nga Aristotel Spiro
Titulli origjinal: Parim fonetik, fonematik, fonologjik apo mungesë e alibisë semantike
Tashmë është e qartë se të konsideruarit e një parimi fonetik si parim bazë i drejtshkrimit të shqipes është mjaft problematik dhe nuk ndihmon në ndërtimin e një ligjërate të arsyetuar për parimet e drejtshkrimit. Shkrimi i gjuhës nuk është një transkriptim i thjeshtë i anës tingullore të gjuhës, por një marrëdhënie më komplekse. Është një mënyrë pamore e paraqitjes së ligjëratës, e cila nga ana e saj përfaqëson realizimin fonetik të fonemave të gjuhës. Shenjat grafike, grafemat, duhet të jenë të afta që, nga njëra anë, të japin me besnikëri fonemat e gjuhës dhe, nga ana tjetër, të pasqyrojnë saktë anën fonetike të ligjëratës. Për këtë arsye, krahas grafemave kryesore themelore, shkronjave, përdoren edhe shenja ndihmëse grafematike, që pasqyrojnë dukuritë fonetike mbisegmentore, siç janë shenjat e pikësimit, apo shenjat e ndryshme diakritike, shënues të hundorësisë apo sasisë së tingujve etj. Për të përshkruar anën fonetike të ligjëratës përdoret Alfabeti Fonetik Ndërkombëtar (AFN) ose anglisht International Phonetic Alphabet (IPA), i cili përmban simbolet grafike të të gjitha nyjëtimeve të mundshme të aparatit fonetik njerëzor, i përdorshëm për analizën fonetike të të gjitha gjuhëve të botës. Ky Alfabet Fonetik Ndërkombëtar është në njëfarë mënyre një «bankë qendrore» fonetike e njerëzimit, prej së cilës çdo gjuhë shfrytëzon simbolet që i përshtaten më shumë fonetikës së saj. Pas këtyre realizimeve fonetike qëndrojnë sisteme fonologjike të ndryshme, shkalla e largësisë së të cilave ndryshon nga njëra gjuhë në tjetrën ose nga njëri grup gjuhësor në tjetrin.
Shkrimi duhet të jetë në gjendje të pasqyrojë njëkohësisht jo vetëm realizimin fonetik të gjuhës, por të bëjë të qartë sistemin e saj fonematik si dhe strukturën morfematike të gjuhës.
Kjo kërkesë teorikisht maksimaliste (përderisa alfabetet janë shpikur shumë kohë përpara teorive të shkrimit dhe drejtshkrimit) është tejkaluar nga nevojat praktike të njerëzve. Pavarësisht se thuhet që shpikësit e alfabetit kanë qenë gjuhëtarë të mëdhenj, gjë që në një kuptim është e vërtetë, prapëseprapë e gjithë kjo madhështi ka rrjedhur prej nevojave praktike, për përmbushjen e të cilave është shfrytëzuar në një masë të madhe intuita gjuhësore në analizën e sistemit fonetik të gjuhës, ku mendja njerëzore analizon instinktivisht çfarë është fonemë dhe çfarë është realizim fonetik i një foneme. Në këtë kuptim, folësit nuk kanë nevojë për mësime gjuhësie që të kuptojnë se çfarë është fonemë, si funksionon ajo dhe çfarë paraqitet si realizim fonetikisht i ndryshëm nga vlera fonetike e një foneme të caktuar. Ata e flasin gjuhën duke interpretuar vetiu sistemin fonologjik të gjuhës së tyre në një fazë të caktuar të zhvillimit të saj.
Kjo situatë komplekse e bën të pamjaftueshme vendosjen e një parimi fonetik në bazë të drejtshkrimit, meqenëse shkrimi i një gjuhe nuk mund të konsiderohet si transkriptim fonetik i të folurit (angl. utterance). Njëkohësisht, bën të pamjaftueshëm edhe zbatimin e një parimi fonematik, pasi shkrimi i një gjuhe nuk është as transkriptimi i saj fonematik. Nga përvoja jonë studimore, transkriptimi fonematik është një veprimtari e komplikuar deri edhe për një specialist, pa le pastaj për një individ që nuk e ka qasjen e mjaftueshme teorike gjuhësore.
Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) përcaktoi (në mënyrë të pasaktë!) si parim themelor të drejtshkrimit të shqipes parimin fonetik. Sado zemërgjerë të tregohemi duke e shfajësuar këtë përcaktim me shkallën e zhvillimit të studimeve fonetike (Dodi 2004: 3, Dodi 2023), nuk na ndihmon aspak për këtë prononcimi i Androkli Kostallarit, i cili nuk lë vend për ekuivoke duke hedhur poshtë në mënyrë kategorike parimin fonologjik të drejtshkrimit të shqipes: «Por, në qoftë se parimin fonetik do ta përkufizonim si parim fonologjik a fonematik, ne mendojmë se do ta ngushtonim sferën e tij, sepse në drejtshkrimin e shqipes, ka një varg ortogramesh që nuk kanë të bëjnë në vetvete me sistemin fonologjik por janë pasojë e dukurive fonetike në kuptimin e ngushtë, d.m.th. kushtëzohen nga pozicioni i një tingulli të caktuar në lidhje me theksin…» (Kostallari 1973: 67). Nga ky citim kuptohen qartë dy gjëra, se A. Kostallari:
- a) e mohon me ndërgjegje parimin fonologjik, duke e quajtur këtë koncept të ngushtë në krahasim me parimin fonetik;
- b) vë shenjën e barazimit midis parimit fonologjik dhe parimit fonematik.
Në të dyja rastet Kostallari nuk ka të drejtë.
Perceptimi fonologjik i drejtshkrimit të gjuhës është më përfshirës, sepse e përmban anën fonetike. Perceptimi fonetik i drejtshkrimit është më i ngushtë, sepse lidhet me realizimet fonetike të ligjëratës me performancën gjuhësore. Barazimi i anës fonetike me atë fonologjike si dhe i shkronjave me fonemat ka pasur pasoja të dëmshme në analizën fonologjike të gjuhës. Këto pasoja ndihen edhe sot e kësaj dite në studimet fonologjike mbi gjuhën shqipe. Kështu, duke u barazuar shkronja me tingullin dhe tingulli me fonemën, automatikisht interpretohet çdo shkronjë si shënuese e një foneme. Në ortogramat <surrealist> dhe <surrealizmi>, për shembull, <rr>-ja përfaqëson dridhësen e fortë apo dridhësen e thjeshtë? Nuk dimë të ketë ndonjë prononcim të fonetikanëve që këtu kemi dridhësen e thjeshtë /r/ / [r]. Po ashtu në shembujt e mësipërm <s>-ja në <ist> dhe <z>-ja në <izmi> a janë realizime të një foneme të vetme /s/ apo janë dy fonema të ndryshme (/s/ dhe /z/)? Raste si këto ka me shumicë në shkrimin dhe drejtshkrimin e shqipes. Por, nëse nisemi nga parimi fonetik, është e vështirë, në mos e pamundur që të shpjegojmë se çfarë ndodh.
Pikëpamja e A. Kostallarit për parimin fonetik të shqipes pati kundërshtime qysh në Kongresin e Drejtshkrimit. Bahri Beci deklaronte se «… do të ishte më e përshtatshme të pohonim që parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes është parimi fonematik, fjalët shkruhen në pajtim me përbërjen fonematike të tyre» (Beci 1973: 314).
Mirëpo, praktika shkrimore dhe drejtshkrimore e gjuhës shqipe dëshmon se jo gjithmonë grafemat pasqyrojnë vlerën tingullore të fonemave. Në mjaft raste grafema pasqyron vlerën tingullore të allofoneve, gjë që përbën edhe shkasin e emërtimit në mënyrë të gabuar të parimit themelor të drejtshkrimit të shqipes si parim fonetik.
Le të marrim shembullin e një fjalie / vargu grafematik:
<Agroni shkon në shkollë çdo ditë>
Këto grafema mund të transkriptohen fonematikisht si vijon:
Nëse transkriptimi fonematik është i njëjtë, transkriptimi fonetik nuk është i njëjtë në raste të ndryshme:
Nga ky shembull kuptohet se kriteri i sigurt i përkatësisë tingull (/fonemë/ /[realizim fonetik]) : shkronjë (<grafemë>) nuk mund të merret parasysh në mënyrë të njëanshme, me fonemën ose realizimin e saj fonetik si elemente referimi, por të dyja së bashku.
Shkrimi i gjuhës është një veprimtari me karakter praktik, që gërsheton ndjenjën e sistemit fonologjik me performancën gjuhësore.
Si pikë referimi shërbejnë jo vetëm fonemat e gjuhës, por edhe realizimet e tyre fonetike. Kjo marrëdhënie e dyfishtë na imponon që të marrim në konsideratë jo vetëm sistemin fonetik të shkëputur nga sistemi fonematik, as sistemin fonematik të shkëputur nga sistemi fonetik, por t’i referohemi sistemit fonologjik të gjuhës si një marrëdhënie që zhvillohet midis bazës fonetike dhe performancës ligjërimore, midis sistemit fonematik dhe realizimeve fonetike të ligjërimit.
Për këtë arsye, parimi themelor i shkrimit dhe i drejtshkrimit të gjuhës nuk mund të përcaktohet as si fonetik (Kostallari 1973: 67) as si fonematik (Beci 1973: 314), por si parim fonologjik (Spiro 2022a: 87).
Parimi fonologjik lejon të kuptohet marrëdhënia midis grafemave nga njëra anë dhe fonemave ose realizimeve të tyre fonetike nga ana tjetër.
Është thënë mjaft herë qysh në Kongresin e Drejtshkrimit (Kostallari 1973: 67) dhe është përsëritur edhe në këtë revistë (Dodi 2023) se parimi fonetik mund të përfshijë ose të nënkuptojë edhe aspektin fonologjik. Mirëpo, kjo nuk është e saktë.
Parimi fonologjik nuk është thjesht çështje e një korrigjimi apo zëvendësimi terminologjik të atij që është quajtur parim fonetik i drejtshkrimit shqip. Ai ka të bëjë me marrëdhënien e përgjithshme që zhvillohet midis fonemave dhe pasqyrimit të tyre grafematik. Është sidomos i vlefshëm për të kuptuar ato raste ortogramesh që në literaturën gjuhësore shqipe janë interpretuar gabimisht si zbatim i të ashtuquajturit «parim morfologjik». Siç kemi argumentuar në mjaft raste (p.sh., Spiro 2022a, Spiro 2022b), «parimi morfologjik» nuk gjen zbatim në drejtshkrimin e gjuhës shqipe, pra, nuk ekziston ndonjë parim i tillë drejtshkrimor në këtë gjuhë. Ky parim, ashtu siç është formuluar nga Androkli Kostallari, «kërkon që pjesët e tyre përbërëse të sistemit trajtëformues e fjalëformues të shkruhen njësoj» (Kostallari 1973: 68). Mirëpo, kjo mënyrë formulimi e këtij parimi nuk ndryshon në formë dhe në thelb raportin e vendosur midis fonemave dhe grafemave. Identifikimi i morfemave trajtëformuese dhe fjalëformuese arrihet nëpërmjet grafemave që pasqyrojnë me besnikëri fonemat e fjalëve dhe pjesëve të tyre. Pra, çka Kostallari e të tjerë pas tij etiketojnë si «parim morfologjik» nuk është gjë tjetër veçse parimi fonologjik i gjuhës shqipe. Shkrimi i bashkëtingëlloreve të zëshme në pozicion fundor (vend, oriz, zog, brez, shteg, larg, ndez, hedh etj.), apo në kufijtë morfematikë (mundtë, mbledhje, shtegtar, argjendtë, zogjtë, ligjtë, arritsha, sotshëm etj.) apo shkrimi i ë-së në pozicion fundor apo në kufijtë morfematikë (fshatarë, shokë, anëtarë, blerës, rrobaqepës, Durrësi, Kukësi, thyejmë, shkruajmë, punojë, hajë, bëmë, bëtë etj.) (shih edhe Dodi 2004: 251v) imponohet jo prej ndonjë nevoje identifikimi të morfemave trajtëformuese, po për arsye të konfirmimit të pranisë së një foneme të caktuar, e cila kryhet me mjetin pamor të grafemës. Një kusht që të kemi zbatim të parimit morfologjik është identifikimi i morfemave homofone nëpërmjet grafemave apo kombinimeve të tyre (Sgall 1989: 20) (të quajtura morfograma). Prania e shkronjave nuk lidhet domosdoshmërisht me fonemat përkatëse, por me morfemat. Me fjalë të tjera, një apo më shumë shkronja shkruhen në një mënyrë të tillë që ndihmojnë në identifikimin e një morfeme të caktuar, edhe pse nuk lexohen. Pjesët përbërëse të këtyre kombinimeve grafematike nuk përkojnë fonetikisht me fonemat përkatëse. Khs. frëngjisht <écris> ‘shkruaj’ [e΄kʁi], <écrit> ‘shkruan’ (ai/ajo) [e΄kʁi], anglisht <sign> [saɪn] ‘shenjë’, <signature> [΄sɪɡnətʃə(r)] ‘nënshkrim’. Në rastin e frëngjishtes, prania e shkronjës <s>, përkatësisht <t> shërben për të diferencuar vetën e parë nga veta e tretë e foljes, dhe këto shkronja nuk përkojnë me asnjë fonemë përbërëse të fjalëve; tema e fjalës lexohet njësoj. Në rastin e anglishtes, parimi morfologjik merr trajtë tjetër: tema e fjalës shkruhet njësoj <sign> megjithëse shqiptohet ndryshe në të dy rastet. Pra, premisa e të shkruarit njësoj të pjesëve përbërëse të sistemit trajtëformues e fjalëformues, ashtu siç e formulon A. Kostallarit, është e pamjaftueshme, meqenëse ky kusht në shqipe plotësohet shumë bukur nëpërmjet përkatësisë fonemë: grafemë. Në shqip mund të bëhej fjalë për parim morfologjik të drejtshkrimit, në qoftë se grafemat do të përdoreshin për të shënuar morfema jashtë lidhjes së tyre përkatësore me fonemat. Me një fjalë, do të funksiononin si morfograma shënuese morfemash. Mirëpo, një gjë e tillë në gjuhën shqipe nuk ekziston dhe as ka ekzistuar ndonjëherë.
PËRFUNDIME:
Pas gjithë sa parashtruam më sipër, na rezulton se pranimi i funksionimit të parimit fonologjik të drejtshkrimit shqip nuk është thjesht një zëvendësim apo korrigjim i formulimit të gabuar të Kongresit të Drejtshkrimit për parimin fonetik si parim bazë drejtshkrimor.
Përcaktimi i saktë i parimit themelor dhe i parimeve dytësore të drejtshkrimit shqip ka rëndësi kryesore për të kuptuar marrëdhëniet midis sistemit fonologjik, fonetik dhe grafematik të shqipes. Çështja e këtij përcaktimi nuk mund të jetë subjekt i një marrëveshjeje midis gjuhëtarëve apo intelektualëve, por një realitet që ekziston objektivisht dhe që kërkon të studiohet, të interpretohet e të kuptohet saktë. Nëse biem dakord se imponohet një përgjegjësi në përdorimin e fjalëve dhe termave, se ka dallime të qarta midis koncepteve «fonetik», «fonematik» dhe «fonologjik», atëherë çdo alibi semantike për të përdorur njërin prej tri termave duke nënkuptuar njëkohësisht dy të tjerët, është teorikisht e gabuar dhe praktikisht e dëmshme. Për pasojat e këtyre dëmeve jemi dëshmitarë gjatë gjithë kësaj periudhe 50-vjeçare, e cila ka prodhuar një ligjëratë të pafrytshme propozimesh për parime inekzistente drejtshkrimore (i ashtuquajturi «parim morfologjik»), propozime absurde drejtshkrimore për ortograma me <ë> apo pa <ë>, propozime për heqje apo zëvendësim shkronjash, kontestime të standardit etj. etj.
Drejtshkrimi shqip nuk ka në bazë të tij as parimin fonetik, as parimin fonematik. Në bazë të drejtshkrimit shqip qëndron parimi fonologjik. Nga ana tjetër, parimi «morfologjik» i drejtshkrimit shqip nuk ekziston. I gjithë argumentimi i deritanishëm për ekzistencën e parimit morfologjik të drejtshkrimit shqip shkon në të mirë të parimit fonologjik të drejtshkrimit shqip. Kjo do të thotë se të pranosh që drejtshkrimi shqip ka në bazë të tij parimin fonologjik pa hedhur poshtë njëkohësisht të ashtuquajturin parim «morfologjik» është thjesht një kompromis pa përmbajtje.
(c) 2023 Aristotel Spiro. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
REFERENCA BIBLIOGRAFIKE:
Beci 1973 = Beci, Bahri. 1973. Rreth parimit tradicional historik në drejtshkrimin e shqipes. Në: Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (20-25 nëntor 1972). I. Tiranë: Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. 313-321.
Dodi 2004 = Dodi, Anastas. 2004. Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Dodi 2023= Dodi, Auron, Rreth parimit fonetik në drejtshkrimin e shqipes. Në: https://peizazhe.com/2023/01/03/rreth-parimit-fonetik-ne-drejtshkrimin-e-shqipes/ (vizituar së fundi më 04.01.2023).
Kostallari 1973 = Kostallari, Androkli. 1973. Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj. Tiranë: Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë.
Sgall 1989 = Sgall, Petr. 1987. Towards a theory of phonemic orthography. Në: Luelsdorff, Philip. A. (ed.), Orthography and Phonology. Amsterdam/Philadelphia: John Benjamins Publishing Company. 1-30.
Spiro 2022a = Spiro, Aristotel. 2022. Për një drejtshkrim shqip modern. Tiranë: UET PRESS.
Spiro 2022b = Spiro, Aristotel. 2022. Për një riformulim të parimeve të drejtshkrimit. Në: https://peizazhe.com/2022/12/09/per-nje-riformulim-te-parimeve-te-drejtshkrimit/ (vizituar së fundi më 04.01.2023).