(nga Arben Dedja)
PROMETEU I MBËRTHYER
Vetat:
Prometeu, gjigant i rënë nga vakti
Mëlçia, e rigjenerueshme dhe tepër llafazane
Ethoni, shqiponjë e mnershme, që (pothuaj) nuk flet
Prometeu është i mbërthyer në një shkëmb të thepisur të Kaukazit pa mundësi shkuljeje e largimi. Përditë, në një orë të caktuar, Ethoni, shqiponja, kalon andejpari dhe i çukit titanit një copë herë të mirë Mëlçinë. Prometeu e duron dhembjen duke kërcëllitur dhëmbët. Ndërkohë, Mëlçia vetëm molloit pa pushim.
Mëlçia
sapo sheh shqiponjën që avitet në fluturim, me sqepin dhe kthetrat të zgjatura përpara: Eh, çukit, moj, çukit; zonjë e-nderuar-çukërmuese-bubërruese! Jam e përgatitur për këtë unë! Rigjenerohem! Kam brenda vetes faktorë të ndryshëm që, përgjatë gjithë sulmit tuaj aktivizojnë e çaktivizojnë mekanizmat e sinjalizimit; kam qeliza “kuieshente” me shumicë, të padiferencuara e pa ndonjë funksion specifik, por me aftësinë më të lartë rigjeneruese e transformuese të mundshme. Marrin sinjale nga qelizat e tjera intra dhe ekstrahepatike, nga faktorët e rritjes, interleukina 6, nga faktori i rritjes tumorale, por edhe nga mikro ARN-të, leukocitet, makrofagët, linfocitet, eozinofilet, trombocitet, me rolin e tyre kritik në proliferim, veprim i ndërmjetësuar nga serotonina që indukton mitozën hepatike, nga qelizat endoteliale sinusoidale – burim faktorësh rritjeje përgjegjës të neovaskularizimit, nga qelizat yjore, pranë qelizave endoteliale sinusoidale, nga qelizat epiteliale biliare – burim kryesor i substancave që aktivizojnë makrofagët…
Prometeu
Epo mjaft, de, mjaft! Nuk e kupton mundimin tim?
Mëlçia
E ç’mundim, mor aman; unë po flas me shqiponjën, po i shpjegoj sa e kotë është orvatja e saj për të të vrarë barbarisht, për sa kohë që rigjenerimi im merr krahë, bashkë me ndryshimet në metabolizëm të lipideve dhe të glukozës, që japin steatozë tranzitore, instaluar në fazën e parë të rigjenerimit dhe që i duhet qelizave të mia për t’u riprodhuar, por edhe për të ushtruar trysni te vena porta, e cila më sjell kështu të njëjtën sasi gjaku sikur të isha e plotë, duke shkaktuar hipertension portal, mekanizëm që edhe ky shpie në rigjenerim ndonëse ndërkohë zvogëlohem nga çukitja e pacipë, për edhe vetë humbja e indit tim stimulon fluksin biliar, që aktivizon rregullimin e acideve biliare të cilat, nga ana e tyre, rrisin rigjenerimin… pra, proliferoj, rritem, rigjenerohem – gati për çukitjen e radhës.
Prometeu
shqiponjës: Aman, haje të gjithën, se ma rokanisi kokën!
Ethoni
Kra-kra! Kra-kra!
Prometeu
Pse, si korb, a të keqen. S’qenke gjë edhe ti.
(Perdja)
SIZIFI
Vetat:
Sizifi
Guri
Sizifi rri, drobitur e shkalafitur, në mes të skenës, që i shëmbëllen një lëndine rrëzë malit, me pranë një Gur të rrumbullakët e të lartë sa ai vetë. Duket që sapo kanë zbritur nga mali, që dallohet tutje: Guri, thjesht duke u rrokullisur; Sizifi, duke e ndjekur me vrap nga pas. Zemërlëshuar, pështyn pëllëmbët e duarve plot kallo. Po përgatitet të fillojë nga e para shtyrjen e Gurit përpjetë nëpër faqen e malit.
Guri
U lodhe, vëlla?
Sizifi
pasi ia ngul sytë i habitur për një çast: U lodhe the? Vdiqa. E kam humbur fillin tashmë, sa herë kam bërë lart e poshtë. I rëndë boll je, vallahi! Dhe në fund, kur sapo e kam mbërritur atë dreq majë, ti rrokullisesh qetësisht poshtë si të mos ketë ndodhur asgjë; mua më duhet prapë t’u jap këmbëve. Kam frikë se kjo punë do të zgjasë pambarimisht. Është inati, inati i zotave që ma ka bërë këtë.
Guri
Thua?
Sizifi
Natyrisht. Kam qenë gjithmonë tip rebel. Të tillë më polli Enareta. “Mos” më thoshin kur themelova Korintin, por unë jo vetëm kaq: u kujdesa që ai të bëhej qytet modern, i solla ujë njëzet e katër orë në ditë nga një gurrë e nëndheshme dhe e mrekullueshme, duke e trajtuar me doreza zotin lumor, Asopin; pa e gënjyer, pa ia fshehur të vërtetën, derisa i rrëmbeva premtimin solemn. As metropole të rëndësishme si Tirana apo Bradasheshi nuk e kanë sot këtë luks. Por ja që kryeneçi Zeus u nxeh pse i tregova Asopit për të bijën, Egjinën. Hesht për një çast dhe tund kokën: Zeusi e kishte grua jataku atë; le që varet si ia thua tjetrit dhe, në fakt, Asopi nuk se e priti keq, përderisa më lëshoi ujin…
Guri
Prandaj të zbritën në Tartar, o Sizif?
Sizifi
Prandaj. Po jo pa i punuar rreng Tanatosit. Qesh: Zeusi i tha të vëllait, Hadit të më rraste këtu në Tartar për atë që të rrëfeva dhe ky dërgoi atë kockëdalin, Tanatosin, të më marrë. Mirëpo unë e deha, arrita ta lidh me zinxhirë dhe e plasa në qilarin e shtëpisë, kupton ti? Kështu që u zhduk vdekja ndër njerëz; askush nuk vdiste më. Dhe këtë e kapi i pari ai horri, Aresi. Organizo ai rrëmuja, luftëra, kasaphana: hiç, asnjeri nuk vdiste. Kupton ti? Kështu haramsëzi më shkuli nga jeta. Dhe më vunë të të shtyj ty pa prajë.
Guri
Mos e merr për ters se, thonë, ti, me këtë që bën, personifikon absurditetin e ekzistencës njerëzore tashmë; je shndërruar në metaforë.
Sizifi
Metaforë? Metaforë je vetë, inshallah!
(Perdja)
© 2022 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Kopertina: Image by Topi Pigula from Pixabay