Peter Bartl pushoi së qeni i vdekshëm. Në mbrëmjen e dt. 29 mars mbylli sytë për të fundit herë në moshën 84 vjeç historiani i Shqipërisë. Bota shkencore dhe intelektuale albanologjike ndahet me njërin ndër studiuesit e mëdhenj që i përkushtuan jetën intelektuale dhe angazhimin social hapësirës kompakte shqipfolëse dhe diasporës historike shqiptare.
Peter Bartl u lind në Cottbus (Gjermani) në vitin 1938, ku ndoqi edhe shkollën fillore dhe formimin gjimnazial. Pas shpërnguljes në Republikën Federale të Gjermanisë vijoi studimet universitare në fushat e historisë së Europës Lindore dhe Juglindore, sllavistikë dhe turkologji fillimisht në Göttingen e më vonë në Mynih (LMU) pranë historianit të njohur Georg Stadtmüller, sllavistit Alois Schmaus, turkologut Kiesling etj. Kërkimi shkencor dhe aktiviteti universitar si asistent i Stadtmüller-it përcaktuan qysh në fillim fokusimin e tij në historinë dhe kulturën e hapësirës kompakte shqipfolëse e në botën shqiptare në përgjithësi, duke pasur gjithëherë si sinor orientues tezën e mësuesit të vet, sipas të cilit „Shqipëria është pika e Arkimedit, e cila na ndihmon të depërtojmë në historinë dhe parahistorinë e Gadishullit Ballkanik“ (Stadtmüller).
Peter Bartl i qëndroi besnik e me bindje kësaj teze, duke e zgjeruar atë edhe me mozaikun e historisë së kulturës shpirtërore ndër shqiptarë, histori dhe kulturë kjo, me të cilën u lidh shpirtërisht deri në fund të jetës. Ngjizjen ndërdisiplinore ndërmjet historisë dhe kulturës etnike së bashku me gjuhën shqipe, të cilën e përvetësoi mahnitshëm falë ngulmit dhe bashkëpunimit me kolegun dhe mikun e vet Martin Camaj, e dëshmojnë në vijimësi veprat e tij të para, me të cilat plotësoi edhe detyrimet e karrierës profesionale, ndër to: „Die albanischen Müslime zur Zeit der nationalen Unabhängigkeitsbewegung“ (1968 = Myslimanët shqiptarë gjatë lëvizjes pë pavarësi, Tiranë 2006), „Der Westbalkan zwischen der Spanischen Monarchie und dem Osmanischen Reich“ (1974 = Ballkani Perëndimor midis Monarkisë Spanjolle dhe Perandorisë Osmane). Pika kulmore në aktivitetin e tij intelektual janë përpos veprës „Albanien – vom Mittelalter bis zur Gegenwart“ (1995, 1999, serb. 2001 etj. = Shqipëria – nga mesjeta deri në kohën tonë), kryevepra e tij madhore në pesë vëllime „Albania sacra“, ku rroket material dokumentar-arkivor për gjithë hapësirën administrative kishtare që mbulonin prej shek. XVI-XVII e deri në fund të shek. XIX Arqipeshkvitë dhe Ipeshkvitë e Durrësit, të Lezhës, të Sardës dhe Sapës, të Pultit e të Shkodrës, që pasojnë dy botime të mëparshme me dokumentacion arkivor prej Arqipeshkvisë së Tivarit nën drejtimin apostolik të Vincenz Zmajevich-it (1702-1723). Kolegë të tij përgatitën së fundi edhe një vëllim të posaçëm me artikuj të shkencorë të botuar në revista, periodikë të njohur dhe përmbledhje vëllimesh gjithfarësh përgjatë një periudhe 35-vjeçare aktiviteti shkencor: „Peter Bartl. Die Albaner in der europäischen Geschichte: Ausgewählte Aufsätze“ (edd. – B. Demiraj & R. Elsie: Albanian Studies, Bd. 28, 2016 = Shqiptarët në historinë europiane. Artikuj të përzgjedhur).
Peter Bartl organizoi punën dhe mbledhjen e kujdesshme të bibliotekës më të pasur shkencore albanologjike në Perëndim të Alpeve të Europës, e cila pas daljes së tij në pension u dhunua rregullisht prej burokracisë së institucioneve të kulturës në Landin e Bayern-it, prej mospërfilljes së aparatit administrativ të Universitetit „Ludwig-Maximilian“ dhe orientimit të ri që përjetoi Instituti i Studimeve të Europës Lindore dhe Juglindore, duke u linçuar për disa vjet në bodrumet e Südost-Insititut, deri sa mori më vonë rrugët e eksodit tragjik drejt Vjenës, ku ka humbur gjithçka që e mbulonte dikur me zulmë dhe nderim.
Peter Bartl mori përsipër për dhjetëvjeçarë të tërë drejtimin e Albanien-Institut të Mynihut, duke e shndërruar atë në një qendër të mirëfilltë të takimeve akademike-shkencore me një radius të gjerë jehone dhe respekti për kërkimin albanologjik në Mynih dhe Perëndim të Europës. Bartl drejtoi në funksionin e botuesit dhe të kryeredaktorit radhojën „Albanische Forshungen“ me qendër në Mynih, duke motivuar dhe mbështetur botimin e 47 (+ 4) monografive të natyrës albanologjike që mbulojnë fushat e historisë, gjuhësisë dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi. Peter Bartl ka qenë bashkëpunëtor i palodhur i një numri të madh serish, botimesh periodike dhe revistash në Gjermani, Itali, ku mund të dallojmë, ndër të tjera revistën „Shêjzat – le pleiadi“ (në vitet 60′-70′ të shek. të kaluar – E. Koliqi) dhe „Shêjzat – le pleiadi. Series Nova“ (A. Ndreca), sikurse „Hylli i Dritës“ (A. Ndreca, më vonë V. Demaj).
Peter Bartl ishte edhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës. Ai është nderuar, ndër të tjera, prej Presidentit të Republikës së Shqipërisë me „Medaljen e Mirënjohjes“ dhe prej Universitetit Urbaniana (Romë) me „Medaljen e Artë“.
Një mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, që do të gëzojë gjithëherë respekt e nderim prej gjithkujt që është pjesë dhe ruan kontakt me botën shqiptare.
(c) 2022 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.