Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi

ARKIVAT E NOBELIT

Çfarë tregojnë arkivat e nobelit për letërsinë 1901-1971?

nga Granit Zela

Ashtu si çdo vit, me ndonjë përjashtim të diktuar nga rrethanat, në periudhën 6-11 dhjetor, laureatët e Çmimit “Nobel” marrin pjesë në një ceremoni ku kremtohen zbulimet dhe arritjet që i kanë sjellë përfitimet më të mëdha njerëzimit sipas gjykimeve të komisioneve të posaçme të Akademisë Suedeze. Ajo është një javë festimesh me ceremonitë e çmimeve dhe ligjëratat e Çmimit “Nobel”, ndër to edhe për Çmimin “Nobel” për letërsinë.

Këtë vit, para se të jepej “Nobeli” për letërsinë, përktheva për lexuesin disa shkrime që parashikonin fituesit, më pas u ftova edhe për një intervistë nga një kanal kombëtar televiziv. Mendimet e mbledhura gjatë këtij procesi i hodha në një shkrim me titull “Nobeli për Letërsinë dhe vetëm për letërsinë”, botuar në revistën “Illz” (40), por gjithsesi, në mendje më mbetën disa pyetje që më janë bërë gjatë javës para se të jepej “Nobeli” për letërsinë, me shkas këto përkthime, nga miq të letrave, që kishin të bënin me procedurat e përzgjedhjes së Çmimit “Nobel” për letërsinë, sa kandidatë shqiptarë mund të propozoheshin etj., përgjigjet e të cilave ata i merrnin si të mirëqena se unë i dija.

Lista e shkrimtarëve të propozuar për Çmimin “Nobel” për letërsinë dhe diskutimet e anëtarëve në Akademinë Suedeze mbahen të fshehta për 50 vjet. Nëpërmjet hulumtimit të 70 listave me emrat e kandidatëve të propozuar dhe emrat e propozuesve në arkivat e digjitalizuara të “Nobelit” për letërsinë 1901-1971, ky hulumtim mëton të hedh dritë mbi kandidatët e propozuar gjatë kësaj periudhe, duke përmendur vetëm më të njohurit sot, sipas meje, dhe në shumë raste edhe për propozuesit, kur është gjykuar se është e rëndësishme të përmenden.

Lexuesi me këto lloj kërshërie do të jetë më i qartë për propozuesit dhe procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve dhe do të shuajë kureshtjen në lidhje me faktin se sa herë janë propozuar për Çmimin “Nobel” për letërsinë Borgesi, Nabokovi, Ezra Poundi, W.H. Audeni, André Malraux-ja, Graham Green-i, Max Frisch-i, Aldous Huxley, Freud-i dhe Churchill-i dhe a janë propozuar ndonjëherë Joyce, Fitzgeraldi, Bulgakovi, Zweig-u, Cvetajeva, Woolf-i, dhe Musili. A ka pasur një propozues dhe kandidatë shqiptarë deri në vitin 1971? A është e mundur të jesh finalist për 25 vjet me radhë (kush është ky kandidat) dhe të mos e fitosh, të shfaqesh vetëm një herë dhe ta fitosh? A mund të propozohesh për “Nobelin” për letërsinë dhe për “Nobelin” për paqe në të njëjtën kohë?

Çfarë thonë dokumentet e komisionit të “Nobelit” për dy kandidaturat më të debatuara, Beckett-in, për “satirën nihiliste” dhe Nerudën për “prirjen gjithnjë e më mbizotëruese komuniste në poezinë e tij”, dhe disa komente për nobelistin Knut Hamsun, i cili njëzet vjet më pas takoi personalisht Hitlerin dhe medaljen e “Nobelit” 1920 ia dhuroi Gëbelsit? Këto dhe pyetje të tjera janë pjesë e këtij shkrimi, ku mbizotërojnë të dhënat për secilin vit.

***

Nobeli për Letërsinë 1901, me fitues poetin francez Sully Prudhomme, kishte gjithsej 37 propozime për 24 kandidatë, pasi për disa kandidatë kishte më shumë se një propozim. Frederik Mistrali ishte propozuar 5 herë. Për Henryk Sienkiewicz-in kishte 3 propozime, 3 për Charles Borgeaud. Ndër të propozuarit, 12 ishin francezë. Shkrimtarja gjermane Malwida von Meysenbug ishte gruaja e parë e propozuar për “Nobelin” në letërsi. Vetë fituesi i këtij viti për letërsinë kishte propozuar shkrimtarin Emil Zola.

Në vitin 1902, me fitues historianin gjerman Theodor Mommsen, kishte 44 propozime për 34 kandidatë. Këtë vit 4 propozime ishin për Tolstoin. Vijojnë të jenë në listën e kandidatëve të propozuar: Emile Zola, Paul Sabatier, Gaston Paris, Frederik Mistral, Henryk Sienkiewicz. Emra që propozohen për herë të parë janë: William Butler Yeats, Herbert Spencer, Bjørnstjerne Bjørnson, Giosuè Carducci, Henrik Ibsen.

Nobeli për Letërsinë 1903, me fitues poetin suedez Bjørnstjerne Bjørnson, kishte 43 propozime, gjithsej 26 kandidatë. Për Tolstoin kishte 4 propozime, njëri ishte nga Anatole France, fitues në vitin 1921. Një propozim tjetër për Tolstoin ishte nga 18 shkrimtarë, filozofë, filologë, studiues të letërsisë, që ishin francezë, danezë, islandezë, gjermanë etj. Pesë propozime ishin për poetin francez Frederik Mistral. Kandidatë ishin edhe Carducci, Henrik Ibsen dhe Rudyiard Kipling, i cili propozohet për herë të parë.

Në vitin 1904 me dy fitues, Frederik Mistral dhe José Echegaray y Eizaguirre, kishte 29 propozime për 21 kandidatë. Albert Soreli, kandidat këtë vit, ka propozuar Tolstoin, i cili propozimin e dytë e ka prej autorit dhe dramaturgut francez Ludovic Halévy. Ndër emrat e tjerë janë: Mistral (2 propozime), Anatol France, Ibsen, Kipling, Swinburne, Sienkiewicz.

Nobeli për Letërsinë 1905, me fitues polakun Sienkiewicz, kishte 35 propozime për 16 kandidatë. Ndër to, 5 propozime ishin për Tolstoin, 8 për Eliza Orzeszkowa-n, romanciere polake; 4 për shkrimtaren suedeze Selma Lagerlöf, 4 për shkrimtarin francez Albert Sorel, 2 për Carducci-in. Vijojnë të propozohen Kipling dhe Swinborne.

Në vitin 1906, me fitues poeti italian Giosuè Carducci, kishte 56 propozime. Tolstoi kësaj herë propozohet vetëm nga Ludovic Halévy. 5 propozime ishin për Lewis Morrisin, 3 për Selma Lagerlöf-in, 3 për Albert Sorelin, 4 për Carducci-n. “Nobeli” për letërsinë 1907, me fitues poetin anglez Rudyard Kipling, pati 37 propozime, ndër të cilët shfaqen emra të rinj, si: Georg Brandes, Borden Boëne, Georgios Souris (3 propozime). Vijon të jetë kandidat Swinburne.

Nobeli për Letërsinë i viti 1908 pati fitues filozofin gjerman Rudolf Christoph Eucken. Suedezët vijojnë të propozojnë Selma Lagerlöf-in (6 propozime). Ndër mbiemrat që tërheqin vëmendjen është ai i kandidates Therese Elisabeth Alexandra Förster-Nietzsche, e cila është motra e filozofit Friedrich Nietzsche dhe krijuesja e Arkivit të Niçes në 1894.

Në vitin 1909 më në fund, me propozimin e vazhdueshëm të kandidaturës së Selma Lagerlöf-it, ajo shpallet fituese nga anëtarët e Akademisë Suedeze, duke u bërë gruaja e parë që fitoi këtë çmim. Ndër 38 propozime, 11 propozime ishin për këtë kandidate, të gjithë nga profesorë suedezë. Bashkë me propozimet e vitit 1909 bëheshin gjithsej 28 propozime për të. Vendimit i parapriu një luftë e ashpër e brendshme për pushtet brenda organit që jep Çmimin “Nobel” në letërsi. Kjo pasqyrohet në një shkrim të Alan Asaid-it me titull “Debat i ashpër në Akademi kur u zgjodh Lagerlöf”. Sipas këtij shkrimi “Diskutimet nëse Selma Lagerlöf do të merrte apo jo Çmimin “Nobel” u zhvilluan për disa vite. Kundërshtari i saj më i madh ishte Carl David af Wirsén, një burrë në moshë të thyer, i cili, në vitin 1909, më në fund e pa veten të mundur”. Ndër emrat e mëparshëm vijon të jetë ndër kandidatët finalistë Swinburne.

Çmimi “Nobel” për Letërsinë 1910 iu dha shkrimtarit gjerman Paul Heyse. Pati 27 propozime. Ndër emrat në listën përfundimtare është Anatole France, kurse Shoqëria e Autorëve Britanikë ka propozuar për herë të parë Thomas Hardy-n. Çmimi “Nobel” për letërsinë 1911 iu dha Maurice Maeterlinck-ut. Ndër 29 propozime, në listë shfaqet George Bernard Shaw. Kandidatë janë Thomas Hardy, Henry James, Anatole France. Çmimi “Nobel” për Letërsinë i vitit 1912 iu Gerhart Hauptmann-it. Këtë vit kishte 40 propozime: 2 propozime ishin për Henry James, 3 për Jean-Henry Fabre. Kandidatë ishin George Bernard Shaw, Henry Bergson, Thomas Hardy. Romanceri spanjoll Benito Pérez Galdós ishte propozuar nga “më shumë se 700 anëtarë nga organizata të ndryshme shkrimtarësh në Spanjë”.

Në vitin 1913, me fitues Rabindranath Tagore-n, pati 32 propozime për 29 kandidatë: Grazia Deledda (2 propozime), Pierre Loti (2), Karl Gjellerup (2), Ernes Lavisse (2), Henri Bergson, Anatol France, Thomas Hardy. Këtë vit Thomas Hardy ishte i propozuar nga “97 anëtarë të Shoqërisë Mbretërore të Letërsisë”, 27 propozues më shumë se një vit më parë.

Çmimi “Nobel” për Letërsinë i vitit 1914 nuk u dha, sepse diskutimet e komisionit u ndërprenë për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore. Pavarësisht nga kjo, propozimet nuk u ndalën dhe këtë vit ishin propozuar 24 kandidatë, ndër të cilët Dmitry Merezhkovsky (Rusi), René Bazin (Francë), Henri Bergson (Francë), Karl Adolph Gjellerup (Danimarkë), Willem Kloos (Holandë), Grazia Deledda (Itali), Carl Bildt (anëtar i Akademisë Suedeze), William Butler Yeats (Irlandë), Thomas Hardy (Britani e Madhe). Gjatë procesit të përzgjedhjes në vitin 1915, Komisioni i “Nobelit për Letërsinë kishte vendosur që asnjë nga propozimet e vitit nuk përmbushte kriteret e përshkruara në testamentin e Alfred Nobelit. Romain Rolland-i e mori Çmimin “Nobel” për 1915 një vit më vonë në vitin 1916, edhe pse kishte qenë kandidat edhe një vit më parë. Pesë propozime ishin për anëtarin e Akademisë Suedeze Per Hallström. Kandidatë të tjerë ishin Juhani Aho, Ernst von der Recke, Paul Bourget, si dhe Dmitry Merezhkovsky.

Çmimi “Nobel” për Letërsinë i vitit 1916 iu dha shkrimtarit suedez Verner von Heidenstam, ndër 47 propozime. Anëtari i Akademisë Suedeze Henrik Schück, i cili kishte propozuar dy autorë francezë një vit më parë, tani është vetë kandidat për “Nobelin” në letërsi. Kishte 26 propozime për 21 kandidatë në vitin 1917, kur fitues shpallen danezët Karl Adolph Gjellerup dhe Henrik Pontoppidan. Edhe këtë vit si kandidate për “Nobelin” në letërsi ishte sërish si finaliste Elisabeth Förster-Nietzsche, motra e filozofit Friderich Nietzche.

Çmimi “Nobel” për Letërsinë i vitit 1918 nuk u dha, sepse diskutimet e komisionit u ndërprenë për shkak të Luftës së Parë Botërore. Atë vit pati 17 kandidatë, ndër të cilët edhe Maksim Gorki, (Rusi), Carl Spitteler (Zvicër), Grazia Deledda, (Itali), Henri Bergson, (Francë), Erik Axel Karlfeldt (Suedi), Knut Hamsun (Norvegji), William Butler Yeats, (Irlandë). Në vitin 1919, me fitues Carl Spitteler-in, pati 18 propozime dhe 12 kandidatë, ndër të cilët John Galsworthy. 4 propozime janë për Hans Kinck, 3 për poetin suedez Erik Axel Karlfeldt; 2 për autorin finlandez Juhani Aho.

