POETI, VJESHTA DHE QIPARISAT NË KUMTET E POETIKËS ARAPIANE
nga Alisa Velaj
Roli mesianik i poezisë, plazmuar në lirikën arapiane, herë në misionin e unit lirik, herë në kumtet e dhëna përmes figurës së drejtpërdrejtë të poetit do të arrinte formën e vet më të kulluar në vargjet e poezisë “Duke shkelur nëpër guaca të detit”, ndërsa duket se i ka dhënë shenjat e para në vitin e largët 1962, kur Fatos Arapi, atëbotë në agun e krijimtarisë, botonte librin e parë “Shtigje poetike”. Miti biblik, i rimarrë disa herë në lëndën poetike, përmes alegorisë së profetëve të rremë, aktit të kryqëzimit etj., etj., ka për zanafillë poezinë minimaliste “Ditë vjeshte”, ku uni lirik që ecën si një Perëndi[1] mbi copa të kristalta qiejsh mbi tokë, të ndërmend ecjen mbi ujëra të Mesisë në Testamentin e Ri.
Si një perëndi po eci
mbi copra të bardha resh,
mbi copra të kristalta të qiejve shqiptarë. (“Ditë vjeshte” )
Figura e poetit, si abstragim alegorik i Arapit dhe Arapi në një rol poetik profetik, që dialogon me poetët e rinj, apo monologon, për t’u kumtuar mesazhet e lirisë dhe tiranisë, gjendet në këto poezi: Ditë vjeshte (nga vëllimi “Shtigje poetike”, 1962), Poetët (nga vëllimi “Ne, pikëllimi i dritave”, 1993, Edhe pa Fatosin[2] (nga vëllimi “Më vjen keq për Jagon”, 1994, shkruar më 1980), Poetëve të vendit tim (nga vëllimi “Ne, pikëllimi i dritave”, 1993, shkruar më 1991), Poetët shpejtojnë përherë për diku dhe Prodhoni dhimbje, poetë (nga vëllimi “Gloria Victis”, 1997), O poet i mjerë dhe Dashuri tiranase (nga vëllimi “Vëllezër Hamletë”, 2001), Po ku janë alqionet dhe Me pranga ndër duar, poetët (nga vëllimi “Shëtitje pa veten”, 2005) etj., etj. Trishtimi i poetit në këto poezi nuk është ai trishtimi i natyrshëm njerëzor për humbjet apo rihumbjet ciklike. Është trishtimi i denjë[3] prej dimensionesh aspak tokësore, trishtim ndërtues e transformues[4] i shpirtit njerëzor në udhën e tij drejt lirisë absolute. I ndershëm si vdekja, Arapi u predikon poetëve të rinj se ata nuk mund të kultivojnë lloj-lloj lirish dhe nuk mund të ulen kurrë në sofra, ku shkarëzejnë tiranët, por duhet të kërkojnë atë çka ka humbur prej njeriut, të kërkojnë njeriun që s’është, si projeksion i përmasës së papërlyer të qenies. Asaj përmase që po zbehet përherë e më shumë në shpirtin njerëzor, gati-gati drejt humbjes përfare të ngjyrës, por që duhet gjetur me patjetër dhe ky është misioni i poetëve dhe i poezisë së vërtetë.[5]
Poezia ribën dhe e shtrin gjuhën; çdo gjuhë poetike fillon duke qenë një gjuhë e fshehtë, domethënë, krijimi i një universi personal, i një bote plotësisht të mbyllur.[6] Universi poetik i Arapit, në këtë mision mesianik, ngjizet si fillim përmes trishtimesh të përtypshme dhe të përjetueshme vetëm nga uni lirik, ndërsa nga një kohë në tjetrën, me përdorimin e të tjera teknikave poetike, ofron për lexuesin një lloj ftese për ta parë trishtimin e poetit njëlloj si të jetë trishtimi i vet. Një lloj lexuesi që është bashkëvuajtës i tekstit në të njëjtën shkallë me poetin. Vetëm kështu ky lexues do ta ndjejë veten të pushtuar nga trishtimi i denjë dhe revolta sociale dhe poezia do të marrë rol ndërveprues në procesin kathartik që ndodh në shpirtra. Ata që shpejtojnë përherë për diku nuk duhet të jenë vetëm poetët, por edhe lexuesit.
Vjeshta pa ardhur, ata vjeshtë janë,
vetmia ku është, janë vetmi.
Dritëza trishtimesh u ndrijnë ndër gishtërinj,
si pus xixëllonjash. (“Poetët shpejtojnë përherë për diku”)
Në të dy poezitë e marra për analizë në këtë shkrim, vërehet se uni lirik dhe poetët njëtrajtësohen me stinën e vjeshtës, apo udhëtojnë përmes vjeshtës. Vjeshta dhe veçanërisht tetori vjeshtak janë topikët ku ngjizen trishtimi dhe përtëritja në krejt lirikën arapiane. Uni lirik kullon i gjithi vjeshtë.[7] Vjeshta, natyrisht, ka dy aspekte: i jep fund verës dhe parashikon dimrin, feston vjeljen e të korrave të verës dhe mban zi për vdekjen e vitit.[8] Figura e poetit në lirikën e Arapit, tek vjeshtohet në shpirt, ashtu i rrëmbushur me trishtime të denja, i përngjan një elegjie ku pikëllimi për vdekjen e lirisë çmend rrokaqiejt. Poetët mbajnë zi kur tiranitë shëtisin udhëve të atdheut, ndërsa stina e vjeshtës është alegori e atmosferës së vdekjes dhe e një përshpirtje të gjithanshme për largimin nga njeriu. Alegoria e njeriut që me patjetër duhet të vjeshtohet për të qenë strehë e trishtimeve më të denja, apo trishtimeve të denja e të thella vjeshtake është alegori e përtëritjes në një kontekst më të gjerë. Pa këto trishtime të thella, pa qenë i tëri vjeshtë, poeti nuk ka se si t’i kuptojë dramat e shoqërisë së tij. Për ta kuptuar më mirë këtë të fundit, po i kthehemi edhe njëherë poezisë “Dashuri tiranase”. Uni lirik pranëvë në këtë rrëfim lirik tri lloje shpirtrash: shpirtin vjeshtak të poetit që shkel tetorit mbi trishtimet e Tiranës dhe hyn nëpër jetën e shirave e bubullimave.[9], shpirtrat e tërë atyre që shkelin mbi zërat e tetorit të ftohtë, të pashpirtë, si një vetëharrim [10] dhe shpirtin e qytetit që arrin ta kuptojë se kush e dashuron me të vërtetë. Kemi pra shpirtra që pranojnë të vjeshtohen dhe e mbërrijnë dashurinë përmes trishtimit të denjë për gruan-qytet, duke e dashur këtë grua ashtu siç ajo është dhe shpirtra të pashpirt që dinë të duan vetëm veten. Ata shkelin mbi zërat e tetorit duke mos pranuar të vjeshtohen e të pushtohen prej trishtimit, por përkundrazi janë vrasës së tij. Prandaj janë përkëdhelës të vetvetes së mjerë dhe jo mbartës së dritës së trishtimit, falë së cilës, dhe vetëm falë saj, njeriu mund të ecë përpara në jetë.[11] Sarkastik i skajshëm, përmes poetit dhe qytetit, Arapi ironizon thellë e ashpër shkaktarët e vërtetë të tranzicionit shqiptar në diktaturë dhe post-diktaturë. Vargu “Unë… tjetër, unë” shenjon dashurinë e poetit për Tiranën, atdheun dhe dashurinë e tërë shpirtrave të papërlyer për një atdhe të nëpërkëmbur e të rrënuar në pafundësi. Mbërthyer në Araratet e mërzisë shqiptare[12], uni lirik që dashuron ndryshe fton dhe tërë të tjerët të ecin nëpër këto shtigje dashurie.
Arapi kudo ku shkon, nëpër shtegtimet e tij reale dhe poetike, mbetet një copëz peizazhi nga vendi i tij, Shqipëria. Kudo ku drita gdhihet e ngryset, është një natë vlonjate[13], një përgjumje e qiparisave të Zvërnecit, që herë e afrojnë më pranë vdekjes dhe herë e ndihmojnë të prekë kufijtë e ringjalljes. Vendlindja si truall poetik dhe rrënjë ekzistenciale, do të vuloste në krijimtarinë e tij një lloj identiteti poetik, pa të cilin nuk do ta arrinte dot kurrsesi atë përsosmëri lirike, si pakkush në letrat shqipe. Miti i vendlindjes, përveçse një këngë dashurie si për çdo poet, ngjizi tek Arapi përmasën universale dhe moderne të vargjeve të tij. Lirikat që kanë në thelb të tyre shenjuesin e qiparisit janë nga lirikat më moderne të poezisë tonë në tërësi. Në poezitë e Arapit uni lirik mediton mbi luhatjen e çuditshme të konturit të qiparisit nëpër qiell lart.[14], ndërsa në lirika të tjera i vështron qiparisat në një atmosferë krejt të paqiell. Në rastin e parë ngjizen lirika si “Udhës shkon një qiparis”, “Qiparisi im”, “Qiparisi i kaltër”, “Tek unë vetmia e gjelbër e qiparisit” etj. Në rastin e dytë vijnë lirika si “Në vorrezën e fshatit”, “Ecën nata e Zvërnecit tek unë”, “Si një muzg i thyer” etj.
Simbolika e qiparisit është shoqëruar që herët me funeralet dhe varret, pjesërisht, sepse qiparisi ka një gjelbërim të përhershëm dhe kështu natyrisht sugjeron jetën e përjetshme.[15] Kjo simbolikë e dyfishtë, sa e vdekjes, sa e ringjalljes frymon edhe në vargjet e poetit. Në lirikat “Udhës shkon një qiparis” dhe “Tek unë vetmia e gjelbër e qiparisit” poeti ekzaltohet prej dashurisë së qiparistë dhe vetmisë së gjelbër të qiparisit. Të dyja shpërndajnë hutimin e blertë dhe gjelbërimi i përhershëm në të dyja lirikat përtërin shpirtrat e dashuruar. Në lirikën e parë e kthen poetin në jetë prej gjumit të vdekjes, ndërsa në të dytën dashuria flurore nëpër ajri, pemë e muzg, merr trajta më erotike, bëhet më e prekshme. Shenjuesit tekstorë kaq tokësorë të hamshorëve të jetës dhe linjat e profilit të vajzës herë treten në trajektoren qiellore, për t’u bërë sa më sublime dhe eterne, herë janë pasqyra ku fluturojnë fazanët e Baptisterit. Baptisteri si vend ku dikur kryheshin pagëzimet dhe fazanët si zogj të tokës, simbolizojnë ringjalljen e dashurisë dhe flatrimin e saj prej tokës në qiell e prej qiellit në tokë. Një fluturim dashuror i përjetshëm që do t’i ringjallë përherë shpirtrat e dashuruar dhe do të mbajë larg ndjenjën e braktisjes dhe vetmisë. Në lirikat “Qiparisi im” dhe “Qiparisi i kaltër”, qiparisi është simbol i papërlyerjes, në një botë ku krimi aq shumë ka lëshuar rrënjë vend, sa dhe vetë tragjeditë hutohen nga dhimbjet e njeriut.[16] Të dyja lirikat janë monologë dramatikë të unit lirik që përpiqet të shtegtojë prej qiellit të trishtuar njerëzor nëpër një tjetër qiell, ku nuk mbërrin dot dhimbja dhe pikëllimi. Qiparisi është në këto poezi një sugjerim i jetës së përsosur, apo jetës së përjetshme, një ikonë tokësore me një brerore drite jo të kësaj toke. Në këto monologë dramatikë uni lirik duket se i përfalet kësaj brerore drite rreth qiparisit. Qiparisi si simbol shenjtërie dhe uni lirik që kërkon të mbërrijë shenjtërinë e tij duke ëndërruar një shëmbëlltyrë dëlirësie. Këto dy lirika mund të konsiderohen fare mirë dhe si dy elegji të vogla për rrënimin e shpirtit dhe dashurisë.
Qiparisi im që lëshohesh flurorë qiellit,
nëpër qiell fërfëllimë drite të kaltër,
si të të mbaj ndër sy
pa të përlyer? (“Qiparisi im” )
Mungesa e qiellit në poezitë e grupit të dytë e shndërron qiparisin në simbol të vdekjes në poezinë “Në vorrezën e fshatit”. Atmosfera e zymtë me zambakë të tharë, kambana të thyera dhe kryqe të fundosura është krejt e pashpresë. Poeti merr sërish rol mesianik në vargun përmbyllës të poezisë, kur shkruan “Të vdekurit falen tek unë”. Ky rol mesianik përsëritet sërish në poezinë “Si një muzg i thyer” ku qiparisat besnikë e ndjekin pas. Edhe pse mbijnë prej trishtimit, këta qiparisa shpirtëzohen duke rendur pas poetit, për të shpëtuar atë dhe vetveten prej vdekjes dhe harrimit. Poezia tjetër “Ecën natë e Zvërnecit tek unë” ka një mungesë të plotë drite. As poeti dhe as qiparisat nuk arrijnë dot të ringjallen, me gjithë përpjekjet e tyre. Vdekja mbetet kokëfortësisht vdekje, gjithçka rrokulliset, fundoset, e uni lirik nuk di më ku të mbahet.[17] Një pikëllim pa cak e zanafillë, me gjithë përpjekjet titanike për t’u jetësuar. Qiparisi këtu nuk shpërndan dritë, por bashkë me poetin zhytet në honet e moskthimit. Nata mbetet natë dhe errësira dendësohet duke krijuar rrethin ciklik të pamundësisë përmes varrezës-natë apo natës-varrezë.
Në lirikën e dashurisë, vjeshta mbjell trishtime të verdha[18] në shpirtin e poetit. Megjithatë poeti e ndjen veten të mundur, vetëm kur e braktis trishtimi.[19] A është ky një trishtim njerëzor apo një trishtim hyjnor atëherë? Për sa kohë trishtimi ushqehet nga dashuria e humbur është një trishtim thellësisht njerëzor, ndërsa kur mundet prej braktisjes së trishtimit, ky trishtim padyshim që është hyjnor. Prandaj poetin nuk e mund dot askush kur ai mbart në zemër trishtimin e dashurisë.
Asnjë perëndi lufte nuk më mundte dot,
sepse unë isha i trishtuar për ty. ( “Trishtimi më braktisi i fundit” )
Vjeshta-tirani gjunjëzon unin lirik (Ku të mbahem), e bën të jetë peng i një kujtimi tragjik dhe të dialogojë “me zëra gjethesh të vyshkura” (Çfarë s’bëra që të harroj ty). Tetori vjeshtak është koha me e pranishme në lirikën arapiane. Shpirti i tetorit endet tinëzisht trojeve të kujtimeve, mallit dhe po tetori ikën përherë para se të vijë (Përse paske frikë t’i afrohesh kujtimit). Në këtë muaj fryjnë erëra padurimi me të forta sesa në shtator apo në nëntor. Në tetor poetin e ndjellin zëra të dashur në një qiell që ikën.
Për ku shpejton ti, tetori tinzar?
Dikush më thërret
në qiellin që ikën. (“Tetor” )
Sintagma “në qiellin që ikën” është ajo çka e bën shpirtin e tetorit kaq tinëzar. Ikja e tetorit është ikja e pjesës më të madhe të vjeshtës. Uni lirik e ndjen veten tashmë më pranë dimrit, stinës pa lulëzim, më pranë elegjisë së dashurisë. Ikja e tetorit tinëzisht i lë përherë e më pak qiej kohës së përtëritjes. Por ky shpirt vjeshte krahas tiranisë e trishtimeve ka brenda tij dhe gëzime të bukura, dritëza dashurie dhe erëza vjeshte. Ka përtëritje të befta të mendimit dhe shtatit të burrit prej këtyre erëzave. Në poezinë “Erdhën erërat e vjeshtës” erosi shpërthen në erërat e vjeshtës që sjell gruan dhe aromën e mrekullueshme të dashurisë. Gruan qe kundërmon mes gjinjsh erë ftoi. Vjeshta-grua dhe gruaja-vjeshtë mbeten një këngë e mrekullueshme gëzimi për poetin. Madje nga këngët e pakta gëzimplote për Fatos Arapin, që i këndoi dhimbjes me një patos të rrallë, pikërisht se e donte me një guxim të pashoq lumturinë absolute dhe lirinë e saj.
Vlorë, shtator 2021
(c) 2021 Alisa Velaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Sa për konceptin perënditë në krijimtarinë e mëvonshme, kemi të bëjmë me një referencë të perëndive antike, apo të besimit politeist që mbart lënda mitologjike, të cilën Arapi e ka një ndër shtyllat kryesore të themelit poetik, por përherë në funksion të mesazheve për bashkëkohësinë.
[2] Në mjaft poezi, Arapi dialogon me veten, duke iu drejtuar vetes dialoguese me emrin e tij real.
[3] Termi trishtim i denjë është i përdorur nga Arapi në vargjet përmbyllëse të poezisë Andej, ku poeti shprehet: “Një tjetër trishtim të denjë/për njeriun, andej”. Me fjalën andej i referohet përtejbotës, parajsës, duke e shndërruar trishtimin e denjë në trishtim hyjnor.
[4] Shih Metafora e trishtimit hyjnor në https://peizazhe.com/2020/09/13/imazhe-dhe-lexime-te-kunderta-te-botes-ne-poezi/.
[5] Fjalia ndërtohet mbi perifrazimin e vargut “e unë i ndershëm si vdekja” nga poezia I ndershëm si vdekja, vargun “kultivojnë lloj-lloj lirish” nga Poetëve të vendit tim dhe perifrazimin e vargjeve “por s’ulen kurrë në sofra,/ku shkarëzejnë tiranët” të poezisë O poet i mjerë.
[6] Eliade, Mircea. (1989). Shamanism: Archaic Techniques of Ecstasy. London, England: Arkana, Penguin Books.
[7] Perifrazim i vargut “Kulloj vjeshtë i tëri” në poezinë me të njëjtin titull.
[8] Ferber, Michael. (1999). A Dictionary of Literary Symbols. USA, Cambridge University Press, fq. 49.
[9] Shprehja e parë me korsive citon drejtpërsëdrejti një varg nga poezia, ndërsa e dyta perifrazon vargun “hyj nëpër jetën e shirave e bubullimave”.
[10] Vargjet origjinale të poezisë janë: “Ju shkelni mbi zërat e tetorit/të ftohtë, të pashpirt, si një vetëharrim;//ju jeni zogj të murrmë, të largët,/përkëdhelës të vetvetes së mjerë…”.
[11] Fjalët me korsive janë varg i poezisë në fjalë, ndërsa semantika e dritës së trishtimit perifrazon vargje t të Arapit nga poezia “Poetëve të vendit tim”, ku Arapi shkruan: “Si mund të ecë më tutje njeriu/pa dritë trishtimi në sy?”.
[12] Varg i poezisë Mërzi.
[13] Perifrazohen vargje nga poezia Lamtumirë, ku poeti shkruan “Kudo ku shkoj /jam një copëz peizazhi nga vendi im” dhe vargu “Sonte jam një natë vlonjatë” nga poezia Natë vlonjate.
[14] Varg i poezisë Zvërneci në gjumë.
[15] Ferber, Michael, vep. cit, fq. 17.
[16] Varg i poezisë Qiparisi i kaltër.
[17] Perifrazim i dy vargjeve të fundit të poezisë “Ecën nata e Zvërnecit tek unë”. Poeti shkruan: “Gjithçka rrokulliset,/fundoset, e unë s’po di ku të mbahem”.
[18] Trishtimet e verdha huazohen si koncept nga poezia Zemrën time, si bujqit arën.
[19] Perifrazohen vargjet “Trishtimi më braktisi i fundit,/dhe unë u munda” nga poezia Trishtimi më braktisi i fundit.