NDREQJE GABIMESH

nga Ilir Yzeiri

« Les « vérités », nous ne voulons plus en supporter les poids, ni en être dupes ou complices. Je rêve d’un monde où l’on mourrait pour une virgule ». Kjo është një thënie e filozofit dhe shkrimtarit rumuno-francez Emil Cioran – Emil Sioran (18 prill 1911- 20 qershor 1995), marrë prej librit të tij « Syllogismes de l’amertume » – Silogjizmat e hidhërimit (Paris, Gallimard 1952). Përkthimi i saj mund të ishte ky: « Të vërtetave », nuk duam t’ua mbajmë më peshën as të jemi mashtrues dhe bashkëpunëtorë me to. Unë ëndërroj një botë ku do të mund të vdisje për një presje ».

Pikërisht kjo pjesa e dytë e kësaj aforizme, të cilën e kam ndeshur për herë të parë në librin e Jusuf Vrionit, Kujtimet e një europiani, që do ta përmend më poshtë, më ka tërhequr vazhdimisht dhe asnjëherë nuk e kam kuptuar deri në fund këtë ëndërr të Sioranit – botën ku mund të vdisje për një presje. Paralelet që mund të ndërtohen nga kjo aforizmë, janë të shumta dhe të larmishme. Në kontekstin shqiptar, spekulimet mund të jenë të gjithfarëllojshme. Nganjëherë të duket se, këtu, është absolutizuar pesha e formës, e frymës së renditjes që duhet të kenë sendet dhe jeta e njerëzve. Një presje është një gjë pa ndonjë vlerë të posaçme për ligjërimin, por ka një rol të përcaktuar në gjuhë. Presja është një shenjë pikësimi që tregon një pushim të shkurtër dhe ndan një fjalë, një grup fjalësh a një fjali, – thuhet në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe (Tiranë 1980, f. 1544). Kuptimi i asaj aforizme që përmenda më »lart, mund të jetë edhe nxitja e pasionit për sakrificën sublime ndaj bukurisë që shfaqet në formën e ngurtë të sistemit. Një alegori me botën tonë të entropisë ku kaosi përcakton thelbin e jetës dhe rregulli formën e munguar të shfaqjes.

Nuk do të isha kujtuar për këtë apoteozë të « rolit të presjes në kuptimin e jetës » nëse nuk do të më kishte ndodhur ajo që besoj u qëllon edhe të tjerëve. Duke parë titujt në bibliotekën familjare, si pa e pasur mendjen, dora mund të të shkojë tek ndonjë libër që e ke lexuar njëherë, por që nuk e ke kuptuar se për çfarë flitet saktësisht aty. Ose titulli i atij libri të ka qëndruar aq gjatë në tru saqë ti e ke të vështirë të kujtohesh nëse e ke lexuar apo jo. Nuk e kam fjalën për letërsinë artistike, por më ka qëlluar të kap veten gafil përballë atyre të paktëve libra të karakterit filozofiko-letrar që përktheheshin në kohën e socializmit te ne. Dhe tani që kam mundësi ta lexoj ndryshe veprën e tyre, bëhem kurioz të shoh se pse konkretisht është zgjedhur ai autor dhe çfarë ka ardhur realisht në shqip nga vepra e tij. Kështu më ndodhi edhe kësaj vere të nxehtë, kur sytë më zunë librin e Jonathan Swift-it (Xhonatan Suift) « Përrallat e fuçisë dhe satira të tjera » (Shtëpia botuese « Naim Frashëri », Tiranë 1980). Po shihja kapakun, fletët e verdha të një cilësie vërtet të keqe dhe po e rrotulloja në duar si një objekt të trishtuar të një kohe që ka shenjuar një pjesë të madhe të jetës sime. Ajo që prisja të gjeja aty, ishte diçka që e kisha harruar, por sa hapa kapakun, pastaj fletën e parë dhe para meje u shfaq një fletëz e vogël katrore, e verdhë, në të cilën shkruhej « Ndreqje gabimi ».  Ishin vetëm dy a tri gabime në një libër me 400 faqe. U bëra kurioz dhe shfletova edhe disa libra të tjerë dhe në të shumtën e tyre, në fund gjeja një fletushkë në të cilën shkruhej « Ndreqje gabimesh ». U kujtova për një praktikë që kishte filluar sidomos pas viteve ’80 në botimet e « Naim Frashërit » që i pajiste librat me një fletë të vogël ku shënoheshin gabimet që mund të ishin bërë gjatë faqosjes dhe radhitjes. Teknika e shtypshkrimit ishte e tillë që nuk të mundësonte korrigjimin.  Më erdhi ndërmend shtypshkrimi i asaj kohe, radhitja me plumb dhe korrektimi me sy të lirë, m’u kujtua ajo periudhë kur një presje kishte vlerë, sepse ishte një kohë që edhe mund ta pësoje për një presje.

Është një temë e gjerë historia dhe fenomenologjia e botimeve në kohën e diktaturës. Gjuha shqipe është dëshmitarja e asaj kohe sepse mbi trupin e saj u mbrujt ideologjia, struktura e të menduarit, leksiku ideologjik e politik, gjithë shenjueshmëria e asaj e cila sot gjendet e dokumentuar në tekstet politike të asaj kohe, por edhe në tekstet divulgative. Nga një pikëpamje, ne e kemi të gjithë atë periudhë të ruajtur në formën e një teksti i cili kishte një autor dhe realizohej në të gjitha manifestimet ku përdorej sistemi i shenjave grafike, tingullore dhe pamore. Në qoftë se gjuha e përdorur në letërsi si stil dhe si shfaqje e ligjërimit ishte më e hapur dhe me forma më të zhdërvjellëta, gjuha e përdorur në ligjërimin filozofiko-letrar apo në letërsinë ideologjike ishte më e survejuar dhe rreptësisht e kontrolluar. Por kishte edhe paradokse. Fjala vjen, Dante Aligeri u ruajt në variantin e gegërishtes letrare me përkthimin brilant të Pashko Gjeçit, ashtu sikundër Don Kishoti ishte një shfaqje e bukur e toskërishtes letrare nën përkthimin e Nolit. Ndërkohë, pas krijimit të gjuhës letrare shqipe dhe futjes së normës në shkrimin publik, në realitetin gjuhësor krijohet një gjendje tjetër.

Mirëpo ajo letër e verdhë dhe e vogël me nënshkrimin « Ndreqje gabimesh » është jo vetëm një element i seriozitetit të botuesit, por edhe një metaforë më e gjerë e jetës. E vendosur në librat që botoheshin, ajo të kujton se gjuha është një formë që nuk mund të dëmtohet, ashtu si një pikturë që, nëse i bie një pikë bojë në anë, humbet aftësinë për të të dhënë kënaqësinë e duhur. Ajo fletushkë e verdhë na kujton se ne të gjithë identifikohemi me gjuhën që flasim. Personaliteti ynë apo karakteri ynë shfaqet, më së pari, në gjuhën që përdorim. Diktatura do të mbahet mend edhe për maninë gati paranojake për të ruajtur pastërtinë e gjuhës dhe për të garantuar shfaqjen në ligjërim të normës letrare me çdo kusht.

Kjo paranojë kishte mbërthyer edhe diktatorin dhe këtu bën ballë edhe një paradoks tjetër. Për hir të gjuhës dhe për shkak të saj, Jusuf Vrioni (1916-2001), njeriu që çoi Kadarenë në Europë, përkthyesi gjenial, një ish i burgosur politik dhe një nga bijtë e familjes më të pasur në Shqipëri, Vrionasve, që kishte provuar torturat më mizore në burgjet e Enver Hoxhës, u thirr dhe u pranua nga administrata politike që të përkthente kryesisht veprat e Enver Hoxhës. Është mjaft domethënës një episod të cilin Vrioni e përmend në librin e tij « Kujtimet e një europiani » ( Jusuf Vrioni me Erik Faj, Albimazh, Tiranë 2008).

 « Gjatë kësaj periudhe pati disa episode të tjera që vërtetonin rëndesën e kontrollit të ushtruar ndaj meje, sidomos lidhur me një libër, të cilin Enver Hoxha e kishte titulluar Eurokomunizmi është antikomunizëm.  Ishim në vitin 1980. Në këtë vepër, sekretari i Parë i Partisë sulmonte me tërbim rrymën eurokomuniste që ishte shfaqur në Europën Perëndimore, sidomos në Francë, në Itali dhe në Spanjë…

Libri ishte përkthyer e bërë gati për shtyp. I vetmi problem që kisha ishte titulli. T’i vija apo të mos i vija presje (L’eurocomunisme, c’est l’anticomunisme) ? Në shqip nuk kishte presje, por unë kisha parasysh veprën e Prudonit, « La propriété c’est le vol » (Prona është vjedhje). Në disa botime ky titull ka presje, në disa të tjera jo. Mendoja se « ce » (nga c’est), përemër dëftor, kishte, në këtë rast, rolin e ndajshtimit dhe se, përpara një ndajshtimi që pason një emër, mund të vihet presje; prandaj e vura në titullin frëngjisht. Në shqip ky problem nuk ekzistonte, sepse thuhet « Eurokomunizmi është antikomunizëm ». Pas disa ditësh më telefonuan në zyrë nga Komiteti Qëndror, ku kishin çuar kapakun e librit. « Ç’është kjo presje » ? më pyeti një zë autoritar. Unë u përpoqa ta argumentoja zgjedhjen që kisha bërë, jo në rrafshin gramatikor, por duke folur për ritmin, kadencën. Reagimi i zyrtarit ishte i prerë : « Jo, jo! Presja duhet hequr! » Komiteti Qëndror dha urdhër të ktheheshin në karton pesëdhjetë mijë kapakët e shtypur, sepse ishte e pamundur ta fshije atë dreq presjeje nga letra e lustruar. U porosit një kapak tjetër pa shenjë pikësimi dhe libri u botua. Nga ana personale nuk pata ndonjë pasojë të veçantë. Për fat të mirë, nuk ishim në ato kushte që dikton Siorani kur shkruan: « Ëndërroj për një botë ku mund të vdesësh për një presje ». (f. 201-202).

Në anën tjetër të telefonit ishte Enver Hoxha.

Ndërkaq, ajo fletë e verdhë dhe e vogël me shënimin « Ndreqje gabimesh » është metaforë më e gjerë sesa ajo që shenjon autoritetin për t’u vetërregulluar. Sot është një gjendje tjetër e shqipes dhe ndaj saj janë vërsulur të gjithë. Ajo copë fletushke të duket një kujtim i largët sepse sot gjuha e shkruar, sidomos, nuk është nën trysninë e përgjithshme për të respektuar normën letrare. Digjitalizimi nga njëra anë, mediat e çoroditura dhe pa asnjë filtër të normës gjuhësore si dhe shpërbërja e autoritetit mbi përdorimin e gjuhës kanë sjellë si rrjedhojë që ajo vetëdija e fshehur pas asaj letrës së vogël e të verdhë me titullin « Ndreqje gabimesh », të shuhet. Megjithatë, për hir të së vërtetës, ka shtëpi botuese që i mbahen fort paraqitjes së shqipes sipas normës letrare të hartuar e të pranuar pas Kongresit të Drejtshkrimit, por ka dhe autorë seriozë, gjithashtu.

Pa frikë mund të themi se kjo periudhë tridhjetë-vjeçare mund të ketë shërbyer edhe për të parë se deri ku mund të dëmtohen bedenat e shqipes letrare nga sulmet mbi trupin e saj të të gjithë amatorëve, sharlatanëve dhe të papërgjegjshmëve që e shkruajnë shqipen ashtu si t’ua marrë mendja. Është për t’u përshëndetur prirja e disa intelektualëve të njohur që kanë riaktivizuar gegërishten letrare veçanërisht në ligjërimin letrar e publicistik, si për të na kujtuar edhe njëherë dikotominë e Gjeçit me Nolin, që përmenda në fillim dhe për të pohuar se gjuha jo vetëm nuk vdes, por ajo ruhet për sa kohë që bartësit e saj ndiejnë nevojën dhe detyrimin ta përdorin atë. Nuk mund të lë pa përmendur edhe një anë tjetër të ligjërimit publik që po shfaqet në formën e kujes apo të vajtimit se shqipja po zhduket apo se shqipja nuk po shformohet. Kjo të sjell ndërmend, në mënyrë paradoksale, shqetësimin e Bogdanit, i cili shkruante:

« Prashtu dergjetë dheu ndë robi errëtë e verbuem, me dy palë niegulla të zeza mbë faqe, qi janë mpkati e të padijtunitë, përse u dvuer dija e urtija… » (Cuneus Profetarum – Çeta e profetëve, botim kritik përgatitur nga Anila Omari, Tiranë 2005, Të primitë, f. XIV)

Metafora e atij shënimit « Ndreqje gabimesh » mund të na sjellë në mendje edhe këtë shqetësim të Bogdanit, sepse padituria kur gjëllin në një vend, ajo duket më së pari në gjuhën që përdoret publikisht. Sosyri shkruante se gjuha nuk është akti individual, por është ajo që nuk duket, koncept dhe figurë akustike, është një formë që nuk mund të shihet, një dukuri shoqërore, është, më në fund, shuma e të folmeve të bartësve të gjuhës. Mbi të  janë vendosur e mbivendosur huazime e ndikime të të gjitha llojeve, ashtu siç po ndodh edhe sot me anglicizmat dhe ajo nuk dëmtohet, përkundrazi merr një pamje tjetër në disa anë të saj. Ndërsa teoritë e tjera se gjuha ka krijuar kombin apo se kombi nuk mund të ekzistojë pa gjuhën, nuk janë gjë tjetër vetëm se reflekse të një përfytyrimi të shtrembëruar romantik që është i përhapur ndër shqiptarë. Gjuha është pasqyra jonë e ideve dhe e kulturës. Nëse e shohim kështu, atëherë duhet të konstatojmë se mbi gjuhën shqipe janë derdhur jo të gjitha dijet e Europës së kohës së mesme, fjala vjen. Gjuhën nuk e kemi përdorur në rrymë të shekujve për debate filozofike apo sociale. E kemi ruajtur më shumë si një entitet individual për jetën tonë të mbyllur. Nga 1912 e deri më 1945, gjuha shqipe mezi arriti të ngarkohej edhe me ide e filozofi. Ndërsa pas vitit 1944, ajo iu nënshtrua, sidomos, përdorimit politik dhe ndërtoi, veçanërisht, struktura me ndërtime luftarake, asgjësuese dhe ideologjikisht të skajshme. Kjo varfëri që vihet re sot në ligjërimin publik e sidomos politik shqiptar apo mungesa edhe e qarkullimit të letërsisë filozofike apo social-psikologjike tregon se trupi i shqipes nuk është stërvitur me këto përdorime. Pra, ajo letër e vogël dhe e verdhë me shënimin « Ndreqje gabimesh » nuk ka shërbyer si një metaforë për ta zgjeruar funksionimin e shqipes dhe për ta bërë atë të aftë që të përthithë dijen e munguar në qarkullimin kulturor. Shqipja e bën këtë se ka mjete dhe aftësi, por gjuha  thahet e vyshket nëse bartësit e saj mbulohen me dy palë niegulla në sy, siç thoshte Bogdani. Sot shqipja është aty dhe nuk i ndodh asgjë. Ne, bartësit e saj, nuk dimë ta përdorim dhe ta bëjmë të aftë atë që të na shërbejë në ligjërimin publik me kulturën dhe mjeshtërinë e duhur. Përballë kësaj rënieje, neve na duket se fjalët e huaja po e prishin gjuhën. Është e kundërta. Padija jonë dhe përdorimi i parafabrikateve të gatshme të një kohe që e përdorte gjuhën si armë, e ka bërë atë të ngurtë. Ndaj është mirë që në vetëdijen tonë të kemi edhe atë shënimin « Ndreqje gabimesh » për të hequr « niegullat » e paditurisë që na kanë zënë sytë.

© 2021, Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

About the Author

Prof. dr. Ilir Yzeiri ështe pedagog i letërsisë shqipe të realizmit socialist dhe i komunikimit në Universitetin A. Xhuvani në Elbasan. Jeton prej vitesh në Tiranë dhe është gjithashtu një nga gazetarët e njohur të vendit. Ka botuar librat “Poetika” (Tiranë, 2000), “KADARE, AGOLLI, ARAPI- figuracioni në poezinë e viteve '60” (Tiranë, 2011). Ndërsa libri i tij i fundit “Semiopragmatika e realizmit socialist” ( Tiranë, 2013) është pjesa e parë e një serie me studime për realizmin socialist në Shqipëri. Pjesa e dytë e kësaj serie doli në janar të vitit 2020 me titullin “Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri”, Botime ÇABEJ . Po në janar të vitit 2020 ai ka botuar edhe monografinë “Erosi & Thanatosi në mjerim – Një vështrim semiologjik për romanin Lumi i vdekur të Jakov Xoxës.”

Author Archive Page