Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Filologji

FEJA NË KODIN ZAKONOR SHQIPTAR (I)

„In principio erat Verbum …“  (Jo 1 1)

nga Bardhyl Demiraj,
(LMU München/BRD)

  1. Fjalë hyrëse

Në trashëgiminë e kulturës së shkrimit shqip njehim sot për sot me gishtat e njërës dorë pinjollë të tillë që të kenë lënë gjurmë e hedhur rrënjë jo thjesht dhe vetëm me prurjet e tyre masive, por edhe – madje sidomos – me metodikën hullindjekëse të punës qoftë në mbledhjen dhe grumbullimin e materialit etnografik-gjuhësor në terren, ashtu edhe në sistematizimin, klasifikimin dhe përgatitjen e tij për një botim të atillë që gëzon gjithherë si miratimin dhe respektin e një rrethi të gjerë lexuesish, ashtu  edhe mirakandjen e studiuesve të fushës me ecur e me u thelluar në atë hulli. Ndër ta lejohemi të kumtojmë pa rrudhur vetulla emrin e Àt Shtjefën K. Gjeçovit O.F.M. dora vetë, i mirënjohur në kulturën shqiptare sidomos për ngulmin e tij me fiksuar në letër Kodin Zakonor ase “Doketar” (Fishta 1933) në ato vise të Shqipërisë së Veriut, ku Kanuni i Lekë Dukagjinit (= KLD) gëzonte dikur rolin e të vetmit rregullator në marrëdhëniet sociale, ekonomike dhe kulturore brendapërbrenda bashkësisë. Gjithsesi u desh të birrej mot, shumë mot – deri në kapërcyell të shekullit të shkuar –, kur mjedisi intelektual në Shqipëri mundi të përcillte në tregun e librit shqip e më gjerë, përpos ribotimit të “Kanunit të Lekë Dukagjinit. Përmbledhë e kodifikue prej Àt Shtjefen Konst. Gjeçov O.F.M.”[1], një numër gjithnjë në rritje të varianteve të Kodit Zakonor Shqiptar, që vepronte mirëfilli dikur e – në masë të konsiderueshme – edhe sot e gjithë ditën në treva të tëra etnografike të malësisë shqiptare, të tilla si Labëria, “Arbënia” (= Kanuni i Skander­begut me veprim në zonën e Kurbinit, Krujës dhe Tiranës), Luma, Dibra; madje nuk mungojnë as variante të vetë Kanunit të Lekës me përhapje deri diku më të kufizuar krahinore, të tilla si varianti i Pukës apo ai i Mirditës etj.[2] Padyshim që realizimin e gjithë kësaj ndërmarrjeje ballore në kohën tonë vështirë të mos e përcjellim si njohje, nxitje, frymëzim dhe studim të thelluar të asaj nisme fanmirë të Àt Gjeçovit, që vjen me thënë të atij mesazhi sa shkencor-metodik aq edhe atdhetar që kumton sot e gjithë ditën angazhimi social dhe vepra e tij madhore në jetën dhe kulturën shqiptare.

Parë nga perspektiva e albanologjisë si shkencë gjuhësore-filologjike, në këtë larmi variantesh të Kodit Zakonor Shqiptar – kushtëzuar sigurisht si prej kohës së fiksimit të tyre në shkrim, ashtu edhe prej zonës etnografike ku vepronte njëri apo tjetri syresh – gjëllin një thesar i vyer gjuhësor, i mbledhur drejtpërsëdrejti prej traditës gojore, krehja e të cilit të lejon, ndër të tjera, shqyrtime dhe përsiatje me karakter të mirëfilltë etnolinguistik, pra mundëson nergut rindërtimin e historisë së brendshme që kanë përjetuar e përjetojnë sot njësi të tilla leksikore me përdorim specifik (vetëm ?) në diskursin popullor të jetës zakonore shqiptare.

  1. fe-ja dhe spektri i saj semantik

Hyjmë kështu natyrshëm në temën e këtij shkrimi, duke marrë në analizë një njësi leksikore me përdorim deri diku “të pazakonshëm”, sa i përket shfaqjes dhe përdorimit të saj në fjalësin doketar të Kanunit të Lekës. Bëjmë fjalë këtu bash për njësinë leksikore fe,ja (f., shm. fe,-të), sa të përçudnuar aq edhe të nëpërkëmbur dikur – madje edhe në leksikogra­finë zyrtare të shtetit të parë dhe të fundit ateist në botë (FGJSSH 1980 459[3]) –, aq sa nuk ka mundur ende të rimarrë veten sa e siç duhet, qoftë edhe në botimet më të fundit leksikografike me pretendim shkencor-akademik. Mjafton të përmendim këtu vetëm njërin syresh, shi botimin e ripunuar të fjalorit akademik të gjuhës shqipe (FGJSH 2006 265), ku shpjegimi i këtij zëri ngërthen gjithë-gjithë një rresht të një kolone:

fe,-ja f. sh. -(të): besimi te Zoti a te një perëndi.”

Një përbërës të dytë semantik të kësaj fjale arrijmë gjithsesi ta qëmtojmë vetëm në fjalorin e parë zyrtar të shqipes (FGS 1954 115), ku ky zë regjistrohet padyshim si i tillë, veçse me dy kuptime:

fe-ja ef., shm. — : 1. idé dhe pikëpamje të bazuara në mistikë, në besimin se ekzistojnë forca dhe qenie që bëjnë mrekullira: feja është opiumi i popullit (Marksi); 2. nishani i martesës.”

Është pikërisht përbërësi i dytë semantik, i regjistruar në këtë fjalor, ai që na josh të mihim thellë e më thellë në leksikografinë historike të gjuhës shqipe, ku vend kryesor zë pa dyshim vepra monumentale e Eqrem Çabejt “Studime etimologjike në fushë të shqipes” (Tiranë 1976-2014). Në bleun IV Çabej na kumton, se përpos kuptimit kryesor “besim fetar”, fe ka edhe kuptimin “fejesë; gostë e fejesës; nishan i fejesës”, duke cituar në këtë rast me akribinë e vet marramendëse:

“… fe ka edhe kuptimin “fejesë; gostë e fejesës; nishan i fejesës”; VK XI 126v.; FGS “2. Nishan i martesës”. VK XI [= Nikollë Gazulli: Fjaluer i Ri. Tiranë 1941 – B.D.][4] f. 126v. […] Pres fenë është “fejoj” (vajzën); kam da dit, kam premun fe “kam shënuar ditën (e marrjes së nuses)”. Në të folët e Pukës “dasëm vajze”. Te kanuni i Lekës (f. 11 § 30/ç, f. 14 §44) Djali sa të ket prind s’ka tager as në shej, as në petka, as në këpucë, e as në të prém fejet; Me pre fén do me thanë me da ditën a vaden e kputme se kur me nisë krushqt për me marrë nusen. Në Iballë po shkoj m fe çike (Xh. Topalli DS II 327), në Dukagjin kam qit çikën, po eni në fe.”

Sa i përket përdorimit dhe fiksimit të nuancave kuptimore të fjalës në aradhën e fjalorëve dhe glosarëve të mëhershëm një- a dygjuhësh (me fjalë të rralla të shqipes) në shek. XIX dhe XX, nuk mund të lemë assesi pa vënë në dukje ndërkaq, sidomos shpjegimin e kësaj fjale prej Àt Benedikt Demës O.F.M. në veprën e tij postume  (2005 57), ku na kumton, sa vijon:

fe,-ja: 1) virtyt neper të cilin u besohet të vertetave të zbulueme prej Zotit e asht nji ndër tri virtytet teologale; 2) besim, religjon; 3) fejesë, vëlesë; 4) gosta qi bahet për fejesë.”

Duke cituar së fundi edhe Fjalorin e Bashkimit (1909 107) me kuptimin e dytë të regjistruar në të: “(it.) maniera” – krahas “credenza religiosa” – shpresojmë të kemi përmbyllur kështu gjithë atë spektër kuptimor të përdorimit të kësaj fjale në hapësirën kompakte shqipfolëse, duke u përqendruar këtu sidomos në shqipen e Veriut dhe në materialin gjuhësor të mbledhur prej Àt Gjeçovit[5].

Prashtu një vështrim më i hollësishëm i trashëgimisë leksikografike që disponojmë na lejon tash të izolojmë pa vështirësi gjallesën e një tufëze kuptimesh të kësaj fjale me përdorim (mbarë)dialektor, ndër të tjera: 1) “besim fetar, religjion”: si emërtim apo shënjues specifik në terminologjinë (popullore) fetare, i përhapur sot gjithkund në hapësirën shqipfolëse në Ballkan. Në këtë përdorim fe konkurron sot bindshëm – sidomos në Veri të hapësirës shqipfolëse – në ligjërimin e përditshëm dhe në gjuhën e shkruar apelativët popullorë: (shq.) besë e besim si edhe (turq.) din e iman; ndërkohë që kuptimi 2) “njëri ndër tri virtytet hyjnore/teologale”: Feja kundrejt Shpresës dhe të Dashurit (= it. fede ~ speranza ~ carità), si përbërës vetëm i terminologjisë kristiane na shfaqet rregullisht bash në ato vise etnografike të Shqipërisë (Veriore) ku është përhapur sidomos besimi i krishterë katolik-roman[6]. Me këtë kuptim lidhet pandërmjetshëm edhe kuptimi pas gjase dytësor 3) “mënyrë, sjellje” (Bashkimi 1909 107), i kufizuar në përdorim në trevat e Shqipërisë së Veriut. Sa i përket kuptimeve të tjera leksikore të fjalës, të regjistruara deri sot: 4) “fejesë”: pres fenë “fejoj (vajzën)” (Çabej loc. cit.); 5) “gosta që zhvillohet për fejesë” (Gazulli FR 1941 127); 6) “dasmë vajze” (Dema 2005 57), vërejmë se ato gjëllijnë gjithashtu në trevat e Veriut të Shqipërisë, që vjen me thënë, se përdorimi i fjalës në këto kuptime të ashtuquajtura “shtesë” përjeton rrudhje, sa i përket përhapjes së saj dialektore vetëm në ato treva.

  1. Qerthulli problemor

Këto vëzhgime paraprake na nxisin dashur-pa-dashur të hedhim hapat e parë në gjurmimin e historisë, thënë më saktë, të jetës së brendshme që ka përjetuar kjo fjalë në gjuhën shqipe në kohë dhe hapësirë. Duke përshkuar këtë hulli synojmë në radhë të parë me përsiatur – e pse jo?! – me vërtetuar një bashkëlidhje të mundshme zanafillëse ndërmjet përbërësve kuptimorë themelorë që ngërthen spektri semantik i kësaj fjale të parme në diskursin zakonor shqiptar, meqë për burimin e saj etimologjik si huazim latin deri sot vetëm tek-tuk janë hedhur gremçat e dyshimit. Për më tepër, këta përbërës janë ngulitur ndërkohë fort në çerdhen leksikore të fjalës, duke mbuluar si të tilla dy fusha thelbësore në matriksin e kulturës etnike të popullit shqiptar:

  1. “besimi (fetar)“: shq. fe, (geg.) f. “1. besim fetar (i krishterë katolik / ortodoks ose mysliman etj.); 2. virtyt hyjnor; mënyrë sjelljeje[7]” ⇒ khs. fetar, i pafe (~ geg. vj. i fēshim, i pāfē), mb.; fetari,-a f.; fetarisht ndf.; etj. (FGJSH 2006 267) dhe
  2. “tradita e jetës zakonore shqiptare”: shq. *: (dial. geg. ver.) f. “3. fejesë; 4. dita/gosta e f.; dasmë vajze” ⇒ fejoj (vajzën, djalin) fol.[8]fejesë f.; i/e fejuar mb./m. (FGJSH 2006 265).

A lejohemi të bashkëlidhim tash në këndvështrimin etnolinguistik këta dy përbërës semantikë themelorë në spektrin polisemik të fjalës (sikurse edhe në çerdhen leksikore përkatëse), përkatësisht të diktojmë se në ç’masë mund të kenë ndikuar ata në kohë e hapësirë ndaj njëri-tjetrit? Siç cekëm më lart, për të zhdrivilluar këtë dysi pyetjesh, vështirë se na ndihmon sa duhet e siç duhet përsiatja pas gjase e patëmetë e burimit zanafillës latin (kishtar/mesjetar) të fjalës shqipe, sikurse edhe rrethana tashmë e mirënjohur që ndikimi latino-roman mbi shqipen ka vijuar shekuj të tërë e në vazhdimësi, duke i hapur më pas udhë atij italo-venecian përgjatë gjithë mesjetës dhe kohës së re e deri sot në ditët tona. Sigurisht që në këtë rast nuk ndihmon aspak polisemia e konsiderueshme e gjegjëses it. fede, krahas dalm./veliot. faid, që janë po ashtu rrjedhoja të drejtpërdrejta të lat. (kisht.) fides[9].

Asgjëmangut, në bashkëvajtje me këtë komb pyetjesh mund të shtrojmë ndërkaq edhe një të fundit, shi nëse gjëllin(te) diku a dikur në shqipe edhe ndonjë përbërës “i tretë” semantik, ase një i tillë qoftë edhe bashkërrokës e burimor, që mund të ketë nxitur motmoti zhvillime semantike të ashtuquajtura “të mëvonshme”, të cilat mund e duhet të ketë përjetuar kjo fjalë në shqipe në kohë e hapësirë? Është pikërisht kjo pyetje e fundit që i shtojmë përsiatjeve tona, fillimisht në formë hipoteze, lidhur me shqyrtimin etnolinguistik të lemës fe si zë i veçantë leksikor edhe në veprën madhore të Çabejt, ku – siç cituam më lart – Philologus Albaniae mëngon të përcjellë shembuj e pasazhe edhe prej thesarit kulturor-gjuhësor të Kanunit të Lekës, të mbledhur dhe klasifikuar me aq përkushtim prej Àt Gjeçovit.

  1. Fé” dhe “të prémt e fés” në KLD e gjetkë

Një shfletim sado i përciptë, por në tërësi, i tekstit të Àt Gjeçovit na lejon tash të vijmë natyrshëm në përfundimin se fe,-ja – qoftë edhe si shënjues specifik në terminolo­gjinë (popullore) kishtare – na shfaqet në KLD me një denduri tejet të rrallë, e këtë e tumir thjesht fakti se kemi të bëjmë aty më fort me një tekst normativ-taksativ që rregullon marrëdhëniet sociale-ekonomike dhe kulturore-praktike brendapër­brenda bashkësisë, duke ngërthyer në to sidomos masat ndëshkimore që ndërmerr bashkësia si e tillë ndaj shkeljeve flagrante të Kodit Zakonor Shqiptar, të sendërtuar në rastin tonë në KLD. Gjithsesi, nuk është vështirë të izolojmë në tekst me pak a shumë siguri përdorimin e saj në secilën fushë (semantike) të matriksit të kulturës etnike shqiptare që parashtruam më lart.

  1. “Besimi fetar”: fe “besimi i krishterë (katolik-romak)” mëton në rastin tonë një rol dytësor e na shfaqet, siç pritet, kryesisht në Liber i parë që i kushtohet Kishës si institucion administrativ-kishtar dhe i ushtrimit të kultit fetar në zonën etnografike të Dukagjinit, duke përcaktuar qartë, se Kisha, Pronet e Kishës dhe vetë famullitari i nënshtrohen vetëm Ligjës ase Kanunit të Kishës, d.m.th. të Drejtës Kanonike Kishtare, për të cilin ka tagër mbikqyrës dhe vendimmarrës vetëm i Pari i Fés (= ipeshkvi), madje edhe në ato raste kur famullitari kryen akte ose veprime më se të ndëshkueshme prej vetë Kanunit të Lekës; khs.[10]:

“Lib. I: Kisha; Art. i parë: Pjesa qytetnore (f. 1vv.)

Kr. I, Nye i parë: Hija e Kishës

  • 3 Papërlimsia e Kishës “Kisha nuk giobitet.”, “Kisha s’ka peng me kend.”
  1. Kisha gjindet e vendosne nen sundim të të Parit të Fés e jo nen ligjë të Kanunit: prandej Kanuni s’mund t’i vêjë kurrnji barrë kishës, veç se ká detyrë me i dalë zot, kúr kjo hupë ndihmen e tij.
  2. Me bîjtë ndonji kundërshtim ndermjet kishës e famullís, famullija s’mund t’i lypë pêng kishës; veç do të bâjë váj te i Pari i Fés – te Ipeshkvi – e gjygjit të këtij, si kisha si famullija, do t’i rrîjn pá fjalë. […]

Brenda paletës së kësaj fushe semantike (A.) ndeshim edhe përdorimin specifik të fjalës deri në funksionin e së Drejtës Kanonike Kishtare, sikurse e dëshmojnë paragrafët përkatës në KLD mbi llojet e martesës, përkatësisht përshtatja e tyre sipas rregullave kanonike të dhurimit ase ndalimit të Sakramentit të Martesës prej famullitarit dora vetë; khs.:

“Libër i tretë: Martesa

Nye 11: Percaktimi e mëndyrët e Martesës

  • 28: Percaktimi i Martesës në Kanû […]
  • 29: Mëndyrët e Martesës
  1. Martesa me kunorë, e pelqyeme kah Feja e kanuja e Lekës;
  2. Grueja e mbajtme mbí kunorë, kundra Fejet e kanujet të Lekës;
  3. Grueja e vajza e grabitme, e jasht-zakonshme kahë Feja e kanuja;

ç)   Martesa me provë kundra Fejet e kanujet. […]

Kr. V: Kanuni i dhandrrís. (f. 35vv.)

Nye 32: Grueja e pá-kunorë (f. 41vv.)

Aj, qi të mârrë gruen e pá kunorë, jet i lidhun kah Feja edhè kah kanuja.

  1. “Tradita e jetës zakonore shqiptare”: fe *“fejesë; dita/gosta e fejesës; dasmë vajze” (shih lart § 2.1.) – Me këtë përdorim specifik të regjistruar në leksikografinë shqiptare fjalën nuk e hasim në asnjë rast konkret në KLD, ndërkohë që këto kuptime mbulohen gjithkund në tekst me formime të prejardhura brenda çerdhes leksikore përkatëse (shih lart § 2.2.), khs.: fe geg. me fejue fol. fejesë f., i/e fejuem/e mb.; sikurse edhe në bashkëvajtje me njësi të tjera brenda së njëjtës fushë leksikore, si p.sh.: dasmë/gostë (e fejesës) etj.[11] Gjithashtu, nuk mund të lemë në heshtje, përkun­drazi duhet t’i mëshojmë fort faktit që kjo fjalë na shfaqet në materialin e mbledhur prej Àt Gjeçovit – në gjithë-gjithë katër raste – edhe si term popullor me përdorim specifik po brenda kësaj fushe, veçse me tjetër funksion, duke u shfaqur gjithherë në togje të ngulitura: a) foljore: “me pre fén”; dhe b) emërore: “fé e preme”, “të prém fejet”[12]; khs.:

(a) KLD: (?) Varianti i Dukagjinit (Gjeçov 1933)]

“Liber i tretë: Martesa (f. 10vv.)

Nye XII: Tagri i djalit e i vajzës

  • 30: Tagri i djalit: “Djali ka tager me mendue per martesë të vet, po s’pat prind. …

Djali sá të ket prind s’ká tager: c) m’u perzie në fejesë të vet; ç) as në shêj, as në petka, as në këpucë e as në të prém fejet. […]

Nye XVIII: E premja e Fés. Dita më shêj (f. 14)

  • 44. Percaktimi i “Fés së preme.”

Me pré Fén” do’ me thânë me dá diten e vaden e kputme se kúr me nisë krushqt per me mârrë nusen.

Si t’i “pritet feja” vajzës, tuj kênë ditë më shêj, krushqt do të nisen at ditë pá tjera fjalë, e ket ditë as kanuja s’e shtŷn, as bân qi të shtŷhet. […]”

Një përqasje ballafaqe me variante të ndryshme – ndërkohë të regjistruara – të Kodit Zakonor Shqiptar qoftë në krahina të tjera etnografike si p.sh. Mati, Luma, “Arbënia”, ashtu edhe me dy variante brendapërbrenda hapësirës së veprimit të KLD, bash në Pukë dhe Mirditë, na lejon tash të vendosim gurët e sinorit për atë areal-dialektor ku na shfaqet ky kuptim specifik i fjalës në togjet e ngulitura: me pré fenë, e premja e fés, të premt e fés kundrejt gjegjëseve përkatëse: me dá/pré ditën; përkatësisht e damja/premja e ditës.[13]

  1. Vëzhgime paraprake

Kjo paraqitje sado e thukët e situatës gjuhësore në Kodin Zakonor Shqiptar, të mbledhur dhe sistematizuar ndërkohë për disa zona etnografike të arealit kulturor shqipfolës (hollësisht shën.[14]), na lejon tash të vendosim përfundimisht shenjën e barazimit midis përdorimit specifik të kësaj fjale në KLD në togjet e ngulitura: me prē fēn, fē e preme, të prēm fejet (pas gjase vetëm në trevat gjuhësore-etnografike të Dukagjinit e të Pukës) me gjithkund gjetkë: me (n)dā ditën, dīt e (n)dame/e preme (~ tosk. ndaj/pres ditën e dasmës). Asgjëmangut, në të dyja situatat gjuhësore bëhet fjalë pikërisht për fiksimin me marrëveshje të ditës, kur ka për të ardhur shpura e krushqve të dhëndrit me marrë vajzën – të nisur e stolisur nuse – prej shtëpisë së saj prindërore e me e përcjellë atë në shtëpinë e dhëndrit, bash aty ku zhvillohet mirëfilli ceremonia e dasmës si pikë kulmore e gjithë asaj procedure, që nga njëra anë përmbyll fazën e fejesës si lidhje e vajzës “nën unazë”[15] e nga ana tjetër i hap udhë dasmës si akt kanunor i martesës së çiftit.[16]

Falë kësaj parashtrese bëhet tash më se e qartë edhe bashkëlidhja semantike me përdorimin pas gjase dytësor të si “dasmë/gostë vajze”, d.m.th. si akt zakonor festiv pikërisht ditën e përcjelljes së vajzës-nuse prej shtëpisë prindërore, duke i hapur kështu udhë ceremonialit të dasmës në shtëpi të dhëndrit (shën. 17), khs.: “Darsma e cucës asht gjithmonë e vogël” (Kanuni i Lumës – Hoxha 2013 146); “… në Dukagjin kam qit çikën, po eni në fe” (Çabej, loc. cit.); “Krushq e nuse në fe e në dazëm” (KLD: varianti i Pukës – Meçi 1997 59v.)

  1. Të prémt e fés” si dukuri kulturore në jetën zakonore shqiptare

Po të vijojmë të ecim tash në këtë hulli që u hap vetiu e natyrshëm, mund t’i përcjellim lexuesit po aq vetiu e natyrshëm përsiatjen tonë lidhur me do kuptime të tjera të regjistruara të fjalës që rezultojnë si zhvillime paralele në rrethana të ngjashme kulturore-gjuhësore. Kështu, kërshërinë tonë fillestare ndaj akribisë së rreptë të Çabejt e shton tani edhe më shumë kumti i tij: “Pres fenë është “fejoj” (vajzën)”, një dëshmi gjuhësore kjo që përkon çuditshëm vetëm formalisht me togun e ngulitur që cituam më lart në tekstin e KLD me autor Àt Gjeçovin (1933 § 44), por me tjetër kuptim: ““Me pré Fén” do’ me thânë me dá diten e vaden e kputme se kúr me nisë krushqt per me mârrë nusen.”

A kemi të bëjmë këtu me një bashkëpërkim të rastësishëm gjuhësor, ase me një përdorim të paqenë e të shënuar ashtu nxitimthi e pa kujdes për njësinë fe te njëri apo tjetri leksikograf shqiptar, apo lejohemi të përsiasim një kuptim më përfshirës, në të cilin fe – më vete ose edhe në togje të ngulitura, si: pres fenë – sendërton në gjuhë konceptin e “fjalës së dhënë”, d.m.th. të fjalës së (n)dame apo të k(ë)putme, e cila në traditën e jetës zakonore shqiptare gëzon statusin e dorëzanisë së lidhur gojarisht e që sendërtohet me pika kulmore në dy ditë të fiksuara me “fjalën e dhënë” ndërmjet palëve të krushqisë: a) dita e shpalljes së fejesës, dhe b) dita e marrjes në dorëzim të vajzës-nuse në prag të dasmës “së madhe”, d.m.th. festimit të aktit zakonor të martesës në shtëpi të dhëndrit?

Sa i përket pyetjes së parë, mjafton të marrim në analizë, ndër të tjera, çerdhen leksikore të fjalës, e cila e tumir katërcipërisht ngulmin e Çabejt (loc. cit.), sipas të cilit “Pres fenë është edhe “fejoj” (vajzën)” (shih. § 4). Andaj le t’i përmbahemi fillimisht pamjes kulturore-historike të kësaj dukurie, duke u përqendruar fillimisht në dy pikat kulmore, si dy marrëveshje paraprake me fjalëdhënie midis palëve të krushqisë. Në këtë rast do shtuar këtu se e para: shpallja e fejesës, është e lidhur pazgjidh­shmërisht me dorëzimin e (geg.) shêjit (/ (tosk.) nishanit) nga krushqia e dhëndrit: “Shêji, mje ke të hjekish dorë, t’ a bân nierin t’ andin”, shkruan Àt Gjeçovi (1993 13: Nye 17), duke mos harruar si gjithmonë thonjëzat, pra gurrën burimore e të thukët të kanunit;[17] ndërsa e dyta: “Dita më shêj” apo “E premja e fés” (Gjeçov 1933, § 44 14) parakupton shlyerjen e të gjitha detyrimeve materiale nga pala e krushqisë së dhëndrit.

Pasazhe të ngjashme (p.sh. varianti i Pukës; hollësisht fusn.[18]) lidhur me fazat që përjeton periudha deri njëvjeçare e fejesës (= “unazës”) në KLD përcjellim bindshëm gjithë atë procedurë të institucionalizuar në jetën zakonore (të malësisë) shqiptare, që e përcjell fejesën (= dial. geg. fēn ~ fenë) si një fenomen etno-kulturor, i cili ngërthen përpos a) marrëveshjes për fejesë si premtim, d.m.th. si fjalë e dhënë (= fjala e kputme/dame/preme), edhe b) kumtin publik: shpalljen e saj në bashkësi si të mirëqenë  falë dorëzimit të shêjit/nishanit (= unazë e fejesës, rizë/shami, mërqiri etj.); më tej c) fazën përgatitore për martesë: përgatitja e pajës (= sipas rastit me të prumet, të shtumet e të falat e palës së dhëndrit) e duke u përmbyllur c) me ditën e marrjes së nuses (= dita e dame/kputme/preme = dial. geg. feja).

Sigurisht që e gjithë kjo procedurë, përkatësisht kjo fazë përgatitore para aktit zakonor të martesës parakupton(te) në shtresa të ndryshme të bashkësisë etnike shqiptare me karakter të theksuar patriarkal përcjell jo aq një gjakim apo sendërtim marrëdhëniesh shpirtërore-emocionale[19] ndërmjet dy të fejuarve, se sa një lidhje apo forcim aleancash juridike-zakonore ndërmjet shtëpive, fiseve ose grupimeve farefisnore, të përfaqësuara në rastin konkret me dy të rinj tashmë të fejuar, të cilët – thënë me lezet (!) – e njihnin fare pak e më së shumi aspak njëri-tjetrin. Parë nga perspektiva e Kodit Zakonor Shqiptar kjo fazë përgatitore e fejesës mund të gjykohet pra thjesht dhe vetëm si provë reciproke ose forcim i aleancës (së ardhshme) ndërmjet dy shtëpive, fiseve apo grupimeve farefisnore që i mirëbesojnë me dorëzani njëri-tjetrit, duke prerë, ndarë ose këputur fjalën me njëri-tjetrin a) së pari për zënien e vajzës “nën unazë” dhe b) së fundi për dorëzimin e saj në shtëpinë e dhëndrit, me motivin: “m’u bâ shpí, me ia shtue shpís nji rob mâ teper, sá per krah të pûnve, sá per te shtuem të fmive” (Gjeçov KLD 10).

[vijon…]

(c) 2021 Bardhyl Demiraj, të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Shkodër 19331; (Botime Françeskane) 20023. Ndër botimet në gjuhë të huaj dallojmë a) italisht: Dodaj 1941, Martucci (bot.) 2013; b) gjermanisht: Godin 1953, Elsie (bot.) 2001; c) anglisht: Fox 1989; d) frëngjisht: Gut 2001.

[2] Shih ndër të tjerë: a) Kanuni i Skanderbegut/“Arbënisë“: Imz. Ilia 1993; b) Kanuni i Labërisë: Elezi 1994; c) Kanuni i Lekë Dukagjinit (Varianti i Pukës): Meçi 1997; d) Kanuni i Lekë Dukagjinit (Varianti i Mirditës): Meçi 2002; e) Kanuni i Dibrës, Marini 2007; f) Kanuni i Lumës: Hoxha 2013 etc.

[3]FE,~JA f. sh.~,~ : Besimi i verbër se gjithçka në botë përcaktohet e drejtohet gjoja nga forca të mbinatyrshme, hyjnore, i cili ka lindur në kohë shumë të hershme dhe është i papajtueshëm me botëkuptimin shkencor, materialist; tërësi dogmash që japin një botëkuptim fund e krye idealist e reaksionar, i cili është armik i betuar i përparimit e i shkencës, dhe përdoret nga klasat sunduese për të mashtruar e për të nënshtruar masat punonjëse; besimi te zoti. Feja e krishterë (ortodokse, katolike, myslimane). Origjina (përhapja) e fesë. Lufta kundër fesë. Ndërroi fenë. Mohoj (luftoj) fenë. Feja është opium për popullin.”

[4] Sqarimi ynë, i vendosur në kllapa katrore do vështruar më fort si homazh ndaj mënyrës së citimit të Çabejt: model i saktësisë së tij të zakonshme shkencore e sidomos mishërim i rreptësisë së tij “tinëzare” po aq të zakonshme, sa herë që bëhej fjalë atëbotë për të cituar prurjet e martirëve të përçudnuar, albanologë të rangut të Dom Nikollë Gazullit, Àt Benedikt Demës etj.

[5] Shih Bashkimi (Shkodër 1909 107): „Fee,-ia, vf. shum. fee-t: mâa mire se; féna-t. Fede, credenza religiosa, maniera.”; Cordignano (1934 35): “fé,-ja; -na,-t (f.) fede, religione; specie, sorta, indole; Es.: S’e due fén e tí. S’ká fé të tí =  a suo modo non è possibile.”

[6] Shih Çabej loc. cit.

[7] Shih lart shën. 5.

[8] Sipas Çabejt (SE IV 155v.) në zanafillë “një fjalë dialektore (e gegërishtes), përgjithësuar në gjuhë.”, khs.: Buzuku (XIV Luka 1, 27) feonj; tosk. jug. (Labëri, Gjirokastër) fijoj. Shih edhe Kristoforidhi (1903) 101: fe (me shënimin: shih besë), 103: (Shkodër) fëjoj, fijoj etj.

[9] Shih Meyer-Lübke (REW 3285 285): lat. fĭdes “besë; besim”.

[10] Dallimet në kursiv në këta shembuj si edhe në shembujt që vijojnë janë bërë prej nesh.

[11] Shembuj të shumtë p.sh. në Liber III: Martesa, Krye III: Shkuesija, Fejesa; Nye 16.: Fejesa etj. (Gjeçov KLD 1933 12vv.)

[12] Duke përdorur thonjëzat respektojmë në këtë rast regjistrimin e markuar prej vetë Gjeçovit, i cili izolon në këtë mënyrë materialin e mirëfilltë gjuhësor-kulturor të mbledhur në terren, prej atyre ndërhyrjeve përkatësisht atij sistematizimi vetjak të materialit me shpjegimet përkatëse që mbajnë firmën dhe autorësinë e tij në tekst.

[13] Duke qenë gjithkund i mirëqenë në mbarë arealin shqipfolës, përdorimin e fjalës në fushën semantike A: “Besimi (fetar – katolik/ortodoks, musliman)” e kemi lënë më vetëdije jashtë çdo lloj përqasjeje.

[14] b) KLD: Varianti i Pukës (Meçi 1997)

  1. Lidhjet rituale të familjes

Kreu II: Dasma [f. 58vv.]

  • 104: Dita e dame

Nuse e dazëm nuk ka pa la ana e djalit të prumet e të shtumet. U lanë krejt me të madhe e me të vogël, ana e djalit ka të drejtë me lyp ditën e dame, me lyp fenë. Fenë e ditën e dame e cakton ana e çikës. Me caktue ka të drejtë, po me kërkue jo. E kërkoi, lshon të binë në marre, “Çika kërkon burrë”. E kërkon, kur don me e ba anën e djalit me hek dorë me doemos: “O merre, o lshoe. E xamja ka cak.”

  • 105: E bamja gati dhe e thirrmja në dazëm

Me u ba gati për dazëm, fillohet me t’u da dita e fesë.

I zoti shpisë ka detyrë […]

  • 106: E thirrmja në fe dhe detyrat e të thirrunve

       fe thirren miq e shokë ma pak se në dazëm. Me thirr çohen thirrcit dy javë para. Të shkuemit në fe kanë detyrë me prit e me qit miqtë simbas zakonit. Shkojnë 2-3 orë para krushqve e largohen 2-3 orë mbas tyne. Bijat vinë ditën që xihet çika. […]

Kreu III: Krushq e nuse në fe e në dazëm [f. 59v.]

  • 111: Përgatitja e nuses […]

Vërejtje: Përdorimi i fjalës sonë në këtë variant të KLD tumir nga njëra anë materialin gjuhësor e leksikografik të kësaj zone, të cituar së pari prej Çabejt (SE IV 153v.), ku fe (f.) rezulton si “ceremonia zakonore e dorëzimit të nuses” krahas “gostë/dasmë vajze” në dallim nga dazëm (f.) “dasmë djali (si ceremoni zakonore e martesës)” e nga ana tjetër përdorimin e fjalës në materialin kanunor të mbledhur prej Àt Gjeçovit (shih më lart), ku fe pa kurrfarë dyshimi ka të bëjë me ditën e dame, d.m.th. me ditën e fiksuar me marrëveshje nga të dyja palët e krushqisë për të marrë vajzën e (fejuar e të) nisur dhe stolisur nuse[14]. Me interes në hetimin e historisë së brendshme të fjalës është në këtë rast sidomos mbajtja  parasysh e togjeve foljore në tekst: me lyp fenë = me da ditën e fesë “me kërkuar/ fiksuar ditën e marrjes së vajzës-nuse”etj.

  1. c) KLD: varianti i Mirditës (Meçi 2002)

Kreu XII: Përgatitja e dasmës (f. 54vv.)

  • 66: Me pre ditë.

Si të ketë mërqirin shpija djalit, lyp me i pre ditë, ditën e dazmës.

Tagrin e ka shpija e djalit. Me e caktue e cakton i zoti i shpisë së cucës.

Kreu XIII: Krushqit (f. 56v.)

  • 72 Nisja e krushve – “Dita e preme s’njeh mot as mort”

Dita e preme ashtë ditë në shej. Kanuja çat ditë njeh. Edhe me dekë kush në shpi të djalit ja të cucës, dita e preme nuk ndalet as nuk ndrrohet. […]

Krusht marrin udhë me agun e ditës […]

Vërejtje: Në këtë variant të KLD nuk ndeshim në asnjë rast në tekst përdorimin e fe-së me kuptimin në shqyrtim, edhe pse kemi të bëjmë me të njëjtin autor teksti me atë të variantit të Pukës (: Xhemal Meçi). Gjithsesi nuk është vështirë të vendosim shenjën e barazisë të përdorimit sinonimik ndërmjet togjeve të ngulitura me pré fén, fé e preme (KLD: Dukagjin – Gjeçov 1933) dhe me pre ditë, dita e preme (KLD: Mirditë – Meçi 2002), ndërsa varianti i Pukës (KLD: Pukë – Meçi 1997), me përzierje alternative të të dyja mundësive, na ndërmjetëson një zonë kalimtare. Një situatë të njëjtë gjuhësore me variantin mirditor të KLD dëshmojnë edhe zonat të tjera etnografike të malësisë shqiptare, të paktën aty ku është mbledhur, sistemuar dhe klasifikuar materiali gjuhësor i Kodit Zakonor Shqiptar, khs.:

  1. d) Kanuni i Skanderbegut/”Arbënisë” (Ilia 1993)

Kr. IV: Fejesa e martesa

Art. IV: E drejta e djalit për fejesë e martesë të vet

  • 156 Djali pa prind […] shumë punë i ban me anën e t’afërmve të vet, si: me çue shejin, me da ditën e darsmës etj.

Art. XIV: Dita e ndame për darsëm

  • 251 Dita e ndame për darsëm nuk luhet për asnji arsye […]
  • 258 Mbasi të jetë nda dita e martesës […]
  1. e) Kanuni i Dibrës (Martini 2007, )
  • 1181: Shpia e djalit i kërkon shpisë së vashës së fejueme kohën kur bahet dasma. Kjo kërkesë quhet “e lipmja e nuses”.

[…]

  • 1190: Mueji e data e dasmës caktohen kur “të ndahet dita”.
  • 1191: Dita e dasmës, po u caktue, nuk mund të afrohet e as nuk mund të largohet. Me qanë kaderr, dasm’ e mort bahen në nji ditë. […]
  1. f) Kodi Zakonor: Kanuni i Lumës (Hoxha 2013)
  2. Lidhjet rituale. Ritet kryesore (f. 131vv.)

Kr. III: Darsma. Përgatitjet (f. 134vv.)

  • 313 […] 3.- Damja e ditës së darsmës f. 135v.

“Si të dahet dita e darsmës nuk luhet ma.”

Ditën e darsmës e dan shpia e cucës jo e djalit.”

  • 314-318: […] Dita e darsmës dahet 1-5 javë përpara. Për me da ditën e darsmës shkohet në ditë të ejte a të diel (Arrën) ….

Kr. V: Krushqit e përcjellsit (f. 144vv.)

Kr. VI: Darsma në shtëpinë e cucës (f. 146v.)

Darsma e cucës asht gjithmonë e vogël […]

[15] Shih më hollësisht Gjeçov 1933 13: ”Vajza nen unazë; Ilia 1993 29v.: “Sheji”; 31v.: “[…] nen unazë”; Meçi 2002 53: “Cuca nën unazë” etj.

[16] Khs. Ilia (1993 33v.: “Darsma”): § 268 “Darsma në kanu asht marrja e nuses dhe qitja nuse e vajzës, me krushq darsmor, miq e shokë dhe gosta qe u shtrohet atyne.”

[17] Shih edhe Ilia (1993 29 [Art. X]): “§ 202 I zoti i shtëpisë vajzës, porsa merr shejin në dorë thotë: “Na kjoftë për hajr miqsia.” I ati i dhandrrit përgjigjet: “Zoti mos na e ndaftë miqësinë.” E shkuesi uron: “Ju kjoftë për hajr miqsia”. § 203. Kur i zoti i shtëpisë së vajzës thotë: “Na kjoftë për hajr miqsia.”, “vajza asht e xanun.”. Shprehja zë nuse për “fejoj” ka qenë dhe është tipike edhe në Jug të Shqipërisë.

[18] Shih Meçi 1997 45vv.:

Kreu XI: Shkuesia dhe fejesa.

  • 44 Nusja xehet me shkuesi. Shkues caktohet burrë e jo grue […]
  • 47: E xanmja e çikës, fjala e kputme.

Çika quhet e xanme kur shkuesi merr fjalën e kputme: “Ta paçim fal.”

  • 48: Sheji i të xanmes së çikës.

Çika bahet e xanme, kur çohet sheji. Shejin e çon i zoti i shpisë me shkuesin përpara. Sheji asht: rizë e unazë e nji qese pare […]

  • 49: Të prumet për veshën e nuses

Natën e shejit, si lehet rizë e unazë, miku lyp me i pre edhe të prumet e cakun e të lames së tyne. […] Të prumet janë gjashtë qese. Herët ishin tre qese [pare: grosh/korona – B.D.].

  • 50: Të shtumet për veshë e të fala.

Ana e çikës mbas të prumeve mund të kërkojë edhe të shtuemet […] nji deri dy palë tesha nusesh […]

Kreu II: Dasma [f. 58vv.]

  • 104: Dita e dame

Nuse e dazëm nuk ka pa la ana e djalit të prumet e të shtumet. U lanë krejt me të madhe e me të vogël, ana e djalit ka të drejtë me lyp ditën e dame, me lyp fenë. Fenë e ditën e dame e cakton ana e çikës. Me caktue ka të drejtë, po me kërkue jo. E kërkoi, lshon të binë në marre, “Çika kërkon burrë”. E kërkon, kur don me e ba anën e djalit me hek dorë me doemos: “O merre, o lshoe. E xamja ka cak.”

[19] Në Kodin Zakonor Shqiptar, sikurse gjithkund në doracakët ligjorë, edhe syresh shtetërorë, është vështirë që lexuesi të ndeshë ndonjë pasazh, ku flitet ose mbahen parasysh intimitete, përkatësisht marrëdhënie emocionale ndërmjet të dy të rinjve të fejuar (me mblesëri).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin