nga Xhoana Jaku
Po e shkruaj me laps dhe letër, ashtu si zakoni e kërkonte në kohë të qëmotshme prej nga lindi gjuha dhe shkrimi, se modernia e frymon më pak këtë metodë thuajse të quajtur arkaike. Ndonëse dritat verbuese të qyteteve nxjerrin shkrimtarë nëpër çdo shtëpi, sëkëlldisem nga mendimi a po ka brumë të mirë?
U desh lexuar, mbaruar, disa pjesë edhe nënvizuar për emocionin e falur nga Agota Kristof, që unë të bija në pezm nga çdo dritë gjuhe sot. Se dhe gjuha më kthehet e huaj si tëhuajëzimi njerëzor. Teknikisht, minuta bëhen në përpjekje të gjetjes së një nocioni për ç’ka sytë më shohin, e s’mund të zhbëhet, sado sytë i mbyll e mendjen e shpërqendroj. Ju lutem, JO MË NDRIÇIM. Ose jo këtë shkëlqim. Ndiej se do paguaj një jetë për të rendur mes fjalëve që shkaktojnë vdekje dhe kanë ndriçim. Po zgjedh “fjalën vdekje”, pasi e këtillë më qaset gjuha sot. “FJALA VDEKJE” është manifesti i shkëlqimit të ndërtuar.
Në çdo qoshe më shfaqet nga një shkrimtar, që shkruan për të kënaqur shoqërinë. Para se të shkruajnë mbi veten, shkruajnë çfarë shoqëria ngulmon të paguajë. Më pas shoqëria e dekoron me titullin “shkrimtar i afirmuar”. Prej këtij filizi delikat lind ari i shkëlqimit, i ardhur nga bankat e kushtueshme arsimtare. E bukur si fjali kur flitet apo shkruhet: “Shkollat tona prodhojnë mendimtarë të dritës”. Falë këtij “misioni të lavdishëm”, shtrihet epoka e tanishme e shkëlqimit. Gjuha në vete nuk e fal urrejtjen, por populli shkrimtar punon pareshtur që gjuhën ta vërë në shërbim të urrejtjes. Gjuhë e fortë, gjuhë banale, dashakeqëse, kafshërore, për tjetrin barbar, njëjtë si primatët, e sërish nuk jemi në xhungël, e sërish nga malli për të krijuam një të tillë, një me më shumë shkëlqim. Tashmë bishat jemi ne, pajisur me ‘fjalë vdekje’ si të ishin armë. Ah, po, epoka e dritave s’ka nevojë për armë dhe municion se jemi të civilizuar si popull, me shkrimtarë dhe mendimtarë. Arma merr jetë. Arma është e ndaluar. Atëherë, po për “fjalorin e vdekjes”, çfarë do të thuhet? A do vijë një ditë të krijohet ligj për këtë vepër penale? Tek cila gjykatë të përplasem me pankartën “JO MË SHKËLQIM”. Ju lutem, jo më ndriçim. Frikë po kam, se edhe kjo fjali do shkruhet sipas oreksit gjuhësor të ndonjë trimi shkrimtar…
Kur u kthye gjuha në biznes? E kur biznesi afektoi çdo zemër me sofizmin se nga hiçi bëhemi dritë, thjesht ti paguaj pak më mirë?! Ja kështu, një shkrimtar melankolist, që shoqëria puth me brohori, do ta gjejë një formë për ta kthyer edhe dritën në shitje. Mjaft të presim edhe pak nga mendjet kreative.. Ah, sa shkëlqim! Jam ulur në një stol momentalisht dhe shkruaj. Ndodhem në zemrën me drita të argëtimit njerëzor. Edhe shitësit janë filozofë të shkëlqyer. E njohin jetën dhe vuajtjen me një të rënë të lapsit, më ndieni, të telefonit do të shkruaja. Po unë? Unë ç’di në këtë erë shkrimtarësh?! Të them s’di, do ishte hipokrizi, pasi unë di sa e kotë dhe sa e fortë është fjala e vdekjes. Tre minuta as kaluan dhe njëri qeshi me të lartë mbi një aksident të sapolexuar. “Sot ka shoferë të këqij, pra është normale të vdesin tetë të rinj”, tha poeti i popullit. Vdekja është normale, po, po, madje edhe alegorike, se dhe vdekja si nocion pak e rrallë afekton mendje. Sa lajm i shëmtuar! Hiç nuk përkon me epokën e dritave. Kështu le të kërkojmë si të blejmë pak lumturi? Ah, po, harrova të shënoj se edhe lumturia është biznesi më i shitur në marketingun e emocioneve. Një shitës sapo ma propozoi pak më parë, por unë isha në dyshim mbi cilësinë e produktit. Kështu, u hodha tek stenda e radhës. E mrekullueshme, sapo gjeta jo një, por tre filozofë të padeklaruar që do më tregojnë si të jetojmë një jetë pa dhimbje. Në epokën e dritave, ka një manual të detajuar për çdo emocion të përftuar. Dashuria kulmon në top-listën e shitjeve. Edhe virtualisht dhurohet dashuri, aq i lavdishëm është ari i shkëlqimit ku ndodhem sot, e me gjasë edhe nesër s’kam nga shpëtoj. Ende nuk rastis të gjej manualin e kërkuar, prej nga nisi dhe udhëtimi i shkurtër në këtë mapo njerëzore. Dua…, hej njerëz, a më tregon njeri rrugën për tek ndriçimi që njerëzimi s’ka krijuar? Qeshin. Shkrimtarët qeshin me mua… Fola me gjuhën e vdekjes. Ah, sa gabim! Unë, armikja e dritës fola gabim.
Ku ndodhem sot, vjen si rezultat i qëndisjes së ideve të masës. Para se të më flisnin mbi dritën, ma kanë ofruar. Para se të njihja errësirën, ma kanë mohuar. Para se të hidhja këmbët shpengueshëm më kanë orientuar. Para, para, para…. Para çdo iniciative simes ekziston një pritë a një dorë njerëzore, e aftë për të më mësuar dritën. Se drita duhet mësuar patjetër, ndryshe je i panjehsuar. Ja si lind gjuha e vdekjes. Sot që flasim, dua të jem armikja më e madhe e dritës, njëjtë me armiqtë e errësirës, pra shkrimtarët e shumë-shtëpive. Aq e lodhur jam prej dritës, sa gjuha më rrotullohet në krijimin e saktë të nocioneve reale. ‘Fjala vdekja’ është modë, kafshatë, modernitet, mburojë për të jetuar në xhungël. E unë si armike e dritës njerëzore, mbaj një laps të blerë nga shitësit-filozofë mbi disa fletushka ironikisht të verdha, si ari i shkëlqimit ‘post-modern’. E nëse një ‘post-dritë’ do vijë me kohën, e çinteresuar jam ta blej. Unë as nuk po paguaj për këtë ndriçim gjuhësor. Ndoshta se drita sot është falas, mjaft të abonohesh mes ithtarëve të saj. Ju lutem, ju lutem kontrollojeni krijimin tuaj! Se nëse dikur drita ndërtohej me gjuhë të kujdesshme, sot po fabrikohet si e denjë edhe nga burrat që thjesht shesin letër…
© 2021 Xhoana Jaku. Të gjitha të drejtat të rezervuara.