Viti 1920 shënon si fitues të “Nobelit” në letërsi një shkrimtar të jashtëzakonshëm dhe simpatizant të hapur të nazizmit, Knut Hamsun, i cili pas njëzet vjetësh do ta takonte personalisht Hitlerin. Ai ishte propozuar nga norvegjezi Harry Fett, historian arti, i cili e kishte propozuar edhe në vitin 1918, dhe Erik Axel Karlfeldt-i, anëtar i Shoqërisë Mbretërore Norvegjeze të Shkencave dhe Letrave, i cili do të fitonte vetë këtë çmim në vitin 1931. Takimi i Hamsunit me Hitlerin “u zhvillua në Berghof më 26 qershor 1943. Reputacioni i Hamsunit ishte i rrënuar; jo vetëm që ai e kishte takuar Hitlerin, por, në një moment, i këshilluar gabim, ai i kishte dhënë Gëbelsit medaljen e tij të Çmimit “Nobel”. Norvegjia u çlirua në maj të vitit 1945. Hamsuni u përball me akuza për tradhti, u arrestua dhe në tri vitet e ardhshme u dërgua në klinikën kryesore psikiatrike në Oslo dhe më pas në azilin e pleqve.” (Jeffrey Frank, The New Yorker, 2005). Në listë ishin Grazia Deleda, John Gallsworthy dhe 9 propozime të ndryshme për Thomas Hardy-n.

Në vitin 1921, me fitues Anatole France, pati 22 propozime dhe 18 kandidatë. 2 propozime ishin për Henri Bergsonin, 2 për Grazia Deledda-n: për Anatole France-in kishte 3 propozime, ndërsa të propozuar të tjerë që u morën në shqyrtim ishin John Galsworthy, William Butler Yeats, George Bernard Shaw dhe Herbert Wells. Në vitin 1911, me fitues dramaturgun spanjoll Jacinto Benavente, 4 propozime janë për George Brandes, 3 për Thomas Hardy-n, ndërsa Yeats dhe Gallsworthy ishin sërish kandidatë.

Nobeli për Letërsinë 1923, me fitues William Butler Yeats-in, kishte 36 propozime për 20 kandidatë. 3 propozime ishin për Thomas Hardy-n; 3 për Paul Ernst-in; 4 për motrën e Fridrich Nietzche-s, Elisabeth Förster-Nietzsche. Kandidatë ishin Grazia Deledda, Thomas Hardy, Maksim Gorki, Ivan Bunine. Në vitin 1924, me fitues shkrimtarin polak Wladyslaw Reymont, pati 22 propozime dhe 18 kandidatë. Kandidatë ishin edhe Man, Deleda, Shaw, Thomas Hardy. Për “Nobelin” për letërsinë të vitit 1925, me fitues Shaw, kishte 25 propozime për 21 kandidatë. 5 propozime ishin për Guglielmo Ferrero-n. Në listë ishin Thomas Hardy, Sigri Undset, Grazia Deledda.

Nobelin e vitit 1926 Grazia Deledda e mori një vit më vonë, në vitin 1927, pasi në 1926, komisioni i “Nobelit” për letërsinë vendosi që asnjë nga propozimet s’i plotësonte kriteret e përshkruara në testamentin e Alfred Nobelit. Atë vit pati 37 propozime për 31 kandidatë, ndër të cilët Thomas Hardy, Paul Claudel, James Frazer, Arnold Bennett, Singrid Unset, Paul Ernst. Në vitin 1927 nuk u dha Çmimi “Nobel” për letërsinë. Megjithatë në tryezën e komisionit të “Nobelit” kishte 29 propozime. 4 propozime ishin për Adda Negri-n, 3 për Cesare Pascarella-n, 2 për Hardy-n, dhe propozohet për herë të parë shkrimtarja amerikane Edith Wharton. Thomas Hardy shfaqet për herë të fundit si kandidat i “Nobelit” për letërsinë.

Henri Bergsoni mori Çmimin “Nobel” për letërsinë në vitin 1927 një vit më vonë, në 1928. Atë vit kishte 3 propozime për Henri Bergson-in nga 88 propozime dhe 39 kandidatë. Krahas Bergsonit ishin emrat e Maksim Gorkit (2 propozime), Thomas Mann, Edith Wharton, Paul Ernst, Singrid Undset, James Fraser etj.

Çmimi “Nobel” për Letërsinë në vitin 1929 iu dha Thomas Mann-it. Atë vit pati 30 propozime për 25 kandidatë: tri propozime kishte Benedetto Croce, dy Johan Bojer. 420 profesorë dhe mësues propozuan poetin dhe dramaturgun gjerman Arno Holz, 2 propozime ishin për Georg Bonne dhe për Concha Espina de la Serna. Ndër kandidatët e tjerë ishin Thornton Wilder, Paul Ernst, dhe emrat e vetë anëtarëve të Akademisë Suedeze: Henrik Schück dhe Erik Axel Karlfeldt, i propozuar 10 herë dhe propozues 8 herë.

Fituesi i vitit 1930, Sinclair Lewis, shfaqet si kandidat në shqyrtimin përfundimtar për herë të parë dhe bëhet shkrimtari i parë amerikan që e fitoi këtë çmim. Atë vit kishte 47 propozime dhe në listën e kandidatëve ishte sërish Edith Wharton-i dhe për herë të parë Theodor Dreiser me Edgar Lee Masters. Ndër shkrimtarët rusë kandidatë ishin Ivan Bunin dhe Dmitry Merezhkovsky. 6 propozime ishin për poetin francez Paul Valéry një ndër të cilët nga Henri Bergson; 3 për Paul Ernst; 2 për Concha Espina de la Serna-n; 2 për Manfred Kyber, 3 për Rudolf Kassner-in, 2 për Kostis Palmas-in.

Në vitin 1931 kishte 49 propozime, 6 propozime ishin për Ivan Bunin; Thomas Mann-i kishte propozuar Herman Hesse-n. Kandidatë ishin John Gollsworthy, Paul Valery, Concha Espina de la Serna (7), Kostis Palamas (2), Paul Ernst, Ramón Menéndez Pidal (8), dhe një propozim ishte për Erich Maria Remarque. “Nobelin” për letërsinë 1931 e mori Erik Axel Karlfeldt-i, i cili kishte qenë Sekretari i Përhershëm i Akademisë Suedeze. Ai ishte propozuar nga Lars Söderblom nga Suedia, fitues i Çmimit “Nobel” për paqen, një vit më parë.

Për “Nobelin” e vitit 1932, kur fitues u shpall John Gollsworthy, pati 48 propozime, ndër të cilët 5 për Ivan Bunin, 2 për Ramón Menéndez Pidal; Sinclair Lewis-i ka propozuar Herbert Wells-in, ndërsa këto janë propozimet për shkrimtarët e tjerë: Johannes Jensen (3), Manuel Gálvez (2), Frans Sillanpää (4), Olav Duun (2). Paul Valery (2). Për shkrimtarin amerikan Upton Sinclair kishte “800 propozime”. Karel Čapek ishte propozuar nga 10 profesorë të Universitetit të Pragës.

Për “Nobelin” e vitit 1933 që e fitoi Ivan Bunin, pati 47 propozime; dy propozime ishin për Rufino Blanco-Fombona-n, dy për Manuel Gálvez-in, një propozim për Karel Čapek nga “disa profesorë”, katër propozime për Johannes Jensen-in, Kostis Palamas (një), Enrique Neto pati tri propozime, pesë propozime për Frans Sillanpää. Kandidatë të tjerë ishin Upton Sinclair, Paul Valéry, Benedetto Croce, Paul Ernst dhe José Ortega y Gasset, Maksim Gorki (1) dhe Dmitry Merezhkovsky (1).

Nobeli për Letërsinë 1934 iu dha Luigi Pirandello-s dhe pati 44 propozime. Pesë propozime ishin për António Correia de Oliveira-n, katër për Francisco García Calderón-in, katër për Upton Sinclair, pesë për Frans Sillanpää-n. Propozime kishte për: Karel Čapek, Eugene O’Neill, Olav Duun, Kostis Palamas (2), Dmitry Merezhkovsky, Luigi Pirandello.

Nuk pati një çmin në vitin 1935, por megjithatë kishte 52 propozime dhe ndër kandidatët ishin Eugene O´Neill, Karel Čapek, Paul Valéry (4 propozime), Kerbert Wells, Kostis Palamas, Gilbert Chesterton, John Masefield, Dmitry Merezhkovsky, Olav Duun, Jules Romains, James Frazer, Frans Sillanpää, Johannes Jensen etj.

Në vitin 1936, me fitues Eugene O Neill-in, pati 47 propozime. Kandidatë të tjera ishin Paul Valery (4 propozime), Olav Duun (3) Johannes Jensen (4), Frans Sillanpää (5), Karel Čapek, Kostis Palamas (2), Benedetto Croce, Miguel de Unamuno y Jugo (4), Dmitry Merezhkovsky, Hans Fallada, O Neil, Sigmund Freud.

Çmimi “Nobel” për letërsinë 1937 iu dha Roger Martin du Gard dhe pati 62 propozime, ndër të cilët Paul Valery (1), Maurice Magre (2), Frans Sillanpää (3), Johannes Jensen (7), Paul Claudel (1), Kostis Palamas (1), Jean Giono (2), Karel Čapek (1), Cecile Tormay (5), Olav Duun, Dmitry Merezhkovsky, William Pickard, Georges Duhamel (2). “Nobeli” 1938 me fitues Pearl S. Buck pati 47 propozime, ndër të cilët edhe për Hermann Hesse (2), Johannes Jensen (3) Pearl Buck (4), Margaret Mitchell (1) Frans Sillanpää (6), Olav Duun (3), Kostis Palamas (1), Aldous Huxley, Karel Čapek dhe Benedetto Croce.

Çmimi “Nobel” për letërsinë 1939 iu dha Frans Eemil Sillanpää-s dhe pati gjithsej 45 propozime. Kandidatë ishin Hermann Hesse, Hans Fallada, Aldous Huxley, Benedetto Croce (2), Paul Valéry (2), Johannes Jensen (4), Johan Falkberget (3), Olav Duun (2), Henriette Charasson (3).

Në vitin 1940 çmimi nuk u dha, ngaqë diskutimet e anëtarëve të komisionit u ndërprenë nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore. Pavarësisht nga kjo, Akademia mori 26 propozime për 19 kandidatë. Të propozuar ishin Carl Sandburg, Henriette Charasson (3). Çmimi i vitit 1941 nuk u dha për shkak të Luftës së Dytë Botërore. Akademia mori gjithsej 21 propozime për 15 kanidatë. Numri më i madh i propozimeve (3) ishte për autorin danez Johannes Vilhelm Jensen. Çmimi i vitit 1942 nuk u dha për shkak të Luftës së Dytë Botërore. Në Akademi u dërguan 30 propozime për 16 kandidatë. Numri më i madh i propozimeve ishte për autorin danez Johannes Vilhelm Jensen, me shtatë propozime. Ai pasohej nga akademiku argjentinas Enrique Larreta (5). Çmimi nuk u dha në vitin 1943 për shkak të Luftës së Dytë Botërore. Akademia mori 21 propozime për 20 kandidatë. John Steinbeck-u u propozua për herë të parë. Dy propozime ishin për autorin danez Johannes Vilhelm Jensen. Vijonte sërish si kandidat Paul Valery.

Çmimi “Nobel” për letërsinë 1944 iu dha Johannes Vilhelm Jensen-it me dy propozime ndër 24. Të propozuar ishin Paul Valéry, Hermann Hese, John Steinbeck. Çmimin e vitit 1945 e fitoi Gabriela Mistral dhe pati 23 propozime për 18 kandidatë. Për herë të parë propozohet Thomas Eliot, Paul Valéry (3 propozime), Franz Werfel (3), Gabriela Mistral, John Steinbeck, Edward Morgan Forster dhe Johan Huizinga (2).

Çmimi i vitit 1946 iu dha Herman Heses dhe ndër 32 të propozuarit është edhe kryeministri britanik Churchill. Kandidatë ishin Charles Morgan (2), Boris Pasternak, Herbert Wells, Charles-Ferdinand Ramuz (4), André Gide, Arnulf Øverland (3), Hermann Hesse (2), François Mauriac (2), Thomas Eliot (2), Edgar Morgan Foster. “Nobeli” i vitit 1947 u fitua nga Andre Gide dhe pati 43 propozime. Kandidatë ishin: Nikos Kazantzakis, Angelos Sikelianos, Jules Romains (2), Benedetto Croce, Georges Duhamel (2), André Malraux, Tomas Eliot, Mihail Shollohov, Carl Sandburg, Ernest Hemingway, Boris Pasternak.

Çmimi i vitit 1948 iu dha Eliotit (3) dhe pati 45 propozime: Halldor Laxness (3), Dorothy Fisher, Benedetto Croce, Georges Duhamel, Justin O´Brien, Angelos Sikelianos (2), Boris Pasternak, Churchill (6) Thomas Mann (2), Mihail Shollohov, Johan Falkberget (2) André Malraux, George Santayana, Charles Morgan.

Nobeli për Letërsinë 1949 iu dha William Faulkner-it, i cili e mori në vitin 1950. Gjatë procesit të përzgjedhjes në vitin 1949 Komisioni i “Nobelit” për letërsinë vendosi që asnjë nga propozimet e atij viti nuk i plotësonte kriteret e përshkruara në testamentin e Alfred Nobelit. Pati gjithsej 43 propozime, dhe ndër kandidatët ishin Thornton Wilder, André Malraux, Churchill (2), Halldór Laxness (2), Charles Morgan, Boris Pasternak, Mihail Shollohov, Albert Camus, Alberto Moravia, Sean O´Casey, John Steinbeck, François Mauriac (2) Johan Falkberget (2), Georges Duhamel (2), Benedetto Croce (2), Arnulf Øverland (3), Carl Sandburg.

Nobeli për Letërsinë i vitit 1950 iu dha Bertrand Russell-it. Atë vit pati 79 propozime: Churchill (6 propozime), Pär Fabian Lagerkvist (7), Angelos Sikelianos dhe Nikos Kazantzakis (1), Paul Claudel (3), Halldór Laxness (3), Ernest Hemingway (1) Sean O´Casey (2), Benedetto Croce (2), François Mauriac (2), Jules Romains (2), Graham Greene (2) Robert Frost (1), Karl Jaspers, Albert Camus, Bertrand Russell, Mihail Shollohov, Leonid Leonov, Boris Pasternak, Robert Graves, Edward Morgan Foster. Fituesi William Faulkner u propozuar nga Princi Vilhelm i Suedisë, Duka i Södermanland-it, i biri i Gustavit V të Suedisë. Ai ishte gjithashtu propozuesi i shkrimtarit francez François Mauriac në vitin 1952 kur Mauriac-u merr “Nobelin”.

Çmimi i vitit 1951 iu dha autorit suedez Pär Lagerkvist ndër 44 propozime ku përfshiheshin Halldór Laxness (2), Nikos Kazantzakis, Alfred Noyes, Paul Claudel, Ramón Menéndez Pidal (4) Churchill (2), Pär Fabian Lagerkvist (9), José Ortega y Gasset (2). “Nobeli” për letërsinë i vitit 1952 u dha për François Mauriac ndër 57 propozime. Kandidatët e tjerë ishin André Malraux, Edward Morgan Forster, Churchill (3), Nikos Kazantzakis, Albert Camus, Graham Greene, Benedetto Croce, Walter de la Mare, Robert Frost, Carl Sandburg, Jules Romains, Haldor Laxness (3).

Nobeli për Letërsinë i vitit 1953 iu dha kryeministrit Churchill mes 34 propozimeve, ku përfshiheshin Ivan Bunin, Halldor Laxness (2), Johan Falkberget (2) Graham Greene, Nikos Kazantzakis, Gottfried Benn, Walter de la Mare, Carl Sandburg, Robert Frost, Juan Ramón Jiménez, Ernest Hemingway. Fituesi ishte propozuar nga arkeologu dhe studiuesi suedez Birger Nerman. Çmimi i vitit 1954 iu dha Ernest Hemingway-t ndër 35 propozime, ku 6 propozime ishin për Halldor Laxness. Të propozuar të tjerë ishin: André Malraux, Edward Morgan Forster, Gottfried Benn (2), Juan Ramón Jiménez, Albert Camus (2), Robert Frost, Nikos Kazantzakis, etj. Propozohet për herë të parë Carl Jung.

Nobeli për Letërsinë i vitit 1955 iu dha shkrimtarit islandez Halldór Laxness ndër 59 propozime. Ezra Pound-i u propozua nga Athanasius Trypanis, klasicist, kritik letrar, përkthyes dhe poet grek. Për Saint-John Perse-in kishte dy propozime, njëri nga Elioti. Eugenio Montale ishte propozuar po nga Elioti, Giuseppe Ungaretti (3 propozime një nga Elioti), Robert Frost, Nikos Kazantzakis (2), Edward Morgan Forster, William Somerset Maugham, Aldous Huxley, Sean O´Casey, Albert Camus (3), Gottfried Benn, André Malraux, Jules Romains, Alberto Moravia, Jorgos Seferis ishin kandidatë. Për Laxness-in kishte 5 propozime.

Nobeli për Letërsinë 1956 iu dha Juan Ramón Jiménez-it ndër 158 propozime, ku 95 janë për Ramón Menéndez Pidal, Graham Greene (2), Georges Duhamel (5), Pablo Neruda (1), Nikos Kazantzakis (3), Mihail Shollohov (2) Saint-John Perse (2), André Malraux (5) Albert Camus, Ezra Pound, Gottfried Benn, Edward Morgan Forster, Vasco Pratolini, Jorge Luis Borges, Bert Brecht, Giuseppe Ungaretti, Juan Ramón Jiménez.

Nobeli për Letërsinë 1957 iu dha Albert Camus ndër 66 propozime. Nikos Kazantzakis ishte propozuar 2 herë. Propozime të tjera ishin: Albert Camus, Edward Morgan Forster (2), Samuel Beckett, Jean Giono, Robert Frost, Jules Romains (3), Ramón Menéndez Pidal (3), André Malraux (4), Sean O´Casey, Carlo Levi, Alberto Moravia, Saint-John Perse, Jean-Paul Sartre, Boris Pasternak, Ezra Pound. Shkrimtari dhe shkencëtari rumun Mircea Eliade është propozuar nga Ernest Koliqi, i vetmi propozues shqiptar deri në vitin 1971.

Nobelin e Letërsisë për vitin 1958 e fiton Boris Pasternak me 3 propozime ndër 70 gjithsej. Boris Pasternaku ishte propozuar nga Ernest Simmons, Harry Levin dhe Renato Poggioli. Kandidatët e tjerë ishin Salvatore Quasimodo (3), Robert Frost (5), Mihail Shollohov (3), Junichiro Tanizaki, propozuar nga Pearl Buck, Thornton Wilder (4), Alberto Moravia (2), Ramón Menéndez Pidal (4), André Malraux (3), Georges Simenon (2), Giuseppe Ungaretti, Saint-John Perse (4), Graham Greene, Jean Paul Sartre, Lionel Trilling, Robert Penn Warren, i propozuar nga René Wellek, Carl Sandburg; Miroslav Krleža dhe Ivo Andrićjanë propozuar nga Lidhja e Shkrimtarëve Jugosllavë. Rudolf Schröder-i kishte 4 propozime, njëri nga Tomas Eliot. Tre kandidatë të tjerë janë Tennessee Williams, Elisabeth Bowen dhe John Steinbeck.

Çmimi “Nobel” për letërsinë 1959 iu dha Salvatore Quasimodo-s mes 83 propozimeve. Kandidatë ishin edhe Ezra Pound, E. Forster (5), Julien Gracq (1), André Malraux (6), John Steinbeck, Carl Sandburg (1), Miroslav Krleža (1), Ivo Andrić (2), Aldous Huxley (2), William Somerset Maugham (1), Maria Dabrowska (7), Vasco Pratolini (1), Saint-John Perse (4), Sean O´Casey (1), Tarjei Vesaas (3), Jean-Paul Sartre (2), Louis Aragon (2), Graham Greene (2), Alberto Moravia, Thornton Wilder, Martin Heidegger, Salvatore Quasimodo dhe Max Frisch.

Nobeli për Letërsinë 1960 iu dha Saint-John Perse ndër 70 propozime. Ai ishte propozuar nga Thomas Eliot dhe Eyvind Johnson. Kandidatë ishin edhe Aldous Huxley, Robert Frost (3) Miroslav Krleža, Ivo Andrić (3) Martin Heidegger, André Malraux, René Char, Karl Jaspers, Robert Graves, Graham Greene, Jean Paul Sartre, Julien Gracq, John Steinbeck, Louis Aragon, Ezra Pound, Alberto Moravia, Heinrich Böll.

Çmimi i vitit 1961 iu dha Ivo Andrić-it ndër 93 propozime. Andrić-iishte propozuar nga Elizabeth Hill, Lennart Breitholtz, Johannes Edfelt. Këtë vit Jorgos Seferisi ishte propozuar nga Tomas Elioti. Kandidatë ishin Aldous Huxley, Adrianus Roland Holst (2) John Steinbeck, propozuar nga E Vinaver dhe PEN-Club-i danez, Sean O´Casey (2), André Malraux, Friedrich Dürrenmatt (2), Graham Greene (4), Georges Simenon (2) Edward Morgan Forster (3), Heinrich Böll (4), Alberto Moravia, Jean-Paul Sartre (2), Miroslav Krleža, Robert Frost (8), Pablo Neruda, Julien Gracq, Michail Solochov, Eugenio Montale, W. H Auden, Edmund Wilson, William Somerset Maugham, Simone de Beauvoir.

Nobeli për Letërsinë 1962 iu dha John Steinbeck-ut ndër 86 propozime. Kandidatë ishin Heinrich Böll (2), Friedrich Dürrenmatt (3), E. Forster (4), Michail Solochov, Jean-Paul Sartre (3), Yasunari Kawabata, Thornton Wilder, Graham Greene (2), Sean O´Casey, Miroslav Krleža, Alberto Moravia, Jorgos Seferis, Robert Graves, John Steinbeck, André Malraux (2), Max Frisch (2), Pablo Neruda, Ezra Pound, William Somerset Maugham, Lawrence Durrell (2).

Çmimi i vitit 1963 iu dha Jorgo Seferisit ndër 121 propozime. Kandidatë ishin Louis Aragon (3), Wystan Auden (2), Samuel Beckett, Jorge Luis Borges, André Breton, Heinrich Böll, René Char, Jean Cocteau, Lawrence Durrell (2), Friedrich Dürrenmatt (2), Edward Morgan Forster (3), Max Frisch (2), Robert Frost (8), Graham Greene (3), Aldous Huxley (2), Jevgenij Jevtusenko, Yasunari Kawabata, Miroslav Krleža, André Malraux (4), Alberto Moravia (2), Vladimir Nabokov, Pablo Neruda (2), Ezra Pound, Vasco Pratolini, Jean-Paul Sartre (4), Michail Solochov, Thornton Wilder (2), Edmund Wilson.

Çmimi “Nobel” për letërsinë 1964 iu dha Jean-Paul Sartre-it, i cili e refuzoi. Ai u përzgjodh ndër 98 propozime. Kandidatë ishin: Asturias, Auden (2), Samuel Beckett (2), Borges, André Breton, Heinrich Böll, Paul Celan (2) Friedrich Dürrenmatt (3), Max Frisch, Edward Morgan Forster, Jean Giono, Robert Graves, Eugène Ionesco, Yasunari Kawabata, Miroslav Krleža, Robert Lowell, Hugh MacDiarmid, André Malraux, William Somerset Maugham, Alberto Moravia, Nabokov, Neruda, Katherine Anne Porter, Shollohov, Ungaretti, Thornton Wilder.

Nobeli për Letërsinë 1965 iu dha Mihail Shollohovit ndër 120 propozime. Kandidatë të tjerë ishin Ana Ahmatova (2, dhe njëri nga propozuesit ishte gjuhëtari Roman Jakobson), Theodor Adorno, Louis Aragon (2), Miguel Ángel Asturias, Wystan Auden (2), Samuel Beckett, Jorge Luis Borges (2), Heinrich Böll, René Char, Lawrence Durrell, Friedrich Dürrenmatt, Edward Morgan Forster, Max Frisch (3), Yasunari Kawabata, Miroslav Krleža, André Malraux (6), William Somerset Maugham, Ramón Menéndez Pidal (5), Alberto Moravia, Nabokov, Neruda (3), Katherine Anne Porter, Ezra Pound, Allan Sillitoe, Georges Simenon, Upton Sinclair, Mihail Shollohov (4) Giuseppe Ungaretti, Robert Penn Warren, Thornton Wilder, Edmund Wilson (2) Marguerite Yourcenar.

Nobeli për Letërsinë 1966 u dha për Samuel Agnon dhe Nelly Sachs. Ndër 99 propozime kandidatë ishin: Ana Ahmatova (3), Louis Aragon, Miguel Ángel Asturias, Auden (3), Samuel Becket (4), Borges (2), Heinrich Böll, Edmund Wilson, Thornton Wilder, Paul Celan, Ezra Pound (2), Katherine Anne Porter, Neruda (4), Nabokov, Alberto Moravia (2), Eugenio Montale (2), André Malraux (4), Robert Lowell, Carlo Levi, Miroslav Krleža, Yasunari Kawabata, Graham Greene, Günter Grass, Witold Gombrowicz, Lawrence Durrell, René Char.

Çmimi i vitit 1967 iu dha Miguel Angel Asturias-it ndër 112 propozime. Kandidatë ishin edhe Jorge Amado (5), Louis Aragon, Asturias, Borges (3), Beckett (6), Auden, Moravia, Neruda, Katherine Anne Porter, Pound (2), Edmund Wilson (2), Thornton Wilder (3), Robert Penn Warren, Claude Simon, Eugenio Montale, André Malraux (5) Georg Lukács, Yasunari Kawabata, Eugène Ionesco, Graham Greene, Jean Genet, Max Frisch, Hans Magnus Enzensberger, Lawrence Durrell dhe Saul Bellow.

Nobeli për Letërsinë 1968 iu dha Yasunari Kawabata-s ndër 112 propozime. Sipas një shkrimi të Alison Flood-it në “The Guardian”, janar 2019, «një ndër kandidaturat për të cilin u diskutua shumë ishte Samuel Becket. Arkivat zbulojnë se vetëm një vit më parë, kryetari i komisionit, Anders Österling, kishte shkruar se “për sa i përket Samuel Beckett-it, për fat të keq, unë duhet të mbaj dyshimet e mia themelore nëse një çmim për të është në përputhje me frymën e vullnetit të “Nobelit”. Sigurisht, nuk e kundërshtoj efektin artistik të dramave të Beckett-it, por satira mizantropike e tipit Swift ose pesimizmi radikal i tipit Leopardi, ka një zemër të fuqishme, e cila për mendimin tim i mungon Beketit». Österling-u e kishte kritikuar shumë kohë më parë mundësinë që Beckett-i të fitonte duke thënë se “do ta shihte një çmim ‘Nobel’ për të gati si një absurditet në stilin e tij”. Mëtuesit e tjerë kryesorë për çmimin atë vit përfshinin romancierin francez André Malraux, poetin britanik W.H. Auden dhe romancierin japonez Yasunari Kawabata. Emra të tjerë të paraqitur për çmimin më të lartë të letërsisë në botë në 1968 përfshinin Ezra Pound-in dhe E.M Forster, Chinua Achebe, dhe Graham Greene. Nabokovi u la përsëri mënjanë nga një juri që e kishte përshkruar më parë romanin e tij “Lolita” si imoral dhe nuk ishte i prirur të ndryshonte mendje; Eugène Ionesco u mor parasysh dhe u përshëndet për risinë që kishte sjellë në dramën moderne, por u la mënjanë për shkak të natyrës së diskutueshme të veprës së tij.

Autori australian Patrick White, i cili do të fitonte “Nobelin” pesë vjet më vonë, po shfaqej tashmë në vitin 1968 si një mëtues serioz. Komisioni e vlerësoi “romanin e tij të madh” Pema e njeriut, duke thënë se White mund të jetë “përfaqësuesi i parë me kohë të plotë i kontinentit të pestë në letërsi”. Österling-u e mbështeti zgjedhjen e Malroux, pavarësisht pozicionit të autorit si ministër i Kulturës në qeverinë e De Gaulle-it, por shtoi se një çmim për Kawabata-n “ishte i përligjur dhe i mirëpritur”, siç do të ishte për Auden-in, edhe pse “faza risuese e tij në poezi kishte ndodhur pak kohë më parë”. Kandidatë të tjerë ishin Jorge Amado (3), Louis Aragon (4), Heinrich Böll, Paul Celan, René Char, Friedrich Dürrenmatt, Edward Morgan Forster, Max Frisch, Witold Gombrowicz, Zbigniew Herbert, Taha Hussein (4), Eugène Ionesco (2), Miroslav Krleža, Claude Lévi-Strauss, Robert Lowell (2), Hugh MacDiarmid, Edward Mackenzie (6), Eugenio Montale, Alberto Moravia, Vladimir Nabokov, Pablo Neruda, Katherine Anne Porter, Ezra Pound, Claude Simon, Tarjei Vesaas (6), Thornton Wilder, Edmund Wilson.

Beckett-i, me gjithë rezervat e mëparshme të Österling-ut, do të fitonte “Nobelin” për letërsinë 1969 me 5 propozime mes 184 propozimeve, ku kandidatë ishin Edward Albee, Jorge Amado (5), Louis Aragon (4), W. H. Auden (3), Simone de Beauvoir, Borges (4), Heinrich Böll (3), Elias Canetti, Paul Celan (4), René Char, Lawrence Durrell, Friedrich Dürrenmatt (3), E. Forster (2), Max Frisch, Witold Gombrowicz, Günter Gras (5), Robert Graves, Graham Greene, Eugène Ionesco, Miroslav Krleža (4), Siegfried Lenz, Claude Lévi-Strauss, Robert Lowell, André Malraux, (8), Arthur Miller, Eugenio Montale (5), Alberto Moravia, Nabokov, Neruda (3), Ezra Pound, Raymond Queneau, Alain Robbe-Grillet, Nathalie Sarraute, Sollnezhicin, John Ronald, Reuel Tolkien, Giuseppe Ungaretti, (7), Patrick White (2), Thornton Wilder, Edmund Wilson.

Nobel për Letërsinë 1970 iu dha Solzhenicinit ndër 28 propozime. Kandidatë ishin: Jorge Amado (2), Auden (2), Borges (5), Heinrich Böll (3), Günter Grass, Graham Greene, Eugène Ionesco, Miroslav Krleža, André Malraux (6), Eugenio Montale, Alberto Moravia, Nabokov, Neruda, Claude Simon, (2), Solzjenitsyn (6), Ungaretti, Patrick White (6), Thornton Wilder (2) Edmund Wilson.

Nobeli për Letërsinë 1971 iu dha poetit dhe politikanit kilian Pablo Neruda, ndër 137 propozime. Kandidatura e tij u përzgjodh mes emrave Edward Albee, Jorge Amado, Louis Aragon, W.H. Auden, James Baldwin, Saul Bellow, Borges, (6) Heinrich Böll (3), Elias Canetti, William Golding, (2), Günter Grass (4), Graham Greene, Eugène Ionesco, Roman Jakobson, Miroslav Krleža, Arthur Koestler, Philip Larkin, André Malraux (5), Arthur Miller (2), Eugenio Montale (6), Alberto Moravia (2), Nabokov (2), Ezra Pound, Janis Rikos (2), Alain Robbe-Grillet, Claude Simon, Patrick White (2), Elie Wiesel, Thornton Wilder, Tennessee Williams.

Sipas dokumenteve të bëra publike, “Pablo Nerudës pothuajse iu mohua çmimi për shkak të odeve për Stalinin” (The Guardian, 5 janar 2022). “Shqetësimet e jurisë kishin të bënin me “prirjet komuniste” të poetit kilian dhe disa anëtarë të Akademisë Suedeze ngurronin. Kryetari i komisionit të “Nobelit” Anders Österling vlerësoi “fuqinë e natyrshme poetike dhe forcën dinamike jetësore” të Nerudës, por kishte dyshime nëse «prirja gjithnjë e më mbizotëruese komuniste në poezinë e tij është në përputhje me qëllimin e Çmimit “Nobel”». Neruda ishte gjithashtu një politikan dhe diplomat i majtë dhe mik i ngushtë i Presidentit Salvador Allende. “Mënyra e të menduarit të një shkrimtari, qoftë marksist, sindikalist, anarkist apo diçka tjetër – i përket së drejtës së tij të mendimit të lirë. Sidoqoftë, Neruda ishte plotësisht i përfshirë politikisht, edhe me himnet e tij për Stalinin dhe arritje të tjera thjesht propagandistike. Mbi këtë bazë, kam rezerva për kandidaturën e tij, megjithatë pa dashur ta refuzoj me vendosmëri atë paraprakisht,” shkroi Österling-u në vitin 1963, një mendim që ai vazhdoi ta mbajë edhe në vitin 1971, sepse Neruda «propagandon ide të një natyre që është pa dyshim në kundërshtim me frymën e Çmimit “Nobel”, ashtu si Samuel Beket, për shkak të nihilizmit të tij». Hapja e arkivave tregon gjithashtu se W.H. Auden, James Baldwin, Philip Larkin dhe Jorge Luis Borges ishin të propozuar për çmimin e vitit 1971. Audeni hyri në listën e ngushtë, së bashku me Patrick White, André Malraux dhe Eugenio Montale. Lista e 90 shkrimtarëve të propozuar për “Nobelin” e 1971-it përfshinte vetëm një grua: poeten estoneze Marie Under.

***

Institucione akademike, universitete, shoqata shkrimtarësh, njerëz të letrave, kandidatë ose fitues të “Nobelit”, shkrimtarë, kritikë letrarë, publicistë, pedagogë, diplomatë, historianë, klerikë, princër, shtetarë kanë propozuar për dekada me radhë kandidatët, dhe tani listat e digjitalizuara deri në vitin 1971 sipas rregullit të ruajtjes së fshehtësisë për 50 vjet, krijojnë mundësinë e shqyrtimit të vëmendshëm, për të hedhur dritë mbi procedurat e propozimeve dhe përzgjedhjen e fituesve.

Tolstoi u propozua gjashtë vjet me radhë nga njerëz të letrave të disa vendeve, Thomas Hardy 25 herë pa e fituar, shkrimtari amerikan Upton Sinclair kishte në vitin 1932 “800 propozime”, William Faulkner dhe François Mauriac u propozuan nga Princi Vilhelm, i biri i Mbretit Gustav V i Suedisë, Ernest Koliqi propozoi në vitin 1957 filozofin rumun Mirçea Eliade (Mircae Eliade) dhe këto janë vetëm disa nga faktet që nxjerrin në pah arkivat e digjitalizuara të “Nobelit” për letërsinë 1901-1971.

Nga shqyrtimi i këtyre listave me propozues dhe kandidatë del se, që prej vitit 1910 deri në vitin 1927, shkrimtari André Malraux ishte për 24 vjet si finalist, Graham Green 16 vite, Edward Morgan Forster 15, Ezra Pound 14 vite, W.H. Auden 14, Thornton Wilder 14, Paul Valéry 11 herë, Jorges Luis Borges 10 vite, Vladimir Nabokov 9, Max Frisch 8, Aldous Huxley 7, William Somerset Maugham 6, kurse për Tolstoin në 6 vite pati 16 propozime.

Zigmund Freud u propozua 32 herë për Çmimin “Nobel” për mjekësinë dhe një herë për Çmimin “Nobel” për Letërsinë në vitin 1936 nga Romain Rolland-i. Churchill-i ka qenë 6 herë kandidat i “Nobelit” për letërsinë dhe 2 herë kandidat i “Nobelit” për paqen (1945,1950). Në vitin 1950 ai kishte qenë kandidat për Çmimin “Nobel” për letërsinë dhe për Çmimin “Nobel” për paqe, në të njëjtin vit. Ana Ahmatova u propozua në vitin 1965 dhe 1966. Ish-sekretarit të përhershëm të Akademisë Suedeze, Erik Axel Karlfeldt, iu dha çmimi pas vdekjes dhe që nga viti 1974, statutet e Fondacionit “Nobel” përcaktojnë se Çmimi “Nobel” nuk mund të jepet pas vdekjes. James Joyce, F. Scott Fitzgerald, Isaak Babel, Walter Benjamin, Nathanael West, Mihail Bulgakov, Marina Cvetajeva, Virginia Woolf, Bruno Schulz, Stefan Zweig, Robert Musil nuk u propozuan asnjëherë për Çmimin “Nobel” për letërsinë.

© 2022 Granit Zela. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Burimet e shfrytëzuara:

– 70 lista me emrat e kandidatëve të propozuar për “Nobelin” për letërsinë dhe emrat e propozuesve në Arkivat e digjitalizuara të “Nobelit” për letërsinë 1901-1971.
– Alain Said, Våldsam debatt i Akademien när Lagerlöf valdes. Svenska Dagbladet, 25 September 2009.
– Alison Flood, Samuel Beckett rejected as unsuitable for the Nobel prize in 1968, The Guardian, January 10, 2019.
– Jeffrey Frank, In From the Cold: The return of Knut Hamsun, The New Yorker, December 18, 2005.
– Alison Flood, Nobel winner Pablo Neruda was almost denied prize because of odes to Stalin, The Guardian, January 5, 2022.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin