Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Politikë

KOMISIONI I FESTËS

nga Ilir Yzeiri

Titulli origjinal : « Komisioni i festës » së Kadaresë ose paradigma « Shqipërinë e kam gaz »

Novela « Komisioni festës » së Kadaresë (« Ura me tri harqe » – triptik Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1978), ashtu si «Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave » (Emblema e dikurshme, Shtëpia botuese « Naim Frashëri, Tiranë 1981), janë krijime që riprodhojnë më së miri disa nga tiparet antropologjike universale, por që shfaqen më qartë kur ilustrohen me modelet tona të organizimit shoqëror. Temat mbi të cilat ngrihen këto dy krijime, ndër më të bukurat e Kadaresë, janë « festa » si institucion dhe « ëndrra » si mekanizëm kontrolli për vetëdijen dhe mendimet e një bashkësie të caktuar. Të dyja këto paradigma na shenjojnë edhe ne shqiptarëve sidomos në organizimin tonë institucional, atëherë kur ne riprodhohemi aty si një entitet i organizuar rreth manifestimeve, urrave, fishekzjarreve, pritjeve të organizuara me raste festash apo kur presim miq. Këtë triumf të festës dhe të shkrirjes së gjithçkaje për mikun ne e kemi të sanksionuar edhe në kodin tonë të sjelljeve, pikërisht aty ku e kemi lënë vendin e mikut në reshtin e parë, madje i kemi blatuar edhe shtëpinë. Ndërsa kontrollin e njëri-tjetrit, institucionin e përndjekjes e trashëguam nga kohët e vjetra historike, e përsosëm në diktaturë dhe e shfaqim tani si ves të dorës së parë në përndjekjen dhe përfoljen që i bëjmë njëri-tjetrit në rrjetet sociale. Duke qenë kështu, nuk duhet të habitemi pse ky riprodhim i vetjes sonë kombëtare përmes paradigmës së festës shfaqet edhe tani me po ato ngjyra groteske që përshkruan Kadareja në novelën e tij të famshme « Komisioni i festës ». Prej kohësh kam vënë re se ngjarjet e mëdha politike si takimet e nivelit të lartë, konferencat shkencore, tubimet e mëdha kombëtare e ndërkombëtare ndërtohen mbi një paradigmë opozicionale që organizohet rreth parimit të dukjes, të paradës, të manifestimit të jashtëm ; pra ajo që ndodh brenda këtyre takimeve nganjëherë sfumohet dhe errësohet nga shkëlqimi i festës që e shoqëron atë. Edhe ngjarjet e mëdha të tetorit ngjajnë se vuajnë nga kjo paradigmë. Dhe, në të tilla raste, për ta interpretuar këtë që ndodh, si në raste të tjera, të vjen në ndihmë letërsia e madhe.

Para disa ditësh në Tiranë u mbajt Samiti i Procesit të Berlinit me pjesëmarrjen e udhëheqësve më të lartë të BE-së, Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian. Në të njëjtën ditë, pra më 16 tetor, që për ironi të fatit përkonte me ditëlindjen e diktatorit Hoxha, në veri të Tiranës, te 15-katëshi mbahej Konferenca « Nano Ballkan » me pjesëmarrjen e shkencëtarëve më të mirë nga e gjithë bota dhe nga të pesë kontinentet. Aty ishte edhe një nobelist nga Singapori, pikërisht Konstantin Novoselov, i cili në vitin 2010 e fitoi këtë çmim të madh pasi zbuloi grafenin, një material që përdoret sot në avione e në shumë fusha të tjera. Në jug të Tiranës ishte pushteti në veri shkenca dhe në pallatin e Brigadave, në një nga këto ditë, u nderua shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare me titullin e lartë Legjion i Nderit nga presidenti francez Emanyel Makron. Në konferencën shkencore, përveç nobelistit ishin edhe shkencëtarë shqiptarë me famë botërore si Niko Qafoku i cili në vitin 2019 hyri në 2% e shkencëtarëve më me ndikim në botë[1]. Vetë organizatori i këtsaj ngjarjeje, prof. Arben Merkoçi, është një nga personalitetet shkencore më të shquara në fushën e nanoshkencës në botë. Mirëpo këto ngjarje, Samiti i Berlinit, titulli i Kadaresë dhe Nano Ballkani u shuan nga shkëlqimi i festës. Konferenca ishte e organizuar me një shkëlqim verbues dhe shpenzimet për këtë ngjarje, në një hotel luksoz i habitën të gjithë. Pra, festa, organizimi, ato nënkomisionet që përmend Kadareja te Komisioni i Festës punuan natë e ditë. Prof. Arben Merkoçi në intervistën që më dha për emisionin tim ADN, me shumë elegancë më tregoi se, për fat të keq, vëmendja e publikut akademik dhe studentëve shqiptarë, kur foli nobelisti apo dhe të tjerë, ishte shumë e ulët. Të mendosh, tha ai, që një nobelist po mban një kumtesë dhe po tregon të rejat e fundit nga fizika dhe të shohësh sallën thuajse bosh, është një trishtim. Kur e pyeta se çfarë u bë me qendrën e Nanoteknologjisë që u përurua vjet në ambientet e Universiteti Bujqësor, ai më tha se, për fat të keq, asgjë, sepse mungojnë fondet. Pak më poshtë, në Piramidën e rindërtuar po zhvillohej Samiti i Procesit të Berlinit. Shumë pak vëmendje mori edhe aty përmbajtja e diskutimeve, ajo që u vendos dhe ajo që do bëhet. Ajo që ra në sy dhe ajo që iu servir publikut si vlerë shqiptare ishin vallet, këngët, pjatat e vizatuara, pra një dekor që për fat të keq në vend që ta pasuronte ambientin e bënte atë më grotesk. Nuk kishte menduar askush që në atë Samit të paraqiteshin shkencëtarët e mëdhenj shqiptarë që ishin 500 m larg. Në dhënien e çmimit të Kadaresë nuk u mor vesh se kush dhe si përfaqësohej Shqipëria në këtë ngjarje, sepse edhe aty u harruan shkencëtarët a thua se këto dy ngjarje zhvilloheshin në territore të ndara nga kufiri e padijes ose narcizizmit. Në mediat tona gjatë gjithë kohës jepeshin vallet, kërcimet dhe kostumet popullore me të cilat po gëzonim miqtë tanë.

Shqipëria nuk është ajo e 30 viteve më parë dhe sot njihet si një vend normal. Mirëpo ajo që bie në sy është se ende nuk po integrohemi sa dhe si duhet në institucionet ndërkombëtare, të cilat funksionojnë përmes eventeve të tilla si takimet, samitet, konferencat. Këto ngjarje janë vende ku punohet për të prodhuar vendime dhe për të hartuar projekte që më pas kthehen në veprime. Për fat të keq, ne i kushtojmë më shumë vëmendje anës së dytë : festës. Qeveria shqiptare, përmes Akademisë, jep miliona lekë për ta organizuar aktivitetin shkencor në një hotel super luksoz dhe shpenzon mijëra e mijëra euro për konferenca që nuk prodhojnë asgjë veç festës dhe nuk financon kërkimin shkencor. Edhe vetë ajo pëlqen të riprodhohet në festa më shumë sesa në vendime e projekte. Ndaj novela e Kadaresë të rri në vështrim si një hije që nuk e largon dot sepse ne e përsëritimi fabulën e saj ashtu si një ritual të përjetshëm. Novela e Kadaresë është përpjekur të ritregojë masakrën e Manastirit që mbështetetet mbi një ngjarje reale. Siç dihet, në një kurth të ngritur nga Sarasqeri i Rumelisë Mehmet Reshit Pasha, krerët e Toskërisë u thirrën në Manastir më 9 gusht 1830 kinse për t’u dhënë rrogat e prapambetura. Nga festë ajo u kthye në një masakër sepse turqit i vranë dhe i masakruan 500 prej tyre. Kadarenë e ka magjepsur kurthi, festa dhe gjithë novela e tij mbështetet mbi organizimin e saj. Masakra zë fare pak vend në novelë. Gjithë rrëfimi mbahet me përgatitjen e festës dhe me komisionet. Kjo të kujton « Makbethin » dhe darkën fatale, pastaj protokollet e festave që jepeshin e mbaheshin në diktaturë. Në romanet e tij « Dimri… » apo « Koncerti.. » festat, komisionet, kodi qe ato mbartnin, vendet ku uleshin, pjatat, helmi që mund të fshihej aty tregonin mekanizmat e një pushtetit që mund të mbahej në këmbë dhe të riprodhohej përmes hierarkisë së vendeve në një banket. Mirëpo nëse lexon sot këtë novelë dhe nëse e përqas kontekstin e saj të fillimit me tekstet e konferencave shkencore, samiteve qeveritare, pritjeve e përcjelljeve, ngjashmëra është fatale. Këtë radhë kjo ngjashmëri u bë edhe më gazmore, sepse nëse në novelën e Kadaresë tekstin e organizon dekreti i Sulltanit për t’u pajtuar me shqiptarët e Shqipërinë nën devizën « Shqipërinë e kam gaz » edhe këtu, sidomos fjalimi i Makronit, dukej se riprodhonte atë tekst të largët të Kadaresë, nëse me perandori do të shënjonim në këtë rast Europën nga e cila nuk duam të ikim, por të shkrihemi me të, ndryshe nga Perandodria otomane. Janë pak a shumë 45 vjet kohë e humbur si në rastin e Perandorisë, si në rastin e Europës. Edhe Makron ashtu tha : « Shqipërinë e kemi gaz », por nuk ju japim kohë se kur duhet të bëheni si ne. Paralelizmi i novelës së Kadaresë me narrativën e festës bëhet më i qartë. Në mendje tani nuk na ka mbetur Samiti po festa edhe te novela e Kadaresë ti mahnitesh me imagjinatën dhe groteskun e festës, sepse masakra bëhet vetëm shkak i aksionit letrar. Ne tani kishim shpëtuar nuk quhemi më « tokë haram » as dënimi më i rëndë ai i « kra-kra-së » nuk do të bjerë mbi ne. Pra nuk jemi më vend i mafies apo i krimit. Ndaj pasi mbarojnë eventet, ajo që mbetet në mendje është festa dhe organizatorët. Te Kadare janë Qogo Fejzullah efendiu që përpiloi listën e të ftuarve. Nënkomisioni i hoteleve me Haxhi Hazërin. Ndërsa kryetari i Komisionit të Ahengjeve, Bandill agai që na i bëri ditët mjaltë do të marrë nishane të reja. Në novelën e Kadaresë ka edhe një nënkomision që është ai politik. Është e çuditshme se sa shumë ngjet ky komision me atë komisionin që përgatit dokumentacionin sot për përafrimin ligjor me BE-në. Ka edhe një paragraf për gjuhën e ngatërruar shqipe, për përkthimin që të kujton « Dimrin.. ». Pastaj vijnë me radhë kujdesi për bashtepsinë e bakllavasë, për bashpjatat. Aq shumë ironi e grotesk ka në këto faqe të novelës sa lexuesi në fund kur zbulon atë që ndodhi në hipodromin e kuajve e harron masakrën reale dhe mban në vështrim këtë riprodhim antropologjik të ceremonisë apo të festës që bëhet shenja e vetme e marrëdhënies sonë me perandoritë.

Kadareja e ka ndërtuar novelën duke transferuar në atë kohë paradigmën e burokracisë politike që mbahet dhe funksionon edhe përmes protokollit të festës. Në Shqipëri tri ngjarje të mëdha nuk arritën të shkriheshin në një : Samiti i Berlinit, Nano Ballkani dhe dekorimi i Kadaresë. Kumti që u dha në ato ditë ishte se gazi i Europës që na ka në sy u shfaq sidomos në hyrje të Piramidës aty ku valltarët tundën xhufkat e kuqe dhe trupat e hajthëm në lëvizje që me siguri europianët ose nuk i kanë kuptuar ose i kanë marrë tjetër për tjetër dhe te 15-katëshi ku një konferencë shkencore ndërkombëtare me nobelistë brenda ngjante më shumë si një dasmë shqiptare dhe jo si një dialog mes shkencëtarësh.

© 2023 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1] Bazuar në rezultatet e publikimeve në SCOPUS, një profesor i Universitetit të famshëm të Stanfordit në SHBA ka botuar listën e plotë të 2% të shkencëtarëve më me ndikim në botë. Studimi i Prof. John P.A. Ioannidis u botua nga shtëpia botuese Elsevier në 10 tetor 2022. Në listën e karrierës bën pjesë edhe shkencëtari shqiptar Profesor Nikolla P. Qafoku.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin