nga Irena Myzeqari
“Djali me Biçikletë” i autorit hebre Eli Amir është përkthyer së fundmi nga hebraishtja – libri i parë përkthyer nga kjo gjuhë në shqip – prej përkthyesit Alban Reli dhe botuar nga shtëpia botuese UET Press. Libri është një roman autobiografik dhe i treti në serinë e romaneve të Eli Amirit që trajton historinë e Nurit, një djali emigrant nga Iraku që absorbohet në shoqërinë e re izraelite, pas Luftës së Dytë Botërore. Dy romanet e para që rrëfejnë historinë e Nurit janë “Scapegoat” (Kurbani) dhe “Jasemine”.
“Djali me Biçikletë”, botuar në vitin 2019 është një libër që nuk duhet humbur. Jeta e Nurit, djalit emigrant nga një familje e pasur hebreje në Bagdat, që shkon në Izrael në vitet 50-të të shekullit të kaluar është jeta e çdo emigranti në një vend të huaj. Edhe pse Nuri është hebre, ai megjithatë ka një rrugë të gjatë për të bërë për t’u integruar në shoqërinë e re izraelite që duhet të akomodojë emigrantët hebrenj qe vinin nga Evropa, ca para e ca pas holokaustit, ata që vinin nga Iraku, Egjipti, Jemeni e vende të tjera të Afrikës. Një lloj “melting pot” ku jetët dhe fatet njerëzore përplasen me njëra-tjetrën dhe na shpalosin problemet sociale, ekonomike dhe politike qe kalon çdo shoqëri në fazat e hershme të saj. Shoqëria e re izraelite është një shoqëri hierarkike, tashmë e stratifikuar me ata që janë në sferat e larta te ekonomisë dhe pushtetit politik, dhe ata që përpiqen të integrohen aty. “Drejtuesit janë polakë, lituanezë, ukrainas kurse luftëtarët bijtë tanë, sefarditë, irakenë, kurdë e magrebinë. Ata e ruajnë fuqinë dhe pushtetin për vete e nuk na lënë të shkelim këmbë”- thotë Eli Amir përmes gojës së Agasit, njërit prej personazheve të librit.
Gjuhët: e buharinjve, sefarditëve, ladinove, jidisht-folësve, arabisht-folësve të ardhur apo të lindur në Jeruzalem, ashkenazinjve, hebraisht-folësve me theks polak, rus, amerikan, gjerman, hungarez, bullgar, hebraisht-folësve të mabaroteve përplasen në Jeruzalem dhe secila prej tyre ka nga pas histori komunitetesh të tëra që përpiqen të krijojnë një jetë të re.
Drama, tragjikja dhe komikja shkojnë paralelisht në të gjithë librin. Jeta e Nurit zhvendoset nga fshati i të verbërve me emrin cinik Uriel (Drita e Perëndisë) ku familja e Nurit ishte e vetmja familje jo e verbër, në kibutz dhe prej këndej sërish në fshat e pastaj në Jeruzalemin e ndarë më dysh. Përballja e parë e Nurit me shoqërinë e Jeruzalemit të ‘smeraldtë’ siç përshkruhej prej nënës së tij që nuk e kish pare qytetin kurrë me sy, është në zyrën e “Korporatës Izraelite të Zhvillimit”, ku të mahnitur me anglishten e tij të mësuar në Bagdad i japin postin e postierit.
Me biçikletën e tij, Nuri do të shëtisë institucionet më të rëndësishme të kryeqytetit, përfshirë Knesetin (parlamentin), ministritë, zyrat e punës, të pasurit që merrnin gazetën e ditës dhe në përballjet e tij me njerëz të ndryshëm, lexuesi njihet me një tipologji të pasur personazhesh dhe problematikash të ngjashme me realitetin shqiptar. Diku do të ankohen se vendet e punës janë rezervuar për njerëzit e partisë, diku përdoret retorika komuniste bolshevike, dikur retorika e atij që ka ‘shtatë breza” në Jeruzalem dhe ka të drejtë të jetë arrogant me të sapo-ardhurit, diku retorika boshe e politikanit para popullit që kërkon ‘bukë”. Në orët e pushimit në Kneset, Nuri do të bëhet spektator i debateve parlamentare. Ja si e përshkruan autori në një pasazh debatin në parlament:
Atij i pëlqenin polemikat, fliste me furi e me zë të lartë, duke e shoqëruar ligjërimin me lëvizje duarsh të mprehta dhe të vendosura, i sfidonte rivalët e tij dhe i bluante krejt me fjali të gjata e të përdredhura e me kthesa intonacioni. Parlamentarët thërrisnin duke ndërhyrë në jidisht, polonisht e rusisht, por Ben Gurioni vazhdonte në të tijën si flakë e papërmbajtshme, predikonte e paralajmëronte si një profet në portat e qytetit, e sa më tepër flakërinte aq më shumë rritej statura e dhe drita që rrezatonte prej tij…. Ndoshta në sallë kishte edhe të tjerë shkurtabiqë që ngriheshin lart duke mbështetur këmbët mbi fron, ndërsa disa të tjerë krekoseshin me kostume dhe kollare sikur donin të tregonin se ishin përfaqësuesit e kombit, kurse ata të veshurit me kaki donin të tregonin se përfaqësonin klasën punëtore dhe ‘Izraelin që Punon’ e kapardiseshin me veshje vendase e me kapele ‘tembel’. Me apo pa vend, edha ata recitonin slogane, e asnjëri prej tyre s’e vinte në dyshim se populli ishte shumë me fat që kishte zgjedhur ata për përfaqësues të tij.
Personazhet që kalojnë në libër si në një film janë jo vetëm me prejardhje të ndryshme por përfaqësojnë edhe tipologji të ndryshme njerëzore: idealistin, të zhgënjyerin, burokratin, mediokrin, spiunin, shpirt-bardhin, fisnikun, dembelin, ‘play-boy’-in, të revoltuarin, të mashtruarin, optimistin, luftarakun, të ekzaltuarin, të dashuruarin, mashtruesin. Galeria e personazheve është kaq e pasur sa libri të mban peshë gjatë gjithë kohës, duke kërkuar të dish më tepër për këtë shoqëri të re. Mihala e pasur ashkenazite që bie në dashuri me Nuri – postierin, sjell një freski dhe dritë në libër dhe e mban lexuesin gjithmonë të angazhuar për të marrë vesh se cili do të jetë fati i dy të rinjve në këtë ‘Babilon’. Me përfundimin e librit, lexuesi nuk mund të mos i shpëtojë ndjesisë se ‘keqardhjes’ për përfundimin e tij, por edhe të mirënjohjes për autorin që ka ditur të përshkruajë kaq bukur sfidat e një shoqërie në tranzicion. Në të njëjtën kohë, libri ofron syze shumë të mira optike për të analizuar realitetin shqiptar, sepse lexuesi gjen në të copëza të jetës së përditshme të Shqipërisë post-komuniste dhe bëhet njësh me ngjarjet. Në fund të fundit një libër i mirë për shoqëritë në tranzicion, kudo qofshin ato, mund të jetë një shpjegues shumë i mirë për shoqërinë shqiptare.