Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

KALLËPI I STANDARDIT

nga Enkeleida Kapia

Rimarr këtu idenë e sjellë në kujtesën tonë nga Derhemi rishtazi[1]: është detyrim etik i gjuhëtarëve të shtyjnë sa më fort institucionet dhe folësit e shkruesit për përdorimin e dialekteve[2] të minorancave apo maxhorancave, që të jenë të gjalla si forma identitare të grupeve dhe si forma të diversitetit gjuhësor e kulturor aq të nevojshme për mirëqenien e individit dhe shoqërisë. E rimarr sepse më duket e rëndësishme në kontekstin e debatit për reformën në drejtshkrim. Vij fill nga Tirana, pas një jave të ngjeshur me diskutime për variantin standard, në seli akademike e politike të qytetit, ku u shtruan mendime të skajeve të ndryshme për reformën drejtshkrimore. Të gjithë ata që përshkruan Vehbiu (2022)[3] në esenë e tij ishin aty dhe paraqitën me këmbëngulje argumentet e tyre. Nisur nga papajtueshmëria e argumenteve, dhe, jo rrallëherë, edhe mungesa e konstruktivitetit në debat (disa i bien gozhdës, të tjerë potkoit), dikush që ka ndjekur me vëmendje qerthullin problemor të kësaj çështjeje, e ka, besoj, të qartë që reforma, ideja dhe (mos)zbatimi i saj, mund të duan vite (madje dhe dekada) të shoshiten, edhe pse për disa prej nesh zgjidhja nuk është shumë larg imagjinatës. Ndërkohë e ndërkaq që studiuesit, me gjasa, do vazhdojnë të rrahin ende mendimet e tyre, mbrojtja dhe ofrimi i hapësirave për përdorimin e dialekteve të shqipes, në mënyrë që ato të jenë të gjalla si forma identitare të grupeve dhe si forma të diversitetit gjuhësor, thelbësor për ekzistencën tonë, duhet të jetë detyrim ligjor i shtetit.

Dihet që politikat gjuhësore të një shteti nuk përcaktohen vetëm nëpër dokumentacione ligjore, por edhe përmes praktikave e pedagogjive që ndjek një shtet i caktuar në terren. Është pikërisht ndërthurja midis politikave, praktivave e pedagogjive që sjell atë që sot e quajmë ideologji gjuhësore.[4] [5] Duke qenë pjesë e sistemit, ideologjitë gjuhësore bëhen kaq të natyrshme sa, jo rrallëherë, ato maskojnë edhe vetë strukturat që punojnë në heshtje për t’i krijuar dhe për t’i përhapur këto ideologji. Një nga këto struktura, hapësirë kyçe në një shoqëri, ku ndodh dhe ngulitja e ideologjive gjuhësore është shkolla, e cila nuk funksionon veçse në sajë të mekanizmave rregulluese të politikave gjuhësore siç janë kurrikulat, programet lëndore, tekstet, etj. Shkolla shqiptare, përveç përmendjes së diversitetit gjuhësor dhe orëve të paracaktuara për njohjen e dialekteve të shqipes (orë të veçuara aty-këtu ku nxënësit i jepet informacion metalinguistik për dialektet), ushtron en masse një politikë që përforcon një mënyrë monoglosike të të menduarit, duke i dhënë prioritet ideologjisë gjuhësore të standardit. Vetvetiu format jo-standarde nuk lejohen në përdorim dhe fillojnë e perceptohen, jo vetëm si forma dytësore, por si shkarje, lajthitje, shmangie, gabime, etj të cilat duhen ndrequr a korrigjuar, duke i shtresëzuar kështu për folësin, në mënyrë krejt të pavetëdijshme, variantet e shqipes – folësi krijon një piramidë mendore hierarkike dhe në krye të saj vendos standardin, kurse dialektet a të folmet e tjera i rendit pas tij.

Riprodhimi i praktikave të tilla të rrahura si me çekan për vite me radhë, në kontekstin e shkollës, çon në praktika të heshtura të një farë kontrolli gjuhësor, i cili është i pranishëm jo vetëm në shkollën shqiptare, por edhe në shkolla të vendeve të tjera që ushtrojnë ideologjitë gjuhësore të standardeve të tyre.[6] [7] Edhe pse praktika të tilla monoglosike kanë qenë objekt kritike nga sociolinguistët qysh në vitet 50-60-të[8] [9], nëse ato vazhdojnë e ndodhin ende në vende me retorikë të përpunuar pedagogjike siç është Anglia për shembull , nuk është aspak çudi që sot i shohim ende në praktikat e shkollës tonë, për të cilën diskursi studimor dhe politikëbërës është fare i munguar. (Studimet që shqyrtojnë e kritikojnë praktika monoglosike në vende të tjera me afëri gjeografike dhe kulturore me vendin tonë janë të pakta, por disa prej tyre mund të gjenden në link-un në footnote – revista shkencore Journal of Multilingual and Multicultural Development[10] i ka dedikuar një numër të veçantë kësaj teme). Çfarë mund të mësojmë, pra, nga këto praktika botërore për ideologjinë e standardit tjetërkund?

Në Angli me anë të mekanizmave të përmendura më lart, (më duken me vlerë rastet nga vende me traditë studimore të këtyre problemeve), gjen ende manifestime të anglishtes standarde si një konstrukt i qëruar dhe i jo-politizuar, njohja e të cilit mund të testohet në shkollë vetëm përmes ‘përgjigjeve të sakta ose të gabuara’[11]. A nuk ju shëmbëllen me diçka? Përgjigjet e sakta janë ato në anglishten standard, çdo gjë tjetër është e gabuar, duke krijuar një skenografi në të cilën format jashtë standardit janë të gabuara, të pamjaftueshme. Në etnografinë e shkruar për një shkollë aty, Snell (2013) kallëzon me shembuj konkretë se si ideologjia gjuhësore e standardit vendos kufij artificialë midis varianteve gjuhësore, ndërkohë që në realitetin sociolinguistik, pra në jetën e përditshme, folësit i përziejnë në mënyrë krejt spontane, kreative dhe të natyrshme variantet e repertorit të tyre individual. Shkolla, duke i mëshuar ideologjisë së vet vetëm pro-standard, nuk bën gjë tjetër veçse ngre caqe dhe hendeqe akoma dhe më të theksuara midis folësve, por dhe brenda folësve, duke korrigjuar format jo-standarde dhe duke ngjizur kësisoj paragjykimet me baza gjuhësore, të cilat në rastin tonë lidhen drejtpërdrejt me identitetet etnokulturore të folësve (kurse në Angli e tjetërkund, këto paragjykime lidhen më shumë me konstruktet sociale të race dhe class).

Një ballafaqim i përciptë i dokumenteve kombëtare, por edhe i atyre në nivel lokal dhe në nivel shkolle e ilustron më mirë problemin. Në përshkrimin e kompetencave kryesore të nxënësit në dokumentet tona arsimore gjen rëndom shprehje të tilla:

Nxënësit duhet të përdorin drejt gjuhën standarde gjatë folurit; kuptojnë dhe zbatojnë në komunikim karakteristikat e gjuhës së folur; shqiptojnë saktë dhe me intonacionin e theksin e duhur fjalët dhe fjalitë, me qëllim që të jenë të kuptueshëm dhe interesantë për të tjerët;

nxënësit të flasin dhe të shkruajnë në mënyrën e duhur

përdorin gjuhën standarde në shkollë dhe jashtë saj, si dhe zbatojnë rregullat themelore gramatikore

përdor gjuhën standarde në situata formale dhe joformale, duke përfshirë edhe diskutimet në klasë

Gjatë këtyre orëve zhvillohen biseda dhe diskutime në klasë rreth temave si: angazhimi në komunitet, përgjegjësitë dhe të drejtat e nxënësve në shkollë; komunikimi në një mjedis virtual; çfarë u pëlqen të lexojnë; marrëdhëniet mes djemve dhe vajzave; aktivitetet shkollore, rëndësia e përdorimit të gjuhës standarde në komunikim

Nxënësi shkruan tekste koherente duke u përqendruar në temën që do të trajtojë dhe duke lidhur logjikisht fjalitë në paragraf dhe paragrafët mes tyre. Ai përdor gjuhën standarde dhe zbaton rregullat gramatikore

përdor gjatë të shkruarit gjuhën standarde dhe respekton rregullat gramatikore dhe drejtshkrimore

përdor mirë gjuhën standarde shqipe

lexon rrjedhshëm, me intonacionin e duhur, një tekst të caktuar

shqiptojnë saktë dhe me intonacionin e theksin e duhur fjalët dhe fjalitë

Në disa dokumente kombëtare që rroka shkurtazi për këtë shkrim, pashë që shprehje të tilla janë me dhjetëra e dhjetëra, ndërsa shprehjet që lidhen me dialektet janë vazhdimisht e njëjta shprehje: nxënësit të njohin dialektet e shqipes. Po çfarë do të thotë kjo? Të njohin që shqipja ka dy dialekte a disa të folme dhe se cilat janë tiparet dialluese të tyre? Kaq?

Këto shembuj trajtesash (kurrsesi jo shteruese) të kompetencave të nxënësve mbështeten në thelb në idenë që të gjithë folësit në shkollë (mësuesit dhe nxënësit) janë folës të gjuhës standarde dhe që kjo është forma e vetme e lejueshme e shprehjes brenda shkollës (në raste të caktuara, shiko më lart, kërkohet që shprehja në standard të ndodhë edhe jashtë shkollës). Me pak fjalë, këto lloj qasjesh e zbehin tërësisht kompleksitetin dhe vitalitetin e gjuhës me dialektet dhe të folmet e saj dhe kërkojnë përdorimin medoemos vetëm të variantit standard gjatë gjithë kohës. Ky lloj diskursi normativ vendos standardin si një kut matës ndaj të cilit gjykohen të gjitha format e tjera jo-standarde dhe mbi këtë bindje ngrihet dhe përpjekja për të mos i qasur brenda shkollës të folmet e ndryshme dialektore të shqipes. Por intertekstualiteti i këtyre politikave, të shkruara të zezë në të bardhë, shtron para nesh pyetje të rëndësishme. Ç’do me thënë saktë, drejt dhe e duhur? Cilat variante të shqipes përligjin këto përcaktime? A mos i kemi dhënë shtysë, dashje pa dashje, diskursit hegjemonik duke stigmatizuar (pse jo dhe marxhinalizuar) diversitetin tonë, variacionin e shqipes?

Baker-Bell (2020)[12] në studimin e tij për qasjet edukative ndaj përdorimit të gjuhës në shkolla i ndan qëndrimet dhe politikat globale në ato që mbështeten në parimin e respectability (respektueshmërisë) dhe ato që janë kryesisht eradicationist (eliminuese). Qasjet dhe politikat edukative që i trajtojnë të gjitha variantet e gjuhës me respekt lejojnë brenda shkollës përdorimin krahas formave standarde edhe të formave jo-standarde, si me gojë ashtu edhe me shkrim, duke tumirur praninë e tyre për kontekste të caktuara gjuhësore. Por këtë nuk e kanë përligjur domodoshmërisht duke reformuar standardin. Në fakt, nëse i hedhim sytë nga bota, reformat në drejtshkrim, të cilat i pat trajtuar dhe Vehbiu[13], dhe që në shumicën e rasteve kanë qenë të pasuksesshme, nuk ka pse të jenë thelbi i vetëm i përsiatjeve tona. Studiues bashkëkohorë të çështjeve të gjuhësisë së zbatuar sugjerojnë ndryshimin e status-quo-së në lidhje me ideologjitë gjuhësore të standardit, duke i hapur rrethanat arsimore drejt proceseve më stabilizuese e gjithëpërfshirëse me ofrimin e alternativës pedagogjike të shkrimit-e-këndimit kritik (angl. critical literacy)[14]. Kjo nënkupton që shkolla të mos u mësojë nxënësve thjesht standardin dhe vetëm standardin, por edhe PËR standardin, statusin e tij politik dhe shoqëror, si dhe pikëprerjen që ka standardi me dialektet dhe historitë e identiteve tona si folës dhe trashëgimtarë dialektesh ende të gjalla. E kam të qartë që një pjesë e studiuesve albanologë mendojnë që problematika në lidhje me standardin qëndron tek mospërvetësimi i suksesshëm i tij dhe mungesa e kulturës gjuhësore sot, por mendoj që ky dështim nuk është unik në lidhje vetëm me standardin; është problem i përgjithshëm i shkollës sot dhe lidhet me përvetësimin e dijes, kulturës, njohurive në përgjithësi. Në këtë prizëm, ky problem nuk zgjidhet domosdoshmërisht me reformë në drejtshkrim, por me reformë në arsim në përgjithësi. Por kjo kërkon një tjetër trajtesë dhe, mbi të gjitha, kjo nuk e zvogëlon problemin që standardi sot, për të cilin jemi të ndërgjegjshëm që na nevojitet, përçohet përmes një ideologjie që u jep shumë pak hapësirë dialekteve në shkolla si forma shprehëse identitare të diversitetit tonë mes nesh.

Në mbyllje, në rast se gjurmojmë me imtësi mendimet e fundit në shkencë, për këto çështje që i kalojnë kufijtë e një vendi të caktuar, vërejmë se ato syzohen farë mirë në fjalët e shumëcituara të studiuesit Bacon[15]: “ajo që vjen e bëhet më e rëndësishme është demaskimi i mitit të standardit, sidomos tek ata që janë rritur duke menduar që vetëm ata flasin “drejt e saktë” meqënëse flasin në standard. Duke e neglizhuar problematizimin e realiteteve historike që kanë sjellë në ngritjen e një varianti në normë/standard, mësimi i dekontekstualizuar (pa historikun e vet) i vetë standardit i shërben institucionalizimit të mitit të tij dhe të paragjykimeve gjuhësore të ngulitura po në ideologjinë që e përçon.”

 

(c) 2022 Enkeleida Kapia. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Kopertina: Photo by Courtney Cook on Unsplash.


[1] https://peizazhe.com/2022/11/26/standarde-dhe-regjime-gjuhesore/

[2] Po përdorim termin dialekte këtu për të qënë në koherencë me traditën e terminologjisë në albanologji edhe pse termat bashkëkohore janë të folme, varietete etj. Por për të mos iu futur diskutimeve për terminologjinë në këtë punim, do qëndrojmë me termin më të bashkënjohur nga lexuesi shqiptar.

[3] https://peizazhe.com/2022/11/27/kostot-e-rishikimit-te-standardit/

[4] Shohamy, E. (2006). Language policy: Hidden agendas and new approaches. Routledge.

[5] Tollefson, J. (ed.). (2013). Language policies in education: Critical issues. Lawrence Erlbaum Associates.

[6] Godley, A., Carpenter, B., & Werner, C. (2007). “I’ll speak in proper slang”: language ideologies in a daily editing activity. Reading Research Quarterly42(1), 100–131. https://doi.org/10.1598/RRQ.42.1.4

[7] Cushing, I. (2020). The policy and policing of language in schools. Language in Society49(3), 425–450. https://doi.org/10.1017/S0047404519000848

[8] Rosen, H. (2017). Language and class: A critical look at the theories of Basil Bernstein. In J. Richmond (Ed.), Harold Rosen: Writings on life, language and Learning, 1958-2008 (pp. 20–42).

[9] Snell, J. (2013). Dialect, interaction and class positioning at school: From deficit to difference repertoire. Language and Education27(2), 110–128. https://doi.org/10.1080/09500782.2012.760584

[10] https://www.tandfonline.com/doi/full/10.1080/01434632.2020.1813146?src=recsys

[11] Janks, H. (2010). Literacy and power. Routledge.

[12] Baker-Bell, A. (2020). Linguistic justice: Black language, literacy, identity, and pedagogy. Routledge.

[13] https://peizazhe.com/2022/11/27/kostot-e-rishikimit-te-standardit/

[14] Baker-Bell, A. (2020). Linguistic justice: Black language, literacy, identity, and pedagogy. Routledge.

[15] Bacon, C. (2017). Dichotomies, dialects, and deficits: confronting the “standard English” myth in literacy and teacher education. Literacy Research: Theory, Method, and Practice66(1), 341–357. https://doi.org/10.1177/2381336917719255

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin