Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Folklor

K U J R I: VEND QË SILLESH SIPAS VAJIT E QEJFIT!

nga Nebi Bardhoshi

Disa ditë më parë, Qendra “Kujri” më ftoi të flisja për konceptin dhe praktikën e k u j r i s ë. Në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale shkruhej si vijon:

E huazuar prej Kanunit të Lekë Dukagjinit, Kujria është tashmë edhe emërtimi i kolektivit të aktivistëve ligjorë të Kamzës, të cilët kanë themeluar qendrën ligjore me të njëjtin emër në prill të këtij viti. Duke marrë shkas prej këtij krijimi të rëndësishëm për urbanen tonë, e cila ka ende kujri që rrezikohen nga ata që “s’kanë mbjellë gja” por janë merakli me ngulë sopata, Grupi Ata ka kënaqësinë t’ju ftojë ditën e premte, dt. 10 shtator në orën 17.00 në takimin “Koncepti dhe praktika e Kujrisë”. Kjo ligjëratë do të mbahet nga studiuesi dhe antropologu Nebi Bardhoshi.

Në këtë fjalë do të paraqiten disa reflektime mbi kuptimin, historinë dhe fatin e Kujrisë [bashkarisë, tokut, merasë] nëpër praktikat tradicionale dhe përballja e saj me praktikat e heshtimet ligjore të shtetit modern. Kujria që do të analizohet është ajo mbi pronësinë e përbashkët mbi të mirat, si mali dhe uji. Rastet që do të trajtohen janë marrë nga literatura e së drejtës kanunore dhe nga të dhënat e mbledhura në terren”.

Më pas dikush ndërhyri me një koment në profilin tim në facebook, ku kërkonte që fjala “k u j r i” të zëvendësohej me “k o r i”. Një tjetër komentues e shndërroi këtë fakt si shqetësim paradigmatik, dhe ia qau hallin komentuesit të mësipërm me një vaj teorik. Vaji teorik ishte se jo vetëm termi “k u j r i” ishte gabim, por edhe qëllimi i përdorimit të termit ishte mëkatar. U përpoqa të shpjegoja shkurtimisht se përse bëhet fjalë. Biseda ishte krejt brenda normales, derisa vaji teorik u kthye në një përçmim ndaj dikujt tjetër, ndaj një krahine etnografike. Shënova se nuk mund të përdorim orientalizmin teorik të Said-it për të mbrojtur një orient të supozuar si të mohuar dhe prej kësaj gjendjeje të kaloj në përçmim të dikujt tjetër. Më pas heshta, sepse i thashë vetes se s’mund të stërholloheshin tema të tilla nëpër statuse facebook-u, e ndërkohë kisha ngecur në trafik.

Zgjatimi i këtij shkëmbimi online është shkrimi “Pylli pa sopatë” i botuar te Peizazhe të fjalës. Ky komentshkrim mbart një ton përfolës, qortues dhe pedagogjik. Përflet dikë si “antropologun tonë” dhe e mbyll me “antropologët tanë”. Pastaj përflet punën dhe qëllimin e Qendrës “Kujri”. Fton për të menduar për punën e Gjeçovit, por prapë ia merr anën përfolja. Pedagogjizon “antropologët tanë” se duhet të njohin studimet gjuhësore, specifikisht ato etimologjike. Shkrimi ka një jehonë prej orientalizmit të Eduard Said[i] dhe, po ashtu, të një tradite historiografike, të njohur si “shpikja e traditës”[ii] dhe do të kisha shtuar që ka edhe një jehonë të “vjedhjes së historisë”. Autori i shkrimit mendon se fjala k u j r i është një sajesë e Gjeçovit, i cili ka qëllim ta qesë në hise të Perëndimit fjalën “kujri”. Madje ia ka ënda dhe aludon pa të keq, se në kumtesën që do të mbaja mbi konceptin dhe praktikën e kujrisë, do të përfshija k u j r i n ë në një spektër në mes r e s p u b l i k ë s romake apo c u r i s ë kishtare. Aludimi është krejt aludim. As ka pyetur se çfarë do të kumtoj, as ka lexuar se çfarë është thënë në thirrje për këtë takim. Nuk ka denjuar as të lexojë fjalën “Huazim….” përdor në thirrjen për takimin, nuk denjon të reflektojë se, krahas fjalës k u j r i, janë përdorur edhe fjalë të tjera, si: m e r a, t o k ë, b a sh k a ri etj, nuk ka denjuar të lexojë përshkrimin dhe lojën me konceptin k u j r i, bërë nga krijuesit e Qendrës “Kujri”. Asnjë.

Për të mbështetur argumentin e tij autori sjell tri dëshmi dhe disa përfolje. Dëshmia e parë është përdorimi i fjalës “k o r i” nga Mjeda. Ai kërkon me e paraqit si ndriçim, sikur s’kemi pasë sy ta shohim. Këtij fakti semi-total i mbështet një tjetër faktshoq. Ky faktshoq fjala “k o j r i” në fjalorin e orientalizmave të Tahir Dizdarit[iii]. Por nuk na e jep gjithë zërin, sepse i dhimbset ritmi tekstor që qortimvaji ka marrë. Pastaj na referon një punë të Martucci-t, lidhur me gjuhën juridike, përdorur në shkrimin e së drejtës zakonore si pjesë e kulturës orale. Më poshtë aludon, prapë pa të keq, se në punën time nuk i kam pasur parasysh këto gjëra. Madje, edhe e di se përse më ka ndodhur një fakt i tillë. Sipas tonit të shkrimit, motivimi im dhe i “antropologëve tanë”, ka qenë mohues ndaj trashëgimisë islamike dhe otomane. Këtë e kam bërë se paskam ra pré e gjithë zallamahive të identitetkrijimit kombëtar të shekullit XX. Këtë e mbështet në dy hamendje shtesë. Hamendja e parë është se unë s’kam konsideruar sa duhet “kodifikimin” e së drejtës zakonore, bërë nga otomanët në mes të shek. XIX. Së dyti, nënkuptohet nëpër rreshta edhe çështja e mohimit, nga ana ime, të kodifikimit të së drejtës kanunore për hesap të Xhibalit. Pak a shumë kërkesa është me ia kthy hisen e mungume Orientit otoman, madje islamit, marrë prej At. Gjeçovit dhe mohuar qëllimisht prej meje. E gjithë këtë e ka bërë pasi ka “zbulu” mëkatin e përdorimit të “ k u j r i s ë”, si një vazhdim të latinitetit të shpikur prej Gjeçovit.

Le t’i marrim me radhë. A qëndron fakti se përdorimi i fjalës k u j r i, marrë prej Kanunit të Lekë Dukagjinit nga Qendra “Kujri”, ka për qëllim të ri-inventojë diçka latinizuese, ndonjë derivat të tij apo përjashtuese ndaj dikujt? Përgjigjja është e thjeshtë: jo. Për këtë mjafton të lexohet përshkrimi në faqen përkatëse të Qendrës “Kujri”. A kishte në përshkrimin e fjalës që do të mbaja një qëllim të tillë, përsëri përgjigjja është shkurt: jo. A kam shkruar diku, apo pranuar, se fjala “k u j r i” është vetëm shqiptare apo perëndimore, prapë përgjigjja është: jo. Vetëm gjatë komunikimit online kam aluduar shpejt e shpejt për ndonjë trajtë romake e venitishteje, por jo me ngul këmbë. Përkundrazi, është mbajtur një qëndrim kritik e shqyrtues ndaj punës së Gjeçovit. Nëse nuk do t’i bihej qëllimisht mohit apo kotësimit, atëherë mund të shihen disa punë kushtuar kësaj çështjeje. Në punën time, dhe të kolegëve të ndryshëm, është analizuar se si autorët e fillimshekullit XIX kanë krijuar tekstin dhe imazhin etnografik mbi shqiptarët. Në disa punë jam ndalur për raportet me kolonialen, perandoraken, nacionalen e nacionalizmin. Theksi kryesor i është vënë lindjes së moderniteteve, imagjinatës dhe praktikës etnografike. Teza kryesore që kam mbajtur, ndryshe prej orientalizmit teorik, është se modernitete të caktuara, shpikin e krijojnë të tjerë inferiorë në të gjithë anët gjeografike të shoqërisë së referuar si e duhura. Në këtë vazhdë i kam dhënë më shumë peshës analizës së temporaliteteve përdorur për prodhimin e tjetrit, se sa hapësirës.

Kësisoj, në shqyrtimin antropologjik, në pikëpamjen time, kam parë me një sy kritik “orientalizmin”, “shpikjen e historisë”, idenë e “vjedhjes së historisë”[iv] dhe derivate të tjera. Nuk janë marrë asnjëra prej këtyre thjerrave teorike si të vetme për me kriju një analitikë. Ato janë marrë parasysh me shumë qasje kritike të antropologjisë teorike dhe, prej këtu, është bërë përpjekje me kriju një analizë, e cila shqyrton proceset e krijimit të vetës dhe të tjetrit dhe gjendjet e situatat politike që i ka frymuar këto krijesa antropologjike. Në mënyrë të përmbledhur këto argumente gjenden tek Antropologji e kanunit [2016] dhe tek Etnografi në diktaturë: dija, shteti, holokausti ynë [2018], me bashkautor Dr. Olsi Lelaj.

Autori i “Pyllit pa sopatë” ka cekë se At. Gjeçovi e të tjerë s’kanë marrë në konsideratë se kanuni ishte në një kontekst shtetëror. Qëndron drejt si kritikë. Por, ama, në punën time kam vite që e kam aplikuar kërkimin etnografik të kanunit brenda konteksteve shtetërore, së paku, që prej vitit 2011. Ky fakt nuk i duhet gjë autorit, as qasja kritike e ndërtuar mbi historinë e mendimit etnologjik dhe, specifikisht, mbi kanunin, se ndryshe i prishet formula vajtimore.

Tani të ndalemi pak me lojën me fjalën “k u j r i” dhe qitjen e punës së Dizdarit si dëshmi të vjedhjes kulturore apo të mohimit të hises prej Gjeçovit. A ka thënë Gjeçovi se fjala “k u j r i” nuk është otomane apo sllave, apo na ka thanë se kjo fjalë është vetëm latine apo vetëm shqiptare? Deri më tash nuk kam të dhëna për këtë çështje, në kuptimin e një etimologjie gjeopolitike të At. Gjeçovit. Nuk e di, nëse At. Gjeçovi ka punuar apo jo me ndonjë fjalor për këtë çështje, anipse di që ai ka sugjeruar përdorimin e tyre. A ka mundësi dhe a ka dashtë Gjeçovi me kriju një imazh dhe një argument, që kultura shqiptare, përfshi edhe atë kanunore, i përket trungut indo-europian? Këtë mund ta pohoj. Duke bërë këtë operacion gjeopolitik dhe teorik, a mundet t’i ketë dhënë krah më shumë një përkatësie se një tjetre? Mendoj se po. A kishte dashtë Gjeçovi me ba një proces purifikues ndaj gjuhës otomane, sllave, bizantine, greke etj? A e gjeti në gjuhë të folme, prej nga ku mori kumtin e Kanunit? Përgjigja e këtyre punëve kërkon shumë mund dhe mendoj se gjuhëtarët e historianët na kishin ndihmuar më shumë. Por, në tërësi, them se ia ka pasë ënda me ba një gjuhë krejt shqipe, por shqetësim kryesor nuk ka pasur latinitetin, por ka pasur një hapësirë e përkatësi ma të gjerë – indoeuropianen. Nevojën për një hermeutikë të gjuhës kanunore, krijuar prej At. Gjeçovit, e shoh si domosdoshmëri. Ndoshta këtë punë e ka ba dikush e unë nuk kam pas dijeni kur e kam shkru këtë kërkesë[v]. Veç du me ritheksu se, për fjalën “k u j r i”, Gjeçovi nuk na ka thanë se e kam fut si koncept kanunor se ai është latin apo grek, apo diku tjetër në gji të ndonjë gjuhe jo-otomane.

Argumenti i autorit të shkrimit Pyllë pa sopatë na sugjeron se kishte qenë më e denjë me përdor fjalën “kojri”, mbështetur te shëmbëlltyra e Mjedës dhe konfirmimi filologjik i Dizdarit. Ta marrim gjithë zërin e punuar nga Dizdari dhe të shohim se a e përjashton fjalën apo tingëllimën “k u j r i”.

[….KORIJE-A. f. Jugë: pyll i vogël pronë e përbashkët e një fshati ose e shumë fshatrave ku presin dru fshatarët; zabel, shkurre, prozhme, shkorret, gajushë. “Thanë e kuqe ndë korije, /Posi dielli kur bie” – Alb. Stud. Meyer. “Moj shtëpija mi korie, / Dil vasha e rri në hije” – nga tekstet e Dozonit. Shih dhe Leati, FGJSh 233.// Në Mursi kuri pyll, simbas M. Totonit (SF III, 117 viti 1965) që e bjen nga greqishtja (?). // Khs. dhe kojri e kujri-ja f. në Veri; vend i përbashkët i një katundi i destinuem për kullotë, për qereste, për dru, për gjah e për nevoja të tjera – FGHSh 246; territorio, pascoli ecc del comune – Bashkim, Busseti 1057, Cordignano 79. Simbas Becit SF I, 87 (19650 në Reç-Dardhë kojri, vend i përbashkët i katundit për kullotë e dru. Edhe në Lumë kojri – Lok Limthi. Kujri edhe në Kanun të Lekës (f. 35, 36). Kron’i Kujrisë, em. topik, rreth të Lumës. // Meyer EW 199, prej të njajtit burim të tur: bashkon shkoré-ja f., shkorét-i m. Dickicht, dichter Wald (ndoshta tue mënjanue prefiksin sh – dhe sufik. et).

Tur-. korú “pyll i vogël”

Bullg. korije – Meyer; sekr. korudžija, šumar, podar poljski (gorski) čuvar, Esih TR 78.[vi] …]

Si duket qartë, Dizdari na thotë se ekzistoka edhe fjala “k u j r i”. Si t’ia bëjmë tani që popullit i është mbush mendja në gjallninë e gjuhës së vet, diku-diku me e kthy “kojri”, diku-diku “kujri”, diku-diku “kuri”? Këtë ia pata zanë në gojë bashkëbiseduesit edhe në komunikimin online. Nuk i qeshë referu Dizdarit, por gjetjes në shoqëri. Dikush që ka skrupuj e shqetësime akademike, që nuk del në bejleg me gjet “vjedhës fjalësh dhe historie”, por qëmton të vërtetën me mendje e me shpirt, do t’i ishte kthy edhe një herë fjalorit me pa atë që ka citu vetë. Por, autori nuk e ka preferu një kthim në librari, por ka dashtë me lëshu një kushtrim për vjedhje të historisë. Mirë autori, po sheh se edhe të tjerë, që e kanë detyrë me shqyrtu, më së pari, çfarë thuhet e si thuhet, i janë bashku këtij vajikushtrimi të vjedhjes së historisë dhe fjalëve. Madje, edhe me njëfarë gëzimi, sikur gjetën edhe një dëshmi edhe një fajtor.

Për me pegjorativu gjithë debatin është thanë se k u j r i a është njëfarë e drejte katundi mbi një pyll e kullotë. Madje, përkrah kësaj përdoret edhe termi kooperativë paramoderne. Si me thanë, u mblodhën do njerëz diku atje për të folur për diçka të pavlerë. Edhe kjo është hamendje. K u j r i a, apo k o j r i a, nuk është thjeshtë një copë pyll, kullotë apo tokë. Është një institut. Prandaj edhe përshkrimi gjuhësor, qoftë prej Dizdarit, apo të themi edhe prej Topallit[vii], që fjalën k o j r i na e sjell prej bullgarishtes, nuk është i plotë. Nëse do të ishim duke formuluar një fjalor të antropologjisë sociale, fjala k u j r i, k o j r i, m e r a, b a sh k a r i, etj., do të shpjegohej si një institut social, politik, juridik dhe pronësor, me nuanca e të dhëna mbi kozmologjinë. Nuk do të ishte gabim që këtij termi t’i shtohej edhe historia e përfutjes në gjuhën shqipe, sinonimeve, përfutjes në gjuhën kanunore dhe debatit të filologëve për përkatësinë e saj. Me shumë interes do të ishte përmbledhja e gjeografive shkencore dhe gjeopolitike të fjalorëve të shqipes.

Bashkë me termin k o j r i, si diçka të kotë, ose pa ndonjë vlerë të madhe, shkohet edhe te kuptimi i banorëve të saj. Kjo procedurë bëhet disi përvjedhtazi. Siç thamë, pikënisja e qejfmbetjes së autorit ishte kur nuk ia miratova qëndrimin e tij, që klasifikonte një krahinë si bracetarë. Sipas autorit, banorët e një krahine prej ku është marrë kumti etnografik i Kanunit të Lekë Dukagjinit nuk kishin se si të flisnin për “pushkë të gjata”, sepse banorët e asaj krahine nuk kishin qenë kaq të denjë, sa tju lejohej me përdor atë trajtë pushke. Puna është se “Pushkët e gjata” nga At. Gjeçovi janë përdorur si metaforë , për të treguar një kohë mitiko-historike që nuk jetohej më. Pse e pata sjellë këtë shembull? Qëllimi ishte për me sjellë një provë që edhe At. Gjeçovi nuk ka qenë duke na folur për një të drejtë që e ka gjet gjallnisht në popull, ia ka vu vetes, jo thjesht detyrën me mbledhë, por edhe me “zbulu” e më pas me rindërtu një kanun të kohës së “pushkëve të gjata”. Në fund me kodifiku. Fjalë goje me ba gjithë këto procese. Krah për krah me imazhin e njeriut vjedhës të xhepave [bracëtarë] e pa fisnikëri na vjen edhe imazhi se disa familje të rëndësishme nëpër qytete, që qenkan marrë më pajtimin e gjaqeve. Pra, në qytet kemi familje e njerëz të duhur dhe në arealin kanunor ka vetëm njerëz hajdutë, e që kanë dëshirë me vra njëri-tjetrin. Një lojë jo fort etike me pak fjalë.

Ekziston edhe një vërejtje konkrete ndaj punës sime që është moszënia në gojë e një kodifikimi të bërë nga otomanët në Prizren. Është e pavërtetë që nuk e kam përfshi në analizë këtë kodifikim. Tjetër gjë është se nuk e kam përfshi dhe aq në analizë. Arsyet se përse nuk e kam përfshirë në analizë më të plotë, ose fillikat, janë disa. E para, nuk kam bërë një “histori të kodifikimit”. Nëse do ta kisha bërë, sërish kërkohet ende më shumë punë për kontekstin, autorët, urdhrat, praktikën, metodën etj. Pra, na duhet njëfarë përshkrimi i thukët historik. Megjithatë, nuk kam pas qëllim me vjedhë e as me i marrë hisen dikujt, pse është otomane apo se është jo-shqiptare. Prite Zot, me u ndje i frustrum prej këtyre punëve! Madje, në kohën e sodit, bën emër të mirë me shqyrtime të tilla, edhe në akademi, edhe në mexhlisin e Tiranës. Por jam ndalë deri aty ku më kanë çuar punët e historianëve dhe studiuesve, që besoj në seriozitetin e punës së tyre. Ndërkohë, bëj me dije lexuesin, se si përmbledhja e bërë në gazetën “Prizrendi”, shkruar në serbisht dhe osmanisht, është një material modest për nga lënda juridike kushtuar të drejtës kanunore. Edhe një lëndë tjetër në shërbim të Xhibalit. Këto materiale kanë theks të gjakmarrja e pak çështje të tjera. Por edhe pse material jo fort i begatë, duhet me pa nëse sa dhe çfarë praktikash konkrete ka prodhu administrata shtetërore bazuar te kjo lëndë. Këtë material se kam arritë me e pas në dorë. Për debatin tonë do të ishte dashtë me u ndal ma shumë te kuptimi i së përbashkëtës në fshat, në komunitet dhe do të kishte qenë i mirëpritur ndonjë sugjerim për kuptimin e k o j r i s ë në të drejtën osmane. Reformat që u bënë në këtë mes të shekullit XIX mbi Kodin e Tokës në Perandori e tema të tjera, terminologjinë osmane të së drejtës së re shtetërore e kështu me radhë. E mbi të gjitha për jetën sociale që këto reforma morën në praktikë.

Pra, ja ku jemi. Sajohet një konflikt në facebook, madje duke u përdorur një mik tjetër. Sajohet një histori e fjalës kyç – k u j r i s ë. Sajohen disa ri-latinizues. Sajohet një kritikë, sikur ajo të jetë e para e tillë ndaj punës së At. Gjeçovit dhe albanologëve të shek. XIX e XX. Sajohet një kritikë për punën e dikujt sipas vajit e përmalljes së autorit. Të përfolurit shohin se komentet shprehin lloj-lloj dëshirash, pa i dhënë vetes kohë për reflektim e shqyrtim kritik. Vaji bën punën e vet. Vaji është vlla n’ katund e n’ troje me mohin e me kotësimin e tjetrit. Shkrimi botohet. Do ketë vaje të tjera. Kujri tashmë mund të quhet një lamë që mund të luhet sipas qejfit e vajeve tona. Ato prapë do të botohen. Mirë është me qenë i durueshëm.

(c) 2021 Nebi Bardhoshi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[i] Said, Eduart. 1978. Orientalism, Pantheon Books.

[ii] Hobsbaum, Eric; Ranger, Terence. 1983. The invention of tradition, Cambridge University Press.

[iii] Dizdari, Tahir. 2005. Fjalori i Orientalizmave në gjuhën shqipe, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam & Organizata Islame për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Tiranë.

[iv] Goody, Jack. 2006. The Theft of History, Cambridge University Press.

[v] Bardhoshi, Nebi. 2020. “‘Jeta në ag’ dhe sipas pushkëve të gjata: kontribut mbi punën e At. Shtjefën Gjeçovit”, Hylli i Dritës, Shkodër, f. 234-259.

[vi] Dizdari, Tahir. 2005. KOJRIE, te Fjalori i Orientalizmave në gjuhën shqipe, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam & Organizata Islame për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Tiranë, f. 555.

[vii] Topalli, Kolec. Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë, f. 828.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin