Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art / Muzikë

JETA DHE XHAZI I DJANGOS

nga Bujar Meholli

Django Reinhardt ishte dhjetë vjeç kur lufta kishte mbaruar dhe terrori kishte ulur siparin. Gjatë vitit 1920 e më tej, Parisin, kryeqytetin artistik të mbarë botës, e rigjen prapë ajo gjallëria e njohur të cilën e pati turbulluar lufta, mungesa e ushqimit, epidemitë, frika. Por tashmë amnezia qe shtrirë trurit e zemrave njerëzore për t’i fashitur pasazhet e egra të përditshmërisë mes bajonetave, inercisë sociale-politike të atyre kohëve të errëta. Ky shkëlqim lëbyrës, kjo aureolë e Belle Époque, po psoniste ndjenjat më fine të fshehura në skutat më të thella të shpirtit – Parisi u ringjall si qytet, gati për të krijuar epokën e re në art dhe kulturë. Ja sa bukur e përshkruan, me pak fjalë, magjinë e Parisit diplomati anglez Sir Fitzroy Maclean: “Një dush. Një gotë pije. Dhe pastaj, e gjithë larushia e dritave, ngjyrave, aromave dhe zhurmave të natës në Paris. Darka me grupe të vogla, me kravata të zeza dhe ai lloji i bisedave të veçanta e të përgjithshme, për të cilat francezët s’e kanë shoqin. Femrat e veshura shik; ushqimet më të zgjedhura, verërat më fine, konjaku më i përkryer në botë. Mbrëmjet në restorante, mbrëmjet në klubet e natës. Teatri De Dix Heures, muzika, këngët; shakatë mbi politikën dhe seksin. Kofshët e kolme të valltareve me çorapet e gjata prej mëndafshi të zi. Javë pas jave, muaj pas muaji…”[1]Maclean Fitzroy, Udha e artë, OMBRA GVG, 2003, përkthyer nga Aleksandër Koli, f. 21-22. Kafeneve e bareve të Parisit nisi të luajë dhe djaloshi Django, i cili ngado që shkonte mbante banjo-kitarën me vete, armën e tij të vetme për t’u mbrojtur nga egërsia e njerëzve, kryesisht francezëve, që shihnin me njëfarë përçmimi e frike – origjina e tij rome i blatonte edhe damkën që duhet të mbante: romët janë hajdutë, të rrezikshëm, jetojnë si lypsarë dhe s’denjon kush t’iu hedh një sy, paçka se mes tyre mund të ketë dhe ndonjë gjeni të muzikës, siç qe Django Reinhardt. I lindur si Jean Baptiste Reinhardt, djaloshi rridhte nga një familje nomade rome, që kish përfunduar në fshatin Liberchies të Belgjikës kur ai erdhi në jetë; fëmijëria e tij ishte mjaft e vështirë, afërmendsh, kur familja e tij strehohej në rrethinat e Parisit pa të ardhura të sigurta. Atij dhe grupit të djemve të lagjes, bandës së tij, ngandonjëherë iu duhej të vidhin pulat e fshatit apo ndonjë ëmbëlsirë tek-tuk. Djaloshi i quajtur “Django” (në gjuhën rome ka kuptimin zgjohem), që në moshë të re jetonte nëpër kampet rome pranë Parisit. Aty nisi të luajë violinë, banjo e kitarë, duke sjellë tinguj të vjetër nga kultura rome si adoleshent. Ndërsa nisi të frekuentojë kafenetë e vogla të Parisit ku edhe luante, muzika e tij po pëlqehej. Në vendbanimin afër Parisit ku qe strehuar, familja e tij ndodhej në vështirësi, ndaj jo rrallë i duhej të vidhte ndonjë gjë për të ngrënë. Kumari, zaret, bilardoja ishin tejet argëtuese për Djangon. Njashtu dhe kinematografia. Edhe ato pak kacidhe që kishte nëpër duar, s’reshte së shpenzuari për të parë ndonjë film në pallatin Le Louxor, filmat me jetët dhe ëndrrat e piratëve apo tragjikomeditë e Charlie Chaplin-it, regjisorit të madh, rebel e kritik social. Si natyrë, Django, në rini ishte mjaft rebel, pëlqente gangsterët dhe jetën e shkujdesur. Me fatin e determinuar për t’i përkitur një grupi të margjinalizuar në shoqëri, Django portretizon pikërisht njeriun e guximshëm, të vetëmohueshëm, le të themi një Sizif rom, që bart gjithë barrën e origjinës së tij dhe çan përpara. Një ekspresionist i vërtetë që klith përmes tingujve! Kështu, pra, muzika, tingujt ishin të pranishëm në jetën e Djangos që nga lindja. Prindërit i kishin siguruar jetesën familjes me muzikë dhe vallëzim, qoftë nëpër homazhe fetare ku luheshin melodi delikate me violinë, qoftë në tregje ku romët bënin muzikë me banjo, violinë, në këmbim të ndonjë monedhe a ushqimi. Muzika është përditshmëria, ushqimi, mbijetesa, ishte vetë jeta e tyre. Violina ishte instrumenti i parë i Djangos së ri; tingujt e këtij instrumenti klasik zbresin thellë shpirtit të vërtetë të popullit rom, që e do aq fort muzikën, si mbijetesë, ushqim i pambarimtë për shpirtin, fashitje e përditshmërisë që bart lloj-lloj problemesh e vështirësish; Django, violinën e mësoi nga i ati dhe nga të afërm të tjerë, sikurse melodi të ndryshme nga tradita e vjetër e këngëve rome. Në moshën dhjetë vjeç tërhiqej shumë nga tingujt e banjos, të cilën e luante bashkë me kushëririn Gabriel. Instrumenti i banjo-kitarës, të cilën së pari Django nisi ta luajë me gishtat e tij magjikë, shpikës, novatorë, vitet e ardhshme do të bëhej bazamenti i xhazit evropian. Aftësia për t’i mësuar meloditë ishte mahnitëse, dhe ai luante aq shpesh gjatë gjithë ditës, saqë jo rrallë e gjenin me gishtat e fryrë dhe të skuqur. I etur për të mësuar, pasionant dhe entuziast i pashoq, Django mëson teknikat e lojës ndërsa frekuentonte kafenetë dhe baret e Clignancourt-it. Nga virtuozi Jean Poulette Castro mësoi shumë në krijimin e një stili që i përngjason flamengos spanjolle. Castro sheh te Django premisat e një lojtari të madh, e udhëzon ta mbajë kyçin e dorës lirshëm, të zhdërvjelltë, që të mund t’i kapë lëvizjet e shpejta. 12-vjeçari Django eglendiset lagjes boheme të Ménilmontant-it, ku gëlojnë mjedise me muzikë moderne live, bare të dorës së dytë, ku punëtorët e godinave dhe fabrikave të vjetra kthenin gotat e tyre me birrë. Dhe ja një ditë takimi me një të ri tjetër rom me emrin Vétese Guérino, lojtar fizarmonike në sallat e Parisit, që e pati dëgjuar Djangon tek luan “Danubin blu” të Strauss-it, e vendos atë para një vendimi: të punësohet duke u bërë shoqërues i këtij djaloshi për një shumë prej dhjetë frangash për natë, çka ishte patjetër një mrekulli hyjnore për të dhe familjen e tij. Ky djalosh po rritej shpejt. Kudo shkonte, luante në banjo-kitarën e tij. Hapi i parë drejt karrierës së madhe prej dekadash në majat e muzikës Gypsy Jazz e suing. Por le të flasim shkurtimisht për këtë angazhim: Django shoqëron djaloshin italian nëpër salla vallëzimi pariziene, talenti i tij pranohet nga muzikantë profesionistë, fiton para dhe ndihmon familjen, dhe nëna e tij është në delir. Django ndihet mirë, i mbushur shpirtërisht. Jeta po i ofronte të mirat e saj. Nisi edhe të vishet më me kujdes; Guérino i bleu një kostum elegant njashtu, siç i shkonte një djaloshi të talentuar. Kjo duo i mbushte sallat e vallëzimit me tinguj seksualë, nën të cilin vallëzonin njerëz të ndryshëm, çifte, prostituta… Django, siç shprehet banjoisti francez Roger Chaput, kishte fatin e mirë që nisi lojën me napolitanin Guérino, ngase ky fizarmonicist modern i ofroi mbështetje, e kuptoi zellin e tij. Ndryshe Django do të përfundonte diku nën thundrat e artit purist. Dhe, ja, vajza manouche Sophie Irma Ziegler, që hyri në jetën e Djangos 15-vjeçar. Dashuri me shikim të parë. Ajo kishte një bukuri që e magjepsi Djangon. Flokë të errët ngjyrë kafe, sy të thellë, pamje mjaft e lakmuar për ta soditur. Meqë ai po fitonte para, dilnin shëtitje. Ajo qe dashuruar kokë e këmbë me të. Ai “luante në mënyrë fantastike”, kujtonte ajo. Kështu ikin dy vite nën duhmën e fortë erotike. Më pas, Django jepet pas aventurave tjera, i hareshëm, gentleman, joshës…Vështirësitë e Djangos vazhdonin pasi u martua si 18-vjeçar me Florine Mayer. Rasti me zjarrin e karvanit ia ndryshoi jetën. Ai shpëtoi nga një zjarr i madh që kishte pllakosur dhe u shtrua në spital për afro dy vjet me djegie të rënda nëpër gjithë trupin. Megjithëse në rrethe artistike njihej si muzikant i talentuar, ngjarja që i ndodhi ishte e dhimbshme. Ai pësoi djegie në dy gishtat e dorës së majtë – për çka mjekët ishin skeptikë nëse do të mund të luante prapë në kitarë. Kjo ndodhi qe vendimtare, sepse Django s’mund të luante kurrë më njësoj si para zjarrit. Kjo bëri që ai ta ndërrojë teknikën e lojës, krijoi stil të ri për t’ia përshtatur dorës. Django krijoi forma të reja akordesh në mënyrë që gishtat e paralizuar ta kishin më të lehtë rrëshqitjen nëpër telat e kitarës. Kjo që bëri Django – ky stil i ri, do t’ia vuloste statusin si muzikant i shquar i xhazit. Përgjatë pjesës së parë të shekullit të 20-të Django Reinhardt u konsiderua muzikanti më i famshëm i xhazit në mbarë kontinentin e vjetër; ai qe ndër të parët që e shfaqi kitarën si instrument kryesor solo në xhaz.

Epoka e xhazit (Jazz Age) pushtoi Parisin dhe Evropën gjatë viteve ’20-’30, duke u bërë kulmi i kulturës muzikore. Boris Vian, shkrimtar surrealist dhe trumbetist, synon t’i bëjë të njohur emrat e xhaz-artistëve amerikanë, si Louis Armstrong, Sidney Bechet, Dizzy Gillespie, Fletcher Henderson, Duke Ellington, Charlie Parker etj., përmes lojës nga pjesët e tyre dhe përmes kritikave muzikore. Bar-kafene, restorante, mejhane, kabare tashmë frymonin xhaz. Francis Scott Fitzgerald, shkrimtari i njohur amerikan i Jazz Age, në esenë e tij të famshme “Echoes of the Jazz Age” (Jehona e epokës së xhazit) shkruan: “Epokë e mrekullive, epokë arti, dekadence, satire. Fjala xhaz gjatë evoluimit të saj drejt gjithëpërfshirjes dhe pranimit, fillimisht donte të thoshte seks, pastaj vallëzim, pastaj muzikë. Ajo lidhej ngushtë me gjendjen e stimulimit nervor. Andaj hani, pini dhe gëzoni, se nesër do të vdesim…”[2]Fitzgerald, F. Scott, Echoes of the Jazz Age, from Scribner’s Magazine, essay, 1931.

Atmosfera e netëve të Parisit ishte e ngrohtë. Hapërdahej xhazi kabareve, mejhaneve, nëpër mbrëmje vallëzimi, bistro të vogla qosheve të rrugëve, klube nate të xhazit afro-amerikan, që ishin hapur rishtas. Në teatrin e famshëm të Champs-Élysées zbarkonte Sidney Becheti, Josephine Baker, këngëtarja e valltarja e famshme, mjaft voluptive, që shpejt hipi në majat e artit frëng. Xhazi që e sollën afro-amerikanët bëri mjaft bujë – edhe piktori Modigliani ishte i pasionuar pas artit primitivist që buronte nga skutat e Afrikës. Janë vitet ’30. Django luan vazhdimisht me kitarën e tij. Pas revolucionit në Paris patën zbarkuar qindra rusë që kishin hapur dhe kabare ku do të luanin muzikantët romë, ngase secila syresh kishte dhe orkestrën e vet. Django luante nëpër kabare, p.sh. në prestigjiozet “Casanova & Shéhérazade”, hapur nga rusët, me dekore mjaft luksoze, llamba arabe, kamerierë me uniforma kozake. Kabaretë ruse përbënin amalgamën e muzikës klasike. në të cilën ndërfuteshin po ashtu meloditë popullore, të mbështjella me njëfarë sentimentalizmi gotik.

Kitara e Djangos qe bërë e famshme ndër rrethe muzikantësh. Django Reinhardt-i ishte virtuozi i xhazit dhe luante i ftuar nëpër Paris, kabareve e restoranteve. Njihet me Jean Sablon, këngëtar xhazi me vokal të ngrohtë, dinamik dhe emocional; është periudha kur mëtohej gërshetimi i xhazit amerikan me shansonet franceze; një tjetër njohje e rëndësishme për karrierën e Djangos, që tashmë ishte mësuar të vishej shik, dhe në një mbrëmje kur u paraqitën në kabarenë e hotelit pranë “Champs-Élysées”, Django shijoi paraqitjen në një mjedis me dekor mjaft luksoz.

Pa dyshim, njohja me violinistin Stéphane Grappelli është pika më kulmore e krijimtarisë së Django Reinhardt-it. Ai vazhdonte të luante nëpër mjediseve të ndryshme, mes burrave të veshur bukur me smoking, grave elegante në krinolinë; Django ishte duke qëndruar me këngëtarin Louis Vola kur Grappelli nisi të luajë me violinën e tij dhe kjo i bëri përshtypje të madhe. Mori kitarën dhe nisi improvizimin me të. Këto improvizime mes tyre janë simbioza e një bashkëpunimi tejet të frytshëm, duke krijuar një ndër duot më të njohura e të suksesshme në historinë e xhazit. Këtu u hodhën hapat e parë drejt krijimit të Quintette du Hot Club de France, grupi që mblodhi muzikantë të shquar, apostujt e Gypsy Jazz-it, të cilin kritiku muzikor Thom Jurek e cilëson si “njërin nga grupet më origjinale në gjithë historinë e xhazit të incizuar”.

Edhe jeta e Grappellit qe e vështirë. Rritet jetim. Me origjinë italiane. I vdes herët e ëma dhe rritet me babain, studiues i Rilindjes Italiane. Django Reinhardt-i dhe Stéphane Grappelli formojnë një dyshe pikante xhazi me improvizimet e tyre. Django e fton në karvanin e tij, i intriguar tej mase nga loja në violinë e Grappellit, që i përshtatet aq shumë stilit të tij në kitarë. “E dija se ne të dy mund të prodhojmë diçka të jashtëzakonshme”, shprehet Grappelli. Revista franceze Jazz-Tango-Dancing i bënte jehonë muzikës së re që po vinte për ta pushtuar Evropën. Magjia e xhazit evropian buron pikërisht nga Quintette du Hot Club de France, aty ku bënte lojën e vet dyshja Django-Grappelli. Pjesë nga xhazi amerikan, flamengo rome, improvizime…, gjithë ky konglomerat ishte mahnitës dhe i papërsëritshëm. Çfarë kombinimi mjeshtëror mes tyre! Muzika e kësaj dysheje është, le ta përdorim këtë term, eternale! Në fakt, epitete superlative nuk mungonin për Djangon, ngase ai tashmë kishte krijuar stilin e vet unik, krejt të veçantë, që nuk i ngjasonte askujt. Ai ishte ylli i muzikës në gjithë Francën dhe më gjerë.

Ky grup nis turne të gjerë nëpër Evropë dhe suksesi është i madh. Ata regjistrojnë “Dinah”, “Tiger Rag”, “Djangology”, “Minor Swing”, “Swing 42” etj., që janë bërë normë në Gypsy Jazz, me në krye legjionarin dhe virtuozin Django. “Aspekti më me ndikim i kitarës së Reinhardtit gjatë lojës ishte shpejtësia fenomenale e tij, paradoksalisht, në zonën më të pafavorshme shkaktuar nga lëndimi”[3]Givan Benjamin, The Music of Django Reinhardt, Left-hand technique, University of Michigan Press, 2010., thotë profesori i muzikës Benjamin Marx Givan. “I’ve Got Rhythm”, “Nobody’s Sweetheart”, “Japanese Sandman”, “I’ve Found a New Baby” janë ABC-ja e repertorit të xhazit të Djangos. “La Mer”, “J’attendrai”, janë vetëm dy nga coverat e këngëve të famshme, lozur nga duart e tij mjeshtërore dhe loja virtuoze e Grappellit. Pas udhëtimit që dyshja bëri në Itali për rreth dy muaj, ku luajtën nëpër kafenetë e Milanos dhe u pritën mirë nga publiku italian, Django kthehet në Paris, ku fama e tij nuk qëndronte më në majën, zenitin e saj, sidomos ngase Parisi kishte rënë shpirtërisht prej pushtimit nazist, parakalimeve të Hitlerit, flamujve nazistë të varur andej-këndej. Kjo periudhë e nderë ishte pa dyshim e rëndë për artin dhe kulturën. Django Reinhardt po rropatej për të gjetur një punë, dhe xhazi s’e kishte më shkëlqimin e dikurshëm. Kishin nisur ndarjet mes Jazz New Orleans-it dhe Bebop-it. Shëndeti i Djangos sa vinte e përkeqësohej, zhgënjimi i tij po ashtu. Plagët e zjarrit nuk i ishin shëruar kurrë plotësisht; ai tani ishte “mërzitur me kitarën”. Megjithatë Boris Vian arrin ta rikthejë Djangon kur hap klubin në Saint-Germain dhe e fton për ta përuruar rihapjen pas rinovimit. Nëse do të shihej nga dikush si muzikant i tejkaluar, i harxhuar, Django qe aty për t’ia dëshmuar të kundërtën – ai luan me gjallëri, i jashtëzakonshëm si përherë. Vitet e luftës ishin mjaft të rënda; Django i rikthyer në Paris me fat arrin t’i mbijetojë trajtimit mizor që iu bëhej romëve gjatë pushtimit nazist. Madje kapet dhe më pas lirohet nga një oficer nazist që e adhuronte xhazin. Kur luftës i erdhi fundi, duo u ribashkua; Django incizoi himnin e çlirimit “Nuages” dhe i bashkohet orkestrës së Duke Ellingtonit në turneun dhe vizitën e vetme që bëri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fillimin e viteve ’50 muzika e tij trupëzon elemente të bebop-it, i ndikuar nga xhazi njujorkez, provon edhe kitarën elektrike e bateritë. Në moshën 43-vjeçare artisti nomad, njeriu që mahniti publikun me lojën mjeshtërore në kitarë, ndërron jetë papritmas duke pësuar hemorragji në tru.

Sot muzika e Django Reinhardt-it s’mund të quhet old, por gold gjithsesi! Xhazi i tij është i gjallë, ani pse kohët s’janë më të njëjtat. Django Reinhardt-i ndryshoi përgjithmonë lojën e xhazit. Krijoi stil të ri megjithëse i shtrënguar të mos e përdorte plotësisht dorën e majtë; karriera e tij përmban numër të madh incizimesh xhazi, krahas shumë peripecive jetësore – por pikërisht këtu qëndron edhe veçantia e këtij artisti; ai arrin të bëhet i suksesshëm dhe i famshëm paçka se rridhte nga një grup që përballej me persekutime të ndryshme. Django, ky novator xhazi, mund të merret si shembull tipik se njeriu është njeri, para së gjithash, – nga mishi e gjaku dhe s’duhet të dorëzohet asnjëherë. Ndaj, ai duhet ta ketë lirinë e mendimit dhe veprimit, ta ketë mundësinë t’i shfaqë aftësitë e të kontribuojë për ta bërë botën më të mirë, më të drejtë, me mundësi për të gjithë e me drejtësi sociale.

Sot nuk ekziston më ajo atmosfera parisiene e viteve ’20-’30, e klubeve të natës në lagjen Pigalle apo Montmartre, ku rrëkëlleheshin gotat e birrës nën muzikën e pambarimtë që buronte anekënd qytetit. Edhe Evropa nuk është ajo e kohës së Djangos dhe Grappellit, natyrisht. Megjithatë muzika e bukur, dalë nga thellësitë e shpirtit, jeton, paçka se sot realiteti flet ndryshe, muzika bëhet e dëgjohet ndryshe, këngëtarët, instrumentistët në përgjithësi gjallojnë nën kthetrat e mjeteve tepër të përparuara teknologjike, që ia kanë zënë frymën imagjinatës, spontanitetit, rrjedhimisht talentit e punës. Sidoqoftë, edhe Djangon, edhe Grappellin, s’i trazon e tund gjë. Ata janë dy muzikantët që faqe Evropës krijuan stil krejt të ri muzikor, autentik, që është përjetësuar e tingëllon përherë “i ri” për të gjithë ata që i qëmtojnë idesë se njeriu duhet mbrusur me shije të rafinuar artistike.

 

References

References
1 Maclean Fitzroy, Udha e artë, OMBRA GVG, 2003, përkthyer nga Aleksandër Koli, f. 21-22.
2 Fitzgerald, F. Scott, Echoes of the Jazz Age, from Scribner’s Magazine, essay, 1931.
3 Givan Benjamin, The Music of Django Reinhardt, Left-hand technique, University of Michigan Press, 2010.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin