nga Adrian Beshaj
Kuroj: mjekoj dhe mirëmbaj
Folja “kuroj” ka hyrë në shqip, si edhe fjalë të tjera, nga italishtja. Rrënja e foljes italiane “curare” është “cura”, që vjen nga latinishtja “cura-(m)” me etimologji të panjohur. Në shqip, ashtu si “curare” në italishte, kuptimi i foljes “kuroj” është: bëj kura, mjekoj; mbikëqyr një të sëmurë dhe i tregoj mjetet e mënyrat e nevojshme për t’u shëruar, si për shembull: Kuron zemrën (mëlçinë). E kuron një mjek me përvojë.
Nga folja “kuroj” formohen me parashtesa dhe prapashtesa në shqipe mbiemrat “i kuruar” dhe “i pakuruar, “i kurueshëm’ dhe “i pakurueshëm”, për shembull “sëmundje apo pacient i kurueshëm ose i pakurueshëm”, si edhe “kurativ”, për shembull “barëra kurative” apo “qëndrim kurativ në mal” që ka si sinonim mbiemrin “terapeutik”. Mbiemrat “i kurueshëm” dhe “kurativ” nuk i gjeta të përfshirë në Fjalorin e Shqipes së Sotme të vitit 2002.
Pas viteve ’90 dëgjohet dhe lexohet gjithnjë e më shpesh në mediat shqiptare, nën ndikimin e italishtes dhe anglishtes, që folja “kuroj” të përdoret edhe me një kuptim tjetër, veç atij të të mjekuarit dhe të të trajtuarit të një pacienti apo të një sëmundjeje. Në italishte folja “curare” ka edhe kuptimin: “shikoj; kam mendjen te…; i kushtoj vëmendje”. Dhe në fakt, sot shumë shqiptarë e përdorin foljen “kuroj” pikërisht me këtë kuptim. Dëgjojmë të thuhet, për shembull: “ai e kuron shumë veshjen”, domethënë e shikon shumë veshjen; apo “duhet ta kurosh më shumë imazhin”, domethënë duhet t’i kushtosh më shumë vëmendje imazhit.
Po kaq shpesh përdoret edhe mbiemri “i kuruar” me kuptimin “i mirëmbajtur”. Mund të sillnim shumë shembuj ku mbiemri “i kuruar” përdoret me këtë kuptim, ndër të cilët: “vajzat m’u dukën shumë të kuruara”, pra m’u duk se vajzat i kishin kushtuar shumë kujdes dhe vëmendje paraqitjes së jashtme, ose “pashë një kopsht të kuruar para shtëpisë”, pra mjaft të mirëmbajtur. Siç mund të konstatohet me lehtësi në shqip do të mund të përdornim edhe “i mirëmbajtur” apo “që i ka kushtuar vëmendje detajeve”.
Nga “kuroj” rrjedh edhe emri “kurator” që, përveç kuptimit të “shëruesit, mjekuesit”, tregon edhe dikë që administron, përgatit, kujdeset për diçka. “Kurator” përdoret kryesisht për të treguar personin që merret me përgatitjen e një ekspozite të artit pamor, një botimi etj, për shembull: “kuratori i ekspozitës së pikturës kishte bërë një punë të shkëlqyer”, ose “kuratori i antologjisë”. Në shqipe, në vend të “kuratorit” do të mund të përdornim edhe: administrues, kujdestar apo përgatitës.
Arbitral dhe arbitrar
Në të folurën e përditshme ndodh të ngatërrohen nga pakujdesia edhe mbiemrat “arbitral” dhe “arbitrar”. Rrënja e këtyre dy mbiemrave është “arbitër” që rrjedh nga latinishtja “arbitriu-m” dhe që përkufizon aftësinë për të gjykuar dhe ushtruar lirisht zgjedhjet dhe dëshirën tënde. Do të thotë gjithashtu autoritet absolut. Në sport “arbitri” është zyrtari i garës, që është i ngarkuar të kërkojë respektimin e rregullave, të sanksionojë shkeljet, faullat dhe të bëjë të vlefshëm rezultatin përfundimtar.
Por cili është ndryshimi midis “arbitral” dhe “arbitrar”?
Mbiemri “arbitral” ose “arbitror” cilëson një trupë që përbëhet nga arbitra, si për shembull “komision arbitror” apo “treshja arbitrore”. Në drejtësi “klauzolë arbitrore apo arbitrale” është ajo me të cilën palët angazhohen t’ia nënshtrojnë përbërjen e mundshme të mosmarrëveshjeve gjykimit të arbitrave.
Ndërsa “arbitrar” do të thotë se caktohet rastësisht, se bëhet sipas dëshirës dhe tekave të dikujt. “Arbitrar” është veprimi i dikujt të punon në kokë të vet, pa përfillur ligjet dhe rregullat, si për shembull: vendim arbitrar, shenjë arbitrare. Vendimi apo veprimi arbitrar është i pajustifikuar dhe ndonjëherë abuziv. Nga ky mbiemër rrjedh emri “arbitraritet” që do të thotë zgjidhje e çështjeve pa përfillur ligjet dhe rregullat.
Pjesë të kësaj familjeje fjalësh janë edhe emrat “arbitrim” që ka kuptimin e foljes “arbitroj” dhe “arbitrazh” që është një organ i posaçëm që merret me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me karakter ekonomik, financiar etj. Prej mbiemrit “arbitrar” rrjedh edhe ndajfolja “arbitrarisht” që do të thotë abuzivisht, në kokë të vet, si për shembull: vendosi arbitrarisht.
Le të bëjmë pra kujdes kur i përdorim këta dy mbiemra, sidomos ata që komentojnë në radio dhe televizion garat sportive, dhe të themi “arbitror” ose “arbitral” kur i referohemi arbitrave, pra zyrtarëve të një gare, dhe “arbitrar” kur duam të shenjojmë një vendim apo veprim “arbitrar”, pra abuziv, të pajustifikuar, të marrë apo të bërë në kokë të vet pa respektuar rregullat dhe ligjet.
© 2021 Adrian Beshaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.