KUR FISHKËLLEU KARAVIDHJA : PËRRALLË E FRIKSHME KËRSHËNDELLASH
Nadezhda Teffi
Shndriti dhe drita e fundit në bredhin e Kërshëndellave dhe mysafirët shkuan secili në shtëpi të vet.
Vogëlushi Petja Jabotikin tërhiqte nga bishti prej lëvore mështekne kalin e tij lëkundës dhe mbante vesh se çfarë llafosnin prindërit që po largonin poçat dhe yjet nga bredhi e po i mblonin mënjanë deri sa të vinin Kërshëndellat e tjera. Biseda e tyre qe shumë interesante.
«Kurrë » shpalli solemnisht babai Jabotikin « kurrë më nuk do blej bredh për Kërshëndella. Shpenzim i kotë parash dhe nuk na sjell asnjë dobi. »
«Unë mendova se do të na binte ndonjë dhuratë yt atë » tha nëna Jabotikin, a thua se mezi kishte pritur t`i vinte ky rast.
«Po po! Do na bjerë dhuratë im atë kur të fishkëllejnë karavidhet.»
«Po unë mendova se ai do më dhuronte një mëz prej vërteti, » tha Petja duke parë të atin.
«Po po! Im atë do të ta bjerë mëzin dhuratë atëherë kur të fishkëllejnë karavidhet. »
Babai qe ulur, me këmbët shumë të hapura e me kokën shumë të ulur. Mustaqja i varej, sikur po i pikonte, ndërsa sytë e tij si të deles i kishte fiksuar diku.
Petja e pa edhe një herë të atin dhe vendosi se ky ishte momenti për të folur me të.
« O ba, po pse karavidhe ? »
« Hë? »
« Po se gjithçka paska për të ndodhur vetëm kur të fishkëllejnë karavidhet? »
« Hë? »
« Po kur pra, kur do fillojnë të fishkëllejnë ato? »
Babait i shkoi nëpër mend një herë t`ia jepte një përgjigje të sinqertë pyetjes së djalit, por në ato çaste iu kujtua se detyra atërore kërkon që babai të jetë gjithnjë strikt. E ledhatoi lehtë pas koke Petjan dhe i tha « shko fli gjumë, derrkuc ».
Petja shkoi në dhomën e tij, por karavidhet nuk i hiqeshin nga mendja. Përkundrazi ai mendim i ishte ngulitur aq fort në kokë, sa që asgjë tjetër në botë nuk i interesonte më. Kuajt lëkundës nuk kishte më se kush t`i tërhiqte për bishti ; zembreku i ushtarit mekanik tash e tutje do të mbetej i paprishur ; kutia e lodrave do të mbetej në vendin e vet. Shkurt, aty e andej, dhoma e Petjas do të mbetej dëshpërimisht e shkretë. Se i zoti i saj nuk kishte më kohë për budallallëqe të tilla. Petja ecte lart e poshtë, duke vrarë mendjen se çfarë mund të qe ajo gjë që i bën karavidhet të fishkëllejnë.
Shkoi në kuzhinë dhe pyeti Sekletinjën, kuzhinieren. Ajo i tha « Nuk fishkëllejnë se nuk kanë buzë. Kur t`u mbijnë buzët, atë ditë do të fishkëllejnë ».
As ajo e as ndonjë tjetër nuk dinte t`i jepte përgjigje.
Petja u rrit ; e teksa rritej mendohej, thellë e më thellë. « Duhet të ketë një arsye » mendonte « se pse njerëzit thonë që kur të fishkëllejnë karavidhet do të të realizohen dëshirat ».
Po të ishte fishkëllima e karavidheve thjesht një simbol për të pamundshmen, atëherë pse nuk thonë njerëzit : « Kur të fluturojnë elefantët » apo « Kur të cicërojnë lopët » ? Jo ! Pas kësaj shprehjeje kaq të përhapur duhet të fshihet ndonjë kuptim i thellë, ndonjë dije popullore. Qe e domosdoshme të shikohej më thellësisht kjo çështje. Karavidhet nuk mund të fishkëllejnë sepse nuk kanë as buzë e as mushkëri. Mirë pra mirë. Por me siguri nuk ka si të jetë e pamundur për shkencën që të shkaktojë ndryshime në organizmin e karavidhes, apo jo ? Sigurisht që përmes përzgjedhjes gjenetike dhe ndikimeve të tjera do të gjendet mundësia që shkenca që t`i pajisë me mushkëri karavidhet, apo jo ?
Petja ia kushtoi gjithë jetën kësaj çështjeje. Studioi okultizmin që të kuptonte më mirë lidhjen mistike mes fishkëllimës së karavidhes dhe lumturisë së njeriut. Hulumtoi elementët e karavidhes, jetën e saj, zakonet, origjinën dhe potencialet.
U martua, por s`qe i lumtur. E urrente gruan e vet se ajo merrte frymë me mushkëri, si ato që u mungojnë karavidheve. U divorcua dhe i shërbeu çështjes gjatë gjithë jetës që i mbeti.
Kur ra në shtratin e vdekjes i tha të birit, « Biri im ! Dëgjoje amanetin që po të lë. Puno për lumturinë e të tjerëve. Studio elementët fizikë të karavidhes, hulumtoje karavidhen, dhe detyroje atë bushtër ta ndryshojë natyrën e vet. Shkencat okulte mua më kanë rrëfyer se çdo herë që një karavidhe do të fishkëllejë, një dëshirë e vërtetë, një dëshirë e sinqertë dhe e zjarrtë e një njeriu diku, do të bëhet realitet. Tash që ta thashë këtë, a mund të mendosh për ndonjë gjë tjetër ? Veçse nëse je derr komplet. Dritëshkurtër janë ata që i gënjen mendja e ndërtojnë spitale për të ndihmuar të tjerët. Sigurisht, më lehtë është të ndërtosh spitale se sa ta ndryshosh organizmin e karavidhes. Mirëpo ne – ne jemi Jabotikinë ! Brez pas brezi ne do të punojmë për këtë çështje, dhe do ta arrijmë synimin tonë ! »
Mbasi vdiq, i biri mori përsipër të vazhdonte punën e t`et. Ashtu edhe i nipi, edhe stërnipi, e stër-stërnipi të cilit iu duk e vështirë që të punonte si shkencëtar serioz në Rusi dhe shkoi në Amerikë. Amerikanëve nuk u pëlqejnë emrat e gjatë, kështu që stër-stërnipi u ripagëzua shumë shpejt. Gospodin Jabotikin u bë Mister Jeb, e kështu kjo familje e shkëlqyer u zhduk e u harrua edhe prej kushërinjve të tyre rusë.
Shumë shumë vite kaluan. Pati shumë të reja në botë, por përhapja e përgjithshme e lumturisë njerëzore nuk kishte ndryshuar që prej ditës kur Petja Jabotikini, teksa tërhiqte bishtin prej mështekne të kalit lëkundës, shtroi pyetjen, « Ba, pse karavidhe ? »
Njësoj si më përpara, njerëzit dëshironin më shumë nga ç`kishin, njësoj si më përpara ata vuanin, digjeshin prej dëshirave që kurrë nuk mund të plotësoheshin.
Mirëpo një ditë gazetat nisën të botojnë një lajmërim të pazakontë : « Zonja dhe zotërinj ! Bëhuni gati ! Puna e shumë brezave është pranë rezultatit final ! Kompania aksionere « Mister Jeb & Co. » ka kënaqësinë të shpallë se në 25 dhjetor të këtij viti një karavidhe për herë të parë do të fishkëllejë, dhe kjo do të rezultojë në plotësimin e një dëshire të zemrës për një person në njëqind (1%). Bëhuni gati ! »
Në fillim kjo shpallje nuk mori shumë vëmendje. « Mbase është ndonjë gënjeshtër e radhës » menduan njerëzit. « Këto kompanitë amerikane janë njësoj të gjitha. Premtojnë mrekulli, por në fund del se po i bëjnë reklamë ndonjë marke të re të lustrës për këpucë ».
Por sa më shumë që afrohej dita e premtuar, aq më shumë ngjallej interesi për sipërmarrjen amerikane. Njerëzit tundnin kokat dhe thoshin se ku i dihej, duhej pritur e duhej parë.
Pastaj kur ndodhinë e morën gazetarët, kur gazetat nisën të botojnë portrete të shpikësit të madh dhe fotografi të secilit qosh të laboratorit të tij, askujt nuk i vinte më turp të pranonte se besonte te mrekullia që po vinte.
Pas pak kohe nëpër gazeta nxorën edhe një foto të karavidhes që premtohej se do të fishkëllente. Ngjante më shumë si ndonjë drejtues i policisë së qarkut diku nga provincat jugperëndimore të Rusisë se sa si një kafshëz me gjak të ftohtë. Sytë e fryrë, mustaqe të spërdredhura dhe një pamje përgjithësisht të krekosur. Karavidhja mbante veshur një pallto me lidhëse në vend të pullave, dhe bishtin ose e kishte të fshehur brenda diçkaje që ngjante si pambuk a si lesh, ose nuk kishte fare bisht.
Ky imazh na u bë shumë i famshëm. Karavidhja doli nëpër kartolina ngjyrosur me ngjyra nga më fantastiket, herë e gjelbër me sy të kaltër, herë vjollcë me quka të arta e kështu me radhë. Portreti i karavidhes u përdor si brand nga një firmë që prodhonte vodkë prej vadhëzash. Rusët prodhuan një anije kozmike që kishte formën e karavidhes dhe që ecte vetëm për së mbrapthi. Dhe asnjë zonjë e respektueshme nuk e çonte nëpër mend që të mos e dekoronte kapelën e saj me një palë masha karavidhesh.
Asaj vjeshte « Mister Jeb & Co » nxorën në bursë për herë të parë aksione dhe aq shumë iu rrit vlera sa që edhe specialistët më konservatorë të tregjeve, filluan të flisnin me zë të ulët e me respekt për ta.
Kalonte koha, ecte, fluturonte. Në fillim të tetorit 42 kompani gramofonësh kishin dërguar përfaqësuesit e tyre në Amerikë që të regjistronin tingullin e fishkëllimës së karavidhes e pastaj ta transmetonin anembanë botës.
Askush nuk ndenji vonë në shtrat në mëngjesin e 25 dhjetorit. Madje shumëkush kishte ndenjur gjithë natën pa gjumë, duke bërë përllogaritje të komplikuara e duke debatuar se sa sekonda do të duhej të kalonin që fishkëllima në Amerikë të ndikonte jetën në meridianin e tyre. Disa thoshin se merr aq kohë sa merr elektriciteti për t`u përcjellë. Të tjerë gjegjeshin se rryma yjore ishte më e shpejtë se ajo elektrike, kështu që meqë ky rast ishte qartësisht çështje rrymash yjore e jo i rrymave të tjera atëherë i binte se … e kështu me radhë…
Ç`prej orës tetë të mëngjesit rrugët gëlonin me njerëz. Policë me kuaj mezi ia dilnin t`i mbanin turmat nën kontroll duke i shtyrë butësisht me vithet e kuajve, ndërsa turmat nga ana e tyre gumëzhinin me një padurim gazmor.
U shpall lajmërimi se sapo të vinte telegrami i parë, do të shtinin me top në shenjë nderimi.
Njerëzit prisnin të tensionuar. Të rinjtë ishin të ngazëllyer e në ekstazë, bënin plane për të ardhmen e tyre të shndritshme. Skeptikët ankoheshin dhe thoshin se do kishte qenë më mirë të shkonin në shtëpi e të hanin mëngjes sepse qe e kuptueshme se asgjë me rëndësi nuk do të ndodhte dhe a nuk ishte budallallëk me brirë që vazhdonin të silleshin si të marrë ?
Saktësisht në dy të pasdrekës u dëgjua qartë dhe me jehonë e shtëna e një topi, e cila u pasua nga mijëra oh-e dhe ah-e të gëzueshme.
Por pastaj ndodhi një gjë e paparashikuar dhe disi e çuditshme, një ngjarje që askush nuk po ia gjente e as që donte t`ia gjente kuptimin. Një farë koloneli shtatlartë zu të fryhej e të ënjtej në një mënyrë shumë të çuditshme. U fry si një nga ato tullumbacet stërgjatëshe, a thua se ishte prodhuar i tillë. Palltoja iu zbërthye, qepja e kurrizit iu shqep, dhe pastaj koloneli thuajse i lumtur që po e tejkalonte këtë vështirësi, pëlciti me një zhurmë të fortë dhe copat i`u shpërndanë në të katra anët.
Turma u zbyth. Bërtisnin. Çfarë dreqin po ndodhte, teksa kthyen nga majat thembrat ?
Një ushtar shtatvogël e fytyrëzbehtë u skërmit e u zgërdhi me buzët që i dridheshin. U kruajt pas veshit dhe shtriu krahët : « Në rregull, vërmini prangat ! E bëra unë këtë ! Unë e mallkova kolonelin, dëshirova që ai të plaste në vend ! »
Mirëpo askush nuk ia vuri veshin ushtarit e as që e ngau kush. Se kur ai fliste të gjithë po shihnin me tmerr një zonjë të moshuar me një pallto lëkurëdhelprash e cila befasisht kishte nisur të ulërinte si e egër. Duke u vërtitur rrotull vetes ajo zuri të zhytej në dhe në sy të të gjithëve.
« E hëngri dheu kurvën ! » qe lamtumira që i dha dikush si nëpër dhëmbë.
Turmën e mbërtheu një panik i marrë. S`dinin as nga t`ia mbanin, dhe ia nisën të vraponin. Rrëzoheshin në tokë, shkelnin njëri-tjetrin. Dy gra që po mbyteshin me gjuhën e vet rënkuan për herë të fundit dhe zunë të përpëliteshin : « Dënomëni o vëllezër ortodoksë. Gratë e mia vdiqën e mua duhet të më mbyllni në burg deri sa të vdes !»
Ajo mbrëmje qe makth, e u pasua nga një natë e tmerrshme. Askush s`mbylli dot sy. Secilit po i kujtoheshin dëshirat e veta më të zeza, e secili po priste me tmerr se cilat mund të ishin dëshirat e të tjerëve për të.
Po vdisnin njerëzit si të ishin miza. I vetmi njeri që përfitoi diçka prej fishkëllimës së karavidhes, ishte një vajzë e vogël nga Guinea Veriore ; u shërua prej ftohjes falë dëshirës që kishte uruar gjyshja e saj, e bezdisur prej teshtimave që nuk mbaronin kurrë.
Çdo dëshirë e mirë tjetër (nëse ka patur ndonjëherë të tilla), siç dukej qartë duhet të kishte qenë tepër e dobët e gjysmëzemre kështu që nuk po plotësohej nga fishkëllima e karavidhes.
Fundi po afrohej me nxitim. Njerëzimi do të kishte marrë fund i gjithi, po të mos kishte qenë për tahmaqarllëkun e Mister Jeb & Co.
Duke dashur t`i rrisnin edhe më shumë kuotat e aksioneve të tyre në bursë e stërmunduan karavidhen e shkretë dhe e detyruan, përmes hapave dhe ngacmimeve elektrike, që të lëshojë një fishkëllimë përtej kapacitetit të saj.
Dhe karavidhja bëri bam e plasi.
Në gurvarrin e saj (një skulpturë fituese çmimesh, prej një skulptori të famshëm) qenë latuar fjalët : « Këtu prehet karavidhja që fishkëlleu – Pronë e Mister Jeb & Co. – një karavidhe e cila përmbushi shpirtrat e njerëzve dhe plotësoi dëshirat e tyre më të zjarrta. Lutemi që kurrë, kurrë më të mos ringjallet ! »
Përktheu Arbër Zaimi.
(c) 2021 autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.