nga Bardhyl Demiraj
Duke fiksuar këtë titull, shpresoja fillimisht t’i shmangesha deri diku përplasjes në temë me shkrime të kolegëve të ndryshëm në këtë vit jubilar të Papa Klementit XI. Asgjëmangut është vetë rasti që e bën paksa të vështirë mospërsëritjen e do momenteve të fiksuara ndërkohë në kujtesën kolektive shqiptare. Madje tash duket sikur të gjithë ndiejmë të nevojshme të rifreskojmë dhe plotësojmë këtë kujtesë mes nesh. Sepse, ja ashtu, nuk është rastësi që vetëm tri ditë ndajnë nga njëri-tjetri tubimet e para përkujtimore të zhvilluara në Romë (12.07.21) dhe në Tiranë (15.07.2021), ku feksin edhe emrat e një numri studiuesish të kulturës dhe artit në diasporën historike dhe atë moderne shqiptare, pjesë e së cilës jam edhe unë prej më se tri dekadash.
Siç dihet me kohë e ndërkohë, kujtesa kolektive është caran i vatrës që sendërton bashkëjetesën në shoqëri, formëzon simbole e koncepte identitare dhe, e nxitur syresh, ndërton, rindërton dhe pasuron biografi personalitetesh historikë që i takojnë ose mendohet t’i takojnë asaj bashkësie. Ngjizet kështu në mënyrë qoftë edhe të pavetëdijshme identiteti i individit si pjesë e një mjedisi social koherent brenda dhe jashtë një hapësire kompakte etnike-gjuhësore. Prashtu nuk është rastësi që një numër jo i vogël personalitetesh të periudhës së mesjetës, që në instancë të fundit i takojnë diasporës historike, janë bërë natyrshëm pjesë e kujtesës kolektive, si p.sh.: Marin Barleti, Marin Biçikemi, Dhimitër Frangu, Gjon Gazulli, Gjon Buzuku, Gjergj Guzzetta etj.
Që personaliteti i Giann Francesco Albani-t, më pas i Kardinal Albanit e së fundi i Papë Klementit XI (23.07.1649 – 19.03.1721) ka përjetuar zigzaget e veta në trashëgiminë e kulturës kombëtare dhe në kujtesën kolektive shqiptare, për këtë do parë e kërkuar më shumë se një shkas; ndër to më i thjeshti, pra më bindësi është orientimi ideologjik në gjysmën e dytë të shek. XX në Shqipëri, sa i përket shpërlarjes së trurit intelektual, bash në një periudhë kur prurjet e institucioneve të kultit sikurse sosh të klerikëve të veçantë si personalitete të kulturës dhe të jetës sociale brenda bashkësisë u vunë në indeks.
Që kujtesa kolektive i nënshtrohet gjithherë procesit të ridimensionimit, këtë e dëshmojnë po aq qartë kompendiumet enciklopedike aktualë[1], sikurse edhe monografi të veçanta në dhjetëvjeçarët e fundit,[2] ku Papë Klementit XI i bëhet një vend sado i thukët si pinjoll i një familjeje me origjinë e rrënjë shqiptare e që nxiti, më saktë hyri dorëzanë në organizimin e Kuvendit Provincial ase Kuvendit të Arbënit (Mërqinjë, janar 1703).
Parë në vështrim induktiv-perspektiv, pra vetëm në lidhje me historinë e kulturës shqiptare, emri i Papë Klementit XI na rezulton:
- të jetë cituar së pari në vitin 1700 prej Arqipeshkvit të atëhershëm të Tivarit dhe Vizitatorit Apostolik të provincës administrative-kishtare të Arbënisë dhe të Mbretërisë së Serbisë Visk Zmajevich, bash ai që organizoi dhe realizoi de facto kuvendin në fjalë në ditën e Epifanisë në Mërqinjë të Dioqezës së Lezhës (janar 1703);
- të jetë fiksuar përfundimisht mbi letër të bardhë tre vjet më vonë (Romë 1706) po prej Visk Zmajevich-it në hyrjen e botimit latinisht dhe shqip të akteve të këtij kuvendi, duke u bërë kështu pronë e kujtesës kolektive të klerit në provincën administrative të Arbënit dhe në arqipeshkvinë e Shkupit. Rëndësi të dorës së parë fiton varianti shqip i akteve, ku në hyrje ndërndërrojnë vendet natyrshëm emrat <Papa Clementi XI>, <Papa Albani>, “qi latinisht do me thanë të bardhë” dhe <Papa i Arbenesce>;
- gjithashtu duke u përmendur në vazhdimësi në bashkëlidhje me këtë kuvend dhe dekretet e tij që u bënë sinor orientues në organizimin dhe mbarështimin e jetës sociale e kulturore të grigjës katolike shqiptare përkëtej Adriatikut, siç është p.sh. letra e njohur enciklike “Inter omnigenas” (2 shkurt 1744) e Papë Benediktit XIV, drejtuar klerit të kësaj province dhe të zonave kufitare;
- së fundi në vitet 70-të të shek. XIX, në ribotimin si ripërkthim shqip i akteve të këtij kuvendi, duke u ripagëzuar ndërkohë si <Papë Shqyptari>, bash në vazhdën e zhvillimeve që përjetonte atëbotë lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. (E. Radoja 1872)
Pas një periudhe heshtjeje thuajse gjysmëshekullore personalititeti i Giann Francesco Albani-t rihyn në analet e historisë së kulturës kombëtare si <Papa Clementi XI> me origjinë shqiptare. Si të tillë e përkujtojnë zyrtarisht Papë Gjon Pali II gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 1992, që vjen me thënë pas kthesës demokratike, si edhe kohë pas kohe e rast pas rasti institucione të kultit, sosh shtetërore në Shqipëri e gjetkë si edhe në bashkësitë shqiptare në diasporë. Edhe ky vit jubilar i ndarjes së tij nga kjo botë është shumë domethënës për faktin që kujtesa kolektive gëzon gjithherë shansin e riaktivizimit, sa herë që krijohen kushtet politike-shoqërore dhe ato kulturore për ruajtjen e saj.
Përpos kësaj premise të dhënë njëherë e përgjithmonë rol të veçantë në mbarështimin e kujtesës kolektive luan sigurisht edhe rifreskimi deri në rivlerësim i ngjarjeve dhe personaliteteve që kanë luajtur rol në historinë e kulturës, në formëzimin e identitetit brenda bashkësisë.
Emrin e Giann Francesco Albani-t si sinor orientimi identitar lejohemi kështu ta plotësojmë me do dhunti të tjera që karakterizojnë personalitetin, formimin dhe sjelljen e tij qytetare-intelektuale, por edhe mënyrën individuale se si i përcjell do vendime që merr personalisht apo nxit që të merren prej instancave përkatëse në Kurinë e Shenjtë e duke ndikuar si të tilla pozitivisht në mbarështimin e jetës së një bashkësie kulturore-etnike, siç është rasti me popullsinë katolike shqiptare të asaj kohe.
Qëndrimi ndaj nepotizmit
Parë nga kjo perspektivë, lejohem të sjell së pari në formë diskutimi qëndrimin e tij ndaj dukurisë së nepotizmit në institucionin e Kishës Katolike dhe vetë Kurinë e Shenjtë. Është fakt historik tashmë i njohur, që në dy dhjetëvjeçarët e pontifikatit të tij kjo dukuri u luftua prej tij në vazhdimësi.[3]
Çka mund të shtojmë bash në këtë pamje të personalitetit të tij, është se këtij qëndrimi nuk i anashkaloi dot as rrethi i tij i gjerë familjar. Në jetëshkrimet serioze të Papë Klementit XI[4] mëtohet gjithnjë rreptësia e tij ndaj kësaj plage në shoqërinë e kohës:
“[f. 12] Vetë vëllai i tij Orazio do të duhej të jetonte thjesht si person privat, pa mundur të kapë ndonjë pozicion a post, e jo më të pranonte dhurata farësoj. Bijtë e Orazio-s, Anibali dhe Carlo, që studionin ndërkohë në Kolegjin Urban, u duhej të trajtoheshin njëlloj sikurse rishtarët e tjerë…
Gjatë 21 viteve të pontifikatit të tij familja Albani nuk përfitoi asnjë skudë nga Papa. Gjithashtu edhe pas vdekjes së Clementi-t XI dihej që ai kishte shpërndarë prej pasurisë së vet private lëmosha bujare [f. 13] që shkonin aty te 1 milion skuda; me ndërgjegje të qetë ai do të kishte mundur t’ia linte trashëgim një shumë të tillë familjes së vet.”[5]
Tejet domethënës është edhe episodi i vizitës së bërë prej familjes, ditët menjëherë pas ngjitjes së tij në Fronin e Shenjtë më 23 nëntor 1700:
„Të sjellë të mërkurën në darkë D. Orazio Albani, vëllai i Papës me të bijtë, për t’i puthur këmbët, [ata] u shërbyen më shumë se një orë, …duke iu imponuar ndër të tjera të mos pranonin dhurata as trajtime [të veçanta], por të gjykonin gjithnjë, të kenë qenë lindur zotërinj të varfër, …duke u thënë së fundi nipërve se e kishin humbur ndërkohë Cardinale Albani-n, ungjin e tyre, veçse do të kishin një [Papë] Clemente XI, ithtar i virtytit; këtu Alessandro, [nipi] më i vogli shtoi: “Por nuk do të mundë të mohojë Shenjtëria e Tij të ketë qenë ungji ynë; e në këto rrethana Ati i Shenjtë nuk mundi të përmbante lotët…”[6]
Fakt njëlloj domethënës lidhur me zbatimin e urdhëresave të Papë Klementit XI ndaj nepotizmit, është edhe fati i nipit të tij, Clemente Albani, që u pranua në kolegjin Urban në fillimet e Pontifikatit të tij:
“Clemente Albani – rishtar në kolegjin Urban. U largua nga kolegji më 16 nëntor 1704. U përjashtua për paaftësinë dhe mungesën e inteligjencës në përtypjen e asaj që studionte: duke qenë me shtatlartë dhe trupngjeshur, facto & erbo [fakt dhe trashëgim] me Shenjtërinë, zuri vend si ushtar në Castel Sant’Angelo.”.[7]
Bursa Albani
Ndërsa qëndrimi ndaj dukurisë së nepotizmit në institucionin e kishës sikurse dhe mënjanimi i çdo lloj përfitimi të natyrës private në rrethin e tij familjar kanë hedhur rrënjë tashmë në analet e historisë së Vatikanit, madje kujtohen ende me humor si episode unike herë pas here e rast pas rasti në ambientet e Vatikanit, mbresa të thella në rrethet klerikale shqiptare të kohës ka lënë një akt bamirës i Papë Klementit XI, sa i përket formimit intelektual-fetar të brezit të ri. Bëjmë fjalë për Bursën Albani që themeloi Papë Klementi XI me breven e tij të dt. 21 korrik 1708.[8] Me anë të saj ai i shton atëbotë Kolegjit Urban një vend të përhershëm studimi për një nxënës nga trevat e Epirit, ose të Arbënisë. E kjo ndërmarrje fanmirë shoqërohet me dhurimin si depozitë bankare e shumës së konsiderueshme prej 4000 skudash.[9]
Entuziazmi i papërshkrueshëm në grup i arqipeshkvijve dhe ipeshkvijve të Provincës së atëhershme kishtare të Arbënisë, është hedhur në letër më dt. 30 korrik 1708, një letër kjo që për fatin tonë jofatlum nuk kemi mundur të sigurojmë ende në arkivat e Vatikanit dhe të Kongregacionit të Shenjtë të Propaganda Fide-s. Por që kjo letër e ka turbulluar deri tronditur kujtesën individuale apo familjare të Giann Francesco Alban-it, këtë e dëshmon përgjigja e menjëhershme dhe tejet mirënjohëse e tij brenda 6 javësh (15 shtator 1708[10]), diçka krejt e pazakonshme në ritmin kohor të korrespondencës më se të zakonshme të papëve në përgjithësi. Kjo letër përbën gjithashtu të vetmen dëshmi kontakti të drejtpërdrejtë të Papë Klementit XI me klerin katolik në Provincën administrative kishtare të Arbënisë.
Ndër atë rishtarë që përfituan këtë bursë në Kolegjin Urban kemi mundur të fiksojmë së paku dy prej provincës së atëhershme të Epirit ase të Arbësnisë, që vjen me thënë të Shqipërisë së Veriut:
– <Antonio Albanese> (= shq. /Ndue A./ ?): Këtë emër me mbiemër paksa të pazakonshëm për kohën në shqyrtim, nuk e ndeshim si të tillë në regjistrin themelor të Kolegjit Urban (RNCAPF I/II), por rezulton në regjistrat vjetorë (vitet 1728-1731), të depozituar në aktet e ASPF si nxënës i këtij kolegji e me origjinë nga Shkodra; që ka hyrë në kolegj më dt. 5 shtator 1718 me bursën Albani.[11]
– <Angelo Logorezzi> (= shq. /Engjëll Logoreci/): Ndër ato të dhëna kryesore që kumton regjistri i përgjithshëm (RNCAPF I 341), mësojmë se Ndreu është rishtar i shkodran i ritit latin e që kishte hyrë në kolegj më 15 mars 1744 me bursën Albani. Në vitin e tretë të studimeve (1747), në moshën 17 vjeç, studionte retorikë, ndërsa në vitin e gjashtë (1750) ndiqte kursin e dytë të filozofisë. Betimin e bëri më 1 shkurt 1748, nga ku mësojmë edhe ndonjë detaj biografik shtesë: “Ego Angelus Logoretius filius Marci, Diæcesis Scodræ … etc.” (Giur. II, 487-8 [271-2])[12]
– Domethënës është edhe përfitimi i kësaj burse në Kolegjin Urban prej një rishtari që nuk vinte prej provincës së Arbënisë, por që duhet të ishte patjetër shqipfolës. Bëjmë fjalë për <Giorgio Matranga> (= /Gjergj Matranga/). Siç mësojmë prej skedës së tij Gjergji paska lindur në Horën e Arbëreshëve (Dioqeza e Monreale-s), me prindër Antonino dhe Xhovana Matranga e qenka pagëzuar po aty në Kishën e Shën Mitrit. Paska hyrë në kolegj më 5 tetor 1718, i regjistruar si italo-grek [= italo-arbëresh – B.D.] me bursën ‘Albani’. Në Kolegj hyn në moshën 7 vjeç. Aty merr edhe sakramentin e Krezmimit më 22 dhjetor 1720, ndërsa betimin e rishtarit e kryen pesë vjet më vonë, më 30 nëntor 1725. Nga një dorë e dytë në regjistër mësojmë se si Gjergji ynë vijon studimet edhe 10 vjet të tjera, deri më 8 qershor 1735 kur largohet nga kolegji, pasi ka doktoruar në filozofi dhe teologji.[13]
Përfundim
Shumëkush mund të pyesë se përse Papë Klementi XI vendosi që kjo bursë, përkatësisht kjo shumë aspak e zakonshme për kohën kur u akordua, të përdorej pikërisht për një vend rishtari prej provincës së Arbënisë? Sidomos kjo pamje e aktivitetit të tij social mund të bëhet sot objekt diskursi kulturor intelektual, qoftë edhe për të plotësuar më tej kujtesën tonë kolektive në këtë vit jubilar. Gjithsesi në rast se mbajmë parasysh rrethanat kur u përftua kjo bursë – menjëherë pas organizimit të Kuvendit të Arbënit (Mërqinjë 1703), botimit të vendimeve të tij (Romë 1706)[14] e deri në futjen më pas të mësimit të shqipes për misionarët apostolikë në dy kolegje të kohës[15] etj. – lejohemi të mëtojmë jo pa të drejtë që edhe ky donacion është së paku shfaqje e natyrshme e interesimit intensiv të Kongregacionit të Propaganda Fides dhe të Kurisë së Shenjtë ndaj mbarështimit të besimit në provincën e Arbënisë dhe në Arqipeshkvinë e Shkupit.
Që gjithçka përftohet me një intensitet të pazakonshëm përgjatë fazës së parë të pontifikatit të Papë Klementit XI – rrënjët familjare të të cilit të çojnë dikur aty te para pesë brezash në viset shqiptare – kjo rrethanë lë të kuptohet fare mirë se ç’farë roli luan përpos virtytit si dhunti hyjnore edhe kujtesa individuale, familjare dhe ajo kolektive – do parë kjo rishtas edhe në rastin konkret përsëri si kujtesë e diasporës (!!!) – në formëzimin dhe mbajtjen gjallë të identitetit etnik dhe kombëtar.
Facit: Larg falsifikimit të historisë
Në këtë shkrim homazhi përkujtimor jemi mbështetur vetëm në fakte historike të mirëqena, në burime arkivore dhe sosh bibliografike, të mirënjohura për shkallën e lartë të saktësisë. Prashtu jemi të vetëdijshëm që në këtë shkrim u detyruam të notojmë shpesh kundër rrymës në kohën tonë, kur në shumë shkrime divulgative, tubime dhe punime me mëtim shkencor deri edhe në skalitje pllakash e gravurash përkujtimore në vende pelegrinazhi (Kisha e rindërtuar e Shën Trinisë në Mërqinjë etj.):
- hiperbolizohet, që vjen me thënë shtrembërohet personaliteti dhe roli i Papë Klementit XI në organizimin dhe mbledhjen e Kuvendit të Arbënit, ku i anashkalohet (pa)vetëdijshëm regjizorit dhe aktorit kryesor të tij, Imz. Visk Zmajevich, arqipeshkëv i atëhershëm i Tivarit e më vonë i Zarës, ku themeloi ngulimin shqiptar të Arbanasit (1723 – Borgo Erizzo, Zarë/Zadar)[16].
- Nuk mungojnë as dithirambet për Papë Klementin XI dora vetë lidhur me themelimin e një kolegji italo-arbëresh fantazmë në Shën Mitër Koronë (San Demetrio Corone) në Kalabri. Burimin e kësaj pasaktësie historike e kemi fiksuar në një shkrim të A. Lorecchio-s (Nuova Antologia CCXXXVIII. Luglio [1911] 154-156), të cilën për fat të keq e mori si të mirëqenë historiani i madh Pastor (Storia dei Papi… XV. 1933: 281), e falë tij merret e rimerret si ‘telefoni i prish’ në kohën tonë prej shumë e shumë e shumë autorëve e ligjëruesve në data përkujtimore të kësaj natyre.
(c) 2021, Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Kopertina: Ritratto di Clemente XI, by Bottega Italiana – Public Domain
[1] Fjalor Enciklopedik Shqiptar. FESH2. ASHSH. Tiranë 2008/9. Mungon si zë i veçantë në botimin e parë FESH1, Tiranë 1985.
[2] Shih sidomos Engjell Sejdaj: Papa shqiptar Klementi XI Albani dhe Kuvendi i Arbërit, Gjon Buzuku, Prishtinë 1998.
[3] Moroni Romano, Gaetano: Dizionario di erudizione storico-ecclesiastica… vol. XIV. Venezia 1842: 59vv.; Pastor, Ludovico barone von: Storia dei Papi nel periodo dell’assolutismo, vol. XV. Roma 1933: 11vv.
[4] Pastor: id. 12
[5] Pastor: ibid.
[6] Pastor, ibid.
[7] Pastor, ibid.
[8] Simeoni, Joanne & De Martinis, Raphaëles: Iuris pontifici de Propaganda Fide. Pars Prima… bullas brevia acta S.S… Vol. II. Romae 1889: 253 [Scuta quatuor milia ut supra oblata donantur pro fundatione unius alumnatus provinciae Albaniae.]
[9] Me një llogaritje të thjeshtë mësojmë se kjo shumë ishte atëbotë e barazvlefshme rrogen vjetore të një meshtari të thjeshtë për 200 vjet dhe të asaj të një misionari apostolik (me formim në kolegjet e Propaganda Fide-s në Itali) për plot 100 vjet.
[10] Clementis undecimi pontificis maximi epistolae et brevia selectoria…. Romae 1729: 566.
[11] Hollësisht Demiraj, Bardhyl: Areali kulturor i Veriut, Tiranë 2019: 113v.
[12] Demiraj, Bardhyl: Areali… 115.
[13] Demiraj, Bardhyl: Rishtarë arbëreshë në Kolegjin Urban (shek. XVIII-XIX), në: “Matteo Mandalà dhe albanologjia sot (në 60-vjetorin e lindjes)”. Tiranë 2018: 165vv.
[14] Hollësisht Demiraj, Bardhyl: Koncili Provinciali o Kuvendi i Arbnit. Botime Françeskane. Shkodër 2012: 20vv.
[15] Gurga, Gëzim: Fr. M. da Lecce: Dizionario… Botime Françeskane. Shkodër 2009.
[16] Demiraj: Areali… 276vv.