Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

DUM BABËN!

letër thuajse e hapur; i jepet marrësit me të parë.

nga Arb Elo

1.

Dikur kishim bukë e kripë e zemër.

Në vitet e fundit të diktaturës shprehja përdorej: bukë e kripë e TeleNorba*.

Pas rrëzimit të kësaj – dhe heqjes nga priza të zhurmuesit e futjes së antenave satelitore – shprehja u kthye në: bukë e kripë e RTL**.

Ndërsa tani kemi: bukë e kripë e Kadare.

* Stacion privat italian që transmetonte catch dhe softporno.


** Stacion privat gjerman që transmetonte më vonë po softporno, por pa miza dhe me ngjyra.

2.

Për fat të keq, edhe vitin që shkoi shkrimtarit tonë më të shquar nuk iu dha Nobeli. Sepse për rrengun që kam ndërmend t’i propozoj duhen para, shumë para.

Ja dhe plani:

Pa përfytyroni njëherë se sa e bukur do të ishte kjo: ju na e fitoni “babën”, na e sillni në Arnautistan sulltanin, Nobelin; me paratë e fituara blini të gjitha kopjet në qarkullim të veprës suaj (në shqip), me retushe e pa retushe, të gjitha kokërr më kokërr, me to bëni një zjarr të madh hinduist në Lanë e i lini shqiptarët me gisht në gojë, të cilëve tanimë u duhet ose ta rishkruajnë nga kujtesa atë, ose ta përkthejnë nga frëngjishtja në shqip.

Vargjet që do të recitojë pastaj Rama te kolonat, kur koha të ketë bërë të sajën, mbeten edhe ato të gërmohen kujtesës: sikur ish diçka me tundje dore e gjeste të pakuptueshme… jo, jo, ia kthen floriri, Iliri, seç kishte një presje, apo Yp, se ti i di këto gjëra përmendsh?

Ypin, papritur ministër kulture, e zë një gulç i madh e ia mbath me të katra nga Unaza përposh dhe ulërin me vete: O Kadare, o gjigant… por edhe në kësoll ore nuk i le këto të fortat!… – e dënes me ngashërim.

Dhe ndonjë karrocier i rastësishëm aty pranë, me ndonjë letër postume tuajën, me vargjet që paskëshin harruar.

3.

Kalamallëk, po.

Diçka si ajo që ne në fëmijëri e quanim »të allnohesh«, fjalë kjo që nuk e gjeta në fjalor. »Të allnohesh« me »këta«.
 »Këta« janë ata që na kanë drejtuar prej 90-ës e këtej, »këta« janë njerëz të medias, është Berisha, Rama, por edhe Fevziu e shumë të tjerë.
 Sepse këta nuk e kanë me të vërtetë; ”këta” nuk është se gënjejnë me patjetër, por heshtin për turpe që kanë të bëjnë me ne. Me ju e me ne të 2 korrikut.

4.

Ja një pyetje fort e thjeshtë: Nga mbetën ato xhirimet e atij mitingut të turpshëm për 2 korrikun?

Për të kërkuar arkivave në Vatikan e Venedik, për t’u marrë me albanologji e me Skënderbeun, për këtë »këta« janë çuditërisht të zellshëm, ndërsa për të shkuar gjer te godina e Radio-Televizionit e thjesht për të transmetuar xhirimet apo për t’i hedhur ato në rrjet, për këtë ngjan t’u priten çuditërisht këmbët, mirëpo edhe kjo nuk është.

Tani, këtë që vijon unë vetë me të dëgjuar e kam, se si ta kem ndryshe, nëse xhirimet mbahen fshehur?

Me të dëgjuar e kam pra që në atë miting paskëshin folur shokët Mehmet Elezi dhe kolegu Kiço Blushi, por mbase nuk qenkëshin këta, por të tjerë – ky ngjan të jetë mister më i madh se ai i prejardhjes së Skënderbeut, në qenkësh ky »yni«.

Në paskëshin qenë folësit shokët që citova më lart, arsyeja se pse xhirimet mbahen të kyçura është e thjeshtë: të parin Berisha vajti dhe e bëri ambasador se e kishte të vetin, i dyti është apo ishte i ati i një politikani të njohur dhe shkrimtari të suksesshëm të së majtës; kaq e thjeshtë i bie të jetë.

Por edhe kjo nuk mund të thuhet me siguri pa u shfaqur xhirimet, ndaj unë i pari u kërkoj a priori ndjesë të lartpërmendurve në nuk paskësh qenë ashtu; por kështu flitet. Se me llafe goje shkoi kjo punë. U bënë 27 vjet tani.

Është për të ardhur keq që njëri prej ”nesh”, një nga këta të 2 korrikut, vajti e publikoi një letër tuajën dhe nuk është problemi se e publikoi atë: atë po duam edhe ne, ju e unë, të hapen dosjet e të dalë e vërteta sheshit. Se “tanët” dalin në shesh o më 11 prill, për ta kthyer dhimbjen në forcë, ose më 21 janar, për ta kthyer forcën në dhimbje.

Është pra për të ardhur keq që gjithë këtë energji patetike investigative “këta”, si për të kërkuar arkivave, ashtu edhe për të shkruar e për të denoncuar, nuk e përqendrojnë andej nga arkivat e Radio-Televizionit, por tek ato të Sigurimit të Shtetit. E njëjta gjë mund të thuhej edhe për Fevziun, Saliun, Edvinin e shumë të tjerë. Parë hollë-hollë kjo mund të thuhej thuajse për të gjithë ata që këta 27 vjet po heshtin turpshëm për atë që e dinë të gjithë.

5.

Nuk ka nevojë të theksoj posaçërisht këtu që nuk shtrohet çështja nëse na ka fyer ndokush atë ditë, por po e shkruaj këtë jo për ju por për »këta« që na lexojnë. »Këta« janë sharë edhe më keq nëpër foltoret e tyre e vijojnë ta bëjnë përditë. I gjithë peizazhi mediatik i fjalëve, pamjeve e ideve kutërbon nga fyerje a aludime të këtilla.

Nuk është se edhe unë këtu po kërkoj të laj ndonjë hak a të nxjerr ndonjë duf të hershëm, nuk është se e kam fiksim këtë. Jo, aspak. Ai lakror ka kohë që është ngrënë e mua vetë më së pari nuk më intereson fare; nuk më interesonte atëherë e nuk më intereson as tani.

Për të mos folur për atë, që »këta« rrinë e bëjnë sehir kur shpifet hapur për një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të kombit tonë sot në botë – nuk po e teproj me cilësime, pasi edhe adhuruesit tuaj më të zjarrtë përfshihen në »këta« që shënova më lart: edhe këta nuk paskan, me sa duket qartë, as aftësinë për t’u kujtuar e as guximin për të rrëmuar në arkivën e Televizionit, ndërkohë që ato të Ministrisë së Brendshme i dinë përmendësh.

6.

Nobelin nuk ka mbetur kush pa e marrë. Ndoshta vitin tjetër ia japin Stephen King-ut a Elena Ferrante-s; ndaj, kështu siç po venë punët me letërsinë globalisht, – për të mos folur për mjerimin tonë provincial e bestseller-at tanë të panaireve me qofte e sufllaqe – e vetmja arsye për ta dëshiruar atë çmim mbetet shpërblimi financiar. Ky po që është i majmë.
 E meqenëse shtypi botëror ju ka krahasuar shpesh me Kafkën, plani që përshkrova në krye do të ishte një performancë pak a shumë krijuese e atij rangu.

Për t’iu kundërvënë estradave të »këtyre« me mitingje, opinione e me velina.

Sidoqoftë, meqenëse copyright-i i kësaj projektideje, i kësaj performance, më takon mua, në pamundësi për të djegur veprat e realizmit-socialist siç bënë nazistët dhe këta tanët me artin e çartur, më mbetet ta vë atë plan për vete në jetë, me të më sosur kjo, jo te Lana, por anës Elbës apo Spresë.

E meqë koha shkon shumë shpejt e derimë atëherë, kur t’u lë shëndenë »këtyre«, nuk është, – falë Zotit duhet shtuar mbase këtu – nuk është më edhe aq larg, nuk ushqej më shpresa të kota për bashkatdhetarët në një të ardhme të afërt, pasi aq më bën se ç’bëhet me Shqipërinë kur të gjendem matanë, në xhehenem ndoshta, ndjesi kjo të cilën po e jap në citimin e Marksit nga »Kapitali«, vëllimi i parë (1867): »Après moi le déluge! është shpallja zgjedhore e çdo kapitalisti dhe nacioni kapitalist.“

Uroj të paktën që në një nga ato qarqet e ferrit të mos qëlloj në një kapanon me shokët e lartpërmendur të xhirimeve, shokët Ahmet Elezi e Kiço Nushi. Allahu është i tërëmëshirshëm, shkruhet në Kuran. Në këtë dynja nuk më rezulton të jetë kështu; mbase qenkësh në tjetrën, të shohim.

Se xhirime mitingjesh të asaj nahijeje nuk kemi.

7.

Është shenjë e mirë për atë që keni shkruar, kur ju sulmojnë kotmëkot, së fundmi vajza, gra apo plaka. Edhe vetë gabova ca më sipër në të shkruar: nuk shkrova adhurueset, por adhurues, pasi, – kështu më bëhet, – më bëhet pra se shumësi i kësaj fjale në shqip ka pas qenë shkruar kësisoj, në mashkulloren e shumësit, duke lënë mënjanë – padrejtësisht, do të kërcenin këtu stërfeministet që janë shfaqur kohët e fundit, – duke lënë mënjanë gjysmën tjetër të gjysmagjelit të përrallave: pulën. Mua më ngjan se jam burrë; këtë ma vërteton përditë mjekra që nuk para e rruaj, ndaj do të sugjeroja që në rastin në fjalë të kujtonit fjalët e Gavroshit, kur këndonte, mes të tjerash: ”… dhe fajin e ka Volteri!

Kështu si kanë ardhur kohët, që mund të quheshin fare mirë: ”virale”, mbase del ndokush nesër-pasnesër dhe ju bën fajtor për pandeminë, ndërkohë që po ju bëjnë fajtor për tekstin e vjetër biblik: Havaja u krijua nga një brinjë e Ademit, mirëpo, me sa di unë, Biblën nuk e keni shkruar ju. As unë.

Ndaj nuk po e përmend nënën që e ka gjithsekush në këtë dynja, por vetëm gjysmën tjetër prindërore ca më poshtë:

Dum Babën!

Juaji,
 H. Qamili


© 2021 Arb Elo. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin