Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Totalitarizëm

E KEQJA DHE BANALITETI

kur ka dhe nuk ka fitimtarë…

nga Visar Zhiti

Së pari ishte e keqja dhe Hannah Arendt tha: “Banaliteti i së keqes” dhe pikërisht kjo thënie u bë e famshme. I dolën dhe kundër, por gjithsesi ajo mbeti e paharrueshme në botën e mendimit të shekullit XX: “The Banality of Evil”.

U përdor në një gjyqi të rëndë dhe të pazakontë të 1961, për ato çfarë ai zbuloi, krime të hatashme kundër njerëzimin dhe ligjet e deriatëhershme dukej sikur s’mjaftonin, tejkalohej në të paparashikueshmen.

Si ngjarje lidhet me rrëmbimin e nazistit famëkeq gjerman Eichmann, të ikur në Argjentinë, ku jetonte i fshehur me familjen, me identitet tjetër dhe sjelljen e tij në Izrael, një aventurë e guximshme me avion, zbritja në Jerusalem, pra nga qielli, nxjerrja në gjyqin e fundit në tokë.

Habia ishte se nazisti, jo vetëm me emër si të Hitlerit, edhe si i pandehur në bankën e të akuzuarit, nuk e ndjente veten fajtor për veprimet që u bënë gjatë Luftës II Botërore, përndjekjen e popujve, konkretisht të hebrenjve, kapja e tyre nëpër Europë, dëbimi, internimi, getot, kampet, “Zgjidhja Përfundimtare” siç e quajti burokracia naziste e vdekjes shfarosjen, ku ai, dora vetë, Adolf Eichmann, ishte pjesëmarrës dhe në drejtim.

I pandehuri Eichmann nuk donte të mbante asnjë përgjegjësi, thjesht kishte bërë punën, detyrën e caktuar, iu bind ligjit sipas tij, prandaj, – dhe kjo është habia tjetër, – ai nuk shfaqi urrejtje për ata që po e gjykonin, të cilët i kishte përndjekur me patologji persekutori. Prapë sipas tij, atë që kishte bërë, do të mund ta bënin të gjithë po të ishin në vendin e tij, duke bërë kështu, – habia më e madhe, – bashkëfajtor potencial gjithë popullin gjerman. Duke kërkuar të shpërndante fajin, ai shmangte fajtorët realë e konkretë, njëri prej të cilëve ishte dhe vetë…

“Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” – hodhi parullën lidershipi i demokracisë shqiptare me të ardhur në pushtet, pasi kishte rënë perandoria komuniste dhe në Shqipëri kishte ndërruar sistemi, nja 30 vjet pas Gjyqit të Jerusalemit, kur para tij kishte ndodhur dhe ai i Nurembergut ndaj nazistëve të mëdhenj “as bashkëvuajtës e as bashkëfajtorë”, por shkaktarë vuajtjesh dhe fajtorë të treguar me gisht të historisë, prandaj dhe dënimet e tyre kishin qenë në shumicë të skajshëm: me varje.

Edhe Adolf Eichmann në gjyqin e Jerusalemit u dënua me varje, pastaj kufoma e tij u dogj dhe hiri u hodh në detin Mesdhe, por larg Izraelit.

55 vjeç ishte në gjyq. Ndërkaq si asociacion mendimi unë nuk e ndal dot që pse më ndërmendet kjo shifër ngacmuese, 55? Rastësi, por këtë numër kishte dhe neni i agjitacionit dhe i propagandës kundër Partisë dhe shtetit në Kodin Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, me anën e të cilit fitimtarët dënonin me shumicë dhe pa ndërprerje qytetarë duke i mbushur kampet dhe burgjet njëlloj si nazistët.

Faktet janë më frutdhënëse se fjalët, sipas një sentence.

Hannah Arendt ndoqi të gjithë procesin gjyqësor si korrespondente e “The New Yorker”, ku në kolonat e kësaj gazete dolën raportimet e saj të para dhe në vitin 1963 ajo nxori të plotë dhe më vete raportimin: “Eichmann in Jerusalem: A Report on the Banality of Evil”. Libri u bë i njohur, do të ribotohej shpesh dhe do të përkthehej në shumë gjuhë, së fundmi dhe në shqip, “Banaliteti i së keqes. Eichmann në Jerusalem”, me përkthimin dinjitoz të Agim Doksanit, botimet Dudaj, Tiranë 2021.

Historiania dhe filozofia e politikës, Hannah Arendt, ndjehej e lidhur me gjyqin dhe ngjarjet, vetë ajo ishte hebreje e lindur në Gjermani (1906) dhe e ikur prej andej nga shkaku i përndjekjes, e vendosur në SHBA, ku dhe ndërroi jetë (1975), ndërkaq ajo ishte bërë një nga më influencueset e teorisë së politikave të shekullit XX, librat e së cilës janë të kërkuar dhe citohen siç është “Origjinat e Totalitarizmit” etj, dhe pikërisht në Gjyqin e Jerusalemit ajo konceptoi banalitetin e së keqes.

Teza e saj shtjellon se Eichmann në fakt nuk ishte një fanatik apo një sociopat, por një person mesatar dhe i zakonshëm, tmerrësisht i tillë – shtoj unë duke njohur sivëllezërit e tij. I nxitur nga promovimi profesional, po aq dhe nga ideologjia, ai besonte në suksesin që konsiderohej si standardi kryesor i “shoqërisë së mirë”. Banaliteti, në këtë kuptim, nuk do të thotë se veprimet e Eichmann-it ishin të zakonshme, në asnjë mënyrë, por se veprimet e tij ishin të motivuara nga një lloj vetëkënaqësie, e cila ishte krejtësisht e pazakonshme, e njohur kjo në shoqëritë totalitare, edhe në vendin tonë.

Shumë ekspertë të mesit të shekullit të XX e mbështetën konceptin e Hannah Arendt, banaliteti i së keqes, një nga frazat e jetës intelektuale, që ende shfaqet/ dëgjohet në shumë debate bashkëkohore rreth moralit dhe drejtësisë si dhe në punën e komisioneve të së vërtetës dhe pajtimit, etj.

Përjashtoj vendin tim. Dëshpërueshëm. Kalimi i shoqërisë shqiptare nga totalitarizmi në demokraci, nga e një vendi të mbyllur hermetikisht në një shoqëri të hapur, pa rregull, u bë si një përpjekje pa patur fitimtarë, por si një vazhdimësi, sa entuziaste, po aq dhe zhgënjyese.

Ndërkaq popullarizimin e këtij koncepti, banalitetin e së keqes, të tjerë e panë si një ndihmesë të vlefshme kundër ecjes/kalimit nga pakujdesitë dhe shmangiet drejt tmerrit si e keqja e banalitetit, rënia sistematike dhe individuale, kur kërkesat për urtësi dështonin.

Dhe për fat të keq, në Shqipëri kjo po përsëritet. Ata që përndoqën të tjerë dhe dënuan, që u bënë bashkëpunëtorë të diktaturës, shkurt persekutorë të formave nga më të ndryshmet, qofshin dhe “persona mesatarë e tmerrësisht të zakonshëm”, shfaqën “banalitetin e tyre të së keqes”, por nuk u arrit t’u vihej në pah, nuk u konkretizua, pra, u la e vagullt, u bë e paditur kur dihej, nuk u denoncua dhe kaloi pandjeshëm, pra, u ndihmua të harrohej aq sa të dukej se nuk kishte qenë ndonjë e keqe ashtu, pse, vërtet si ka qenë? Kur banale duket gjithçka. Pra, qenkësh gjithkund. Ky është qëllimi. Pa fajtorë e pa të pafajshëm.

Nga e mori këtë përvojë të së keqes vendi im? Prej vetes?

Ndër burgjet shqiptare tregohej se fitimtarët, me të marrë pushtetin, Sigurimi i Shtetit i Enver Hoxhës, i mësuar nga institucionet përkatëse të Beogradit dhe të Moskës, në vitet e para kishte patur dhe një rob nazist, ai po i jepte Ministrisë së Punëve të Brendshme të regjimit të ri përvojat e Gestapos.

Banalizimin e së keqes si mllef të të burgosurve.

Çuditërisht Hannah Arendt dëshmon: “Ndryshe nga Eichmann, Myleri […] arriti që pas luftës t’i humbiste plotësisht gjurmët: askush s’e di ku ka përfunduar, por sipas disa zërave sot është në shërbim të Shqipërisë, pasi kishte punuar për Gjermaninë Lindore”. (“Banaliteti i së keqes”, fq, 91 në botimin shqip.)

Nuk ka rëndësi me ç’emër ka qenë nazisti Myler në Shqipëri, Myftar apo Myrteza, do të thoshin të burgosurit, por që Sigurimi i Shtetit paska vazhduar përvojat e Gestapos, përzierë me ato sovjetike.

Pra, po kalohej në hopin tjetër, në të keqen e banalitetit dhe kjo paskësh nisur herët.

Në librin e Hannah Arendt rrëfehet për përndjekjet e hebrenjve nëpër vendet e Europës, por dhe për mbrojtjen që iu bë, duke i përmendur me radhë dhe shtetet e Ballkanit, ku vlerësohet Bullgaria, etj, por asnjë fjalë nuk thuhet për ndihmesën e shqiptarëve.

Mendoj se Shqipëria e Enver Hoxhës nuk duhej ta kishte nxjerrë këtë informacion, as dhe ndonjë statistikë, se do të shkonin në dobi të imazhit të qeverive të mëparshme shqiptare nën pushtim dhe fitimtarët nuk mund ta duronin, ndërkohë shtetin e Izraelit e shikonin si vend armiqësor, të lidhur me imperializmin amerikan, etj, por në burgjet tona mbrojtja e hebrenjve bisedohej hapur dhe kishte të burgosur nga ato familje që kishin patur hebrenj të fshehur në shtëpitë e tyre. Dhe ata me emra të ndërruar.

Populli kishte strehuar hebrenj, qeveria e fitimtarëve – nazistë të mundur. Banaliteti i së keqes…

Zhbërja e diktaturës në Shqipëri nisi të bëhej nga ata që kishin bërë diktaturën. Protestat qytetare kundër regjimit, të vona dhe të befta, u lejuan pasi u shemb Muri i Berlinit dhe pas ekzekutimit të diktatorit Çaushesku në Rumani, kur perandoria komuniste ra.

Diktatorit Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorëve të tij kryesorë nuk iu bë ndonjë gjyq politik, me plot gojën s’pati “Nuremberg” ndaj atij lidershipi vrastar, po kështu as “Gjyq të Jerusalemit”, nuk u soll nga emigrimi ndonjë i ikur, se gabimisht u tremb, komandant burgu a shef policie a hetues me emër a spiun i shquar, përkundrazi. Ndërsa nga ata që kishin mbetur në vend, me shumicë, nuk i kërcënonte asgjë dhe o u pasuruan prej bizneseve, për të cilat u nxitën dhe u mbështetën nga regjimi që po ndryshonte, o vazhduan detyrën me kodin e ri penal, prokurorë, gjyqtarë ose u kthyen në avokatë mbrojtës, profesion i hequr ky në diktaturë dhe i rikthyer në post-diktaturë. Më keq akoma, një pjesë tjetër e tyre u ngritën lart në poste, u bënë deputetë, zv/ministra, ministra, kryeparlamentarë, madje nga oficerët e ushtrisë së diktaturës, që ruanin rendin nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, burgjet, ku ishin mbyllur kundërshtarët, kufirin shtetëror, të mos u ikte askush dhe po t’i vinte koha, të drejtonin ushtrinë, d.m.th. popullin ushtar për t’u bërë ballë agresioneve të mundshëm të kapitalistëve amerikanë dhe revizionistëve sovjetikë në mbrojtje të socializmit dhe udhëheqësit, pra, nga këta oficerë të diktaturës, u përzgjodhën dhe i bënë deri edhe presidentë të Republikës.

Banalitet i tepruar. Nëse Hannah Arendt thoshte “Komedia degjeneronte në makabritet”, ne mund të themi të kundërtën, “Makabriteti i degjeneruar në komedi”. Me Mesatarët dhe tmerrësisht të zakonshmit.

Pra, me rënien e komunizmit në Shqipëri nuk kishte patur fitimtarë të tjerë. E keqja e banalitetit të demokracisë shqiptare. Demokracia, që tek ne besohej se e vendos shteti, qeveria, partia, e lejojnë ose jo ato, po ndërtohet, nëse vërtet ndërtohet, me armiqtë e dikurshëm të demokracisë në krye, e kam thënë, dhe kapitalizmi me armiqtë e kapitalit, ithtarët e dikurshëm të pronës kolektive, të përbashkët, pra, të askujt, të cilët sot si klan oligarkik të vrasin për pronën dhe ligjet bëhen ose zbatohen sipas standardit të tyre.

 

Po ç’po ndodhte me lëndën e gjallë, me të persekutuarit në tranzicionin e gjatë dhe të lodhshëm, me t’u capërluar diktatura dhe u kalua në sistemin që ata ëndërruan, për të cilin dhe ishin burgosur, për një Shqipëri të hapur dhe euroatlantike? Tani që vendi është aleat i Perëndimit, anëtar i NATO-s?

U panë si heronj apo si viktima? Si pararendës të demokracisë apo që duheshin marrë në mbrojtje dhe mbështetur? I donin apo i duheshin?…

Pyetje që i kemi bërë shpesh dhe koha ka zbuluar përgjigjet.

Ish të persekutuar po quheshin… dhe u lejuan të krijonin shoqatat e tyre, patjetër nën kontroll, por jo të rreptë si në burg. U ngritën Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit me drejtorin që e emëron parlamenti si dhe një institucion i ri për dosjet siç u quajt Autoriteti për Informim mbi Dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit 1944 – 1991, por që është e vështirë të identifikosh bashkëpunëtorët e tij, edhe kur ke në dosje pseudonimet e informatorëve. Arsyet janë të ndryshme, mbase një pjesë e dokumentacionit është zhdukur, siç bënë dhe nazistët, na e thotë dhe Hannah Arendt. Ndërkaq ndoshta kështu politikave të sotme mund t’u duhet t’i përdorë më mirë spiunët e dikurshëm dhe t’i shpërdorojë më keq.

Të përndjekurve politikë, të kthyer nëpër vendlindjet apo në qytetet e mëdha, – lakmohet kryesisht kryeqyteti, – për një jetë të re, më të mirë, aq sa mundej iu dha punë dhe banim, megjithëse vlera reale e shtëpive të tyre u mbajt nga paga e dëmshpërblimeve që do t’u jepeshin më vonë. Ky dëmshpërblim, u tha nga opinion-bërësit e mediave, rëndon mbi taksapaguesin shqiptar. E keqja e banalitetit. Por u harrua që të burgosurit kishin punuar si skllevër dhe të gjitha veprat kryesore të Shqipërisë, në tharje kënetash, hapje kanalesh të mëdha, themele uzinash, ndërtimi i aeroportit, i stadiumeve, i pallateve, në minierat primitive, ku nxirrej bakër dhe pirit, i përzierë me ar, ar i vërtetë ishte qëndresa e tyre, kudo Shqipëria kishte dhe djersën dhe gjakun dhe eshtrat e të burgosurve politikë dhe puna e tyre nuk u pagua asnjëherë duke u shkelur dhe një nga parimet bazë të socializmit, shpërblimi sipas punës. Shoqëria shqiptare u është borxhli përgjithmonë të burgosurve të saj. E keqja e banalitetit…

Kudo që u emëruan në detyra ish të burgosurit politikë, sado të larta të kenë qenë, deputetë, diplomatë, zv/ministra e ministra e deri dhe kryetar parlamenti, gjithmonë do të kishin mbi krye një nga regjimi i dikurshëm, komunist, funksionarë të njohur, bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, etj, të gjithë të konvertuar në demokratë.

Ndërkohë gjërat kanë shkuar larg. Ndryshimet janë. Po kështu janë pakësuar dhe ata që kanë qenë burgjeve dhe internimeve, jeta bën të sajën.

Vendet e dënimeve dhe të vuajtjes, “Aushvicet shqiptare” janë shkatërruar dhe nuk ka muze të kujtesës së tyre. Jo se nuk janë bërë, ato që quhen Bunkart 1 dhe 2 apo Shtëpia me Gjethe apo shtëpi muze shkrimtarësh që shkruan nën diktaturë, etj, por ato dëshmojnë më së shumti ata që bënë diktaturën, strehimet e udhëheqjes në rast bombardimi atomik, ministrinë e punëve të brendshme, Sigurimi si punonte, Realizmi Socialist dhe mungojnë muzetë e qëndresës, të kundërshtarëve dhe martirëve, gropat ku i kanë hedhur, të torturave, vendet e revoltave, memorialet, bustet, (jo se nuk ka fare), vargjet e gdhendura të poetëve të pushkatuar, vuajtjet e popullit në socializmin real, ngushticat dhe mungesat, kur dëgjonin fshehurazi në apartamente “Zërin e Amerikës”, “Radio Londrën”, Vatikanin, Prishtinën, etj.

Së fundmi një ish i burgosur politik, i arrestuar që 16 vjeç se kishte dashur të arratisej, shpalli i vetmuar kandidaturën për të qenë kryetar i asaj partie, që u krijua e para si opozitare, e qendrës së djathtë, tani e përçarë keqas, por ai si mëtonjës idealist i bashkimit, i kulturuar dhe me filozofi, me vizion edhe për të kaluarën orwelliane, me apelin për t’u ndarë prej saj, edhe pse kaq vonë, u la pa mbështetje, jo vetëm që s’u bënë përpjekje ta kuptonin, por që ta keqkuptonin, e ç’mund të bësh ti, kur nuk bën pjesë asgjëkund, në asnjë klan, kur idealet duken si të tepërta?

Banaliteti i së keqes, mpleksur me të keqen e banalitetit gjejnë rast dhe aktivizojnë tentakulat kundër asaj që ende e quajnë “shtresa e të persekutuarve”, shtresë për se, çfarë shtrohet me ta? Goditjet vijnë fshehurazi dhe hapur, afërmendsh nga ndonjë shef burgu, që ka emigruar në Europë a Amerikë, por dhe nga shkrimtarë, kritikë të mendimit që besojnë se janë tillë.

Ligësia dhe shpifjet ashtu si qentë e kufirit të diktaturës që i stërvitnin të kapërcenin pengesa dhe të kapnin shkelësin, ndodh të dalin me turr nga andej nga nuk e pret, nga zyra e vetë presidentit të Republikës, i llojit që u përmend më sipër.

Kujtesa dhe letërsia e saj, siç po duan të quajnë letërsinë e të dënuarve, kur kujtime po shkruajnë dhe ata që dënonin, zaten e gjithë letërsia është kujtesë, po përdor makineritë e veta dhe kanë dalë dëshmi të vyera. Ashtu si Hannah Arendt tregoi gjyqin e Eichmann-it në Jerusalem, autorë të burgosur, sidomos nga ata të klerit katolik, kanë treguar rrëqethshëm gjyqin e tyre dhe burgun me Eichmann-ët e kuq komandantë e dhunues.

Prodhimi letrar në përgjithësi është i dukshëm, ndoshta jo ashtu si në fushën e ndërtimeve, me kulla të larta, një përbindshmëri betoni dhe xhamash, hotelesh dhe lokalesh të bukura.

Siç e dimë nga burgjet dhe internimet doli “Letërsia tjetër”, jo për të zëvendësuar “letërsinë shqipe” siç dhe dhanë alarmin deri edhe shkrimtarë të shquar të vendit, (a ka ish shkrimtarë?), por për të sjellë vetveten, e kemi thënë, të vërtetat që mungonin dhe moralin e tyre si dhe poezinë e dhimbjes.

Banaliteti i së keqes po hovëzohej. Na zhgënjeu kjo letërsi, u nxitua të thuhej qysh në fillim, kur llava e saj s’ishte derdhur ende, sikur burgjet dhe internimet të kishin qenë vendet e lejes krijuese siç u jepte partia shkrimtarëve të saj. Në burg të futnin për të mos shkruar, ndalohej të ishe shkrimtar, m’u desh të përgjigjesha dhe, nëse u arritën të krijoheshin fshehurazi vargje apo disa fletë, por edhe libra, janë dëshmi me gjak të ferrit dhe njeriut që i bën ballë, duke dalë mbi frikën dhe heshtjen e detyruar, që s’është letërsi, të mosbërit asgjë që ndoca e lavdërojnë si të leverdishme.

Në post-diktaturë letërsia shqipe po ndjehej vetvetja, në tërësinë e saj si kurrë më parë, duke iu bashkuar natyrshëm dhe ato pjesë që prodhohen në shtetin tjetër të shqiptarëve në Ballkan, në Kosovë e përreth, në diasporë në Europë e Amerikë. Brezi i ri i mëpastajmë i shkrimtarëve shqiptarë ndjente lirinë e krijimit, me arritje si në letërsitë e tjera.

Por e keqja e banalitetit zgjohej si gjarpri. Shteti u bë më moskokëçarës dhe i painteresuar ndaj letrave. Aq më mirë, po ta krahasosh me shtetin dhe Partinë që e trajtonin letërsinë si të veten, në shërbim të ideologjisë dhe politikave dhe shkrimtarët i shikonte ashtu si oficerët, ndryshe shpalleshin armiq, ata dhe veprat e tyre.

Sot, kur vjen puna te botimet dhe përkthimet, te panairet e librit si brenda dhe jashtë vendit, ndeshen vështirësi, mospërkrahje dhe harrime sidomos tek ajo që u quajt paradoksalisht “Letërsi e burgut”. Në programet dhe tekstet shkollore, në universitete mbahet ngulmueshëm tradita e Socrealizmit dhe mezi i hapet dera të mëpastajmes.

Misteriozisht mund të shmanget me sukses emri, sado i njohur qoftë, i një shkrimtari që ka qenë në burg apo i arratisur, apo i traditës, i padashur nga socrealizmi, një rivalitet i paparë, qoftë dhe me të vdekurit. Luftohet që t’u vdesë dhe vepra jo sipas ligjeve të letërsisë, gjë që do të ishte e natyrshme, ndërkaq ashtu mbajnë shpesh gjallë veprat e tyre jo me ligjet e letërsisë, po me forcën e pahonepsur të pushtetit, etj, etj, çështje këto të trajtuara gjerësisht dhe në botime të veçanta tonat.

“E keqja lind nga paaftësia për të menduar, – thotë Hannah Arendt. Dhe  shton: – Çdo qeveri merr përsipër përgjegjësinë politike të veprimeve, të mira a të këqija, të qeverisë së mëparshme dhe çdo komb merr përsipër përgjegjësinë e veprimeve të mira a të këqija të kryera në të shkuarën nga populli i vet.”

Po letërsia dhe artet? Po persekutimi i tyre? Si mund të fillojë ndryshe një e ardhme?

 

(c) 2023 Visar Zhiti. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin