nga Skënder Luarasi, PhD, AIA
Oscar Wilde e përshkruan Ujëvarën e Niagarës si “një sasi të madhe dhe të panevojshme uji që rrjedh në drejtim të gabuar e më pas bie në shkëmbinj të gabuar” (Wilde 1996, 24). Më tepër sesa një përshkrim të një ujëvare, kjo penë e hollë e Belle Époque na jep një metonimi që qëndron për fatalitetin ose paarsyeshmërinë fatale të shtysave njerëzore, individuale apo kolektive qofshin. Kjo metonimi mund të qëndrojë edhe për opozitarizmin shqiptar, i cili turret gjithmonë në drejtimin e gabuar, mbi objekte apo çështje të gabuara (edhe pse arsyet shtytëse mund të kenë qenë OK), por ndryshe nga e pashtershmja Niagarë, ky opozitarizëm papritur ftohet dhe tkurret, e në fund zhduket, duke u kthyer në pozitarizëm. Një shembull tipik i ketij o-pozitarizimi të keqdrejtuar është edhe ai për kullën Mount Tirana që po ngrihet prapa Pallatit të Kulturës, fituese e një konkursi ndërkombëtar dhe projektuar nga firma daneze e projektimit CEBRA. Ka një mosproporcionalitet (ose proporcionalitet të zhdrejtë) midis kritikave që i janë keqdrejtuar kësaj kulle në veçanti dhe mungesës së kritikave që do të duhet t’u drejtoheshin kullave të tjera rreth Sheshit Skënderbej, duke përfshirë dhe vetë konceptimin urbanistik të këtij të fundit.
Nga të gjitha kullat që janë ndërtuar rreth sheshit, Mount Tirana është më pak problematikja nga pikëpamja e vendosjes, domethënë e mundësisë së vendosjes së një kulle në atë vend. Prapa Pallatit të Kulturës mund të vendoset edhe një kullë e dytë, madje edhe një e tretë, në varësi të konfigurimit mes tyre, rrugëve dhe fqinjësive ekzistuese. Madje këto kulla mund të vendoseshin edhe mbi një bllok ose pllakë urbane dy-tre-ose-katër katëshe, ose të lartë sa Pallati i Kulturës, pllakë kjo që mund të shtrihej përgjatë gjithë kësaj parcele dhe të kufizohej me Rrugën Luigj Gurakuqi, atë të Barrikadave, dhe me Rrugën e Dibrës, dhe të ndahej me Pallatin e Kulturës me një rruginë urbane ose të bashkohej pjesërisht ose plotësisht me të. Krahas ri-modelimit urban të munguar të këtyre rrugëve historike të qytetit të Tiranës, ky masiv urban mund të përfshinte edhe programe të shumta dhe të ndryshme, si një zgjerim të bibliotekës kombëtare, një teatër kombëtar, qendrën më të “madhe” të teknologjisë digjitale në Ballkan, një teqe, xhami, dy kisha, shumë kafe natyrisht, madje edhe ndonjë qendër tregtare… Kështu do të ngeleshin të kënaqur të gjithë: akademikët, fëmijët dhe prindërit e tyre, gjenitë e rinj të ICT-së, pleqtë e lagjes, klerikët, pronarët e tokës, politikanët, biznesmenët e vegjël e të mëdhenj, si dhe “oligarkët”…
Nuk është për t’u merakosur shumë për parkun prapa Pallatit të Kulturës. Ai park nuk “ngjiti” kurrë, sepse nuk u konceptua kurrë si i tillë. Frekuentimi i tij minimal nga njerëzit, megjithëse në një zonë me dendësi maksimale urbane, e vërteton këtë. Ai park lindi si një sajesë për të mbuluar një prishje të viteve 80 që do të rezultonte vdekjeprurëse për qendrën e Tiranës: atë që kishte ngelur nga Pazari i Vjetër pas ndërtimit të Pallatit të Kulturës, Rrugën e Barrikadave, dhe një pjesë të Rrugës së Dibrës (çka ngeli nga kjo e fundit u zhduk me një blitzkrieg jo më shumë se tre vjet me parë, ironikisht për 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet…) Ndonëse kjo prishje u “autorizua” nga regjimi komunist, nuk u konceptua prej tij. Prishja e kësaj zone si dhe e gjithë qendrës historike të Tiranës u programua fillimisht nga Gherardo Bosio në Planin Rregullues të Tiranës 1939-1943. Ky fakt, që nuk përmendet thuajse fare, është i shkruar me të zezë në të bardhë në Relacionin e Planit Urbanistik dhe i vizatuar me të zezë në të bardhë në Planimetria Generale (Fig. 1). Planet urbanistike të qendrës në vitet 70-80 që u bazuan mbi planin e Bosios, fare lehtë mund të ngatërrohen me planet dhe projektet e bëra gjatë 20 vjetëve të fundit, për sa i përket fshirjes së pëlhurës urbane ekzistuese (Fig. 2). E vetmja gjë që “tradhton” përkatësinë e tyre historike janë madhësia dhe lartësia e kullave: të larta dhe obeze këto të fundit dhe të ulëta e të “pangrëna” ato të parat… Të dashur shqiptarë: ajo çka ka ndodhur me Tiranën, jo vetëm gjatë 20 viteve të fundit por edhe gjatë komunizmit, nuk është veçse një mishërim i mirazhit onirik perandorak të Bosios 80 vjet më parë. (Prishjen nuk jua solla unë, atë e gjeta këtu mes jush…)
Ndërtimi në zonën prapa Pallatit të Kulturës, sidomos nëse do të (ri)konceptohej si një pllakë urbane dhe jo thjesht si shesh ndërtimi, vetëm mund ta ndihmonte (sadopak) situatën urbanistike të qendrës, duke ndërmjetësuar këtë të fundit me qytetin ekzistues (megjithëse “ekzistuesja” në Tiranë tenton të jetë diçka fluide dhe e paqëndrueshme). Pikërisht ky koncept, pra ndërmjetësimi, “qepja”, dhe ribashkimi i qytetit me qendrën, ishte thelbi i planit të Architecture Studio, i ashtuquajturi Plani Francez, i vitit 2004. Ky plan, bashkë me atë të Mecanoo Architects qenë nga të paktit që kuptuan thelbin e problemit të qendrës së Tiranës (Fig. 3-4), problem që kishte lindur që në fletët e Bosios por që kishte nisur të zbatohej vetëm në fundvitet 50 me ndërtimin e Pallatit të Kulturës, pasuar nga 15 katëshi, me prishjen e ish-Bashkisë në 1976 (por ndërkohë e planifikuar për t’u prishur që me Planin e Bosios) për t’i lënë vend Muzeut Historik Kombëtar, dhe me prishjen sa absurde aq edhe barbare të Kafe Kursalit, zgjerimin e Rrugës Luigj Gurakuqi, dhe më pas prishjen e Rrugës së Barrikadave.
Të dyja planet e sipërpërmendura angazhojnë gjurmët e qytetit ekzistues për t’i dhënë qendrën qytetit dhe për të sjellë qytetin në qendër, dhe për të rilindur kështu planet dhe formën e hershme të Qendrës të viteve 20-30 të konceptuar nga Castellani, Weiss, Eshref Frashëri dhe Florestano Di Fausto. Nëse Mecanoo e bën këtë në mënyrë paksa tradicionale duke rritur plotin në raport me boshin, Architecture Studio e arrin duke theksuar gjeometrinë e pëlhurave urbane ekzistuese në rrafshin horizontal dhe duke i pikëzuar këto të fundit me kulla, ose më saktë, me kunja vertikale. Pra qëllimi i këtyre kullave kunj (placeholder) nuk është vetëm ekonomik imobilar por edhe estetik: piketimi dhe komplementimi i rrafshit urban horizontal me elementë vertikale të shpërndarë në qytet.
Është pikërisht ky koncept ndërmjetësimi që nuk u kuptua – ose nëse u kuptua, qëllimisht u mohua – nga projekti fitues i sheshit në konkursin e 2008, një piramidë e sheshtë nga N514E, si dhe nga kullat që “mbinë” rreth saj. Me pjerrësinë e saj piramida e sheshtë ndërpreu rrafshin urban dhe shkëputi godinat ekzistuese nga sheshi. Kullat e Book Building të 51N4E prapa Bashkisë, me imitacione perdesh metalike…, eliminuan ish Bar Sahatin, një nga gjurmët më karakteristike të qendrës së Tiranës, dhe kthyen në parodi urbane Xhaminë dhe Sahatin. Kulla e MVRDV Tirana’s Rock, kinse e modeluar si përkrenarja e Skënderbeut, eliminoi edhe ato pak godina të Rrugës së Dibrës që “sillnin” qytetin në qendër, më e rëndësishmja dhe ikonikja ndër të cilave ishte edhe Hotel Vjosa, e projektuar nga Anton Lufi. Është e pakuptueshme pse duhet të prishej kjo godinë. Kishte vend për të gjitha, edhe për këtë godinë edhe për të tjera në forma përkrenaresh të ndryshme prapa saj. Një kullë 30 katëshe prapa Hotel Tiranës duket sikur i ka hipur sipër kësaj të fundit. Ndërsa kulla Eyes of Tirana ia bllokoi përgjithmonë shikimin qytetit ndërmjet Rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës. Duket se thënia e Adrian Gumës, personazhit të romanit Nëntori i një Kryeqyteti të Ismail Kadaresë – “Kam parë qytete pa bulevarde, por nuk kam parë bulevarde pa qytete” (Kadare 1975, 62) – është realizuar më në fund, retrospektivisht, si me rewind…, me një shesh në qytet pa i përkitur qytetit, me një shesh pa qytet që “pret” dhe “ndjell” një qytet tjetër ndërsa ai i mëparshmi është duke u fshirë përgjithmonë.
Në këto kushte është e pakuptimtë të sulmohet Mount Tirana më shumë sesa kullat e tjera rreth Sheshit dhe, për më tepër, të cilësohet si “përbindësh”… Në fund të fundit, kjo kullë i përket një stili tashmë ndërkombëtar, një lloj pan-stili, të karakterizuar nga agregime planesh dhe fenestrimesh të sfazuara, teknikë kompozimi kjo që shmang, ose më saktë anestetizon problemin e shkallës dhe përmasës vëllimore ose masës arkitektonike, si dhe vetëpërmbajtjen e qenësishme monumentale të arkitekturës. Mund të thuhet se këto cilësi ose kushte të arkitekturës janë një know-how, apo savoir-faire siç e thotë frëngu, që pothuajse janë zhdukur në praktikën e arkitekturës bashkëkohore. Por kjo është një sëmundje globale, dhe do të ishte pak e tepërt të “fajësonim” kullat e Sheshit Skënderbej për konformizëm estetik ndaj një stili ndërkombëtar, kur në fund të fundit ato përpiqen me mish e me shpirt të sillen bash si të “jashtme”…
Të karakterizuarit si një “Përbindësh që ka zaptuar parkun dhe hapësirën publike” është cilësia e parë që i atribuohet Mount Tirana-s. Cilësia e dytë është që ky “përbindësh” është bërë nga “oligarkë.” Të thuash ti se ekziston ndonjë marrëdhënie natyrale, që mund të merret si e mirëqenë, ndërmjet aktivitetit “oligarkik” nga njëra anë dhe prishjes së qytetit apo hapësirës publike nga ana tjetër. Madje shkohet aq larg saqë deklarohet se prona private na qenka zanafilla dhe arsyeja thelbësore e prishjes së qytetit të Tiranës dhe së ashtuquajturës hapësirë publike. Ka shumë kundërprova që mund të falsifikojnë këtë argument, që nga epistemologjia urbane e athinjotit Kleisteni (rreth 500 vjet para Krishtit), planifikimet urbane të James Oglethorpe në Savannah, Georgia, e deri te praktikat planifikuese të baronit Haussman në Paris në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Por për falsifikim të një argumenti një kundërprovë mjafton. Qendra e Rokefellerit (Rockefeller Center) në New York, e investuar nga dhe pronë private e një familjeje oligarkike par excellence, është një nga hapësirat urbane më të suksesshme në historinë e qytetit modern, një hapësirë që ndonëse juridikisht nuk është publike, punon si e tillë, de facto. Këta shembuj, që s’janë të vetmit, dëshmojnë rëndësinë e pronës private në formësimin dhe qëndrueshmërinë e hapësirës publike. Jo shteti, por vetëm prona private dhe rrjetëzimi urban dhe extra-urban i saj përbën thelbin e të ashtuquajturës pronë publike. Dhe arsyeja e vetme që Tirana ka përfunduar në këtë mishmash urbanistik nuk është veçse abuzimi i vazhdueshëm dhe sistematik që i është bërë pronës private në histori nga autoriteti shtetëror. Dhe ndonëse një i “huaj”, domethënë një subjekt euroatlantik, ka luksin që deri diku të flirtojë me idenë se prona private është origjina e të gjitha të këqijave, sepse në fund të fundit ky subjekt ka qenë gjithmonë i pronësuar…, ne albanezëve diçka e tillë nuk na ka hije sepse e kemi përjetuar konkretizimin utopik të këtij argumenti ad absurdum, dhe vazhdojmë të thithim dhe të përjetojmë efektet e tij.
Mendimi majtist në përgjithësi dhe mentaliteti ballkaniko-anadollak në veçanti e kanë të vështirë të pranojnë nocionin win-win, për shembull, atë që si “oligarku” ashtu edhe njeriu i thjeshtë, “masa” le të themi, mund të fitojnë, që mirëqenia ime dhe e fqinjit tim të mos jenë përjashtuese të njëra-tjetrës. Ky mentalitet bazohet në nocionin e një tepsie ose pice të vetme, ku fitorja e njërit predikohet mbi humbjen e tjetrit dhe anasjellas, ku pasuria e njërit predikohet mbi varfërinë e tjetrit dhe anasjellas; ku thela ime e vogël e picës predikohet mbi thelën tënde më të madhe të picës dhe anasjellas; ku që të kem edhe unë një thelë të madhe duhet të ta marr ose rrëmbej thelën tënde të picës dhe anasjellas; ku interesi ekonomik predikohet mbi një nepotizëm estetik dhe ku estetika predikohet mbi një determinizëm ekonomik; ku ndërtimi i ri predikohet mbi shkatërrimin e një ndërtimi të mëparshëm; ku e reja apo “modernia” predikohet mbi shkatërrimin e trashëgimisë, ku e ardhmja predikohet mbi mohimin e së shkuarës. Në fakt, këto modalitete, kinse përjashtuese të njëra-tjetrës, mund të mbivendosen, fqinjësohen, dhe shtresëzohen me tyre. Nuk ka vetëm një por shumë tepsi, të cilat nuk janë apriori të fiksuara por të ndryshueshme në histori. Jepuani njerëzve rrafshin dhe lëruani oligarkëve qiellin, atje ku era e rrafshit nuk arrin por ku as jeta nuk mbërrin, natyrisht… Lëkura e Chagrin-it e Balzakut nuk bën dallime klasore…, punon për të gjithë njësoj, dhe secili prej nesh, individualisht, mbart lëkurën e tij.
Mount Tirana nuk ka pse të jetë objekt kritikash më tepër sesa kullat e tjera fqinjë. Kjo kullë nuk është as më pak e as më shumë “përbindësh” se kullat e tjera. Mount Tirana nuk prish qytet si kullat e tjera, sepse ndërtohet në një zonë të prishur tashmë. Kjo zonë mund të konceptohej si një pllakë urbane që “qep” sadopak qytetin, por gjasat janë të konsiderohet si sheshi për ndërtimin e radhës… Që Mount Tirana është ndërtuar nga “oligarkë” nuk e përcakton apriori vlerën apo mosvlerën e saj urbane, marrëdhënien apo mosmarrëdhënien e saj me qytetin dhe hapësirën publike. Kritika ndaj Mount Tirana të çon pashmangshëm drejt një kritike të sheshit aktual me kullat rreth tij, i cili u predikua mbi fshirjen e plotë dhe absolute të atij të mëparshëm. Kjo kritikë dhe lexim të çon drejt fakteve që tregojnë se e tashmja nuk është dhe nuk ka qenë kurrë një fat historik, por rezultat zgjedhjesh të ndryshme nga subjekte të ndryshme. Rrjedhimisht, leximi i të tashmeve historike hap mundësinë e të imagjinuarit dhe investuarit (në kuptimin e gjerë të këtij termi) të një të ardhmeje ndryshe nga predikimet dhe ideologjizmat e radhës.
P.S. Autori i këtyre rreshtave deklaron që nuk është pjesë e ndonjë klani politik që mbron ndërtimin e kullës Mount Tirana, dhe nuk është as aksioner në këtë kullë.
© 2023 Skënder Luarasi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Bibliografi
- Kadare, Ismail. Nëntori i një Kryeqyteti. Tiranë: Shtepia botuese “Naim Frashëri” 1975).
- Wilde, Oscar. The Wit & Wisdom of Oscar Wilde: a treasury of quotations, anecdotes, and observations. Përmbledhur dhe redaktuar nga by Ralph Keyes. New York: Random House, 1996.
Bio: Skender Luarasi është arkitekt, pedagog, dhe eseist. Ai ka një Master në Arkitekturë nga MIT (2005) dhe një Doktoraturë në Arkitekturë nga Yale (2018), që fokusohet në mënyrën se si përfundojnë proceset e projektimit dhe historinë e një pyetjeje të tillë. Luarasi fokusohet gjithashtu në temën e Qëndrueshmërisë së Formës Urbane dhe asaj të Vernakulares Moderne (ose Modernizmit para Modernizmit). Luarasi ka botuar në Future Anterior, Log, Disegnare, Bitácora, Haecceity, dhe Forum A+P, ndër të tjera. Ai është bashkë-redaktor dhe autor i Finding San Carlino: Collected Perspectives on the Geometry of the Baroque, botuar nga Routledge më 2019, dhe The Limits of Self-generation: Collected Perspectives on the Contemporary Concepts of Organicism, botuar nga Routledge më 2023. Luarasi është autor Survival through Architecture: A Survey and Analysis of the Architectural Oeuvre of Skënder Kristo Luarasi, të sapo botuar nga TU Graz Verlag, më 2023. Skender Luarasi aktualisht drejton Fakultetin e Kërkimit dhe Zhvillimit në Universitetin POLIS në Tiranë.
Sesi mund të arrihet në konkluzionin që “ai park nuk ngjiti asnjëherē” është një pikëpyetje serioze. Por edhe nëse nuk ngjiti, mund të bëhet të ngjisi. Kjo iu takon pejsazhistëve, arkitektëve, botanistëve, antropologëve. Me apo pa konkurs. Hapësirat i duhen Tiranës pikërisht që të gjejë se cfare iu ngjit njerezve. Kur ato zihen nga ndertime, male apo kanione qoftë emri i tyre, atehere ajo mundesi per t’i lidhur njerezit me hapësirën humbet. Shembuj rikualifikime parqesh e hapësirash të pandërtuara ka plot në both e ballkan. p.s. ç’dinte Bozio se ç’do ndodhte me Tiranën e le më me planin e tij që u zbatua shumë pak!
Mendoj se nuk ka kurrfarë rëndësie se cfarë dinte apo nuk dinte Bosio se ç’do të ndodhte me Tiranën. Bosio nuk qe fallxhor, por arkitekt. Fakti është që Bosio percaktoi një Blueprint për Tiranen, që në KONTRAST TË PLOTË me kolegët e tij Italianë paraardhës qe e integronin qendrën e qytetit me qytetin ekzistues dhe me atë të riun, ky Blueprint e FSHIN PLOTËSISHT Tiranën. Dhe ndërsa forma arkitektonike, dmth forma e ndërtesave të ketij plani – është e vërtetë – u implementua relativisht pak (përjashtojme këtu bulevardin dhe ndërtesat përgjatë tij), ideja e fshirjes që ky plan programon është ndjekur me përpikmëri gjatë 80 viteve të fundit, deri në këtë moment qe flasim. Në këtë kuptim specifik mund të thuhet se plani i Bosios i paraprin asaj çfarë ka ndodhur sot në qendrën e Tiranes. Është gjithashtu fakt që ky fakt nuk përmendet fare.
Pse duhet të dihet dhe të përmendet ky fakt dhe të studiohet e të kërkohet rreth ketij fakti? Sepse, siç implikohet në artikullin e mësipërm, njohja e këtij fakti dhe historisë rreth tij, na jep mundësinë e përftimit të kritereve të gjykimit ndaj çfarë është bërë, çfarë nuk duhej bërë, dhe se çfarë të bëhet (ose me saktë, të bëhej…) me hapësirën urbane prapa Pallatit të Kulturës. Ajo që duhet të bëhej është pikërisht RESTAURIMI ose NDJELLJA (në kuptimin e gjerë të ketyre termave) i lidhjes ose marrëdhënies së qendrës me qytetin ekzistues dhe me pjesën historike (të paktën me atë që ka ngelur). Se si mund të bëhet ky restaurim apo ndjellje, është një çështje, që siç sugjeron z. Bakallbashi, mund t’i lihej konkursit ose formave të tjera të përftimit të ideve. Hapësira prapa Pallatit të Kulturës mund të përbëhej nga një park ose jo, ose nga një kombinim objektesh dhe parku, ku ky i fundit mund të ishte i formave dhe stileve të ndryshëm. Por fakti është që ai park që ishte nuk ndihmonte aspak në restaurimin apo ndjelljen e lidhjes së qendrës me qytetin. E vetmja gjë që ai park mishëronte, cdo ditë, ishte lobotomia urbane që i është bërë qendrës se Tiranes në 80 vitet e fundit, dhe me të njëjtën ekuivalence, lobotomia ligjëruese e disiplinës së arkitekturës në vend.
Artikulli i mësipërm nuk legjitimon apo inkurajon zënien e hapësirave në Tiranë, përkundrazi. Por urdhëresa se hapësirat urbane nuk duhet të zihen nuk legjitimon ekzistencën ose mbajtjen të pandryshuar të një hapësire të veçantë, apo “lotët e krokodilit” per një park që, sipas kriterit e lidhjes së qendrës me qytetin që u parashtrua më lart, nuk punonte, në një kohë qe ka vetëm heshtje për hapësira me të vërtetë vitale që po zihen perditë siç janë ato rreth ose në Parkun e Tiranës. Urdhëresat janë të rëndësishme, por bëhen problematike kur eklipsojne nuancën ligjëruese dhe disiplinare nepërmjet të cilës mund të gjykojmë rastin e veçantë dhe të bëjmë dallime mes rastesh të ndryshme dhe kategorive që shpesh rastet futen arbitrarisht ose me dhunë.
Plani i Bosios ishte i bazuar mbi hapesira oborresh në mes të blloqeve të tij deri diku ideale por jo reale. Sot, kur oborret jane mbushur me ndertime dhe nuk gjen nje te vetme te pandertuar, hapesira si kjo pas Opera-Bibliotekes jane akoma me te rendesishme dhe te vyera. Ndaj dhe qajme me shume per to. Bosio nuk mund te parashikonte se cfare do ndodhte me Tiranen, por ne e dime se cfare ka ndodhur me Tiranen. Dhe cfare ka ndodhur eshte mbushja e hapesirave me ndertime.
Ajo hapesire, e them serish, ka vlere per qytetin sepse ishte mbrojtur e pandertuar. Dhe historia e saj eshte histori konflikti dhe ne kete sens edhe rezistence ndaj nocionit te Bosios, sipas shkrimit, per te shkaterruar qendren.
Jo me larg se viti 2011 hidheshin teza e propozime per ta kthyer ate ne nje kopesht te llojit oriental me te gjitga bimet qe permenden ne Kuran, ne funksion te Xhamise te Madhe e cila do te vendosej midis Hotel Tiranes dhe Operes. Po ashtu qe te krijohej nje lidhje direkte mes sheshit Skenderbej dhe lulishtes-park permes Pallatit te Kultures (Gjergj Bakallbashi dhe Departamenti I Urbanistikes, Bashkia Tirane, 2014). Hapesira nuk deshtoi aspak te fitonte admirimin e qytetit por nuk u mbeshtet te fitonte dimensionet qe i takojne.
Kullat e tjera te planet Francez u ndertuan si ne hapesira me pak te kontestueshme si ne kohe kur publiku nuk ishte aq I ndjeshem ndaj mbushjes te hapesirave me ndertime. Nese qytetaret më në fund ulerijne se po humbasin nje cope tjeter hapesire te pandertuar e cila kishte fiituar nje lloj statusi si park apo lulishte, kjo duhet mirepritur. Nuk eshte e lehte te kontestosh projekte ne rrangun e dhjetra miliona dollarve ne qender te Tiranes! Por ate qe dime eshte qe qyteti ka humbur hapesiren dhe ate do e fitojne perdoruesit e asaj kulle. Qajmë per te siç qajmë edhe per ato copat te Parku i Liqenit. Apo te ish-zonat industriale. Apo brenda oborreve. Te shprehja “Bir Selman I nënës ç’të të qaj më parë” metonimija nuk na çon te Tirana, por te fëmijët e nënave që kanë humbur një japësirë tjeter ku mund të ishin fëmijë!
Edhe nje here, per hir te FAKTEVE, po vetecitohem: “ndërsa forma arkitektonike, dmth forma e ndërtesave të planit te Bozios u implementua relativisht pak (përjashtojme këtu bulevardin dhe ndërtesat përgjatë tij), IDEJA E FSHIRJES që ky plan programon është ndjekur me përpikmëri gjatë 80 viteve të fundit, deri në këtë moment qe flasim. Në këtë kuptim specifik mund të thuhet se plani i Bosios i paraprin asaj çfarë ka ndodhur sot në qendrën e Tiranes. Është gjithashtu fakt që ky fakt nuk përmendet fare.”
Ky nuk eshte nje opinioni im personal, por eshte lehtesisht e demonstrueshme si nje FAKT, si nepermjet vizatimeve ashtu edhe relacionit te planit urbanistik 1939-43. Sic eshte lehtesisht e demonstrueshme gjeneza e qendres sot nga fshirjet gjate kohes se komunizmit te cilat u bazuan plotesisht ne planin e Bosios, domethene, ne thelbin urbanistik te ketij te fundit (referojuni: Skender Luarasi, “The Life and Death of Skanderbeg Square: The Chronicle of an Undoing Foretold, in a Hundred Years”, forthcoming in the Future Anterior Journal. Nje abstrakt ose variant i shkurter i meparshem i ketij artikulli eshte prezantuar ne ETH, dhe gjendet edhe ne saitin Academia te autorit: https://www.academia.edu/71049067/The_Life_and_Death_of_Skanderbeg_Square_The_Chronicle_of_an_Undoing_Foretold_In_a_Hundred_Years).
Nuk eshte thjesht problemi se Tirana ka humbur hapesiren; Tirana ka humbur memorien, kujtesen urbane, ne kuptimin me te gjere te mundshem qe termi ” kujtese urbane” perfaqeson, dhe ne memorie futen si hapesira ashtu edhe ndertimet. Hapesira nuk eshte nje koncept gjenerik, si nje zone apo shesh i hapur, “pa ndertime”, me “femije qe vertiten lirshem”, por i lidhur ngushte me ndertim-in/et perreth dhe me shtresat dhe kujtesen urbane TE NJE QYTETI TE CAKTUAR. Ne fakt eshte pikerisht nenkuptimi gjenerik qe i jepet nocionit te hapesires si nje zone apo “hapesire e pandertuar” qe mbeshtet ose ushqen intrumentalizimin e hapesires si nje “shesh” per tu ndertuar, per tu zene nga nje ndertim… Po aq tragjike sa humbja e nje hapesire eshte edhe prishja e nje banese moderne te viteve 30, (qindra prej te cilave jane prishur ne heshtje, naten…), banesa qe turma pa kujtese (duke perfshire arkitektet, dhe sidomos arkitektet…), i quan “vilat e Italianeve” ose e “Kohes se Italise”, ne nje kohe qe shumica prej tyre jane projektuar nga arkitekte shqiptare. Kjo po, kjo eshte per te uleritur… Eshte FAKT qe ky shkaterrim i memories programohet qe ne planin e Bosios dhe implementohet seriozisht qe ne kohen e Komunizmit, dhe jo vetem sot me kullat qe po ndertohen. Eshte e lehte te imagjinohet qe nese do te kishte leke ne kohen e komunizmit, keto kulla qe jane ndertuar sot do te ndertoheshin qe atehere… Prishja barbare qe iu be sheshit Skenderbej ne kohen e Komunizmit eshte nje indikacion i aktualizimit real te kesaj hipoteze, dhe ekzistences latente te shtytjes per prishje. Vete parku prapa Pallatit te Kultures, per prishjen e te cilit qytetaret po “ulerikan” kaq shume, me vete ekzistencen e tij te paartikuluar estetike, eshte ose ishte nje fasade e fshirjes se kujteses se qytetit, specifikisht te Rruges Historike te Barrikadave, Luigj Gurakuqit dhe asaj te Dibres, dhe nje pjese te Pazarit te Vjeter, prishje kjo qe programohet qe ne planin e Bosios – nje FAKT i vizatuar me te zeze ne te bardhe, dhe i shkruar me te zeze ne te bardhe ne relacionin e planit 1939-43. Dhe ndonese nga pikepamja programatike mund te kishte fare mire nje park prapa Pallatit te Kultures, à la Olmsted apo à la Parc la Villette, ose cdo gje tjeter mes tyre (take your pick), AI PARK QE ISHTE NUK PUNONTE, sepse ne vetvete nuk ishte vecse nje produkt i fshirjes se kujteses urbane dhe ne te njejten kohe nje sajese per te maskuar vetveten, si nje fshirje e kesaj kujtese.
“Ulerimat” dhe te “qarat” nuk duhet te eklipsojne FAKTET
“ekzistencen e tij te paartikuluar estetike”- pa dashur te ve ne dyshim perpjekjen e shkrimit per objektivizem, eshte nje vleresim por kurresesi nje fakt. Nje hapesire e pandertuar eshte fakt. Dhe nje kulle e ndertuar aty qe e mbush hapesiren eshte zhdukje e atij fakti dhe krijim I nje fakti tjeter. Nje lulishteje apo parku ia japim estetiken si te duam, kemi mesuar qe nga koha e Bosios. Nese nuk ia japim, eshte fakt qe nuk.ia kemi dhene. Jo se hapesira çuditerisht nuk ka ADN-ne per estetike te artikuluar. Bosio mbase donte ta fshinte identifying e qendres duke projektuar nje shesh te denje per visionin civilizues te Romës. Po kjo pak rendesi ka sot. Sot ka rendesi sasia e siperfaqes te pandertuar per banore. Dhe kur bertitet per kete bertitet per nje fakt!
bertisni atehere
Pse eshte kaq e veshtire te kuptohet qe ajo lulishte nuk ngjiti kurre ( mbase plani francez mund tja kish kthyer entuziazmin e humbur mbas prishjeve qe permend me kujdes Skënderi..
Architecture Studio, dhe të tjerë pjesë e atij konkursi, kishin mundësinë të zgjidhinin opsionin e ruajtjes dhe reahabilitimit të qëndrës historike dhe zhvillimit të qytetit në periferi, por zgjodhen zhvillimin e qendres sipas planit te Bosios sepse ahtu e kishin detyren e projektimit – ndërtimin maksimal në qëndrën historike.
Thoni “Ky plan (A.S.), bashkë me atë të Mecanoo Architects qenë nga të paktit që kuptuan thelbin e problemit të qendrës së Tiranës (Fig. 3-4), problem që kishte lindur që në fletët e Bosios por që kishte nisur të zbatohej vetëm në fundvitet 50 me ndërtimin e Pallatit të Kulturës”
Por, ja c’thotë Wim Cuyvers një tjetër kritik i planit të Architecture Studio. (i përkthyer)
“Architecture Studio ka parë vetëm qëndrën e qytetit, dhe në mënyrë të dukshme ka parë vetëm gjurmët e vendosura gjatë periudhës së fashizmit Italian nën Mussolinin nga arkitektet Florestano de Fausto dhe Armando Brasini. Ata e cuan të gjithë këtë akoma më tutje me të njëjtat mënyra, por për pronarë të ndryshëm, njësoj si në kohën e tyre De Fauston dhe Brasinin nuk i vriste ndërgjegja ta kthenin dorën e tyre për të punuar një ditë për fashistët dhe ditën tjetër për Papën.” (The Global Tabula Rasa, Tirana’s Axis of Evil_Tirana – Mercedez, Shtëpi dhe Plehra” Archis, #4 2004)
Ja c’thoshe Rama në atë kohë para konkursit, qe konfirmon c’ka thote Cuyvers:
“Vizioni mbi një Tiranë Metropolitane nuk është i ri. Ai u strukturua për herë të parë në vitin 1940, kur Gherardo Bosio redaktonte Planin Rregullues të Kryeqytetit. Qe koha kur Shqipëria administrohej nga Italia dhe ekspertiza më e mirë italiane u fokusua në Planet Urbanistike të Shqipërisë. Ky vizion progresiv u la pas në vitet e komunizmit, i cili mëtonte ruajtjen e raporteve fshat-qytet në bazë të principit për zhvillim të planifikuar e të centralizuar të ekonomisë.
Pra ruajtja e qendrës historike nuk ka qënë ndonjëherë në listë. Ndërkohe për të mos i rënë në hak Brasinit, ndonëse bie dakort me Cuyvers, ky nuk e planifikoi gjë prishjen e qyetit historik, dhe ndërhyrja perpendikulare e bulavardit me aksin e qytetit ishte një lloj respektimi (recognition) i qëndrës historike.
Ja c’thotë Lubonja për këtë: “plani i Brazinit nuk tentoi të ofronte një zgjdhje “organike” të zhvillimit të qytetit, porse Zogu pati instinktin e duhur (apo pafuqinë) për të mos e përdorur pushtetin për t’i pajtuar të dy realitet – që do të thoshte eleminim i qëndrës historike.”
Ndërkohë, zhvillimet në qëndër të Tiranës gjatë komunizmit nuk ka gjë lidhje me planin e Bosios, përvec janë njëlloj tabula-rasa. Për shembull, unaza e vogel nuk është pjese e projektit të Bosios, por është marrë nga gjurmet e planit urbanistik te 1959-ës dhe 1989-ës, ku unaza tashmë është finalizuar për t’i dhënë formë përfundimtare sheshit qëndror. As blloqet e banimit nuk kanë gjë të përbashket me planin e Bosisos.
Per tu kthyer tek subjekti i shkrimit dhe projektet e sotme, gjëja me e rëndësishme për tu kuptuar është se kulla e ka zanafillën në projektet e hershme të 1990-ës në ish bllok. Aty ndërtuesit dhe pronaret në zonat historike kuptuan se është me fitimprurese të ndërtosh në qëndrën historike, sesa jashte saj. Administrata e Brojkës ishte në rastin më të mirë pasive, kurse ajo e Rames që pasoj u be pal e këtij biznesi në qëndrën historike. Një administrate vizionare do kishte bërë të kundërtën – do kishte vendosur një moratorium në ndertimet në qëndrën historike dhe do kishte mundesuar zhvillimin e qytetit ne periferi. Perkundrazi, këta e përshpejtuan.
Përndryshe të thuash që Architecture Studio në projektin e vet ka kuptuar ndonje gjë nga natyra e qëndrës historike të Tiranes është një shaka që argëton edhe vetë Architecture Studio. E vetmja gjë që nuk është për të qeshur është se projekti i tyre tashme është realitet.
Eshte Plani I 51N4E qe eshte bere realitet, jo ai i Architecture Studio. Mjafton te krahasohen/ballafaqohen te dyja planet, dhe del qarte se cili plan respekton dhe thekson prirjen morfologjike dhe gjurmet urbane te qendres historike.
Skënder, unë kam aq kualifikim ta kuptoj se c’ka ndodhur me planet e Tiranës. Plani i 51N4E është plani i sheshit, kurse ai i Architecture Studio është plani i qendres. Kullat si morfologji nuk i prezantoi 51N4E, as unazën e volgël në qëndrën historike. Pavaresisht xhingla-minglave, planimetria dhe tipologjia janë thelbi i një plani urban.
Ju thoni n pavaresisht xhingla-minglave shkrim: “Ka një mosproporcionalitet (ose proporcionalitet të zhdrejtë) midis kritikave që i janë keqdrejtuar kësaj kulle në veçanti dhe mungesës së kritikave që do të duhet t’u drejtoheshin kullave të tjera rreth Sheshit Skënderbej, duke përfshirë dhe vetë konceptimin urbanistik të këtij të fundit.”
E ke marrë gjë mundimin të lexosh c’farë është shkruar në shtypin e njëzet viteve më parë rreth kesaj teme, dhe këtyre projekteve?
L.A.: Mendoj se lipset te dallohet dhe theksohet nje nuance, pothuajse e padukshme, ne projektin e 51N4E. Ne dukje eshte projekti i Sheshit, por ne fakt, le te themi, “vjedhurazi” eshte ose behet, ne te vertete, projekt i qendres, sepse eshte Sheshi, dmth, piramida e sheshte, qe e strukturon qendren, dhe mbeshtet urbanistikisht kullat rreth saj. Perpiqem ta bej kete ne artikullin “The White Pyramid and the Center that is not the Center” botuar ne Log 47 dhe ne nje referim konference ne ETH qe e citoj ne nje nga komentet e mesiperme, te dyja ne faqen time te Academia ku mund ta gjeni.
Ne komentin tim nuk dua te implikoj qe ju nuk keni kualifikim per te kuptuar se cfare ka ndodhur me planet e Tiranes, per arsyen e thjesht qe une nuk ju njoh dhe nuk e njoh kualifikimin tuaj. Megjithate me duhet te bej disa saktesime mbi komentin tuaj te parafundit, mbi ate cka thone individet qe ju citoni ne komentin tuaj, si dhe shume pasaktesira te shtypit te 20 viteve te fundit, qe ju supozoni se une s’paskam marre mundimin t’i lexoj.
Planet e arkitekteve italiane shpesh futen shpesh ne nje thes, dhe nuk behen dallime mes tyre. Ka tre grupe planesh: grupi i pare permban dy variantet e Brasinit. projekti i Brasinit eshte mjaft i vecuar apo i ndare nga qyteti ekzistues, me perjashtim te njerit te varianteve ku ai e perfshin Xhamine e Karapicit me aksin e bulevardit, dhe kaq. Me pas vijne nje seri planesh nga Castellani, Weiss, Eshref Frasheri dhe Di Fausto nga 1926 deri me 1932, te cilat, ndonese me disa ndryshime te vogla mes tyre, mund te futen ne nje grup te vetem. Per mendimin time te gjitha keto plane jane shume te mira, excellent. Koncepti i tyre qendron ketu: Tirana ne veri te Lanes ka dhe ka pasur formen e nje “pice”, me “thela” te ndara nga rruget Radiale, ajo e Dibres, Mine Peza etj… Keto plane, pra ato te 1926-32, cfare bejne? Ato vendosin ne Sheshin Sknderbej nga nje godine/objekt ne majen e seciles thele, dhe ne kete menyre Sheshi perbehet nga nje “gjerdan” objektesh qe percaktojen sheshin, lidhin kete te fundit me qytetin ekzistues, dhe ndermjtesojne ne nje menyre mjaft elegante (ndjese per subjektivizmin tim ne kete pike…) qytetin historik, qendren dhe ate pjese te qyteti qe do zhvillohej me vone. Nje zgjidhje sa e thjeshte aq edhe gjeniale, dhe e frymezuar nga arkitektet dhe teoriciene te kohes si Camillo Sitte dhe Gustavo Giovannoni.
Plani i Bosios 1939-43 e shkaterron kete koncept; pra ky plan nuk prish vetem qendren historike por edhe cka kishin bere koleget e tij te meparshem Italiane dhe, cka eshte me e rendesishme, konceptin urbanistik te tyre. Ne referencat qe kam dhene ne fund te paragrafit te pare te ketij komenti jepen shume evidenca, por ketu mund te permendet vetem nje: prishja e ish Bashkise. Kjo prishje programohet nga plani i 1939-43, dhe jeton me nje “kohe borxh” deri ne 76-n kur dhe prishet. Kjo prishje ishte nga me kryesoret qe e c’beri perfundimisht qendren e Tiranes. Kjo deshmon edhe lidhjen e ngushte te planeve ne kohen e Komunizmit dhe planit te Bosios, nje lidhje qe shume njrez perpiqen ta mohojne megjithe faktet e shumta ne te kunderten. Eshte e vertete qe atmosfera dhe stili arkitektonik i planit te Bosios, ne 3D, le te themi, eshte ndryshe nga ato te komunizmit. Pro ajo cka trashgohet eshte prishja, ose konfigurimi urban prishes, qe shkakton dhe strukturon nje kaskade prishjesh ne histori deri me sot qe flasim (kjo tregohet me me detaje ne referencat e dhena me lart).
Pse eshte e rendesishme e gjithe kjo? Eshte e rendesishme sepse nese ky lexim historik/arkival do behej seriozisht dhe te merrej parasysh, atehere do te ishte shume e lehte te gjykoheshin planet e qendres dhe sheshit te Tiranes ne histori, deri me sot, dhe te dallohej qe plani i Architecture studio evokon konceptin (jo domosdoshmerisht formen apo stilin) e planeve 1926-32, te cilat sjellin qytetin ne qender dhe i japin qendren qytetit. Nuk kam per qellim ketu t’i thur elozhe planit te Architecture Studio; nese shikohet me kujdes mund te gjenden gabime, madje edhe (ne mendimin tim) “gafa” sic eshte kulla ne oborrin e brendshem te Muzeut historik; por fundja konkurs eshte dhe ne konkurs shpesh here behen dhe gabime ose gjera “half-baked”… Por thelbi i konceptit urbanistik duhet vleresuar, per ate qe eshte, si nga te paktat qe evokon planet e 1926 – 32, jo te planeve te kohes se Italise ne pergjithesi, sepse nje klasifikim i tille nuk eshte i qenesishem si nje njesi e vetme dhe homogjene, por keto plane specifike, pra 1926-32. Jam i bindur, per sa me lejon ekspertiza ime si arkitekt dhe kerkues, qe kjo lidhje konceptuale nuk eshte aksidentale por e studiuar, dhe Architecture Studio nuk do te qeshte.
Skënder,
Plani i Bosios dhe planet e tjera të italianëve fare mirë mund të shihen ashtu sic i shihni ju. Nuk ështe ky thelbi i ndërhyrjes time – ndonëes unë kam dyshimet e mia në konkluzionet që ju arrini. Përshembull, ashtu sikurse ‘Plan Voisin” nuk kishte nevojë të frymëzohej nga planet a Haussmann, po ashtu edhe planet e periudhës së komunizmit nuk kishin nevojë të frymëzoheshin nga Bosio. Por kjo nuk është shumë e rëndësishme, pra le të themi se ky ka qënë frymëzimi.
Por le të themi se plani i Bosios ka qënë frymëzimi për kullat.
Përdorimi i planit të Bosios si justifikim për një Tabula Rasa nuk është gjë e re. Vetë Rama e ka cituar planin e Bosios për të justifikuar ndërhyrjet në qëndër: planin e Architecture Studio dhe gjithë planet që erdhën më pas. Ruajtja e qëndrës dhe qytetit historik nuk ka qënë asnjëherë në axhendën e këtyre planeve. Arsyeja e vetme ka qënë qysh në fillim të justifikonin ndërtimin e kullave.
Ndërkohë njëzet vjetë më parë opozitarizmi ndaj kullave nuk ishte tel-quel. Të shkosh mbas njëzet vjetë dhe të lexosh se c’ka shruar Lubonja dhe të tjrerë brenda Shqipërisë, apo Cuyvers dhe të tjerë jashtë Shqipërie ja vlen për të kuptuar se status-quo-ja e sotme nuk është gjë rrjedhojë e mungesës së njohurive, ekspertizës dhe mundësisë për t’i bërë gjërat ndryshe, apo opozitarizmit pa kuptim, por sepse ashtu vendosën ata që kishin pushtetin. Ky ështe tel-queli i vërtet.
Tirana si qytet ka ekzistuar përpara planeve urbanistike italiane, dhe këto plane nuk janë gjë AND-ja e qytetit. Plani i Architecture Studio, ashtu sic thotë Cuyvers, është bazuar mbi planet italiane dhe i jep përparsi aksit të bulevardit dhe e formulon qëndrën si nuklin kryesor duke i ndërprerë lidhjet e natyrshme në qyetet midis rrugës së Dibrës dhe rrugës së Durrësit; dhe rrugës se Elbasanit dhe rrugës së Kavajës. Një përqasje historike do duhej të vlerësonte potencialin e këtyre akseve, dhe jo aksin e bulevardit. Dhe kjo dihej qysh përpara njëzet a tridhjetë vjetësh – nuk po thuhen sot për herë të parë.
Metaforikisht. Mjafton te dihet qe eshte “bertitje” per fakte gjithashtu.
Korrigjim:
Ekspertët le të debatojnë për meritat, superioritetin e projekteve dhe studiove të famshme, njëra më prestigjoze se tjetra, një projekt më pompoz se tjetri. Ne të tjerëve, profanëve të arkitekturës, na del dhe mjafton rezultati: beton, kulla, asfalt, prapë beton. Depresion. Dhe bojëra me okë, ngjyra si të komunales, llangosje pa fund. Peizazhe tranzicioni – 111 vjeçar. (Tranzicion po, por për ku? Kjo është pyetja, por që nuk e ka vendin këtu).
Ferrit të Dantes duhet t’i shtonim edhe një rreth tjetër, për gjithë bosët shqiptarë të ndërtimeve bashkë me Ramën, Veliajn dhe gjithë kryebashkiakët e pas 90-ës të Tiranës, Durrësit dhe Sarandës. Ngushëllimi i vetëm, për aq sa vlen, është që këto ndërtime monstruoze do të jenë po aq provizore – në kontekstin historik – sa epoka që i polli. Tridhjetë deri në pesëdhjetë vjet afat skadimi, më së shumti. Me teknologjinë e sotme, ndërtimi dhe prishja janë si lodrat Lego. Do t’i shembim prapë, ose do bien vetë. Fundin e këtij shekulli nuk do do ta arrijë asnjë prej këtyre përbindshave.
Një xhaxha imi tregonte gjithmonë për nipërit e vet se sa të urtë ishin… kur flinin gjumë.
Në ditët e sotme e njëjta gjë mud të thuhet edhe për ekspertët si figura publike. Sot publiku, me të drejtë, u beson ekspertëve vetëm kur janë duke fjetur.
Ne lidhje me komentin tuaj te parafundit: mund te jete krejt e vertete qe Architecture Studio dhe disa te tjera te mos i kene kushtuar nje gram mendim ruajtjes e qendres “historike” (ndonese kur u bene keto plane pjesa derrmuese e qendres historike nderkohe ishte zhdukur …), dhe i gjithe mendimi i tyre te kete qene teresisisht nje-dimensional, i perqendruar VETEM te kullat. Kete nuk do ta dime kurre me saktesi por le te themi qe keshtu ka qene. Por evidenca vizuale deshmon dhe insiston, megjithate, qe pavaresisht imperatives/interesit/konjuktures politike, plani i Architecture Studio (dhe i disa planeve te tjera,) megjithe kullat qe ka, dhe ne kontrast absolut me ate te 51N4E, evokon EDHE formen e ish qendres historike – si prezences aktuale te saj deri ne ate moment (ne 2004) ashtu edhe mungeses se saj nga prishjet ne histori. Mjafton te ballafaqohen imazhet e ketij plani me materialet arkivale historike. Evidenca vizuale deshmon dhe insiston gjithashtu qe plani ne fjale, si dhe hyrje te tjera ne konkursin e 2004-s, jo vetem privilegjojne aksin e bulevardit por edhe akset e rrugeve radiale qe e sjellin qytetin ne qender, sic jane “derdhur” gjithmone ne qender historikisht (edhe kur qendra si qender s’ekzistonte fare sic tregohet ne rilevimin e 1917-s). Ndoshta e vetmja vlere e disa prej ketyre planeve eshte qe tregojne qe ndertimi i kullave ne qender dhe evokimi i gjurmeve dhe memorjes se qendres historike nuk jane domosdoshmerisht perjashtuese te njera tjetrres, nje kusht mosperjashtues ose perfshires qe ende s’eshte kuptuar, ose pranuar. Mund te kesh edhe kulle, edhe ndertesa te ulta; modernitet edhe histori, progress edhe memorje; qyteti mund te kete shume shtresa; ky eshte sharmi I qyteteve europiane, edhe I shume atyre amerikane, por jo vetem. Fakti qe ky kusht specifik – pra shumeshtresimi urban – nuk u realizua nuk duhet te projektohet te keto plane (pra te ekspertet…) si nje mangesi apo difekt I tyre, por si mangesi ose mungese vullneti e jona per t’i lexuar dhe realizuar.