Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

INTRODUKTË – MOBY DICK

Nga Jay Parini, për librin e Herman Melville, “MOBI DIK” (MOBY DICK).

Përkthyer dhe pajisur me shënime nga Don Mehaj

Mobi Dik është romani i madh amerikan. Egërsia dhe fuqia e tij imagjinative, humori dhe pathosi i tij, e lartësojnë atë në botën e letërsisë perëndimore dhe Herman Melvill (Melville) radhitet në aradhën e Tolstoit dhe Dikensit, si një mjeshtër i kësaj forme të shkruari. Sidoqoftë, ai mbetet një libër i vështirë në shumë aspekte; pjesërisht për nga natyra e tij enciklopedike; pjesërisht për nga densiteti i gjuhës, e cila është poetike në efektet dhe aspiratat e saj, me jehonat e shumta të Biblës, Miltonit dhe Shekspirit.

Melvill po shkruante nga thellësia e përvojës. I lindur në një familje deri diku të varfër me origjinë aristokratike në 1918, autori u detyrua ta linte shkollën për arsye ekonomike (babai i tij vdiq kur ai ishte dymbëdhjetë vjeç, duke e lënë familjen pa të ardhura). Ai nuk e ndoqi kurrë universitetin, kështu që mundësitë për një punë fitimprurëse ishin të pakta. Në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare, përshkroi Atlantikun me një anije postare[1] duke punuar si ‘njomcak’[2]. Dy vite më vonë, u regjistrua në një anije që merrej me gjueti balenash, Acushnet, duke lundruar nga New Bedford – kryeqyteti amerikan i industrisë së gjuetisë së balenave – më 3 Janar 1841. Për rreth tetëmbëdhjetë muaj, ai filloi duke u ngritur në detyrë, deri në gradën e rremtarit, pozicion i mbajtur nga rrëfimtari – Ishmael – në romanin e tij. Ka mundësi që ai ta ketë stërvitur krahun edhe si fuzhnjëtar.

Kapiteni Valentine Pease i Acushnet-it shërbeu vagullimthi si një model për kapitenin e çmendur Ahab tek Mobi Dik, ndonëse dikush mund të hamendësojë që Pease dhe Ahab ishin burra krejt të ndryshëm. Ahabi bëhet, në fantazinë e Melvillit, një figurë me peshë gjigande, një figurë simbolike, emri i të cilit është sinonimik me fanatizmin. Ahabi dëshiron ta vrasë Mobi Dikun, balenën e bardhë kryemadhe[3] e cila i ka shkaktuar atij humbjen e njërës këmbë në ekspeditën e mëparshme. Ndjekja e kësaj balene të veçantë kthehet në alegori – historia se si fiksimi çon drejt shkatërrimit. Etja për hakmarrje e Ahabit rrezikon të shkatërrojë gjithçka nën urdhrat e tij. Ai nuk do t’ia dijë aspak për jetën e burrave në anije. Gjithçka i nënshtrohet dëshirës së parzmuar për ta shkatërruar këtë balenë, bardhësia e së cilës është në vetvete simbolike, siç sugjeron edhe Melvill: ndërsa zakonisht dikush e lidh bardhësinë me dlirësinë, si në një fustan nusërie, këtu bardhësia qëndron për zbrazëtinë, një mungesë domethënieje, ose një domethënie aq e komplikuar sa qëndron larg të kuptuarit të çdokujt. Për Ahabin, balena gjigande nuk është gjë tjetër veçse e keqja, ndonëse lexuesi duhet të jetë kritik ndaj këtij interpretimi, pasi asgjë në natyrë nuk mund të jetë thjesht e keqe në vetvete. Kjo balenë nuk është veçse një krijesë e thellësisë, e nënshtruar ndaj mbijetesës.

Herman Melville

Melvill e braktisi Acushnet-in në Detrat Jugorë, duke u hedhur nga anija së bashku me një mik tijin për të eksploruar një ishull ekzotik të quajtur Nuka Hiva, ku ai u rrëmbye nga kanibalët – që ish subjekti i librit të tij të parë, Typee: A Peep at Polynesian Life (1846). Ai shkruajti disa libra duke u bazuar në eksperiencën e tij në oqeanin Paqësor, duke përfshirë Omoo (1847) dhe Mardi (1849). Redburn (1849) u botua menjëherë pas Omoo dhe tregon historinë e aventurës së parë të autorit, në bordin e një anijeje përgjatë kalimit për në Liverpool. White Jacket (1850) është një rrëfim i Melvill në bordin e një fregate[4] detare e cila e çoi atë nga Hawaii në Boston, në etapën e fundit të udhëtimit të tij të madh. Duke i parë si një e tërë, këto libra të mëhershëm, pasqyrojnë një sprovë të gjerë të energjisë artistike nga Melvill.

Në kohën kur u ul të shkruajë Mobi Dikun, ai ishte mësuar me zhgroposjen e eksperiencave të një dekade më parë. Udhëtimet e shumëllojshme në det, aventurat mbi anije të ndryshme, ofronin një morí xhevahiresh si material burimor për librat e tij. Kur filloi romanin, ai pretendoi se do të shkruante një përshkrim të drejtpërdrejtë të gjuetisë së balenave. Do të ishte një histori me aventura dhe ai shpresonte se do të fitonte shumë para nga libri i tij, ndërsa jetonte në një varfëri të butë, duke u detyruar gjithmonë të merrte para borxh nga miqtë e të afërmit e tij.

Në verën e vitit 1850, Melville e shpërnguli familjen e tij nga New York City në Berkshires, një zonë e këndshme e Massachusetts-it perëndimor, ku ai kish kaluar kohë si fëmijë, në pronën e dajës së tij. Ai bleu një shtëpi në fermë në Pittsfield dhe e quajti Arrowhead. Gruaja, nëna dhe fëmija i tij i parë, jetuan me të në këtë shtëpi të hallakatur fshati, me hambarët e saj, pyjet dhe fushat që e rrethonin. Nga dritarja e dhomës së punës, ai mund të shihte pirgun e ndritshëm të malit Greylock në veri. Melvill shkruante në një letër: “Kam një lloj ndjesie të detit, këtu në fshat, tashmë që toka është plotësisht e mbuluar me dëborë. Kur zgjohem, shikoj nga dritarja ime në mëngjes, siç do të bëja prej një dritarëze anijeje në Atlantik. Dhoma ime duket si një kabinë anije; dhe mbrëmjeve, kur zgjohem dhe dëgjoj uturimën e erës, pothuajse përfytyroj se ka shumë vela të hapura në shtëpi dhe ndoshta, është më mirë të shkoj në çati dhe të ngrej direkun e oxhakut.”

Një nga komshitë e afërt të Melvill në Berkshires ishte Nathaniel Hawthorne, pesëmbdhjetë vite më i madh në moshë, i cili së fundmi kishte botuar The Scarlet Letter[5], një nga veprat më të mira të letërsisë amerikane. Shumë shpejt ata u bënë miq. Në fakt, Melvill u fiksua me Hawthornin – duke e ndjekur atë me një këmbëngulje të denjë vetëm për Ahabin. Ai kërkonte aprovimin e tij, madje dashurinë e tij. Hawthorne, nga ana tjetër, nuk e pranoi këtë lloj intimiteti dhe u tërhoq, edhe pse e nxiti Melvillin të krijonte tek Mobi Dik një roman me qëllim alegorik, me thellësi morale dhe shpirtërore. Shkrimtari i ri iu përgjigj kësaj thirrjeje dhe ai u zhyt thellë e më thellë, duke i dhënë formë një rrëfimi të plotë që shqyrton izolimin e shpirtit njerëzor. (Filozofi amerikan Ralph Waldo Emerson, me bujë e kishte krahasuar shpirtin me një anije në det dhe ky shoqërim vështirë se kaloi pa u vënë re nga Melvill.)

Romani u shkrua në një kompozim të furishëm dhe u botua në 1851 (dhe si për dëshpërimin e shkrimtarit, me reçensa të përziera dhe me pak shitje). Përgjatë punës në Pittsfield, Melville e rrethoi veten me libra rreth gjuetisë së balenave dhe me rrëfime të aventurave në det. Për shembull, ai ishte duke lexuar Natural History of the Sperm Whale[6] nga Thomas Beale, si dhe Etchings of a Whaling Cruise[7] nga J. Ross Browne. Në 1820, Essex-i, një anije amerikane për gjueti balenash, u sulmua dhe u shkatërrua nga një balenë predatore kryemadhe. Ndihmës-kapiteni i kësaj anijeje, Owen Chase, publikoi Narrative of the Most Extraordinary and Distressing Shipwreck of the Whale Ship Essex[8] vetëm një vit më vonë, dhe ky libër e e magjepsi Melvill. Një tjetër burim i rëndësishëm për të ishte një rrëfim nga zbuluesi Jeremiah N. Reynolds, I cili në 1839 botoi një përshkrim të një tjetër balene që sulmonte anije. Kjo quhej Mocha Dick, “një balenë-dem[9] e vjetër, me përmasa e forcë të stërmadhe.” Mocha Dick ishte gjithashtu “i bardhë si lesh deleje”. Këtu shihet edhe literalisht origjina e balenës legjendare të Melvillit. Romani u shkrua shpejt po jo pa vështirësi: “Jam në gjysë të punës,” i shkruante një mikut të tij. “Megjithatë, kam frikë se do të jetë një lloj libri i çuditshëm; dhjami i balenës, dhjamë është, siç e ke parasysh; edhe pse mund të nxjerrësh vaj prej tij, poezia rrjedh e ngurtë si limfa prej një peme të ngrirë panje – dhe për ta vluar sendin, dikush duhet ta zbukurojë disi, e cila për nga natyra e gjësë, duhet të jetë e rrëmujshme sikurse edhe llapaçitja e balenave në vetvete. Pavarsisht kësaj, unë akoma dua të përcjell të vërtetën.”

Romani ecën në mënyrë të pashmangshme nga breshëria hapëse në fillim, në të cilën zëri i rrëfimtarit ngrihet me vendosmëri:

Më quani Ishmael. Disa vite më parë – s’ka rëndësi se sa tamam – duke pasur pak ose aspak para në kuletë, mendova të lundroja për pak kohë dhe të shikoja pjesën e ujshme të botës. Është një zakon që kam, për të larguar melankolinë dhe për të rregulluar qarkullimin e gjakut. Sa herë e kap veten tek filloj ta kem gojën e rëndë; sa herë është ndonjë Nëntor i brengosur e me shi në shpirtin tim; sa herë e kap veten tek ndaloj padashur përpara depove të arkivoleve, dhe duke i shkuar pas çdo funerali që has, dhe veçanërisht kur më mbërthen keqazi depresioni[10], aq sa duhet një parim i fortë moral, që të më ndalojë të dalë qëllimisht në rrugë dhe t’ia hedhë kapelen përtokë të tjerëve – bash atëherë, më duket koha e duhur për të dalë në det sa më shpejt të  mundem. Ky është zëvëndësimi im për plumbin e pushkën. Me një përndritje filozofike Kato derdhet mbi shpatën e tij; Unë me qetësi marr drejt anijes. Nuk ka asgjë për tu habitur në këtë mes. Nëse do ta dinin, të gjithë burrat në masën e tyre, herët a vonë, ushqejnë përafërsisht të njëjtat ndjenja me mua për oqeanin. 

Në një farë mënyre, gjithçka që duhet të dish për të lexuar Mobi Dikun shfaqet këtu në pamje të plotë. Ishmaeli është thellësisht i shqetësuar me emërtimin e sendeve, madje edhe të vetvetes. Emri i tij është simbolik: Ishameli në Dhjatën e Vjetër, ishte i biri i jashtëligjshëm[11] i Abrahamit dhe i një robinje. Ai ishte një endacak. Emri i tij është sinonimik me individin e izoluar, me ”heroin” e tëhuajzuar të fiksionit modern, të cilin romani i Melvill e paraprin në mënyrë të gjallë. Ai është i varfër dhe i mërzitur me jetën e tij në tokë. Bëhet pre e ’spleen-it’, sulmeve të melankolisë, të cilave ai i referohet si ’hypos’, me të cilat kuptohet hipokondria – një fjalë tjetër për depresionin, në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Për nga natyra është thellësisht i pavendosur dhe mund të gjejë ngushëllim tek ”plumbi e pushka” në situatën e gabuar. Por ai e shtyp këtë lloj dhune dhe shkon drejt detit.

Dikush mund të dëgjojë ritme poetike në këtë monolog të brendshëm hapës. Gjuha është e dendur, muzikale dhe imazhistike. Ka goxha përsëritje, me fraza paralele që formojnë jehona sintaksore. Dije të konsiderueshme do të gjenden në tekst, si referenca për Katon[12], një figurë e rëndësishme në Republikën e Romës, një tip idealist i cili u vetëvra në rrethana dramatike për shkak të tiranisë politike që e kanoste.

Gjithashtu, në këtë libër do të gjenden shumë aludime politike; me të vërtetë, vetë anija bëhet një mikrokozmos dhe personazhet kryesore përfaqësojnë aspekte të ndryshme të shoqërisë. Ishameli dhe Ahabi janë padyshim primar: narratori dhe kapiteni i tij i çmendur. Fuzhnjëtarët në bord të kësaj anijeje vijnë nga periferitë e shoqërisë: Queequeg, Tashtego dhe Daggoo. Emrat e tyre rrezatojnë diçka të huaj. Oficerët e ekuipazhit quhen Starbuck, Stubb dhe Flask dhe secili prej këtyre krijesave plot gjallëri, paraqet shumësinë e temperamenteve njerëzorë. Kjo është e vërtetë por cilindo personazh në roman.

Thomas Hobbes, në fjalinë hyrëse të Leviatanit (1651) shkruajti: “Nga arti u krijua ai Leviatani i madh, i quajtur Commonwealth ose Shtet (latinisht civitas) që nuk është gjë tjetër veçse një njeri artificial,” Melvill e shkëputi këtë pasazh për një kapitull të Moby Dick i titulluar ‘Copëza’ dhe është magjepsëse të meditosh mbi përkimet e tij. Sigurisht që këtu, metafora “anija  e shtetit”,[13] ishte e fshehur dhe Melvill mud ta ketë parë Pequod – anijen me të cilën lundron Ishmaeli – si një botë të vogël e cila pasqyron botën më të madhe. Hierarkia e një anijeje është e vendosur, por ajo shkakton tension, po aq sa edhe shkallët klasore në shoqëri shkaktojnë tension. Melvill shpesh i referohet këtyre tensioneve dhe bën një krahasim midis jetës në det dhe jetës në tokë, si në kapitullin 60, ku ai shkruan:

Të gjithë njerëzit jetojnë të mbështjellë në toja të trasha balenash. Të gjithë kanë lindur me lakun në fyt, por vetëm atëherë kur kapen në befasi, në një kthesë të papritur të vdekjes, vdektarët i kuptojnë rreziqet e heshtura, të nëndheshme, të përhershme të jetës. Edhe në qofsh filozof, sadoqë i ulur në një anije për gjueti balenash, ti nuk do të ndieje as një grimë tmerri më shumë, sesa i ulur përballë zjarrit tënd të mbrëmjes, me një mashë, dhe jo me një fuzhnjë, krah teje.

“Rreziqet e përhershme të jetës” e mundojnë Ishamelin, po aq sa balena “e keqe” e mundon Ahabin.

Ahabi është një prijës diktatorial, një burrë vetmitar (pavarsisht se ka një ‘vajzë-grua’ dhe një djalë në tokë) i cili ka kaluar dyzet vite në det. Ai i jep përqëndrimit në një punë të vetme një emër të keq, duke u fiksuar në këtë balenë të bardhë, i vendosur për ta shkatërruar. Edhe ndërkohë që e sulmon atë në kulmin e romanit, ai nuk mund ta çlirojë veten nga dëshira konsumuese për hakmarrje, duke klithur: “Më në fund po kacafytem me ty.”

Përmes Ahabit dhe kontrollit mbi burrat e tij, Melvill eksploron origjinat e mendimit totalitar. Përbrenda kufijve të hapësirës së një anijeje dhe mjedisit politik të saj, të gjithë në bord të Pequod janë të përfshirë në një entitet të vetëm siç e lexojmë në kapitullin 134: “Ato ishin një burrë i vetëm, jo tridhjetë. Ashtu si një anije që i mbante të gjithë ata bashkë… e që ishte bashkuar nga gjëra të kundërta… pavarësisht kësaj, të gjithë individualitetet e ekuipazhit, trimëria e këtij, frika e atij; faji dhe pafajësia, gjithë shumëllojshmëritë ishin shkrirë në njëshmëri dhe ishin drejtuar të gjitha, drejt atij qëllimi fatal, të cilin diftonte Ahabi, kallúmi[14] dhe zoti i tyre i vetëm.”

Sigurisht, rebelimi nuk ishte kurrë larg mendjes së Melville. Ngritja krye ishte gjithmonë një mundësi – dhe një pikë kyçe në bisedat mes detarëve. Melvill vetë ishte stërnip i revolucionarëve politikë: të dy gjyshërat e tij ishin heronj të Revolucionit Amerikan. Megjithatë libri lëviz përtej politikës drejt metafizikës, duke eksploruar natyrën e vetëdijes njerëzore. Duke shkruar në Studime për Letërsinë Klasike Amerikane (1923), D.H.Lawrence e shikon Moby Dick si një kërkim shpirtëror me dimensione psikologjike. Balena pasqyron “thellësinë e natyrës tonë gjakatare”, thotë ai. Ahabi del në gjueti të kësaj natyre dhe në vetvete ai qëndron si “fanatizmi i skajshëm i ndërgjegjes mendore”.

Në librin e tij Natyra (1836), Emersoni vuri re një korrespondencë mes botërave të jashtme dhe të brendshme. Melvill ndjek përmendjen e Emersonit, duke zhvendosur botërat e jashtme dhe të brendshme në det dhe në tokë, duke na pyetur në kapitullin e 58 “t’i marrim para sysh të dyja, si detin dhe tokën”. Ai vazhdon më tej: “A nuk gjeni një analogji të çuditshme brenda vetes tuaj? Sikurse ky oqean llahtari e rrethon tokën e gjelbër, ashtu edhe në shpirtin e njeriut gjendet një Tahitian ishullor, i mbushur me paqe e gëzim, por i rrethuar nga të gjitha tmerret e jetës gjysmë të njohur.”

Kjo (introduktë) është një kapje për së gjeri e një libri, që ka brenda diçka për cilindo lexues. (Henry James i quante libra të tillë “monstra të varuna si thes.”) Çdo numër i mundshëm temash përzihet në këtë rrëfim, nga politika dhe religjioni deri tek përsiatja mbi hakmarrjen dhe natyra e qenies njerëzore. Balena në aspektin e saj të panënshtrueshmërisë reflekton natyrën në paraqitjen e saj më thelbësore – ndoshta dhe mendjen e pavetëdijshme. Në këtë kuptim bazik, vështirë se dikush mund ta luftojë natyrën, ashtu siç është e vështirë për dikë t’i largohet pavetëdijes. Melvill duket sikur sugjeron që është e pakuptimtë të luftosh kundër fatit. Njëfarësoj, balena e bardhë paraqet gjithashtu shpëtimin, teksa Melville asocion balenën me Matsya, Avatarin e Vishnës, zotin hindu i cili shfaqet në një nga mishërimet e tij të shumta si peshk gjigant. Me të vërtetë, Melvilli i kënduar i referohet Mobi Dikut si Lord Vishnu, i pari ndër balena dhe një lloj hyjnie për gjuetarët e balenave.

Një njeri mund ta lexojë Mobi Dik për kënaqësi dhe udhëzim. Është një nga ato tekstet e pafund, një klasik dhe ka brenda shumë urti dhe dije. Është gjithashtu një rrëfim me forcë të jashtëzakonshme, dhe forca e tij është si deti: një trup i fuqishëm fjalësh prekëse, që vështirë se i rezistohet.

Shënim: teksti përkthyer me lejen e autorit Jay Parini. Copyright për përkthimin Don Mehaj.

Kopertina: Luca Bergeretti Cavion, Behance.


[1] Packet ship (angl.) – fillimisht ishin varka që shërbenin për dërgimin e postës mes ujit, nga Britania drejt kolonive të saj. Më vonë shndërrohen në anije të mëdha, me orare të rregullta, që transportojnë e akomodojnë edhe pasagjerë.
[2] “green boy” (angl.) – këtu në kuptimin; fillestar, i papërvojë.
[3] Sperm Whale (angl) – balenë me kryetin shumë të madh dhe e pajisur me dhëmbë. Sperm whale – Wikipedia
[4] Fregatë – anije luftimi, luftë-anije.
[5] Damka e turpit (përkthyer në shqip nga A. Kasoruho).
[6] Studim historik mbi balenën me krye të madh dhe me dhëmbë (sikurse Mobi Dik në roman).
[7] Gravura nga një lundrim për gjueti balenash.
[8] Tregimi i fundosjes më të jashtëzakonshme dhe shqetësuese e anijes për gjueti balenash Essex.
[9] Bull whale (angl.) – I referohet kryesisht meshkujve në familjen e ‘sperm whale’. Ato janë më të mëdhenj dhe më të rëndë se femrat.
[10] Në origjinal hypos – për hipokondri, siç shpjegohet dhe më poshtë.
[11] Këtu autori i introduktës, i referohet ngjarjes së përshkruar në librin e ’Zanafillës’ ku gruaja e profetit Abram (më vonë i quajtur Abraham) Sarai i kërkon bashkëshortit të saj të ketë fëmijë me robinjën e saj egjiptiane Hagar, pasi ajo ishte në moshë të thyer dhe ’nuk I kishte dhënë asnjë fëmijë’. Në fakt teksti biblik dëshmon legjitimitetin e marrëdhënies pasi është vetë Sarai që ia jep për grua robinjën e saj:
2 she said to her husband: ‘Behold, the Lord has closed me, lest I give birth. Enter to my handmaid, so that perhaps I may receive sons of her at least.’ And when he agreed to her supplication
3 she took Hagar the Egyptian, her handmaid, ten years after they began to live in the land of Canaan, and she gave her to her husband as a wife.
(Teksti biblik të cilit I jam referuar është nga Catholic Public Domain Version, kapitulli I 16-të I zanafillës, vargjet 2-3.)
[12] Kato – Markus Porçia Kato Utisensis (95 p.e.s – 46 p.e.s) ishte politikan romak, i njohur ndryshe edhe si Kato i Riu. Parapëlqeu të kryente vetëvrasje, sesa të jetonte nën udhëheqjen e Çezarit.
[13] Anija e shtetit – I referohet një metafore të përdorur nga Platoni në librin e 6-të të ’Republikës’, ku qeverisja e Qytet-Shteteve sipas tij i përngjason drejtimit të një anijeje në det të hapur. Metafora mendohet se është përdorur edhe nga shumë autorë të vjetër grekë si: Alkeu, Eskili, Sofokliu apo Aristofani.
[14] Keel (angl) – është struktura e poshtme e anijes e cila qëndron nën ujë dhe që shërben si bazament për të ndërtuar kornizën e së tërës . Është edhe struktura parake me të cilën nis ndërtimi i anijeve.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin