Që në fillim dua t’ju qetësoj, duke ju siguruar se personi i fundit, për mbrojtjen e të cilit Sigmund Frojdi do të kishte nevojë, jam unë. Megjithatë, në kushtet e një demokracie virtuale, kjo nuk më pengon aspak që të marr edhe unë fjalën, në zallahinë që ka krijuar ditët e fundit libri i filozofit Michel Onfray Perëndimi i një idhulli. Sajesa frojdiste.
Për ata që e njohin, po them se kemi të njëjtën temë sikurse Libri i zi i psikanalizës, që u botua disa vjet më parë, por që edhe ai vinte pas shumë e shumë librash të tjerë, që duan të nxjerrin Frojdin nga bursa. Gjithsesi, me aq sa mbaj mend, ky libër i fundit po bën më shumë bujë se paraardhësi tij, madje duke recensionuar atë, ndonjë gazetë foli edhe për përplasje titanësh. Mua nuk më ngjan ashtu.
Pse kjo ndërhyrje e imja në këtë temë? Kam frikë se edhe mbi mua vepron e njëjta sindromë, sikundër e atyre që përqafuan në rininë e tyre ideologjinë marksiste. Në fillim të viteve ’90 të gjithë nuk e kuptonim aspak si qe e mundur që ata nuk e po merrnin vesh çfarë kishte ndodhur. Gjithsesi, ka shenja të mira se me Frojdin nuk po ndodh e njëjta gjë, sikunder me Marksin. Për pasojë dhe unë shpresoj të mos perjetoj te njejtat rrethana tragjikomike si të atyre shokëve të mësipërm, edhe pse mënyra si e përqafuam literaturën përkatëse është pothuaj e njëjtë. Ata në mënyrë ilegale Marksin në vitet tridhjetë, unë në mënyrë ilegale Frojdin në vitet tetëdhjetë. Kujtoj me nostalgji e respekt mjaft prindër të shokëve të mi e të njohur të mitë që pranonin të më jepnin botime të viteve tridhjetë që kishin sjellë nga shkollat evropiane ku kishin studiuar e që i mbanin fshehur, kujtoj ata që më huazuan numrat e Përpjekjes shqiptare të Branko Merxhanit me Pesë leksionet e psikanalizës, bisedat me dr. A. Botin, që studionte mundesine ta aplikonte me pacientet e tij në Baldushk etj. Nga disa shokë të fëminisë që ishin studentë të tij, kisha dijeni që prof. Y. Vehbiu kishte shkuar shumë larg në atë fushë, por nuk ekzistonte asnjë mundësi njohjeje. Çdo hap i pakujdesshëm mund të merrej si provokim, se vërtet që mehmurët e KQ nuk dinin shumë gjëra për teoritë e Frojdit, por që i përkiste një ideologjie borgjeze, këtë e kishin lexuar mire në librat e prof. Uçit dhe Pëllumbit. Kjo qe e mjaftueshme që të të shuanin derën.
Dikush, birin e të cilit e kisha shok, por edha atë vetë profesor të psikologjisë, duke më dhënë librin me shumë siklet më tha që kur t’ia ktheja, t’ia jepja atij në dorë dhe jo nëpërmjet të birit. Nuk e mora vesh kurrë këtë histori, por bëra siç më tha.
Tani të kthehemi te M. Onfray e më lejoni t’ju them që libri tij nuk më pëlqeu. Jam i sigurt se për një gjë të tillë ju nuk keni asnjë dyshim. Por që t’i rendis të gjitha arsyet këtu, kam frikë se në fund fare do t’ju kem bindur për të kundërtën e asaj që kam dashur. Kjo me shtyn qe të përqendrohem fare shkurt vetëm te sulmi i tij, të themi madhor, kundër Frojdit, te sulmi që i përmbledhur në dy fjalë do të ishte ky : nuk është Frojdi që ka zbuluar inkoshiencën, por të tjerë para tij si Nietzsche-ja dhe Shopenhauer-i. Nuk do të merremi fare me idenë e tij se psikanaliza është veç një « thérapie placebo », as me « njollën në biografi », kur ai tregon se Frojdi i ka dërguar një libër Duçes me mbishkrimin : «Benito Musolinit, hero i kulturës ».
Gjithsesi, para se të arrij aty, nuk mund të rri pa thënë se më lanë përshtypje të keqe disa goditje të Onfray-it nga poshtë. Natyrisht nuk jemi para një studiuesi fare të shpërfillshëm. Ai Frojdin e ka lexuar që kur ishte i vogël, në një kolegj fetar, por thotë se Frojdi në atë kohë e kishte ndihmuar veçse të kuptonte si diçka normale dëshirën munduese që kishte për t’u masturbuar. Shumë pak gjë, apo jo ? Por ka edhe më keq. Prisni. Për M. Onfray, sikundër për Nietzsche-n mendimi nuk mund të ndahet nga bartësi i tij, nga trupi ku ka lindur, prandaj duhet marrë me biografinë e njeriut për të kuptuar thelbin e mendimi të tij. Dhe ai e bën me zell të tillë që do ta kishin zili edhe kasketat tona të qëmotëshme.
Këtë e vërejta aty ku ai flet për një lloj natyre perverse të vetë Frojdit duke thënë se ka shënime ku lihet të kuptohet se ka patur impulse të forta për të bërë dashuri me të ëmën, dhe nëpërmjet këtij akti krejt personal, ai përgjithëson e ngre në këmbë një teori të tërë. Besoj se e kuptoni se po flas për gjenezën e Mitit të Edipit dhe pozitivin e tij, atë të Elektrës.
Ka goditje edhe më poshtë. Diku Onfray thotë se Frojdi ishte megaloman e i fëlliqtë (lubrique) e nuk nguronte të flinte edhe me kunatën e tij, motrën e së shoqes. Në të vërtetë, prej kohësh ka qenë njohur fakti se në regjistrat e një hoteli të Zvicrës del të jenë shkruar, diku nga mesi i verës së vitit 1900, emri i Frojdit dhe ai i kunatës së tij Mina Bernays, por nuk ka asnjë të dhënë që ata të kenë fjetur në të njëjtën dhomë. Mbase Onfray është i fundit që e ka marrë vesh se për shumë kohësh (mbase atëherë kur ai masturbohej ende) ky subjekt ka qenë shkas i një polemikë të madhe midis psikanalistëve të shumë vendeve, natyrisht jo si thashetheme por si objekt studimi i transgresionit të limiteve. Madje në një kongres kushtuar Ferenczi-t, një nga adeptët më të mirë të Frojdit (një letërkëmbim të të dyve mbi koncepcionin psikanalitik të artit e kam botuar te gazeta Drita në fillim të viteve ’90), kjo u kthye në temë qendrore analize. Ferencz-i vetë ka patur një marrëdhënie me Gizella et Elma Pálos (nënë e bijë).
Të kthehemi së fundi te pohimi i M. Onfray se nuk është Frojdi ai që ka përshkruar i pari nënkoshiencën. Në të vërtetë puna nuk është kaq e thjeshtë. Te historia e psikanalizës, mjeku vjenez nuk lë pa përmendur edhe figura të dorës së dytë e tretë, që kanë ndikuar në zbulimin dhe drejtimin e tij drejt psikanalizës. Të ketë marrë gjësendi nga Nietzsche dhe Shopenhaueri e ta ketë mbajtur fshehur? Ka këtu një zonë të turbullt, meqenëse vetë i turbullt paraqitet koncepti i Nietzsches, Shopenhauerit e Hartmann- it për ndërgjegjen. Por duhet thënë se kjo është një dorë e parë, që e ndihmoi Frojdin të shkojë shumë më larg.
Kështu që në fillim, që më 1900 , kur formulon topikun e parë ai kompozon tre trajta të nënkoshiencës (tani po i freskoj edhe unë një çikë se i kisha harruar) flet për nënkoshiencën që na dërgon sinjale dëshirash dhe që përmban edhe ide e dëshira të ndrydhura (të ndaluara, që të ngjiten deri te ndërgjegjja), flet për ndërgjegjen që nuk ka mundësi të perceptojë të tilla ide sa kohë që ato janë në nënndërgjegje dhe së fundi kemi edhe parandërgjegjen që përmban mendime e ide të fshehura, që është e mundshme të ndërgjegjësohen si edhe ato që kanë mundur të kapërcejnë murin e ndrydhjes për të hyrë në zonën e hapur të ndërgjegjes.
Pra shihet se kemi një koncepcion që ka pak gjëra të përbashkëta me zbulimin e filozofëve të sipërcituar, edhe pse duhet njohur merita e zbulimit të tyre gjenial. Por Frojdi nuk e mbyll me kaq dhe mua më vjen keq që shume vetë kur flasin për teorinë e tij e reduktojnë atë thjesht në nënndërgjegje e ndërgjegje.
Rreth vitit 1920 Frojdi shkoi shumë më larg duke përshkruar topikun e dytë që ka edhe ai tre struktura: ça (atë, rezervuarin e pulsioneve të pandërgjegjshme), unin, që mund të thirret edhe ndërgjegje, perceptuesen e realitetit dhe së fundi ai flet edhe për mbiunin, asimiluesen, brendësimin, e rregullave sociale, këshillave prindërore, që funksionon si një instancë e rreptë morale, ushtruese e censurës (a ndrydhjes) dhe që përfaqëson “unin” tonë ideal.
Në fakt, Onfray, pasi thotë se Frojdi vetëm se ka paraqitur punën e të tjerëve, pa i cituar ata, nuk bën përpjekje të dukshme të na bindë për atë që thotë, duke mos llogaritur faktin tjetër të rëndësishëm se në përfundimet e tij ai nuk erdhi në mënyrë teorike, sikundër filozofët në fjalë, por pas vitesh të gjata pune me pacientë histerikë. Tani që mbërritëm në fund të këtij mesazhi, nuk është pa vend të shënojmë se ka më shumë se njëqind vjet që Frojdi sulmohet pareshtur dhe kjo ka shtyrë ndonjë të mendojë se ajo që është e re në librin e M. Onfray-it nuk është e vërtetë dhe ajo që është e vërtetë nuk është e re.
Mund të thuhet po ashtu që sulmet e viteve të fundit duhen parë në kontekstin e një shoqërie që nuk do të dëgjojë më për “njeriun tragjik” , për njeriun e mbërthyer në kurthin e ankthit të tij, të ndjenjës së fajësisë, të dëshirave dhe konflikteve të brendshme.
Plotësimi më i mirë i disa nevojave materiale në shoqëritë perëndimore krijon iluzionin e kapërcimit edhe të anktheve ekzistenciale, që janë cilësi të vetë natyrës njerëzore, që janë brenda nesh që prej mijëra e mijëra vjetësh, i dyshimeve që e gërryejnë atë së brendshmi. Në jetë nuk rezulton të jetë tamam kështu. Arsyeja jonë minohet së brendshmi prej forcash të errta, ndërkohë që psikiatrit e sotëm komportamentalistë nuk interesohen më për vuajtjet e pacientit, ata thjesht vëzhgojnë sjelljen e tij, kërkojnë mosfunksionimet neurokonjitive që shkaktojnë modifikimin e sjelljes, ndërkohë që Frojdi krijoi një metodë ku dija nuk është vetëm në duart e ekspertit.
Ata që kanë qenë të pranishëm qoftë edhe në një seancë psikanalize e dinë mirë që është pacienti vetë ai që zotëron një dije, të cilën terapeuti e ndihmon ta deshifrojë.
Së fundi në vështrimin tim, në qytetërimin e sotëm evropian, mendimi i Frojdit është sot po aq i pranishëm, sa edhe mendimi hebreo-kristian është në themelet e tij.
Nje kritike teper realiste per frojdizmin e ka paraqitur Popper shume kohe me pare :
The two psycho-analytic theories were in a different class. They were simply non-testable, irrefutable. There was no conceivable human behavior which could contradict them. This does not mean that Freud and Adler were not seeing certain things correctly; I personally do not doubt that much of what they say is of considerable importance, and may well play its part one day in a psychological science which is testable. But it does mean that those “clinical observations” which analysts naïvely believe confirm their theory cannot do this any more than the daily confirmations which astrologers find in their practice.[3] And as for Freud’s epic of the Ego, the Super-ego, and the Id, no substantially stronger claim to scientific status can be made for it than for Homer’s collected stories from Olympus. These theories describe some facts, but in the manner of myths. They contain most interesting psychological suggestions, but not in a testable form.
(Karl Popper :Science as Falsification. The following excerpt was originally published in Conjectures and Refutations (1963).
{Te dy teorite psiko-analitike (Teoria e Freud-it dhe Adler-it) jane te nje klase tjeter. Ato jane thjesht te patestueshme, te parefuzueshme. Asnje sjellje njerezore qe mund te perceptojme nuk bie dot ne kontradikte me keto teori. Nderkaq kjo nuk do te thote qe Frojdi dhe Adler nuk i konceptojne disa gjera ne menyre korrekte; personalisht nuk kam dyshim qe shume nga ato qe parashtrojne ata kane nje rendesi te konsiderueshme dhe mund te luajne njefare roli ne nje te ardhme ne kuadrin e nje shkence psikologjike te testueshme. Por kjo nuk do te thote se keto “vezhgime klinike” , te cilat analistet naivisht i marrin per konfirmim te teorise se tyre,mund te cojne me tej se konfirmimet e perditshme te praktikes se astrologeve. Dhe , sa per epiken frojdiste te Ego-s,te Super-ego-s dhe te Id-s nuk mund te pretendohet ndonje vlere shkencore me teper se sa ajo qe mund t’i jepet Homerit per historite e Olimpit. Keto teori pershkruajne disa fakte por ne nje menyre te ngjashme me mitet.Ato permbajne sugjerime teper interesante psikologjike por jo ne nje forme te verifikueshme.}
komportamentalistë = behaviorist?
Ajo qe me ben pershtypje mua ne kete pretendimin se nenndergjegjen e paskan shpikur Schopenhauer dhe Nietzsche, eshte se eshte pretendim qe nuk shkon aq larg sa duhet. Pse te mos pretendohet se nenndergjegja e tyre eshte e shpikur nga zhvillimi i indivit analog me zhvillimin e shoqerise sipas Hegel, per te mos thene nga Kant dhe koncepti i tij i superndjeshmerise. As Schopenhauer dhe as Nietzsche nuk ofrojne ndonje lloj risie radikale se ciles Freud do i detyrohej deri ne dialog eksplicit (sa do qe eksplicit, ky dialog gjendet tek Freud). Qe te flas ne terma Foucauldiane, nje arkeologji e psikanalizes dhe pretendimeve mbi ndergjegjen/nenndergjegjen sipas Freud nuk bije jashte epistemes moderne. Asgje e re ketu, per te mos thene se ne disa kurse, struktura e triades superego ego id studiohet krahe per krahe me strukturen e psikes dhe shoqerise sipas Republikes se Platonit. E reja vjen me faktin qe nje trup specifik dijesh nen rubriken e psikanalizes, fiton me Freud statusin e nje disipline me model shkencor. Ne vend te abstraksioneve filozofike mbi normen prej Platonit, Kant, Schopenhauer apo Nietzsche, lind nje disipline e re qe ka vete normen per objekt.
p.s. Onfray nuk e kam lexuar, por nese ajo c’ka percjelle Lyss i qendron besnike subjektit, i bie qe Onfray te kete harxhuar shume kohe neper ad hominem.
Qëkur e kam lexuar për herë të parë Freud-in, më ka rekrutuar; ndoshta jo kolonizuar, në kuptimin që dija freudiane ka qenë tek unë që më parë, por duhej mjeshtri për ta zgjuar.
Megjithatë, ka diçka të dyshimtë në një doktrinë që shpjegon gjithçka, deri edhe kundërshtimin ndaj saj (si rezistencë). Ta quash shkencë ndoshta do të ishte gabim; dije më duket term më i saktë.
Di edhe që, në praktikën psikoterapeutike, Freud-i nuk ka dhënë rezultatet që priteshin; por kjo nuk e zhvlerëson metodën e kurës nëpërmjet të folurit. Që sot shumë psikiatër parapëlqejnë t’i mjekojnë neurozat me mënyra kimike, kjo vetëm sa provon që psikanaliza nuk i përshtatet dot mjekësisë masive, ose mekanikisht të riprodhuar.
Metodën freudiane të interpretimit të ëndrrave e kam pasë studiuar me kujdes; është e mrekullueshme, në mos si shkencë, të paktën si art. Obsesionit nistor me seksin dhe seksualitetin ia zë vendin simbolizmi; dhe analiza e pavetëdijes si gjuhë – Lacan-i do ta çonte këtë më tej, por Lacan-in nuk e kupton kush. Freud-i lexohet si nobelist letërsie; shkruan për t’u kuptuar, jo për ta hutuar lexuesin.
Një nga kritikat që i janë bërë Freud-it dhe freudizmit ka të bëjë me rrënjët e tij në kulturën judaike mittel-europiane; ose etikën familjare dhe neurozat e trashëguara të një fenotipi social tepër specifik: hebreut europianoqendror, të fundshekullit XIX, që nuk gjen shumë përkime në europianët e krishterë; dhe aq më pak në kultura më të largëta, si Islami, budizmi, ose konfucianizmi.
Nuk ka dyshim se psikanaliza, në fillimet e veta, ishte një dukuri thelbësisht judaike, në mjekët dhe pacientët, teoricienët dhe praktikantët. I vetmi dishepull jo-hebre i Freud-it, ndër të mëdhenjtë, ishte Jung-u; dhe dihet që raportet mes tyre u futën shpejt në krizë. Kush e ka lexuar sadopak Jung-un, do ta ketë parë se kjo krizë nuk mund të shmangej; meqë racionalizmit të Freud-it Jung-u i përgjigjet me misticizëm.
Gjithsesi, psikanaliza jungiane sot ka përfunduar si edhe më ezoterike se ajo freudiane ortodokse; edhe njëra edhe tjetra e kanë humbur vlerën praktike terapeutike, për t’u shndërruar në një lloj mitologjie të dijes për njeriun.
Jetojmë në një kohë kur racionalizmi po ia lë vendin fesë teknologjike dhe tundimeve për kosherizim të njeriut (hive mind); nëse këtyre demonëve mund t’u rezistohet nëpërmjet ëndrrave, artit, seksualitetit, alkimisë, astrologjisë, folklorit, përrallave, gjuhës dhe simbologjisë, shënomëni edhe mua, tha.
Xhaxha, mbase shprehja më e saktë do të ishte se psikanaliza nuk shëroi më shumë njerëz nga sa shëronin kimikatet, ilaçet, çka edhe është e vërtete, por ama tashmë metoda tjetër ekzistonte, fuqia çliruese e fjalës ishte aty, divani priste paciente (Edhe pse Onfray thotë se ai ishte borgjez, i etur për fitime dhe shëronte vetëm borgjezë të pasur. Midis nesh, një seancë ne divanin e tij kushtonte rreth 600 dollarë me vlerën e sotme).
Megjithatë mua më ka çuditur gjithmonë fakti se metoda e tij më fort jehonë bëri në oborrin e shkrimtarëve dhe artistëve se sa te bota mjekësore. Nganjëherë them me vete se këtu duhet të ketë luajtur rol edhe lobi tejet i fuqishëm i farmacive. Metoda e Frojdit i privonte nga shitja e qindra ton ilaçesh në vit, gjë ndaj të cilës ata nuk mund të rrinin pa reaguar.
Nejse kot e thashë këtë se nuk kam prova, por mua personalisht metoda e divanit të Frojdit (që në fakt, ai e thotë vete se e krijoi sepse e kishte shumë të vështirë të punonte me hipnozën), nuk është se më ka interesuar shumë, shpjegimi i ëndrrave nuk më rezulton bindës, aktet e munguara dhe lapsus lingua (p.sh. pa dashje ngatërroj emrin e drejtoreshës së shkollës me atë të shoqes së klasës, si shprehje e një dëshire të fshehtë për të bërë dashuri me drejtoreshën. Ah, sikur ta njihnit !) nuk më janë dukur se tregojnë gjithmonë dëshira të paformuluara etj.., ndërkohë që për një nga temat tona të fundit, atë të homoseksualitetit, qëai trajton te Tre sprova mbi teorinë e seksualitetit, S. Frojdi, në mënyrë gjeniale ka kurajën të heqë dorë gradualisht nga mendimi për një dispozicion biologjik apo kulturor deri sa më 1905 flet për një zgjidhje psiqike inkoshiente.
Gjithsesi, janë veprat e tij madhore, jashtë problemeve terapeutike, ato që më kanë magjepsur, vepra të tilla si Sikleti i qytetërimit, Psikopatologjia e jetës së përditshme etj.
Kur fare i vogël, vëllezërit më të mëdhenj me merrnin me zor në stadium (se prindërit i kishin ngarkuar të më ruanin dhe ata nuk kishin ku të më linin) unë aty provoja torturat më të tmerrshme që mund t’i bëhen një fëmije. Fytyrat e ngërdheshura të tifozëve, ulërimat e mjaft njerëzve që më ishin dukur normalë në lagje e rrugë, sharjet, oooh-et e uhhh-et e tyre më shpifeshin në ëndërr e më shkaktonin makthe.
Të njëjtën ndjenjë turpi e të të fikti më shkaktonin edhe parakalimet, paradat, mitingjet e antimitingjet e me siguri më tej do të kisha pësuar gjësendi, sikur të mos isha njohur me kohë me librin mbi Psikopatologjinë e turmave (masës), ku Frojdi shpjegon se që të ekzistojë turma ka nevojë që të kompaktësohet, e meqë pjesa e saj e ulët nuk mund të ngrihet, është ajo më e larta që ulet në nivelin e turmës. Shkurt, një tranzicion rrethanor, per të huazuar nje term të gjuhesisë.
Në retrospektivë kuptoja përse të gjithë ata burra me kostumë e kollare e aq të respektuar në jetën e përditshme dikur, në manifestime masive më ngjanin me kafshë që stërviteshin për të më ngrënë mua një ditë.
Eshët pikërisht kjo pjesë e veprës së Frojdit që më ka ndihmuar të qëndroj në këmbë (nëse vërtet ka ndodhur kështu) edhe atëherë kur dukej se ekzistenca nuk kishte më kuptim, pa u ulur dhe injektuar në damarë shiringën me simptomat histerike të atij mjedisi plot entuziazëm funebër ku u rritëm.
Nuk e di pse ka dicka qe nuk me bind ne kompromisin “dije, por jo shkence.” Eshte dallim qe e kam hasur shpesh dhe qe do e perdorja edhe vete sikur te mos ngurroja, por qe hezitoj ta perdor pasi edhe ne ato leme te dijes qe nuk ngurrojme t’i quajme shkenca, gjej objeksione po aq te mjaftueshme per te mos i quajtur te tilla. Dhe kjo jo vetem thjesht fal parimit te pavendosshmerise te pranuar nga nje shkence e respektueshme si fizika. Nga ana tjeter, nese kriteret shkencore jane racionaliteti, objektiviteti dhe vertetimi, asnje prej ketyre kritereve nuk mungon ne te ashtuquajturat shkenca te buta. Ato e pranojne kushtin e gabueshmerise po aq sa edhe shkencat “ekzakte,” tentojne drejt perkufizimit te nje objekti po aq real sa dhe objekti i kimise apo i fizikes, dhe shprehin nje racionalitet po aq kerkues sa dhe i shkencave te pranuara si te tilla. Eshte per t’u habitur dhe paradoksale ne fakt, se si biologjia e ka fituar statusin e te qenit shkence, duke e kapercyer stigmen e te qenit thjesht dije, ndersa shkencat shoqerore ende jo.
Për mua kjo lidhet kryesisht me (1) parashikueshmërinë e ngjarjeve (events); (2) përsëritshmërinë e rezultateve në laborator dhe (3) shkallën e matematizimit.
Jam dakord me te treja. Po te flasim ne menyre abstrakte jane pikerisht ato qe po thosha: (1) objektiviteti (2) vertetueshmeria dhe (3) racionaliteti. Shkencat sociale, njesoj si ato ekzakte, ofrojne secila parashikueshmerine e vet, me limite te caktuara sipas kushteve te caktuara, perseritshmerine e vet dhe limitet reciproke, si dhe shkallen e vet te matematizmit. Madje per sa i perket ketij kriterit te fundit, me aq pak sa di nga historia e matematikes, teorite e seteve, revolucioni i fundit madhor ne matematike, kane aplikim te gjere ne shkencat shoqerore, te pakten ne lidhje me perfshirjen, perjashtimin, anetaresine apo perkatesine, etj.
Eshte me kollaj te vertetosh piken e avullimit te ujit se sa t`i mbushem mendjen njerezve se secili prej nesh ka nga nje Edip ne mendje apo submendje, kur sheh enderra me te emen, pavareserish se cfare parimesh perdoren ose hidhen poshte.
Per aq sa mundem te nderhyj ne kete teme, nisur nga pozita fare periferike, per te mos thene te huaja me mjedisin qe po i referohem, leximi i Frojdit mua me ka lene gjithmone mbresen … e nje libri te lexuar njehere. Pasazhe qe me ngjanin te njohur… Ate kohe (gjimnazist) gati gati nisa te mendoja qe edhe vete mund te shkruaja ashtu:)
Kete ndejsi duket nuk e paskam perjetuar i vetem; thote xha xhai: “… dija freudiane ka qenë tek unë që më parë, por duhej mjeshtri për ta zgjuar”.
Nuk e kam lexuar Onfray, dhe nuk e di ne eshte perkthyer/botuar ne US akoma.
Por para disa ditesh (ne lidhje me Sofokliun) po shfletoja disa materiale mbi Kompleksin e Edipit.
Margaret Clark ka nje artikull interesant “Suppose Freud had chosen Orestes instead.” Pervec kritikes qe e permend dhe xhaxhai, dmth rrenjet apo terreni specifik eurocentrist i teorise se Freud, e cila behet e pa-aplikueshme ne kultura te tjera, me mite te tjera, Clark ofron gjithashtu nje kendveshtrim tjeter dhe aludon se si do kishte qene fusha e psikanalizes nqs Bibla e saj nuk do te kishte qene Edipi Rex, por Orestia. Ndoshta do dilja komplet nga debati nqs do sillja te plote argumentin e saj, megjithate mua m’u interesant dhe me vlere. Dhe nje kritike konstruktive ndaj Freud.
@ Lyss, kam neper duar “Turma dhe pushteti” nga Elias Canetti. Meqe e permende si subjekt, dhe nqs nuk te ka rene rasti ta lexosh, hidhi nje sy.
Monda, Canetti-in do ta lexoj ne rastin me te pare, ndersa disa argumente te Clark-ut, po t’i sjellesh, besoj se do te qene me interes per te gjithe.
Kembejme me shume pershtypje se sa mendime, por kam bindjen se pasurojme sirtaret e njeri tjetrit, duke kembyer ndersjelltasi, informacionet qe kemi.
Jemi ne nje fushe ku askush nuk ka te drejten e fjales se fundit, e shumta jemi akte te munguara:-)), gje qe nuk eshte e parendesishme sepse studimet e fundit tregojne se me gjithe dhimbjen e faktoreve qe te bejne te deshtosh, nuk mungon nje kenaqesi pulsionale inkoshiente! Shkurt eshte ajo qe disa tekste politike e fetare e perkufizojne me: kush fiton humbet dhe kush humbet fiton! (Çfarë mund te kerkojme me shume ne çastet e deshtimeve tona?)
Onfray ,edhe une nuk besoj se eshte perkthyer kaq shpejt. Eshte vetem pune ditesh qe ka dale ne kete anë të Atlantikut, por po qe se ke lexuar paraqitjen time, besoj se nuk humbet shumë edhe po te mos e lexosh.
Duket që e kam marrë inat:-)), dhe kjo jo sepse nuk e pranon, por sepse ulet gjykon nje gjigand duke e parë nga vrima e çelsit, se çfarë ben.
Për tu rifreskuar kujtesën e për ta bërë peizazhin më të plotë po sjell disa pasazhe:
Zonja K. një grua e pasur qe gjithnjë ishte veshur me sqimë, ishte ende e re dhe shumë e paraqitëshme, paksa e zbehtë, me sy shumë të qeshur thuajse të zinj. Ajo nuk ishte më shumë se tridhjet e tre vjeç dhe ishte e ve prej pesë vjetësh. Vajza e saj katërmbëdhjetë vjeçare vuante nga paraliza e këmbëve. Vajza e shkretë nuk kishte mundur të ecte për gjashtë muajt e fundit dhe shtyhej me një karrocë me rrota të gjatë e të rehatëshme. Ajo kishte një fytyrë tërheqëse, paksa të hequr nga sëmundja, por të çelur. Kishte një rreze çapkëne në sytë e saj të mëdhenj të zinj me qerpikë të gjatë.
…
Sapo ja zuri syri atë, gruan e sëmurë e zuri lemza, piksante në mënyrë absurde, dhe dridhej e gjitha sikur ta kishte zënë një kriyë ngërçi.
…
Jam e ve prej më shumë se dy vjetësh, filloi ajo thuajse me pëshpërimë, e me një lloj rrënqethjeje. Jeta ime martesore ishte e rëndë, burri im ishte i plakur dhe më rrihte pa mëshirë. Ai dergjej, e duke e parë atë, nuk mund të mos mendoja se çfarë do të ndodhte me mua në ai bëhej mirë e ngrihej sërish. Dhe atëhere mua më erdhi mendimi…
…
…ethet e saj të natës janë zhdukur plotësisht këto dy ditët e fundit, …Dhe për më tepër ajo ndjehet më e fortë në këmbët e saj. Sot në mëngjez ajo ndjehej mirë kur u ngrit. Ajo ka fjetur gjithë natën. … Ajo gjthnjë qante por tani ajo qesh, ajo është e gëzuar dhe e çelur. Sot ajo insistoi që ta lejoja të ngrihej, dhe ajo qëndroi për një minutë pa asnjë mbështetje.
***
Qëllimisht nuk u thashë se pasazhet nuk janë marrë nga “Letrat e zgjedhura mbi Histerinë”, të Frojdit, e në to nuk paraqiten rastet e zonjushave Lucie R. Apo Elisabeth von R, por rasti i zonjushës Lisa apo siç duhet ti bjerë Elisaveta K. Pasazhet janë marrë nga kapitujt 3 dhe 4, respektivisht “Gra fshatare të devotshme” dhe “Një zonjë me besim të pakët” të “Vëllezërit Karamazov” të Dostojevskit, përfunduar më 1880 tre muaj para vdekjes së këtij, ndërkohë që Frojdi ishte student e siç thotë ai në Lekturën e parë mbajtur në Universitetin Clark më 1909: Dr. Joseph Breuer, bëri aplikimin e parë të kësaj metode (psiko-analizës- cd) ne rastin e një vajze histerike (1880-1882).
Dostojevski na jep një prift, At Zossima, që shëron ashtu si Breuer dhe ai vetë do të përshkruajnë edhe bëjnë. Na jep faktin se një mjek i kohës për ngritjen e shërimin e zonjushës nuk di ç’të thotë. Na jep në fund të kapitullit 4 se përse gjithë ajo histeri e Lisës ndaj Aljoshës, e cila sipas Frojdit: “Me fjalë të tjera: histerikët vuajnë më së shumti nga kujtimet.1” Ky 1 i fundit është për shënimin e Frojdit në fund të faqes që pohon se kjo gjendet edhe tek Moebius dhe Strumpell.
Unë kam lexuar më mbrapa Dostojevskin se Frojdin, dhe mezi durova sa të shkoja në shtëpi për ta krahasuar me Frojdin, krahasimi, të paktën për të shkruarit, e rrëzoi Frojdin a Breurin me të cilin Frojdi bashkëpunoi; po të mbeteshim në fushën e letrave – këtu ka plagjiaturë. Të lexosh Frojdin është si të lexosh Dostojevskin të armatosur me terma shkencorë. Por e shoh dhe kështu: Nëse Frojdi e Breuer e kanë lexuar Dostojevskin atëhere ky ka qënë shtysa për sa nisi Frojdi.
Mos përtoni, merrni librat (a gjejini on-line) e bëni vetë krahasimet.
Xha Xhai, mbase Frojdi duhet lexuar si paranobelisti Dostojevski.
Pseudonim NgaHalli, të kujtuan gjë pasazhet?
Natyrisht Freud-i ka pararendësit e vet; por kjo nuk ia zvogëlon madhështinë intelektuale. Edhe për Einstein-in kanë thënë se formulat e relativitetit mund të nxirren nga ekuacionet e Maxwell-it ose të Lorentz-it nëpërmjet transformimesh të thjeshta matematike; por kjo nuk ia pakëson Einstein-it meritat, sa kohë që ndërrimi i paradigmës në fizikë i detyrohet këtij, jo atyre.
Lyss, po sjell abstrakt te artikullit, sepse nuk kam kohe per me shume. Ndjese per anglishten:
“This paper argues that the story of Oedipus, however understood, conveys the psychic truth of no greater or more central importance to human development than do the stories of other myths. A distinction is made between sophisticated theories developed out of Freud’s original concept of the Oedipus complex, and the adherence by some clinicians to his original sexual theory. The meaning of Sophocles’s play “Oedipus the King” is found to lie in clash between Oedipus’s omnipotent narcissism (hubris) and the power of the unconscious psyche, rather than the in cross-generational sex. Emphasis is placed on the clinical usefulness of understanding all myths symbolically. The Oresteia by Aeschylus is offered as a story pre-Oedipal (in the Freud sense) psychic states. This trilogy shows symbolically the development of an ego, the establishment of moral judgment and the integration of our shadow (the Furies.) It also shows the parallel development of structures of law in society to replace instinctive blood feuds. It is suggested that had Freud chosen Orestes instead of Oedipus, the course of both psychoanalysis and of Western society would have had a different emphasis.”
Sa per fillim bisede ne lidhje me artikullin Clark shpjegon rrethanat nga te cilat lindi marredhenia Freud-Oedipus. Nje citim nga Freud:
“It is the fate of all of us, to direct our sexual impulse towards our mother and our first hatred and our first murderous wish towards our father. Our dreams convince us to do so. King Oedipus, who slew his father Laius and married his mother Jocasta, merely shows us the fulfillment of our own childhood dreams.”
Kritika e Clark fillon me faktin qe sipas saj, duke pasur parasysh elementet seksuale “cross-generational” ne familjen e Freud, ai pergjithesoi eksperiencen e tij ne nje teori gjitheperfshirese. Sipas Freud, historia e Edipit ka qene e rendesishme ne shoqerine perendimore per shume shekuj me radhe sepse perfaqeson dinamiken thelbesore psikologjike te te gjitha qenieve humane.
Kur ne te vertete, apo sipas Clark, arsyet se perse Edipi ka lene gjurme ne shoqerine perendimore, s’kane te bejne aspak me psikoanalizen. Por me faktin se Aristoteli e perzgjodhi Mbretin Edip tek “Poetika” per te ilustruar idene e tij se si duhet te jete/shkruar nje tragjedi. Per me teper, qe nga Rilindja e me vone, Poetika u be reference kyce se si duhej shkruar jo vetem tragjedia por dhe forma te tjera ne letersi.
Poetika (me gjithe Edipin) ka qene jo vetem nje veper me reverence (nderuar) si cdo gje tjeter e Greqise se Lashte gjate Rilindjes, por edhe sepse autoriteti i Aristotelit ne pergjithesi u be monumental ne curriculum te universiteteve ne Europe, dhe ne diskurset filozofike dhe teologjike kristiane. Keshtu qe pavaresisht, apo pertej implikimeve te psikoanalizes, Mbreti Edip ishte pjese thelbesore e mendimit Europian.
Per krahasimet Orest-Edip me vone se jam e zene per momentin.
Madhështia e dijetarëve të mëdhej nuk qëndron tek e ”vërteta absolute” e teorive të tyre, por tek zbulimi i ndonjë të vërtete të panjohur deri atëherë.
Frojdi, sikurse edhe dijetarët e tjerë të mëdhej, Darvini, Ajnshtajni, etj. kanë bërë revolucione në lëmitë përkatëse.
Para disa muajsh në një librari pashë një libër në të cilën kontestohet edhe ”Teoria e relativitetit” e Ajnshtajnit. Jo nga ndonji filozof, por nga një Dr i fizikës teorike. Nga një koleg i Ajnshtajnit. Ai thoshte: ”Në shkencat natyrore, pak ligje mund të quhen 100% të sakta, në mesin e tyre bën pjesë edhe Teoria e relativitetit.” Megjithatë, përpiqej ta hudhte poshtë si të pasaktë.
Nëse një teori e tillë, si kjo e Ajnshtajnit, hudhet poshtë, çka mund të thuhet për psikanalizën e Frojdit?
Nga Michel Onfray e kam lexuar në gjermanisht librin e tij ”Wir brauchen keinen Gott” që në origjinalin frëngjisht është botuar me titullin ”Traité d’atheologie.Physique de la métaphysique” Sh.B. ”Grasset”, Paris 2005.
Në kopertinën e këtij libri shkruan se është Bestseller nr.1 në Francë.
Michael Onfray është filozof radikal.Mendoj që libri i tij kundër Frojdit nuk mund t’i bëj dëm dijes.
P.S. Sipas psikologut Pajazit Nushi (autor i ”Fjalor i psikologjisë”), njohësi më i mirë i psikanalizës në Shqipëri në kohën e komunizmit, ishte Ulvi Vehbiu (babai i Xha Xhai-t).
Me rastin e vdekjes së Ulvi Vehbiut, babait të Xha Xhai-t, kolegët e tij botuan shkrimin “Burra që s’vijnë më” në gazetën Shekulli:
http://www.shekulli.com.al/2010/06/16/burra-qe-svijne-me.html
Nga kritikat kundër Freud-it që kam lexuar, më shumë më kanë bërë përshtypje ato që ia hedhin poshtë këtij rezultatet e psikanalizës si kurë, të zbatuar ndaj pacientëve konkretë.
Pyetja nëse Freud-i ka qenë apo jo mjek i mirë është legjitime dhe meriton përgjigje.
Disa prej pacientëve të Freud-it, si Dora, The Rat Man, the Wolf Man, Little Hans, etj. janë bërë të njohur falë shkrimeve të Freud-it vetë; ndërkohë që historianët e psikiatrisë dhe të psikanalizës kanë gjurmuar të sëmurë të tjerë. Gjithsesi, shumë autorë sot mendojnë se, si terapist, Freud-i linte shumë për të dëshiruar (As a Therapist, Freud Fell Short, Scholars Find).
Që këtej, logjikisht mund të lindë pyetja tjetër se sa të kënaqshme janë ato teori psikologjike të cilat mbështeten mbi një praktikë klinike në thelb të dështuar (sa i përket suksesit terapeutik; përndryshe, Freud-in e paguanin mirë). Në të vërtetë, teoritë e Freud-it janë më shumë spekulative sesa empirike; çka e afron atë më shumë me Nietzsche-n dhe Dostojevski-n, sesa me mjekun pozitivist dhe shkencëtarin mjekërosh të fundshekullit XIX, të cilin Freud-i vetë e merrte për model.
Nga ana tjetër, duhet pasur parasysh se në krahasim me metoda terapeutike të tilla si opiumi, morfina, kodeina, barbiturikët, klizmat, këmisha e forcës, shoku insulinik, elektroshoku, dushi me ujë të ftohtë, infektimi me malarje, shushunjat dhe lobotomia, psikoterapia e çfarëdo trajte, duke përfshirë edhe psikanalizën, përbënte dhe përbën sot e kësaj dite një hap përpara emancipues dhe humanizues, sa i përket trajtimit të të sëmurëve mendorë. Në këtë pikë, gjithsesi, Freud-i vazhdoi një praktikë të nisur nga të tjerë mjekë para tij, të cilët kishin shpresuar dhe investuar shumë, ndër të tjera, në hipnozën.
Megjithatë, këto punë kanë të bëjnë me historinë e psikiatrisë; për temën tonë, mjaft të biem dakord që teoritë e Freud-it nuk burojnë vetvetiu nga praktika e tij klinike; përkundrazi, ai u orvat ta përdorte psiko-analizën si truall ku të verifikonte teoritë e tij, hipotezat dhe intuicionet. Nëse është kështu, dështimet e tij si mjek terapist nuk do të ndikojnë në vlerësimin e teorive të tij; por ndoshta vetëm në vlerësimin e metodave të analizës të formuluara prej tij – roli i asociacioneve të lira, i analizës së ëndrrave dhe i transferencës në terapi.
Analiza dhe interpretimi i ëndrrave, për shembull, në krye e tërhoqën Freud-in si mënyrë e privilegjiuar për të ndriçuar nënvetëdijen e pacientit; por ideja se ëndrra është rojtari i gjumit dhe vetë konceptimi i ëndrrës si narrativë që përfaqëson një plotësim dëshire në nivelin simbolik, me të shpejtë i kapërceu kufijtë e praktikës terapeutike, për të gjetur zbatime në estetikë, kritikën letrare dhe artistike e më tej. Në të vërtetë, edhe shumë nga ëndrrat që analizoi Freud-i në librin e vet të hershëm (Die Traumdeutung, 1900), janë marrë nga letërsia dhe mund të konsiderohen si kritikë letrare.
Që disa nga kriteret interpretative të Freud-it janë kritikuar më pas – p.sh. obsesioni me seksualitetin – kjo nuk ia prek vlerën konceptit qëndror, të ëndrrës si narrativë që ka edhe domethënie edhe kuptim; qasje kjo që shpejt gjeti zbatime në fusha nga më të ndryshmet: kritikë letrare, folklor, antropologji, etj.
E njëjta gjë vlen edhe për teorinë tjetër të mendjes së organizuar në disa nivele, prej të cilave vetëm ego-ja (më saktë, pjesë të ego-s) janë të vetëdijshme. Edhe pse koncepti i pavetëdijes ndeshet në filozofë dhe autorë para Freud-it, koncepte të tjera, si ai i censurës dhe i represionit; ose edhe ai i projeksionit të autoritetit prindëror dhe më pas social në super-ego, janë ende në bazë të kulturës perëndimore, në trajtat që ekziston kjo sot.
Mund të thuhet edhe se Freud-i shpresonte shumë të mbetej në histori si shkencëtar i mendjes; por kontributi i tij sot ka mbijetuar në trajta të një mitologjie të mendjes dhe është integruar gjerësisht në filozofi dhe në përgjithësi në dijet humane, çka është në thelb ironike, por nuk ia cenon aspak meritat dhe famën.
Fillimisht,ulesise ju tregua qe Darvini ishte nje idiot i lindur,i semure.Bukuria qendron se tashme ata qendrojne nen “krijues”-it qe “qellimi inteligjent” qendron.Me vone do te vije vete nje moment qe do’ kerkohet te ç’mitizohet Freud.Ata qe dot’duan te ç’mitizojne Freud,do t’perdorin vete ç’ka zbuloi Freud;dobesitë qe qendrojne brenda nje njesi tipografike te pjeses se relievit ultesire.. venie e Freud kunder Freud.
Apo…jemi ne qe kemi nevoje per gjera te pandryshueshme,te sigurta,dogma,idole.Ndoshta jemi ne mesjetare te përjetshëm.Nuk duam t’na ndryshojne “biblen” psikologji.Jemi ne qe kemi nevoje te projektimi inteligjent te quajtur Zot.
Apo ..Ndoshta kane te drejte ata qe thone: “Shkenca ecen para”.Do te vije nje dite qe dikush do t’parakaloje Freud-in,Ashejtanin,Darvin.
Apo..shkon perpara dhe zbulon ekzistencen e Zotit duke mohuar Darvonin e XII,ne vitin 5010.
Apo..disa shkencetare kane filluar te dyshojne qe universi nuk ka qene krijuar ndonjehere.
Eshtë e njohur se përpara se ta shprehimi publikisht, përgjithsisht e formulojmë mendimin diçka më mirë. Por me këtë akt gati instinktiv në menyrë inkoshiente (per të mbetur brenda temes)ne vëmë një rregull që nuk ishte më parë edhe në mendimet e idetë tona.
Megjithatë, them se duhet shmangur një kurth madhor, ai i përsëritjes së diskutimeve në frymën e debateve qe behen që prej një shekulli për këtë temë.
Ka shumë që sot e vënë në dyshim formulën e mekanikës qiellore (dhe në të vërtetë ka diçka që duhet parë ne të) por ka edhe të tjerë, emrat e të cilëve i njohim më pak, që me atë formulë e çuan njeriun në hënë.
Me këtë dua të them, se psikanaliza e frojdizmi nuk është vetëm një teori , nuk është vetëm një teori e papërkryer, me pjese te paqarta e te diskutueshme, por është edhe një instrument i frikshëm, që megjithë papërsosmërinë e tij, ndihmon së tepërmi të kuptojmë mjedisin dhe njerëzit që na rrethojnë. Dhe këtu secili ka mënyrën e tij të përdorimit, krejt të pavarur. Une jam per ketë natyrë diskutimesh. Përndryshe, temën në fjalë ka burra te tjerë (dhe gra, natyrisht) që e njohin më mirë se ne.
Prej këndej mund të vijnë përvoja krejt të jashtëzakonshme e të paparashikuara. Fjala vjen, në logjikën e akteve të munguara (zbulim gjenial e krejt personal i Frojdit) jepen një sërë shembujsh klasikë dhe unë po përmend vetëm ato më të njohurit.
Kur ju ngriheni nga tavolina e një restoranti me miqtë tuaj dhe merrni të ikni, befas te dera vëreni se keni harruar çelësin e makinës. Nuk është krejt pa vend, që këtu të vërejmë një shenjë inkoshiente se ajo mbrëmje ka qenë e kënaqshme për ju dhe se do të dëshironit të rrinit ende aty.
Më tej, nuk besoj se më ka ndodhur vetëm mua që pas një diskutimi, në një takim të çfarëdoshëm a në një grumbullim të rastit, të rri e ta zgjas pak si tepër bisedën me dikë.
E pra, po qe se kjo ndodh jashtë normave të njohura, ka rrezik se aty pranë është edhe një person tjetër,të cilit ju nuk doni t’i flisni dhe zgjasni muhabetin në mënyrë inkoshiente, deri sa ai tjetri të mërzitet e të ikë.
Personalisht, më ndodh,që kur përcill kalamajtë për në shkollë, në çastin e fundit (natyrisht pasi kanë hetuar çfarë klime qarkullon në fytyrën time) ata më kërkojnë një dy eurosh për të blerë një çokollatë te automati i shkollës. Nuk besoj që jam i vetmi që nuk kam dy euro dhe i jap pesë.
Kur në darkë, para se të flenë ata vijnë të më thonë natën emirë, unë nuk ngurroj t’u kujtoj se më kanë tre euro borxh. Ata skuqen, kërkojnë falje, duke më thënë se kanë harruar dhe vijnë e më sjellin menjëherë kusurin.
Këtu është çasti i takimit tim të fundit me Frojdin për atë ditë : Me një ton, sa më të butë, për të mos i fyer, u vë në dukje borxhlinjve të mi të vegjël, se ajo harresa e tyre e vogël, nuk bën gjë tjetër veçse tradhton dëshirën për të mos i kthyer borxhin tjetrit:-)) .
Nga ky nivel mund të ngrihemi edhe më lart në tematikë.
P.sh. fakti që menjëherë pas luftës kostumografia e baleteve shqiptare ishte krejt moderne, pothuaj transparente dhe më pas në skenë nuk shihje gjë tjetër veçse gra me çitjane tre gisht të trasha, a ka lidhje kjo me ndonjë porosi inkoshiente të Enver Hoxhës, të i cili ishte shfaqur në vitet 50 diabeti me pasojat që jep rreth njëzet vjet më vonë, e midis të cilave është e njohur edhe impotenca seksuale ?
E shoh që nuk jam i qartë, por ideja është se ka të ngjarë që transparenca e kostumeve të dikurshme t’i kujtonte atij një tragjedi personale dhe kthimi te çitjanet të mos jetë një kthim i thjeshtë te traditat, por një porosi inkoshiente e veshur me argumente ideologjikë?
Çfare marredheniesh ka patur E. Hoxha me te atin, te cilin nuk e permend pothuaj kurre, nderkohe qe flet aq shume per xhaxhain?
Si shpjegohen mardheniet aq fuzionale me te motren?
Thua te shoqin e saj e vrau thjesht per arsye politike? Pse kembenguli per vrasjen e tij kur K. Xoxe i raporton e thote, se nuk i rezultonin prova te mjaftueshme per ta dënuar me vdekje?
Me tej, a mundet që tragjedia shqiptare e viteve nen komunizëm të studiohet e kuptohet me mirë nën prizmin e konceptit të pulsionit të vdekjes (Thanatos) që Frojdi përpunoi diku nga viti 1920 ? (Për të kënaqur këdo që i beson idesë së kopjimit, po them se Frojdi nuk e ka fshehur te Tipiku i dytë se këtë ide e ka pasur nga një tekst i S. Spielrein).
Në të Frojdi flet për pulsione të përsëritura të nevrotikëve të luftës. Ata që kanë jetuar skena lufte, vrasjesh masakrash, janë të prirur t’i përjetojnë gjithnjë e më shpesh ato skena, të paktën në ëndrra, bashkë me reminishencat që japin njëjtën e përditshme.
A mos fati i keq i atij vendi ishte vulosur që kur votoi të mbante në krye ata që kishin bërë luftën ?
Dhe,vertet, fataliteti ekziston kur mendon se nuk kishte si të ndodhte ndryshe!
Keta shembujt e sjelle mund te interpretohen edhe ne menyra te tjera pa qene nevoja e implikimit te Frojdit.Ja nje variant :
“Kur ju ngriheni nga tavolina e një restoranti me miqtë tuaj dhe merrni të ikni, befas te dera vëreni se keni harruar çelësin e makinës. Nuk është krejt pa vend, që këtu të vërejmë një shenjë inkoshiente se ajo mbrëmje ka qenë e kënaqshme për ju dhe se do të dëshironit të rrinit ende aty. ”
Mjafton ta shikojme rastin ne te kundertin e vet, dmth te harroni celsat ne tavolinen qe s’ju ka pelqyer aspak (nen presionin e ndjenjes “te iki nje cast e me pare”) dhe arrijme ne nje situate kur per te njejtin veprim kemi rezultate te ndryshme, gje qe do te thote se nuk mund te vendoset asnje korespondence midis ‘harreses’ dhe ‘shenjes inkonshiente’
“Më tej, nuk besoj se më ka ndodhur vetëm mua që pas një diskutimi, në një takim të çfarëdoshëm a në një grumbullim të rastit, të rri e ta zgjas pak si tepër bisedën me dikë.
E pra, po qe se kjo ndodh jashtë normave të njohura, ka rrezik se aty pranë është edhe një person tjetër,të cilit ju nuk doni t’i flisni dhe zgjasni muhabetin në mënyrë inkoshiente, deri sa ai tjetri të mërzitet e të ikë.”
Sic duket qarte edhe nga teksti ketu nuk behet fjale per asnje element inkoshient, perkundrazi eshte fare e qarte se ju po kerkoni nje menyre per te shmangur personin e padeshiruar; jeni ne dileme ta shmangni brutalisht apo me delikatese. Gjithcka ka te beje me marrjen e nje vendimi si te veproni ,prej ketej zgjatja e bisedes eshte nje trik teresisht koshient.
“Personalisht, më ndodh,që kur përcill kalamajtë për në shkollë, në çastin e fundit ata më kërkojnë një dy eurosh për të blerë një çokollatë te automati i shkollës. Nuk besoj që jam i vetmi që nuk kam dy euro dhe i jap pesë.
Kur në darkë, para se të flenë ata vijnë të më thonë natën emirë, unë nuk ngurroj t’u kujtoj se më kanë tre euro borxh. Ata skuqen, kërkojnë falje, duke më thënë se kanë harruar dhe vijnë e më sjellin menjëherë kusurin.
Këtu është çasti i takimit tim të fundit me Frojdin për atë ditë : Me një ton, sa më të butë, për të mos i fyer, u vë në dukje borxhlinjve të mi të vegjël, se ajo harresa e tyre e vogël, nuk bën gjë tjetër veçse tradhton dëshirën për të mos i kthyer borxhin tjetrit “.
Per keta femije , te cilet jane mesuar te kene mengjezeve cokollaten e perditshme,aq sa mund te jete kthyer ne nje refleks te kushtezuar per ata vete dhe per prindin,nuk ka asnje motiv inkoshient moskthimi i borxhit.E kthejne apo jo, ata te nesermen do ta kene perseri cokollaten.
Pse nuk e kthejne? Mund te gjesh njemije arsye, por me e thjeshta sepse jane femije dhe ka aq sende qe terheqin vemendjen e tyre qe te kujtohen per kthimin e nje “borxhi”.Por nese bejne sikur harrojne atehere nuk eshte veprim inkoshient por teresisht koshient,sepse sido qe te veje puna te nesermen do ta kene perseri cokollaten e tyre.
Pastaj me ngritjen me lart ne tematike hyjme ne domenin e mistikes…
Kur e lexon se pari e sidomos ne rini ,Frojdi eshte padyshim teper terheqes.Pastaj me pjekurine gjerat ndryshojne, disa vazhdojne t’i japin te njejtin besim te patundur, disa preferojne te jene me tokesore duke gjykuar se fusha e aplikimit frojdian eshte teper e kufizuar, gjithsesi asnjehere universale. Secili zgjedh ate qe mundet.Sidoqofte kjo nuk duhet te perbeje ndonje problem perderisa njeriu edhe per ceshtje akoma me te rendesishme ka qasje individuale.Por pikerisht kjo qe psika e cdo njeriu eshte unike e ben psikologjine ne pergjithesi dhe frojdizmin ne vecanti te kene nje koeficient mesatarizues te dobet.
Fatma,keni ruajtur te njëjtën gjatësi vale me mua edhe pse shihni në prizëm të kundërt shembuj që u sollen në krye te heres. Përsëri mbesim ne një veprim inkoshient. Pra, edhe duke marre versionin e anasjelltë, që darka nuk ka qene e pëlqyeshme dhe kjo ka sjelle harresën e çelësave, vete akti i harresës shpreh një veprim inkoshient, edhe pse ka pak te ngjare qe të ndodhe ne ketë sens qe propozoni ju.
Pse? Nëse ndarja nga nja tavoline e mire vjen gjithnjë papritur (se koha kalon shpejt), në rastin e kundërt, kur ajo ka qene jo aq e kendeshme, ka pak shanse qe te harrosh çelësat. Ti i ke marre te gjitha masat qe çastet e mërzitshme te mos zgjasin. Midis tyre, është edhe futja me kohe e çelësave ne xhep.
Te njëjtin interpretim kam edhe për rastet e tjera, por po evitoj te hyj në detaje që mund të bëhen të bezdisshme për të tjerët.
Gjithsesi kujtoj se u ndalëm në këto veprime inkoshiente (dhe unë solla rastet krejt klasikë e gati shkollareskë, që përdoren në një farë kuptimi për shpjegimin elementar të akteve të munguara) sepse aty filloj kjo histori, te kritika që i bënte Onfray, te fakti se këmbëngul qe nuk ishte Frojdi ai që kishte folur i pari për inkoshiencën.
Rastet që solla kishin për qëllim që të tregonin sa sa larg shkoi profesori vjenez dhe sa të strukturuar na e paraqiti, atë, inkoshiencën.
Nese nuk ju binda, faji eshte gjithnje i atij qe nuk gjendet midis nesh, i S. Frojdit:-))
Dy fjalë për terminologjinë.
Koshiencë – Ndërgjegje – Vetëdije
Nënkoshiencë – Nënndërgjegje – Nënvetëdije
Cila formë përdoret sot më gjërësisht?
Nuk pretendoj se e kam një përgjigje të prerë për këto çështje; por kam dëgjuar të përsiatet, ndër leksikografë, se vetëdije duhet përdorur për conscientia si kategori thjesht psikologjike, ndërsa ndërgjegje për conscientia si dukuri sociale/etike; më tej, pavetëdije përkon me inconscientia, ndërsa nënvetëdije me subconscientia. Freud-i bënte dallim të qartë mes këtyre dy kategorive të fundit.
Frojdi tha: Ishte njehere nje europian i cili vendosi te shkonte ne Japoni. Mbasi arriti atje, kerkoi te punesonte nje specialist kopeshtar qe ti mbillte bahcen. Kopeshtari diten e pare u ul ne stol dhe vetem rrinte e sodiste, po keshtu edhe te dyten, edhe te treten. Atehere Europiani u shqetesua se ky ishte dembel, dhe i tha — une te kam punesuar te mbjellesh bahcen jo te rrish te sodisesh ambjentin. Kopeshtari japonez u pergjigj — po si do mundem dot te krijoj nje bahce te bukur nese nuk e njoh ambjentin.
Frojdi per mua eshte ontolog i mire, por jo i madh. Cka beri Frojdi, ishte ajo qe asnje filozof i qenies nuk ka marre mundimin qe prej Parmenidit ta beje, ti futet empirizmit.
Asnje se ka marre mundimin sepse cka kapet me intuite, nuk mund te kete analitike pozitiviste. Frojdi e provoi, meqe ashtu ishte edhe epoka.
Risia metafizike e Frojdit ishte treshja e famshme(Esi,uni, mbiuni), qe as me intuite s’kapet dot, ne ndryshim nga dyshja antike esenca dhe forma, gjeja ne vetvete dhe gjeja per vete, ajo qe eshte dhe ajo qe duket, shpirti dhe trupi, ideja dhe materia.
Risia frojdiane eshte ceshtje e pastert besimi, o e beson o nuk e beson. Une per vete nuk e besoj meqe mendoj se ka bere nje lemsh mes qenies dhe te qenit qe ska bir nene ta ftilloje dot.
Nderkaq, nuk me duken per tu hedhur poshte si ad hominem akuzat, meqe Lacani nuk duket te kete qene mire nga trute e kokes, ndersa Foucault-i pervec depresionit ishte edhe homoseksual.
Seksualiteti i trajtuar nga njerez me anomali, dhe ne kete menyre qe eshte trajtuar ne Perendim, nuk me duket kulmi
Nje shkrimtar ndergjinor (nga femer ishte kthyer ne mashkull) te merrte me qafe me llafe kur justifikonte vetveten dhe sigurisht nuk mund te mungonte semundja e fobise tek pala qe nuk pranon ndergjinoresine.
Gjithsesi psikanaliza do lindte me patjeter pas vdekjes se Zotit dhe burgosjes se metafizikes,pasi njerezimit s’kane per t’ju shqitur ndonjehere frika e vdekjes, ankthet e ndryshme dhe krizat ekzistenciale.
Frojdi nuk bie, te pakten derisa te mbahet e burgosur metafizika. Frojdi eshte drejtori i burgut.
””se vetëdije duhet përdorur për conscientia si kategori thjesht psikologjike, ndërsa ndërgjegje për conscientia si dukuri sociale/etike””
Vetedije mendoj se duhet lidhur me ‘coscienza’ ndersa ndergjegje me ‘autocoscienza’.
Vete-dije, duket te thote njohje e vendit te vetes ne mjedis.
Ndersa nder-gjegje, pervec vetes, duket te implikoje vetveten, sepse per te pasur nje nder- duhet te kemi te pakten 2 entitete, keshtu qe tek nder-gjegja duket se vetja(entiteti 1) behet e vete-dijshme per vetveten (entiteti 2), pra arrihet nje shkalle superiore e njohjes.
Njeriu jeton pergjithesisht ne nivelin e vetedijes, mberritja tek ndergjegjesimi duket te jete po aq pune e veshtire sa njohja e gjese ne vetvete apo esences se gjerave.