Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antikitet / Arsim / Art / Histori

UNESCO DHE SHQIPËRIA

  1. Hyrje; 2. Edhe njëherë për Konventën e Parisit; 3. Shqipëria dhe Lista e Pasurive të Trashëgimisë Botërore; 4. Roli monitories i UNESCO-s dhe Butrinti; 5. Një raport i papërfunduar për Butrintin; 6. Shën Llazari në Paris – dhurim apo huazim? 7. Zagoria e Gjirokastrës dhe Zagoria e Pindit; 8. Një propozim i vyer i deputetes së Vlorës.
  1. Hyrje

Në Riad të Arabisë Saudite ka çelur punimet më 10 shtator 2023 Sesioni i 45-të “i zgjeruar” dhe i rregullt i Komitetit të Trashëgimisë Botërore [KTB] të UNESCO-s, apo organizmi ekzekutiv i Konventës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore [Konventa e Parisit]. KTB-ja mblidhet çdo vit dhe përbëhet nga 21 Shtete Palë të zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme e Shteteve Palë, me mandate të kufizuara kohore. Falë teknologjisë së sotme, seancat mund të ndiqet edhe drejtpërdrejt.

  1. Edhe njëherë për Konventën e Parisit

Konventa e Parisit – e cila kremtoi 50 vjetorin e vet më 16 nëntor 2022, është traktati ndërkombëtar me numrin më të lartë të ratifikimeve në histori. Atë e kanë ratifikuar deri më sot 195 Shtete Palë. Thelbi i saj është angazhimi i komunitetit ndërkombëtar përmes Shteteve Palë që kanë si “detyrë parësore“ “identifikimin, mbrojtjen, konservimin, prezantimin dhe transmetimin tek brezat e ardhshëm” të trashëgimisë kulturore dhe natyrore me vlera të jashtëzakonshme universale që ndodhet në territoret e tyre.

Cilësia më drejtpërdrejt e prekshme e Konventës së Parisit është, pra, inskriptimi i pasurive me Vlera të Jashtëzakonshme Universale në Listën e Trashëgimisë Botërore. Deri më sot në këtë Listë janë inskriptuar 1157 pasuri natyrore dhe kulturore në 167 vende të globit.

Shqipëria e ratifikoi Konventën e Parisit më 10 korrik 1989, dhe ka vetëm katër pasuri të përfshira në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.[1] Dy prej tyre  – Butrinti dhe Qendrat Historike të Beratit dhe Gjirokastrës (dy qytetet përfshihen në të njëjtin inskriptim] janë në fushën e kulturës; një pasuri është në fushën natyrore – Pyjet e Lashta të Ahut  në Parkun Kombëtar të Valbonës dhe të Shebenik-Jabllanicës në Rrajcë; dhe një pasuri e përzierë natyrore dhe kulturore – Liqeni i Ohrit.

KTB-ja luan rol thelbësor në zbatimin e Konventës së Parisit, sidomos në përcaktimin e pasurive për t’u inskriptuar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, apo për t’u fshirë prej saj, shqyrton raportet e rregullta për gjendjen e tyre dhe “u kërkon Shteteve Palë që të marrin masa kur ato Pasuri nuk administrohen siç duhet”. KTB-ja vendos gjithashtu për përdorimin e Fondit të Trashëgimisë Botërore dhe e shpërndan atë sipas kritereve të veta dhe kërkesave të Shteteve Palë. Shtetet evropiane me mandate përfaqësimi në KTB-së  gjeografikisht më afër Shqipërisë janë Bullgaria, Greqia dhe Italia.

  1. Shqipëria dhe Lista e Pasurive të Trashëgimisë Botërore

Shtetet Palë kanë detyrimin për të raportuar rregullisht para KTB-së për gjendjen dhe konservimin e Pasurive të Trashëgimisë Botërore në territorin e tyre [Neni 29 i Konventës së Parisit].  Shqipëria ka raportuar rregullisht për gjendjen e konservimit të tre pasurive: Pyjeve të Lashta të Ahut, për Beratin dhe Gjirokastrën, si dhe për Liqenin e Ohrit. Raportimet më të fundit për to janë të vitit 2021, dhe do të shqyrtohen në Sesionin e tanishëm.

Sa i takon Butrintit, çuditërisht, raportimi i fundit periodik për gjendjen e konservimit të tij është kryer në vitin tashmë të largët 2009.  Një nga detyrat e lëna nga KTB-ja në atë raport ishte që Shteti Palë duhet të raportonte për rekomandimet dhe progresin e bërë brenda datës 1 shkurt 2011.  Çuditërisht kjo porosi nuk u zbatua asnjëherë, dhe tash u bënë plot 14 vjet që, për Butrintin, Shqipëria nuk ka paraqitur asnjë raport në UNESCO, paçka se Butrinti – si Pasuri e Trashëgimisë Botërore – pranohet përgjithësisht si gjerdani i kurorës i trashëgimisë kulturore të vendit – si dhe i turizmit – si dhe përbën një ndër pikat referuese të identitetit kombëtar.

Shtetet Palë inkurajohen të propozojnë edhe pasuri të tjera për t’u inskriptuar në Listën e UNESCO-s të Trashëgimisë Botërore. Për këtë qëllim shërben Lista Provizore – Tentative List. Me gjithë pasuritë e çmuara dhe shpesh unikale të vendit, vetëm katër pasuri janë përfshirë deri tani në të. Ato janë Varrezat Ilire të Selcës së Poshtme në Mokër,[2] Amfiteatri i Durrësit,[3] Qyteti Antik i Apollonisë,[4] dhe Kalaja e Bashtovës.[5] Ka vend për të theksuar se Bashtova, në përshkrimin e vlerave të jashtëzakonshme universale krahasohet me Rozafatin, mirëpo Kalaja e Rozafatit dhe ansambli natyror përreth saj ende nuk e kanë nisur rrugëtimin për në UNESCO.

Kuptohet që puna e Shtetit Palë nuk mbaron tek Lista Provizore, dhe as tek ajo e përhershme. Kjo e fundit, siç thamë, ngërthen detyrime të rregullta e thelbësore për mbrojtjen, konservimin dhe ruajtjen e vlerave të jashtëzakonshme universale, çka pasqyrohet jo vetëm në raportimet e detyrueshme të Shtetit Palë, por edhe në monitorimin e rregullt nga ana e Qendrës së Trashëgimisë Botërore.

Përveç neglizhimit institucional për Butrintin dhe dokumentacionit të cunguar për Varrezat Ilire të Selcës së Poshtme dhe Qytetin Antik të Apollonisë, karakteristikë për Shqipërinë është numri relativisht i pakët dhe statik i Listës së Trashëgimisë Botërore e i Listës Provizore.

  1. Roli monitorues i UNESCO-s dhe Butrinti

Një nga instrumentet që përdor UNESCO-ja për zbatimin e Konventës së Parisit është monitorimi i gjendjes së konservimit të pasurive përmes misioneve të veta të vëzhgimit. Është me interes të vërejmë se në Raportin e vitit 2019 Për Fuqizimin e Efektshmërisë së Procesit të Monitorimit Reagues, Butrinti paraqitet si rast pozitiv, ku Shteti Palë kërkoi vetë që Pasuria të futej në Listën e Pasurive të Rrezikuara të Trashëgimisë Botërore pas ngjarjeve të vitit 1997.

Gjatë kësaj periudhe – theksohet në Raport – menaxhimi i pasurisë u përmirësua thelbësisht me caktimin e një manaxheri, të personelit të përkushtuar dhe me zhvillimin (me ndihmën ndërkombëtare) të planit të menaxhimit brenda vitit 2005.”[6]

E theksojmë këtë pikë për të mbështetur argumentin se Shqipëria i paska, pra, kapacitetet e veta të brendshme për të menaxhuar apo administruar më së miri pasuritë e veta të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, ndryshe nga sa po vepron Fondi Shqiptar Amerikan i Zhvillimit apo AADF-ja sot për sot në Butrint.[7]

  1. Një raport i papërfunduar për Butrintin

Sesioni i tanishëm ka një agjendë të ngarkuar dhe do të zgjasë rreth dy javë, deri më 25 shtator 2023.  Një nga veprimtaritë më të rëndësishme është Raporti i Qendrës së Trashëgimisë Botërore për veprimtarinë  e saj dhe për zbatimin e vendimeve të KTB-së gjatë dy viteve të fundit.  Lidhur me Shqipërinë Raporti përmend misionin e përbashkët WHC/ICOMOS/ICRROM për Qendrat Historike të Beratit dhe Gjirokastrës të dhjetorit 2021, si dhe shkurtimisht, rekomandimet përkatëse.

Sa i takon “patates së nxehtë” të Butrintit, ku dihet kundërshtimi i fuqishëm i opinionit publik, por edhe institucional nga Presidenca si dhe të paktën nga  ¼ e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë ndaj planeve të AADF-së për marrjen në dorë të kontrollit, posedimit, menaxhimit dhe përdorimit të Butrintit përmes të ashtuquajturit fondacion të dedikuar[8], Raporti jep një të dhënë shumë të rëndësishme. Aty theksohet se Raporti i Misionit të Përbashkët WHC/ICOMOS në Butrint në tetor 2022 është “duke u përfunduar”.[9]

Me shumë gjasë Raporti i shumëpritur do të shprehet edhe për modelin e pashembullt të menaxhimit të Butrintit, të nxitur dhe sponsorizuar nga AADF-ja, model i cili, siç e kemi përmendur më herët tek Peizazhe të Fjalës, përbën shkelje të frymës dhe gërmës së Konventës së Parisit. Lidhur me rolin e AADF-së kemi shprehur opinionin se AADF-ja ka devijuar jashtë mandatit të miratuar nga Kongresi i SHBA, si dhe nga ligjet, politikat dhe praktikat më të mira të SHBA-së në fushën e trashëgimisë botërore të materializuara përmes Shërbimit Kombëtar të Parqeve [National Park Services].

  1. Shën Llazari në Paris – dhurim apo huazim?

Konventa e Parisit u nënshkrua në nëntor 1972. Në nëntor 2022 ajo mbushi 50 vjet. Sesioni i Riadit do të shqyrtojë edhe raportin për 50 vjetorin e Konventës së Parisit, që u shndërrua në një moment reflektimi për arritjet dhe për sfidat e së ardhmes. Ky përvjetor nuk duhet ngatërruar me themelimin e UNESCO-s më 1946, dhe as me anëtarësimin e Shqipërisë në të në vitin 1958.

Tema e kremtimeve për Konventën e Parisit ishte “50 vitet e ardhshme: Trashëgimia Botërore si burim qëndrese, humanizmi dhe risije”. Në mbarë botën u zhvilluan rreth 65 të aktivitete të larmishme si dhe dy konferenca të rëndësishme në Kamerun dhe Greqi.[10]

Shqipëria nuk përmendet në raport, edhe pse me siguri në vend janë ndërmarrë aktivitete për Konventën e Parisit me rastin e 50 vjetorit të saj.

Gjithsesi, në këtë drejtim tërheq vëmendjen një Vendim i Këshillit të Ministrave i vitit 2018, me propozim të Ministres së Kulturës M. Kumbaro, “Për Dhurimin UNESCO-s të Ikonës “Ngjallja e Llazarit” në kuadër të 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë”. Sipas tij, Ministria e Kulturës ngarkohej për lidhjen e kontratës së dhurimit mbështetur në Kodin Civil të Shqipërisë. VKM-ja ngarkonte Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, Arsimit dhe Arkeologjik, Korçë, që të kryente procedurat përkatëse “deri në dorëzimin e saj tek UNESCO-ja”. Kurse Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore ngarkohej të ndiqte procedurat “deri në tjetërsimin e pronësisë së veprës”.[11]

Vendimi për ”dhurimin”, pra, mban datën 29 shtator 2018. Kaluan saktësisht 13 muaj, dhe një VKM e dytë anulloi të parën.[12] Nuk dihet se ç’ndodhi në Paris dhe si reagoi realisht UNESCO-ja ndaj kësaj dhuratë sa të papritur, aq edhe të çmuar të ikonografisë shqiptare të shekullit XVIII, me autor Kostantin Shpatarakun.[13] Me shumë gjasë UNESCO-ja duhet ta ketë refuzuar me takt diplomatik këtë gjest njëkohësisht bujar dhe bizar të një Shteti Palë të Konventës së Parisit. Kujtojmë se kjo Konventë, për ironi, materializon pikërisht detyrimet e Shtetit Palë për identifikimin, mbrojtjen, konservimin, publikimin dhe përcjelljen tek brezat e ardhshëm të pasurive të trashëgimisë kulturore, siç ishte edhe kjo ikonë me vlera të paçmuara. Në thelb, UNESCO-ja nuk mund të shkelte me të dyja këmbët një nga parimet themelore mbi të cilin është krijuar.

“Ringjallja e Llazarit” ekspozohet në UNESCO.

Duhet theksuar se akti i çuditshëm – që me gjasë Konica do ta quante si “levantin” –  u kundërshtua me forcë nga shkencëtarë, specialistë dhe dashamirës të trashëgimisë kulturore në vend. Përmendim, për shembull, reagimet e ashpra të arkitektit të ndjerë Kliti Kallamata, si dhe të arkeologes Lida Miraj, apo restauratorit Pavlo Shkarpa, etj.[14]

Velloja e misterit të dhurimit dhe anullimit rëndohet më tej tek lexon një njoftim zyrtar të Ministrisë së Kulturës të datës 20 nëntor 2019.  Shkruhet aty:

Ikona “ishte pjesë e ekspozitës së një viti më parë, e hapur me rastin e 60-vjetorit të UNESCO-s, dhe pas mbylljes së saj, “Ringjallja e Llazarit”, së bashku me veprat e tjera të ekspozitës u rikthye në Shqipëri, pranë Muzeut Mesjetar të Korçës. Me Urdhër të Ministrit të Kulturës dhe mbi një kontratë 2-vjeçare me UNESCO-n, ky objekt udhëtoi drejt Parisit dhe do të qëndrojë i ekspozuar në ambientet e UNESCO-s.”[15]

Ky njoftim, po aq bizar sa edhe vendimi i dhurimit, ngre pyetje të tjera. Së pari, duhet saktësuar se ngjarja nuk ka fare lidhje me 60 vjetorin e UNESCO-s, pasi UNESCO-ja është themeluar në vitin 1946. Së dyti, VKM-ja e parë e vitit 2018 bënte fjalë për dhurim, jo huazim apo ekspozim. Përkundrazi, ekspozimi me gjasë u realizua vetëm pas refuzimit hipotetik të UNESCO-s, dhe pas anullimit të dhurimit, përmes një kontrate dyvjeçare bazuar në një Urdhër të Ministres E. Margariti. Dhe e treta, sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, “Ngjallja e Shën Llazarit” e paska bërë dy herë ecejaken e mundimshme Korçë –  Paris – Korçë: herën e parë me rastin e “60 vjetorit”, dhe herën e dytë me kontratën dyvjeçare. Cila është e vërteta?

    7.  Zagoria e Gjirokastrës dhe Zagoria e Pindit

Fiaskoja e Shën Llazarit sjell në vëmendje një tjetër problematikë lidhur me UNESCO-n. Organizmi i OKB-së – ndryshe nga sa mendojnë disa – nuk ka të bëjë vetëm me trashëgiminë kulturore. UNESCO-ja ka si mision të vetën edhe fushën e arsimit dhe shkencës.  Kjo duhet të ketë qenë logjika mbështetëse e një VKM-ja tashmë të harruar, të nënshkruar nga ish-Kryeministri I. Meta, e cila institucionalizonte marrëdhëniet e Shqipërisë me UNESCO-n përmes ngritjes së Komitetit Kombëtar Shqiptar për UNESCO-n, të kryesuar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës.[16] Duket se Komisioni Kombëtar ekziston vetëm në letër, paçka se shfaqet si kontakti kryesor me Shqipërinë i UNESCO-s  në faqen zyrtare të  saj.[17] Praktikisht, duket se Komisioi Kombëtar është lënë në harresë, çka rezulton nga anashkalimi i plotë i tij prej Ministrisë së Kulturës gjatë procedurave të hartimit dhe konsultimit të ligjit famëkeq 50/2022 , ligj i cili i çel shtegun tjetërsimit të Butrintit.

Por le të kthehemi tek Sesioni i 45-të i Riadit.  Komiteti i Trashëgimisë Botërore pritet të shqyrtojë edhe propozimet për Pasuri të reja të Trashëgimisë Kulturore. Lista sivjet përfshin rreth 53 pasuri nga të githa anët e botës. Pasuritë e propozuara i nënshtrohen një procedure komplekse e shqyrtimi të imët nga organizmat këshillimore të KTB-së. Si rrjedhojë, propozimet mund të rekomandohen për inksriptim, për referim, për shtyrje, për ndryshim të kufijve, ose edhe mund të refuzohen.

Tërheq vëmendjen propozimi i Greqisë për përfshirjen e Zagorisë së Pindit në Listën e Pasurive të Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore me përdorim të përzier. Lënda e paraqitur tregon për një punë serioze të autoriteteve greke, si dhe të organizmave këshillimore të UNESCO-s. Me sa duket, rekomandimi është që shqyrtimi të shtyhet për shkaqe teknike.

Në këtë drejtim, ndofta organizmat e shtetit shqiptar mund t’i propozonin UNESCO-s një qasje të përbashkët me palën greke që të përfshinte edhe Parkun Natyror të Zagorisë në Gjirokastër, krahinë kjo me vlera të rralla të trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Raste  të pasurive të përbashkëta ndërkufitare për dy ose më shumë shtete janë të zakonshme për UNESCO-n, e cila e nxit një qasje të tillë integruese e gjithëpërfshirëse. Disa shembuj janë parqet ndërkufitare të Banesave karakteristike në Alpe, apo për Kufijtë e Perandorisë Romake, por edhe në Shqipëri tek Liqenit i Ohrit.

  1. Një propozim i vyer i deputetes së Vlorës

Edhe pse Shqipëria si Shtet Palë nuk ka paraqitur ende zyrtarisht ndonjë propozim të ri për Listën e Trashëgimisë Botërore, vërejmë nismën e veçantë dhe të guximshme të deputetes së Vlorës, Ina Zhupa, për vlerësimin me procedure të përshpejtuar të Gjirit të Gramës në bregun e Vlorës. Kërkesa e datës 10 shtator 2023 i është përcjellë Drejtorit të Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Paris. Nisma, me sa duket, mori shkas nga një denoncim i publicistit Blendi Fevziu për vandalizmin e ndodhur në faqet shkëmbore të Gjirit të Gramës. Sipas një studimi të Prof. Neritan Cekës, në Gjirin e Gramës ka me qindra inskriptime emrash të gdhendura qysh në shekullin e VI para erës së re, kur Gjiri përdorej si gurore, dhe në vijim, ku personalitete të shquara, detarë e udhëtarë të tjerë, ndaleshin aty për të shmangur stuhitë jo të rralla të Kanalit të Otrantos, duke na lënë edhe sot e gjithë ditën “kartëvizitat” e tyre të gdhendura në shkëmb.

Pa dyshim që Gjiri i Gramës e meriton të shqyrtohet me seriozitet nga organizmat këshillimore të UNESCO-s. Mirëpo propozime të tilla shoqërohen edhe me një Deklaratë të Vlerave të Jashtëzakonshme Universale të Gjirit të Gramës, të mbështetur në kriteret e posaçme të nominimit, si dhe me përshkrimin e integritetit, autenticitetit dhe rrezikut iminent të Pasurisë. Komiteti i Trashëgimisë Botërore është tejet i ndjeshëm për trashëgiminë që rrezikohet për shkaqe të ndryshme, dhe qasja e ndërmarrë nga deputetja e Vlorës duket më e përshtatshmja. Nisma është e dyfishtë: së pari kërkohet inskriptimi në Listën e Trashëgimisë Botërore, dhe së dyti, inskriptimi në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Kjo nismë e vyer lyp mbështetjen e mbarë spektrit politik dhe opinionit publik. Të gjithë shqiptarët fitojnë nëse Gjiri i Gramës renditet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ndofta u takon autoriteteve shtetërore, gjegjësisht Ambasadores në UNESCO, znj. Besiana Kadare, Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, apo Komisionit Kombëtar, që ta ndjekin deri në fund propozimin e deputetes Zhupa. Sesioni i tanishëm i 45-të i KTB-së në Riad është rasti fatlum që Shqipërisë t’i shtohet edhe një pasuri tjetër me vlera të jashtëzakonshme universale, aq më tepër të rrezikuar.

© 2023 Agron Alibali. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Lejohet riprodhimi me kusht që të citohet kjo revistë si burimi parësor.


[1] Bazuar në konventa të tjera të UNESCO-s, Shqipëria ka edhe dy “elemente” të inskriptuara në Listën e Trashëgimisë Jomateriale (polifoninë labe dhe xhubletën) dhe një pasuri në Kujtesën e Koleksionit Botëror (Codex Purpureus Beratinus). https://www.unesco.org/en/countries/al

[2] https://whc.unesco.org/en/tentativelists/909/ – listuar më 1996 me propozim të Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri”, (kriteri iii).

[3] https://whc.unesco.org/en/tentativelists/910/ – listuar po në vitin 1996 dhe po nga Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri”, (kriteri iv).

[4] https://whc.unesco.org/en/tentativelists/5885/ – listuar më 2014 nga Ministria e Kulturës, sipas kritereve (ii), (iii) dhe (x).

[5] https://whc.unesco.org/en/tentativelists/6259/ – listuar nga Delegacioni i Përhershëm i Shqipërisë në UNESCO, sipas kriterit (jv).

[6] Review – World Heritage Reactive Monitoring Process – Strengthening The Effectiveness Of The World Heritage Reactive Monitoring Process, tek https://whc.unesco.org/en/reactive-monitoring/

[7] Sikur Shqipërisë t’i mungonin burra apo gra të afta me aftësi menaxheriale dhe me njohuri të thella në fushën e trashëgimisë kullturore dhe natyrore, AADF-ja vendosi të zgjedhë në krye të të ashtuquajturit Fondacion për Menaxhimin e Butrintit një shtetas të huaj që, pa dashur aspak ta paragjykojmë, na sjell ndërmend shprehjen “nuk mbahet shtëpia me miell hua”.

[8] “With the support from the Albanian Ministry of Culture, the Albanian American Development Foundation (AADF) has taken over management of the archaeological site with a view of developing a pilot project for cultural heritage in…” Butrint.  Richard Hodges in Spatialities of Byzantine Culture from the Human Body to the Universie, 2022, p. 128.

[9] “Report under finalization”. WHC23/45.COM/5A, f. 40.

[10] https://whc.unesco.org/archive/2023/whc23-45com-13-en.pdf

[11] VKM Nr. 564, datë 28/09/2018, FZ Nr. 143 dt 08/10/2018  tek https://qbz.gov.al/eli/vendim/2018/09/29/564

[12] VKM Nr, 702, dt. 29/10/2019, FZ Nr. 147 ft. 31/10/2019, tek http://qbz.gov.al/eli/vendim/2019/10/30/702

[13] Gazeta Shqiptare e raportoi ngjarjen më 22 nëntor 2019; shih Fatmira Nikolli, “Ngallja e Llazarit”, nga dhurimi tek anulimi e ekspozimi – historia njëvjeçare e një ikone midis Shqipërisë dhe UNESCO-s. Me përjashtim të Gazetës Sot dhe të znj. Nikolli, reagimi i shtypit shqiptar ishte i zbehtë dhe konformist.

[14] Për reagimet dhe kritikat e ashpra të tyre shih Gazetën Sot, datë 5 tetor 2018.

[15] https://www.kultura.gov.al/ringjallja-e-llazarit-ekspozohet-ne-unesco/

[16] VKM nr. 36, dt. 28.1.2000.  Me riorganizimin e fundit të Akademisë së Shkencave, ndofta vetë kjo mund të merrte rol qendror në marrëdhëniet me UNESCO-n.

[17] Country representation to UNESCO:  https://www.unesco.org/en/countries/al

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin