Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

DHUNIMI SI SISTEM

nga Rea Nepravishta

Pesë gra përdhunuan në grup një djalë 15 vjeçar

Një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik kur përballet me ngjarjet e frikshme të përdhunimit të vajzave të cilat po ndodhin kaq shpesh kohët e fundit, përpiqet t’i etiketojë si përjashtim, si dukuri që i përkasin sferës së gati-sëmundjes, “këta janë të sëmurë mendorë, se nuk ka mundësi”. Hedhja e çështjes në sferën e anomalisë, gati sikur e likuidon problemin dhe rreket të mos merret me shkaqet e thella të tij që gëlojnë nëndheshëm. Nëse i pyet “si ka mundësi që nuk janë mbledhur ndonjëherë 5 gra të përdhunojnë një djalë 15 vjeçar?”, atëherë i mbetet fjala në fyt, dhe nuk dinë si të reagojnë. Përgjigjja është shumë e qartë: këto vajza nuk po përdhunohen nga “përbindëshat” e rastësishëm që qëllojnë të jenë burra, ato vajza po përdhunohen nga sistemi i vlerave me emrin patriarkat – në thelb pushteti i të fortit mbi “të dobëtin”. Dhe patriarkatin vazhdojmë ta mbajmë në këmbë të gjithë, burra e gra bashkë, pjesëtarë të kësaj shoqërie.

Elementi grup

Vetvetiu më vjen të mendoj se kujt i del pulsioni nga kontrolli dhe përdhunon dikë, të paktën do t’a bëjë fshehurazi dhe ditën tjetër minimalisht do t’ i vijë turp nga vetja dhe të mundohet ta harroje atë që ka bërë. Kjo do të ndodhte në një kontekst deri diku brenda kufijve të imagjinueshmes, kur dikujt për arsye nga më të ndryshmet i del situata jashtë kontrollit dhe “del nga vetja”. Por nuk është ky rasti, duke provuar kësisoj faktin se kjo nuk është një rastësi e tipit “gjëra që ndodhin”. Të përdhunosh një të mitur duke u bërë palë me shokët e tu, do të thotë jo vetëm që nuk ke asnjë moment dyshimi dhe pendimi për atë që po bën, por përkundrazi gjen krenari dhe krijon vëllazëri në “punën e përbashkët”. Përdhunimi si element përbashkues i grupit. Ta shantazhosh me video përsëri tregon solidaritet të palëkundur në fëlliqësi. Kjo është fytyra e errët e patriarkatit, ngjeshje radhësh e më të fortëve që vendosin pushtet absolut mbi më “të dobëtin”.

Ndaj është detyrë e çdo njeriu në këtë shoqëri – vajzë a djalë, burrë a grua – të bëjë pjesën e vetë të vogël për të shkulur nga rrënjët këtë mendësi primitive të pushtetit të muskulozit mbi të pambrojturin.

Elementi pornografik i kulturës komerciale

Një kryqëzim marramendës ka ndodhur shumë shpejtë në shoqërinë shqiptare (e jo vetëm): një sistemi arkaik e konservator si patriarkati i është mbivendosur – pa kohë në mes – një sistem vlerash konsumeriste, komerciale, kapitaliste që e shndërrojnë trupin e gruas në një mall tregu. Rrjetet sociale e mediat divulgative janë të stërmbushura me imazhe të pjesëve të trupave të grave e vajzave (kryesisht ato seksuale si gjoksi e vithet), të lëshuara në tregun e seksit si “mall që blen”, në një kulturë kryekëput seksiste. Problemi qëndron se vajzat e gratë nuk zotërojnë më trupin e tyre, ai trup është bërë pre’ e kulturës pornografike, që ja heq trupit vlerën thelbësore, dhe e zëvendëson me vlerë shitblerje në treg. Vetëm dhe vetëm gruaja ka të drejtë ta zotërojë trupin e saj dhe të vendosë mbi lakuriqësinë e saj si të dojë ajo.

Kur ky sistem përkon dhe mbivendoset me sistemin patriarkal arkaik akoma aktiv në mendjet e njerëzve, rezultati është zhvlerësimi dhe përdorimi total i trupit të gruas në funksion të pulsioneve dhunuese dhe shtazarake që ushqejnë kulturën e përdhunimit.

Tepër shpejt dhe papritur dy sisteme absurde u pikëprenë me njëri-tjetrin, por cila është rrugëdalja nga ky binom i keq? Për mua rrugëdalja fillon me edukimin e brezave të rinj mbi trupin, mbi kënaqësinë, mbi seksualitetin, mbi pulsionet dhe njohjen e vetëdijshme me lirinë e trupit dhe marrëdhënien e respektit me tjetrën/in. Në këtë mënyrë, trupi i tjetrës/it nuk shihet me si objekt kontrolli e kësisoj dhune, e as objekt i pavlerë pornografik, por një territor i vetëdijshëm lirie dhe kënaqësie, i ngritur në baza respekti. Edukimi i ndjenjave dhe emocioneve, edukimi mbi trupin janë procese kyçe për brezat që vinë.

Lakuriqësia është hapësira më e lartë dhe më e lirë e marrëdhënies me veten dhe tjetrin. Ajo është territori i parë i dashurisë.

Elementi e mitur, dhe kontrolli i trupit

Përse një burrë kur përdhunon, ka më shumë gjasa ta bëjë me një vajzë të mitur? Sepse e mitura është e pambrojtur, dhe kështu pushteti i tij mbi të është absolut. Përse një burrë priret drejt pushtetit absolut? Sepse ai që e bën këtë është një qenie krejtësisht e pasigurt, e ndaj ekzistenca e tij mbi botë ka nevojë të lërë një shenjë të dhunshme për t’u afirmuar. Dhe dhuna është tejet e egër, përderisa boshllëku që e ka shkaktuar është tejet i madh. Njerëz që nuk munden të mbushin jetën e tyre me kuptim, do të krijojnë një shoqëri të dhunshme.

Vajza e mitur është një territor i lehtë për ata që kërkojnë kontroll. Ndaj patriarkati ka dënuar jetë e mot gruan e lirë, sepse gruaja e lirë është një territor tek i cili nuk afrohesh dot si i pushtetshëm, por mund të qasesh vetëm si i barabartë. Një burrë i vogël, i pasigurt dhe kontrollues mundësisht do të kërkojë afirmimin e tij tek një vajzë e mitur dhe e papërvojë. Një burrë që përdhunon është në analizë të fundit një burrë jo i lirë, një burrë në kafaz. Duke qenë vetë në kafaz, ai do të vërë kontroll total mbi trupin e gruas duke e zotëruar atë.

Lumturia, përmbushja shpirtërore, e të tjera si këto nuk kanë të bëjnë me skemat e mësipërme, sepse dashuria e vërtetë për tjetrin si qenie radikalisht e mëvetësishme lind vetëm në kushtet e lirisë dhe mungesës së kontrollit mbi tjetrin. Dashuria është i vetmi territor që zhbën barrikadat e kontrollit mbi tjetrin, dhe e lëshon njeriun drejt hapësirës së pafundme të adhurimit dhe ekstazës.

A ka rrugëdalje përtej patriarkatit?   

Me fillimin e krisjes simbolike të patriarkatit duke filluar kryesisht nga vitet ’90 (ndërsa në botën perëndimore rreth viteve ’70), shoqëria mbeti pa babanë autoritar. Në një analizë më të gjerë, bota ka mbetur në një boshllëk të dukshëm, të cilin rreket ta zërë kapitalizmi me logjikën e tij të tregut dhe sistemin e vlerave që e shoqërojnë. Alternativat që kemi përpara në lidhje me arketipin mashkullor janë ose një burrë akoma patriarkal (mbetje), ose një burrë i humbur që përpiqet të lundrojë në një boshllëk të madh (me përjashtime tejet të rralla që nuk përbëjnë fenomen). Me krisjen e patriarkatit, burrat nuk i kanë gjetur akoma vetes mënyrën e të ndenjurit mbi botë (mënyrë e cila nuk mund të jetë më një, por aq e shumëllojshme sa çdo qenie njerëzore mbi tokë).

E në një botë që “shthuret” e “nuk është më ajo e para”, njerëzit rendin të kapen tek skema e njohur, dhe kjo e njohur e sigurt vazhdon të jetë patriarkati mijëravjeçar. Burra e gra në udhëkryq, mbi një ekuilibër në fije të perit, që nuk përmbushen më brenda skemës, por të paaftë të shpikin një vetvete jashtë skemës.

Cila është rruga e daljes nga një jetë që në rastin më të keq ofron dhune, dhe në rastin më të mirë mungesë kuptimi? Rruga e daljes fillon domosdo nga liria. Përballja me mundësinë për të qenë të lirë, përballja me pasigurinë që ofron liria. Njëherë që kemi marrë përsipër pasigurinë që ofron liria, mund të fillojmë të ndërtojmë kuptimin e jetës jashtë kafazit.

Dhe në atë ditë, Tjetra apo Tjetri nuk do të jenë më burime frike apo ngurtësie, por hapësirë plotësie.

 

(c) 2021 Rea Nepravishta. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin