me përkthim dhe koment të Ardita Osmanit
Nga ditari i Fang Fang-ut, një mësim se pse duhet të kujdesemi për atë që po ndodh në botë.
“Ditari i Fang Fang-ut,
Wuhan 30 janar 2020,
Fang shkruan:
Sot është një ditë e bukur me diell. Ka një atmosferë të këndshme dimërore, është gjithashtu një nga ditët më të mira për të shijuar stinën e dimrit. Por epidemia ma theu zemrën. Nuk ka njeri që mund të shijojë këto mrekulli që ofron natyra.
Realiteti i ashpër dhe i hidhur është para syve tanë. Pasi zgjohem, shikoj lajmet në TV. Lajmet tregojnë që një fshatar nuk është lejuar të kalojë gardhin e tij në mes të natës. Aq sa lutej, kujdestari nuk e la të kalonte.
Në këtë natë të ftohtë, çfarë ndodhi me atë fshatarin?
Gjithë kjo që po ndodh është shumë e frikshme. Dispozitat shtetërore për të parandaluar përhapjen e pandemisë janë sigurisht të dobishme, por nuk mund të lejohen dispozita kaq të kufizuara sa që të harrohet se jemi qenie njerëzore. Pse zyrtarët tanë të të gjitha niveleve janë në gjendje të dogmatizojnë një dokument të tillë? A nuk do të mjaftonte që një person me maskë ta çonte fshatarin në një dhomë të zbrazët dhe ta mbante në izolim për një natë?
Arriti lajmi që raportonte vdekjen e një fëmije me paralizë cerebrale, pasi prindërit e kishin dërguar në izolim, vajza që kishte mbetur e vetëm për pesë ditë, vdiq nga uria. Një epidemi që ka ekspozuar një mori problemesh, mes këtyre kualiteti i diskutueshëm i standardeve e zyrtarëve në shtetin kinez dhe gjithashtu sëmundjet tona sociale. Këto probleme janë një sëmundje shumë më serioze dhe më të vazhdueshme sesa vetë koronavirusi.
Nuk ka shërim në horizont. Nuk ka mjek dhe askush nuk dëshiron të më shërojë. Kur mendoj për këtë, jam shumë e trishtuar. Pak minuta më parë, një mik më tha se një djalë i ri nga vendi ynë i punës ishte i sëmurë prej dy ditësh, dyshohej, por kishte vështirësi në frymëmarrje dhe ishte e pamundur të shtrohej në spital. Ai është një i ri shumë besnik dhe i ndershëm. E njihja shumë mirë familjen e tij. Shpresoj se është thjesht një ftohje e zakonshme.”
– përkthimi nga gjuha kineze: Ardita Osmani
方方 Fang Fang,武汉日记(wuhan riji), 开放出版社(Kaifang chubanshe),2020
Më 25 janar 2020, ditën e parë të Vitit të Ri Kinez dhe dy ditë pasi qyteti i Wuhan hyri në izolim, shkrimtarja e famshme kineze Fang Fang filloi të shkruajë ditarin e saj në internet, nga banesa e saj jo larg nga tregu lokal i identifikuar si një e mundshme burimi i Covid-19. Kjo simbolikë e fuqishme hapësinore-kohore, e kombinuar me shkrimet prekëse të Fang dhe 3.8 milionë ndjekësit e saj të fuqishëm në mediat sociale, së shpejti kanë sjellë ditarin e saj në gjithë botën. Në fillim të prillit 2020, “Ditari i Fang Fang” ka pasur 380 milion shikime, 94,000 diskutime dhe 8,210 postime në rrjetin social kinez Weibo, dhe është pasqyruar gjithashtu në shumë vende të tjera në të gjithë ueb-in. Më 24 mars 2020, pas 60 ditësh shkrimi, Fang publikoi hyrjen e saj të fundit. Më 15 maj 2020, përkthimi në anglisht i ditarit në internet të Fang-ut u përpilua në një libër dhe u botua si: Wuhan Diary: Dispatches from a Quarantined City, (Ditari i Wuhan: Dërgesat nga një qytet në karantinë).
Pas suksesit të madh të Fang-ut në internet, libri është bërë best seller në më pak se një muaj. Ditari i Wuhan hap një mori pyetjesh për qeveritë dhe individët perëndimorë: Pse nuk i dëgjuam këto paralajmërime të hershme? Pse nuk na interesonte? Bota perëndimore ka injoruar kryesisht atë që ndodhi në Kinë në ditët e para të pandemisë Covid-19, dhe vetëm disa muaj më vonë, ka paguar një çmim të tmerrshëm për injorancën e saj. Ditari i Wuhan jep një mësim të fuqishëm përulësie për cilindo që mendon se vuajtja në Kinë, apo kudo tjetër në botë, nuk është punë e tyre. Bota është bërë një, si metaforikisht ashtu edhe fjalë për fjalë, dhe Covid-19 u mësoi qytetarëve dhe gjithë botës se çfarë do të thotë të jetosh në kohën e Antropocenit.
© 2022 Ardita Osmani. Të gjitha të drejtat të rezervuara.