Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

AGIMI I GJITHÇKAJE (III)

I sjellim lexuesit këtë hyrje të librit “Agimi i gjithçkaje: Një histori e re e njerëzimit” nga antropologu David Graeber dhe arkeologu David Wengrow me përkthimin e Arbër Zaimit. Një falenderim për përkthyesin që e përgatiti hyrjen enkas dhe gratis për revistën Peizazhe të Fjalës.

Shpresojmë se ky botim yni do shërbejë për të joshur ndonjë botues, që të marrë përsipër përkthimin dhe botimin e librit në shqip. Hyrja e plotë mund të lexohet këtu. Pjesa e parë lexohet këtu.

PSE HISTORIA KONVENCIONALE E NJERËZIMIT NUK ËSHTË VETËM E GABUAR, POR EDHE PANEVOJSHËM MONOTONE

Tash është pak a shumë e kuptueshme se jetesa e indigjenëve ishte, për ta thënë shkurt, shumë më interesante se jetesa në një qytet a qytezë «Perëndimore», sidomos kur dihet se kjo e fundit kërkon përditë orë të gjata veprimtarie monotone, përsëritëse e konceptualisht të zbrazët. Fakti se për ne është e vështirë të imagjinojmë se si ndonjë jetesë alternative mund të jetë pafundësisht nxitëse e interesante, është më shumë një reflektim i kufijve të imagjinatës sonë, se sa i atyre të vetë jetës.

Një nga aspektet më të dëmshme të narrativave historike që u janë mveshur zhvillimeve të shoqërive njerëzore, është pikërisht fakti se ato priren ta thajnë gjithçka, t´i thjeshtojnë njerëzit në stereotipe, t´i thjeshtëzojnë gjërat (a janë njerëzit vallë, qysh nga lindja egoistë e të dhunshëm apo të dashur dhe bashkëpunues?) në mënyra që e vështirësojnë e ndoshta edhe e shkatërrojnë ndjenjën e së mundshmes te njerëzit. Egërsirat «fisnike» janë, në analizë të fundit, po aq monotonë sa egërsirat e dhunshme, e përveç kësaj, ato as që kanë ekzistuar. Kemi të bëjmë me njerëz, si të gjithë ne të tjerët.

Le të bëjmë një sqarim këtu: teoria sociale gjithnjë dhe doemos e nënkupton një lloj thjeshtëzimi. Përshembull, thuajse çdo veprim njerëzor mund të thuhet se e ka një aspekt politik, një aspekt ekonomik, një aspekt psiko-seksual, e kështu me radhë. Teoria sociale është në masë të madhe një lojë ku pretendojmë, thjesht për hir të argumentit, se vetëm njëra prej këtyre ndodh, pra në thelb ne e reduktojmë gjithçka në një skicë që të jemi në gjendje të dallojmë gjurmët të cilat përndryshe do të mbeteshin të padukshme. Si rezultat, i gjithë progresi i shkencave shoqërore bazohet te guximi për të thënë gjëra që janë, në analizë të fundit, paksa qesharake: veprat e Karl Marx-it, Sigmund Freud-it apo Claude Lévi-Strauss-it janë thjesht raste tepër të famshme të kësaj. Pra duhet thjeshtëzuar bota, që të mund të bëhet një zbulim për të. Problemi qëndron kur, edhe shumë kohë pas bërjes së zbulimit, njerëzit vazhdojnë të thjeshtëzojnë.

Hobbes-i dhe Rousseau-ja u treguan bashkëkohësve të tyre gjëra befasuese, të thella, duke u hapur dyer të reja imagjinatave të tyre. Por sot idetë e tyre janë thjesht të rëndomta e të lodhura. S´ka më asgjë në to që të justifikojë thjeshtëzimin e pandërprerë të punëve njerëzore. Nëse shkencëtarët socialë sot vazhdojnë t´i thjeshtëzojnë brezat e shkuar duke prodhuar për ta karikatura dy dimensionale, kjo vjen se po na tregojnë ndonjë gjë origjinale, por thjesht sepse mendojnë që prej tyre pritet të bëjnë pikërisht këtë për t´u dukur «shkencorë». Rezultati i kësaj është që historia varfërohet – e si pasojë varfërohet edhe ndjenja jonë për të mundshmen. Le ta mbyllim këtë hyrje me një shembull, para se t´u shkojmë më thellë punëve.

Qysh prej Adam Smith-it, ata që duan të dëshmojnë se format bashkëkohore të shkëmbimeve tregtare e konkurruese janë të rrënjosura në natyrën njerëzore, përmendin «tregtinë primitive». Prej më shumë se 10.000 vjetësh kemi evidenca objektesh – shumë shpesh gurë të çmuar, guaska apo sende të tjera zbukuruese – që janë zhvendosur prej njerëzve në largësi të mëdha. Shpesh këto ishin ai lloj sendesh që siç zbuluan më vonë antropologët, përdoreshin si «valuta primitive» anembanë botës. Sigurisht pra kjo është provë se kapitalizmi, në një formë apo në një tjetër paska ekzistuar gjithmonë, apo jo?

Por logjika është tërësisht rrethore. Nëse sendet e çmueshme lëviznin në largësi të mëdha, kjo qenka dëshmi e «tregtisë», dhe nëse paska patur tregti do të duhej të kishte një farë mënyre të tregtimit; prandaj nëse, 3000 vjet më parë qelibari nga Baltiku gjeti mënyrën të arrinte deri në Mesdhe, apo nëse guaskat nga Gjiri i Meksikës u transportuan gjer në Ohajo, atëherë kjo është prova se kemi të bëjmë me një formë embrionike të një ekonomie tregtare. Tregjet janë universale. Pra duhet të ketë ekzistuar një treg. Pra tregjet janë universale. E kështu me radhë.

E vetmja gjë që dëshmojnë këta autorë në fakt, është se ata vetë nuk mund të imagjinojnë dot asnjë shpjegim tjetër për zhvendosjen e objekteve të çmueshme. Por mungesa e imagjinatës nuk është argument në vetvete. A thua se këta shkrimtarë kanë frikë të shtrojnë pyetje që mund të duken origjinale, apo, nëse e bëjnë këtë gjë, ndihen të detyruar të përdorin një gjuhë që tingëllon disi shkencore («sfera ndërveprimi trans-rajonal», «rrjete shkëmbimi shumë-shkallësh»), që të shmangin nevojën për të shpjeguar gjërat për të cilat flasin. Në fakt antropologjia na ofron pafund shembuj për lëvizjen e sendeve të çmuara në largësi shumë të mëdha edhe kur s´ka ekzistuar asgjë e ngjashme qoftë edhe për së largu me ekonominë tregtare.

Teksti themelor për etnografinë e shekullit të njëzetë, Argonautët e Paqësorit Perëndimor i Bronislaw Malinowski-t (1922) shpjegon se si në zinxhirin ishullor «Kula», në ishujt Masim të Guinesë së Re Papua, burrat ndërmerrnin ekspedita të guximshme në detra të trazuar, me kanoet e tyre, vetëm sa për të shkëmbyer guaska e varëse (secila prej tyre mbante të shkruar emrin e bartësit aktual dhe të atyre që e kishin zotëruar në shkuarën) – mandej këto i mbanin shkurt, e pastaj në një ekspeditë tjetër i dërgonin në një tjetër ishull. Këto thesare me emrat e shumë brezave në to, qarkullonin pafundësisht në arqipelag, duke kapërcyer ashtu qindra milje oqeanike. Për një të huaj kjo duket e pakuptimtë. Për njerëzit e ishujve Massim kjo ishte aventura më e bukur dhe asgjë nuk ishte më e rëndësishme për ta se sa që ta çonin emrin e tyre gjithkund, pra edhe në vende që nuk i kishin parë kurrë.

A është kjo «tregti»? Mbase, mirëpo do të duhej ta përthyenim përtej pikës së thyerjes kuptimin e zakonshëm të fjalës tregti. Në fakt ka literaturë të gjerë etnografike që shpjegon se si funksionojnë shkëmbimet e tilla në largësi të mëdha në shoqëri ku nuk ekzistojnë tregjet. Shkëmbime ndodhin: grupe të ndryshme mund të specializohen – një grup bëhet i famshëm për punimet me pupla, një nxjerr kripë, te një i tretë gratë janë të gjitha poçare – e kësisoj arrijnë të kenë gjëra që nuk mund të prodhohen pa specializim; ndonjëherë ndonjë grup specializohet edhe në zanatin e transportit të njerëzve e të sendeve. Por shpesh rrjete të tilla regjionale shohim se janë zhvilluar veç për hir të krijimit të marrëdhënieve miqësore e reciproke[33], e se ka shumë mundësi të tjera që as nuk ngjajnë me «tregun» në ndonjë aspekt.

Le të renditim ca prej tyre, të gjitha të nxjerra prej materialit amerikano-verior, sa për t´i dhënë lexuesit një përshtypje nga ajo çfarë mund të ketë qenë arsyeja e «sferave të ndërveprimeve në distanca të largëta», gjatë historisë së njerëzimit:

  1. Ëndrrat apo vegimet: Mes popujve irokua-folës gjatë shekujve të gjashtëmbëdhjetë e të shtatëmbëdhjetë, konsiderohej tepër e rëndësishme që individi të realizonte atë çka shihte në ëndërr. Shumë vëzhgues evropianë habiteshin se si indianët ishin të gatshëm të udhëtonin për ditë të tëra që të mund të sillnin në shtëpi ndonjë send, trofe, kristal apo ndonjë kafshë, psh. ndonjë qen, pasi që kishin parë në ëndërr sikur zotëronin një të tillë. E secili që shihte në ëndërr ndonjë send që i përkiste ndonjë fqinji apo ndonjë kushëriri (ndonjë enë, ornament, maskë rituale etj.) normalisht e kërkonte dhe ia jepnin; e si rezultat sendet e tilla gradualisht zhvendoseshin në distanca të largëta, prej fshatit në fshat. Te indigjenët e Pllajave të Mëdha, vendimet për të udhëtuar në largësi të mëdha për të kërkuar objekte të rrallë apo ekzotikë, mund të ishin si pasojë e vegimeve që kishin pasur[34].
  2. Mjekët dhe argëtuesit endacakë: Në 1528 kur një spanjoll të cilit iu mbyt anija, me emrin Álvar Núnez Cabeza de Vaca, kaloi përmes Floridës dhe Teksasit e deri në Meksikë, kuptoi se mund të udhëtonte fare lehtë nga fshati në fshat (madje edhe kur fshatrat ishin në luftë me njëri-tjetrin) nëse u ofronte fshatarëve shërbime si magjistar e shërues. Shëruesit thuajse në krejt Amerikën Veriore ishin edhe argëtues, e kishin me vete një enturazh si punë cirku; e kur «pacientët» bindeshin se performanca e shëruesve u kishte shpëtuar jetën, shpesh dhuronin gjithë pronat e tyre materiale që ndaheshin mes trupës[35]. Kësisoj shumë sende me vlerë mund të zhvendoseshin në distanca të largëta.
  3. Bixhozi i grave: gratë në shumë shoqëri indigjene amerikano-veriore ishin kumarxhesha të thekura; gratë e fshatrave fqinjë shpesh mblidheshin e luanin me zara apo një lojë me sfera e me gurë, dhe zakonisht vinin bast zbukurimet e tyre prej guaskash apo sende të tjera zbukurimi personal. Një arkeolog që e njeh mirë literaturën etnografike, Warren DeBoer, vlerëson se shumë prej guaskave e sendeve të tjera ekzotike që zbulohen shumë larg vendit të origjinës, gjer në anën tjetër të kontinentit, kanë mbërritur atje pas shumë kohësh, përmes basteve të njëpasnjëshme, në lojërat ndërfshatare të këtij lloji[36].

Do të kishim mundur të jepnim edhe shumë shembuj, por po mendojmë se tashmë lexuesi e kupton në vija të trasha se çfarë duam të themi. Nëse thjesht hamendësohet, sa i përket gjërave që njerëzit e kohërave dhe vendeve të tjera kanë bërë kur ishin gjallë, atëherë thuajse gjithnjë priremi të hamendësojmë gjëra shumë më pak interesante e befasuese, pra shumë më pak njerëzore, krahasuar me atë çka vërtet ka ndodhur.

Çfarë do të gjejmë në vazhdim?

Në këtë libër jo vetëm që do të paraqesim një histori të re të species njerëzore, por do ta ftojmë lexuesin edhe në një shkencë të re të historisë, e cila ua rikthen paraardhësve tanë njerëzishmërinë e plotë. Në vend se të shtrojmë pyetjen se si përfunduam me pabarazi, ne do t´ia nisim me pyetjen se si na u bë «pabarazia» kaq temë e rëndësishme fillimisht, e mandej do të ndërtojmë gradualisht një narrativë tjetër, e cila i korrespondon më saktësisht dijeve që kemi sot për sot. Nëse njerëzit nuk e paskan kaluar 95% të të shkuarës së tyre evolucionare në çeta të vogla gjuetarësh e mbledhësish, atëherë si e kanë kaluar atë kohë? Nëse agrikultura e qytetet nuk e sollën skllavërimin prej hierarkive, atëherë çfarë sollën? Çfarë ka ndodhur në të vërtetë gjatë atyre periudhave që ne zakonisht i shohim si shenjuese të lindjes së «shtetit»? Përgjigjet shpesh janë të papritura dhe sugjerojnë se rrjedha e historisë njerëzore nuk është edhe aq e përcaktuar dhe se mund të ketë në të shumë më tepër potencial lojcak, se sa ç´priremi të hamendësojmë.

Në një kuptim pra ky libër po përpiqet të hedhë themelet për një histori të re të shoqërisë njerëzore, njësoj siç bënte Gordon Childe në vitet 1930, kur shpiku fraza si «Revolucioni Neolitik» apo «Revolucioni Urban». Si çdo përpjekje e tillë, ky libër është i pazakontë dhe i paplotë. Por në të njëjtën kohë libri është edhe diçka tjetër: një përpjekje për të zbuluar pyetjet e duhura. Nëse «cila është origjina e pabarazisë?» nuk është pyetja më e mirë që mund të shtrojmë kur kemi të bëjmë me historinë, atëherë cila do të mund të ishte e duhura? Siç na tregojnë historitë e të rrëmbyerve prej indianëve, që pasi shpëtoheshin arratiseshin sërish në pyje, Rousseau nuk e ka patur tërësisht gabim. Diçka kemi humbur. Por ai thjesht kishte një nocion idiosinkretik (e si përfundim të gabuar) mbi atë se çfarë ishte humbur. Po si ta karakterizojmë pra atë që u humb? Dhe në ç´masë realisht e kemi humbur? Ç´do të thotë kjo, sa i përket potencialeve për ndryshime shoqërore në kohën tonë?

Për më se një dekadë ne – pra dy autorët e këtij libri – jemi angazhuar në një bisedë të stërgjatë me njëri-tjetrin pikërisht për këto pyetje. Kjo është arsyeja pse libri ka një strukturë disi të pazakontë, duke filluar prej gjurmimit të rrënjëve historike të pyetjes («cila është origjina e pabarazisë shoqërore?»), mandej shkon te një sërë ballafaqimesh mes kolonizatorëve evropianë dhe intelektualëve indigjenë amerikanë në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Impakti i atyre takimeve mbi atë që sot e njohim si Iluminizëm e mbi vetë konceptet tona bazike për historinë e njeriut ka qenë shumë më i thellë e më i madh se sa ç´jemi gati zakonisht të pranojmë. Rishikimi i këtyre gjërave, siç kemi zbuluar, ka implikime befasuese mbi mënyrën se si e kuptojmë të shkuarën e njerëzimit sot, duke përfshirë edhe origjinën e bujqësisë, pronës, qyteteve, demokracisë, skllavërisë dhe vetë civilizimit. E krejt në fund, ne vendosëm të shkruajmë një libër që do të mund ta përkthente, së paku në një farë mase, evolucionin e shoqërisë në mendimin tonë bashkëkohor. Gjatë atyre bisedave momenti kyç erdhi atëherë kur vendosëm të largohemi tërësisht prej mendimtarëve evropianë si Rousseau e të merrnim parasysh perspektivat që rrjedhin prej atyre mendimtarëve indigjenë të cilët edhe kishin qenë frymëzuesit e iluministëve evropianë.

Pra le t´ia fillojmë këtu.

[33] Përshembull shoqëritë Wendat (Huron) të verilindjes së Amerikës Veriore përgjatë shekullit të shtatëmbëdhjetë – me to do të merremi në kreun e ardhshëm – për të cilat Trigger (1976: 62) vë në dukje se: «Marrëdhëniet shoqërore e ato të reciprocitetit material shtriheshin përtej konfederatës së Huronëve, në formën e marrëveshjeve tregtare. Gjatë periudhave historike tregtia ishte burim jo vetëm për të mira të luksit, por edhe për mish e lëkura që ishin jetike për atë popullsi që i kishte shteruar burimet e territorit të gjuetisë pranë saj. Por sado të rëndësishme që ishin këto të mira, tregtia me aktorë të jashtëm nuk ishte vetëm aktivitet ekonomik. Ajo ishte e gërshetuar në një rrjet marrëdhëniesh shoqërore që në thelb s´qenë gjë tjetër pos një zgjerim i marrëdhënieve miqësore që tashmë ekzistonin në konfederatën e huronëve» (theksimi i yni). Burimi klasik për studim të përgjithshëm antropologjik të «tregtisë arkaike» mbetet Servet 1981; 1982. Shumë antropologë bashkëkohorë e njohin mirë këtë literaturë, mirëpo shpesh ngecin në debatet mbi dallimet mes «tregtisë» dhe «shkëmbimit të dhuratave» paçka se e marrin të mirëqenë se synimi përfundimtar i të dyjave është që ta përmirësojë statusin e dikujt, qoftë përmes fitimit, qoftë përmes prestigjit apo të dyjave bashkë. Shumica e pranojnë se ka diçka në vetvete të vlefshme, madje edhe me domethënie kozmologjike, te fenomeni i të udhëtuarit, përjetimi i vendeve të largëta, zotërimi i sendeve ekzotike; por në fund shumica e antropologëve mbeten te çështja e statusit apo prestigjit, a thua se nuk ka mundësi të tjera për të shpjeguar ndërveprimin e njerëzve në largësi të mëdha; për diskutim të mëtejshëm të çështjes shih Wengrow (2010).

[34] Mbi «ekonomitë e ëndrrave» të irokuave shih Graeber (2001): 145-9

[35] Sipas interpretimit që Charles Hudson (1976): 89-91, ia bën rrëfimit të Cabeza de Vaca-s.

[36] DeBoer (2001).

 

(c) 2021 Arbër Zaimi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin