe eteri. Gjithçka shuhet, harrohet, largohet, duke lënë pas ndotje dhe suvenire të përkohshme.
Në virtualen publike jetojnë anadollakë, demagogë, idiotë dhe servilë, nga të gjitha ngjyrat dhe fytyrat. Ata mbushin kohën, uzurpojnë hapësirën, jetën, mediat dhe mendjet. Është e qartë se atyre që u mungon poezia, i pllakos xhelozia, ligësia e neveria, deri sa bien të cofur, të prishur, të kalbur, në kokë e në zemër. Kanë shenja narcizmi, njihen prej së largu, e largqoftë nëse s’do njiheshin. Ata se si ecin, se si qëndrojnë, dridhen e përdridhen kur flasin e kur ngasin, kur predikojnë, dënojnë, edhe kur lëpihen e masturbojnë midis njëri – tjetrit, por mbi të gjitha kur kritikojnë. Kritika është në majë të gjuhës së atyre që ua lejojnë gjuhën për të lëpirë ose për të thyer kocka, në varësi të miqësisë apo armiqësisë, pa e zotëruar aspak artin e kritikës (gjykimit). Gjuhën e folur e të lindur, atë të nënës dhe të dogmës, standarden dhe dialektikoren, e përdorin për punë “llape”, një art i zbrazët. Është punë e mirëpaguar, e mirëpritur dhe e mirëmbajtur, ama s’ka kurrfarë lidhje me intelektin, zgjuarsinë apo urtësinë, por me gjarpërimin dhe pickimin sipas pagesës, që ngjan më shumë me prostitucionin. Vlera mund të jetë në para të thata ose shpërblime të tjera, nga turizmi dentar, e deri tek orgjitë me “sconto”. Kjo tregti mund të konsiderohet si prostitucion i klasit të parë, një zhanër tejet i suksesshëm në politikë. Duke u shitur e duke u blerë, në varësi të llapës, këta korifej të baltës nuk vijnë as nga udha, e as nga dija. Ata enden në kërkim të lëmoshës, si leckamanë të gatshëm për krim.
Si ta dallojmë të rremen nga virtualja?
“Kur dyert e perceptimit të hapen, çdo gjë do t’i shfaqet njeriut ashtu siç është, e pafundme”.
S’ka fjali më të hapur se kjo, e më të mbyllur në të njëjtën frazë. William Blejku ishte protestant, separatist, edhe pse i pagëzuar, ishte mjaft i gëzuar. Me këtë postulat, ai u drejtohet njerëzve përtej monotonisë, rutinës, mbijetesës dhe ritualit të jetës. Sidomos atyre që mendojnë më lart se vetja dhe me thellë se vetvetja. Ndërgjegjes i flitet në vetën e tretë, si një koleksion dijesh dhe eksperiencash të përbashkëta, duke mos ditur se nga buron arsyeja, por vetëm rrëfenja. Ama langonjtë e ferrit nuk guxojnë të ngrenë shpatën mbi kryet e Kaliopit, të vrasin poezinë, sepse ata as nuk mund ta dallojnë atë. Paaftësia e tyre është mallkim, dhe ata e dinë këtë. Llomotitjet e pafund, ecejaket gjuhësore, poliedrizmi “shumëkuptimshmëria”, janë si fama e Polifemit, ose llafosjet e tij, por në fund triumfon “Askushi”, Uliksi, ai që udhëton dhe merr dije, duke lënë përshtypjen se ishte i humbur.
Tashmë janë të gjithë personazhe të një plejade kakarisjesh spektakulare dhe llokoçitje imazhesh lebetitëse, nga paskajorja e deri tek gojorja. Sigurisht, ajo që na karakterizon më së shumti si popull me elokuencë politike të zhvilluar, është pikërisht: “gojorja”. Populli, (bashkësia njerëzore me eksperienca të përbashkëta), e ka shprehje: “do vinë ditë dimri”. Është nga ato thënie që mbartin terror, frikë nga vetja dhe e ardhmja, atë që s’e pret, por e parashikon. Kjo e pashmangshme vjen pakthyeshëm, vrullshëm, dhe gjithmonë e re. Një ngjarje entropike e papërsëritshme, çka nuk kthehet më, është çfarë nuk ka ekzistuar kurrë në një farë mënyre.
Po shëtisja në një zonë të vjetër të kryeqytetit të ri. Disa shkarravina në murin e pasmë të një kabine elektrike, tërhiqnin sytë e kalimtarëve. Aty shkruhej me germa të mëdha e të zeza: “VDEKJE TIRANËVE”. Kaligrafia dukej se i përkiste një idioti, por shprehja mbartte një dënim të merituar. Isha mësuar me thirrje si: “liri, demokraci”; “Rama ik”; “poshtë Sali Berisha”, por befas, ajo shprehje, më kujtoi një personazh proletar të vjershave për fëmijë me emrin Besnik. Një djalë i prapë, që i bënte vetë rregullat gramatikore, aspak besnik ndaj gjuhës. Ai ishte një shembull i keq, sipas kulturës së kohës; Që tani duhet të jetë i papunë, analfabet dhe në emigrim, në ndonjë shtëpi bari në mes të Londrës, Birmingamit apo Liverpulit, sepse këtë bëjnë shqiptarët sipas ambasadës angleze dhe ndërgjegjes evropiane zyrtare; Referuar diktatit të kohës së Besnikut, i ati (kryetari, shteti, regjimi), ishte një grama-folës i kulluar, i cili e korrigjonte Besnikun për gabimet që nxirrte nga goja. Një nga frazat ishte: “ç’bën kështu more Besnik, a i thuhet mikut ik?” – Sepse Besniku kishte harruar t’i vendoste fjalës “mik”, germën “m”, dhe fjala “mik” u kthye në: “ik”. Është dredharake mënyra se si fjalët marrin kuptime të kundërta teksa harron ose shton ndonjë shkronjë. Një tjetër frazë ishte: “fjala derë, bëhet erë!”, ku Besniku kishte harruar këtë herë shkronjën: “d”.
Besniku i vogël mund të kishte një problem logopedik dhe ndoshta i nevojitej ndihmë profesionale, ose kishte pikëpamje filozofike mbi veçoritë e derës dhe perceptimit, mbase edhe ai kërkonte singularen tek e përgjithshmja, por qortimi kolektiv dhe autokritika ishin më efikase në kësi rastesh, sipas doktrinës moniste. Partia nuk mund ta lejonte një dru të shtrembër të kthehej në anti-sistem. Largqoftë, na rrëzohet socializmi! Përmes ushtrimit të presionit dhe ngjizjes së frikës ndëshkuese tek ai, Besniku nisi të fliste rregullisht sipas standardit të 1972-shit. Askush nuk do ta dijë nëse Besniku ishte një poet i lindur, apo një idiot i fabrikuar, por me siguri ai ndryshoi, duke u bërë një njeri i ri.
Ky mendim më solli një ndërhyrje në fjalinë mbi mur. Ndryshe nga Besniku, që i hante shkronjat, duke mos i’u bindur regjimit, unë mendova të shtoja, duke kontribuar në sistemin e diktatit të ri gjuhësor. “VDEKJE TIRANSËVE” – erdhi mjaft natyrshëm. Shkronja “s”, ishte dredharake, ajo shkonte në të dyja drejtimet, duke krijuar dy fytyra në të njëjtën linjë, si diçka e papërfunduar, infiniti i lënë në mes. Me pallatin që po ndërtohej në shpatullat e Sahatit, gropën e rikthyer të Sejdisë, dhe hijen e rëndë që vinte nga pesëmbëdhjetëkatëshi, pas të cilit rëndon një mal me beton dhe dritare burgu të arta, fjalia mori një kuptim edukativ. Muri ishte i vjetër, me tulla balte (qerpiçi), që i përkisnin një vile të rrënuar pas kabinës elektrike, vrimat e të cilave qenë mbushur me rrjeta merimangash.
Në rrjetën e merimangës pashë mbetjet e krahëve të një mize, një ish-qytetar që kishte rënë në kurthin e të padukshmes. Ato copa delikate prej strukture qelizore, dikur ishin të lira, fluturonin mbi fekale dhe ushqime, fytyra dhe prapanica njerëzish e kafshësh, pa e vrarë mendjen për të ardhmen, të tashmen apo të kaluarën. Merimanga ishte një grabitqare, e parë nga këndvështrimi i viktimës, por në të vërtetë ajo po siguronte vazhdimësinë e saj. Askush nuk e di se çfarë mendon merimanga, apo cilën rrugë do merrte nëse muri do ishte shembur, por është e sigurt që ajo do të luftonte për mbijetesën dhe pasardhjen. Të gjitha insektet, vajza, djem, qytetarë e fshatarë, provincialë e intelektualë, janë të mirëpritura në këtë rrjetë. Edhe rrjeti virtual, ai i propagandës, ashtu si rrjeta e merimangës, siguron komunikimin dhe eksperimentimin, aventurën dhe gjahun, duke mos marrë mbi shpinë asnjë dështim, dhe duke siguruar vazhdimësinë e tij. Një mjet i përdorimit personal që vepron si publik përmes personales, krijon personalitete të ndryshme publike, përfaqësime dhe përligjje identitetesh, është një grabitqar. Çdo slogan është fuqimisht i rrezikshëm në një epokë të paqëndrueshme personalesh, të mbytur nga publiket e rreme. Ky instrument krijon rende të reja, por edhe kaos me shpejtësinë e dritës, duke kapërcyer çdo pengesë dhe dëshirë afatgjatë, që kërkon kohë për t’u instaluar në shoqëri. Botët e ëndrrave, të përrallave, perversiteteve, maktheve e marrëzive, kthehen në realitete të shumëfishta ku mbizotëron e rremja. Ndërtohen maska, shabllone, gjuhë, klishe, duke i dhënë mundësinë përdoruesit të jetë kushdo që s’do të ishte dot ndryshe. Termi “përdorues”, është besnik ndaj efektit shkak-pasojë që krijohet nga konsumi i këtij produkti propagandistik. Marrdhënia e individëve, pavarësisht moshës apo bindjeve estetike, seksuale dhe ideologjike, krijon një tablo të koklavitur kulturore, ku dominon shfarosja e identitetit. Ky idhull i ri, të cilit i jepen dhurata, i bëhen kurbane, është rregullues dhe ndëshkues, por edhe shpërblyes i përdoruesit. Ashtu si përdoruesi i substancave narkotike, të njohura për efektet e tyre speciale, përdoruesi i rrjetit të propagandës e forcon lidhjen me produktin, duke u vetëflijuar në realitetin e ri që ofrohet, për të rilindur si një identitet i ri. E kemi pare këtë fenomen edhe në fushën e dekriminalizimit. Njerëz me psikoza kolektive, me drejtësi të aplikuar sipas kushteve psiko-emocionale, që improvizojnë dënime publike mbi rregulla të shpikura nga individë me aftësi të kufizuara sociale, me manipulim degjenerues, ofendues për inteligjencën dhe moralin shoqëror, dominojnë rrjetin dhe përdoruesin, duke na dhënë një panoramë të detajuar të mesjetës së re dhe humnerës intelektuale, që po krijohet shpejt e shpejt, në kurriz të trashëgimisë së rrezikuar së fundmi edhe nga automatizimi i krijimtarisë autentike, përmes aplikacioneve art-krijuese, mohuese të identitetit.
A po realizohet ëndrra moniste e një rendi të ri botëror? – Kjo është e paqartë, por me siguri po testohet masivisht. Ashtu, edhe merimanga, nuk gënjehej nga valëvitjet e rreme të rrjetës, sepse lëvizjet e viktimës lëshonin përpëlitje agonie, si vdekje e paracaktuar. Nuk e ndoqa dot gjatë skenën makabër, fatin e mizës. Kështu do ndodhte me gjithçka të vjetër që do gjendej në kurthin e të resë. Kushdo që do të përballej me atë gjendje, do kthehej në një spektator të hipnotizuar, pa asgjë të mëparshme, si një enë e zbrazët që pret të mbushet me lëndën e re, me ngjarjen e re, me aktin e ri, pa mendime dhe pa pretendime të vjetra. Kjo nuk ishte një rilindje, por vdekje e sforcuar.
Bulevardi i ri; pazari i ri; materniteti i ri; piramida e re; kopshti zoologjik i ri; xhamia e re; akademia e re; galeria e re; sheshi i ri; opera e re; teatri i ri; stadium i ri, kinemaja e re, kisha e re…
Ndala për një moment, po shikoja bulevardin e ri, ku dikur ishte stacioni i vjetër i trenit. Në horizontin e ri, zhdukej gjurma e re, e asfaltit të freskët, që zëvendësohej me një ide të re, të asaj që ishte dikur një plan i ri. Projekti ishte novator asokohe, e kam hasur në një maket të ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve, si një parashikim fatkeq. Plani francez, plani gjerman, plani anglez, ai amerikan dhe plani neo-marksist, kishin kaluar, parakaluar, ishin aprovuar dhe miratuar, ndërsa plani shqiptar as që ishte formuluar prej shekujsh. Disa të tjera plane, ndërkohë, hidhen drejt zbatimit nga komisionet, segmentet, palët dhe parlamentet, klasat superior dhe inferiore, në fshirje të historisë, në humbje të identitetit, në përsiatje lakmitare të asaj që s’u përket. Këto plane realizohen dita-ditës, disa stivohen, e disa rishikohen, por prap rikthehen edhe më të fuqishme, të investuara dhe të mbështetura politikisht.
Maketi i dikurshëm paralajmëronte një vdekje të re, ashtu si tabelat e rrugës që e lajmërojnë kalimtarin për atë që mund t’i ndodhë nëse nuk respekton konvencionin e zgjedhur sipas një praktike botërore të qarkullimit nëpër infrastrukturën e qytetit dhe fshatit ku ai jeton. Askush nuk e kishte analizuar planin e kahershëm, se ku vendosej, ku shkelte, çfarë groposte dhe çfarë sakrifikonte. Duhej marrë seriozisht çdo veprim, çdo gjurmë, ide apo projekt që hidhej në publik, si një ngjarje e re, apo alternativë më e mirë. Një shtetas virtual, është si një kukull shtetërore, që filtron çdo plan keqdashës, abuziv dhe shkatërrues, pa asnjë kundërshtim të bindshëm nga banorët, sepse për sa kohë ekziston në një plan jomaterial, vishet me pranim dhe eksitim masiv, duke dekoruar vdekjen e së shkuarës me risinë e së ardhmes.
Tabelat e sinjalistikës rrugore, ashtu si projektet, maketet, janë e vetmja gjuhë mbi gjuhët. Konvencionaliteti është një dhuratë nga Prometeu, për t’u kuptuar me njëri-tjetrin pa asnjë fjalë, ku imazhi i së ardhmes, fati i paracaktuar, vdekja, sundohet nga parashikimi përmes figurave. Nga aty rrjedh imazhi (nga latinishtja: imago; pasqyrim), që tregon diçka joreale, por të vërtetë. Ato shfaqeshin si paralajmëruese të veprimeve instinktive që mund të na dëmtojnë, të na shpien drejt harresës. Pas vëzhgimit të tabelave, m’u bë e dukshme se puna e dobët e printimeve do ta çonte qëllimisht imazhin drejt venitjes, nën diellin e fortë mesdhetar, duke na shtyrë drejt dy zgjedhjesh, me të ardhmen ose me harresën. Vetëm pas disa muajsh, ato tabela do ta humbisnin ngjyrën, aq sa ta zëvendësonin realitetin e vjetër me atë të riun. Ashtu edhe shkrimi në mur do venitej, ndërsa muri do rrëzohej, shtëpia e vjetër do zëvendësohej nga një pallat i ri, dhe merimanga do mbijetonte gjithsesi. Ishte një teknikë e njohur rilindjeje, e përdorur në disa raste historike, përmes së cilës fabrikohet identiteti i një populli nga qeveritë psikiatrike, opresive, shantazhuese dhe kriminale. Ata ia kishin dalë të na fshinin nga fotografitë, rrugët, muret, parqet, shtëpitë dhe venat e qytetit. Rrjeta e kishte kryer më së miri funksionin e saj. Tanimë, banorët e rinj bëjnë sikur nuk shikojnë, sikur nuk u intereson ose sikur nuk u përket. Në këtë kohë që mbizotërojnë mjetet liberale të informimit, duket se dëshira për informim është ulur ndjeshëm, dhe si pasojë e një ezaurimi socio-nervor, të gjithë dinë pak, sado pak, nga njëherë aspak, mbi çdo gjë. Miza nuk e shikonte dot rrjetën e merimangës, ajo ishte ndërtuar për të qenë e padukshme.
Dita e parë e dimrit i la vend natës së re dimërore. Vdekja u shfaq mbi një tarracë pallati parafabrikat, e kërrusur, e mbledhur, dhe shikonte përtej syve të saj, më thellë se sytë e mi, drejt e në shpirtin e qytetit. Ngjitur me të ishte një tjetër masë e madhe, e gjatë. Ngjante si një ndihmëse besnike, pothuajse njësoj si e zonja. Dy vdekje nuk mund të ekzistonin – mendova – sidomos të veshura njësoj. Vdekja duhej të kishte njëfarë individualiteti. Ndoshta, zonja e vjetër po mësonte pasardhësen e saj, si të terrorizonte njerëzit dhe t’u kujtonte se ishte gjithmonë aty, edhe kur ata nuk e kishin mendjen tek ajo. Si i përzgjidhte vdekja studentet e saj, pasardhëset, trashëgimtaret e fronit më të frikshëm në univers? A kishte ditë votimi, elektorat, komision vëzhgues? – Kjo nuk dihej, por ishte e sigurt që vdekja e realizonte qëllimin e saj herët a vonë, ashtu si projektet e rinovimeve, rilindjeve dhe rimodelimeve të identitetit tonë arabo-karpato-indo-evropiano-amerikan me premisa lindo-perëndimo-universale.
M’u desh pak të kuptoja se mbi tarracën e parafabrikatit ishte një çadër që e kisha vënë re edhe herë të tjera, dhe ngjitur me të, ishte një satelit (saç/tavë), që ditën kryenin funksione utilitare, si hija dhe sehiri. U lehtësova pak, u çlirova nga ankthi, duke marrë parasysh objektet e rëndomta. Sidoqoftë, vdekja e la gjurmën, siç bën me këdo që i del përpara. Ajo kishte sens humori, madje edhe njëfarë poetizmi, që buronte nga funksioni i saj, e ngjashme me çadrën dhe saçin. Por ajo ishte edhe e thatë, e drejtpërdrejt, si fjalitë postmoderniste, jo për këdo që banonte në parafabrikat, por për këdo që guxonte të jetonte në të padukshmen.
Ra kambana, u valëvit flamuri, e lashë këtë mendim të vjetër për t’iu bashkuar planit të ri, në një histeri të heshtur, një “autofellatio” kolektive, e datës së çlirimit nga okupimi nazi-fashist dhe riokupimi leninist. Qyteti dremiste pak, në pritje të një projektligji të ri, që do godiste si sëpatë e mprehtë mbi drurin e vjetër, për t’i hapur vend pyllit të ri. Dimri sapo kishte nisur me investime strategjike, soba qe nxehur mjaftueshëm për salcën financiare, tigani përcëllohej nga dëshira për elektorat të ri. Hija e vdekjes ra mbi parafabrikatet, teksa vigjëlonin mbi shtëpitë me qerpiç, të cilat prisnin në radhë si hebrenj drejt holokaustit.
© 2023 Rael Hoxha. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me AI.